16.5 C
Tirana
E diel, 13 Korrik, 2025

Tirana do t’a paguajë shtrenjtë koncesionin e inceneratorit të plehrave

Lindita ÇELA

Në prag të Krishtlindjeve, një njoftim i ngjitur pas portës së hekurt në landfilldin e Sharrës shpjegonte se në janar 2018 hynin në fuqi rregulla të reja për përpunimin e plehrave të kryeqytetit.
Sipas njoftimit, personat e vetëpunësuar në industrinë e riciklimit në Sharrë si dhe kompanitë që depozitojnë mbetje aty duhet të kontaktojnë me kompaninë koncesionare para se të vazhdojnë aktivitetin e tyre.
BIRN mësoi se, landfilli i Sharrës iu dorëzua kompanisë koncesionare “Integrated Energy” B.V më 7 dhjetor dhe prej fillimit të vitit, askush nga personat që siguron mbijetesën me mbledhjen e mbetjeve të riciklueshme nuk është lejuar që të hyjë në landfill.
“Integrated Energy” B.V u shpall fituese e koncesionit 30-vjeçar për administrimin e mbetjeve në Qarkun e Tiranës në gusht të vitit 2017, pasi premtoi se do të ndërtonte një incenerator, një venddepozitim të hirit të prodhuar nga djegia e plehrave si dhe një impiant për trajtimin e ujërave të ndotura.
Kompania me seli në Amsterdam, e cila zotërohet nga “Integrated Technology Services” e Klodian Zotos si dhe me aksionerë kompanitë italiane “Paul Wurth Italia S.P.A” dhe “Energy Recuperator S.P.A” ka premtuar 128 milionë euro investime në Sharrë.
Megjithatë, të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se, kompania koncesionare do të ketë mundësinë që t’i rikuperojë shpejt investimet e premtuara, ndërkohë që fatura e shtrenjtë do të paguhet nga qytetarët e Tiranës.
Kontrata koncesionare të cilën BIRN e disponon është nënshkruar më 31 gusht 2017 nga ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe administratori i kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, Giuseppe Ciaffaglione. Kjo kontratë e faturon Bashkinë e Tiranës me 29 euro [pa TVSH] për çdo ton mbetje që do të depozitohet në Sharrë. [kliko këtu për kontratën]
Kontrata e detyron gjithashtu Bashkinë që t’i sigurojë koncesionarit çdo ditë një sasi minimale të garantuar mbetjesh urbane. Ajo nuk e specifikon sasinë minimale të garantuar të mbetjeve urbane. Por zyra e shtypit e kompanisë “Integrated Energy” B.V i tha BIRN se, kjo sasi është 550 ton mbetje urbane në ditë.
“Bazuar në kontratën koncesionare, minimumi i depozitimit të mbetjeve urbane do të jetë 550 ton/ditë”, u përgjigj përmes emailit zyra e shtypit të kompanisë.
Kontrata e mësipërme e detyron Bashkinë e Tiranës që të paguajë minimalisht 5.8 milionë euro në vit në llogaritë e kompanisë “Integrated Energy” B.V për 30 vitet e ardhshme. Megjithatë, vlera reale e kontratës pritet të kushtojë thuajse trefish më shumë.
Sasia minimale e garantuar përfshin në total rreth 200 mijë ton mbetje në vit. Sipas INSTAT, territori i mbuluar nga Qarku Tiranë prodhoi rreth 492 mijë ton mbetje gjatë 2016-ës, sasi kjo që rritet nga viti në vit.
Nëse e gjithë sasia e mbetjeve urbane do të depozitohet në inceneratorin e Tiranës, kompania koncesionare do të përfitojë mesatarisht 14.4 milionë euro çdo vit nga të gjitha njësitë administrative të qarkut, ku peshën kryesore pritet ta mbajë Bashkia Tiranë.
Kontrata koncesionare parashikon gjithashtu penalitete për Bashkinë e kryeqytetit, në rast se ajo nuk përmbush detyrimet ndaj “Integrated Energy” B.V.
“Në rast se sasia e mbetjeve urbane të dorëzuara koncesionarit është më pak se sasia minimale e garantuar e mbetjeve, atëherë Bashkia Tiranë do t’i paguajë koncesionarit diferencën mes vlerës totale të çmimit për ton mbetje me sasinë e mbetjeve të dorëzuara”, thuhet në pikën 7.3/1 të kontratës.
Bashkia e Tiranës mohoi të ishte pjesë e marrëveshjes koncesionare për inceneratorin e Tiranës.
“Impianti i përpunimit është një projekt i qeverisë shqiptare dhe autoriteti përgjegjës tashmë është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Bashkia e Tiranës e ka dorëzuar të gjithë asetin që i ishte dhënë në përdorim nga qeveria qendrore, pasi nuk ishte pronë e Bashkisë së Tiranës”, tha zëdhënësi Renato Kalemi.
“Marrëveshja është një marrëdhënie dy palëshe dhe Bashkia nuk është pjesë e kësaj marrëveshje, përveçse territorit ku shtrihet ky projekt”, shtoi ai.
Megjithatë, kontrata e detyron Bashkinë e Tiranës dhe njësitë e tjera vendore të Qarkut Tiranë që të fillojnë menjëherë pagesat për kompaninë koncesionare.
“Koncesionari, duke filluar menjëherë nga data efektive e kësaj kontrate dhe dorëzimi i venddepozitimit ekzistues nga Bashkia Tiranë, do të faturojë njësitë vendore të Qarkut Tiranë mbi baza mujore, në bazë të sasive të mbetjeve urbane që do të pranojë”, thuhet në pikën 7.4.1 të kontratës.
Koncesioni i inceneratorit të Tiranës është i treti dhe më i kushtueshmi i këtij lloji në Shqipëri, pas atyre të Elbasanit dhe Fierit. Ndryshimi i menjëhershëm i strategjisë kombëtare të menaxhimit të mbetjeve nga qeveria si dhe përfshirja e të njëjtit rrjet kompanish në të tria projektet, ka ngritur dyshime për motivime klienteliste pas këtyre projekteve.
Qeveria është kritikuar për këtë lëvizje edhe nga ekspertët dhe aktivitetet mjedisorë, të cilët i thanë BIRN në një shkrim të mëparshëm se kalimi i menaxhimit të mbetjeve me inceneratorë do të shumëfishojë kostot dhe do të shtojë rrezikun e ndotjeve në mjedis.
Para se t’i dorëzohej kompanisë koncesionare, landfilli i Sharrës shërbeu për vite me radhë si një burim mbijetese për dhjetëra familje në nevojë, të cilat siguronin të ardhura përmes industrisë së riciklimit. Ndërsa në gusht 2016, vdekja tragjike e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj ekspozoi kushtet çnjerëzore dhe shfrytëzimin e njerëzve që mbijetonin në këtë industri.
E pyetur për fatin e personave që do të humbasin vendin e punës nga implementimi i marrëveshjes koncesionare, Bashkia e Tiranës u përgjigj se do të vazhdojë mbështetjen e tyre me projekte strehimi, si “dy shembujt model në Lanabregas dhe Shkozë”.
Ndërsa zyra e shtypit e kompanisë “Integrated Energy” deklaroi se do të shohë mundësinë e punësimit të tyre, vetëm pasi të ketë siguruar kushte të plota sigurie dhe pune.
“Ata kanë punuar në landfill jashtë çdo kushti minimal njerëzor, gjë e cila përbën një problematikë të patolerueshme nga kompania jonë. Në politikat e saj, shoqëria ka në plan punësimin për një numër të caktuar njerëzish nga ky komunitet, por vetëm pasi të ketë krijuar kushtet e plota për sigurinë dhe shëndetin në punë”, u përgjigj kompania koncesionare.

Departamenti i Shtetit: Nuk ka një vend të ri pune për Hoyt Yee

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha “Zërit të Amerikës” se Hoyt Yee është në përfundim të detyrës si Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore, një post që e ka mbajtur që në shtator të vitit 2013.
Zëdhënësi i bëri këto komente në përgjigje të pyetjes së “Zërit të Amerikës” nëse zoti Yee kishte dhënë dorëheqjen, siç kishin njoftuar sot disa media në Ballkan.
“Siç e dini, thotë zëdhënësi, diplomatët amerikanë lëvizin nga postet çdo dy vjet, në kuadrin e një procesi normal të emërimit në poste të reja”.
Zoti Yee ka shërbyer në postin aktual prej katër vjetësh.
“Në këtë moment, tha zëdhënësi, nuk kemi ndonjë njoftim për detyrën e ardhshme të zotit Yee”.
“Ne i jemi mirënjohës zotit Yee, për vitet e tij të shërbimit dhe përkushtimit në këtë pozicion dhe i urojmë më të mirën në detyrën e tij të ardhshme”, tha zëdhënësi me anë të një deklarate.
Gjatë ditës mediat serbe botuan lajmin se zotit Yee do të ishte ambasadori i ri i SHBA në Bosnje-Hercegovinë.

“VOA”

Mediu: Çdo qytetar ka arsye të forta përse duhet të protestojë

Kreu i Partisë Republikane, aleate me PD e Lulzim Bashën, Fatmir Mediu, ka zbuluar detaje nga aksioni opozitar, që do të nisë më 27 janar, kundër qeverisë Rama. Kreu i PR deklaroi se e rëndësishme është të diskutohen arsyet pse do të protestohet, duke renditur këtu një sërë arsyesh, ku të parën vuri varfërinë e qytetarëve dhe mohimin e lirisë së tyre. “Nuk është protesta e parë që organizon opozita. Ne duhet të diskutojmë arsyet pse protestojmë. Arsyeja e parë është se, kryeministri iu ka mohuar qytetarëve lirinë e zgjedhjes. Nuk jemi një shoqëri e lirë. Më tej, shkelja e vazhdueshme e Kushtetutës krijon një tjetër premisë. Varfëria ka shkuar në ekstrem, pasurimi i pafund i klaneve kriminale dhe nga ana tjetër varfërimi i shqiptarëve, që po shoqërohet me largime masive. Po shkojmë drejt një shoqërie më të plakur, më apatike”, u shpreh Mediu. Kreu i republikanëve theksoi se, qytetarët shqiptarë duhet ta krijojnë qeverinë dhe ta kontrollojnë atë dhe jo e kundërta. “Duam të tregojmë që qytetarët shqiptarë janë ata që nuk pranojnë që qeveria të mbivendoset mbi ta. Qytetarët duhet ta krijojnë qeverinë dhe ta kontrollojnë atë dhe jo e kundërta. Janë arsye më shumë se të mjaftueshme. Protesta do sjellë ndërgjegjësim të popullsisë, se nuk mund të vazhdojmë nëpërkëmbjen. Duhet një presion maksimal që Shqipëria të vijë në binarët kushtetuese. Duhen zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh ai. Mediu u shpreh se, protesta do të zhvillohet nga fundi i muajit janar dhe kjo protestë nuk është një protestë për qëllim të opozitës, por për qytetarët. “Po është diskutuar dje dhe që do ishte fundi i muajit. Lamë që do kishte një diskutim me krerët e degëve, sepse ata duhen për protestën. Besoj data 27 është data që do organizojmë protestën. Nuk është një protestë për qëllim të opozitës, por për qytetarët. Ky është një moment që kërkon reflektim të gjithsecilit. Çdo qytetar duhet të pyes veten sot ‘Sa i përfillur është ai’. Ku jetojmë ne, kemi protesta në vende të botës, nuk mendoj se quhet e dhunshme një protestë që ka elementë jashtë asaj që kemi parë. Dhunë në Parlament është të mos respektosh rregulloren. Në Kuvend pamë atë që nuk ka ndodhur asnjëherë, ndërhyrjen e Gardës ndaj Berishës. Ajo la të mendohej si ishte një gjë e paramenduar. Opozita duhet të kërkojë shkaqet e këtij vendimi, sepse Kuvendi është i deputetëve dhe jo i qeverisë”. I pyetur nëse do të jenë në Parlament, Mediu theksoi se, “Pa dyshim që do të jemi. Nëse do merremi me frymën qytetare karshi kësaj qeverie dhe nuk do merremi me Reformën Zgjedhore, atëherë do të jemi në këto kushte”.

Kryemadhi: Protestat do të jenë të pandalshme

“Më 27 janar në orën 12:00 do të jemi në shesh për të zgjuar ndërgjegjen qytetare. Protestat do të jenë të pandalshme, do të jetë tradhti kombëtare, nëse do të lejojmë Ramën të largojë shqiptarët nga vendi”. Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka shprehur dakordësinë për protestën opozitare që do të zhvillohet mesditën e 27 janarit. Në studion e “News24”, Kryemadhi tha se protestat do të vijojnë deri në rrëzimin e kryeministrit Rama. Sakaq, ajo ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen kësaj proteste, e cila sipas saj ka për qëllim t’i rikthejë qytetarëve shqiptarë shpresën dhe mundësitë për jetesë më të mirë. “Sigurisht që jemi dakord më datën 27 janar. Bëhet fjalë për detaje të vogla që e vënë përpara protestën, që vë në lëvizje gjithë mekanizmin opozitar. Më 27 janar në orën 12:00 do të jemi në shesh për të zgjuar ndërgjegjen qytetare. Protestat do të jenë të pandalshme, do të jetë tradhti kombëtare nëse do të lejojmë Ramën të largojë shqiptarët nga vendi”, u shpreh Kryemadhi. E pyetur lidhur me detajet e protestës, kryetarja e LSI tha se, nëse e bën diçka të tillë “Rama do t’u shkojë në shtëpi njerëzve”. “Po të tregoj që tani detaje nga protesta, Edi Rama u shkon tek shtëpia njerëzve. Edi Rama nuk ka parë gjë akoma. Pasi, ai historikisht ka paur një plan, që e realizoi. E kanabizoi Shqipërinë, siç e tha edhe CIA”, u shpreh Kryemadhi. Sakaq, kryetarja e LSI ka komentuar edhe qëndrimet e partive të tjera opozitare, të cilat ishin pjesë e listës së PD në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. “Fronti opozitar ka nevojë për çdo grimë opozitare. Ne duam bashkimin e çdo opozitari për të rrëzuar këtë qeveri. Ne nuk duam vende në listat e deputetëve të PD dhe as nuk duam të ndajmë thelat e një qeverie imagjinare. Sot, Shqipërisë po i rrezikohet demokracia. Dhe që të ketë demokraci, duhet të ketë opozitë të fortë. Qëllimi i vetëm është rrëzimi i Edi Ramës. Ky është problemi i madh i shqiptarëve. Më datën 27 në orën 12:00 ne jemi në shesh. Koha e Edi Ramës mbaroi, dhe nuk ka për t’u kthyer më, pasi ka shpërngulur shqiptarët, ka shkatërruar familjet shqiptare, ka shkatërruar ekonominë, ka larguar investitorët. Do të ngrihen të gjithë ata shqiptarë që janë kundër gjobave, kundër korrupsionit, kundër dhunës. Këtu problemi është Edi Rama, dhe largimi i tij. Ky është qëndrimi ynë, dhe bashkëbisedimi që kemi me Bashën është për këtë. Ne kemi votat tona dhe elektoratin tonë, dhe PD nga ana tjetër ka hyrë bashkë me partitë e tjera”, tha kryetarja e LSI. Mes të tjerësh, Kryemadhi pohoi se protesta e 27 janarit do të jetë demokratike dhe nuk do të ketë përshkallëzime. Ajo tha se nuk do të ketë ndalesë, pasi nuk do të ndalet më populli. “Ata kanë nevojë që të drejtohen (qytetarët). Edhe zoti Basha e tha, nuk është çështja e çadrës, sesa e një revolte që ka ardhur hap pas hapi, ku po shohim se ça po ndodh me kapjen e institucioneve shtetërore, me mosrespektimin e elementëve dhe njerëzve që hiqen nga puna. Po të tregoj që tani (detaje nga protesta), Edi Rama u shkon tek shtëpia njerëzve. Edi Rama nuk ka parë gjë akoma. Pasi ai historikisht ka pasur një plan, që e realizoi. E kanabizoi Shqipërinë, siç e tha edhe CIA. Nuk do të ketë ndalesë, pasi nuk do të ndalet më populli, edhe sikur do të dojë të ndalet populli. Them nuk do të ndalen, jo të përshkallëzohet situata me tulla apo gurë”, tha ajo. Mes të tjerash kryetarja e LSI-së iu rikthye sërish deklaratës së saj për ‘çizmen e protestës’. “Çizmet e protestës është kundër çizmeve të drogës. Protestat janë demokratike. Nëse nuk do të ndërtojmë një opozitë të fortë, Shqipëria nuk ka demokraci. Shqipëria është një vend që e bekoi Zoti, por vetëm me politikën se besoi. S’kemi pasur protesta të dhunshme, deputeten nuk e gjakosëm ne. Ne do të jemi prezent në çdo seancë. Nuk do i japim shanset Ramës që mëkatet e tij t’ja kalojë opozitës. Ai sot që se ka LSI, e ka të gjithë kazanin vet, tepsinë vet, lavatriçen vet. Ne jemi në një marrëdhënie të legjitimuar me Parlamentin. Edhe vet socialistët janë të bindur që ai do të ikë. Jam e bindur që do të ikë, pasi do ta rrëzojnë vet socialistët”, theksoi Kryemadhi. Po ashtu, Kryemadhi u ndal edhe tek shkarkimi i Haki Çakos nga posti i drejtorit të Policisë së Shtetit, ndërsa shtoi se kjo ishte një lojë e Ramës për hequr vëmendjen nga protesta. “Ishte lojë e Edi Ramës për të hequr vëmendjen nga protesta. Janë skema demode që bën Rama. Frika e ka nxjerrë nga bërja e politikës së bukur, e ka futur në një situatë shumë demode. Duke u ndalur tek kërkesa e LSI që dorëzoi në Prokurori ku kërkohej të hetohej Edi Rama për përfshirjen e Policisë në zgjedhjet e 25 qershorit për blerjen e votave. “Zonja Marku nuk është prokurore e përkohshme. Letrën ia kemi bërë që në kohën e zgjedhjeve, ia kemi dërguar edhe Llallës. Sa i takon faljes së Ramës, është si puna e kësaj historie; vret dikë ti Ola dhe thua më pas më fal. Mos pandeh ta shohësh Ramën duke vaditur parcelat me kanabis”, nënvizoi Kryemadhi. Kryetarja e LSI-së Kryemadhi u ndal edhe tek deklaratat e saj herë pas here se kryeministri Rama do të arrestohet. Ajo tha se ky është rasti kur zonja Marku, kryeprokurorja e re, duhet të tregojë paanshmërinë e saj. “Zonja Marku duhet të tregojë se është një prokurore e paanshme. Po ti thash të gjitha ty, ça do them ditë të tjera. Nuk dua t’ja lehtësoj Ramës”, tha ajo. Teksa u ndal tek një nga çështjet e këtyre ditëve, siç ishte heqja nga KQZ e mandatit të deputetit të saj, Gledion Rehovica, Kryemadhi tha se tashmë nuk ka vlerë diskutimi kur vendimi u mor. “Ne si LSI e kemi votuar ligjin e dekriminalizimit dhe besoj se pavarësisht opinioneve që mund të ndajmë, tashmë çfarëdo lloj argumenti, s’ka më kuptim. Vendin e tij do e zërë Silva Caka”, theksoi ajo.

Luan Rama: Raporti i CIA, pasqyrë e rilindjes së Ramës

Nënkryetari i LSI-së, Rama, ka publikuar në Facebook raportin e ‘World Fact Book’ të CIA-s. Në këtë raport, përveç të dhënave të zakonshme mbi vendin tonë, ka edhe një seksion ku thuhet se korrupsioni, prodhimi dhe trafiku i lëndëve narkotike si dhe pastrimi i parave janë ndër problematiket me të cilat përballet vendi. Sipas Ramës, kjo është Shqipëria e Rilindjes së Edi Ramës, edhe pse disa burokratë evropianë në Tiranë nuk arrijnë ta shohin. “Korrupsioni problem kryesor për Shqipërinë. Shqipëria rrugë kalimi për për kokainën e Amerikës së Jugut dhe opiumin nga Veriperëndimi i Azisë! Eshtë zgjeruar prodhimi i kanabisit. Organizatat e narko-trafikut janë aktive dhe janë shtrirë në vendet e Evropës. Ka pastrim të lartë të parave, të lidhura me trafikimin e lëndëve narkotike, armëve, apo punë të tjetra të paligjshme të kryera nga zyrtarët dhe kriminelët. Kjo është Shqipëria e rilindjes së Edi Ramës sipas CIA-s, të cilën edhe pse disa burokratë europianë që punojnë në Tiranë nuk e shohin, të vërtetat e saj të dhimbshme nuk mund t’i mbulojnë me heshtjen e tyre të blerë!

Hoyt Bryan Yee largohet nga Departamenti i Shtetit

Ka dhënë dorëheqjen nga posti i zv/ndihmës i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Hoyt Bryan Yee. Lajmi është konfirmuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për “Al Jazeera Balkan”. Mediat aludojnë se detyra e tij e ardhshme do të jetë ajo e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë.
Brian Hoyt Yee ka dhënë dorëheqje nga posti i zv/ndihmësit të Sekretarit amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi. Lajmi është konfirmuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për “Al Jazeera Balkan”.
Në përgjigjen e dërguar nga Dash për “Al Jazeera” shkruhet se Hoyt Yee ka vënë në dijeni kolegët e tij për largimin nga posti të cilin e mbante që nga viti 2013. Mediat lakojnë emrin e ish-shefit të OSBE-së në Bosnje e Hercegovinë, Jonathan Moore, si zëvendës të tij.
Yee pritet të emërohet ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me mediat serbe që theksojnë se do të jetë pikërisht Sarajeva.
Kohë më parë u fol se ai do të caktohej si ambasador në Maqedoni. Janë pikërisht mediat serbe ato që këmbëngulin se Yee do të vendoset në Sarajevë, ku e përditshmja “Blic” citon burime anonime në Beograd si dhe zëra në qarqet diplomatike amerikane dhe maqedonase.
Para se të merrte detyrën si zv/ndihmës i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Europën dhe Azinë, Hoyt Yee mbajti poste të larta diplomatike në Kroaci nga 2010 në 2013.

Deri në 2025 nuk ka anëtarësim në BE për Shqipërinë

Viti 2025 është vala e ardhshme e anëtarësimeve në Bashkimin Europian me Serbinë dhe Malin e Zi. Unioni po përgatitet për të rinisur procesin e anëtarësimeve me vendet e Ballkanit Perëndimor. Zyra e presidentit të Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, po harton strategjinë e re të zgjerimit, që do të vihet në zbatim më 14 shkurt. Një pjesë e dokumentit është siguruar nga portali EU Observer, ku thuhet se Serbia dhe Mali i Zi duhet të jenë të përgatitura për anëtarësim në Bashkimin Europian në 2025-ën. Ndërsa Shqipëria renditet në të njëjtën kategori me Kosovën, Maqedoninë dhe Bosnjen, vende të cilave u kërkohet që deri atëherë të bëjnë përparime të mëdha në rrugën e integrimit europian. EU Observer shkruan se, Shqipëria dhe Maqedonia janë në pritje të hapjes së negociatave të anëtarësimit këtë vit, teksa duhet të përmbushin disa kushte shtesë. Shqipërisë i kërkohet të përparojë në zbatimin e Reformës në Drejtësi, ndërsa Maqedonisë në zgjidhjen e problemit me Greqinë për çështjen e emrit. Strategjia e re do të zëvendësojë atë që është ndjekur prej vitit 2014, kur Junker u zgjodh në krye të Komisionit dhe shpalli pezullimin e përkohshëm të zgjerimit të unionit.

Konkurrenca kundër rritjes së çmimit të ujit në Tiranë

Vendimi i Bashkisë Tiranë për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në gusht 2017, është marrë i pabazuar në studime ekonomike, argument ligjore dhe në mungesë të marrjes së vlerësimit paraprak nga Autoriteti i Konkurrencës.
Këto janë përfundimet kryesore të raportit vjetor të AK, në përfundim të kontrollit dhe vlerësimit të procedurës së ndjekur nga Bashkia Tirana dhe Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.
Raporti përfundimtar i AK thekson:
-Bazuar në relacionin shpjegues të ERRU për miratimin e tarifave të reja për vitin 2018, nuk gjejmë të detajuar strukturën e kostos mbi bazën e së cilës është miratuar tarifa.
-Në faqen zyrtare të UKT, Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe ERRU në të cilat është publikuar Vendimi Nr. 47/2017 i ERRU mbi miratimin e tarifave për periudhën 01.01.2018 e në vazhdim, nuk gjenden bashkëlidhur relacioni me argumentet ekonomike dhe ligjore mbi të cilat është bazuar kjo vendimmarrje.
-Lidhur me këtë vendimmarrje nuk është marrë vlerësimi paraprak i Autoritetit të Konkurrencës, në zbatim të neneve 69 dhe 70 të Ligjit Nr. 9121.
Në fund të raportit, Autoriteti i Konkurrencës i rekomandon institucioneve lidhur me këtë vendim se:
-Rritja e tarifave duhet të jetë graduale dhe në përputhje me kriteret e performancës, në mënyrë të veçantë të orarit të furnizimit me ujë.
-Gjatë procesit të marrjes së këtyre vendimeve duhet të ketë më tepër transprencë, analiza e studime dhe gjithnjë duhet kërkuar vlerësim ligjor nga Autoriteti i Konkurrencës për çdo projekt-akt normativ që potencialisht mund të sjellë kufizime të konkurrencës në tregun përkatës.
Në gusht 2017, gjatë një seance jo të ligjshme, Bashkia Tiranë rriti çmimin e ujit të pijshëm nga 45 lekë për metër kub në 65 lekë për metër kubë, pra një rritje me rreth 44 për qind. Rritje pësoi dhe çmimi i ujit për klientët publikë e ato privatë: për klientët publikë çmimi u rrit nga 120 lekë metër kub në 140 lekë për metër kub (17 për qind) dhe për klientët privat, çmimi u rrit nga 135 lekë për metër kub në 155 lekë për metër kub (15 për qind).

Veliaj porosit për Bashkinë e Tiranës, kasafortë sekrete për para

Bashkia e Tiranës, me në krye Erion Veliajn, është një nga institucionet që shpenzon fondet publike në mënyrën më të çuditshme dhe shpesh herë abuzive. Veliaj ka bërë tendera për “mjeshtrinë e të folurit në publik”, tender për ndërtimin e një faqje web me vlerë 120 milionë lekë e shumë tendera të tjerë të majmë që i kanë përfituar 3-4 klientë të Bashkisë së Tiranës.
Por Veliaj, ka suprizuar sërish me tendera. Së fundmi ai ka porositur disa mobilje, por edhe një kasafortë sekrete. Tpz.al ka siguruar dokumentet e këtij tenderi të Bashkisë së Tiranës, ku kërkohen mobilje të reja, përkatësisht karrige pune, karrige rrotulluese, tavolinë pune me kasatierë, tavolinë drejtuesi, etazher për zyrë dhe një kasafortë.
Por se për çfarë i duhet një kryebashkiaku një kasafortë sekrete, e cila shërben për të ruajtur sendet me vlerë dhe paratë, këtë vetëm Veliaj mund ta shpjegojë.
Sipas dokumenteve, kjo kasafortë është e sigurisë së lartë dhe me mbrojtje nga zjarri, me përmasa 50x50x110cm. Spesori i derës: 4 dhe 8mm, çelik. Ngjyrë gri. Spesori i trupit: 74mm, çelik. Diametri i kunjave Ф30 mm. Me shtresë betoni me rezistencë të lartë ndaj nxehtësisë. Me 2 kode përdoruesi deri në 7 shifra. Me mbyllje elektronike. Me 4 bateri AA 1.5 V. Me sinjal akustik kur bateria është drejt mbarimit. Rezistencë ndaj nxehtësisë 927 °C për 60 minuta.
Ndërkohë bashkë me kasafortën, Veliaj ka porositur edhe tavolinë drejtuesi, me përmasa 180x70x72 cm. Skeleti i tavolinës ndërtohet me melaminë me trashësi 25 cm. Syprina të jetë prej material MDF e melaminuar me trashësi 3.2 cm. Etazheri për zyrë duhet të jetë me trashësi 2.5 cm, ku pjesa e sipërme është e mbyllur me dy kanata xhami me kornizë. Hapësira brenda kapakëve të xhamit do të ndahet në 3 hapësira me anë të sergjenëve të regjistrueshëm.
Të gjitha këto pajisje, do të kushojnë plot 49 milionë lekë të vjetra pa TVSH, ose rreth 60 milionë lekë me TVSH, para që vijnë direkt nga taksat e qytetarëve të Tiranës./TPZ.AL/

Taksa për lejet e ndërtimit pasuron bashkinë

Bashkitë e vendit, sidomos kryeqyteti, po bëhen gjithnjë e më të varura nga taksa e infrastrukturës që marrin për lejet e dhëna të ndërtimit, që varion nga 4-8% të vlerës së ndërtimit.
Të ardhurat e veta të bashkive (nga taksat, tarifat, asetet dhe të tjera) për 9-mujorin 2017 regjistruan një vlerë prej rreth 16.7 miliardë lekë, në rritje me rreth 3.7 miliardë lekë ose rreth 28.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të bëra të ditura nga portali financatvendore.al. Ecuria e kësaj kategorie të ardhurash sinjalizon për vijimësi të përmirësimit të performancës në mbledhjen e të ardhurave vendore në përgjithësi, theksohet në raportin e 9-mujorit.
Analiza e detajuar sipas zërave të taksave tregon se, kjo performancë pozitive është udhëhequr nga rritja e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila shënoi dhe nivelin më të lartë historik gjatë periudhës në analizë (2010-2017). Të ardhurat nga kjo taksë kontribuan me rreth 4.4 miliardë lekë në buxhetin vendor (26% e totalit të të ardhurave të veta), në rritje të ndjeshme krahasuar me nivelin e kësaj takse prej 1.7 miliardë lekësh në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Performanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron për rigjallërim të aktivitetit ndërtues në vend, privat (rritje e numrit të lejeve të ndërtimit nga bashkitë në vijim të miratimit të planeve të përgjithshme vendore) dhe publik (investime publike të ndërmarra nga qeveria qendrore).
Në nivel bashkie, rreth 71.4% e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u regjistruan në buxhetin e Bashkisë Tiranë (nivel ky rreth 4.9 herë më i lartë krahasuar me nivelin e të ardhurave nga kjo taksë një vit më parë).
Sikurse dhe pritej, të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, vijojnë të ulin kontributin e tyre në totalin e të ardhurave nga taksat vendore. Gjatë periudhës së konsideruar, të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël regjistruan një vlerë prej 276.2 milionë lekë, në rënie me rreth 52.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Një tjetër burim i rëndësishëm të ardhurash për buxhetin vendor përfaqësohet nga të ardhurat nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme. Gjatë periudhës në analizë, të ardhurat nga kjo taksë regjistruan një vlerë prej rreth 3.4 miliardë lekë, në rritje modeste me 2.5% në terma vjetorë. Në të gjitha vitet e marra në analizë, taksa mbi ndërtesat përbën mesatarisht rreth 85.4% dhe të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore zënë 14.6%, ndaj totalit të të ardhurave nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme.
Në terma vjetorë, të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat rezultuan në rreth 3.0 miliardë lekë, në rritje me rreth 6.5% në terma vjetorë. Në të kundërt, të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore shënuan rënie vjetore të theksuar me rreth 19.7% krahasuar me një vit më parë.
Taksa e truallit nuk rezulton të ketë regjistruar të ardhura në periudhën e konsideruar. Ky nivel mund të lidhet me problematikat e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës (dhe taksapaguesve). Gjithashtu mund të jemi përballë edhe të një problemi të raportimit financiar, dhe një vlerësim më i thellë do duhej të bëhej nga autoritetet.
Aktualisht, me miratimin e Ligjit nr. 106/2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, i hapet rrugë reformimit të taksës mbi pasurinë e paluajtshme (ndërtesa). Veçanërisht, do të kalohet nga taksa me bazë fikse (i aplikuar aktualisht), në aplikimin e taksës së ndërtesës mbi vlerën e tregut të ndërtesës. Në vijim të krijimit të regjistrit qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (kadastrës fiskale) dhe aplikimit të taksës së ndërtesës bazuar në vlerë, të ardhurat në buxhetin e njësive të vetëqeverisjes vendore pritet të pësojnë rritje të ndjeshme.
Përmirësimi i performancës së të ardhurave nga tarifat vendore gjithashtu kontribuoi pozitivisht në ecurinë totale të të ardhurave të veta të bashkive. Ndaj totalit të të ardhurave vendore, të ardhurat nga tarifat zënë një peshë prej 35.2% dhe përfaqësojnë një kategori të ardhurash mbi të cilat bashkitë kanë diskrecion të plotë. Gjatë periudhës në analizë, të ardhurat nga tarifat shënuan një nivel prej rreth 5.9 miliardë lekë, në rritje me rreth 11.6% në terma vjetorë. Për nëntëmujorin e 2017, të ardhurat nga tarifat e shërbimeve publike (menaxhimi i mbetjeve, ndriçimi dhe gjelbërimit) rezultuan në rreth 3.0 miliardë lekë, në rritje me rreth 6.7% në terma vjetorë. Ndërkohë që të ardhurat nga tarifat administrative dhe të tjera kontribuuan me rreth 2.4 miliardë lekë në të ardhurat nga tarifat në total. Tarifa për zënien e hapësirave publike dhe fasadave gjithashtu pati ecuri pozitive në periudhën në analizë, duke shënuar rritje me rreth 8.6% në terma vjetorë, thekson analiza e portalit të financave vendore.
Burimet financiare totale për qeverisjen vendore regjistruan një vlerë 55.2 miliardë lekë, në rritje me rreth 25.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në terma nominalë vjetorë, burimet financiare totale rezultuan rreth 11.1 miliardë lekë më të larta. Nëse nga totali i burimeve financiare do të përjashtonin ato kategori të ardhurash të konsideruara me destinacion (transferta të kushtëzuara), të ardhurat mbi të cilat bashkitë ushtrojnë autoritet dhe kanë të drejta vendimmarrjeje përsa i përket mënyrës së shpenzimit, shënuan një vlerë prej rreth 33.7 miliardë lekë.
Të ardhurat në diskrecion të bashkive përfaqësuan rreth 61.0% të burimeve financiare totale dhe përfshijnë: të ardhurat nga burimet e veta, të ardhura nga transferta e pakushtëzuar dhe specifike, të ardhura nga taksa të ndara. Në total, këto të ardhura regjistruan rritje me rreth 21.7% në terma vjetorë. Rritja në të ardhurat në diskrecion të bashkive u përcaktua gjerësisht nga rritja e të ardhurave nga burime të veta të bashkive (taksa, tarifa, transaksione me asetet dhe të tjera), analizon portali i financave vendore.

Monitor