Kryetari i PD, Lulzim Basha do të mbledhë në selinë e PD të gjithë krerët e Partisë Demokratike në rrethe me qëllim diskutimin mbi protestën e ardhshme të opozitës si dhe mirëorganizimin e saj. Basha ka paralajmëruar se protesta e opozitës do të ketë përmasat e një revolte të fuqishme popullore, në të cilën do të ngrihet shqetësimi kryesor, ai i ngjitjes së krimit dhe drogës në pushtet si dhe varfërimit ekstrem të shqiptarëve. Si asnjëherë më parë, për këtë protestë do të mobilizohen në mënyrë të fuqishme të gjitha forcat aleate, por edhe më tej. Partia Demokratike si partia më e madhe e opozitës do të luajë rolin kryesor dhe peshën kryesore të organizimit dhe mobilizimit të qytetarëve. Dje, në një konferencë për mediat, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zbuloi detaje në lidhje me aksionin opozitar, kur do të nisin protestat dhe si do të organizohen. “Diapazoni i protestës është shumë i madh, sepse dhe problemet janë të shumta. Do të bëjmë një organizim të protestës në mënyrë shumë dimensionale. Do të jetë një ndër protestat më të mëdha, nuk kemi vendosur akoma për datën, por që protesta do të vijojë. Do të kemi një lëvizje të mirëorganizuar, e cila do të përfundojë me realizimin e objektivit me sukses. Në fakt janë vet qytetarët dhe zemërimi i tyre ndaj Ramës dhe klikës në pushtet, të cilët po presin protestën e opozitës. Varfëria, papunësia, lufta e vështirë për mbijetesë për bukën e gojës përbën sot një motiv të fortë për t’iu bashkuar protestës së opozitës dhe për të ngritur zërin ndaj padrejtësive.
Dosja “Xibraka” e vëlla Olsit në takimin mes Merkel dhe Ramës
Dosja “Xibraka” ka marrë një tjetër kthesë në Gjykatën e Apelit. Kritika të forta për dekonsiprim nga Gjykata, ndërsa në skenë prej kohësh është vëllai i kreut të qeverisë Rama, Olsi Rama. Vetë Prokuroria më shumë se ka hetuar në këtë rast ka bërë lojën e trafikantëve me dosjen.
Gjykata e Apelit i ka dhënë dje një goditje të rëndë punës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit për dosjen “Xibraka”, duke ngritur dyshime të forta për dekonspirimin e operacionit në vitin 2015, i nisur fillimisht nga autoritetet e Gjermanisë.
“Ndërhyrja e policisë më 14.01.2015 ora 15:10 në Xibrakë ka qenë e nxituar dhe jo efektive, pasi në laborator nuk u gjetën materialet me të cilat bëhej ky përpunim dhe as produkti i gatshëm, por vetëm gjurmë të tyre në rroga dhe enë. Ka dyshime se operacioni u dekonspirua, dhe disa drejtues të grupit i shpëtuan arrestimit”, thuhet në vendimin që Gjykata e Apelit ka marrë për dënimin e 9 të arrestuarve.
Në janar të 2015-ës, në krye të Policisë së Shtetit ka qenë Artan Didi, i cili u dorëhoq vetëm pak muaj më pas, kur u zbulua se dy vartës të tij kishin fshehur kërkesën e ardhur nga ‘Interpoli’ për ish-deputetin Mark Frroku. Në këtë periudhë, nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë ka qenë Haki Çako, i cili u shkarkua sot nga detyra e drejtorit të Përgjithshëm, post që e kishte marrë pas dorëheqjes së Didit. Ky qëndrim i Gjykatës së Apelit i vendos dy ish-drejtorët në një pozicion delikat.
Por goditje nga Gjykata nuk ka marrë vetëm Policia, por edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, konkretisht dy prokurorët e çështjes, Olsi Çela dhe Edvin Kondili. Pasi ngre dyshimet se operacioni është dekonspiruar, Apeli tregon se është i pakënaqur edhe me punën e Prokurorisë, që sipas tij, nuk ka vepruar siç duhet për të vërtetuar akuzën për trafik ndërkombëtar droge për 9 të pandehurit.
Fillimisht Çela dhe Kondili çuan në Gjykatën e Krimeve të Rënda akuzën për “grup të strukturuar kriminal dhe trafik ndërkombëtar droge në bashkëpunim”, por trupi gjykues ndryshoi akuzën, duke i dënuar vetëm për prodhim dhe mbajtje narkotikësh, jo për trafik. Ndryshe nga sa pritej, Prokuroria nuk e apeloi vendimin e Shkallës së Parë, duke harruar “grupin e strukturuar” dhe “trafikun ndërkombëtar të drogës”. Vendimi u dërgua në Apel vetëm nga avokatët e të dënuarve, të cilët përfituan një ulje të dënimit.
Olsi Çela ishte një ndër emrat e përfolur së fundmi për postin e kryeprokurorit të përkohshëm, ndërsa Edvin Kondili ishte prokurori që pushtoi çështjen ndaj Vladimir Gjutës, personi i arrestuar për tritolin te farmacia e babait të Saimir Tahirit, ngjarje që ende sot nuk ka një autor.
Por kjo dosje ka edhe anën politike të saj. Që prej muajit dhjetor, në disa portale kanë filluar të qarkullojnë lajme se “Xibraka” do të rikthehet bujshëm në vitin 2018. Lajmet e lidhin këtë dosje edhe me pretendimet e opozitës se ka informacione të rëndësishme kundër kryeministrit Edi Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilat po i analizon me kujdes.
Emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, po del në skenë tashmë jo vetëm për bandën e Habilajve, por edhe për “Xibrakën”, pasi ai ishte në detyrë kur ky laborator, ndër më të sofistikuarit në Ballkan, ngriti dhe zhvilloi i pashqetësuar aktivitetin e tij, deri në ndërhyrjen e autoriteteve gjermane.
Gjithashtu, opozita shqiptare dhe veçanërisht ish-kryeministri Sali Berisha kanë deklaruar se kryeministri Rama është peng i dosjes “Xibraka”, pasi aty rezulton i përfshirë edhe vëllai i tij, Olsi Rama.
Akuza mori një tjetër dimension, kur rrethi u zgjerua edhe me gazetarë që konfirmojnë me burimet e tyre diçka të tillë. Gazetarja Anduena Llabani deklaroi pak javë më parë në emisionin ‘360 gradë’ se, Olsi Rama është i përfshirë në këtë dosje dhe “Xibraka” është diskutuar gjatë një takimi të kryeministrit Rama me kancelaren gjermane Angela Merkel.
Aktualisht, nuk ka asnjë deklaratë të kryeministrit Rama që të mohojë akuzat që po hidhen mbi vëllain e tij.
Deulofeu i thotë “po” Interit
Misioni fillon zyrtarisht. Walter Sabatini është në fakt në Kinë ku, në prag të paraqitjes së Jangsu Suning, ai synon të marrë nga z. Zhang miratimin për të ecur përpara, për të operuar në merkaton e janarit me Interin. Spalleti, nga ana tjetër, pas barazimit në Firence ishte i qartë edhe para mikrofonëve: zikaltrit kanë nevojë për përforcime. Ndoshta nga një lojtar për çdo repart. Sipas njoftimeve të “Il Corriere dello Sport”, lajmi i mirë vjen nga ana e Deulofeu, i cili tashmë ka thënë “po” për propozimin e Interit dhe pret që klubi italian të arrijë një marrëveshje me Barcelonën. Skuadra katalanase, pas blerjes së Coutinhos nuk duhet të nxjerrë shumë probleme për ta shitur lojtarin e mëparshëm të Milanit edhe për shkak se sulmuesi spanjoll nuk është më pjesë e planeve të trajnerit Valverde.
Megjithatë, nyja është ajo e formulës së operacionit, duke pasur parasysh se Barcelona do të donte ta shiste Deulofeu, fillimisht në formë huazimi, por me detyrim të blerjes përfundimtare. Ndërkohë, Interi nuk mund të shkojë përtej ligjit, ashtu si në rastin e Ramires. Edhe mesfushori brazilian shtyn të largohet nga Kina dhe të shkojë tek Interi, por familja “Zhang” nuk dëshiron që Jangsu të perceptohet në Kinë si një degë e zikaltërve. Së fundi, po nga Barcelona, sipas “Il Corriere della Sera”, mund të mbërrinte, gjithashtu, Rafinha, i cili pas lëndimit nuk gjeti më hapësirë në radhët e blaugranave.
Kur sapo ka kaluar një javë nga çelja e merkatos së janarit, janë vetë drejtuesit e klubit të Barcelonës ata që lëshojnë sinjalin e parë në adresë të ekipeve të interesuara për yllin e klubit katalanas dhe të përfaqësueses së Spanjës.
Nëpërmjet Guillerme Amor, përgjegjësinë e marrëdhënieve institucionale dhe sportive të Barcelonës, klubi katalanas ka konfirmuar se Deulofeu nuk është aktualisht pjesë e planeve të trajnerit Valverde. “Në kontigjentin e skuadrës tonë ka futbollistë që bëjnë pjesë në planet e të ardhmes së klubit dhe disa të tjerë që nuk bëjnë pjesë. Aktualisht ai nuk hyn në projektin tonë. Do të duhet të presë nëse do të dëshirojë një shans. Do të shohim në ditët në vijim, nëse do të ketë të reja rreth të ardhmes së tij”, deklaroi zyrtari i klubit katalanas.
Reali i “zhytur”!
Marcelo pranoi se Real Madridi është i trishtuar dhe ndihet i dobët pas distancimit me 16 pikë nga udhëheqësit e La Liga-s. Tashmë, Barcelona duket e arratisur nga rivalët e përjetshëm, “Los Blancos”. Kampionët në fuqi të Spanjës dhe sezoni i tyre vazhdoi keq të dielën, teksa barazuan 2-2 me Celta Vigo. Gareth Bale shënoi dy herë, për të anuluar “hapjen” e Daniel Wass dhe për t’i dhënë Real Madridit epërsinë para gjysmës së kohës. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme për madrilenët, sepse Celta barazoi në minutën e 82-të me Maxi Gomez.“Ne jemi të trishtuar dhe të zhytur.
Po përpiqemi të dalim nga kjo rrëmujë dhe po punojmë për ta bërë këtë, sepse nuk na pëlqen aspak. Është e vështirë, sepse sa më shumë ndeshje barazon ose humbet, aq më shumë rritet presioni. Ne nuk mund të bëjmë asgjë tjetër. Po bëjmë atë që mundemi, përpiqemi të luajmë futboll të mirë, të shënojmë gola dhe ta qarkullojmë topin, por kjo nuk po na shpërblen”, tha Marcelo.
Real Madridi, i cili është “i pafytyrë” në katër ndeshjet e fundit të La Liga-s, janë të katërtit në klasifikimin aktual të kampionatit spanjoll, prapa Atletico Madridit dhe Valencias. “Nuk ka zgjidhje tjetër, veçse të tregosh fytyrën tënde më të mirë dhe të luftosh, vazhdoi braziliani. Lufto dhe jep më të mirën, që të mund të fitosh”.
Real Madrid ka bërë një tjetër paraqitje zhgënjyese teksa ka barazuar me Celta Vigon 2-2 në shtëpinë e këtyre të fundit. Ishte një sfidë e zjarrtë sidomos në pjesën e dytë dhe kjo falë vendasve që ngulmuan të gjenin të paktën golin e barazimit dhe ia arritën qëllimit. Me këtë barazim Real tashmë është 16 pikë larg Barcelonës me një ndeshje më pak.
Ishin vendasit ata që kaluan në avantazh me një gol fantastik të Daniel Weiss, i cili ndëshkon Keylor Navas me një goditje plot ndjenjë në minutën e 33. Por vetëm tre minuta më pas erdhi kundërpërgjigjja e Real me një dopietë të shpejtë brenda dy minutave të Gareth Bale.
Sulmuesi uellsian shkëlqeu duke shënuar dy gola të mrekullueshëm që i dhanë avantazhin Los Blancos. Por pas pushimit ekipi që luante me një dëshirë të madhe ishte Celta Vigo. Lojtarët vendas luftonin për çdo top duke ia vështirësuar jetën vizitorëve që nuk janë mirë fizikisht dhe kjo u duk edhe ditën e djeshme.
Aspas humbet një mundësi të artë nga pika e bardhë e penalltisë me Keylor Navas që rregullon gabimin e bërë me penalltinë e shkaktuar. Por atë që nuk bëri Aspas e bëri Gomez me një gol të bukur nga shumë pranë portës pas një krosi nga e djathta.
Mourinho: Ja përse kam zgjedhur të jetoj në hotel
Jose Mourinho ka bërë me dije se ai është i lumtur që jeton në një hotel në qendër të qytetit të Manchester, edhe pse për të do të ishte më mirë të jetonte “i vetëm”, në një shtëpi të madhe, pa pasur pranë ndihmësit. Trajneri i Manchester United jeton në hotel që nga vera e vitit 2016 dhe ka hedhur poshtë “thashethemet” se nuk është i lumtur me jetën në qytetin verior të Anglisë. Gjatë konferencës për shtyp, përpara ndeshjes së Kupës së Anglisë kundër Derby County, Mourinho ka sqaruar situatën e tij duke shtuar se do të kishte dëshirë të vazhdonte gjatë punën në “Old Trafford”, përtej tre viteve të kontratës.
“Tifozët duhet të dinë se unë jam i lumtur në Manchester. Nuk duhet të më shohin si një njeri i stresuar nga fakti që jam në një dhomë hoteli prej 18 muajsh, sepse unë kam një apartament brenda këtij hoteli dhe kam të gjithë mbështetjen dhe komoditetin që dua. Praktikisht i kam të gjitha dhe është njëlloj si të banoja në një shtëpi të madhe. Jam përtac jashtë fushës së lojës dhe praktikisht në hotel i kam të gjitha kushtet. Nuk jam aspak i trishtuar, sepse po të isha i trishtuar nuk do ta bëja mirë punën time. Jam i lumtur te Manchester United dhe uroj që e ardhmja ime të jetë në këtë klub. Kam shkruar historinë e Chelsea, duke fituar tre tituj te ajo skuadër, do të dëshiroja të shkruaja edhe historinë e United, sepse Europa League e fituar vjet është shumë pak”, deklaroi portugezi.
PSG e nis 2018-ën në mënyrë spektakolare
Paris Saint-Germain është kthyer në fushë mbrëmjen e djeshme për fazën e 1/32-ve të Kupës së Francës. Skuadra e Emery ka luajtur në shtëpinë e Renne-s dhe ka siguruar kalimin në raundin pasardhës me një fitore të thellë 6-1. Vendasit kanë rezistuar vetëm 9 minuta, me miqtë që kanë zhbllokuar takimin me një gol të Mbappe. Tetë minuta më vonë i ka ardhur radha Neymar që të shkruajë emrin e tij në listën e golashënuesve dhe të dyfishojë avantazhin e PSG-së.
Pas shtatë minutash “pushim” ka ardhur edhe goli i tretë i miqve, i shënuar nga Angel di Maria, i cili ka marrë vendin e Edinson Cavani-t në tredhëmbëshin e Parisit. “Pokeri” është kompletuar dy minuta para fundit të pjesës së parë, teksa Neymar ka realizuar golin e tij të dytë personal.
Vendasit, gjithsesi, kanë arritur të shënojnë golin e ngushëllimit në pjesën e dytë falë penalltisë të transformuar në gol nga Llamas. Gëzimi i Rennes ka zgjatur vetëm tetë minuta, me Di Maria që ka shënuar golin e pestë në të 74-ën dhe Mbappe që ka fiksuar shifrat në 6-1 një minutë vonë.
Pirlo: Nëse Van Dijk vlen 80 milionë euro, Coutinho kushton dyfish
Andrea Pirlo këmbënguli që rekrutimi i ri i Barcelonës, Philippe Coutinho, vlen 160 milionë euro, duke theksuar blerjen e madhe të Liverpool, mbrojtësi Virgil van Dijk. Ylli brazilian u paraqit si lojtar i Barcelonës të dielën, pas transferimit nga “Anfield”. Habia më e madhe ka ardhur nga tarifa e paguar për Coutinhon, i cili u bashkua me Liverpool në vitin 2013, por ish-lojtari i Italisë, Milanit dhe Juventusit, Pirlo, tha se çmimi është i justifikuar, pasi “Reds” kaluan parashikimet me blerjen prej 80 milionë €, për ta marrë holandezin e çmuar nga Southampton, këtë muaj. “Flitet për shumë çmime të çmendura, por çmimi i Coutinho është në përputhje me shifrat e sotme, tha Pirlo për “Sky Sport Italia”. Nëse Van Dijk është me vlerë 80 milionë euro, atëherë ai kushton dyfish. Është kaq e thjeshtë dhe e drejtë”.
Griezmann i kërkon superpagë Manchester United
Mbetet një nga prioritetet që ka Manchester United për sezonin e ardhshëm. “Djajtë e Kuq”, megjithatë, janë të vetëdijshëm se Barcelona është bërë rivali i tyre i madh për këtë operacion. “Mirror” thekson se lojtari i kuq dhe i bardhë mund t’i ketë kërkuar klubit me trajner Jose Mourinho një pagë rekord vjetore, prej 22 milionë eurosh në sezon. Arsyeja do të jetë, sipas mediave, për të marrë një refuzim dhe në këtë mënyrë të jetë në gjendje për të mbyllur transferimin e tij te Barça, e cila është dëshira e tij e madhe. Tek Atletico Madrid janë të vetëdijshëm se do të kenë vazhdimësi të komplikuar me francezin, edhe pse ata supozojnë se nuk do të ketë negociata dhe kushdo që do sulmuesin e tyre, do të duhet të paguajë 100 milionë euro. Megjithatë, Miguel Angel Gil Marin është ende duke synuar për të biseduar me të dhe do të përpiqet ta bindë Griezmann për të ndjekur një projekt, që premton të vazhdojë të rritet.
Arteta zëvendësues i Wenger
Mikel Arteta është trajneri i caktuar nga shtypi anglez si zëvendësues i Arsene Wenger në stolin e Arsenalit për sezonin e ardhshëm. Spanjolli, i cili është ndihmës i Guardiolës te Manchester City, është shumë i mirënjohur në klubin londinez. Sipas “Sunday Mirror”, Arsene Wenger do të ishte shumë serioz në përfundimin e kontratës së tij si trajner i Arsenalit. Në verë, në fund të sezonit zyrtar, ai do të vazhdonte të bënte punë të tjera zyre në klub, me miratimin e pronarëve aktualë. Dhe trajneri francez tashmë ka një kandidat në mendje, të cilin e publikon media angleze, si pasardhësin e tij: Mikel Arteta.
Një emër që, përveç kësaj, gjithashtu ka OK e pronarëve. Arteta dhe Wenger kanë marrëdhënie shumë të mirë, që kur u takuan në dhomën e zhveshjes së Arsenalit. Mikel ishte, madje, kapiteni i ekipit dhe që atëherë, konsolidoi një marrëdhënie tepër pozitive me trajnerin francez, që është ruajtur gjatë viteve. Wenger e vlerëson veçanërisht “filozofinë” e futbollit të Mikel. Problemi, i njohur në Angli, është se Arteta u bashkua në korrik 2016 me stafin stërvitor të Pep Guardiolës te Manchester City, ku ndihet shumë i vlerësuar, ndaj nuk duket e lehtë për t’u larguar.
Bashkitë po bëhen të varura nga ndërtimet
Bashkitë e vendit, sidomos kryeqyteti, po bëhen gjithnjë e më të varura nga taksa e infrastrukturës që marrin për lejet e dhëna të ndërtimit, që varion nga 4-8% të vlerës së ndërtimit.
Të ardhurat e veta të bashkive (nga taksat, tarifat, asetet dhe të tjera) për 9-mujorin 2017 regjistruan një vlerë prej rreth 16.7 miliardë lekë, në rritje me rreth 3.7 miliardë lekë ose rreth 28.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave të bëra të ditura nga portali financatvendore.al. Ecuria e kësaj kategorie të ardhurash sinjalizon për vijimësi të përmirësimit të performancës në mbledhjen e të ardhurave vendore në përgjithësi, theksohet në raportin e 9-mujorit.
Analiza e detajuar sipas zërave të taksave tregon se, kjo performancë pozitive është udhëhequr nga rritja e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, e cila shënoi dhe nivelin më të lartë historik gjatë periudhës në analizë (2010 – 2017). Të ardhurat nga kjo taksë kontribuan me rreth 4.4 miliardë lekë në buxhetin vendor (26% e totalit të të ardhurave të veta), në rritje të ndjeshme krahasuar me nivelin e kësaj takse prej 1.7 miliardë lekësh në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Performanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron për rigjallërim të aktivitetit ndërtues në vend, privat (rritje e numrit të lejeve të ndërtimit nga bashkitë në vijim të miratimit të planeve të përgjithshme vendore) dhe publik (investime publike të ndërmarra nga qeveria qendrore).
Në nivel bashkie, rreth 71.4% e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë u regjistruan në buxhetin e Bashkisë Tiranë (nivel ky rreth 4.9 herë më i lartë krahasuar me nivelin e të ardhurave nga kjo taksë një vit më parë).
Sikurse dhe pritej, të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, vijojnë të ulin kontributin e tyre në totalin e të ardhurave nga taksat vendore. Gjatë periudhës së konsideruar, të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël regjistruan një vlerë prej 276.2 milionë lekë, në rënie me rreth 52.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Një tjetër burim i rëndësishëm të ardhurash për buxhetin vendor përfaqësohet nga të ardhurat nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme. Gjatë periudhës në analizë, të ardhurat nga kjo taksë regjistruan një vlerë prej rreth 3.4 miliardë lekë, në rritje modeste me 2.5% në terma vjetorë. Në të gjitha vitet e marra në analizë, taksa mbi ndërtesat përbën mesatarisht rreth 85.4% dhe të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore zënë 14.6%, ndaj totalit të të ardhurave nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme.
Në terma vjetorë, të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat rezultuan në rreth 3.0 miliard lekë, në rritje me rreth 6.5% në terma vjetorë. Në të kundërt, të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore shënuan rënie vjetore të theksuar me rreth 19.7% krahasuar me një vit më parë.
Taksa e truallit nuk rezulton të ketë regjistruar të ardhura në periudhën e konsideruar. Ky nivel mund të lidhet me problematikat e mungesës pothuajse totale të regjistrave të bazës së taksës (dhe taksapaguesve). Gjithashtu mund të jemi përballë edhe të një problemi të raportimit financiar, dhe një vlerësim më i thellë do duhej të bëhej nga autoritetet.