Një nga skandalet më të mëdha të qeverisë Rama, zbulimi i laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit, i krijuar menjëherë pas ardhjes së Ramës në pushtet dhe lidhjet e Olsi Ramës në krye të grupit të trafikut të kokainës u cilësuan nga Berisha si dëshmia se si Rama është koka e trafikut dhe krimit në Shqipëri.
Ish-Kryeministri Berisha ka zbardhur disa herë në denoncimet e tij, lidhjet e forta të Ramës me kokat e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës në vend. Berisha denoncoi me fakte konkrete se si që me ardhjen e tij në pushtet nisi lulëzimi i trafiqeve të mëdha të kanabisit e kokainës, ku vëllai i tij Olsi Rama ishte në krye të bandave.
“Sapo erdhi në pushtet, dhurata e parë që iu bë Shqipërisë ishte uzina e kokainës në Elbasan. Ju mund të më thoni se ai ishte kryeministër. Po, ai ishte kryeministër, por i vëllai i tij që quhet Olsi Kristaq Rama është gjetur në sistemin TIMS të kalojë kufirin me makinën e përshtatur për transportin e kokainës nga trafikantët: Ilir Hoxha, Gentian Gjonaj dhe Genci Xhixha.
I vëllai i Edi Ramës, Olsi Rama, ka kaluar kufirin me këtë makinë, më datë 08.06.2014. Targa e makinës është AA 653 DN. Ka kaluar kufirin me datën 13.07.2014; më datën 08.08.2014; më datë 06.06.2014, më datë 11.07.2014 dhe me këtë makinë, kanë kaluar kufirin për transport droge të gjithë ata që janë “brenda”, përveç këtij që është vëllai i kryeministrit dhe nuk mund të preket.
Tani unë i them këtij zotërisë: A është kjo një akuzë konkrete?! Dil dhe jep shpjegime. Pse yt vëlla në makinën e kokainës? Në këtë platformë, unë kam deklaruar se yt vëlla ka ardhur me një bandë nga Bostoni, bandë, e cila merrej me trafik droge dhe trafiqe të pista, dhe mund të thuhet se ishte akuzë e përgjithshme. Unë e kisha të bazuar në burime. Tani na thuaj: A është yt vëlla Olsi Rama? Çfarë donte ai në makinën e drogës? Ai ishte një nga kryesorët e Xibrakës. Apo do të thuash si Xhafaj se ç’më duhet mua se ç’bën im vëlla?!” do të shprehej ish-kryeministri, duke iu drejtuar Ramës në Parlament.
Olsi Rama në makinën e transportit të kokainës me targa AA 653 DN
Kryemadhi: Front i fuqishëm opozitar për rrëzimin e Ramës
Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI, ka konfirmuar bashkëpunimin afatgjatë me opozitën dhe përfshirjen e plotë të LSI në një lëvizje të mirëorganizuar opozitare që ka synim final largimin e Kryeministrit Edi Rama.
“Takimi i djeshëm me zotin Basha finalizoi dhe kornizoi një bashkëpunim të mëtejshëm të LSI në të ardhmen, tha Kryemadhi sot për mediat, gjatë konferencës së parë për shtyp këtë vit.
Fronti opozitar tashmë do të marrë një dimension të ri politik, i cili do të konkretizohet me një bashkëpunim politik me marrëveshje të qarta politike me PD dhe do të ndërtojmë bashkërisht një platformë të qartë politike përsa i përket të ardhmes. Kjo përfshin protestat dhe të gjitha axhendën tonë politike në të ardhmen.
Përsa i përket protestës jemi në diskutim dhe në ngritjen e një axhende të përbashkët, sepse nuk bëhet fjalë për një protestë tashmë, por për një vazhdë protestash, e cila nuk ka të bëjë as me hapjen e Parlamentit dhe as me mbylljen e Parlamentit, por ka të bëjë me problematikat, të cilat përfshijnë dhe kapin shqiptarët duke filluar që nga varfëria, arsimi, shëndetësia, korrupsioni, infrastrukturat, mënyra sesi po menaxhohet një shtet i tillë, sepse po çon drejt varfërisë familjen shqiptare, e cila nuk prodhon gjë tjetër vetëm se varfëria dhe injoranca prodhon nënshtrim, i cili i intereson sa më shumë Edi Ramës.
Ajo ç’ka dua të them, rritja e çmimeve është një nga problemet më të mëdha dhe sot unë kam një kupon tatimor këtu, të një litri naftë në Shqipëri kushton 1750 lekë të vjetra, pra 175 lekë, ju e dini shumë mirë dhe Shqipëria është vend i cili ka prodhim hidrokarburesh, ku ndërkohë kam marrë një kupon me çmimin e naftës në Maqedoni, i cili është një vend që ka një GPD të njëjtë me Shqipërinë. Pra GDP e Shqipërisë është 13.8, Maqedonia e ka 12.8, ka 1 milion banorë më pak, por nafta në Maqedoni bashkë me taksën e karbonit kushton 1225 lekë të vjetra. 58 dinarë, të cilën po ta këmbesh është 1225 lekë. Pra ne, një litër naftë e shesim 525 lekë më shtrenjtë se në Maqedoni. Pra, një vend shumë më i vogël, një vend me 1 milion banorë më pak se Shqipëria, një vend pa resurse turistike që ka Shqipëria dhe një vend i cili ka 800 mijë fuqi punëtore, ndërsa ne kemi 1 milion e 800 mijë fuqi punëtore. Dhe të mendosh që ky vend më i vogël ka edhe të ardhura më të larta, borxhin e jashtëm e ka 26%, ne e kemi 71%.
Pra, fatkeqësia ekonomike, e cila po rrëmben sot këtë vend është një fatkeqësi, e cila nuk ka të bëjë më me politikën, por ka të bëjë me mbijetesën e çdo shqiptari dhe të çdo familje shqiptare. Mendoj që politika duhet të iki, dhe kjo është dhe një nga arsyet që opozita shqiptare do të ridimensionohet komplet ndryshe. Do të ikim nga ambiciet tona politike, por do të dalim tashmë në ambiciet e mbijetesës së një shteti dhe të një vendi.
Edi Rama nuk është më çështje politike, Edi Rama tashmë është çështje kombëtare. Për të shpëtuar të ardhmen e këtij vendi ka vetëm një rrugë, largimi i Edi Ramës”, përfundoi Kryemadhi.
Kokëdhima: Pablo Eskobar do ta kishte zili Ramën
Kryetari i Partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, ka reaguar lidhur me shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Kokëdhima shprehet se Haki Çako dhe gjithë zinxhiri komandues i Policisë së Shtetit duhet të kishin ikur nga detyra dhe të kishin shkuar përpara drejtësisë një deri në dy vite më parë, kur u vunë në shërbim të planit ogurzi të Kryeministrit për të kanabizuar vendin.
“Pablo Eskobari do ta kishte zili këtë perandori të drogës që ngriti Timonieri i Rilindjes!”, thekson Kokëdhima në deklaratën e tij.
“Me propozim të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, qeveria liroi nga detyra drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako. ZGJIDHJA e përshëndet këtë vendim, megjithëse ai është shumë i vonuar dhe me motivacion të gabuar. Ky vendim nuk e trondit aspak kartelin e drogës të instaluar në vend nga Rilindja. Haki Çako dhe gjithë zinxhiri komandues i Policisë së Shtetit duhet të kishin ikur nga detyra dhe të kishin shkuar përpara drejtësisë mëse një deri në dy vite më parë, kur u vunë në shërbim të planit ogurzi të Kryeministrit për të kanabizuar vendin, nën mbrojtjen dhe ndihmën e pakursyer si ortake në biznes të Policisë së Shtetit. Rama ideoi, projektoi, implementoi dhe udhëhoqi planin për kanabizimin e Shqipërisë”.
Krimet e Rënda: Policia dekonspiroi operacionin e Xibrakës
Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka deklaruar se ndërhyrja në laboratorin e kokainës në Xibrakë është dekonspiruar nga policia dhe ka qenë e nxituar.
Kjo u ka dhënë mundësinë të pandehurve që të fshehin provat, duke i hequr mundësinë Prokurorisë që të mbledhë provat, që do të mund të çonin në dënimin e personave të ndaluar.
Sipas Apelit të Krimeve të Rënda, aksioni në Xibrakë është dekonspiruar nga policia, gjë që ka dëmtuar rëndë procesin e mbledhjes së provave nga ana e Prokurorisë.
Ndërhyrja në laboratorin e kokainës në Xibrakë të Elbasanit u bë në datën 14 janar të vitit 2015 dhe dyshohet se ky grup i strukturuar kriminal e ushtronte veprimtarinë e tij në vend që prej një viti.
Në fund të operacionit u bllokua një magazinë ku përpunohej dhe më pas përgatitej për tregtim lënda narkotike.
Gjatë operacionit u arrestuan 11 personave mes të cilëve edhe nipi i ish-diktatorit, Enver Hoxha, Ermal Hoxha. Deri tani nga të arrestuarit janë dënuar 9 persona kurse 1 ka ndërruar jetë.
Një tjetër nga të pandehurit, Klement Dalipi, ka pranuar gjykim të shkurtuar dhe është liruar nga burgu për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Në dosjen e Prokurorisë ndodhen 12 raporte vëzhgimi të shoqëruara me pamjet filmike të regjistruara në distancë. Ky vëzhgim ka nisur më 19 dhjetor të vitit 2014 dhe ka vazhduar për disa ditë, me ndërprerje deri më datë 14 janar, kur edhe është ndërhyrë për arrestimin e tyre.
Aksioni për arrestimin e trafikantëve të kartelit të kokainës në Xibrakë është realizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pas raportimit të autoriteteve të drejtësisë gjermane. Por operacioni është dekonspiruar pak minuta para arrestimit të tyre. Sipas raportit të vëzhgimit të datës 14 janar 2015 të mbajtur nga dy agjentë të policisë, përshkruajnë momentin kur Genc Xhixha ishte nisur drejt Elbasanit. Por një mesazh telefonik i dërguar në telefonin e tij, në ora 10:35 minuta, ka bërë që ai të rrotullohet dy herë te rrethrrotullimi i “TEG”-ut dhe më pas është larguar me shpejtësi drejt Tiranës.
Ai moment ka qenë i fundit kur është parë Xhixha nga agjentët e policisë, pasi ka arritur të largohet i pashqetësuar. Vetëm pak orë më pas, në raportin e vëzhgimit në laboratorin e Xibrakës, agjentët kanë konstatuar se tre nga të dyshuarit po derdhnin fuçitë e mbushura me një solucion ngjyrë blu nga mbrapa magazinës. Në këtë kohë është ndërhyrë, duke i arrestuar, ku edhe është konstatuar se ata po derdhnin solucionet ku brenda kishte tretësira kokaine.
Mediu: Protestat deri në rrëzimin e qeverisë Rama
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, u shpreh në një intervistë se protestat e opozitës mund të zhvillohen më 20 ose 27 janar. Mediu tha se e rëndësishme është që protestat të mos kthehen në një qëllim në vetvete, por të shoqërohen me veprime të tjera, në funksion të arritjes së qëllimit final, rrëzimit të qeverisë. “Data e diskutuar për zhvillimin e protestave janë 20 apo 27, por kreu i PD-së, Lulzim Basha do të diskutojë me kryetarët e degëve, të cilët janë edhe personat kyç në organizimin e protestave. Opozita ka zhvilluar shumë protesta, dhe çështja është sesi do të kapitalizohen ato. Unë mendoj se opozita duhet të lëvizë nga Tirana drejt qyteteve të Shqipërisë, ku duhet të organizohen Kuvendet me qytetarët, për të ndërtuar një raport të drejtë mes atyre që përfaqësojnë qytetarët me zërin e qytetarëve. Është shumë e rëndësishme që ne të dëgjojmë zërin qytetar, të kuptojmë se çfarë kërkojnë qytetarët dhe problemet e tyre ne t’i ngremë në Parlament”, tha Mediu. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, tha se plani i Edi Ramës është i qartë: përmes frikës dhe varfërisë, presioneve dhe kapjes së drejtësisë të mbajë qeverisjen e vendit. “Edi Rama u përpoq të zhvlerësonte çdo gjë që ishte bërë deri në ditën që ai mori pushtetin dhe premtoi se do të bënte shtetin e tij. E nisi me sulmet ndaj gjyqësorit, me qëllim që t’a vendosë atë në këmbët e tij, t’i shërbejë PS. Pra nga një gjyqësor i korruptuar sot përballemi me atë që mund të kemi një gjyqësor të kapur. Rama miratoi paketën e ligjeve që bien ndesh me Kushtetutën me qëllim që t’i shërbejë devijimit të procesit dhe kapjes së drejtësisë. Rama u ka cënuar liritë, ka shkatërruar institucionin e Parlamentit dhe i ka dhënë vetes që të ketë vetëm një institucion të vlefshëm, atë të vetes së tij”, tha Mediu. Në vijim ai shtoi se sot shqiptarët largohen nga vendi për shkak se nuk shohin shpresë dhe të ardhme, ndërsa kemi një shoqëri më apatike dhe më pak reaguese. Në këtë drejtim, sipas tij ka përgjegjësi edhe opozita, përsa i takon besueshmërisë së saj për të rikthyer shpresën. Duke iu referuar kohës kur PD ishte në opozitë 2001-2005, Mediu tha se në atë kohë kishte një tjetër aksion opozitar, qoftë në argumentimin e manipulimit zgjedhor në raport me ndërkombëtarët, ashtu edhe në organizimin e brendshëm. “Që e djathta të jetë fituese duhet të përfshihen të gjitha kapacitetet opozitare që nga 1990. Ju kujtoj KOP-in në 2005 që bëri zoti Berisha, i cili thirri të gjithë gamën e njerëzve që duheshin përfshirë jo vetëm në procesin zgjedhor, por edhe qeverisës të vendit. Nëse një gjë të tillë e bëri Berisha, atëherë edhe zoti Basha duhet ta bëjë për një qëllim të mirë. Historitë pozitive të opozitës duhen vlerësuar. Kur kemi qenë më të unifikuar, më të përcaktuar, qoftë edhe në hapjen politike, ne kemi qenë fitues”, tha Mediu. Sipas tij, në atë kohë ne si opozitë thirrëm të gjithë resurset njerëzore që kishim, pra bëmë një inventar të të gjithë kontribuuesve, i thirrëm, i bëmë pjesë të takimeve, u kthyem në zërin e qytetarëve. “Në 4 vitet e shkuara jemi përpjekur të kemi një forcë opozitare, por lamë mbrapa një angazhim më serioz, detajimin e strukturës elektorale. Loja e PS për të sabotuar Reformën Zgjedhore, mendoj se pati një ndikim negativ në rezultatin e zgjedhjeve. Ne ecëm në nivelin politik, por lamë mënjanë detajet, bëmë lojën e madhe, por harruam të voglën”, tha Mediu. Referuar mënyrës sesi funksionon sot opozita, kreu republikan tha se është mëse normale që përpara se të merret një vendim për frontin opozitar duhet të ketë një konsultim mes partive që dolën bashkë në zgjedhje, pastaj le të kalojmë në vendimmarrje. “Nuk ka munguar predispozicioni ynë për të bashkëpunuar me LSI-në, por ajo që them unë është që më përpara të bëjmë llogaritë brenda pragut, pastaj jashtë pragut. Ne i qëndruam konseguent marrëdhënies me PD dhe këtë kërkojmë edhe sot. LSI është opozitë, por koalicioni opozitar i djathtë dihet se kush është”, shtoi ai.
Vasili: Protesta të forta deri në largimin e Ramës
Petrit Vasili, kreu i Grupit parlamentar të LSI-së ka paralajmëruar protesta të forta. Sipas Vasilit, protestat do të jenë të formave të ndryshme dhe në bazë të rrethanave. “Një qeverisje e përgjegjshme rikthen shpresën për punësim. Opozita në këto momente është më e qartë se kurrë. Ju po e shikoni vetë se shumë lajme prodhohen nga opozita, pasi përbëjnë ngjarje të rëndësishme, ndodhi aktuale. Ka një disbalancë sociale, pasi mjerimi është futur në çdo familje shqiptare. Qeveria nuk flet më për asnjë lloj investimi, Kryeministri ka dekurajuar investimet. Synimi kryesor i protestave është që qindra milionë shqiptarë të bashkohen për t’i kthyer përgjigje këtij shteti, që po qeveriset në një mënyrë shumë të ligë. Do të ketë protesta të forta, të formave të ndryshme dhe sipas rrethanave. Një qeverisje e përgjegjshme rikthen shpresën për punësim”, tha Vasili. Përsa i përket kallëzimit të Kryeministrit në lidhje me ndërhyrjen në zgjedhje, Vasili u shpreh se do të japë llogari para kryeprokurorisë. “Nëse e mbani mend ka kërkuar dhe falje, pasi Rama veshi policinë me uniformat e Rilindjes, e la Shqipërinë pa polici, e bëri njësh me krimin. Por kjo nuk mbaron me kaq, do të dalë para Prokurorisë të japë llogari, madje kjo çështje do të tregojë dhe paanshmërinë e Kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku”, përfundoi Vasili. Petrit Vasili ka komentuar shkarkimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. I ftuar në Fax News, Vasili u shpreh se, largimi i Haki Çakos nuk do të thotë asgjë. “Çako hapi rrugët e trafiqeve, është një person i implikuar drejtpërdrejt në trafikun e drogës. Kjo është thjesht një marrëveshje horrllëku qeveritar që herë prishen herë pajtohen. Mos mendoni se do ndodhë ndonjë gjë pas ikjes së Çakos. Koka e krimit është vetë Kryeministri Edi Rama. Këta thjesht i hedhin hi syve opinionit publik, pasi në veprimtarinë e Çakos e demaskuam kohë më parë. Jemi njohur kudo si Kolumbia e Europës vetëm, sepse Çako lejoi kanabisin”, u shpreh Vasili. Përsa i përket zëvendësimit të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kreu i Grupit parlamentar të LSI-së u shpreh se nuk ka pikë rëndësie se kush do të jetë në vendin e Çakos, pasi siç u përmend më lart, vetë koka e krimit është Rama. Kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, ka reaguar me ironi për shkarkimin e Haki Çakos. Sipas tij, zakonisht të suksesshmit në detyrë dekorohen, kurse në Shqipëri i heqin. Ja çfarë shkruan Petrit Vasili në Facebook: Edhe i “suksesshëm” edhe e shkarkuan Haki Çakon. Të “suksesshmit” zakonisht dekorohen, ndërsa këta i heqin. Gjithë ajo drogë pa fund në kohën e Çakos ishte një arritje e “paparë” dhe me paratë e së cilës kryeministri bleu zgjedhjet. Çfarë kryeministri mosmirënjohës, si e shiti ish-drejtorin me të cilin priu dhe u bë njësh me bandat dhe trafikantët në 25 qershor dhe me të cilin na vuri në faqet e para të të gjithë medias botërore.
LSI letër kryeprokurores për hetimin mbi deklaratat e Ramës në fushatën elektorale
Lëvizja Socialiste për Integrim i ka dërguar ditën e sotme një letër Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku në lidhje me aktpadinë e dorëzuar prej tyre për qëndrimet e kryeministrit Edi Rama gjatë fushatës elektorale. LSI në këtë letër kërkon informacion për zhvillimet hetimore në këtë çështje. Forca politike e drejtuar nga Monika Kryemadhi argumenton se Rama bëri thirrje antikushtetuese gjatë mitingut elektoral të mbajtur në Kuçovë. Asokohe kreu i qeverisë i bëri thirrje efektivëve të Policisë së Shtetit, që të angazhoheshin në fushatën elektorale për interesa të PS. Rama e bëri thirrjen publikisht pavarësisht se me ndryshimet në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor një akt i tillë do të konsiderohej antiligjor.
FMN: Pesë pengesat që i bëjnë prodhimet tona jokonkurruese
Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një analizë të posaçme, pohon se eksportet shqiptare po përballen me sfida, të cilat kërkojnë më shumë përpjekje për të krijuar një mjedis të përshtatshëm për investime.
FMN rekomandon se, për të lehtësuar kostot e prodhimeve shqiptare, autoritetet duhet të përfundojnë projektet kyçe të infrastrukturës, transportit dhe energjisë. Gjithashtu rritja e kursimeve të brendshme, përmirësimi i qeverisjes, sundimi i ligjit dhe rritja e efikasitetin e tregut të punës janë masa që ndikojnë në përmirësimin e ambientit mbi eksportet. Eksportet në Shqipëri u rritën në vitin 2016, por krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ato mbeten të ulëta. Eksportet u dominuan nga nafta deri në vitin 2013, pesha e së cilës u ul në vitet më pas. Pjesa e tregut në eksporte është rritur, veçanërisht e udhëhequr nga tekstilet dhe këpucët, por me një ritëm më të ulët se vendet e tjera të rajonit, si Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia.
Raporti i eksporteve të Shqipërisë ndaj PBB-së është i ulët në krahasim me ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor. Sipas FMN, ecuria evidenton mangësi në konkurrencën e eksporteve krahasuar me fqinjët.
Treguesit e bazuar në anketime sugjerojnë se konkurrenca e Shqipërisë është përmirësuar, por hendeku i konkurrencës me vendet e rajonit vazhdon. Rritja e Shqipërisë në lehtësinë e të bërit biznes u përmirësua, por vendet e tjera të Ballkanit si Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi po konvergojnë më shpejt.
Renditja e Shqipërisë në Raportin e Konkurrueshmërisë Globale të Forumit Ekonomik Botëror gjithashtu ka mbetur në vend, duke zgjeruar boshllëkun tashmë të konsiderueshëm mes Shqipërisë dhe mesatares rajonale. Përqendrimi i eksporteve në sektorët me vlerë të ulët mund të jenë pengesë për rritjen e ardhshme.
FMN analizon se, në dallim nga eksportet me vlerë të lartë të vendeve fqinje si Serbia dhe Maqedonia, eksportet e Shqipërisë janë kryesisht në sektorët e tekstilit dhe këpucëve, si dhe nafta dhe mineralet. Për rrjedhojë, perspektivat e rritjes janë të kufizuara nga pikëpamja afatmesme e nënshtruar për çmimet e naftës, veçanërisht, duke pasur parasysh koston e lartë të Shqipërisë për shfrytëzimin e naftës.
Ndërsa eksportet rajonale po rriten, më shumë se gjysma e eksporteve shqiptare shkojnë në Itali. Disa prej këtyre produkteve, veçanërisht tekstileve, përpunohen në Shqipëri nga porositësit dhe më pas rieksportohen në tregje të tjera, një pjesë e madhe janë destinuar për konsum final në Itali, duke e bërë Shqipërinë të varur nga një vend me potencial të ulët rritjeje. Nga ana tjetër, flukset hyrëse të IHD-ve janë rritur kryesisht në sektorin energjetik (tubacionet e gazit, hidrocentralet) dhe sektorët e minierave, por mbeten të kufizuara në sektorë të tjerë të tregtueshëm, gjë që lajmëron se, rritja e Investimeve të Huaja Direkte nuk mund të gjenerojë rritje të konsiderueshme të eksporteve
A mundet Shqipëria të integrohet në zinxhirët e furnizimit europian? Literatura tregon se performanca më e fortë e eksportit në nivel global dhe në Europë ka qenë rezultat i integrimit të suksesshëm me zinxhirët e furnizimit. Ky integrim lehtësohet nga afërsia me shpërndarjen e furnizimeve, hapja ndaj tregtisë, ngjashmëria e strukturave të eksportit, mjedisi i biznesit dhe cilësia e infrastrukturës. Shqipëria është mirë në dy masat e para, por është relativisht e pafavorshme në lidhje me tre të fundit, analizon Fondi.
Pengesat më të mëdha strukturore të Shqipërisë për të eksportuar dhe për të rritur konkurrencën me mallrat e importit, janë:
Së pari, institucionet e dobëta, së dyti, mangësitë në infrastrukturë, së treti një sistem taksash tepër kompleks, së katërti qasje e dobët në financa dhe së pesti, mungesë e fuqisë punëtore të kualifikuar.
Shqiptarët me pamjaftueshmëri për sigurimin e ushqimeve bazë
Vetë-mjaftueshmëria e ushqimit i referohet kapacitetit të një vendi për të plotësuar nevojat e veta të ushqimit nga prodhimi vendas. Sipas një harte të re të përpiluar nga MapChart, me të dhënat e ofruara nga FAO, Shqipëria nuk arrin që të përmbushë vetë nëpërmjet prodhimit, nevojën për ushqimet bazë.
Sipas FAO-s, “koncepti i vetë-mjaftueshmërisë ushqimore në përgjithësi nënkupton se deri në ç’masë një vend mund t’i plotësojë nevojat e saj ushqimore nga prodhimi i saj i brendshëm”.
Ky përkufizim më themelor mund të zbatohet në nivel të individëve, shteteve ose rajoneve. Në kontekstin e debateve mbi tregtinë dhe sigurinë e ushqimit, vetë-mjaftueshmëria zakonisht i referohet vendeve që kërkojnë të prodhojnë të gjithë ose shumicën e ushqimit të tyre për konsum të brendshëm.
Megjithatë, FAO thekson se disa vende që konsiderohen si të vetë-mjaftueshme në shkallë kombëtare ende mund të kenë një pjesë të popullsisë së tyre që përjetojnë urinë dhe kequshqyerjen.
Vende të tilla mund të prodhojnë sasi të mjaftueshme të kulturave të caktuara, të tilla si drithëra, por ato ende mund të importojnë sasi të konsiderueshme të frutave dhe perimeve për të arritur një dietë të shëndetshme. Disa vende të pavarura mund të kenë nivele më të larta varfërie që pengojnë qasjen adekuate në të gjithë popullsinë. Vende të tjera që janë të vetë-mjaftueshme mund të mos kenë asnjë problem në sigurimin e dietave adekuate dhe ushqyese për popullatën e tyre.
Shtetet që edhe harta i tregon si të “zonjat” për të siguruar vetë ushqimet bazë, janë: Argjentina, SHBA, Rusia, Malajzia, Australia.
Sipas një raporti të fundit, të paktën 290 mijë shqiptarë kategorizohen në grupin e atyre me vakte të reduktuara për shkak se nuk kanë arritur të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm. Raporti i Organizatës së Ushqimit dhe Agrikulturës (FAO), për urinë, i vitit 2017 vlerëson se në Shqipëri prevalenca e pasigurisë së lartë ushqimore prek 10% të popullsisë totale.
Protesta për largimin e Ramës, thirrje për bashkim
Kryetari i PD, Basha deklaroi dje pas takimit me aleatët se protestat e opozitës do të kenë si qëllim largimin e Ramës. Ai tha se Rama tashmë i ka shpallur luftë popullit për hesap të krimit. Ai ka kujtuar se po lirohen trafikantët nga burgjet dhe në vend të tyre do të dërgohen qytetarët për faturat e ujit.
“Në diskutim me aleatët e koalicionit opozitar, kemi vënë piketat për këtë kalendar veprimesh, i cili do të shtrihet dhe do të përqafojë të gjithë shtresat e shoqërisë. Duke iu bërë thirrje të gjithë zëdhënësve të opinionit qytetar, intelektualëve, medias, profesionistëve t’i bashkohen këtij sezoni të protestës qytetare për t’u përballur me krimin të bërë njësh me politikën, me paligjshmërinë, që janë faktorët kryesorë të mjerimit ekonomik, të krizës ekonomike dhe krizës shpirtërore dhe psikologjike që ka kapluar vendin.
Opozita e ka marrë këtë angazhim në një kohë, kur 300 mijë shqiptarë nuk sigurojnë dot bukën e gojës. Ku 49% e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e ujit dhe të dritës dhe krimi i veshur me pushtet, pushteti i bërë njësh me krimin me figurën e Edi Ramës, bëhet gati të fillojë aksionin për ujin.
Kjo është arsyeja që po zbrazen burgjet nga kriminelët, po largohen kriminelët, trafikantët e drogës nga qelitë e burgjeve që t’i bëjnë gati qelitë për qytetarët që nuk paguajnë dot faturat e ujit.
Kjo është t’i shpallësh luftë popullit për hesap të krimit dhe kriminelëve.
Të shpëtosh trafikantët e drogës nga një drejtësi e nëpërkëmbur dhe e kapur politikisht, duke shkelur Kushtetutën, siç ndodhi më 18 dhjetor, vetëm e vetëm që të ushtrosh terror mbi popullin.
Ndaj ne kemi marrë përsipër gjithë përgjegjësinë tonë. Kemi diskutuar në detaje për një aksion intensiv dhe kompleks opozitar. Natyrisht kemi diskutuar edhe për sezonin e protestave dhe me protestën e parë, që do të nisë brenda këtij muaji”, tha Basha.
Shkarkimi i Çakos, kupola e drogës drejtohet nga Rama e Tahiri
– Ka një datë zoti Basha?
Konsultimin me aleatët opozitarë e kemi bërë sot, kam marrë mendimin e tyre dhe vendimin do ta marr së bashku me drejtuesit e Partisë Demokratike ditën e nesërme dhe do ta bëj publik ditën e nesërme.
– Zoti Basha a do të jetë Partia Demokratike në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe çfarë qëndrimi do të keni?
Reforma Zgjedhore është një interes themelor i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Jemi këtu, sepse janë vjedhur zgjedhjet, janë vjedhur zgjedhjet që t’u vidhet liria, t’u vidhet ekonomia, t’u vidhen pensionet, t’u vidhet shëndetësia, t’u vidhet e ardhmja shqiptarëve dhe fëmijëve të shqiptarëve. Prandaj opozita mbetet e vendosur për Reformën Zgjedhore, për t’iu rikthyer shqiptarëve një sistem të drejtë, europian që të përfaqësojë interesat e njerëzve, të përfaqësojë qytetarët dhe jo interesat e një pakice të bërë njësh me krimin.
– A do të merrni pjesë në Parlament?
Parlamenti dhe marrëdhënia e opozitës me Parlamentin do të diktohet tërësisht nga interesi publik.
– Në 15 janar a do të jeni në Parlament?
Ne marrëdhënien me Parlamentin do ta kemi të kushtëzuar me interesin publik dhe me aktin e rëndë e të pafalshëm që është dhunimi i Kushtetutës. Një institucion politik, siç është Parlamenti, nuk mund të bëjë akt më të rëndë ndaj qytetarëve, sesa të dhunojë dokumentin me të cilin dhe për të cilin ai ekziston. Është Kushtetuta arsyeja pse ka Parlament dhe jo Parlamenti arsyeja pse ka Kushtetutë.
– Zoti Basha, sapo është shkarkuar nga detyra drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako të cilin e keni akuzuar në vazhdimësi. A keni një koment?
Informacionin po e marr nga ju . Natyrisht, nëse është e vërtetë, është një hap tejet i vonuar. Është një tjetër tregues i krizës së thellë, në të cilën e ka zhytur krimi, institucionin e Policisë së Shtetit. Por pa dyshim që Haki Çako është siç ishte një “kokë turku”. Sepse kupola e drogës drejtohet nga Edi Rama, nga Saimir Tahiri, siç e di gjithë bota tani, dhe natyrisht dhe nga Fatmir Xhafaj, lidhjet e të cilit me botën e krimit dhe të drogës janë të njohura katërcipërisht këtej dhe andej detit.
-Zoti Basha, cili do të jetë fokusi i protestave, çfarë do të kërkoni nëpërmjet këtyre protestave dhe çfarë strategjie do të keni?
Siç ju thashë, protestat janë pjesë e një aksioni kompleks opozitar, qëllimi i të cilit është të mobilizojë të gjithë energjitë pozitive të shqiptarëve. Të thërrasë të gjithë shqiptarët në një aleancë vlerash, që përfaqëson ky koalicion opozitar dhe, së bashku me çdo forcë tjetër politike të bëjmë të mundur largimin e shkaktarit dhe arsyes kryesore të zhytjes së Shqipërisë në një krizë politike, ekonomike dhe morale, që është Edi Rama dhe aleanca e tij me krimin.
– A mund të kemi një përsëritje të çadrës 2?
Përsëritje nuk do të ketë, do të ketë të reja. Do të ketë një vullnet edhe më të fortë të opozitës dhe jam i sigurt një përgjigje akoma më të madhe popullore. Sepse kjo është rruga e vetme për ta çliruar Shqipërinë nga zgjedha e krimit dhe për t’i dhënë çdo shqiptari e çdo shqiptareje shpresën për të nesërmen.
– Të hënën nuk na e sqaruat, do të jetë Partia Demokratike në Parlament apo jo?
Partia Demokratike dhe aleatët do të marrin vendimet e duhura dhe do t’jua komunikojmë në momentin e duhur.