17.5 C
Tirana
E shtunë, 12 Korrik, 2025

Rama çon drejt lirimit nga burgu edhe vrasësin Frroku

Gjykata e Apelit ka ulur dënimin për ish-deputetin e mazhorancës, Mark Frroku. Frroku më parë ishte dënuar me 7 vite e 5 muaj burg, ndërsa Apeli i ka hequr akuzën e vrasjes dhe i ka ulur 1.5 vjet të dënimit. Frroku është dënuar për fshehje pasurie dhe të ardhurat. Frroku kishte kërkuar pafajësi në Gjykatën e Apelit, por kjo e fundit i ka hequr 17 muaj nga dënimi, duke e dënuar me 6 vite burg.
Ish-deputeti i mazhorancës u dënua në korrik të vitit të kaluar me 7 vite e 6 muaj heqje lirie, për akuzën e pastrimit të parave, fshehjes së pasurisë dhe ndërtim i paligjshëm. Prokuroria kërkoi 25 vite burg për Frrokun për akuzën e vrasjes. Frroku u shpall i pafajshëm nga Apeli për akuzën e vrasjes së Aleksandër Kurtit në vitin 1999, duke lënë në fuqi për këtë vepër penale vendimin e Shkallës së Parë.
Ankimimi në Apel ishte bërë nga të dyja palët, pasi Mark Frroku pretendonte pafajësi për të gjitha akuzat. Ndërsa Prokuroria kërkonte dënimin e ish-deputetit me 25 vite burg për vrasjen e 19 viteve më parë. Gjatë gjykimit në Shkallën e Parë, togat e zeza rrëzuan dëshmitë e disa oficerëve belgë, të cilët u pyetën në Gjykatën e Tiranës.
Ata patën deklaruar se, Frroku sëbashku me Kristian Marinajn kishin vrarë Aleksandër Kurtin. Edhe Marinaj u shpall i pafajshëm nga Gjykata për akuzën e vrasjes. Mark Frroku u arrestua në mars të 2015-ës për ‘çështjen Doshi’, por më pas u shtuan edhe akuzat e tjera.

Si u fut në grackë viktima dhe u vra nga Mark Frroku

Mark Frroku u akuzua nga Prokuroria belge për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurti, krim ky i ndodhur më 5 mars 1999. Vrasja ka ndodhur për shkak se një klient i një prej femrave që dyshohet se shfrytëzohen nga Mark Frroku, kishte rënë në dashuri me një prej prostitutave. Viktima kishte lënë takim me prostitutën L.S, kur ra në grackë dhe u vra nga Mark Frroku.
Mark Frroku gjatë qëndrimit në Belgjikë në kohën kur ka ndodhur vrasja, njihej me disa emra, konkretisht identitetet e përdorura prej tij sipas akuzës kanë qenë edhe: Besnik Morina, Dritan Frroku, Dritan Sofrani dhe Piro Sofrani.
Aleksandër Kurti u qëllua me thikë për vdekje nga 4 persona, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Sent-Zhille, Bruksel. Sipas Prokurorisë, referuar autoriteteve belge, Mark Frroku, besohet se është autor i përfshirë në këtë ngjarje. Frroku ishte i identifikuar nga autoritetet belge me emrin Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, apo edhe i njohur si Piro Sfrani (Sofrani). Disa dëshmitarë, i kanë treguar hetuesve belgë se Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë.

Vrasja në Belgjikë

Më datë 05.03.1999, viktima Aleksandër Kurti, lindur më 03.01.1975, u qëllua me thikë për vdekje nga 4 autorë, ndërmjet të cilëve shtetasi Besnik Vuka, në hyrje të stacionit “Midi” në Saint–Gilles, Bruksel. Autor i kësaj ngjarjeje besohet të jetë shtetasi Mark Frroku, i njohur ndryshe si Besnik Morina, i njohur ndryshe si Dritan Frroku, i njohur si Piro Sfrani (Sofrani).
Sipas disa dëshmitarëve, shtetasi Besnik Vuka ishte autori i goditjeve me thikë. Viktima kishte rënë në dashuri me një prostitutë, me emrin L.S. Kjo vrasje e paramenduar shtrihet brenda fushës së vrasjes mafioze e organizuar nga qarqet e tutorëve.
Vajza me iniciale L.S. kishte lënë takim me viktimën në ditën e ngjarjes (fakteve). Aleksandër Kurti kishte menduar se do të takonte prostitutën, por ai ra në grackë, e cila rezultoi fatale për të.
Kristian Kristian, i njohur si Arjan Bytyçi, si dhe Lek Bib Djafa ishin bashkëpunëtorë të Besnik Vukës. Dëshmitarët kishin përmendur numrin e autorëve. Ata u arratisën jashtë vendit, disa ditë pas ngjarjes. Një nga autorët e veprës penale të “vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim, të viktimës Aleksandër Kurti më datë 05.03.1999, në Bruksel, është shtetasi Mark Frroku, ish-deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Me vendim të datës 15 janar 2010 në mungesë, ndaj të akuzuarve Besnik Morina, Besnik Vuka, Arjan Bytyçi dhe Bib Lek Djafa, Gjykata e Krimeve të Rënda të Rrethit të Brukselit ka dënuar secilin prej tyre me nga 10 vjet heqje lirie.
Duke qenë se nga personat e dënuar është ankimuar vendimi i dënimit, Gjykata e Kasacionit, me vendimin e datës 24 mars 2010, ka kthyer çështjen për rigjykim Gjykatës për Krime të Rënda të Provincës Brabant-Wallon, Belgjikë.
Avokati i të akuzuarit Besnik Morina, i identifikuar si Mark Frroku, ka kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore të datës 31 janar 2014 për në datën 23 shkurt 2015.
Prokurori i Përgjithshëm i Brukselit e akuzon shtetasin Mark Frroku për kryerjen e veprës penale të “vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim.

R.POLISI

Çekia mbështet projektet e Bashkisë Kamëz për parandalimin e përmbytjeve

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, priti në një takim ambasadorin e Çekisë, Jaroslav Ludva, i cili garantoi kryebashkiakun për mbështetjen që do t’i japë për situatën e përmbytjeve. Kryebashkiaku Mziu e informoi ambasadorin çek për punën e bërë nga Bashkia në investimet e vazhdueshme në infrastrukturë, sidomos në investime që kanë të bëjnë kryesisht me mbrojtjen ndaj përmbytjeve, sidomos në pika kritike të territorit.
Edhe pse Bashkia ka bërë investime të shumta në këtë drejtim, ku edhe gjatë reshjeve të fundit që shkaktuan përmbytje të mëdha, Bashkia Kamëz në mënyrë emergjente investoi rreth 300-400 milionë lekë të reja për t’i ardhur në ndihmë familjeve që pësuan përmbytje të rënda. Janë dërguar 140 projekte për financim, por qeveria shqiptare nuk ka financuar asnjë prej tyre.
Ambasadori i Republikës çeke siguroi mbështetjen e plotë të financimit të projekteve emergjente që ka Bashkia Kamëz për parandalimin e përmbytjeve në këtë zonë. Gjithashtu në diskutimin e tij kryebashkiaku Mziu e ftoi ambasadorin për të bërë të mundur sjelljen e biznesmenëve çekë në Kamëz për të sjellë pjesë të investimit të tyre, pasi Kamza ka një pozicion gjeografik mjaft të favorshëm për bizneset, duke theksuar se Shqipëria është një vend mjaft tërheqës për turistët, sidomos ata çekë që çdo vit e më tepër janë të pranishëm në vendin tonë.
Kryebashkiaku Mziu e nderoi ambasadorin çek, Jaroslav Ludva, me çertifikatën “Mirënjohja e Qytetit” për iniciativën dhe kontributin e ndërmarrë në ndihmë të Bashkisë dhe banorëve të Kamzës gjatë situatës së përmbytjeve, si dhe vazhdimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe zhvilluese në dobi të qytetarëve dhe qytetit.

Shkarkimi i vonuar i Haki i Çakos

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako u shkarkua dje nga kryeministri Rama. Në një njoftim të Ministrisë së Brendshme thuhet se, Çako u shkarkua nga detyra me propozim të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Xhafaj e ka argumentuar kërkesën e tij, për shkarkimin e Çakos “me nevojën për ritëm më të shpejtë dhe dinamikë më të madhe pune, për një lidership të ri me energji të reja”. Në fakt, shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është bërë pas presionit të fortë të opozitës dhe ndërkombëtarëve.
Haki Çako gjatë dy viteve e gjysëm që ka qrnë në krye të Policisë së Shtetit ka zbatuar me përpikmëri urdhërat e Tahirit dhe Ramës për kanabizimin e të gjithë territorit të vendit dhe lejimin e trafikut të drogës drejt Italisë e Greqisë. Po ashtu, Çako zbatoi me përpikmëri urdhërin e Ramës për organizimin e bandave dhe trafikantëve të drogës në blerjen e votave në zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar. Policia nën drejtimin e Çakos u vu në shërbim të banditëve për të ushtruar presion dhe terror tek zgjedhësit për të votuar Partinë Socialiste si dhe për blerjen e votave me paratë e drogës.
Për t’i mbyllur gojën Çakos, ministri Xhafaj e ka falenderuar Çakon dhe ka vlerësuar kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e tij në drejtimin e Policisë së Shtetit, gjatë viteve të fundit, pas shkarkimit të tij. Shkarkimi i Çakos u bë në prag të vizitës së prokurorit të ri të Antimafias italiane, Federico Cafiero de Raho. Bëhet e ditur se prokurori i ri i Antimafias italiane brenda janarit 2018 do të kryejë vizitën e parë zyrtare të tij në Shqipëri. Duket se Rama bëri kokë turku Çakon për t’i treguar kreut të Antimafias italiane se gjoja po lufton trafikun e drogës. Por ka dyshime të forta se shkarkimi i Çakos është bërë nga partnerët ndërkombëtarë.
Shkarimi i Çakos u komentua gjerësisht edhe nga politika. Lideri i opozitës, Lulzim Basha u shpreh për mediat se, shkakrimi i Çakos është shumë i vonuar dhe është një kokë turku, sepse krerët realë të trafikimit të drogës janë Rama, Tahiri dhe Xhafaj.
Kreu i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka u shpreh se, “shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Haki Çako, është koka e turkut, ndërsa kupola e drogës është Rama”. “Njerëzit e Tahirit” apo të Xhafajt, janë në radhë të parë njerëzit e Ramës. Shkarkimi i Çakos, ashtu si i Tahirit, janë lëvizje të detyruara të Ramës. Rama “preu” kokën e Çakos me shpresë se do të shpëtojë kokën e tij”, tha Paloka.
Edhe kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako.
Vasili e ka ironizuar këtë lëvizje, pasi sipas tij, ata që janë të suksesshëm dekorohen dhe nuk largohen. Sipas tij, Rama e shiti ish-drejtorin me të cilin priu dhe u bë njësh me bandat dhe trafikantët në zgjedhjet e qershorit. “Edhe i “suksesshëm” edhe e shkarkuan Haki Çakon. Të “suksesshmit” zakonisht dekorohen, ndërsa këta i heqin. Gjithë ajo drogë pa fund në kohën e Çakos ishte një arritje e “paparë” dhe me paratë e së cilës kryeministri bleu zgjedhjet. Çfarë kryeministri mosmirënjohës, si e shiti ish-drejtorin me të cilin priu dhe u bë njësh me bandat dhe trafikantët në 25 qershor dhe me të cilin na vuri në faqet e para të të gjithë medias botërore”, shprehet ai.

“Shullazi”, i pandehuri Gilmando Dani kërkon kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve

Seanca gjyësore për çështjen Shullazi është shtyrë ditën e djeshme. I pandehuri Gilmando Dani kërkoi kohë për t’u përgatitur. Ai ka kërkuar kohë për t’iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve. Ndërkohë Emiljano Shullazi i ka qëndruar deklarimeve se është i pafajshëm dhe se nuk ka kërcënuar asnjë person.
Gjykata për Krimet e Rënda përmbylli fazën e marrjes në pyetje të Emiljano Shullazit në procesin ku ai është i pandehur për “gjobëvënie”, “kanosje” e “grup të strukturuar kriminal”. Shullazi rikonfirmoi qëndrimin e tij mohues ndaj akuzave të Prokurorisë dhe pretendimeve të bëra në kallëzimin e biznesmenit Ylvi Beqja.
“Nuk e kam kërcënuar asnjëherë Ylvi Beqjen”. Përmes kësaj fraze të kthyer gati në një refren prej tij, Emiljano Shullazi rikonfirmoi të hënën qëndrimin e tij mohues ndaj akuzave të Prokurorisë. Pasi dha shpjegime për prokurorët në seancën e kaluar, në këtë seancë Shullazi iu përgjigj pyetjeve të bëra nga avokatët mbrojtës. I pandehuri tha se kishte firmosur tre akte noteriale gjatë marrëdhënies së tij me biznesmenin Beqja, i cili nga ana e tij pretendon se i ka dhuruar Shullazit një pjesë të ish-hotel Vollgës në kushte presioni.
“Noteret i njihte Ylvi Beqja. Unë nuk njihja asnjërën”, tha Shullazi. Sipas të akuzuarit si drejtues i një grupi kriminal të angazhuar në “gjobëvënie” dhe “kanosje” Ylvi Beqja kishte nënshkruar me dëshirë akt-marrëveshjet e bëra mes tyre tek noteri dhe se nuk kishte pasur asnjë shtrëngim ndaj tij apo personave të lidhur me të. “Nuk ka pasur asnjë arsye për mungesë vullneti nga ana e Beqjes. Ishte ai që më mori aty”, tha i pandehuri.
Ndryshe nga pretendimet e shfaqura më herët nga ana e biznesmenit Beqja, se Shullazi kishte shkuar tek noteret bashkë me “shpurën” e tij, vetë i pandehuri tha se kishte qenë i vetëm në këto takime. Pasi shpjegoi marrëdhëniet e tij miqësore apo familjare më të bashkëpandehurit, Shullazi i përjashtoi ata nga historia e gjobëvënies. Sipas tij, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi nuk kishin asnjë dijeni mbi marrëdhëniet mes tij dhe biznesmenit Ylvi Beqja deri në momentin që u arrestuan. Më tej, Shullazi kujtoi se në një rast kur Beqja i kishte marrë një borxh prej 2 mijë euro Gilmando Danit. “Nuk di nëse ia ktheu më apo jo, s’i vura rëndësi”, tha Shullazi. Pas përfundimit të pyetjes së Shullazit trupi gjykues ftoi Gilmando Danin për të dhënë shpjegime. Ai dha pëlqim për t’u pyetur, por në një seancë tjetër, duke u bërë shkak për ndërprerjen e seancës.

Kultivimi i hashashit ka rënë, por skafet vijojnë

Nga 25 pikat që në mënyrë të përmbledhur japin premtimet e qeverisë për 100 ditët e para të qeverisjes, 3 kanë të bëjnë me situatën e rendit: Përcaktimi i kornizës së Vetting-ut në Policinë e Shtetit, Lançimi i operacionit kombëtar kundër rrjeteve kriminale dhe Çrrënjosja e kanabisit dhe heqja përfundimisht e Shqipërisë nga harta e vendeve kultivuese.
Këto premtime rezultojnë pjesërisht të realizuara. Përcaktimi i kornizës së Vetting-ut për policinë ka përfunduar dhe projektligji do të diskutohet në Parlament me rifillimin e sesionit të ri më 15 janar. Pra, ky premtim mund të quhet i mbajtur, ndonëse pr/ligji nuk është bërë ende publik dhe efektet reale të tij pritet të ndihen shumë më vonë.
Premtimi i dytë në lëmin e rendit, ai për lançimin e një operacioni kombëtar kundër rrjeteve kriminale, mund të quhet pjesërisht i plotësuar. Operacioni “Forca e Ligjit” për goditjen e grupeve kriminale vërtet u lançua në fillim të nëntorit, por rezultatet e tij janë të vakta. Një rast i shfrytëzimit të prostitucionit u godit në Shkodër për të cilin procedimi penal kishte filluar 6 muaj më parë nga një denoncim i një organizate joqeveritare për të drejtat e njeriut. Rasti i dytë dhe i fundit i këtij operacioni të njoftuar me bujë ishte në Fier, ku operacioni përfundoi vetëm me sekuestrimin e disa gramëve kanabis, një pistolete dhe arrestimin e 3 personave, njëri prej të cilëve u lirua në arrest shtëpie.
Tani që formalisht operacioni ka nisur, policia mesa duket nuk ka specialistë hetimi për të luftuar grupet kriminale. Njoftimi i uniformave blu që bën thirrje për aplikime të bën të mendosh se Task Forcat rajonale dhe ajo qëndrore kanë mungesë burimesh njerëzore. Operacioni do të asistohet nga 7 hetues të huaj, ndërkohë që akoma po punohet për ngritjen e zyrave të Task Forcës qëndrore, ku do të vendosen edhe pajisjet speciale.
Lufta ndaj kanabisit, që ishte një tjetër premtim duket se është fituar përsa i përket kultivimit. Vrojtimi i fundit i territorit i Guardit di Financias më 3 nëntor nxori rreth 5000 bimë të kultivuara, ndërkohë që për vitin 2016 vetëm të raportuara si të asgjësuara nga policia kanë qenë rreth 2.5 milionë bimë.
Por, nëse është fituar lufta ndaj kultivimit, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për trafikimin ndërkombëtar të drogës. Gjatë 100 ditëve ka pasur të paktën 4 tentativa për të kontrabanduar sasi të mëdha droge drejt Italisë dhe Greqisë që janë kapur nga policitë e vendeve fqinje, në ndonjë rast edhe me bashkëpunimin e policisë shqiptare./TCH/

Grabitja nga maskat në Korçë, pasagjerja në makinë ishte police

Dy ditë pas grabitjes me maska dhe armë të mjetit tip “Benz”, Policia e Korçës nuk ka rënë në gjurmë të dy autorëve. Edhe pse në zonën ku ndodhi grabitja po vijojnë kontrollet në një perimetër të gjerë, deri tani policia, nuk ka mundur të gjejë as gjurmë të mjetit të grabitur dhe as të autorëve. Burime nga grupi hetimor konfirmojnë se 23 -vjeçarja, e cila mbrëmjen kur ndodhi ngjarja, ishte në shoqërinë e të riut, që ju grabit makina, është efektive policie. Ajo ka deklaruar para kolegëve, se nuk ka pasur konflikte dhe nuk i njihte autorët e grabitjes. Policia dyshon se mjeti i grabitur mund të çohet për pjesë këmbimi në pika servisi jashtë Qarkut të Korçes. Policia kërkon ndihmën e qytetarëve, duke ofruar 200 mijë lekë të reja për informacione që çojnë në zbulimin e vendndodhjes së mjetit, apo autorëve.
Burime thonë se po hetohet në pistën e grabitjes, por ka dyshime se autorët kanë njohje me 23-vjeçaren, e cila ishte brenda në automjetin e grabitur. Policia e Korçës është tepër e rezervuar në dhënien e informacioneve. Dyshohet se autorët janë larguar jashtë kufirit. Dhjetëra postblloqe policie janë ngritur në të gjithë qarkun për kapjen e autorëve por ende nuk ka persona të shoqëruar apo të dyshuar për ngjarjen.
Grabitja me armë ndodhi në rrethinat e qytetit të Korçës. Në vendin ku u grabit mjeti janë gjetur edhe 2 (dy) gëzhoja të kalibrit 7.62mm. Dyshohet që grabitësit kanë qëlluar në ajër. Më pas kanë goditur edhe 35-vjeçarin në fytyrë.

Karteli Xhafa tek policia! Lidhjet e Jaupit me drogën

Lëvizjet në polici kanë sjellë një rrokadë të plotë të kontrollit mbi këtë organizatë. Largimi i Çakos, i njohur si besnik në kontrollin e të gjithë organizatës të drogës që drejtohej nga Tahiri dhe komandohej nga Rama ka forcuar pozitat e ministrit Xhafa. Dihet që karteli i vëllit të tij të tek droga ishte në një konflikt të fortë me kartelin e Habilajve të Tahirit.
Karteli Xhafa tani i ka duart plotëisht të lira për të kontrolluar policinë. Do të kemi një zhvendosje të qendrave të komandimit të trafikut nga Habilajt e Tahit tek Xhafaj.
Shkarkimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe komandimi i Rebani Jaupit në vend të tij është bërë me qëllim që klani i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa të marrë në dorë policinë. Duke qenë në krye të Policisë së Shtetit një njeri i besuar i Xhafajt, klani i tij do ta ketë më të lehtë për të zhvilluar trafikun e drogës drejt Italisë. Vëllai i ministrit të Brendshëm, Gon Xhafaj njihet si një trafikant droge, por tani që në krye të Policisë së Shtetit do të jetë Jaupi, ai do ta vijojë pa asnjë problem këtë trafik.
Rebani Jaupi njihet si një nga drejtuesit e policisë të përfshirë në trafikun e drogës drejt Italisë. Ai është akuzuar publikisht nga oficerë policie dhe qytetarë nga Vlora për përfshirje në trafikun e drogës, por edhe për marrje ryshfeti.
Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar në faqen e tij sociale Facebook disa denoncime të bëra nga oficerë të policisë së Vlorës si dhe qytetarë të këtij qyteti. “Noriega zëvendëson narko-drejtorin e Saimir Habilajt, Çakon me narko-drejtorin e përkohshëm të Gon Xhafës, Jaupi!
Lexoni mesazhet që qytetarët dixhitalë kanë dërguar për famozin Jaupi, trafikat, ryshfetaxhi, ushtar i krimit etj., etj”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje Doktor, unë që po të shkruaj jam një oficer policie në Drejtorinë e Vlorës. Dua të denoncoj në lidhje me zhdukjen e shtetasit Adriano Jaho dhe ndihmësin e tij Ariseld Maze. Të dy këta persona janë skafista dhe merren me transport droge (hashash) nga Shqipëria në Itali, ku nisen gjithmonë nga Vlora nën mbështetjen e policisë. Adriano Jaho ka hotel Europën në Vlorë, njihet me pseudonimin Toshi. Të dy këta persona Toshi i Europës dhe Ariseld Maze të cilët raportohen të humbur nga dt 3 korrik, ku policia thotë që janë nis nga Durrësi nuk është e vërtetë. Të dy këta persona, pasi kanë ngarkuar skafin me 2 ton hashash tek kanali në Orikum me ndihmën e Policisë Kufitare të Vlorës janë nisur për ta çuar në Itali. Pasi kanë ecur për rreth 45 min ata kanë pasur probleme me skafin, ju kanë kërkuar ndihmë miqve të tyre që të kthehen, por policia nuk i ka lënë të kthehen, pasi ata e kishin bërë punën e tyre, ku kanë marrë 30 mijë euro dhe po të ktheheshin do ju hapnin probleme, pra është vet policia që i ka vrarë me dorën e vet këta dy trafikantë. Droga në skaf ka qenë e Gonit vëllait të ish ministrit Xhafaj dhe një personi tjetër Gjergji. Goni dhe Gjergji kanë miqtë e tyre në Policinë Kufitare të Vlorës, të cilët sigurojnë nisjen e skafeve. Ata jane drejtori i Kufirit, Luan Hyseni dhe shefi i Triportit, Adi Ceka. Adi Ceka ka lidhje të shumta me trafikantët ku pa ndihmën e tij nuk lëviz dot asgjë. Të dy si Adi dhe Luani janë miq të ngushtë të Rebani Jaupit dhe Sokol Bizhgës dhe me pëlqimin dhe miratimin e Gonit të Xhafës janë aty.
Po kështu këta të dy Adi dhe Luani më dt. 19 maj 2017 kanë nisur Toshin e Europës me një gomone me 2.2 ton hashash e cila u gjet e braktisur në brigjet italiane, dhe kjo ngarkesë ka qenë e Gonit të Xhafës dhe Gjergjit, por Rebaniu e fsheh këtë!
Të lutem ruaj anonimitetin Doktor se këta nuk tallen të heqin qafe”.

“Rebani Jaupi i po na nxjerr privatisht të mbajmë në vëzhgim prokurorët”

“Zoti Berisha përshëndetje të përzemërta për të gjithë të mirat që po bën në luftën kundër kriminelëve. Jam një agjent i Forcave Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme.
Doja të denoncoja dhe 1 fakt të ri me urdhër nga lart, shefi Bujar Ahmeti tepelenas dhe ushtar i Rebani Jaupit i betuar me urdhër të tij po na nxjerr privatisht të mbajmë në vëzhgim prokurorët dhe deputetët e opozitës pa asnjë procedim penal me shkrim dhe autorizim.
Gjithashtu po përdoremi kundra kundërshtarëve të tyre politik në shumë operacione gjithashtu ai ka grupin e tij me oficer Klod Cenaj që hanë e pinë bashkë dhe marrin dietat e karburantet, kurse ne të tjerët ngrohemi në diell as lekët e dietave nuk na i japin të sakta ju lutem publikoje anonim se na marrin jetën këta gjakpirësa”.
“Prsh doktor. Zv/drejtori Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi bën shoë në Velipojë për dy ndërtime kolibe shkarkon gjithë efektivët e policisë dhe në aksin kryesor të veriut në anë të rrugës para mbikalimit në Fushë Krujë merr 10 mijë euro për të vazhduar ndërtimin pa leje të një biznesi pllakash! Fillimisht i dërgoi shefin e Komisariatit të Krujës t’i bënte presion dhe i bën nja 2 letra për në Prokurori dhe më pas i morën 10 mijë euro të vazhdojë ndërtimin megjithëse akoma janë letrat në Prokurori.
Ja dhe fotot ku janë veç të lutëm anonim se na heqin prej pune këta! Disa herë janë ankuar tek komisariati digjital banorë të zonës se biznesin nuk e ka as në tokë të vet, po aty vazhdohet puna me ritme të shpejta se ka marrë ok e drejtusit të Komisariatit të Krujës, pasi ka dhënë eurot”.

Status i datës 15 korrik 2017

Të reja skandaloze për ngarkesën prej 30 tonësh drogë që u kap në Lakatund
Të implikuar klani Xhafa dhe drejtues kryesorë qendror dhe lokal të policisë
Oficeri dixhital informon:
Hashashi i kapur parmbrëmë në Llakatund është mbi 30 ton.
Ai i përket klanit Xhafa dhe drejtuesve të lartë të policisë, Nallbati, Rebani, Jaupi dhe Aldos, shef i Krimeve të Fierit!
Grupi i tyre po përgatitet për të marrë përsëri malon, pasi të djegin vetëm një sasi të vogël.
Lexoni mesazhin e oficerit dixhital! sb
“Përshëndetje Doktor, unë që po të shkruaj jam një oficer policie në Drejtorinë e Vlorës. Dua të denoncoj në lidhje me ngjarjen e ndodhur parmbrëmë në Vlorë ku janë kapur rreth 30 tonë hashash nga policia. Këtë ngjarje kreret e Policisë së Shtetit po mundohen ta fshehin lidhur me autorët e saj. Hashashi i kapur në Llakatund nuk ju përket Habilajve, informacioni i nisur tek ju ka qenë për dizinformim dhe për të fshehur gjurmët, sepse hashashi i përket shtetasve Kreshnik (Niku), vëllait të tij Ervinit, Gonit vëllait të ministrit Xhafa, Aldos shefit të Krimeve Fier, ish-drejtorit të Policisë së Fierit, Neritan Nallbati dhe zëvendës/drejtorit të Përgjithshëm Rebani Jaupi. Pjesa më e madhe e hashashit ka qenë e mbjellë vjet në zonën e pyllit të Hoxharës e Darzezës nga Renato, Kreshniku, Ervini dhe Goni, këta kishin mbështetjen e drejtorit Neritan Nallbati, Rebani Jaupi dhe Aldos, 30% e mallit të kapur i përket Neritanit, Rebaniut dhe Aldos. Dje pas operacionit, Rebaniu nuk ishte entuziast për rezultatin po i pikëlluar. Këta po organizohen për ta martë mallin ku do të djegin vetëm një sasi të vogël, këtë gjë e them pasi e kam dëgjuar nga njerëz të tyre të besuar.
Kreshniku me Gonin kanë një organizatë kriminale të sofistikuar në Vlorë dhe në Fier, ata janë të lidhur ngushtë me Policinë e Kufirit Vlorë, Policinë e Rendit Vlorë dhe Fier, ku disa emërime të rëndësishme në rang drejtusish i kanë bërë vet ata me ndihmën e ministrit Xhafa për mbarëvajtjen e trafikut të tyre të drogës në Shqipëri, Itali dhe Greqi.
Dy skafe janë mbytur në det me nga dy persona ku në të dyja rastet ka qenë malli i Gonit të Xhafës.
Rasti i fundit është ai i datës 03.07.2017 ku janë zhdukur dy persona, ndërsa rasti tjetër ka ndodhur disa muaj më parë në fillim të këtij viti në muajin mars, ku u gjet një skaf me drogë në Karaburun i përplasur, ndërsa dy trupat u gjetën në kohë të ndryshme të mbytur në dete, në këtë rast malli ka qenë i Gonit të Xhafës dhe vëllezërve nga Llakatundi, Kreshnik dhe Ervin, ky grup dhe atëherë si në rastin e fundit bashkë me policin nuk i ka lënë personat të kthehen mbrapa, pasi ata kanë thënë se ka shumë det dhe kishin probleme me skafin, këta ju kanë thënë vazhdoni për në Itali nuk ka kthim mbrapa dhe u mbyt Mania me ndihmesin e tij.
Goni Xhafës ka lidhje me klanet më të forta siçiliane dhe kalabreze në Itali, pasi Goni ka qenë i dënuar me 12 vjet burg në Itali për trafik ndërkombëtar droge”.

 

Si i përdor Presidenti Trump rrjetet sociale

Trump Twitter

George LAKOFF

Përdorimi i medias sociale nga Presidenti Donald Trump ka transformuar rrënjësisht komunikimet presidenciale. Shpërthimet e tij telegrafike lëvizin tregjet, ndërpresin diplomacinë dhe nxisin ankthin politik pothuajse çdo ditë.
Smartfoni i tij është bërë një nga armët më të fuqishme në historinë politike. Si rezultat, ka një fushatë në rritje nga shumë zyrtarë të Partisë Demokratike për të detyruar kompaninë Twitter që të bllokojë llogarinë e tij. Por bllokimi i llogarisë së Presidentit Trump nga Twitter do të dështonte për të adresuar problemin e vërtetë. Trump gjithashtu përdor rrjetin social, Facebook. Dhe nëse Facebook e bllokon atë, ai thjesht do të kalojë në një tjetër platformë të mediave sociale si Gabi, një kopje Twitter e njohur me supremacistët e bardhë.
“Cicërimat e tij” e tij nuk do të humbisnin efektin. Ata do të jenë gjithmonë në një platformë tjetër. Tweets (cicërimat) e Trump në Twitter janë të papërgjegjshëm dhe jo-presidencialë.
Megjithatë problemi i vërtetë nuk është varësia e Trump-it ndaj mediave sociale – është e jona. Trump përdor Twitter për të kontrolluar ciklet e lajmeve, sepse shtypi, klasa politike dhe kundërshtarët e tij demokratë vazhdimisht e fuqizojnë atë për ta bërë këtë.
Çdo herë që Trump cicëron në Twitter, ai mund të llogarisë dhe në një reagim të menjëhershëm të kundërshtarëve të tij. Fiksimi i tij për tweet nxit një ekonomi parazitare në të cilën njerëzit konkurrojnë për të udhëtuar në lidhjet e tij digjitale. Gazetarët, politikanët demokratë dhe ndikuesit e mediave sociale bien në gabim çdo herë kundrejt tij.
Ata i bëjnë retweet në mënyrë rutinë, analizojnë dhe sulmojnë. Kjo e ndihmon jashtëzakonisht Trumpin. Për tre arsye:
Së pari, ata sigurojnë se ai mbizotëron në valët ajrore – dhe valët e trurit. Duke i kushtuar vëmendje të madhe Trump, ata e bëjnë atë të duket më i madh se jeta. Kjo prodhon një efekt njohës të quajtur “iluzioni i fokusuar”, dhe ndihmon në shpjegimin se si Trump u ngjit nga një shakaxhi politik në presidencë. Ai e ktheu median në një shërbim lajmesh në Twitter.
Së dyti, ata e përhapën mesazhin e tij. Përsëritja e vazhdueshme e fjalëve të Trump i lejon atij të vendosë axhendën. Ashtu si kurdisja, shokët e shokëve të tij të tweet-it – duke përfshirë edhe kundërshtarët e tij – i përsërisin çdo fjalë atij. Ato i mundësojnë atij që t’i fusë idetë dhe imazhet e tij në trurin e miliona personave, madje edhe në tuajën. Për shembull, cili ish kandidat presidencial vjen në mend kur sheh fjalën “Crooked”? (Hillary). Trump ka hyrë në trurin tuaj.
Së treti, zemërimi i vazhdueshëm anti-Trump rrit kredibilitetin e tij me bazën e tij. Ai mund të luajë viktimën e “Establishmentit” që ai premtoi se do ta prishte. Ai vepron, por kundërshtarët e tij reagojnë vetëm. Ai mban kontroll heroik. Arsyet pse funksionon në këtë mënyrë mund të gjenden në shkencat konjitive. Duke lejuar që Trump të aktivizojë vazhdimisht idetë e tij në trurin tonë, ne e forcojmë neuroqarkullimin e atyre ideve. Kjo lejon që Trump të dominojë në një nivel të nënndërgjegjeshëm – dhe 98 për qind e mendimit tonë është nënndërgjegjeshëm. Trump nuk është një gjeni. Ai është një super shitës dhe ka qenë për shumicën e jetës së tij.
Tani ai është president, dhe lakmueshmëria jonë ndaj mendimit të tij kërcënon demokracinë tonë. Kjo për arsye se Trump shpesh përdor mediat sociale për të shkëputur vëmendjen nga ajo që ai po bën, si çmontimi i qeverisë sonë dhe plaçkitja e klasës punëtore për të paguar të pasurit. Ai shpesh përdor artificat e tij për të “hyrë në” zhvillime të mëdha siç është hetimi i ndikimit të Rusisë, duke krijuar një histori më të madhe (“buton bërthamor!”) Për të tërhequr vëmendjen.
Përpjekjet e tij për të tërhequr vëmendjen do të intensifikohen, por ne duhet të mos biem në këtë kurth. Kjo nuk do të thotë injorimin e Trump. Kjo do të thotë mbajtjen e një përqendrimi të ashpër në gjërat që me të vërtetë janë të rëndësishme, si sulmi ndaj institucioneve tona publike, transferimi masiv i pasurisë dhe pushtetit te të pasurit, ringjallja e politikës ekstreme raciste dhe hetimi penal në Organizatën Trump.
Le të kërkojmë fuqinë tonë për të vendosur se çfarë është e rëndësishme. Le të tkurrim Trump në madhësi. Le ta marrim fuqinë e tij për të kontrolluar trurin tonë. Gjatë një replike të famshme në 2016, Hillary Clinton akuzoi Trump se ishte një “kukull” ruse. “Asnjë kukull, asnjë kukull”, u përgjigj Trump. “Ju jeni një kukull”. Rezulton se ne ishim të gjithë kukulla. Për sa kohë që ne lejojmë Trump të manipulojë diskursin tonë publik me majat e gishtave të tij, ne do të mbetemi kukulla.

Autori është Profesor Emeritus i Shkenca Gjuhësore dhe Konjitive

Rikthimi i Berluskonit në Itali

Bill EMMOT

Tashmë që zgjedhjet e përgjithshme të Italisë janë caktuar për 4 mars, kandidatët kryesorë po përgatiten për fushatën e fortë tetë-javore. Rezultati pritet të jetë i ngatërruar dhe jo përfundimtar, por një gjë është tashmë e qartë: gjërat mund të mos rrotullohen rreth garuesve 31 apo 42-vjeçar të dy partive kryesore, por do të kryesohen nga garuesi i vjetër 81-vjeçar.
Po, sado shokuese është, guri themeltar i këtyre zgjedhjeve mund të jetë askush tjetër veç Silvio Berluskonit, tre-herë kryeministrit që popullarizoi termin “festa erotike” (bunga-bunga party). Berluskoni, që e la zyrën mes turpit në vitin 2011, kur kriza e euros për borxhin sovran kërcënonte të kapte Italinë, nuk mund të aspirojë ende për një mandat të katërt – apo për ndonjë post publik – pas dënimit për mashtrim me taksat në 2013, megjithatë koalicioni i qendrës që ai drejton ka energjinë më të madhe në këto zgjedhje.
Zgjedhjet e fundit të Italisë në shkurt 2014 ishin gjithashtu të rrëmujshme dhe jopërfundimtare. Që atëherë vendi është qeverisur nga koalicione të drejtuara nga Partia Demokratike e Qendrës së Majtë (PD). Dhe tani, duke iu drejtuar fushatës, Italia po përjeton rritjen më të shpejtë ekonomike të më shumë se një dekade, megjithëse papunësia mbetet e lartë, më shumë se 11% (rreth 35% për punëtorët e rinj). Megjithatë, kjo nuk po e ndihmon PD.
Ndërsa shërbeu si kryeministër nga shkurti 2014 në dhjetor 2016, Matteo Renzi, lideri i ri dhe karizmatik i PD, e përshkroi veten si një demontues që do të çmontonte traditat e establishmentit politik. Por ai përfundoi me më shumë njerëz të zemëruar sesa mbështetës. Arritja e tij kryesore ishte legjislacioni për të reformuar tregjet e vjetëruara të punës në Itali – gjë që nuk fiton shumë vota. Që nga piku në vitin 2015 me 40% të votave në sondazhet e Parlamentit Europian, mbështetja për PD ra në vetëm 20-25% dhe krahu i majtë i partisë u nda.
Sot, partia kryesore që drejton sondazhet është kryengritësja, Lëvizja Pesë Yjet (M5S), e kryesuar nga komediani Beppe Grillo (megjithëse kandidati i tij zyrtar për kryeministër është një 31-vjeçar i paeksperiencë Luigi Di Maio. M5S është maturuar që nga themelimi i vet 5 vite më parë, kur mesazhi i saj qendror ishte “një shqetësim për këdo”. Ajo ka moderuar kundërshtimin e saj për euron. Dhe me mbështetjen rreth 26-29%, mbetet popullore pavarësisht performancës së ulët në garën për këshillin e qytetit të Romës.
Problemi për M5S është se, për shkak të ligjit të ri elektoral, do t’i duhet të fitojë rreth 40% të votës totale për të siguruar një shumicë parlamentare. Nëse përfaqësimi proporcional do të vendosë dy të tretat e vendeve në Dhomën e Ulët të Parlamentit, një e treta do të vendoset nga kryesuesi i votimit në zonat elektorale teke, ku M5S me gjasa do të humbasë, sepse as nuk do dhe as nuk mundet të formojë aleancat elektorale të nevojshme për të siguruar shumica.
Në fakt, grupi partiak që do të përfitojë më shumë nga sistemi elektoral aktual do të jetë ai që ia ka dalë të bëjë një pakt me partitë e tjera para zgjedhjeve: e djathta e qendrës drejtuar nga Berluskoni. Siç ka treguar në fitoret e tij në 1994, 2001 dhe 2008, fuqia më e madhe e Berluskonit ka qenë përherë ndërtimi i koalicioneve. Dhe, ashtu si në ato zgjedhje, partia e tij Forza Italia, do të ketë partnerin më të madh Ligën Euroskeptike Veriore, që është separatiste dhe anti-imigrante.
Sigurisht, nuk do të jetë rrugë e lehtë për Berluskonin. Ai do të duhet të lundojë nëpër një proces të ngatërruar dakordësie për kandidatura të përbashkëta me liderin energjik dhe ambicioz të Ligës Veriore, Matteo Salvini, i cili ka hedhur sytë nga lidershipi i qendrës së djathtë dhe me grupin e tretë, partnerin më të vogël: Vëllezërit e Italisë së kahut të djathtë.
Ende, gjërat duken mirë për Berluskonin deri më tani. Forza Italia në sondazhe ka marrë 16%, që është pak më lart se mbështetja e Ligës Veriore, edhe nëse është e ulët krahasuar me ditët e arta të partisë, kur merrte mbi 25%. Dhe qendra e djathtë me gjasa do të përfitojë nga zemërimi i votuesve për refugjatët dhe migrantët dhe nga frika e publikut për një M5S të dalë nga kontrolli. Ata janë në favor.
Nga ana e tij, Berluskoni është paraqitur si një burrë shteti i vjetër – edhe një palë duar të sigurta. Ai e ka zbutur imazhin e tij duke folur për pensionistët dhe duke shfaqur një interes të ri në të drejtat e kafshëve. Dhe së fundmi, ai është ende një kandidat i njohur që zotëron stacione të mëdha televizive në vend.
Sigurimi i një shumice absolute do të jetë një detyrë e vështirë për grupin e Berluskonit; por nuk është e pamundur. Me çdo normë, një shfaqje e fortë do të ishte një rikthim i mirë për një shoumen të vjetër – pikërisht ajo ç’ka ai dëshiron. Nëse koalicioni i tij i qendrës së djathtë fiton një shumicë, ai do të zgjedhë direkt kryeministrin; me shumë gjasa, ai do të jetë lojtari kryesor në negociatat për një koalicion të madh qeverisës të qendrës së djathtë dhe partive të qendrës së majtë.
Më e jashtëzakonshmja është se cilido skenar të ndodhë, do të quhet rezultat i qëndrueshëm dhe i respektueshëm, krahasuar me alternativën më të mundshme: një qeveri minoritare e kryesuar nga M5S. A mund të përfundojë Berluskoni si shpëtimtari politik i Italisë? Mos e përjashtoni si mundësi.

“Project Syndicate”

Paloka: Të gjitha bashkë për rrëzimin e Ramës

Kreu i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, paralajmëroi dje se opozitës do t’i bashkohen edhe parti të tjera, qëllimi i vetëm i të cilave është largimi i Edi Ramës nga pushteti. “Protesta do të zhvillohet pas datës 20, me shumë gjasë data 27 janar. Të gjithë aktet e fundit kanë thelluar krizën në vend, dhe vendosmërinë e opozitës për një qëllim politik, largimin e Edi Ramës. Opozita e bashkuar sot, dhe parti që do afrohen shumë shpejt, parti të tjera jo të parëndësishme, do të bashkohen për largimin e tij. Ky s’mund të qëndrojë më kryeministër i Shqipërisë”, tha Paloka. Në një intervistë televizive, foli për lirimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako dhe për protestën opozitare gjatë janarit. Për Çakon, Paloka tha se ishte vetë koka e turkut e radhës, por se përgjegjësi i vërtetë për kanabisin apo bashkëpunimin e policisë me krimin në vend, është vetëm Edi Rama, shkruan BalkanWeb. “Është i qartë komenti i Fatmir Xhafës, i bie që Çako është larguar për punë të mirë. Po këtë absurditet vetëm në këtë qeveri mund ta dëgjosh. Po kjo ndodh se Çako është koka e turkut e radhës. Se përgjegjësi i vetëm është Edi Rama. Ajo që ndodhi me kanabisin, bashkëpunimi i policisë me krimin në ato nivele nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e Çakos dhe Tahirit. Çdo gjë është urdhëruar nga Edi Rama. Çako duhet të ishte larguar me kohë, s’duhet të dëgjonim lavdërime për të, po kallzim penal për të. Pas të gjitha fakteve të paraqitura nga Antimafia italiane, Çako duhet të ishte përpara drejtësisë. Edhe më naivi në këtë botë e kupton që Çako e Tahiri s’vepronin dot pa urdhrin dhe dijen e Ramës. Ai buzëqesh kur shkojnë e shkarkojnë, se diçka tjetër i kanë premtuar”, tha Paloka.