32.5 C
Tirana
E diel, 13 Korrik, 2025

Kërkuan arrestimin e Tahirit për drogën, kamikazja e Ramës në Prokurori përgatit shkarkimin e Prokurorit

Pasi bëri disa lëvizje në prokuroritë e rretheve dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, Arta Marku ka vendosur të bëjë lëvizje edhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Nuk dihet ende me ç’tagër i bën lëvizjet prokurorja e Përkohshme, por mediat sot raportojnë se priten lëvizje të tjera.

Sipas ReportTv, kryeprokurorja e Përkohshme, pritet të largojë nga detyra edhe Besim Hajdarmatajn. Ky i fundit është kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe prokurori që udhëheq hetimin kundër ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Kjo lëvizje në lidhje me dosjen e Tahirit vjen pas disa vendimeve të fundit që ka marrë gjykata me kërkesë të prokurorisë.

Mësohet se kandidatë për të zëvendësuar Hajdarmatajn janë dy prokurorët, Enea Nakuçi dhe Përparim Kulluri. Të dy janë prokurorë që janë aktualisht te Krimet e Rënda ose kanë qenë më parë pjesë e kësaj strukture.

Mafia në Prokurori, presion prokurorëve të dorëhiqen!

Kamikazja e Ramës në Prokurorinë e Përgjithshme, Arta Marku po zbaton urdhërat e mafias për largimet e drejtuesve të prokurorive të rretheve. Kryeprokurorja e përkohshme u ka kërkuar të gjithë drejtuesve të prokurorive në rrethe që të japin dorëheqjen për t’i zëvendësuar ata me njerëz partiakë sipas porosisë së Ramës. Vetëm ditën e djeshme, ajo ka firmosur 4 largime prokurorësh, pasi ata nuk pranuan të dorëhiqen, duke i zëvendësuar me prokurorë partiakë apo prokurorë që kanë mbyllur dosjet e drogës së njerëzve të lartë të PS, siç është rasti i të emëruarës në Prokurorinë e Durrësit, Donika Prenga, e cila liroi djalin e Gramoz Ruçit, që ishte arrestuar për drogë.
Zyra e kabinetit njofton se, kreu i përkohshëm i akuzës ka vijuar me lëvizje të reja duke vendosur emra të rinj në krye të katër prokurorive në rrethe.
Marku largoi nga drejtimi i Prokurorisë së Durrësit, Agron Gjanën, që e komandoi përkohësisht në Prokurorinë e Pukës. Ai zëvendësohet nga Donika Prenga, një nga ish-vartëset e tij në këtë prokurori. Në rrokadë emrash janë përfshirë edhe prokuroritë e Fierit, Kukësit dhe Elbasanit, ku shefat e vjetër janë kthyer në detyrat e mëparshme të prokurorëve të thjeshtë, ndërsa të rinjtë marrin detyrën si të caktuar, një risi kjo e paketës së Reformës në Drejtësi që tregon kompetencat e Prokurores së Përgjithshme derisa të ngrihet organi qeverisës i akuzës. Në krye të Prokurorisë së Elbasanit u vendos Ardian Nezha, i cili për shumë kohë ka qenë i larguar nga Krimet e Rënda në Pukë.
Njeriu që ai zëvendësoi, ish-kryeprokurori i Elbasanit, Dritan Gina, i cili kthehet në Tiranë, aty ku ka patur më herët emërimin e kundërshtoi këtë vendim.
Në fakt kundërshtime ka patur për vendimet e Markut edhe bashkëshortja e Ginës, Rovena Gashi, e cila më herët nga drejtore e Marrëdhënieve Juridiksionale zbriti në prokurore sektori të dekrimiminalizimit.
Por Gashi ka paditur Markun në Gjykaten Administrative me argumentin së urdhri i kamikazes së Ramës nuk bazohet në asnjë dispozitë. “Jam shkarkuar”, thotë Gashi në padi, “me argumentin e ndryshimit të strukturës, por struktura ende nuk ka ndryshuar”, ndërkohë që vendimi i Prokurores së Përgjithshme për largim nga detyra e drejtores është i paarsyetuar.
Po ashtu edhe Prokurori i Durrësit, Agron Gjana e ka kundërshtuar shkarkimin nga Marku.
Ndërkohë nga Prokuroria e Përgjithshme nuk ka ende një përgjigje për këto reagime, megjithëse kabineti Marku i ka paraprirë çdo zëri në krye të herës, ku njofton se ndryshimet u bënë për riorganizim, mirëfunksionim, rritje performance dhe besueshmërie tek publiku.
Liroi djalin e Ruçit me drogë emërohet kryeprokurore në Durrës
Kamikazja e Ramës emëroi dje drejtuese të Prokurorisë së Durrësit, prokuroren që liroi djalin e Gramoz Ruçit të kapur me drogë. Prokurorja Donika Prenga në vitin 2012, rrëzoi akuzat për djalin e Gramoz Ruçit, i cili u kap me drogë në makinë dhe në këtë mënyrë, ai mundi që t’i shpëtonte burgut. Dje, ajo u emërua kryeprokurore në Durrës nga Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku.
Shkrimi i botuar nga gazeta “Panorama” në vitin 2012 për këtë ngjarje:
Prokuroria kërkoi detyrim paraqitjeje. Avokatët: Akti i kontrollit, i stisur, u përgatit 5 ditë më parë
Bie akuza për drogën në makinë. Ndalimi cilësohet i paligjshëm Ledio Ruçi, djali i deputetit të PS-së, fiton në sallën e gjyqit lirinë e munguar prej 70 orësh. Ndalimi i tij u quajt i paligjshëm, duke iu hedhur poshtë nga Gjykata dyshimi i Prokurorisë për akuzën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Trupi gjykues, përfaqësuar nga Kastriot Selita, ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë për masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për Ledio Ruçin dhe urdhëroi lirimin e tij në sallën e gjyqit.
Seanca gjyqësore ndaj 28-vjeçarit Ruçi u zhvillua mesditën e djeshme. Rreth orës 12:00, i riu, ndaluar pasditen e së hënës, pasi në makinën e tij u gjet 1.5 gramë kanabis, ka hyrë i shoqëruar me punonjës të policisë në godinën e Gjykatës. Ai përfaqësohej nga dy avokatë, ndërsa në sallën ku u zhvillua seanca ndodhej i pranishëm vetëm një shok i tij.
Përfaqësuesja e Prokurorisë së Durrësit, Donika Prenga, e ka cilësuar që në fillim të paligjshëm kontrollin e dytë në makinën e Ruçit, por ka pranuar si të ligjshëm ndalimin dhe gjetjen e provave, pikërisht qesen e drogës. Prokurorja është rikthyer dhe një herë në datën 27 janar, kur makina me targa zyrtare e familjes së deputetit, TR 0141 Z, u ndal në një postbllok të Policisë së Durrësit. Sipas organit të akuzës, më 27 janar, në këtë makinë u ushtrua kontroll, ku u zbulua një armë sportive me dylbi. Menjëherë u arrestua Lori Kelolli, shoku i drejtuesit të makinës, Ledio Ruçi, ndërsa makina me targa Z u bllokua për mungesë dokumentacioni. Pas tri ditësh, Gjykata e Durrësit e liroi Kelollin, pasi arma rezultoi me leje. Të njëjtën ditë, oficerët e Policisë së Durrësit i kanë kërkuar të riut Ruçi që të lëvizte makinën që kishte bllokuar një tjetër mjet në pikën e bllokimit në Shkozet. Sipas prokurores, më 30 janar, në orën 14:00, efektivat të Antidrogës dhe të Rendit, në prani të vetë të pandehurit Ruçi, kanë ushtruar një kontroll të dytë në automjet, ku u gjet në cilësinë e provës materiale 1.5 gramë kanabis sativa. Ky kontroll është quajtur i paligjshëm nga ana e prokurores, ndërsa ndaj Ledio Ruçit ngre dyshimin si autor i veprës penale të prodhimit dhe trafikimit të drogës. Megjithatë, ajo kërkoi dje nga trupi gjykues masën e sigurisë detyrim paraqitjeje për Ruçin, deri në fund të hetimeve, që sipas saj korrespondojnë me kryerjen e ekspertimit mbi shenjat e gishtave dhe prova të tjera që të provojnë se droga i përkiste atij.
Pas akuzës e morën fjalën dy avokatët mbrojtës, Saimir Visha dhe Arjan Selati, të cilët e quajtën si të pavlefshëm procesverbalin e dytë të mbajtur nga gjashtë efektivat e Policisë së Durrësit, dy prej të cilëve agjentë të Antidrogës. Sipas avokatëve, nga kontrolli i parë, siç rezulton në procesverbal, është gjetur vetëm një armë sportive dhe nuk flitet për asnjë sasi droge. “Automjeti që prej datës 27 janar ka qenë në posedim të policisë, ku Ledio Ruçi nuk kishte akses për ta përdorur, ndaj kontrolli i dytë i ushtruar vetëm pas tri ditësh, në prani edhe të dy agjentëve të Antidrogës, të cilët edhe në kontrollin e parë kanë qenë të pranishëm, nuk është i vlefshëm”, thanë avokatët. Një tjetër fakt që ka shërbyer për të shpallur pavlefshmërinë e kontrollit të dytë ndaj Ruçit ka qenë data e shënuar gabim në procesverbalin e këtij kontrolli. Ai mban datën 25 janar dhe jo 30 janar. Sipas avokatëve urdhër-ndalimi ishte lëshuar pesë ditë para ndalimit të Ledio Ruçit, çka do të thotë se gjithçka ka qenë e stisur. Pas 50 minutash seancë, gjyqtari ka dhënë vendimin e tij, duke rrëzuar në bazë të argumenteve kërkesën e Prokurorisë. Ai ka deklaruar se bazuar në Kodin e Procedurës Penale, ndalimi më 30 janar i Ledio Ruçit është i paligjshëm, pasi kontrolli i kryer në makinë më 27 janar nuk kishte gjetur asgjë ilegale. Në këtë mënyrë u urdhërua lirimi i tij në sallën e gjyqit. Sapo ka mbaruar fjalën gjyqtari, Ruçi është lënë i lirë të dalë nga Gjykata dhe të kthehet në Tiranë pas rreth 3 ditë izolimi.

U shkarkua pse u hoqi mandatet dy deputetëve të Ramës, prokurorja padit Kryeprokuroren

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku do të përballet me padinë e parë për ndryshimet që bëri me t’u ulur në karrige. Prokurorja Rovena Gashi, e liruar pak ditë më parë nga pozicioni i drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë dhe shefes së Dekriminalizimit ka paditur në Gjykatën Administrative, Arta Markun. Gashi kërkon nga Gjykata pezullimin e urdhërit për lirimin e saj, si edhe konstatimin e pavlefshmërisë absolute të urdhërit Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Arsyeja me të cilën Prokurorja e përkohshme largoi Gashin nga detyra ka të bëjë me kërkesën drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për heqjen e mandatit të deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica.
Me dërgimin e kërkesave në KQZ, prokurorja ka informuar zyrtarisht edhe Kryeprokuroren për vendimmarrjen e saj. Por, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme duket se është ndjerë e anashkaluar, pasi vendimmarrja e Gashit nuk është konsultuar paraprakisht me titullaren. Për këtë arsye, Marku ka vendosur të shkarkojë prokuroren Gashi, urdhër që tashmë do të presë vendimin e Gjykatës.
Ndërkohë pas lëvizjeve të para, Kryeprokurorja e përkohshme është duke përgatitur dhe një valë të re shkarkimesh kryesisht tek drejtuesit e rretheve. Edhe pse u etiketua si e përkohshme dhe e kontestuar për mënyrën si u zgjodh, Arta Marku nuk duket të veprojë si e tillë. Në pozicionin e kryeprokurores së Përgjithshme ajo duhet të njohë mirë ligjin për funksionimin e Prokurorisë, ndërkohë që si prokurore e vetmja çështje e saj në Gjykatë është fituar nga pala paditëse.
Më poshtë janë renditur shkeljet mbi bazën e të cilave prokurorja Rovena Gashi e konsideron të paligjshëm vendimin për shkarkimin e saj.
Së pari, urdhëri i Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme nuk bazohet në asnjë dispozitë ligjore. Arta Marku, në pozicionin e saj, ushtron funksionet në bazë të dispozitave kalimtare, të parashikuara në nenin 160 të Ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.
Në asnjë prej dispozitave kalimtare, nuk parashikohet mundësia e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm për përcaktimin, miratimin apo ndryshimin e strukturës së institucionit;
Së dyti, edhe nëse do të kishte kompetencë për ndryshimin e strukturës së Prokurorisë së Përgjithshme, kryeprokurorja e përkohshme nuk ka miratuar asnjë urdhër për ndryshime në organikë.
Pra, Rovena Gashi është shkarkuar me argumentimin e ndryshimit të strukturës, ndërkohë që, të paktën deri në dorëzimin e padisë, kryeprokurorja e përkohshme nuk ka firmosur asnjë urdhër për ndryshimin e strukturës.
Së treti, ligjvënësi ka parashikuar një mbrojtje të posaçme për prokurorët në detyrë gjatë kohës së ushtrimit të funksioneve të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm. Ligji 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë”, për të shmangur veprime abuzuese nga kryeprokurori i përkohshëm, në nenin 110 të tij i ka dhënë mbrojtjen maksimale që garantohet nga Ligji Nr.96/2016 “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe të Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë», pikërisht për të garantuar parimin kushtetues të pavarësisë së prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës së tij.
Në këtë kuadër, vlerëson paditësja Gashi, përtej kapërcimit abuziv të kompetencave prej Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, kjo e fundit nuk ka të drejtë të bëjë shkarkime të Prokurorëve nga detyrat që ata mbajnë në kohën e hyrjes në fuqi të këtyre ligjeve.
Së katërti, urdhëri i Prokurorës së Përgjithshme të Përkohshme për shkarkimin e prokurores Gashi nga detyra e drejtorit është i paarsyetuar.
Mungesa e arsyetimit të këtij akti individual lirimi, i cili sjell pasoja të drejtëpërdrejta për paditësen, e bën këtë akt administrativ absolutisht të pavlefshëm, kjo referuar dispozitave të Kodit të Procedurave Administrative.
Në padinë e prokurores Gashi, zbulohet edhe një detaj interesant i përplasjes ndërmjet Kryeprokurores së Përkohshme dhe ish-drejtoreshës. Përtej sa ka argumentuar:
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, në zyrën e saj, në prani të dy prokurorëve të tjerë në Prokurorinë e Përgjithshme me funksione drejtuese, dhe konkretisht Adnan Xholi, drejtor i Drejtorisë Gjyqësore dhe Thoma Jano, drejtor i Drejtorisë së Përgjimeve, i ka deklaruar paditeses Rovena Gashi se; «Dërgimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të vendimeve të Sektorit të Dekriminalizimit, në lidhje me rezultatat e verifikimit për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi dhe Gledjon Rehovica, pa u konsultuar paraprakisht me të dhe pa firmën e saj, përbën shkelje ligjore dhe etike. Për këtë qëllim, lirohesh nga detyra e drejtorit të kësaj Drejtorie”.
Pra, përtej argumentit zyrtar të riorganizimit, lëvizja e prokurores Gashi lidhet drejtpërdrejtë me vendimmarrjen e saj për deputetët Rakipi dhe Rehovica.
Në fakt, argumenton Gashi në padinë e saj, ajo ka vepruar në përputhje me urdhërat e Prokurorit të Përgjithshëm, ende në fuqi, të cilët e autorizonin atë si shefe e sektorit të Dekriminalizimit për të zhvilluar komunikimin zyrtar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Nga ana tjetër, nisur edhe nga vendimmarrja e KQZ-së, e cila pranoi kërkesat e dërguara nga Rovena Gashi dhe u ndërpreu mandatin dy deputetëve, rezulton e konfirmuar se veprimtaria e saj ka qenë tërësisht në përputhje me ligjin.

Protestë në Fier, banorët bllokojnë rrugën

Banorët e fshatit Daullas në Njësinë Administrative Qendër protestuan dje për amortizimin e rrugës, duke bllokuar aksin rrugor që lidh qytetin e Fierit me tre fshatra Mujalli, Grecalli dhe Daullas. Bëhet fjalë për më pak se 1 km rrugë, por banorët thonë se mbi 30 vjet pa u bërë asnjë investim.
“Jemi shumë afër qytetit dhe çdo kontakt e kemi me qytetin. Këtu nuk ka as dentist, as farmacist, shumë shërbime që ne i kemi të lidhura me qytetin. Çdo ditë jemi të detyruar të shkojmë 2-3 herë në Fier. Është e përditshme. Përfaqësuesit e Bashkisë nuk kanë ardhur fare të diskutojnë me ne, thonë se rruga do të bëhet kur të mbarojë autostrada. Ne nuk mund të presim. Bllokimi i rrugës ka ardhur si revoltë e të gjithë zonës, rruga ka qenë në gjendje të keqe prej dekadash, por tani është bërë më keq. Kjo nuk është protestë politike, është protestë e banorëve të kësaj zone. Ne do të protestojmë përsëri, do të shkojmë të protestojmë tek Bashkia”, u shpreh një nga protestuesit.
Rruga e vetme qe i lidh me qytetin sipas banorëve është prishur edhe nga automjetet e rënda që kanë punuar për ndërtimin e Bypasit të Fierit që kalon pranë Daullasit. “10 kilometra rrugë është pse nuk shtrohet”, thotë një prej protestuesve.
Banorët janë shprehur se do t’i përshkallëzojnë protestat, për më tepër tani, që punimet për ndërtimin e bybassit janë ndërprerë dhe nuk ka një informacion se kur do të fillojnë. Ata kërkojnë rehabilitimin e rrugës, e cila krijon vështirësi të shumta komunikimi me qytetin.
Policia ka ndërhyrë për të zhbllokuar rrugën, duke deklaruar se banorët nuk kanë bërë kërkesë për protestë. Ndërkohë banorët paralajmëruan se nuk do të ndalojnë protestat deri në zgjidhjen e problemit të tyre. Ata deklaruan se do të zhvendosin protestat tek Bashkia e Fierit.

Trafik droge dhe kontrabandë cigaresh nga Shqipëria në Itali

Policia Financiare e Brindisit ka zhvilluar një operacion kundër trafikut të marijuanës nga Shqipëria drejt Italisë dhe kontrabandës së cigareve dhe alkoolit përmes Portit të Brindisit. Operacioni është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm me urdhër të Prokurorisë së Brindisit, ku janë goditur dy grupe kriminale e janë ekzekutuar 9 masa ndalimi ndaj 2 shtetasve shqiptarë e 7 italianë. Arrestimet janë kryer në provincën e Barit, Leçes e Brindisit.
Hetimet kanë zbardhur aktivitetin kriminal të një bande që trafikonte përmes detit drogë nga Shqipëria drejt Italisë. Investiguesit italianë kanë verifikuar sasi të konsiderueshme marijuane të transportuar me gomone nga Shqipëria.
Më 15 dhjetor të 2017, këtij grupi kriminal u janë sekuestruar 480 kg marijuanë, një motoskaf e një autoveturë në zonën Lendinuso në provincën e Brindisit. Të arrestuarit janë shqiptari Keliant Llaka 27 vjeç, një tjetër shqiptar i shpallur në kërkim, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur si dhe shtetasit italianë Italo e Giuseppe Lorè 42 e 45 vjeç, Luigi Spina 37 vjeç e Nicola Magli 36 vjeç.
Grupi i dytë kriminal i goditur nga Policia Financiare e Brindisit është i përbërë nga shtetas italianë të akuzuar për kontrabandë cigaresh e alkooli nga Holanda, Polonia e Lituania, me anë të falsifikimit të dokumentacionit të mallrave që hynin përmes Portit të Brindisit.

Maskat grabisin në kërcënimin e armëve pikën e këmbimit valutor

Një pikë e këmbimit valutor është grabitur nga persona të armatosur në qytetin e Fierit. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 17:30 në zonën pranë prefektures përballë “Shtëpisë së Oficerëve”. Paraprakisht mësohet se autorët kanë qenë dy persona, që të dy të maskuar dhe të armatosur. Sipas burimeve nga Policia e Fierit, dy personat e maskuar me kapuçë janë futur në biznesin e L.Z. dhe nën kërcënimin e armëve të zjarrit kanë grabitur shumën monetare. Policia bëri të ditur se maskat kanë arritur të grabisin 700 mijë lekë të vjetra në Exchange që ndodhet në lagjen “Kastrioti”.
Ndërkohë, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e saj. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk kishte asnjë të ndaluar nga policia. Kjo është hera e dytë që e njëjta pikë këmbimi valutor grabitet nga persona të armatosur dhe të maskuar.

Kapet me 40 mijë euro drogë shqiptari në Itali

Një 28-vjeçar shqiptar është arrestuar në Brogomeduna në Pordenone të Italisë, raportojnë sot mediat lokale. Shqiptari i identifikuar si Edison Troksi, një person me dokumente qëndrimi të rregullta në Itali, u ndalua nga policët teksa ai po lëvizte me mjetin e tij “Mercedes Class”.
Patrulla e karabinierëve kishte vënë re se i riu ishte shumë nervoz, dhe fytyra e tij e ka ‘tradhtuar’ duke u ndaluar kështu për t’u kontrolluar, shkruajnë mediat italiane.
Në bagazhin, brenda një karroce, karabinierët zbuluan 4.3 kg marijuanë. 28-vjeçari u arrestua për trafik të paligjshëm të drogës. Hetimet janë në proces për të kuptuar origjinën dhe destinacionin e drogës që në treg do të kishte shumën mbi 40 mijë euro.

Prokuroria në duart e mafies!

Drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina ka reagur dje pas vendimit të kryeprokurores së përkohshme, Marku për ta shkarkuar atë nga detyra. Gjatë një konference për mediat, Gina deklaroi se, shkarkimi i tij është i paligjshëm, pasi kreu i Prokurorisë nuk ka të drejtë që ta shkarkojë. “Kjo lëvizje antiligjore është nxitur nga qarqe të caktuara politike. Nuk braktis detyrën. Refuzoj të zbatoj vendimin e kryeprokurores së përkohshme. Unë nuk jam i komanduar. Prokurori i përkohshëm nuk ka tagër ligjor për të më liruar nga detyra. Vendimmarrja i takon Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, u shpreh Gina.
Gina u shpreh më tej se, vendimi vjen pas një kërkese drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me hetimin e një çështje. “Problematika të tjera kemi konstatuar edhe në ngjarje që janë në hetim. Rasti më i fundit është rasti i ngjarjes që ka ndodhur tek hotel “Universi”, ku unë kam kërkuar ndihmë nga Prokuroria e Përgjithshme, nga shefi i IT të kësaj prokurorie për të kryer veprime pranë servave të Bashkisë, pasi ka dyshime se persona të paautorizuar mund të kenë akses në këtë server. Ky komandim vjen menjëherë pas një kërkese për ndihmë që unë kam bërë në Prokurorinë e Përgjithshme”, tha ai.
Shkarkimi i paligjshëm, do bëj kallëzim penal
Drejtuesi i shkarkuar i Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina deklaroi se urdhër shkarkimi është i paligjshëm dhe nuk mund të bëhet pjesë e zbatimit të paligjshmërisë. Madje me t’u njohur me urdhrin e Arta Markut paralajmëroi se do të bënte një kallëzim penal për paligjshmërinë e tij. “E ushtroj këtë detyrë që nga 03.07.2017 në bazë të ligjit dhe do largohem nga kjo detyrë vetëm kur ta vendosë Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Sapo urdhri i Prokurores së Përkohshme të mbërrijë në zyrë do bëj një kallëzim penal për paligjshmërinë e tij”, është shprehur Gina.
Policia fushatë denigruese ndaj Prokurorisë
Prokurori Gina foli për herë të parë për përplasjen me Policinë e Shtetit. Ai tha se ndaj Prokurorisë së Elbasanit dhe drejtuesit të saj ka nisur një fushatë denigruese që prej verës së vitit të kaluar. “Kërkuam ndihmën për veprime operacionale në terren, ndihma nuk erdhi asnjëherë me pretendimin se punonjësit e policisë ishin në plazh, me pushime. Hetimi dështoi. Për fat të keq hetimi dështoi. Kjo histori nuk përfundoi këtu, nga ana e zyrtarëve të ndryshëm, kryesisht të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit ka nisuur një fushatë kundërshtuese ndaj Prokurorisë së Elbasanit, përfshirë drejtuesin e saj. Në këtë vazhdë, duke shfrytëzuar në mënyrën më të keqe një prokurore të Prokurorisë së Elbasanit, naivitetin e saj, u sajua një kallëzim i pabazë për humbje të dosjes, gjë e cila është tërësisht e pavërtetë. U shërbeu organizatorëve dhe nxitësve me pushtet politik për të denigruar Prokurorinë e Elbasanit. Situata precipitoi deri në atë pikë sa që ca punonjës të policisë ushtruan kontroll në zyrat e Prokurorisë së Elbasanit me qëllim për të justifikuar procesin denigrues. Në atë kohë për të mos krijuar incidente ndërinstitucionale u lejuan veprime antiligjore të policisë. Ju garantoj se situata të tilla nuk do të tolerohen më në të ardhmen, policia nuk do të ushtrojë presion me prezencën e saj në zyrat e Prokurorisë së Shtetit”, u shpreh Gina.
Prokuroria nuk ka akses për regjistrat tatimore
Prokurori Gina tha se, humbja e dosjeve të Prokurorisë ishte sajesë. “Përballë asaj fushate denigruese që u bë zgjodha heshtjen. Shfrytëzuan naivitetin, për të mos thënë injorancën e saj profesionale për të organizuar një kallzim sajesë. Ju siguroj që të tre dosjet janë në hetim nga Prokuroria e Elbasanit, madje njëra e tyre sapo është dërguar për gjykim”, tha ai.
Nga ana tjetër, ai renditi problematikat me të cilat përballen prokurorët në hetime, duke deklaruar se nuk kanë akses në dogana dhe as tatime. “Me keqardhje jam këtu, Prokurori i Përgjithshëm nuk ka bërë një analizë me prokurorët e rretheve ku qëndrojnë problematikat e prokurorisë. Unë si prokuror nëse dua të di ku janë problematikat e Prokurorisë do të konsultohem me stafin tim dhe jo me stafin e Ministrisë së Brendshme, apo me ministrin Xhafaj të cilin e ka pritur. E dini ju sa vështirë është të bësh sot hetime nga Prokuroria, e dini ju se ne nuk kemi akses fare as për regjistrat tatimore, as për doganat. E keni parasysh si u dekonspirua hetimi për një sërë subjektesh në Elbasan, ku Drejtoria e Tatimeve bëri publike listën që ne kishim kërkuar për një sërë të dhënash. Prokuroria nuk ka akses në serverat e Tatimeve për të bërë qoftë një veprim të thjeshtë, librat e shitjeve dhe të blerjeve për x subjekt. Apo në Dogana të shkarkosh një drejtues pa marrë në konsideratë dhe analizë veprimtarinë e tij më duket skandaloze”, u shpreh Gina.
Gina i bëri thirrje edhe drejtuesve të tjerë, për të cilët është firmosur largimi të mos braktisin detyrën. “I bëj thirrje dhe kolegëve të mi që janë në të njëjtin pozicion si unë, të qëndrojnë në lartësinë e detyrës dhe figurës si prokuror i republikës. Të mos lejojnë që pozicioni i tyre të shërbejë për qoka, apo ta kthejnë Prokurorinë në prokurori qokash. Për t’i bërë qoka njërit apo tjetrit, ne jemi prokurori dhe duhet të zbatojmë vetëm ligjin”, u shpreh Gina.
Dritan Gina u largua nga detyra ditën e djeshme me urdhër të Kryeprkurores së Përkohshme, Arta Marku. Prokurori Gina, u emërua në këtë post në 3 nëntor 2016 nga Adriatik Llalla. Dritan Gina është bashkëshorti i Rovena Gashit, e cila dje ka paditur në Gjykatë Administrative urdhrin e lirimit nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë, nga kryeprokurorja Arta Marku.

Prokurori i shkarkuar i Elbasanit kishte nën hetim dy ministra të Ramës

Prokurori i shkarkuar i Elbasanit, Dritan Gina kishte nën hetim dy ministra të Ramës dhe në dosje ndodhen edhe përgjimet e tyre. Gazetari investigativ, Basir Çollaku shkruan në një postim në Facebook se, në një nga dosjet e Prokurorit të Elbasanit, Dritan Gina janë dy ministra të qeverisë Rama. “Ata janë në një siklet serioz dhe Prokurori nuk e ka bërë ende vendimmarrjen për episodin ku shfaqen ministrant, duke dhënë dhe marrë porosi ndaj subjekteve që akuzohen për një vepër penale. Dosja është dhe në Gjykatë, por “nderet politike” nuk janë publikuar. Ndoshta kjo nuk është arsyeja që ka sjellë vendimin e lëvizjes së Prokurorit, por dyshimet janë prezent, për sa kohë ministrat në një farë mënyre janë mbrojtur deri më tani”, shkruan Çollaku.
Gazetari shkruan se, në përgjime dalin dy ministrat që kërkojnë ndere parash për qëllime elektorale. “Më konkretisht. Prokuroria e Elbasanit ka nisur një procedim për pastrim produktesh të veprës penale në gusht të vitit të shkuar, ndërsa sivjet për një kompani fituese në një tender të fortpërfolur. Nuk dihet saktësisht se çfarë veprimesh hetimore janë kryer, kush është vendimmarrja e Prokurorisë së Elbasanit dhe si është shprehur Gjykata e Elbasanit. Në përgjime dalin dy ministrat që kërkojnë ndere parash për qëllime elektorale. Shkresat e përgjimeve tashmë të zbardhura janë në dosje. Ndoshta prokurori zëvendësues dhe Prokurorja e Përgjithshme do ta çojnë përpara hetimin edhe për dy ministrat”, shkruan gazetari.

Gina: Prokuroria nuk ka akses për regjistrat tatimore

Prokurori i Elbasanit, Dritan Gina tha se, humbja e dosjeve të Prokurorisë ishte sajesë. “Përballë asaj fushate denigruese që u bë zgjodha heshtjen. Shfrytëzuan naivitetin, për të mos thënë injorancën e saj profesionale për të organizuar një kallzim sajesë. Ju siguroj që të tre dosjet janë në hetim nga Prokuroria e Elbasanit, madje njëra e tyre sapo është dërguar për gjykim”, tha ai.
Nga ana tjetër, ai renditi problematikat me të cilat përballen prokurorët në hetime, duke deklaruar se nuk kanë akses në dogana dhe as tatime. “Me keqardhje jam këtu, Prokurori i Përgjithshëm nuk ka bërë një analizë me prokurorët e rretheve ku qëndrojnë problematikat e prokurorisë. Unë si prokuror nëse dua të di ku janë problematikat e Prokurorisë do të konsultohem me stafin tim dhe jo me stafin e Ministrisë së Brendshme, apo me ministrin Xhafaj të cilin e ka pritur. E dini ju sa vështirë është të bësh sot hetime nga Prokuroria, e dini ju se ne nuk kemi akses fare as për regjistrat tatimore, as për doganat. E keni parasysh si u dekonspirua hetimi për një sërë subjektesh në Elbasan, ku Drejtoria e Tatimeve bëri publike listën që ne kishim kërkuar për një sërë të dhënash. Prokuroria nuk ka akses në serverat e Tatimeve për të bërë qoftë një veprim të thjeshtë, librat e shitjeve dhe të blerjeve për x subjekt. Apo në Dogana të shkarkosh një drejtues pa marrë në konsideratë dhe analizë veprimtarinë e tij më duket skandaloze”, u shpreh Gina.
Gina i bëri thirrje edhe drejtuesve të tjerë, për të cilët është firmosur largimi të mos braktisin detyrën. “I bëj thirrje dhe kolegëve të mi që janë në të njëjtin pozicion si unë, të qëndrojnë në lartësinë e detyrës dhe figurës si prokuror i republikës. Të mos lejojnë që pozicioni i tyre të shërbejë për qoka, apo ta kthejnë Prokurorinë në prokurori qokash. Për t’i bërë qoka njërit apo tjetrit, ne jemi prokurori dhe duhet të zbatojmë vetëm ligjin”, u shpreh Gina.
Dritan Gina u largua nga detyra ditën e djeshme me urdhër të Kryeprkurores së Përkohshme, Arta Marku. Prokurori Gina, u emërua në këtë post në 3 nëntor 2016 nga Adriatik Llalla. Dritan Gina është bashkëshorti i Rovena Gashit, e cila dje ka paditur në Gjykatë Administrative urdhrin e lirimit nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë, nga kryeprokurorja Arta Marku.

Gina: Kërkova kontrollin e serverit të Sejdinit, më shkarkuan!

Kryeprokurori i shkarkuar i Elbasanit, Dritan Gina, në konferencën për mediat foli për presion policor dhe ndërhyrje në punën e Prokurorisë. Gina tha për ngjarjen e qershorit 2016 ku tek hotel “Univers” u qëllua me plumba drejt Policisë, nuk ka patur ndihmë të parë as nga Policia as nga Prokuroria e Përgjithshme. Gina shtoi se, në serverat e kryebashkiakut Qazim Sejdini dyshohet se kanë akses persona të paautorizuar. Sipas Ginës, në momentin që ky i fundit ka bërë kërkesë pranë Prokurorisë së Përgjithshme për ndihmë, ka ardhur shkarkimi. ‘Unë mund t’ju them se rasti më i fundit është rasti i ngjarjes që ka ndodhur tek hotel ‘Univers’. Unë kam kërkuar ndihmë nga Prokuroria e Përgjithshme, nga shefi i IT-së pranë kësaj Prokurorie, për të kryer veprime pranë serverave të Bashkisë, pasi ka dyshime se persona të paautorizuar mund të kenë akses në këto servera. Kjo lëvizje vjen menjëherë pas kësaj kërkese që unë kam bërë në Prokurorinë e Përgjithshme. Një nga rastet kryesore kur policia nuk bashkëpunoi kur ne kërkuam ndihmën e saj në terren. Kjo ndihmë nuk erdhi asnjëherë me pretendimin se punonjësit e policisë ishin në plazh, ishin me pushime, dhe për këtë arsye ky hetim dështoi. Gjithashtu problematika të tjera konstatohen edhe në çështje që janë nën hetim”, tha ai.
Gina foli më tej edhe për dështimin e hetimeve për sulmin ndaj nëndrejtorit të Policisë së Elbasanit. Ai tha se, hetimet dështuan për shkak të mos veprimit të Policisë së Shtetit. “Ju dhe opinioni publik e dini situatën e verës së kaluar ku Prokuroria e Elbasanit ishte pranë zgjidhjes së një prej ngjarjeve më të rënda që ka goditur qytetin, për këtë arsye kërkuam ndihmën në terren të Policisë së Shtetit, por kjo ndihmë nuk erdhi asnjëherë me pretendime absurde organizative dhe administrative. Për fat të keq hetimi dështoi. Kjo histori nuk përfundoi këtu, nga ana e zyrtarëve të ndryshëm, kryesisht të Ministrsië së Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit ka nisur një fushatë kundërshtuese ndaj Prokurorisë së Elbasanit, përfshirë drejtuesin e saj.
Në këtë vazhdë, duke shfrytëzuar në mënyrën më të keqe një prokurore të Prokurorisë së Elbasanit, naivitetin e saj, u sajua një kallëzim i pabazë për humbje të dosjes, gjë e cila është tërësisht e pavërtetë. U shërbeu organizatorëve dhe nxitësve me pushtet politik për të denigruar Prokurorinë e Elbasanit. Situata precipitoi deri në atë pikë sa që ca punonjës të policisë ushtruan kontroll në zyrat e Prokurorisë së Elbasanit me qëllim për të justifikuar procesin denigrues. Në atë kohë për të mos krijuar incidente ndërinstitucionale u lejuan veprime antiligjore të policisë. Ju garantoj se situata të tilla nuk do të tolerohen më në të ardhmen, policia nuk do të ushtrojë presion me prezencën e saj në zyrat e Prokurorisë së Shtetit”, u shpreh Gina.

R.POLISI

A kanë shqiptarët motiv për të protestuar?!

Namir Lapardhaja

Mendoj që jo vetëm për të protestuar, por edhe për ta rrëzuar këtë qeveri. Madje, në çdo vend normal, qoftë edhe përreth nesh në këtë gadishullin tonë ballkanik, një qeverisje si kjo e Ramës mandatin e parë do ta kishte përfunduar me paterica, ndërsa në zgjedhjet e radhës do të duhej të dilte forcë e tretë ose e katërt. Mirëpo, një gjë e tillë jo vetëm që nuk ndodhi, por, përkundrazi, shefi i mazhorancës u konfirmua i vetëm në krye të tepsisë së pushtetit dhe i largoi të gjithë të tjerët, disa me lezet e disa me arrogancën që e karakterizon.
Pavarësisht kësaj, sërish shqiptarët, jo vetëm të djathtët, kanë motiv për të protestuar.
Motivi më i madh është se Rama me Rilindjen e tij (çuditërisht ka kohë që nuk e zë më në gojë) u premtoi parajsën dhe në pak kohë i sosi në ferr.
U premtoi rritje të ekonomisë, ndërsa u rrënoi edhe më shumë xhepat e tyre.
Taksat, në vend që të uleshin, u shumëfishuan edhe më shumë.
Rrogat do të duhet të kishin rritje, kurse çmimet ulje, mirëpo çmimet u rritën, ndërsa rrogat qëndruan në vend.
Shëndetësia u premtua se do të ishte falas, mirëpo jo vetëm që asgjë nuk iu ofrua qytetarëve falas, por ata duhet të paguajnë sot edhe më shumë.
Në vend që të investonin në burime dhe rritje të kapacitetit të mjekëve, miliona euro iu dhanë njerëzve klientë të qeverisë, ndërsa, nga ana tjetër, mungesat e mjekëve janë alarmante në spitalet e rretheve, kushtet mizerabël dhe mjekët e rinj që një orë e më parë synojnë të largohen nga Shqipëria.
Premtuan arsim cilësor dhe modern, ndërsa vetëm për cilësi dhe rritje të cilësisë së mësimdhënies nuk flitet në shkollën shqiptare. Cilësia është zëvendësuar me formalizma dhe me fasadë propagandistike dhe burokratike, duke e shndërruar mësuesin në robotë të pavlerë, ndërsa nxënësin në realizuesin besnik të kësaj fasade propagandistike.
Për bujqësi as që bëhet fjalë. Fermeri shqiptar ka kohë që nuk sheh subvensione me sy, ngase ato i marrin 4-5 duar të lidhura ngushtë me pushtetin. Jo vetëm subvensione, por asnjë lloj ndihme tjetër. Asnjë ndihmë përsa i përket dëmeve që kanë shkaktuar përmbytjet apo i ftohti i madh i dy viteve më parë.
Duhet protestuar se u premtua siguri, ndërsa Shqipëria sot është vendi më i pasigurt në rajon.
U premtua luftë e pakompromis kundër bandave dhe njerëzve me rrezikshmëri të lartë kriminale, mirëpo dallimi midis qeverisë dhe mafies në zgjedhjet e fundit ishte, pothuajse i padukshëm.
U premtua përfaqësim me integritet dhe me moral të lartë social dhe shoqëror, mirëpo Parlamenti u mbush me njerëz të dënuar për drogë, për prostitucion, për vjedhje. E njëjta gjë ndodhi edhe me përfaqësuesit e pushtetit lokal në shumë zona.
Duhet protestuar se shteti nuk sillet njëlloj dhe i barabartë me të gjithë. Shtetin e ka zëvendësuar pushteti dhe pushteti përditë rrënon themelet e shtetit për të mbajtur e për të forcuar pushtetin.
Duhet protestuar për veten tonë, që po jetojmë në një vend të mbytur me korrupsion dhe padrejtësi të mëdha.
Duhet protestuar për fëmijët tanë që po rrisim në një vend ku tek dera e shkollës kur e çon është dikush që i ofron, së pari, një cigare hashash dhe më tej drogëra të llojeve të ndryshme dhe ai dikush nuk ka frikën e policisë apo të dikujt tjetër, sepse shefat e tij janë të lidhur dhe kanë miqësi me shefin e Antidrogës, me shefin e Komisariatit dhe, më keq akoma, me vetë drejtorin e Policisë.
Duhet protestuar për talljen dhe arrogancën që tregon kryeminsitri i këtij vendi me qytetarët e tij, i cili, në vend që të merret me punët e shtetit, nga mëngjesi në mbrëmje në televizor tall leshtë me propagandë bajate, me trushplarje dhe gënjeshtra që s’ka logjikë normale që mund t’i bluajë dot.
Duhet protestuar edhe për ministrat e kësaj qeverie, të cilët nën shembullin e atij që i ka emëruar në ato poste, pa kurrfare merite dhe vlerë, ndjekin shembullin e tij, duke u marrë nga mëngjesi në darkë me propagandë dhe aktivitete partiake, mirëpo, kurrsesi, me punët që u ngarkon ofiqi i tyre.
Duhet protestuar edhe për atë se sot niveli i jetesës, në vend që të kishte rritje normale, ka ulje; në vend që të kishte kushte më të mira higjienike e gjithë Shqipëria noton në papastërti dhe në llum; në vend që të kishte më shumë rrugë të shtruara, asnjë kilometër rrugë nuk është përfunduar nën qeverisjen e kësaj mazhorance.
Duhet protestuar ngase kjo qeveri e trajton qytetarin e saj si idiotë, me të cilin ajo mund të tallet nga mëngjesi në mbrëmje dhe ai sërish në ditën e zgjedhjeve do të vejë ta votojë.
Pikërisht për t’u hequr kjo psikozë tek politikanët shqiptarë, jo vetëm duhet protestuar, por ata edhe duhen ndëshkuar që të vënë mend dhe të mos përsërisin gabimet e njëjta, duke i shtuar atyre gabime të reja.
Duhet protestuar edhe për drejtësinë. Duhet të protestojnë për çështjet e pronësisë që zvarriten e zvarriten me vite të tëra dhe sërish nuk gjendet një zgjidhje, duke i çuar shqiptarët në hasmëri dhe në vrasje pikërisht për këtë shkak.
Duhet protestuar edhe për drejtësinë, sepse krimet në këtë vend shtohen edhe si pasojë e asaj që duke mos pasur drejtësi, shkohet tek vetëgjyqësia dhe kështu krimi ndjell krimin, kurse gjaku thërret gjakun.
Duhet protestur edhe atë se drejtësia është “e drejtë” vetëm për pushtetin, ndërsa shpeshherë tregohet e padrejtë për qytetarin e pambrojtur.
Shqiptarët kanë shumë arsye për të protestuar. I takon atyre të tregojnë se janë njerëz të qytetëruar, apo të ngurtë dhe të indoktrinuar, duke mos dalë nga llogoret e partive të tyre politike.
Duhet protestuar dhe duhet rrëzuar kjo qeveri. Duhet zëvendësuar ky Kryeministër me një tjetër. Nëse edhe ai që do të vijë do të bëjë sërish të njëjtat gabime, sërish duhet protestuar e sërish duhet zëvendësuar derisa të vijnë në krye të këtij vendi njerëz të përgjegjshëm, që e kanë frikë ligjin dhe që postin dhe pozicionin e shohin si përgjegjësi dhe jo si mundësi pasurimi dhe abuzimi.

Kur kreu i qeverisë “kazan hashashi”, akuzon median si “kazan”

Nga Drenica Qelia

Asnjëherë në historinë e pluralizmit shqiptar nuk ka ndodhur që një kryeminstër të jetë kaq armik dhe imponues ndaj medias së lirë se sa Edi Rama. Një njeri i ardhur në politikë nga kulisat e Byrosë Politike të diktaturës komuniste dhe nëpërmjet medias së lindur e të sponsorizuar nga kjo byro të proklamohej nga këto media si ‘lider’ fuqiplotë e ka zgjedhur këtë strategji edhe për të qenë prezent gjithmonë në aktualitetin mediatik, por edhe si një mjet të pastër kërcënimi ndaj fjalës dhe njerëzve të lirë.
Akuza të ashpra për media “kazan” kur kazani i tij qeveritar i mbushur me hashash vjen erë e po qelb gjithë Evrupën. Një qeveri e akuzuar dhe e korruptuar deri në palcë, por që sipas kryeministrit për këtë e kanë ‘fajin’ mediat dhe gazetarët. Megjithëse një pjesë të madhe të drejtuesve të mediave i ka kthyer në shërbim të tijin akoma ai mendon se, duke i mbajtur nën presion jo vetëm pronarët, tender mbledhës, por edhe gazetarët e terrenit të mund të bëjë të plotë dhe funksionale linjën e presionit, duke mos i lënë të vetëm pronarët në luftën e tyre me gazetarët e pabindur, por t’i mbështesë hapur ata. U jep në këtë mënyrë një ndihmë jo të vogël për të mposhtur edhe ndonjë rebel të heshtur nga terreni. Me dhjetëra herë kreu i qeverisë ka sulmuar mediat, duke cënuar rëndë kështu njërën nga liritë themelore të bashkëpunimit të mendimit të lirë e pluralist dhe ndërgjegjes liberale të qytetarëve.
Kazani mediatik, e përdor ai shpesh shprehejn e tij sikur të ishte ndonjë bahçevan që po del në cepin e oborrit për të zjerë raki e aty ka vënë kazanin e pret vetëm të provojë prodhimin e tij që del nga ai tubi i stërgjatë. Aty është ai kazançiu që e mban ndezur e me gradë të lartë, forma më e mirë është zjarri, presionin e hapur publik ndaj medias dhe ballë për ballë saj si një “trim” kundër kësaj lirie universale qëndron në këmbë me propagandën e sporvuar e stërvitur nga “Byroja”.
“Media kazan” thotë kreu i qeverisë, duke i shpallur një luftë të hapur inatit qytetar që pasqyrohet nga mediat dhe duke u përgatitur të përballet së shpejti edhe me revoltën e tyre që do ta ja zënë në grykë edhe kazanin edhe kapakun.
Liria nuk mund të kërcënohet në këtë mënyrë. Por edhe reagimi rrogtarëve gazetarë të terrenit është larg të qenit të plotë. Asnjë prej tyre nuk ju përgjigj ashtu siç e meritonte, një banditi politik. Vetëm me të qeshura ironike nuk mund të mposhtet inati dhe vreri i tij për median dhe lirinë. Prandaj organizatat që mbrojnë gazetarët, por që janë të kapura në kreun aktual të qeverisë duhet të reagojnë. Po a reagojnë dot, sepse këta njerëz janë bërë tashmë pjesë e kazanit qeveritar që po ndot Evropën. Kjo është pyetja që nuk merr përgjigje. Mediat përveçse të kërcënuara nga pushteti ekzekutiv janë edhe të pambrojtura nga ata, të cilët i kanë zgjedhur për t’i përfaqësuar dhe mbrojtur. As edhe një deklaratë nuk kanë nxjerrë në mbrojtje të gazetarëve dhe kundër sjelljes së kreut të qeverisë që me arrogancën e një bllokmeni fyen pa limit njerëzit e medias dhe dhunon lirinë e tyre.
Vetëm kreu i opozitës Basha dhe ish-kryeministri Berisha kanë reaguar hapur kundër sjelljes së Ramës. Për Bashën, fjalimet e Ramës kundër gazetarëve janë fjalime kriminale. Me fjalime të tilla, ai është duke nxitur përditë urrejtjen dhe dhunën ndaj gazetarëve. Gazetarët janë ndër njerëzit më të rrezikuar në botë, shënjestër e shpeshtë e krimit dhe e politikanëve të korruptuar, është shprehur kryetar i PD dhe klima që krijon Edi Rama inkurajon pikërisht kriminelët që të sulmojnë gazetarët që raportojnë dhe hetojnë krimin dhe korrupsionin.
Ndërsa ish-kryeministri Berisha në një shënim të tijin shkruan, duke ju referuar qëndrimeve të Ramës, se “Noriega përshëndet gazetarët me fyerjen më poshtëruese”! Edvin Kristaq Rama fyen dhe poshtëron gazetarët shqiptarë më shumë se sa askush tjetër në histori në botë, shkruan Berisha, duke dalë kështu në mbrojtje të medias dhe të lirisë së shprehjes së cënuar brutalisht nga qëndrimet edhe deklarimet e hapura të kreut të qeverisë. Ish-kryeministri Berisha, në shënimin e tij të pak ditëve më parë, u bën thirrje gazetarëve të vendit të reagojnë me guximin dhe dinjitetin e njeriut të lirë ndaj kryehorit të vendit që përdor ndaj tyre fyerjen e të gjitha fyerjeve.
Kjo është situata e shtypit në Shqipëri. Kemi një qeveri që përflitet në të gjithë botën për trafik droge, korrupsion dhe nxitje të largimit të qytetarëve nga vendi, statistikat e fundit që vijnë nga Franca tregojnë për një ikje nga ‘lufta’ e shqiptarëve, pasi i kalojnë edhe Sirinë e Afganstanin. Këtu kemi një kryetar qeverie që u turret mediave me ‘kazan’ vetëm e vetëm që të bindë shqiptarët të harrojnë të këqijat e mëdha që po i bën vendit. Presioni ndaj mediave do të shpërthejë një ditë bashkë me revoltën qytetare e do ta marrë me vehte atë dhe kazanin e tij që po ndot me hashash gjithë botën.