27.5 C
Tirana
E shtunë, 12 Korrik, 2025

Rusia kundërshton deklaratat e shefit të agjencisë CIA

Zyrtarët rusë dje i kanë hedhur poshtë akuzat e drejtorit të agjencisë amerikane CIA, Mike Pompeo, se rusët po përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet për Kongresin e Shteteve të Bashkuara këtë vit dhe se “për dekada” ishin përzier në zgjedhjet amerikane.
“Unë vazhdoj të jem i shqetësuar, jo vetëm për rusët, por edhe për përpjekjet e të tjerëve, po ashtu”, i tha pardje Pompeo rrjetit CBS, duke mos dhënë detaje.
Ai, po ashtu, theksoi se “ne kemi shumë armiq të cilët dëshirojnë ta shkatërrrojnë demokracinë perëndimore”.
Zoti Pompeo tha se Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) ka rol të rëndësishëm që të krijoj siguri që zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të jenë demokratike.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov është përgjigjur ndaj komenteve të Pompeos gjatë një interviste për agjencinë ruse të lajmeve, Interfax, me ç’rast tha se Rusia nuk përpiqet të ndërhyjë në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
“Ne nuk jemi përzier dhe as që kurrë nuk do të përzihemi në punët e brendshme të shteteve të tjera”, tha Ryabkov.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se deklaratat e Pompeos ishin “gënjeshtra”.

Pastrimi i parave, 600 milionë euro ndërtime

Të ardhurat e raportuara nga Bashkitë nga taksa e infrastrukturës tregojnë për nivel rekord në 9 muajt e parë të vitit. Sipas portalit Financatvendore.al, për të gjitha bashkitë, të ardhurat nga kjo taksë kontribuuan me rreth 4.4 miliardë lekë në buxhetin vendor (26% e totalit të të ardhurave të veta), në rritje të ndjeshme krahasuar me nivelin e kësaj takse prej 1.7 miliardë lekësh në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në nivel bashkie, rreth 71.4% e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë (3.1 miliardë lekë) u regjistruan në buxhetin e Bashkisë së Tiranës (nivel ky rreth 4.9 herë më i lartë krahasuar me nivelin e të ardhurave nga kjo taksë një vit më parë).
Performanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron për rigjallërim të aktivitetit ndërtues në vend, privat (rritje e numrit të lejeve të ndërtimit nga bashkitë në vijim të miratimit të planeve të përgjithshme vendore) dhe publik (investime publike të ndërmarra nga qeveria qendrore), thekson portali i financave vendore.
Duke pasur parasysh se në Tiranë, taksa e infrastrukturës për apartamentet është 8% e vlerës së ndërtimit, indirekt, vlerësohet se në Tiranë janë dhënë leje për rreth 290 milionë euro ndërtime për 9-mujorin.
Ndërsa për gjithë Shqipërinë, totali i ndërtimeve bazuar në lejet e dhëna për 9-mujorin është rreth 520 milionë euro (për rrethet është llogaritur që taksa e infrastrukturës është mesatarisht 4% e vlerës).
Ritmi i ndërtimeve pritet të jetë i lartë në kryeqytet edhe në 2018-ën. Në projektbuxhetin 2018, pritet të arkëtohet një nivel rekord prej 24 milionë eurosh në 2018-ën nga taksa e infrastrukturës, sipas buxhetit zyrtar të kryeqytetit për 2018-ën, për të rënë më pas në vitet në vijim. Kësaj i korrespondojnë edhe rreth 300 milionë euro të tjera ndërtime në 2018-ën. Në total, për periudhën 2017-2018, në kryeqytet pritet të kryhen ndërtime me një vlerë prej gati 600 milionë eurosh.
Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë të vitit janë dhënë gjithsej 310 leje ndërtimi, nga të cilat 65 në Tiranë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë, në të gjithë Shqipërinë ishin dhënë vetëm 145 leje. Ndërsa për gjithë 9-mujorin janë dhënë gjithsej 608 leje, 27% e të cilave (167) kanë qenë në Tiranë (me trefishim).
Krahas qendrave rezidenciale, në Tiranë pritet që të fillojë këtë vit edhe ndërtimi i kullave shumëkatëshe, të cilat kanë vlerë të lartë investimi. Vetëm për kullën Down Town Albania, me lartësi 138 metra dhe 35 kate, që pritet të fillojë së shpejti, investimi është 75 milionë euro, sipas burimeve zyrtare.

Roja Bregdetare italiane kërkon për të mbytur në Mesdhe

Rreth 64 refugjatë përllogariten të kenë vdekur, pasi ekipet e shpëtimit gjetën një gomone të mbingarkuar që po fundosej në brigjet e Libisë, siç njoftojnë zyrtarët.
Roje bregdetare italiane shpëtoi 86 nga afro 150 vetë që po udhëtonin me një gomone të vogël në Mesdhe të dielën. Tetë trupa, të gjitha viktima gra, janë gjetur deri tani.
“Nga dëshmitë që kanë grumbulluar deri tani zyrtarët në Katania, gomonia kishte 150 emigrantë kur u nis nga Libia”, thotë një zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin.
Gomonia u pa fillimisht të shtunën nga ajri nga një mision i marinës evropiane që lufton trafikimin.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin e ka cilësuar Mesdheun “kufirin më të përgjakshëm të botës”, ku vetëm gjatë 2017 janë regjistruar 2839 të vdekur në përpjekje për të kaluar detin, ndërsa në 2016 gjetën vdekjen 4581 emigrantë të nisur nga Afrika e Veriut drejt brigjeve të Italisë.

Biznesi i vogël i çoroditur nga TVSH-ja

Përfshirja në skemën e TVSh-së duket se ka sjellë amulli te bizneset e vogla me qarkullim mbi 2 milionë lekë. Alberta Nasta, kryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël, tha për “Monitor” se, ky vendim i ka gjetur të papërgatitur sipërmarrjet, të cilat nuk kanë njohuri për procedurat e përfshirjes në skemën e TVSH-së. Sipas Nastës, kësaj skeme do t’i duhej minimalisht 2 vite për t’u zbatuar si duhet. Jashtë skeme do të mbeten vetëm bizneset ambulante, ndërsa shtoi se bizneset e vogla, që të funksionojnë duhet të kenë një xhiro ditore prej 50 mijë lekësh, fakt që tregon shtrirjen e gjerë që do të ketë skema.
Duke qenë se bizneset e vogla nuk kanë njohuritë e duhura në lidhje me TVSH-në, Nasta tha se, përfshirja në mënyrë të nxituar të këtyre bizneseve në skemë do të pasohet me vendosjen gjobave, të cilat do të jenë dhe më të larta se më parë, duke qenë se tani bizenset do të jenë të përfshira në një kategori tjetër.
Aktualisht bizneset e vogla duhet të nisin procedurën e inventarizimit të mallrave në magazinë. Ahmet Gjinishi, kontabilist, tha se bizneset e vogla janë akoma të paorientuar me skemën e re. Në rast se bizneset e vogla nuk fillojnë që tani me inventarizimin e mallrave me TVSH, do t’iu duhet që pas datës 1 prill të paguajnë TVSH për mallrat që kanë blerë pa TVSH nga data 1 janar deri në 30 mars. Thënë ndryshe do t’iu shtohet një kosto prej 20 për qind.
Sipas zotit Gjinishi përveç TVSH-së, bizneseve do t’iu shtohen edhe kosto administrative. Deri më tani bizneset e vogla nuk kanë pasur një ekonomist. Gjinishi përllogarit një kosto shtesë minimale prej 30 mijë lekësh për të. Gjithashtu ai thotë se, biznesve do t’iu lindë nevoja për të blerë dhe programet financiare si Bilanc, Alfa apo Financa 5, të cilat kushtojnë rreth 50 mijë lekë.
Gjinishi thotë se aktualisht asnjë biznes që ai ka në portofolin e tij të klientëve nuk ka ndërmarrë hapa për të kryer procesin e inventarizimit të mallrave me TVSH dhe se një pjesë e tyre po shpresojnë që në datën 1 prill, i gjithë malli që kanë në magazina të inventarizohet si mall me TVSH. Deri atëhere mbeten në pritje të ndonjë vendimi të dytë nga Administrata Tatimore.

Si do të bëhet deklarimi

Tatimet njoftuan dje se tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar një qarkullim mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë, për vitin kalendarik 2017, si dhe ata që parashikojnë të realizojnë këtë qarkullim gjatë këtij viti, nga data 1 prill 2018 duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së (tatimi mbi vlerën e shtuar).
Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në, duhet të komunikojë me shoqërinë e autorizuar që e ka furnizuar me pajisjen fiskale për të bërë ndryshimin e shkallës tatimore të TVSH brenda dates 31 mars 2018, për qëllim të lëshimit të kuponit tatimor me TVSH;
Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në brenda datës 31 mars 2018 duhet të furnizohet me faturat tatimore me TVSH, të përdorshme për çdo shitje mbi 40.000 (dyzet mijë) lekë, ose kur blerësit do t’i kërkojnë një të tillë
Paraprakisht këta tatimpagues duhet të përpilojnë (inventarizojnë) listën e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë.
Ky inventar duhet të dorëzohet në Drejtorinë Rajonale, brenda datës 31 mars 2018.
Çdo mall i përfshirë në inventar duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë jo më parë se 12 muaj nga data që është bërë regjistrimi në TVSH.
Ky proces i jep të drejtën çdo tatimpaguesi, që në muajin e parë kur bëhet subjekt i regjistruar në TVSH, të njohë TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën e regjistrimit në këtë regjim.
Administrata Tatimore është në shërbimin tuaj në sportelet e saj të shërbimit, si dhe me Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 00 02. Një program gjithëpërfshirës seminaresh trajnimi me grupe tatimpaguesish, është programuar përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018.
Ndryshimi i përgjëgjësisë tatimore mbështetet në Ligjin nr.92/2014 datë 24.07.2014, “Për TVSh-në në RSH”, i ndryshuar neni 117 dhe VKM nr.652, datë 10.11.2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin Nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave “Për Dispozitat Zbatuese të Ligjit nr.92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, neni 2, pika 1, i cili përcakton se kufiri minimal për regjistrimin e tatimpaguesve në skemën e TVSH-së, është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekë në një vit kalendarik.

A po “izolohen” liderët e Kosovës?

Një udhëtim i anuluar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në Iowa të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të mos lëshimit të vizës, ka nxitur debate në Kosovë, nëse lidershipi i këtushëm mund të përballet me masa izolimi pas disa përplasjeve me përfaqësuesit ndërkombëtarë.
Mospërfillja e vazhdueshme e thirrjeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe nisma në Kuvendin e Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, nga analistë vendorë ishin vlerësuar se mund të përcillen me pasoja për Kosovën dhe liderët e saj.
Së fundi, ishte një zyrtar nga Garda Nacionale në Iowa të SHBA-së i ka thënë Radios “Evropa e Lirë” se, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka anuluar vizitën në këtë shtet me arsyen se, “ai nuk ka mundur ta marrë vizën”.
Kolonel Greg Hapgood, zëdhënës i Gardës së Iowa-s, ka thënë se Haradinaj pritej të merrte pjesë ditën e enjte në një ngjarje të organizuar nga Komandanti i Gardës Nacionale në Iowa, Timothy E. Orr.
“Kryeministri Haradinaj ka qenë i ftuar nga gjenerali Orr në atë ngjarje mirëpo është për keqardhje që ai nuk ka mundur ta marrë vizën dhe të jetë së bashku me ne”.
“Shpjegimi ka qenë se vizita nuk do të ndodhë tash në këtë kohë dhe nuk kemi marrë më shumë informata shtesë”, ka thënë kolonel Greg Hapgood
Sipas tij, në vend të Haradinajt pritet të marrë pjesë zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.
Ditëve të fundit, në mediet vendore në Kosovë, është përfolur se kryeministrit Haradinaj i është refuzuar viza për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në “Lutjet e mëngjesit”, organizim ky i përvitshëm në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
Por, Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit Haradinaj, thotë për Radion “Evropa e Lirë”, se viza e kërkuar nga kryeministri për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara nuk ka të bëjë fare me “Lutjet e mëngjesit”.
Në anën tjetër ftesën për “Lutjet e mëngjesit” e ka marrë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Por nga kabineti i tij kanë thënë se lidhur me pjesëmarrjen e tij në këtë organizim, “do të ketë koordinim me agjendën e përcaktuar”.
Ndërkaq, zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje nëse një ftesë për “Lutjet e mëngjesit” e ka edhe Presidenti.
Ndryshe, zvarritja e çështjes së ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, si dhe së fundmi tentimi që para deputetëve të Kuvendit të Kosovës të dërgohet kërkesa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale për krime të luftës në Kosovë, në masë të madhe kanë ndikuar në acarimin e raporteve ndërmjet drejtuesve të lartë institucional të Kosovës dhe ambasadorëve të vendeve perëndimore në Kosovë. Një acarim i tillë i raporteve është reflektuar sidomos në reagimet e ambasadorëve të vendeve të Kuintit.
Por, a ka ndikuar dhe a do të ndikojë acarimi i këtyre raporteve edhe në çështjen e dhënies ose jo të vizave nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për zyrtarët e lartë të Kosovës?
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion “Evropa e Lirë” thekson se çështja e vizave është rregulluar në secilin shtet veç e veç dhe ftesat e caktuara nuk e garantojnë me automatizëm edhe marrjen e vizës. Por, sipas tij, në rastin e protokolleve diplomatike, ekziston procedurë krejt tjetër, por kjo duhet parë në parim dhe jo në raste të veçanta.
“Ajo që e them unë ka të bëj me politika parimore. Një vend hyn nën sanksione ose një udhëheqësi hyn nën sanksione për çështje të caktuara dhe gjithashtu mund të jetë edhe lista me emra të përveçëm ose konkret, jo pse ka dallime politike, por sepse ka veprime antidemokratike dhe antiligjore. Në këtë çështje, duhet të diskutohet se në cilën fazë është udhëheqja e Kosovës dhe sa është në kundërshtim me interesat e popullit ose me vullnetin e popullit, nga i cili i kanë marrë votat”.
Udhëheqësit e Kosovës, sipas politologut Tahiri, kanë marrë obligime ndërkombëtare dhe ato duhet t’i realizojë. Në të kundërtën vendi, por edhe vet liderët institucional do të ballafaqohen me pasoja.
“Pas pushimeve të Krishtlindjes do të shihet se deri ku mund të tolerohen që të mos zbatohen vendimet që kanë qenë obligim dhe me të cilat këta e kanë marrë edhe pushtetin. Këto nuk janë të fshehta, por këto veprime do të jenë shumë konkrete dhe do të thuhen publikisht, edhe mospajtimet që i ka në këtë rast Bashkimi Evropian me politikën e Kosovës dhe me bartësit institucional, por gjithashtu edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë një rol shumë të rëndësishëm në pavarësinë e Kosovës si dhe në ndërtimin e saj institucional”.
Siç kanë thënë më herët njohësit e çështjeve juridike dhe politike moszbatimi i obligimeve ndërkombëtare nga ana e Kosovës, mund t’i përkeqësoj ndjeshëm raportet e vendit me aleatët ndërkombëtarë. Kjo, sipas tyre, do ta vinte Kosovën përballë pasojave të shumëfishta.

Koreja e Jugut dhe Veriut, bisedime për bashkëpunimin olimpik

Zyrtarët e Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut do të zhvillojnë të martën bisedime të nivelit të lartë rreth pjesëmarrjes së Phenianit në lojërat olimpike dimërore, por gjithashtu për të kërkuar mënyra për të ulur tensionet e rritura lidhur me kërcënimin bërthamor që vjen nga Koreja e Veriut.
Nga 9 në 25 shkurt në Korenë e Jugut do të mbahen Loëjrat Olimpike Dimërore.
Presidenti i Koresë së Jugut Moon-Jae-in ka theksuar nevojën për paqe dhe pajtimit në funksion të lojërave olimpike dhe vazhdimisht ka ftuar Korenë e Veriut për pjesëmarrje, si një mënyrë për të rifilluar dialogun mes dy Koreve, dialog që u pezullua pas një prove bërthamore të Koresë së Veriut në vitin 2016.
Bisedimet do të zhvillohen në anën jugore të zonës së çmilitarizuar që ndan gadishullin, aty ku në vitit 1953 u nënshkrua marrëveshja e armëpushimit që i dha fund luftës mes dy Koreve.
Në krye të delegacioneve do të jetë ministri për Bashkimin, i Koresë së Jugut Cho Myung-gyon dhe homologu i tij i koreano-verior, kryetari i Komitetit për Bashkimin Paqësor të vendit Ri Son Gwon.
Presidenti amerikan Donald Trump tha gjatë një konference shtypi të dielën se ai shpreson që bisedimet mes Koresë së Veriut dhe asaj të jugut të shkojnë “përtej lojërave olimpike” dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë në bisedime “në kohën e duhur”.
Megjithatë Administrata Trump mbetet skeptike nëse çdo bashkëpunim që lidhet me olimpiadën do të çojë në një zhvillim të rëndësishëm diplomatik që Kim Jong Uni, të binte dakord të hiqte dorë nga armët bërthamore në këmbim të ndihmës ekonomike dhe garancive për siguri.
Të dielën, ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley tha se postimi në Twitter, i presidentit për butonin bërthamor kishte për qëllim të paralajmëronte udhëheqësin e Koresë së Veriut, se SHBA disponon aftësi më të mëdha bërthamore dhe mund t’i përgjigjen një sulmi me forcë shkatërruese.

Tre të lënduar nga zjarri në ndërtesën Trump Tower

Tre vetë janë lënduar nga zjarri i djeshëm që ka përfshirë objektin, Trump Tower, që është rezidenca private e presidentit amerikan, Donald Trump dhe e familjes së tij, në Nju Jork.
Në fotografitë nga ajri shiheshin zjarrfikësit në kulm të ndërtesës, derisa tymi i dendur dilte nga një skaj i objektit.
Departamenti i zjarrfikjes i Nju Jorkut ka njoftuar se dy civilë dhe një zjarrfikës ishin trajtuar nga lëndimet që nuk ishin të rrezikshme për jetën.
Flaka është përshkruar si “zjarr i vogël elektrik”, që me të shpejtë ishte vënë nën kontroll.
Ndërtesa 68 katëshe në Avenynë e Pestë në Menhetën, afër Parkut Qendror, përbëhet nga banesa luksoze dhe zyrë biznesore.
Në atë kohë, Presidenti Trump ishte në Uashington.

Stoli i Milanit, Gasperini është në listë

Gennaro Gattuso është 40 vjeç. Një jetë e parë si luftëtar i Milanit dhe një e dytë, sapo ka filluar, në rolin e trajnerit. Me të ardhmen e pasigurt në stolin kuqezi, megjithatë, sepse në fund të sezonit klubi i Milanit mund të vendosë bast për dikë tjetër në këtë rol. Gjithçka do të varet nga performanca e pjesës së dytë të sezonit, natyrisht. Por, nuk ka dyshime se menaxhmenti i Milanit tashmë është duke menduar se si ta organizojë të ardhmen e klubit, duke filluar nga trajneri. Dhe kjo që nga momenti i shkarkimit të Montellës dhe promovimit të Gattusos. Ëndrra e madhe, siç konfirmohet nga “Corriere dello Sport”, mbetet Antonio Conte. Dhe nuk është diçka e re…
Vazhdon të flitet për ish-trajnerin e Juventusit, ashtu siç flitet për Roberto Mancinin, aktualisht në Rusi, në krye të Zenitit, i cili në orët e fundit nuk ka përjashtuar një punësim të mundshëm si trajner i axurrëve. Në fokus, megjithatë, është edhe zgjidhja e befasishme: Gian Piero Gasperini. Arkitekti i Atalantës, i cili, pas vendit të pestë në kampionatin e fundit, po konfirmon në Seria A se është i mahnitshëm në Europë. Tani, duket i mbushur me ëndrra edhe për finalen e Kupës italiane. Do të ishte një kthim në Milano i tij, pas përvojës së shkurtër, negative dhe kundërthënëse tek Interi (2011-2012). Një hakmarrje totale. Por kjo dhe për më shumë do të diskutohet vetëm në fund të sezonit. Të paktën deri në qershor, do të ecet përpara me Gattuson.
Rino Gattuso dje mbushi 40 vjeç dhe ndoshta është një njeri i lumtur, pasi po drejton skuadrën e zemrës. Ka dy gjëra për t’u bërë. E para, duhet ta urojmë. E dyta, të kujtojmë thëniet e tij. Gattuso është ai që luftonte për të gjithë, bën ndërhyrje kudo dhe thotë gjithmonë atë që mendon, si ka ndodhur gjatë gjithë karrierës së tij. Por personi, në të mirë e në të keq, shkon përtej personazhit. Kjo është jeta e tij nëpërmjet 40 thënieve.

Berlusconi kundër trajnerit Gattuso

Prej kohësh admirues i futbollit të bukur të finalizuar me rezultate pozitive, Silvio Berlusconi komenton me pak trishtim momentin që po kalon AC Milan, sepse ashtu si dihet nga të gjithë, ai dëshiron një skuadër me dy sulmues. “Unë e kam Milanin gjithmonë në zemrën time, thotë si gjatë një interviste për “Radio Capital”. Kur e shoh që luan në këtë mënyrë me një modul krejtësisht të papërshtatshëm dhe të gabuar, vuaj shumë dhe më dhemb barku. Kjo i ndodh çdo tifozi të kësaj skuadre besoj!”.
Ish-presidenti i Milan, që në kohët e fundit kishte kritikuar edhe zgjidhjet taktike të bëra nga trajneri Gennaro Gattuso, nuk mendon se do të rikthehet në krye të klubit kuqezi. “A jam penduar që kam shitur Milan? Nuk ishte më e mundur të vazhdoja si president i skuadrës time të zemrës, sepse në futboll u futën paratë e naftës dhe për një familje të vetme është e mundur të mbajë një skuadër në Olimpin e futbollistin europian dhe botëror. Kësisoj zgjidhja ime ishte e detyrueshme dhe e pashmangshme”.

Flasin faktet!

Disa persona të ngarkuar me fushën e menaxhimit tek Interi duhet të godasin “kokën e kokës”, pasi të mësojnë për 160 milionë eurot, që Barcelona mundi të paguajë për Coutinho, nëse të gjitha variablat e përfshira në marrëveshje janë plotësuar. Vetëm pesë vjet më parë, në merkaton e dimrit 2013, braziliani e la “Giusseppe Meazza” për të shkuar te Liverpool, vetëm për 13 milionë euro. Coutinho i përkiste Interit për katër vjet e gjysmë, edhe pse në dy vitet e para qëndroi në Brazil, me huazim te Vasco da Gama, klubi i tij i origjinës.
Nënshkrimi i shkëlqyeshëm i Barçës luajti vetëm 47 ndeshje me fanellën zikaltër dhe në sezonin 2011-2012 kaloi gjysmën e dytë të sezonit me huazim tek Espanyol. Me ekipin spanjoll luajti 16 ndeshje (të gjitha të La Liga-s) dhe shënoi pesë gola, njësoj sa tek Interi. Por Coutinho nuk është shitja e vetme e viteve të fundit, që me kalimin e kohës ka rezultuar e gabuar në aspektin sportiv dhe të lirë në aspektin ekonomik. Roberto Carlos, Pirlo, Bergkamp apo Ronaldo triumfuan gjatë një periudhe të gjatë në klubet e tyre të destinacionit, pas largimit nga Interi.
Italiani Pirlo pati një rast të ngjashëm me atë të Coutinhos. Pas tri sezoneve dhe dy transferimeve, Interi e shiti atë te fqinjët e Milanit, për 18 milionë euro. Një sasi e rëndësishme parash për kohën (ishte lojtari i 18-të më i shtrenjtë i atij sezoni), por që përfundoi duke qenë një gjë e vogël për klubin “rossonero”, ku mbeti një dekadë dhe fitoi dy Champions. Gjithashtu, spikatën në klubet e tyre përkatëse Roberto Carlos dhe Dennis Bergkamp, në të dyja rastet gjatë 11 viteve. Braziliani arriti në vitin 1996 te Real Madridi dhe mblodhi një mori titujsh. Klubi i bardhë pagoi 500 milionë peseta për të, tani vetëm tre milionë euro. Ky lojtar shkoi në Madrid për pak më shumë se 270.000 euro në vit. Më shumë para kishte marrë një vit para klubi lombard nga Bergkamp, i cili e shiti tek Arsenali për pak më shumë se 11 milionë euro, nënshkrimi i dytë më i shtrenjtë i atij sezoni.
Diçka më afër në kohë, shitja e Ronaldos, provoi, gjithashtu, një vendim të gabuar të Interit. Te zikaltrit, “Fenomeni” ka përjetuar skenën e tij më të keqe si futbollist, i dënuar nga një kalvar lëndimesh. Te Real Madridi shkoi pas ringjalljes në Kupën e Botës së zhvilluar në Japoni dhe Kore. 45 milionë euro e çuan atë në “Bernabeu” (Interi i kishte paguar Barçës 28 milionë euro, katër vjet më parë), pas “soap opera”, që zgjati tërë muajin gusht. Ronaldo, gjithashtu, triumfoi në Madrid për një çmim të moderuar, duke pasur parasysh kushtet e tregut në atë kohë. Në dy verat e mëparshme, Real Madridi kishte paguar 60 milionë euro për Figon dhe 72 milionë euro për Zidanen. Pra, braziliani nuk ishte nënshkrimi më i shtrenjtë i asaj merkatoje në vitin 2002: Manchester United shpenzoi një milion euro më shumë për të marrë Rio Ferdinand.