Juventus kthehet në sulm për Dani Ceballos, mesfushori 21-vjeçar i Real Madrid, një nga të rinjtë më të talentuar në La Liga. Bardhezinjtë ishin interesuar për futbollistin andaluzian edhe në verën e kaluar, pasi ra në sy me paraqitjet e tij te Real Betis në kampionatin që shkoi dhe me Spanjën në Euro U-21 të zhvilluar në Poloni. Për momentin, Ceballos nuk po gjen vend te skuadra e drejtuar nga Zinedine Zidane, si pasojë e pranisë në ekip të Kroos, Modriç dhe Casemiro.
Në këtë mënyrë, të bazuar te dëshira e futbollistit për t’u aktivizuar më shumë, Juventus është gati të huazojë futbollistin me Real Madrid me të drejtë blerje përfundimtare në qershor kundrejt 30 milionë eurove. Në verën e kaluar, “Los Blancos” e morën mesfushorin nga Betis për 17 milionë euro. Ai ka një kontratë me klubin e Florentino Perez deri në qershor 2023, kësisoj i takon Real Madridit të vendosë të ardhmen e tij.
Juventus interesohet për mesfushorin e Real
Mohamed Salah, karta e Real Madridit
Real Madrid duhet të bëjë një kthesë radikale për të ndryshuar dinamikën negative të skuadrës në La Liga dhe t’u lejojë lojtarëve të rifitojnë besimin për t’u përballur me duelin e madh kundër PSG në Ligën e Kampionëve. Dhe ky transformim mund të vijë me një “grusht shteti” në formën e nënshkrimeve të reja. Pavarësisht refuzimit të trajnerit Zidane për t’u përforcuar në dimër (“unë nuk dua askënd”, u shpreh francezi të martën), shtypi europian insiston te një emër, Mohamed Salah.
Nga “Sky Sport Italia” pohojnë se Real Madridi jo vetëm e do të talentuarin egjiptian, anësorin e Liverpool, por ka për qëllim ta përfshijë këtë janar si përgjigje karshi nënshkrimit të Coutinhos me Barcelonën. Duke supozuar se të pamundurat nuk ekzistojnë më në botën e futbollit, operacioni do të jetë shumë më pak kompleks, duke pasur parasysh se Liverpool është shkëputur tashmë nga njëri prej yjeve të vet, çka në masë të madhe e zvogëlon potencialin e “Reds” në përpjekje për të fituar Ligën e Kampionëve.
Sidoqoftë, në këtë pikë, nuk është më sekret interesi i Real Madridit për Salah, një nga lojtarët më të mirë finalizues në futbollin botëror. Me 23 gola të shënuar në 29 ndeshje dhe 8 asiste, sulmuesi 25-vjeçar egjiptian është golashënuesi i dytë më i mirë në Premier League (prapa Harry Kane) dhe është votuar “Lojtari më i mirë afrikan i vitit 2017”. Përveç kësaj, dhe për të larguar çdo dyshim, Hector Cúper, trajneri aktual i Egjiptit, kohët e fundit pranoi se kishte marrë “lajme të konfirmuara” për interesimin e Real Madridit për këtë lojtar.
Zidane dhuron “show”
I tërbuar, i vendosur, solidar, i ashpër me ambientin e jashtëm dhe i dashur me futbollistët e tij, ndoshta edhe pak banal… Në Valdebebas, Zinedine Zidane ka ofruar një “show” të pazakontë për të, pasi ka dalë para gazetarëve me një orë e gjysmë vonesë. “Duhet të flisnim mes nesh dhe folëm. Ndoshta pak më shumë se normalisht, por ishte e nevojshme”. Më pas, ai ka dhënë një performancë unike, sepse mesa duket trajneri i Real Madrid ka dashur të japë një shembull për përkushtimin dhe intensitetin e punës…
“Ka njerëz që mendojnë se jemi një skuadër muti, por nuk është kështu. Edhe në barazimin me Celta Vigo kemi bërë gjëra të mira. Nuk ishte një ndeshje për t’u harruar e gjitha. Ka njerëz që e harrojnë shumë shpejt të kaluarën, por unë nuk jam dakord”, u shpreh Zidane.
Real Madrid e mbylli vitin 2017 me 5 trofe, një rekord. Në dy sezone, Zidane ka marrë 8 tituj, në 9 veprimtari që ka marrë pjesë. Megjithatë, jemi vetëm në janar 2018 dhe mbi skuadrën po bien gurë kritikash! Kjo ka ardhur si pasojë e paraqitjeve në kampionat ku pavarësisht se ka një ndeshje më pak skuadra “merengues” është -16 pikë nga Barcelona. Një distancë jashtëzakonisht e madhe, e papranueshme, edhe nga tifozi më besnik.
Më pas, francezi del në mbrojtje të futbollistëve të tij: “Këtu mes jush ka njerëz që do të donin që unë të fajësoja futbollistët, që sipas tyre nuk po japin maksimumin. Unë do të bëj të kundërtën. Nuk jam këtu për t’i hedhur baltë lojtarëve të mi, por jam këtu për të ndihmuar ata që janë në vështirësi dhe jemi të gjithë në të njëjtën varkë. Asnjë nuk do të zbresë nga varka. Faji për rezultatet e fundit është i përbashkët. Unë jam fajtori kryesor”.
“Po, jam nevrikosur shumë, tha Zidane në gjuhën franceze ndaj një konstatimi sipas të cilit ai nuk kishte qenë kurrë kaq banal dhe nervoz. Janë thënë dhe janë shkruar shumë gjëra të pavërteta. Nuk po sfidoj klubin dhe presidentin. Ata që e mendojnë në këtë mënyrë nuk më njohin. Presidenti më ka zgjedhur dhe unë do të jem gjithmonë në krah të tij, në krah të klubit dhe në krah të tifozëve. Unë e di shumë mirë si funksionojnë gjërat, por vazhdoj të pedaloj në të njëjtin drejtim me bashkëpunëtorët e mi”.
“Kam lexuar dhe dëgjuar se Zidane ka hedhur poshtë idenë e presidentit për të marrë portierin Kepa. Nuk është e vërtetë, e vërteta është se unë besoj te futbollistët që kam në dispozicion. Nuk dua të ndryshoj një ekip që ka fituar gjithçka, sepse besoj pafundësisht te lojtarët e mi. Do t’i mbroj deri në vdekje. Kam futbollistë të jashtëzakonshëm në dispozicion dhe nuk kemi nevojë për askënd në merkato. Kjo është ajo që i kam thënë gjithmonë presidentit dhe bordit drejtues”, përfundoi trajneri i Real Madridit.
Ronaldo mbështillet me shall për të shmangur kamerat në Madrid
Cristiano Ronaldo është munduar në maksimum të shmangë njerëzit gjatë një nate me miqtë e tij. Ylli i Real Madridit, Ronaldo e dashuron të qenurit në qendër të vëmendjes dhe ka krijuar një markë miltu-milionë euro duke maksimizuar profilin e tij publik.
Por edhe 32-vjeçari ka nevojë të qëndrojë larg lenteve të aparateve ndonjëherë, dhe ai bëri më të mirën e tij të mos binte në sy në kryeqytetin spanjoll.
Ronaldo ishte duke shijuar një mbrëmje të bukur mes miqve të tij në Madrid gjatë pushimit. Dhe kur është njohur nga tifozët dhe fotografët që prisnin jashtë, ai vendosi ta bënte sa më të vështirë punën e tyre. Kështu që ish-lojtari i Manchester United mbështolli veten e tij me një shall, duke lënë vetëm sytë jashtë.
Më pas hyri në makinë dhe u largua bashkë me një nga miqtë e tij, por pa hequr shallin nga koka. Kujdes Cristiano, nuk besojmë se lejohet t’i japësh makinës në atë mënyrë.
Sturridge i vetofrohet Interit
Daniel Sturridge ka vetëofruar veten e tij te Inter, sipas raporteve në Itali. Te Liverpool, ai nuk e ka një vend të garantuar në formacion këtë sezon, dhe kërkon të largohet në janar në mënyrë që të rrisë shanset për të shkuar në Kupën e Botës. TuttoSport pretendon se ai i ka thënë Inter-it se është i gatshëm dhe trajneri i Zikaltërve Luciano Spalletti është duke e konsideruar si një opsion të mundshëm.
Konkurrenca për një vend në sulmin e skuadrës së Gareth Southgate është e ashpër. Harry Kane është i vetmi që ka një vend të sigurt në Rusi 2018. Por, konkurrenca është po aq e ashpër te Liverpool dhe Sturridge – edhe kur është në formë të mirë fizike – është duke kaluar shumicën e sezonit në stol. Southampton është një nga shumë skuadrat që interesohet për ish-sulmuesin e Chelsea-t në janar. Por Sturridge mund të huazohet për një periudhë gjashtë mujore në Serie A, nëse Spalletti do të japë OK e tij për transferimin.
Nëse ikën Wenger, zëvendësuesi i tij do të jetë një italian
E ardhmja e Arsene Wenger në stolin e Arsenalit nuk është asnjëherë e sigurt, sidomos pas humbjes së fundit në Kupën e Anglisë, ndaj mediat britanike bëjnë me dije se trajneri francez mund të largohet në fund të sezonit. Dhe, në rast se kjo gjë ndodh, zëvendësuesi i tij do të jetë trajneri italian Karlo Ançeloti. Sipas “Evening Standard”, Karlo Ançeloti mund të rikthehet në Premier League, por jo si trajner i Chelsea, siç është përfolur kohët e fundit, por si drejtues i “topçinjve”.
Kontrata e Arsene Wenger në krye të Arsenal skadon në verën e 2019-ës, por e ardhmja e tij do të gjykohet nga drejtuesit në fund të sezonit. Ançeloti, 58 vjeç, pëlqehet shumë në Angli dhe drejtuesit e Arsenal e konsiderojnë si një kandidat të fortë, duke parë kurrikulumin e tij të pasur, fitues kudo ku ka drejtuar. Kohët e fundit, trajneri italian është vendosur me shtëpi në Londër, pasi u shkarkua nga Bayern Mynih, pasi aty ka jetuar në vitet 2009-2011, kur drejtonte Chelsea (fitoi edhe titullin).
Sot ndeshja Barça-Celta
Barcelona do të kthehet në fushë mbrëmjen e së enjtes për ndeshjen e kthimit të 1/8-ve të Kupës së Mbretit, të cilën do ta luajë në shtëpi kundër Celta Vigo-s. Lajmi i momentit në Katalonjë është blerja e Philippe Coutinho-s nga Liverpool për 160 milionë euro, por braziliani nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës për shkak dëmtimi. Pavarësisht nga kjo, trajneri Valverde pritet të hedhë në fushë një ekip të fortë për të siguruar një vend në çerekfinalet e këtij kompeticioni, veçanërisht duke parë se ndeshja e parë është mbyllur në barazim 1-1. Vendasit do të paraqiten në këtë takim me moralin e lartë, pasi kanë thelluar në 16 pikë diferencën me Real Madrid në kampionat.
Me La Liga-n pothuajse të siguruar, katalanasit do të përqendrohen te Champions League dhe Kupa e Mbretit. Ousmane Demebele ka qenë në fushë në ndeshjen e fundit të kampionatit dhe pritet të jetë titullarë kundër Celta-s. Por edhe miqtë do të zbresin në fushë të motivuar pas barazimit 2-2 të marrë në kampionat kundër Real Madrid. Për sa i takon përballjeve direkte, Celta ka arritur të marrë një barazim 2-2 në ndeshjen e fundit që ka luajtur në “Camp Nou”, një rezultat ky që, nëse përsëritet, do të kualifikonte miqtë në çerekfinale. Megjithatë, Barcelona ka fituar 12 dhe ka humbur vetëm 1 nga 20 ndeshjet e fundit të luajtura kundër Celta-s në “Camp Nou”. Ndërkohë, në pesë nga gjashtë takimet e fundit të luajtura mes këtyre dy ekipeve të dy formacionet kanë arritur të shënojnë.
Pasditen e së enjtes (19:30) do të luhen edhe dy ndeshje të tjera: Sevilla-Cadiz dhe Levante-Espanyol. Për sa i takon ndeshjes së parë, vendasit që e kanë hipotekuar kualifikimin në takimin e parë të fituar 2-0 në transfertë. Për më tepër, Cadiz nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në 5 nga 6 ndeshjet e fundit të luajtura kundër bardhekuqve, të cilët kanë fituar tri përballjet e fundit me Cadiz me rezultatin e përgjithshëm 9-0.
Nërkohë, Levante do të presë Espanyol, pasi fituan ndeshjen e parë me rezultatin 2-1. Megjithatë, historia tregon se barazimi është rezultati më i sheshtë i regjistruar në përballjet mes këtyre dy ekipeve, është verifikuar tetë herë në 22 ndeshje. Të dy ekipet kanë arritur të gjejnë golin në shtatë nga tetë përballjet e fundit të drejtpërdrejta.
Të pashpresë, të gjithë duan të ikin
Në Shqipëri ndodh që edhe raportin e invaliditetit ta marrësh me mik. Jo vetëm ekonomia, por sidomos korrupsioni e zhvillimi i ngadalshëm e shuajnë shpresën tek rinia. Orest Çipa, 29 vjeç, është shef i Sektorit të Koordinimit të 24 Njësive Administrative, që ka Bashkia e Tiranës, më e madhja në Shqipëri, me më shumë se 757 mijë banorë. Ai nuk e di nëse do të vazhdojë të punojë në Bashki apo jo në vitin që po vjen 2018. Në ditët e para të janarit, ai do të merret në intervistë nga Zyra për Çështjet Konsullore në Ambasadën Amerikane në Tiranë, pasi ka fituar aplikimin në Llotarinë Amerikane për të jetuar dhe punuar legalisht në SHBA.
“Në Bashkinë e Tiranës ka hapësira të mëdha për t’u rritur profesionalisht, për të pasuruar përvojat. Puna në Bashki më jep mundësi të njoh problemet që kanë qytetarët dhe të njoh nga afër sesi funksionojnë gjërat në realitet. Të punosh në Bashkinë e Tiranës është një mundësi e shkëlqyer”, thotë për DW, Orest Çipa.
Por ai po përpiqet ta lërë këtë mundësi- edhe pse vetë e ka ëndërr për të shkuar drejt të panjohurës, ëndrrës amerikane. I arsimuar në Universitetin e Tiranës për gazetari, ai ka kryer një master 3-vjeçar për Drejtësi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Shangait, me përvoja të mira pune dhe jashtë Shqipërisë, ka krijuar familjen e tij, është prind i një vajze të vogël. Megjithatë, ai nuk ndihet i plotësuar në Tiranë. Gotën e tij në Shqipëri e sheh gjysëm bosh.
“Ka shumë faktorë që më bënë të aplikoj për të fituar Llotarinë Amerikane dhe u larguar nga Shqipëria. Janë faktorë ekonomikë por edhe të tjerë që nuk kanë të bëjnë me ekonominë. Ka një zhvillim të ngadalshëm shoqëror, emancipues, demokratizues. Psh ndjej një rënie të peshës, fuqisë së qytetarëve që i kërkojnë llogari qeverisjes dhe duan një rol më të madh. Ende indeksi i korrupsionit është goxha i lartë, ndër më të lartët në Ballkanin Perëndimor. Këtu ndodh që edhe raportin e invaliditetit, kur je invalid, duhet ta marrësh me mik. Dihet që sa më i lartë korrupsioni, aq më e lartë përqindja e njerëzve të arsimuar që kërkojnë të largohen. Korrupsioni fiton terren në kurriz të ndërtimit të një shoqërie të bazuar në merita. Ka edhe faktorë të tjerë që lidhen me jetën e përditshme”, thotë Orest Çipa.
Brain Drain- Ikja e “Trurit” nga Shqipëria me përmasa shqetësuese
Faktorët e tjerë i identifikon vetë Qeveria Rama 2. Në Strategjinë Kombëtare për Diasporën dhe Migracionin, 2018-2024 krahas faktorit ekonomik janë identifikuar edhe faktorë të tillë si: “niveli i ulët i sigurisë publike, mungesa e besimit të qytetarëve në përmirësimin e situatës në vend, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar paralizojnë funksionimin normal të institucioneve shtetërore”. Në Strategjinë Kombëtare, e përmendur më lart, vihet në dukje se fenomeni i largimit të trurit, i njohur si Brain Drain, i shfaqur në vitin 1990, menjëherë pas rënies së regjimit komunist, ka vazhduar edhe gjatë tranzicionit të vështirë post-komunist dhe nga viti në vit përmasat e tij janë bërë shqetësuese. Kjo, pasi largimi i trurit nuk përfshin vetëm akademikët apo personat e kualifikuar të fushave të tjera. “Një numër i madh studentësh shqiptarë shkojnë në Itali dhe Greqi dhe më pas “truri” i vendit largohet drejt Gjermanisë, SHBA dhe Kanadasë”, vihet në dukje në këtë dokument të Ministrisë së re të Diasporës.
Në Shqipëri nuk ka shifra të sakta zyrtare, lidhur me numrin e akademikëve, specialistëve, elitës intelektuale që është larguar për të jetuar dhe punuar në Perëndim. Dy destinacionet e preferuara SHBA dhe Kanadaja përtej Atlantikut e kanë futur në sistem marrjen e trurit përmes llotarive të përvitshme. Ndërsa në Gjermani po shkojnë të jetojnë dhe punojnë në mënyrë të ligjshme mjekë dhe infermierë të kualifikuar, pasi për ta ka nevojë. Shifrat e përafërta bëjnë fjalë për largimin e 1/3 së popullsisë së Shqipërisë.
Strategji për Brain Gain-për të fitur dhe mbajtur “trurin” në Shqipëri
Që të kërkosh të realizohesh si individ, të aspirosh një jetë më të mirë, është një nga të drejtat themelore të njeriut, kur kjo ndodh pa thyer ligje dhe rregulla te vendet pritës. Qeveria Rama 2 në hartimin e Strategjisë Kombëtare për të ndalur fenomenin e Brain Drain dhe kthyer atë në Brain Gain ka vendosur nxitjen dhe promovimin e emigracionit të përkohshëm dhe atij qarkullues për individë të kualifikuar dhe talentuar. Këtij qëllimi do t’i shërbejnë marrëveshjet me SHBA dhe Kanadanë për nxitjen e kthimit vullnetar në Shqipëri të emigrantëve të kualifikuar. Atyre do t’iu jepet mundësia të vijnë në Shqipëri dhe qëndruar pak kohë për konsultime, dhënie leksionesh, trajnime, gjë që do të bëjë të mundur njëherazi regjistrimin e gjithë kapaciteteve intelektuale jashtë vendit. Ndërsa të rinjve dhe të rejave të talentuar do t’u ofrohen bursa për të studiuar jashtë vendit dhe vende pune, kur të mbarojnë studimet.
Pasoja të rënda për Shqipërinë
Largimi i ajkës së intelektualëve dhe sidomos e rinisë ka pasoja të rënda: Shqipërisë i ikën pjesa më e mirë e kapitalit njerëzor, lokomotiva e zhvillimit të saj ekonomik dhe social. Ikja e rinisë po tkurr aktivitetin dhe efektivitetin prodhues në sektorin privat dhe po ngadalëson ritmet e procesit të afrimit të Shqipërisë me BE, proces i vlerësuar si katalizator i emancipimit shoqëror, zbatimit të ligjit dhe i kryerjes së refomave të mëdha.
“E di që ikja e njerëzve të arsimuar nga Shqipëria do të ketë një kosto të jashtëzakonshme në progresin ekonomik dhe social të vendit. Por kur mungojnë kushtet për të zhvilluar karrierën dhe ndjekur vokacionin tënd, i çfarëdo lloji qoftë ai, nuk të mbetet gjë tjetër vetëm të largohesh. Mendo rininë që jeton në qytete të vogla Kavajë, Tepelenë, Himarë, Laç, etj, ku nuk ndodh asgjë dhe ku nuk ka punë, çfarë mund të bëjnë përveç se të kërkojnë të largohenç” thotë Orest Çipa.
DW (Titulli origjinal i shkrimit është Shqipëri: Largimi i trurit – shkak ekonomia, siguria publike dhe institucionet e dobëta)
Ekspertët: Ekonomia këtë vit do tkurret edhe më shumë
Ekonomia e Shqipërisë pritet të ngadalësohet në dy vitet e ardhshme. Banka Botërore në projeksionet që bën për ekonominë botërore në çdo fillim viti shprehet pesimiste në lidhje me nivelin e rritjes ekonomike në Shqipëri. Ekspertët i shpjegojnë se këto pritshmëri lidhen me përfundimin e investimeve të mëdha në vend si dhe krijimin e një klime të pafavorshme për të bërë biznes. Banka Botërore ka rishikuar me ulje ecurinë ekonomike të Shqipërisë për dy vitet e ardhshëm, duke mos qenë aq optimiste sa qeveria shqiptare. Sipas të dhënave për vitin 2019, rritja ekonomike e Shqipërisë me një ulje prej 0.3% ndërsa për 2020 parashikimi mbetet po 3.5%. Ekspertët e shpjegojnë këtë projeksion me përfundimin e investimeve. “Investimet e huaja direkte kanë rëndësi shumë të madhe, sepse ato gjallërojnë pjesën e ekonomisë shqiptare, siç është HEC gjigant që po ngrihet, apo TAP”, thotë Malaj. Për Selami Xhepën parashikimet e Bankës Botërore janë më realiste dhe larg atyre të qeverisë për një rritje ekonomike me 5%. “Gjendjen e investimeve të brendshme në ekonomi, qoftë investime të huaja dhe të investimeve private reflekton në gjendjen e sektorit financiar në Shqipëri dhe vaktësinë në të cilën sektori financiar po e mbështet rritjen ekonomike”, thotë Xhepa. Ekspertët sugjerojnë që të merren masa për të stimuluar rritjen e ekonomike. “Duhet marrë shumë seriozisht nga politikëbërësit shqiptarë, duhen çliruar energjitë e zhvillimit ekonomik shqiptar në nivel vendor dhe qendror, duhen shkurtuar burokracitë, duhen shkurtuar kostot direkte dhe indirekte”. Sipas Selami Xhepës, klima politike është ajo që ndikon në stepjen e investitorëve. “Ajo çfarë mund të bëhet kuptohet që është një faktor si një çështje politike që shkon përtej mundësisë për të ndihmuar apo ndikuar me instrumenta të posaçme të politikave ekonomike”. Rritja ekonomike e Shqipërisë për dy vitet e ardhshme sipas Bankës Botërore projektohet nën mesataren e rajonit.
Parashikimi i zymtë i Bankës Botërore
Ndryshe nga të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare, Banka Botërore duket se ka një qëndrim krejt të kundërt sa i përket rritjes ekonomike të rajonit. Projeksionet e fundit, të publikuara nga institucioni me bazë në Uashington në një raport të veçantë tregojnë se, Shqipëria nuk do të jetë aspak vendi me rritjen më të shpejtë në rajon, as këtë vit, as atë të ardhshëm e as në vitin 2019. Pra, Banka Botërore ka një qëndrim krejt tjetër me atë të Komisionit Europian, Fondit Monetar Ndërkombëtar e institucioneve të tjera në këtë drejtim. Të dhënat për vitin aktual tregojnë se, vendi ynë është i treti në listë, pas Malit të Zi dhe Kosovës, me një normë rritje të ekonomisë të projektuar në 3.6%. Sa i përket vitit të ardhshëm, Shqipëria është e dyta në listë pas Kosovës. Sa i përket vitit 2019 ndërkohë, Shqipëria e ndan vendin e tretë së bashku me dy shtete të tjera; Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën. Kosova dhe Maqedonia ndërkohë, projektohen me një rritje ekonomike në 4 dhe 3.9% respektivisht. Dy vitet e ardhshme, Kosova projektohet si ekonomia me rritjen më të shpejtë në rajon. Gjithsesi, duke bërë një mesatare të të treja viteve, rezulton se vendi ynë ka ecurinë më të qëndrueshme dhe është i dyti pas Kosovës në terma rritje ekonomike. Ndërkohë, Banka Botërore ka përditësuar së fundmi indikatorët botërorë të qeverisjes. Këta indikatorë janë gjashtë në total: përgjegjësia, stabiliteti politik dhe mungesa e dhunës, efektshmëria e qeverisjes, cilësia e rregullatorëve, sundimi i ligjit dhe kontrolli mbi korrupsionin. Të gjashtë këta indikatorë vlerësohen me përqindje, ku përqindja sa më e lartë të jetë, aq më mirë performon një vend. Të dhënat e fundit i referohen vitit 2016, dhe bëhet një krahasim me të gjitha vitet e kaluara, ndërkohë që ne po i referohemi 2015-ës. Në krahasim me 2015-ën, katër ndër 6 indikatorët në vendin tonë kanë pësuar përkeqësim, ndërkohë që progres shënon vetëm indikatori i kontrollit të korrupsionit dhe ai i cilësisë së rregullatorëve. Siç duket qartë nga ky grafik, Shqipëria së bashku me Kosovën janë të fundit në rajon në indikatorin e sundimit të ligjit për vitin 2016. Sa i përket kontrollit të korrupsionit, ndërkohë, me një përqindje në 41, Shqipëria vjen pas Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Ekzaktësisht e njëjta gjë vlen për indikatorin që i referohet efektshmërisë së qeverisë, ku Shqipëria arrin të lërë pas vetëm Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën. Kur bëhet fjalë për stabilitetin politik dhe mungesën e dhunës, Shqipëria regjistron performancën më të mirë në rajon, paçka se, është përkeqësuar në krahasim me vitin 2015. Ndërkohë, për përgjegjësinë e qeverisë, Shqipëria është në vend të dytë, shumë pranë Serbisë së vendit të parë.
Po plas flluska bombë e ndërtimeve
Teksa numri i lejeve të ndërtimit është rritur me shpejtësi gjatë 2017-ës, duke u dyfishuar në raport me nëntëmujorin e 2016 për gjithë vendin dhe duke u trefishuar në Tiranë, ndërtuesve u ka rënë optimizmi në lidhje me ecurinë e kërkesës për blerje dhe çmimeve jo shumë premtuese.
Banka e Shqipërisë, në anketën që ka bërë me kompanitë e sektorit, në kuadër të indeksit të besimit, ka gjetur se kontratat e porosive në ndërtim kanë rënë ndjeshëm në tremujorin e katërt të 2017. Siç shihet nga të dhënat, kontratat e porosive shënuan rënie të mëtejshme me 10% në krahasim me tremujorin e tretë të 2017-ës.
Gjithashtu pritshmëritë për çmimet vijojnë të jenë negative. Balanca e përgjigjeve të ndërtuesve për çmimet ishte negative me 4% në tetor-dhjetor.
Pas rritjes për tre tremujorë radhazi, treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) ra me 12.4 pikë përqindje. Rënia e zhvendosi TBN-në rreth 5.3 pikë përqindje nën mesataren historike të tij.
Pak ditë më parë, ekspertë nga Shoqata e Ndërtuesve u shprehën se janë të frikësuar nga zhvillimet e pakontrolluara në sektorin e ndërtimit sidomos në banesa. Sipas tyre, oferta e lartë me ndërtime të reja nuk po zhvillohet mbi një kërkesë reale dhe të qëndrueshme, duke vënë në dyshim efektivitetin e investimeve të reja.
Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve vijoi të bjerë, duke qëndruar në 59.0%. Kjo normë është rreth 3.3 pikë përqindje më poshtë nivelit të shënuar në tremujorin e mëparshëm dhe 5.1 pikë përqindje nën mesataren historike të saj.
Megjithatë, kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë, bizneset e sektorit të ndërtimit vlerësohet të kenë shfrytëzuar kapacitetet e tyre me një normë lehtësisht më të lartë. Për sa i takon balancës së gjendjes financiare, ajo rezultoi e përmirësuar në tremujorin e katërt.
Por, nga ana tjetër, e gjithë Shqipëria po të kthehet në kantier ndërtimi. Pothuajse në të gjitha qarqet rezulton një rritje e ndjeshme e lejeve të ndërtimit, sipas të dhënave në tremujorin e tretë të këtij viti, ndërsa në kryeqytet, rritja ka filluar që në tremujorin e parë të vitit.
Sipas të dhënave të INSTAT, për gjithë 9-mujorin 2017 janë dhënë gjithsej 608 leje, 27% e të cilave (167) kanë qenë në Tiranë.
Në krahasim me 9-mujorin e vitit 2016, kur u dhanë në gjithë vendin 308 leje, në 2017-ën ato janë dyfishuar (rritje 97%).
Pas Tiranës, në vlerë absolute numri më i lartë i rritjes së lejeve të ndërtimit është në Fier, ku janë dhënë 67 leje më shumë, e ndjekur nga Vlora me 48 leje më shumë dhe Durrësi me 38 leje më shumë.
Në tremujorin e tretë 2017 ka një rritje të ndjeshme të lejeve të dhëna në qytetin e Korçës, i cili është kthyer në një destinacion të preferuar turistik, ku janë dhënë 57 leje, nga më pak se 6 leje që janë dhënë mesatarisht tremujorët e mëparshëm.