24.5 C
Tirana
E diel, 13 Korrik, 2025

Si po mashtron qeveria me portalin e infermierëve

Ndërsa çdo vit qindra infermierë po braktisin Shqipërinë nga mungesa e vendeve të punës, Ministria e Shëndetësisë do të hapë një portal për punësimin e tyre, sikurse u veprua edhe me mësuesit. Por përfaqësuesit e infermierëve, thonë se portali nuk zgjidh problemet me të cilat ndeshet kjo kategori, ndërsa ngrenë edhe dyshime për mënyrën e funksionimit të tyre. “Në situatën që janë infermirët nuk duket e vendit një hapje e portalit, sepse nuk është zgjidhje për papunësinë. Thjesht portali gjëja e parë që do veri në dukje është numri i madh i të papunëve që do jetë dhe sa sorollatje kanë kaluar ata. Edhe mënyra përmes portalit e përzgjedhjes së infermierëve për punësim nuk është se është shumë e drejtë, sepse profesioni i infermierit nuk ka vetëm anën teorike, por ka të bëjë shumë edhe pjesa praktike e tyre. A do të ketë një komision të drejtë zgjedhje për profesionistët që do fillojnë punë dhe më kryesorja është, kjo gjë e shmang korrupsionin e punësimit apo jo”, thotë Jaçaj. Kreu i Shoqatës së Infermierëve, Elson Jaçaj, pohon se hapja e portalit është shmangie nga problemet reale që kanë punonjësit infermieror, duke nisur që nga pagat e ulëta, kushtet e punës, korrupsioni për të gjetur punë e deri te mungesa e aftësive profesionale, ku për çdo vit qindra të diplomuar në fakultete të ndryshme të vendit licencohen për të dhënë shërbim. “Pavarësisht ikjes, gjë që duhet të ishte shqetësimi i parë i ministrisë, që pse po largohen kaq shumë, pse infermieri po ikën nga vendi i tij? Gjë që dihet që është mungesa e pagave të mira, kushtet e këqija të punës. Është turp në vendin tonë një infermier të paguhet me atë pagë që deri tani paguhet. Do të thotë që për ne hapja e portalit është thjesht një shmangie e fokusit nga problematikat kryesore. Infermier ka plot të papunë, sepse ka aq shumë fakultete infermierie në vendin tonë, të cilat nxjerrin çdo vit infermier. Sot fitojnë infermierinë 300 veta, diplomohen 300 dhe marrin licencë 300”. Shoqata e Infermierëve thotë se shqetësimet për situatën e infermierëve, veçanërisht sa i takon pjesës kurrikulave universitare, të cilat nuk janë të njehsuara në të gjitha fakultetet, shtuar edhe mungesën e praktikës mësimore, i ka ngritur disa herë pranë institucioneve përgjegjëse, por nuk është gjetur asnjë rrugë bashkëpunimi dhe jo më zgjidhje.

Testi final i vulgaritetit anti-Trump

Nga David Brooks

Po e nis me tre vëzhgime të sikletshme, bazuar në duzina biseda nëpër Washington gjatë vitit të kaluar:
Së pari, ata që shkojnë në Shtëpinë e Bardhë dhe takojnë Presidentin Trump zakonisht largohen të befasuar këndshëm. Ata zbulojnë se Trump nuk është i çmenduri i furishëm që prisnin për shkak të postimeve në Twitter apo nga mbulimi i medias. Përgjithësisht thonë se ai është njeri i dashur. Kryen takime normale, pozitive dhe duket i mirinformuar për të biseduar.
Së dyti, ata që punojnë në administratën e Trumpit kanë pikëpamje gjerësisht të ndryshme për shefin e madh. Disa mendojnë se ai është një kalama i marrë, siç raportonte Michael Wolff. Por disa mendojnë se ai është një shpërqendrim rreth të cilit mund të punohet. Të tjerë mendojnë se është i çuditshëm, por jo i pamundur. Disa e admirojnë vërtet Trumpin. Shumë të tjerë e filtrojnë çmendurinë dhe pretendojnë se nuk ekziston.
Përshtypja ime është se administrata Trump është një vend jo i lumtur për të punuar, sepse ka shumë luftë të brendshme dhe shpesh nuk ka drejtim nga maja. Por kjo nuk është një administratë plot me njerëz që mezi presin për të futur në fuqi Amendamentin 25 (Amendamenti i Kushtetutës së SHBA për zëvendësimin e Presidentit – Syri.net).
Së treti, Shtëpia e Bardhë po bëhet më profesioniste. Imagjinoni sikur Trump të mos postonte në Twitter. Çmenduria e javëve të fundit do të largohej dhe do të shihnim një Shtëpi të Bardhë që ecën me shpejtësi drejt objektivave: Ndryshimi në politikën tonë me Pakistanin, ndryshimi në politikën e shpimit në det, realizimi i politikës për ISIS, emërimet e gjykata dhe formimi i politikave për infrastrukturën, DACA-n, Korenë e Veriut dhe tregtinë.
Duket sikur janë dy Shtëpi të Bardha. Është Shtëpia e Bardhë fasadë mbi të cilën synojmë të fokusohemi: Trump i irrituar para televizionit, avokatët që merren me hetimin rus dhe shtypin. Pastaj është edhe Shtëpia e Bardhë e padukshme për të cilën nuk ke dëgjuar kurrë, e cila po bëhet më efektive në menaxhim rreth shefit të shpërqendruar.
Shpeshherë vras mendjen nëse Shtëpia e Bardhë e padukshme ka mësuar të përdorë fasadën për të na dribluar teksa ndryshon vendin.
I përmenda këto observime të sikletshme për shkak se lëvizja anti-Trump, anëtar krenar i së cilës jam edhe unë, duket se po trashet. Duket se po përshtatet me një version të vetëkënaqur përrallash të realitetit që filtron informacionin e vrazhdë. Shumë njerëz anti-Trump duket se po i tregojnë vetes historinë e “Çmendurisë së Mbretit George”: Trump është një i marrë gjysmë-analfabet i rrethuar nga lajkatarë që janë moralisht, intelektualisht dhe psikologjikisht inferiorë karshi njerëzve si ne.
Do të doja të mendoja se është e mundur të jesh anti-Trump i zjarrtë po e reduktuar gjithçka në një përrallë.
Lëvizja anti-Trump po vuan nga mendjengushtësia. Shumica e njerëzve që përbuzin Trumpin nuk njohin ndonjë që punon me të apo që e përkrah atë. Dhe nëse kanë miq apo familjarë që admirojnë Trumpin, janë mësuar të mos bisedojnë rreth kësaj teme. Kështu që shumicën e informacionit rreth Trumpizmit e marrin nga të tjerë që gjithashtu e përbuzin Trumpin, çka është gjithmonë një recetë për një përmbyllje epistemike.
Lëvizja vuan edhe nga vulgariteti. Fox News është pionier i vulgaritetit modern. Vulgariteti modern injoron standardet normale gazetareske apo intelektuale (mendoni Sean Hannity apo Dinesh D’Souza). Ai krijon një stil komunikimi që nuk të nxit të mendosh më tepër, të bën të mendosh e të vëzhgosh më pak. Të ofron një dietë të qëndrueshme afirmimi, përqendrohet në tema të thjeshta që kërkojnë pak informacion në sfond dhe i bën shikuesit të kenë varësi ndaj dozave të përditshme të inatit dhe justifikimit.
Edhe ne anti-Trumpët kemi vulgaritetin tonë, kryesisht në orët e vona televizive. Por vulgariteti anti-Trump shpërtheu në lulëzim të plotë me librin e Wolffit.
Wolff nuk pretendon aderimin në standardet normale gazetareske. Ai pranon me kënaqësi se thjesht hedh rreth e rrotull thashetheme që janë tepër të bukura për t’u verifikuar. Siç shkruan Charlie Warzel në BuzzFeed, “për librin e Wolffit, e vërteta duket pothuajse një preokupim dytësor për atë që ka vërtet rëndësi: angazhimin”.
Testi final i vulgaritetit nuk është nëse të sfidon, të mëson apo kap konturet e realitetit; është ndjesia e brendshme që ke për ta shpërndarë në median sociale.
Në çdo luftë, vendet bëhen të ngjashme me armiqtë e tyre, kështu që supozoj se është normale që lëvizja anti-Trump të fitojë ngjashmëri me lëvizjen pro-Trump. Por nuk është e mirë. Kam vënë re shumë të rinj që shohin histerinë e përditshme monotone të anti-Trumpëve dhe iu duket budallallëk.
Kjo nuk është thjesht luftë për një president. Është luftë për rregullat sipas të cilëve do të na duhet të luajmë pas Trumpit. A do të zbresim në mënyrë permanente në standardet e Trumpit për sjelljen e pranueshme?
Apo do të rivendosim dallimin midis ekselencës dhe mediokritetit, të vërtetës dhe gënjeshtrës? Do të insistojmë në diferencën midis një eksperti të vërtetë dhe një mendjemadhi të keqinformuar? Do të rivendosim dallimin midis atyre institucioneve si Zyra Kongresionale e Buxhetit që operojnë me standarde profesionale dhe flasin me autoritet legjitim dhe mullinjve me erë të propagandës?
Në çdo sferë ka hierarki ekselence. Ka një diferencë të madhe midis William F. Buckley e Sean Hannity, midis reporterëve në gazetë dhe zhurmuesve. Pjesë e kësaj lufte është ruajtja e këtyre dallimeve, jo kontribuimi për zhdukjen e tyre.

Ofensiva diplomatike serbe kundër njohjeve të Kosovës

Përderisa Kosova po bëhet gati që muajin e ardhshëm të shënojë 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit, në anën tjetër Serbia ka paralajmëruar ofensivë diplomatike, jo vetëm për të bllokuar njohjet e reja të shtetit të Kosovës, por edhe për të siguruar tërheqjen e disa prej këtyre njohjeve.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohësit e të drejtës ndërkombëtare vlerësojnë se, ofensiva e diplomacisë serbe kundër shtetit të Kosovës dhe njohjeve të saj është zhvilluar në vazhdimësi, që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008, por se ajo tashmë është bërë më e dukshme dhe më e diskutueshme në media.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha, duke folur për Radion “Evropa e Lirë”, vlerëson se veprimet Serbisë, janë krejtësisht në kundërshtim me frymën e dialogut të Brukselit, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Serbia, në hyrje të 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, për ta relativizuar këtë ngjarje, ka filluar një aksion edhe më të dendur – ndonëse, ajo nuk e ka ndalur asnjëherë, rreth kontestimit të njohjes së shtetësisë së Kosovës – si dhe të një lloj protagonizmi gjoja se Kosova është një çështje që i takon Serbisë dhe që kinse ajo ka në dorë edhe shtetet e tjera për të tërhequr njohjet ndaj Kosovës”, tha Berisha.
“Natyrisht që kjo së pari është në kundërshtim të plotë me frymën e dialogut në Bruksel”, theksoi ai.
Ndërkaq, Afrim Hoti, profesori i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion “Evropa e Lirë” se, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, Serbia, në pamundësi të ndërhyrjeve faktike dhe të qeverisjes me Kosovën, ka pasur për objektiv që të pengojë dhe vendosë barriera të ndryshme në procesin e njohjeve për Kosovën.
“Kjo në masë të madhe mbase edhe është arritur, për faktin që, këto vitet e fundit, tregohet një rënie drastike e numrit të njohjeve dhe kjo rënie i ka bërë ata që të ndihen pak më të fuqishëm, duke luajtur edhe me lojëra shumë të ndyra burokratike, të cilat pothuajse janë edhe të panjohura në të drejtën ndërkombëtare”, vlerëson Hoti.
“Tash, jo vetëm që po bllokohet ecja më tutje e njohjeve për Kosovën, por disa shtete tashmë kanë filluar të tërheqin njohjet e tyre, një praktikë, e cila nuk është e njohur në të drejtën ndërkombëtare dhe që nuk ndodh nga shtetet serioze dhe të konsoliduara”, tha Hoti.
Në anën tjetër, autoritetet në Serbi, kanë folur për indikacione të mundshme që Egjiptin mund ta shqyrtojë tërheqjen e njohjes së shtetit të Kosovës.
Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Anton Berisha shpreh mendimin që, pavarësisht asaj që mund të thonë zyrtarët serbë, shtetet serioze, përfshirë edhe Egjiptin, nuk përfshihen në situata të tilla.
“Është një shtet serioz, i cili ka një traditë shtetërore dhe nuk besoj që Egjipti është një shtet marionetë, i cili, sa herë që zyrtarët serbë bëjnë ndonjë deklaratë, që ajo t’i obligojë ata ose që na obligon edhe ne. Unë besoj që, ne do të vazhdojmë me ritmin tonë të përafrimit edhe me shtete të ndryshme të Evropës dhe botës, në këtë rast edhe të Afrikës, pavarësisht qëndrimeve të Serbisë”, tha Berisha.
Ai ka shtuar se, përkundër faktit që çdo njohje është e rëndësishme, për Kosovën mbetet e rëndësisë së veçantë arritja e njohjeve nga 5 vendet e Bashkimit Evropian, të cilat deri më tash nuk e kanë njohur.
Por, Profesor Afrim Hoti thotë se zhvillimet e proceseve politike brenda Kosovës, si dhe politikat e jashtme të vendit, kanë lënë nën hije procesin e arritjes së njohjeve. Ndonëse sipas tij, nuk mund të thuhet që për shkak të krizave politike në vend, aleatët ndërkombëtarë kanë hequr dorë nga ndihma për arritjen e njohjeve për Kosovën, megjithatë, siç thotë ai, autoritetet e Kosovës nuk duhet të kenë iluzionin që për çështjen e njohjeve duhet të angazhohen vetëm aleatët.
“Nëse një politikë e jashtme e fuqishme e Kosovës ka munguar, që të paktën të bëj trysni ose eventualisht të mbajë vazhdimisht në kontakt miqtë tanë, duke u kërkuar që të shtrijnë dorën aty ku dora kosovare nuk mund të arrijë, atëherë është krejtësisht e natyrshme që edhe partnerët tanë strategjik, me njëfarë forme të pushojnë ose të ulin ritmin e ecjes përpara”, theksoi Hoti.
Sidoqoftë, për opinionin në Kosovë ende mbetet “mister” nëse Republika e Guinea-Bissau dhe Republika e Surinamit i kanë tërhequr ose jo njohjet e tyre ndaj Kosovës. Autoritetet e Beogradit e kanë pohuar një gjë të tillë, ndërkohë që autoritetet në Prishtinë, nuk kanë dhënë ndonjë konfirmim. Në listën e njohjeve të publikuara në faqen e internetit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Kosovës figurojnë 115 vende, përfshirë edhe këto dy shtete.

Shans për një dialog serioz mes dy Koreve

Bisedimet për Lojërat Olimpike Dimërore mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut janë një shans i ri për një dialog serioz për paqen.
Gjatë dy viteve të fundit nuk ka pasur bisedime të drejtpërdrejta midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut. Ndërkohë udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim, bëri në fjalimin e tij për Vitin e Ri një ofertë për bisedime dhe ofroi të dërgojë atletë koreano-veriorë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore në Pjeongçang, të cilat fillojnë brenda pak javësh. Po ashtu u riaktivizua edhe lidhja e posaçme telefonike mes Phenianit dhe Seulit zyrtar.

Në krye të delegacioneve persona të rëndësishëm
Përfaqësuesit e të dyja palëve zhvilluan edhe takimin e tyre të parë në fshatin Panmunjom të Koresë së Jugut, që gjendet në rajonin kufitar mes dy vendeve. Madje ato arritën edhe një marrëveshje për pjesëmarrjen e sportistëve.
Eksperti për Korenë Hartmut Koschyk, tha në një intervistë për radion publike gjermane DLF, se “kjo tregon se midis dy vendeve ka një shans për një dialog serioz”. Delegacionet e të dyja palëve udhëhiqen nga persona të rëndësishëm. Sidomos delegacioni koreano-verior, i cili drejtohet nga Ri Son-Gvon një person tepër i besuar i Kim Jong-Unit. Megjithatë sipas ekspertit Hartmut Koschyk nuk mund të pritet ndonjë zgjidhje e shpejtë në mosmarrëveshjet për programin bërthamor koreano-verior. Sipas ekspertit Koschyk, të dy vendeve u duhet dhënë kohë në këtë çështje.

Nuk priten zgjidhje të shpejta
Bisedimet u përqendruan fillimisht tek Lojërat Olimpike, të cilat duhet të shndërrohen “në lojëra olimpike të paqes”. Megjithatë, në planin afatgjatë, çështja e programit bërthamor nuk mund të përjashtohet edhe nga këto bisedime. Sipas ekspertit Hartmut Koschyk përmes këtyre bisedimeve Koreja e Veriut synon që, duke bashkëpunuar me Korenë e Jugut të vazhdojë nga njëra anë zhvillimin ekonomik të vendit dhe nga ana tjetër të jetë në gjendje të bisedojë me SHBA-në në kushte të barabarta.

Cavusoglu: Rusia dhe Irani t’i ndalin sulmet e Sirisë në Idlib

Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, u ka bërë thirrje Rusisë dhe Iranit për t’i plotësuar obligimet e tyre sipas planit të paqes për Sirinë, për t’i parandaluar sulmet e forcave të qeverisë së Sirisë në provincën Idlib, duke thënë se këto shkelje të planit nuk mund të bëhen pa mbështetjen e tyre.
Në intervistën e sotme për agjencinë shtetërore të lajmeve, “Anadolu”, ministri Cavusoglu i ka akuzuar forcat qeveritare siriane për sulm kundër luftëtarëve të moderuar opozitarë, nën preteksin e luftës kundër ekstremistëve islamikë.
Ai, po ashtu, u ka bërë thirrje Rusisë dhe Iranit, dy aleatëve kryesorë të qeverisë së Presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, që t’i ndalin sulmet e tyre ajrore në pjesë të provincën Idlib, që janë nën kontroll të kryengritësve, afër kufirit me Turqinë.
Këto komente të zyrtarit të lartë turk janë bërë, pasi forcat e qeverisë së Sirisë, pardje e kanë rimarrë kontrollin në 14 fshatra, gjatë avancimit në Idlib, që është enklava më e madhe nën kryengritësit në pjesën veriore të Sirisë.

Gjermania padi kundër klerikut iranian

Zyra e prokurorit të Gjermanisë po e shqyrton mundësinë e paraqitjes së akuzave eventuale kundër një kleriku të lartë iranian, i cili ishte përmendur si lider i ardhshëm suprem i Iranit dhe i cili aktualisht po mjekohet në Gjermani.
Një zëdhënës i kësaj zyreje tha se, ka pranuar një shkresë nga një ish-ligjvënës gjerman, kundër Ajatollah Mahmud Hashemi Shahrudi, ku kleriku akuzohet se ka kryer “krime kundër njerëzimit” gjatë një dekade të mbikëqyrjes së tij të qindra ekzekutimeve, derisa për një dekadë ishte në krye të Ministrisë së Drejtësisë së Iranit.
Zyra e prokurorit të Gjermanisë nuk ka njoftuar se sa do të zgjasë ky shqyrtim për të vepruar sipas pretendimit të ish-ligjvënësit gjerman, Volker Beck.
Shahrudi, i cili është përmendur si pasardhës i mundshëm i Liderit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka nxitur protesta dhe kritika të ashpra gjatë qëndrimit në një qendër për trajtim neurologjik në qytetin verior Hanover në Gjermani.

“Bild”: Gjyqtari i vdekjes në Iran, pacient luksoz në Gjermani
E përditshmja e njohur gjermane “Bild”, në ballinën e saj pardje e ka botuar titullin: Gjyqtari i vdekjes në Iran, pacient luksoz në Gjermani”. Gazeta “Jerusalem Post” ka raportuar se një prokuror në Hanover, po ashtu, po e shqyrton mundësinë e paraqitjes së akuzave penale kundër Shahrudit. Afro 200 vetë kanë dalë para spitalit, ku ai po qëndron, më 6 janar, për të protestuar kundër ekzekutimeve të afro 2 mijë iranianëve, që kanë ndodhur derisa ai ishte ministër i Drejtësisë i Iranit.
Në këto ankesa kundër tij pretendohet se ai mund të ndiqet sipas ligjit gjerman për krimet e dyshuara të kryera në Iran. Shahrudi deri tash nuk ka bërë komente publike për akuzat kundër tij.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Rainer Breul, tha se Shahrudi ka kërkuar trajtim në Gjermani për “sëmundje serioze” dhe kjo kërkesë e tij është miratuar, pasi janë dhënë “arsye të besueshme shëndetësore”.

A do të ketë Ajatollah Shahrudi imunitet?
Gazeta “Bild” ka raportuar se qeveria gjermane ka përcaktuar se Shahrudi, i cili aktualisht është anëtar i Asamblesë së Ekspertëve në Iran dhe konsiderohet se është zyrtar qeveritar, atij mund t’i jepet imunitet diplomatik kundër ndjekjes ligjore.
“Do të ishte gabim i madh nëse qeveria federale i mundëson imunitet diplomatik këtij organizuesi të vrasjeve masive nëpërmjet sistemit të Drejtësisë së Iranit”, i ka thënë ish-ligjvënësi, Volker Beck, gazetës, “Jerusalem Post”, duke i shpjeguar shkaqet në të cilat ai e ka mbështetur ankesën e tij kundër ish-ministrit, Mahmud Hashemi Shahrudi.
“Gjermania nuk duhet të jetë strehim për njerëzit e këtillë, të cilët në vendin e tyre i dënojnë njerëzit për shkaqe politike ose religjioze dhe u kërcënohen atyre me vrasje”, tha Beck dhe ka shtuar se, “regjimi i Iranit i persekuton femrat, të cilat ishin dhunuar, homoseksualët, kurdët, bahaistët dhe ateistët”.

AI: Nën Shahrudin janë kryer 2 mijë ekzekutime
Shahrudi e ka udhëhequr drejtësinë e Iranit në periudhën 1999–2009. Organizata Amnesty International tha se gjatë kësaj periudhe ai i ka kryer më tepër se 2 mijë ekzekutime, përfshirë të rinj, ndërsa e ka mbikëqyrur torturimin e të burgosurve dhe arrestimet e aktivistëve politikë dhe të të drejtave të njeriut.
Shahrudi ishte student i liderit të parë suprem në Iran, Ajatollah Ruhollah Khomeini, dhe konsiderohet se është pasues i denjë i tij.
Saba Farzan, drejtor ekzekutiv gjermano-iranian i Qarkut për Politikë të Jashtme, që është një institut strategjik në Berlin, i tha gazetës “Jerusalem Post”, se “përfaqësuesi i diktaturës islamike kurrsesi nuk do të duhej të ishte në territorin evropian” dhe se ndjekja penale është “absolutisht rrugë e drejtë”.
“Këta shkelës të të drejtave të njeriut duhet të mësojnë se ata nuk mund t’i privojnë shtetasit e tyre nga të drejtat e tyre të patjetërsueshme dhe pastaj të marrin trajtim luksoz mjekësor dhe, po ashtu politik”, tha Farzan.
Reinhold Robbe, ish-kryesues i Shoqatës së miqësisë gjermano-iraniane, tha se “është goditje në fytyrë të iranianëve në ekzil dhe të tjerëve, duke e parë një ish-lider të tillë të regjimit iranian, që trajtohet në Gjermani”.

Irlanda e Veriut një vit pa qeveri

Pothuajse 20 vjet pas të ashtuquajturës Marrëveshja e Paqes së të Premtes së Mirë, politika e Irlandës së Veriut vazhdon ende të dominohet nga nacionalistët në njërën anë dhe nga unionistët nga ana tjetër. Nacionalistët e ndjejnë tradicionalisht veten si qytetarë irlandezë dhe janë pro ribashkimit me Irlandën, ndërsa unionistët e konsiderojnë veten si qytetarë britanikë dhe duan të vazhdojnë të jenë pjesë e Britanisë së Madhe. Por dy palët armiqësore gjatë konfliktit e qeverisën vendin në koalicion për pothuajse nëntë vjet. Deri një vit më parë, kur shkaku për krizën qeveritare u bë një program për nxitjen e energjive të rinovueshme.
Partia Republikane Irlandeze, Sinn Fein e konsideronte atë si harxhim të kotë taksash prej rreth 500 milionë euro dhe i kërkoi kryeministres Arlene Foster të partisë protestante DUP (Democratic Unionist Party) të jepte dorëheqjen. Për shkak se Foster nuk e pranoi këtë, kreu i partisë Sinn Fein, Martin McGuiness, i cili ndërkohë ka vdekur, dha dorëheqjen si zëvendëkryeministër dhe koalicioni qeverisës u shpërbë.

Përgjegjësi tek qeveria rajonale e Londrës
Pas zgjedhjeve në mars të vitit 2017 kaluan disa herë afatet për të formuar një qeveri të re dhe për këtë shkak ministri për Irlandën e Veriut i Britanisë së Madhe, pjesë e së cilës është edhe Irlanda e Veriut, vendosi që përkohësisht t’i transferonte disa përgjegjësi tek qeveria rajonale e Londrës. Tani pak para se kriza qeveritare irlandezoveriore të mbushë vitin, ministri për Irlandën e Veriut, James Brokenshire, shpalli dorëheqjen.
Të gjitha këto zhvillime po ndodhin edhe në prag të Brexitit, i cili do ta ndajë sërish ishullin. Kjo për faktin se Republika e Irlandës është anëtare e Bashkimit Europian, kurse Irlanda e Veriut, si pjesë e Britanisë së Madhe, do të dalë nga BE-ja.

Ndikime masive në rajon
Pra, kufiri i jashtëm i BE-së do të kalojë në të ardhmen përmes ishullit, gjë që mund të sjellë ndikime masive në rajon. Pas Marrëveshjes së Paqes së të Premtes së Mirë kufiri u hap, pasi që nga viti 1969 kishte qenë i mbyllur masivisht prej trupave britanike. Shkak për këtë qe shtimi i dhunës në konfliktin e Irlandës së Veriut. Britania e Madhe e mbylli kufirin për të parandaluar kontrabandën e armëve nga kampe sekrete në Republikën e Irlandës për në Irlandën e Veriut.
Jonathan Powell, ndërmjetësuesi i Marrëveshjes së Paqes së të Premtes së Mirë, tha në intervistë për DW se “trazirat e mëdha nuk do të kthehen, por ne po e minojmë marrëveshjen politike që kemi arritur, dhe kjo do të ishte katastrofike. Nëse do të rivendosen vendkalime kufitare, do të na duhen gjithashtu roje kufiri dhe ata mund të janë në shënjestër të atentatorëve. Do të ketë më shumë sulme dhe kaos. Në Irlandën e Veriut vërtet nuk ka luftë civile, por ne ende kemi dhunë. Dhe sot në Belfast ka edhe më shumë mure që ndajnë popullsinë sesa në kohën kur u nënshkrua Marrëveshja e së Premtes së Mirë”.

Premtime nga Londra
Kryeministrja Theresa May i ka premtuar partisë protestante DUP një miliardë paund shtesë për Irlandën e Veriut, por kjo ka shkaktuar reagimin e politikanëve të Uellsit dhe të Skocisë që thonë se përse një ndihmë e tillë do t’i jepet vetëm Irlandës së Veriut dhe jo edhe rajoneve të tyre.
E vështirë për t’u realizuar në praktikë është edhe premtimi i kryeministres Theresa May, që ajo do t’i lejojë Irlandës së Veriut të gëzojë si të drejtat si pjesë përbërëse e Britanisë së Madhe edhe të drejta si një rajon faktikisht i posaçëm. Kjo do të thoshte që ose Britania e Madhe të mbetet pjesë e tregut të brendshëm dhe bashkimit tregtar të BE-së, ose të imitojë ligjet që ekzistojnë mes vendeve anëtare të BE-së.

Trump, takim me ligjvënësit mbi politikat e imigracionit

President Donald Trump speaks during a meeting with lawmakers on immigration policy in the Cabinet Room of the White House, Tuesday, Jan. 9, 2018, in Washington. (AP Photo/Evan Vucci)

Presidenti amerikan Donald Trump u tha ligjvënësve kyç të martën se do të nënshkruante çfarëdo legjislacioni për të cilin ata bien dakord për të mbrojtur qindra mijëra emigrantë të rinj nga deportimi dhe për të përmirësuar sigurinë përgjatë kufirit jugor të vendit me Meksikën.
Në një takim të jashtëzakonshëm të transmetuar nga kanalet televizive në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump tha se reformat gjithëpërfshirëse për imigracionin mund të diskutohej më vonë. Ai tha se ende beson se një mur duhet të ndërtohet përgjatë së paku një pjese të kufirit 3.200 kilometërsh amerikano-meksikan, por duket se ai ka hequr dorë nga kërkesat e mëparshme që ai të financohet menjëherë.
“Kur ky grup vjen tej unë me një marrëveshje do ta nënshkruaj atë”, tha Presidenti Trump.
Në një deklaratë të lëshuar nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë thuhet: “Presidenti Donald J. Trump sapo përfundoi një takim të suksesshëm dypartiak dhe ligjvënës nga të dyja dhomat e Kongresit për reformën e imigracionit. Gjatë pjesës së takimit që ishte e mbyllur për shtypin, ata arritën një marrëveshje për të negociuar legjislacionin për reforma të nevojshme kritike në katër fusha me përparësi të lartë: siguria kufitare, imigrimi zinxhiror, lotaria e vizave dhe programin DACA “.
Bisedimet në Shtëpinë e Bardhë po ndodhin, ndërsa zoti Trump dhe Kongresi përballen me 19 janarin si afat për të arritur një marrëveshje mbi shpenzimet e qeverisë amerikane deri në fund të shtatorit. Palët kanë qenë të detyruara tre herë të bien dakord mbi plane të përkohshme buxhetore në pamundësi të një marrëveshjeje afatgjatë.
Vitin e kaluar zoti Trump i dha fund një programi të ish-presidentit Barak Obama që mbronte prej dëbimit, 690 mijë a më shumë të rinj emigrantë, të cilët vite më parë u sollën në Amerikë në mënyrë të paligjshme nga prindërit e tyre.

Basha në Durrës: Masiviteti në protestë është mesazhi më i qartë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ftoi shqiptarët t’i bashkohen opozitës për të bërë të mundur me votë të lirë ndarjen e qeverisë nga krimi. Në takimin me demokratët e Durrësit, Basha tha se bashkimi është rruga e vetme për t’i dhënë fund pengmarrjes së Shqipërisë nga aleanca e Edi Ramës me krimin.
“Bashkohemi në një aksion të madh opozitar që nis me protestën e 27 janarit, por që do të vazhdojë me dinamikë në çdo dimension. Për një arsye të thjeshtë. Edi Rama e ka humbur të drejtën të qeverisë. Kush i shërben krimit, nuk i shërben dot të varfërve. Kush i shërben trafikantëve, nuk i shërben dot fëmijëve të shqiptarëve. Nuk bëhen dot të dyja. O njëra, o tjetra. Nuk ka vend për të qëndruar në mes”, tha Basha.
Kreu i opozitës shpjegoi sesi vota e blerë nga një kryeministër që bashkëqeveris me krimin, ndikon tek çdo familje. Basha tha se duke asgjesuar lirinë e zgjedhjes, Edi Rama ka asgjesuar lirinë e çdo prindi për të siguruar të ardhmen e fëmijëve të tyre, ka asgjesuar lirinë e jetës duke shkatërruar shëndetësinë, ka shkatërruar lirinë e sipërmarrjes, motorrit të vetëm të vërtetë të ndryshimit të Shqipërisë, që krijon vende pune.
“Nëse votën e merr me kriminelët, nuk ndjen detyrim me njerëzit e thjeshtë, kaq e thjeshtë është. Kjo është arsyeja përse 49% e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e dritës dhe të ujit. Kjo është arsyeja përse 30% e shqiptarëve nuk paguajnë dot nevojat minimale ushqimore. 39% nuk ngrohin dot shtëpitë. 70% e atyre që ikin janë nga mosha 19 deri 34 vjeç. Nuk e ka fare shqetësim. Shqetësim e ka, si t’i mbrojë kriminelët e vet”, u shpreh Basha.
Kreu i opozitës tha se kryebashkiaku i Durrësit, i kapur duke u kërkuar kriminelëve blerjen e votave në shpërblim të tenderave, është modeli i aleancës së Edi Ramës me krimin dhe se, bashkë me Ardian Çelën, do të kenë të njëjtin fund. “Destini i tyre është para drejtësisë”, u shpreh Basha. Drejtësia e pavarur dhe e pakapur politikisht është një mesazh tjetër që kryetari i PD dha në Durrës.
“Çfarë kërkojmë ne? Ne kërkojmë drejtësi. Ne kërkojmë drejtësi sepse duam zgjedhje me drejtësi, jo blerje të pushtetit. Duam një drejtësi që ndëshkon krimin dhe korrupsionin, që ndëshkon Sajmir Tahirin dhe banditët e tij, që ndëshkon qeveritarët e korruptuar, që ka guximin të vendosë para drejtësisë dhe prapa hekurave këdo qeveritar dhe pushtetar pavarësisht prej pushtetit”, u shpreh Basha.
Duke inkurajuar shqiptarët të bashkohen me opozitën kundër Aleancës së Krimit, Lulzim Basha shpjegoi rëndësinë e pjesëmarrjes masive në protestën e parë të 27 janarit.
“Masiviteti në protestë është mesazhi më i qartë se papajtueshmëria, që ju qytetarë, e prekni kudo me këtë qeverisje, nuk është më e heshtur, por është zëlartë dhe është një refuzim i pakapërcyeshëm. Është sinjali më i vërtetë, më i qartë se e keqja ka rënë moralisht”, theksoi Basha.
Duke e konsideruar Partinë Demokratike si e vetmja shpresë për vendin, kreu i opozitës Lulzim Basha tha se pjesëmarrja masive në protestë është hap vendimtar për të shkuar drejt krijimit të një qeverie antimafia që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Shkrimtari Ismail Kadare nderohet me çmimin “Nonino” 2018

(FILES) This file photo taken on February 08, 2015 shows Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP in Jerusalem. The Swedish Academy stunned the world last year when it awarded the Nobel Literature Prize to US counter-culture icon and rock star Bob Dylan. This year, experts say, the laureate will be more conventional. / AFP PHOTO / GALI TIBBON

Shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare është fituesi i edicionit 2018 të çmimit “Nonino”, i promovuar për 43 vjet në qytetin e Udines, Itali, dhe i destinuar për figura të mëdha të kulturës botërore nga një juri e kryesuar nga Nobel V.S. Naipaul.

Çmimi Nonino 2018 iu dha edhe filozofit italian Giorgio Agamben, krijues i konceptit “Homo Sacer”, qenie njerëzore jeta e të cilit është e shenjtë.

Ceremonia e dhënies së çmimit do të zhvillohet në Distilleries Nonino në Ronchi di Percoto (Udine) më 27 janar, shkruan agjencia italiane e lajmeve ANSA.

Ismail Kadare, shkrimtar i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm, kandidat i çmimit Nobel në letërsi, lindi më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që e bëri të njohur në gjithë botën, në “Daullet e shiut”, veprat e tij më të zhytura në natën e legjendës ballkanike janë , “Kush e solli Doruntinën” apo “Ura me tri harqe” apo ato me frymëzime të së tashmes si “Tri këngë zie për Kosovën”.

Në vitin 1996 , Kadare u pranua anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi Man booker International Prize dhe në vitin 2009 mori çmimin Prince of Asturias për Artet. Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka fituar Çmimin “Jeruzalemi” për vitin 2015. Ai u konsiderua me këtë rast shkrimtari që i dha shprehje lirisë njerëzore në librat e tij.

Në 13 maj 2016, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi shkrimtarit të shquar “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.