25.5 C
Tirana
E shtunë, 12 Korrik, 2025

Basha: Protestë për largimin e qeverisë më 27 janar

Kreu i PD-së Lulzim Basha iu ka bërë thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në protestën e 27 janarit kundër narkoshtetit.
“Ftoj të gjithë shqiptarët të na bashkohen në datën 27 janar në orën 12 në një protestë mbarëpopullore kundër padrejtësisë, drejtësisë të kapur nga krimi. Drejtësi për ata që duan ta ndërtojnë jetën në Shqipëri. Këtë e tregoi më së miri edhe raporti i fundit i publikuar nga CIA, ne jemi ende një narkoshtet. Pasojat e palishmërisë i ndjejnë shqiptarët. Paratë janë tek një grup sunduesish dhe nuk i çojnë në spitale dhe shkolla. Objektivi i PD-së është që t’i japë fund kësaj gjendje, taksa të ulta. Ftoj të gjithë shqiptarët të na bashkohën në këtë marshim të madh popullor”, u shpreh Lulzim Basha.

Hapen burgjet për trafikantët e drogës, lirohet anëtari tjetër i kartelit “Xibraka”

Një nga anëtarët e grupit Xibraka është lënë i lirë nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Vendimi është marrë gjatë ditës së sotme. Shkak për këtë është bërë gjendja shëndetësore e të dënuarit Klement Dalipi.
Apeli kishte vendosur 7 vite burg për Dalipin, ndërsa ‘’Fax News” raporton se ai vuan nga një sëmundje e rëndë.
Ai u arrestua së bashku me të vëllanë e tij, Arjan Dalipi, teksa ishin pronarët e magazinës. Kjo dosje mori një rëndësi të veçantë edhe mediatike për shkak të implikimit dhe të ish-nipit të diktatorit, Enver Hoxha.
Në një prononcim që ka pasur pas votimit në zgjedhjet e Qershorit Dalipi shprehej se kishte besim te Vetingu.
“Shpresoj që Shqipëria dhe drejtësia të ecin përpara. Shpresoj që vota ime të shkojë për Vettingun. Do të kisha shumë dëshirë që dosja ime të hetohej pas zgjedhjeve pasi ndoshta nuk do të isha në burg”, shprehet Dalipi.

Pakti mafioz mes Ramës dhe Çakos

Pakti mafioz mes Edi Ramës dhe Haki Çakos nuk do ta ketë jetën e gjatë! Shqiptarët po bashkohen për të rrëzuar qeverinë e krimit!

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ftoi qytetarët shqiptarë t’i bashkohen protestave të opozitës për të nxjerrë vendin nga udhëkryqi dhe kriza e rëndë ku e ka futur Edi Rama me bashkëqeverisjen e tij me krimin. Në takimin me qytetarët e Kamzës, kreu i opozitës tha se nën drejtimin e Edi Ramës, Saimir Tahirit, Haki Çakos dhe pasardhësve të tyre, Policia e Shtetit u shndërrua në një repart ndihme për drogën, e cila i shpërbeu Edi Ramës për të blerë pushtetin.

“Kjo është një qeveri thellësisht antipopullore. Edhe largimi i sotëm i Haki Çakos nuk është gjë tjetër veçse plotësimi i një pakti mafioz midis tij dhe Edi Ramës. Edi Rama ka garantuar Haki Çakos se pavarësisht qenies në krye të Policisë së Shtetit kur vendi u mbulua me drogë, pavarësisht së qënit leva e Saimir Tahirit, kur policia u kthye në një organizatë kriminale, pavarësisht veprimeve të paligjshme me përgjuesit që përgjonin opozitën, diplomatët e huaj dhe çdo kundërshtar të vërtetë apo të perceptuar të qeverisë, mund të ikë i lirë në punën e tij. Nga ana tjetër Haki Çako do ta mbyllë gojën për aferat e tmerrshme kriminale dhe korruptive që implikojnë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe njerëzit e tij më të ngushtë në qeveri dhe në Partinë Socialiste. Por, dua t’jua them sot ju dhe çdo shqiptari. Ky pakt mafioz nuk do ta ketë jetën e gjatë.“- tha Basha.

Kreu i opozitës u shpreh se për shkak të një qeverie të bërë njësh me krimin, sot Shqipëria është vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve në Europë. Për të treguar se qeveria e Edi Ramës përdor dy standarde për qytetarët e pamundur dhe për kriminelët, Basha iu referua rastit të Qamoz Zelës, kryefamiljarit që u vetëvra në burg nga dëshpërimi për mospagesën e energjisë elektrike.

“Qamil Zelën që për 32 mijë lekë të vjetra, megjithëse ishte i sëmurë, u mor dhe u plas në birucë, derisa dëshpërimi e shtyu drejt vetëvarjes. Por sot një nga të dënuarit, të burgosurit për kokainën e Xibrakës është liruar me pretendimin se qelia nuk i bënte mirë për shëndetin. Ky është shteti i Edi Ramës, plas në burg të pafajshmit dhe zbraz qelitë nga trafikantët e drogës dhe të krimit.”-vuri ne dukje kreu i Partisë Demokratike.

Lulzim Basha tha se demokratët dhe opozita është e vendosur të mos e lërë Shqipërinë peng të një qeverie të ardhur në pushtet nga pakti me krimin. Kryetari i Partisë Demokratike i inkurajoi shqiptarët të mos heshtin, të mos ulin kokën, të mos pajtohen me të keqen, por të protestojnë për të larguar qeverinë e krizës dhe për t’i dhënë vetes mundësinë të zgjedhin të lirë një qeveri që i shërben interesit të tyre. “Këto protesta – tha Basha do të mundësojnë krijimin e një qeverie që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme”. Basha theksoi se në kushtet e një loje të barabartë, Partia Demokratike, me programin e saj, del fituese.

 

“Të gjitha këto janë të mundshme për Shqipërinë dhe rruga për ta arritur është largimi i qeverisë të bërë njësh me krimin. Ky është modeli i protestës, atje para selisë së të keqes, të gjithë bashkë, numrin më të madh me guximin dhe kurajon që iu karakterizon. Le t’i bashkojmë edhe një herë energjitë tona më të mira me rininë në ballë, në sheshet e protestës.-u shpreh Basha.

Kreu i Partisë Demokratike u bëri thirrje shqiptarëve, të bashkohen me protestën e opozitës për një pjesëmarrje sa më masive për të bërë të mundur sa më shpejt nxjerrjen e vendit nga udhëkryqi i rrezikshëm.

 

Kryeprokurori i Elbasanit: Kallzim penal për Markun, s’ka të drejtë të më shkarkojë

Prokurori i Elbasanit, Gina ka reagur sot pas vendimit të kryeprokurores Marku për ta shkarkuar atë nga detyra. Gina deklaroi se shkarkimi i tij është i paligjshëm pasi kreu i Prokurorisë nuk ka të drejtë që ta shkarkojë atë. Ai tha se do të depozitojë një kallzim penal ndaj Markut sapo të marrë vendimin e kreut të akuzës.

Dritan Gina: “Nuk braktis detyrën. Refuzoj të zbatoj vendimin e kryeprokurores së përkohshme. Unë nuk jam i komanduar. Jam i caktuar i përkohshëm dhe prokurori i përkohshëm nuk ka tagër ligjor për të më liruar nga detyra.  Vendimmarrja i takon Këshillit të lartë të Prokurorisë”

Nga ambientet e prokurorisë së Elbasanit, ku mbajti një deklaratë për median pak minuta pasi mori në dorë largimin, Gina i bërin thirrje edhe drejtuesve të tjerë për të cilët eshte firmosur largimi të mos braktisin detyrën.

Drejtuesi i prokurorisë së Elbasanit Dritan Gina foli edhe për përplasjet e policisë me prokurorinë Elbasan.

Gina: Ju dhe opinionin publik e dini situatën e verës së kaluar ku prokuroria e Elbasanit ishte pranë zgjidhjes së një prej ngjarjeve më të rënda që ka goditur qytetin, për këtë arsye kërkuam ndihmën në terren të policisë së shtetit por kjo ndihmë nuk erdhi asnjëherë me pretendime absurde organizative dhe administrative. Për fat të keq hetimi dështoi. Kjo histori nuk përfundoi këtu, nga ana e zyrtarë të ndryshëm, kryesisht të Ministrsië së Brendshme dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit ka nisuur një fushatë kundërshtuese ndaj Prokurorisë së Elbasanit, përfshirë drejtuesin e saj. 

Në këtë vazhdë duke shfrytëzuar në mënyrën më të keqe një prokurore të prokurorisë së Elbasanit, naivitetin e saj, u sajua një kallëzim i pababazë për humbje të dosjes, gjë e cila është terësisht e pavërtetë. U shërbeu organizatorëve dhe nxitësve me pushtet politik për të denigruar Prokurorinë e Elbasanit. Situata precipitoi deri në atë pikë sa që ca punonjës të policisë ushtruan kontroll nnë zyrat e prokurorisë së Elkbasanit me qëllim për të justifikuar procesin denigrues. Në atë kohë për të mos krijuar incidente ndërinstitucionale u lejuan veprime antiligjore të policisë. Ju garantoj se situata të tilla nuk do të tolerohen më në të ardhmen, policia nuk do të ushtrojë presion me prezencën e saj në zyrat e prokurorisë së shtetit.

Marku largon dhe kreun e prokurorisë së Elbasanit, bashkëshorti i Rovena Gashit

Kryeprokurorja Arta Marku largon dhe kreun e prokurorisë së Elbasanit Dritan Gina.

Prokurori Gina, u emërua në këtë post në 3 nëntor 2016 nga Adriatik Llalla.

Dritan Gina është bashkëshorti i Rovena Gashit, e cila sot ka paditur në Gjykatë Administrative urdhrin e lirimit nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë, të kryeprokurores Arta Marku.

Gina mori sot urdhrin e lirimit dhe pritet të ketë një deklaratë për median.

Kamikazja e Ramës në Prokurori fshin prokurorin e dosjes Xibraka të Olsi Ramës

Dritan Gina, Prokurori i Elbasanit që ka në duar edhe dosjen e Xibrakës ku është përfshirë Olsi Rama është shkarkuar nga e komanduara në Prokurori, Arta Marku. Gina është në të njëjtën kohë edhe bashkëshorti i Prokurores Rovena Gashi, e cila ishte edhe në krye të dekriminalizimit në Prokurori, që u shkarkua sapo Marku mbërriti në Prokurori. Marku ka nisur të kthehet në një kamikaze politike të Ramës në mbylljen e dosjeve të krimit dhe trafiqeve.

Brenda botës së klubeve të Londrës. Ku elitat bëjnë ujdi

Prapa dyerve qendrore të disa prej adresave më ekskluzive në qendër të Londrës, anëtarët më të rëndësishëm të elitës politike angleze hanë, pijnë, takohen dhe flejnë – dhe gjejnë aty një mjedis të rehatshëm dhe të fshehtë, për të bërë ujdi dhe çarë përpara në politikë.
Ndonëse bota e klubeve ku lejohen vetëm anëtarë (dhe shpesh vetëm burra) nuk është më një pjesë qendrore e strukturës së politikës britanike, dhe një simbol tribuje politike, shumë prej anëtarëve të klasës politike ende e shohin anëtarësinë në këto institucione historike, si një pjesë kyçe të përparimit në Uestminster. Të tjerë i shohin si një vend të qetë, larg prej syve përgjues, apo edhe për një mbrëmje të qetë larg politikës.
“Natyrisht, klubi më i mirë në Londër është Dhoma e Përfaqësuesve dhe është një vend shumë i mirë për të takuar njerëz, por ndonjëherë është shumë e volitshme të takohesh gjetkë, për të kaluar një mbrëmje të qetë, me një pije përpara”, thotë ish Ministri i Foreign Office, Henry Bellingham, i cili është anëtar i klubit “White’s”, i cili pranon vetëm anëtarë meshkuj.
“Po të kthehemi 100 vjet pas, ka patur shumë ministra dhe deputetë për të cilët, anëtarësimi në klub ishte më i rëndësishëm, sepse kalonin shumë më tepër kohë aty. Tani, njerëzit kalojnë më shumë kohë në Parlament”.
Një problem është kostoja, teksa anëtarësimi shpesh herë shkon më shumë se 1000 stërlina në muaj. “Ka ende besnikëri politike ndaj këtyre klubeve, por është reduktuar shumë, pikërisht për shkak të kostos”, thotë Howard Flight, një ish deputet dhe tani anëtar i Dhomës së Lordëve, i cili është anëtar i tri klubeve të Londrës – “Carlton Club”, “Pratt’s” dhe “Boodle’s”. Ai thotë se tani, pjesën më të madhe të takimeve i bën në Pallatin e Uestminster.
Bellingham beson se ligjvënësit e rinj po vetëdijësohen për vlerën e hapësirave më private – “vende ku mund të takosh miq të vjetër dhe të bësh biznes”.
Më poshtë, disa prej klubeve më ekskluzive të Londrës dhe anëtarët politikë me shumë influencë, të tyre.

“The Carlton Club”

Nuk mund të bëhesh më konservator se sa në “The Carlton club”, i themeluar në vitin 1832. “Anëtarësimi në klub ishte një distinktiv për besnikëri ndaj Partisë Konservatore dhe klubi ofronte bërthamën për organizimin e partisë për disa dekada, sidomos përpara krijimit të Zyrës Qendrore Konservatore”, thuhet në faqen e internetit të klubit.
Anëtarët e klubit që kanë qenë dhe janë konservatorë, janë të panumërt, dhe kryeministrat konservatorë, përfshirë Theresa May, marrin anëtarësinë e nderit në klubin “St James’s’ Street”.
May u largua në vitin 2001, bashkë me ish Sekretarin e parë të shtetit, Damian Green, për shkak të politikës së klubit që pranon vetëm meshkuj. Në atë kohë gratë mund të ishin anëtare të asociuara, por nuk mund ta përdornin barin e zotërinjve apo të votonin. Ish Kryeministri, David Cameron refuzoi të anëtarësohet për të njëjtat arsye, por u bë anëtar kur klubi u dha të drejtë anëtarësimi të plotë grave, në vitin 2008. Deputete femra që janë aktualisht anëtare të klubit përfshijnë Harriet Baldwin, Nadine Dorries, Rachel Maclean dhe Victoria Prentis, e cila është në krye të komitetit politik të klubit.

“The Beefsteak Club”

Katër prej ministrave të Foreign Office të qeverisë, përfshirë Sekretarin e Jashtëm Boris Johnson, janë anëtarë të “The Beefsteak Club”, i cili pranon vetëm meshkuj.
Fshehtësia është kyçe. Një numër anëtarësh të klubit nuk iu përgjigjën kërkesës së politico.eu për komente. Një anëtar tha se drejtuesit janë shumë rigorozë dhe nuk lejojnë të flitet për klubin jashtë mureve të tij.
Por raportet për klubin, në Irving Street, sugjerojnë se anëtarët darkojnë së bashku në një tryezë me mysafirët. Tradita dikton që stjuardët dhe kamerierët e klubit të thirren të gjithë “Charles”.
Ministrat e Foreign Office Alan Duncan, Hugo Swire dhe Roy Stewart janë gjithashtu anëtarë, bashkë me ish kancelarët Norman Lamont dhe Nigel Lawson, si dhe mbështetësit e Brexit dhe ish deputetët Peter Lilley dhe Nicholas Soames, nipi i Winston Churchillit.
Anëtari i klubit, Stanley Johnson (babai i Borisit) thuhet se u përpoq të pengojë Sekretarin e Mjedisit Michael Gove që të hyjë në klub. Të dy ishin grindur gjatë garës së vitit 2016 për drejtimin e konservatorëve, gjatë të cilës Gove u dha fund shanseve të djalit të Stanleyt për t’u bërë deputet.

“Pratt’s”

Një klub vetëm me anëtarë meshkuj me një listë të gjatë deputetësh konservatorë, të sotëm dhe të djeshëm. Howard Flight e përshkruan si “shumë ekscentrik”.
Etiketa dikton që të ulesh për darkë në një tryezë rrumbullake në karrigen e disponueshme, pranë dikujt që “mund të zbulosh se ka drejtuar një vend në Afrikë 20 vjet më parë”.
“Ka gjithfarësoj njerëzish interesantë dhe ekscentrikë”.
Ashtu si “Beefsteak”, stafi që shërben ka vetëm një emër, ku burrat i thërrasin me emrin “George” dhe gratë me emrin “Georgina”.
Deputetë konservatorë që janë anëtarë përfshijnë Edward Garnier, James Gray, Adam Holloway, Swire dhe Soames.
Mes anëtarëve të rinj janë ish zëvendës kryeministri Michael Heseltine, ish lideri konservator Michael Howard dhe Lawson. Ish kryeministri John Major është gjithashtu anëtar.

“White’s”

Cameron u largua nga “White’s” në St James’s në vitin 2008. Ndalimi që klubi u bënte grave nuk shkonte me përpjekjen e tij për t’u shfaqur si një udhëheqës modernizues i konservatorëve.
Por një numër konservatorësh vazhdojnë të jenë anëtarë, si Heseltine, Lamont, Soames, Swire dhe Bellingham.
Bellingham e përshkruan si një vendfshehje për konservatorët. Eshtë relativisht i vogël, nuk ka shumë funksione dhe është me profil të ulët, tha ai.
Ai e përdor për qëllime sociale dhe politike. “Nëse dua të kem një takim të qetë me dikë jashtë parlamentit, atëherë ai është një vend shumë i mirë sepse nuk ke njerëz që të rrijnë ngjitur gjatë gjithë kohës. Parlamenti është shumë i mirë, por nëse do një takim me një ministër a koleg, ke gjithmonë njerëz vërdallë që vijnë e të ndërpresin, kështu që nuk është shumë i përshtatshëm”.
Bellingham e mbron politikën e tij për vetëm anëtarë meshkuj, duke thënë se “është shumë i vogël”.
“Nuk ka patur kërkesa për bashkëshortet e anëtarëve, apo për gra që duan të futen dhe unë mendoj se karakteristikat e tij, e gjithë atmosfera e tij është e bazuar në vetëm anëtarë meshkuj”.
Ai i përshkroi klubet privatë si një shtëpi private, dhe tha se besonte që është ok të kesh një politikë me vetëm meshkuj.

“The Garrick Club”/Bota.al

“Sulltan Kazani” i politikës shqiptare

Bled MARKU

Muajt e fundit fjala kazan po artikulohet gjerësisht si në politikën Shqiptare ashtu edhe në kafenetë e shumta që e kanë rrethuar Tiranën si “Pylli Orbital i Kafeneve” të Lali Erit. Kështu, kemi “Kazan Politik”, “Kazan Mediatik”, “Kazan Ekonomik”, “Kazan Artistik”etj etj … që po ti përmend të gjitha do më duhej një natë e gjatë dimri. Nuk po merrem me skandalet e njëpasnjëshme në çdo sektor të qeverisë, por po ndalem në një në veçanti. Prej muajsh tashmë jemi bërë dëshmitarë të sjelljes arrogante të Shtatlartësisë së tij kryeministrit me opinga Edi Rama. Me një zhargon here vulgar dhe herë si pasardhës i Konicës, Migjenit, Skënderbeut, duke luajtur një rol që e portretizon edhe më katolik se vetë Krishtin, ky Kryeministër me nallona dhe opinga nuk po kursen askënd. Në 2013, Rama u premtoi të gjith Shqiptarëve që nuk do të vepronte si ishi i tij Sali Berisha. Por do të ulte kokën dhe do punonte për ekonominë, rritjen e mirëqenies, uljen e taksave, uljen e çmimeve të produkteve të shportës, pra … do të ishte prijësi ynë që me ankth e kishin pritur prej kohësh. Rama doli kundër çdo premtimi të bërë prej tij, duke mos e mbajtur asnjë, madje duke u’a faturuar të gjith Shqiptarëve dështimet e tij spektakolare. Mund të duket qesharake, por Kryeministri me opinga e nallone Edi Rama del në TV mbi 3 herë në ditë, që i bie mbi 100 herë në muaj, dhe akoma më shumë, mbi 1100 herë në vit, me një minutazh minimal për çdo dalje 40 minuta. Gjithsej i bie të jetë në ekranet shqiptare 44.000 minuta ose 733 orë në vit, ose 30 ditë pa ndërpreje në vit. Skandal për një kryeministër, që po të mos ishte piktor, Adi Krasta dhe Ardit Gjebrea do mbeteshin pa punë si moderator. Pra, Kryeministri Edi Rama, mes punës së përditshme, udhëtimeve nga njëri cep Shqipërisë në tjetrin, rri më shumë brënda “Kazanit Mediatik” se sa me bashkëshorten e tij Linda dhe djalin e vogël Zaho. Rolin e politikanit nuk di ta bëjë, këtë e dëshmojnë skandalet që i shpërthejnë çdo ditë në dorë, por atë të showman-it e qan me lot, duke u shndërruar kështu në “Sulltan Kazanin” e politikës Shqiptare.

Basha: Shkarkimi i Çakos, shumë i vonuar dhe kokë turku

Lideri i opozitës, Lulzim Basha komentoi dje shkarkimin e Haki Çakos nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Basha u shpreh për mediat se, ky shkarkim është shumë i vonuar dhe është një kokë turku, sepse krerët realë të trafikimit të drogës janë Rama, Tahiri dhe Xhafaj. “Informacionin po e marr nga ju. Natyrisht që është një hap tejet i vonuar, është një tjetër tregues i krizës së thellë, në të cilën e ka zhytur krimi, por padyshim Haki Çako është kokë turku se kupola e drogës drejtohet nga Edi Rama, Saimir Tahiri dhe Fatmir Xhafaj”, u shpreh Basha.
Çako u shkarkua dje nga kryeministri Rama. Haki Çako u emërua drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit më 15 prill të vitit 2015, duke zëvendësuar Artan Didin, i cili u dorëhoq në fillim të muajit prill 2015.