29.5 C
Tirana
E premte, 11 Korrik, 2025

Ikjet masive, kërkesat shqiptare për azil në Francë dyfish më shumë se sirianët

Një rritje historike apo rekord historik, e konsiderojnë të gjithë mediat franceze numrin e azilkërkuesve në Francë në vitin 2017. Janë gjithsej 100412 azilkërkues, një numër i pa arritur asnjëherë tjetër më parë. Ky numër është rritur me 17 për qind krahasuar me 2016, ose 6,5 për qind më shumë se shifra më e lartë e regjistruar deri më sot. Kurse krahasuar me 2015 që shënonte numrin më të lartë të azilkërkuesve në Europë, kjo shifër është rritur me 22 për qind. Numri më i lartë të kërkesave për azil është nga Shqipëria. Franca është një nga vendet e para përsa i përket numrit të azilkërkuesve, por sidoqoftë pas Gjermanisë që në 2017 kishte rreth 200 mijë kërkesa. Mbi 36 për qind e azilkërkuesve kanë arritur të fitojnë statusin e emigrantit. Sipas të dhënave të Ofpra, 6,5 për qind ose 7630 është numri i azilkërkueseve nga Shqipëria, numër i cili ka shënuar një rritje me 66 për qind. Në vend të dytë është Afganistani me 5987 kërkesa, i treti Haiti me 4934, Sudani me 4486, Guinea me 3780. Përveç 100412 kërkuesve duhet patur parasysh se ekziston edhe një numër tjetër emigrantësh, që ende nuk kanë depozituar kërkesën për azil. Ende nuk është saktësuar, nëse Franca është vendi i parë i futjes së emigrantëve apo ata vijnë nga një vend tjetër i BE. 7630 shqiptarë kërkuan azil në Francë gjatë vitit 2017, duke u renditur kështu në vendin e parë. Shtetasit nga Shqipëria kanë qenë dy herë më të shumtë në numër se sirianët, gjë që shihet me shqetësim nga autoritetet franceze. Shkalla e pranueshmërisë së shqiptarëve ka qenë e ulët ndaj ekspertët e bëjnë edhe njëherë të qartë se arsyet ekonomike nuk merren parasysh për të garantuar qëndrimin në Francë. Në vitin 2017, shtetasit shqiptarë u rradhitën në vendin e parë për nga numri i kërkesave për azil që janë depozituar në Francë. Më konkretisht, numri i tyre arriti në 7.630, duke lënë pas afganët me 5.987, shtetasit nga Haiti me 4.486, e kështu me rradhë. Për t’u theksuar është fakti se, numri i shtetasve shqiptarë që kanë kërkuar azil, është dy herë më i lartë se ai i sirianëve, ku vemtëm 3.249 prej tyre kanë paraqitur dokumentacionin për të qëndruar në Francë. Hartuesit e raportit që është publikuar nga Qrndra Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe Personave pa Shtetësi, e vë theksin tek fakti që numri i shqiptarëve që kërkojnë azil mbetet i lartë, pavarësisht se vendi ynë konsiderohet si një vend i sigurt. Argumentet më kryesore që dëgjohen nga shqiptarët janë shkaqet ekonomike, një arsye kjo që nuk merret parasysh në dhënien e të drejtës së qëndrimit. Nisur nga këto rrethana, shkalla e pranueshmërisë së kërkesave të shqiptarëve ka qrnë e ulët dhe në nivelin 6.5%. Autoritetet franceze nxisin edhe njëherë shtetasit që vijnë nga vendet e sigurta që të mos ndërmarrin udhëtime, pasi nuk kanë asnjë shans për të përfituar azil për rrethana financiare. Për t’u theksuar është fakti se, vala e fundit e azil-kërkuesve që ka përfshirë Europën është më e madhja që është ndeshur pas më shumë se 40 vitesh. Gazeta më e madhe në Francë “Le Figaro” shkruan se, numri i kërkesave për azil është rritur në nivel historik, duke shënuar mbi 100,000 aplikime. Vendin e parë e zënë shqiptarët, duke u renditur edhe para vendeve në konflikt të Lindjes së Mesme. Numri i kërkesave për azil në Francë është rritur ndjeshëm, duke tejkaluar shifrën prej 100,000 kërkesave (janë plot 100,412 kërkesa). Një rritje prej 17% gjatë 2016, raporton “Le Figaro”. Kjo shifër e dhënë të hënën nga Zyra Franceze për mbrojtjen e refugjatëve dhe personave pa shtetësi (OFPRA) përfaqëson një rritje historike, thotë drejtori Pascal Brice. E megjithatë kjo shifër nuk merr parasysh dhjetëra mijëra kërkesave që janë vendosur nën marrëveshjen e Dublinit, dmth. ata që tashmë kanë provuar fatin e tyre në një vend të Bashkimit Europian, si p.sh. Gjermania apo Italia dhe kanë shkuar më pas në Francë. Këto në parim duhet të kthehen në vendin e pritjes së parë. Franca është një nga vendet evropiane ku kërkesa për azil është më e larta, duke u renditur pas Gjermanisë. Megjithatë, numri i pranimeve që lejon aplikantët të bëhen refugjatë ka rënë nga 38% në vitin 2016 në 36% vitin e kaluar (2017). Sipas Pascal Brice, kjo shpjegohet me situatën e shtetasve shqiptarë. Në vitin 2017, vendi i parë i origjinës së azilkërkuesve ishte Shqipëria, me 7 630 aplikime (përjashtuar të miturit shoqërues). Kjo është një rritje prej 66%, krahashuar me vitet e mëparshme. Meqenëse Shqipëria konsiderohet një vend me “origjinë të sigurt”, OFPRA ka dhënë azil vetëm për 6.5% të aplikantëve shqiptarë. Ky fenomen është i lidhur me emigracionin ekonomik, është shprehur Pascal Brice. Shifrat e aplikantëve shqiptarë janë shqetësuese për autoritetet franceze, të cilat kanë nisur verën e kaluar një plan veprimi për të luftuar rrjetet e emigracionit të paligjshëm në bashkëpunim me palën shqiptare. Po të shohim grafikun më poshtë, dallohet qartë se në 2016 kanë kërkuar azil në Francë rreth 5 mijë persona, ndërsa në 2017 numri ka shkuar në 7 600. Në vend të dytë është Afganistani me 5 987 kërkesa për azil ose + 6% krahasuar me vitet e mëparshme. Ata kanë marrë azil në masën 83%. Por emigrantët afganë që arritën vitin e kaluar në Francë janë padyshim më të shumtë. Në të vërtetë, një numër i madh i tyre ndodhen nën procedurën “Dublin”, veçanërisht, pasi kanë aplikuar më parë në Gjermani. Pastaj vijnë shtetasit e Haitit me 4 934 kërkesa të paraqitura, pastaj sudanezët me 4486 aplikime, etj. Në vitin 2017, rreth 43 000 persona kanë marrë statusin e refugjatit në Francë, ose 17% më shumë se në vitin 2016.

Në krye të listës edhe në Irlandë

Shqiptarët vijojnë të kryesojnë listën e vendeve azilkërkues në vendet e Bashkimit Europian. Shqiptarët renditen përkrah shtetasve nga Afganistani, Zimbabve, Siria, Nigeria apo Brazili edhe në Irlandë. Një nga vendet e cila ka pasur shumë largime si azilkërkues ka qenë Shqipëria, por edhe shkalla e refuzimit ka qenë e lartë. Irlanda ka qenë vendi që ka refuzuar më shumë kërkesa për azilkërkuesit.
“The Irish Times” shkruan se, përgjatë vitit 2016 shumë prej shtetasve që iu referua hyrja në Irlandë ishin shqiptarë dhe krahas tyre kishte edhe nga Pakistani, Afrika e Jugut, Brazili. Përgjatë 2016-ës rreth 3 mijë shtetas u detyruan të lënë Irlandën, nga të cilët 408 ishin shqiptarë. Ndërkohë brazilianë ishin 483, 231 nga Afrika e Jugut dhe 132 nga Pakistani.
Në raport me 2015-ën, numri i shqiptarëve që kërkonin azil në Irlandë ishte rritur, por gjithashtu edhe refuzimet për hyrje. Kështu referuar statistikave, në këtë vit iu është mohuar hyrja e 338 shtetasve shqiptarë, 127 pakistanezë dhe 123 nigerianë. Gjithashtu, rreth 118 kinezëve, 96 afganëve, 70 zimbabve, 68 ukrainasve dhe 52 sirianëve iu refuzua hyrja. Në vitin 2014, 252 shqiptarë, 168 afrikanë të jugut, 156 brazilianë, 110 kinezë dhe 109 malaviane u bllokuan të hynin në Irlandë.

Dy problemet para koalicionit të madh

Unioni dhe socialdemokratët duan të përhapin optimizëm lidhur me raundin e parë të bisedimeve për mundësinë e një koalicioni të ri. Por në ditët e ardhshme do të shihet gatishmëria për kompromis. Raundi i parë i bisedimeve të dielën ka kaluar në një atmosferë të hapur, u shpreh Sekretari Përgjithshëm i SPD-së, Lars Klingbeil. Të gjithë e dinë se nuk është më e mundur një “le të vazhdojmë kështu”. Krerët e partive konservatore kristiandemokrate CDU dhe kristiansociale, CSU zhvilluan bisedimet e para të dielën dhe theksuan nevojën e reformave të gjera në Gjermani dhe Europë. “Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi për të ardhmen e Gjermanisë dhe Europës”, tha politikani socialdemokrat në një prononcim pas takimit.
Në prononcimin e dakorduar me partitë e tjera theksohet se ekziston vullneti i fortë, që deri të enjten të ketë një rezultat të bisedimeve testuese. Gjermania gjendet “në një kohë të re. Kjo kohë e re ka nevojë për një politikë të re”. Klingbeil theksoi se “e shohim që politika duhet të ndryshojë”.
Pavarësisht presionit për reforma dhe dallimeve të dukshme, ndërmjetësuesit shprehen optimistë, se mund të arrihet ujdia. Unioni kërkon një koalicion me bazë të gjerë, por SPD-ja e ka lënë të hapur rifreskimin e koalicionit të mëparshëm.

Refugjatët dhe sigurimi qytetar – tema debati
Sipas ministrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel koalicioni ka bërë gabim në vitin 2013 që u përqendrua shumë më tepër në politikën e brendshme dhe jo tek Europa. Ka ardhur koha që të japim përgjigje për propozimet për reforma të presidentit francez, Emmanuel Macron, tha Gabriel për televizionin gjerman, ARD.
Ndërsa kancelarja Merkel para takimit theksoi, se para një qeverie të re ndodhen detyra të mëdha. Pikat kryesore të debatit janë politika e migracionit dhe sigurimi social qytetar për të gjithë i kërkuar nga socialdemokratët.
Këtë të hënë CDU, CSU dhe SPD vazhdojnë bisedimet për mundësinë e koalicionit në grupet e specializuara dhe ato për Europën. Krerët e CDU, CSU, dhe SPD-së e kanë marrë vetë në dorë temën për Europën. Të hënën, ata diskutojnë për të ardhmen e unionit. Nuk dihet, nëse do të publikohen rezultate, sepse ndërmjetësuesit nuk do të japin hollësi për negociatat. Do të ketë vetëm një deklaratë të përditshme për zhvillimet aktuale lidhur me bisedimet për koalicion.

“Bëhet fjalë për vendin, jo individin”
Edhe zëvendëskryetarja e partisë CDU, Julia Klöckner është shprehur para fillimit të bisedimeve të dielën, se “bëhet fjalë për vendin, dhe jo për partitë apo individë të veçantë”. Ajo që dihet, theksoi Klöckner, është që duhet të ketë gatishmëri për kompromise për të krijuar një qeveri të stabilizuar. Ndërsa politikania socialdemokrate, Malu Dreyer këshillon që “të mos e vendosim në krye të axhendës çështjen e refugjatëve”. Në bisedimet për Xhamajkën tha ajo, tema të rëndësishme si barazia në politikën shëndetësore, kujdesin ndaj të moshuarve, papunësia apo ndërtimi i apartamenteve të reja kaluan në plan të dytë. Kjo nuk duhet të ndodhë tani, tha ajo për gazetën “Frankfurter Allgemeinen Zeitung”.
Deri të premten e javës së ardhshme, partitë kryesore si ajo kristiandemokrate CDU dhe kristiansociale, CSU dhe partia socialdemokrate, SPD duan të krijojnë qartësi, nëse krerët e partisë do t’u rekomandojnë organizmave të partisë futjen në bisedimet e koalicionit. Lidershipi socialdemokrat ka nevojë edhe për miratimin e bazës së partisë për të filluar bisedimet për koalicion me konservatorët. Votimi do të bëhet më 21 janar në Bonn.

BE rrezikon të përmbytet prej mbeturinave plastike

Deri tani më shumë se gjysma e mbeturinave plastike të botës eksportoheshin për në Kinë, por Pekini vendosi tani t’i ndalojë ato. Aktivistët kinezë të mjedisit gëzohen, por Gjermania gjendet para një problemi.
Mijëra tonelata mbeturina plastike grumbullohen çdo vit në vendet e industrializuara dhe shpesh ato përfundojnë në Kinë. Deri tani edhe Gjermania dhe shtete të tjera të BE-së kanë eksportuar në shkallë të gjerë mbeturina plastike nga Evropa.
Vetëm Gjermania ka dërguar në Kinë në vitin 2016 rreth 560.000 ton mbeturina plastike. Kjo përbën rreth një të tretat e eksporteve të përgjithshme të BE-së që ka eksportuar në këtë vit në Kinë 1.6 milion ton mbeturina plastike.
Në Kinë ligjet për mbrojtjen e mjedisit janë më liberale dhe shpenzimet për përpunimin e mbeturave më të ulëta. Kina i përpunon mbeturinat plastike dhe prodhon me to korniza për dritare apo objekte të tjera të ngjashme.

Plehrat të sëmurin
Zona të tëra në Kinë jetonin deri tani prej seleksionimit të mbetjeve për nxjerrjen prej tyre të lëndëve të para. Familje të tëra punojnë dhe jetojnë në kushte të mjerueshme, në fushat e grumbullimit të plehrave.
Në Guiyu, për shembull, një qytet në jug të Kinës, ku seleksionohen pajisje elektrike, mjekët kanë konstatuar nivele të larta plumbi në gjakun e 80 për qind të fëmijëve të ekzaminuar. Gjërat që nuk mund të riciklohen, derdhen shpesh në lumenj dhe në fusha dhe në fund përfundojnë tek frutat, primet apo ushqimet e tjera.

Rritje e vetëdijes mjedisore
Tani Pekini zyrtar vendosi ta ndalë importimin e mbeturinave nga Evropa. Me rritjen e mirëqenies në vend Kina prodhon tani vetë më shumë mbetje dhe po bëhet më e vetëdijshme për mjedisin. Kudo në të gjithë vendin po ndërtohen impiante moderne riciklimi dhe djegieje.
Aktivistët kinezë të mjedisit po festojnë për këtë sukses. Sipas tyre ky vendim i qeverisë është një kontribut për zgjidhjen e problemeve të rënda mjedisore të Kinës.

Problem për Evropën
Shumë vende, si Gjermania, nuk kanë më tani mundësi të eksportojnë 24 lloje mbeturinash që janë përfshirë në listën e importeve të ndaluara. Tani ato duhet të mendojnë për të gjetur shpejt alternativa, sepse BE-ja është në rrezik të përmbytet prej mbeturinave plastike.
Megjithë sistemin e ndarjes së plehrave dhe mbeturinave, Gjermania është ende një nga prodhuesit më të mëdhenj të mbetjeve plastike në BE për shkak të mungesës së vetëdijes për këtë problem. Po ashtu në Gjermani si dhe në vende të tjera të BE-së kostot për përpunimin e mbeturinave janë mjaft të larta dhe për këtë mendohet se një pjesë e madhe e tyre do të përfundojë përsëri në detra dhe oqeane.

Senatori Flake dhe incidenti me diplomatët amerikanë në Kubë

Senatori republikan Jeff Flake i Arizonës, anëtar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë gjetur prova se diplomatët amerikanë në Havana ishin viktima të sulmit me një armë të panjohur.
Senatori Flake, një mbështetës i uljes së tensioneve me Kubën, bisedoi me agjencinë e lajmeve “Associated Press” të shtunën, një ditë pasi ishte takuar në Havana me zyrtarë të lartë të Kubës, përfshirë ministrin e Jashtëm, Bruno Rodriguez.
“Ministria e Brendshme e Kubës po thotë se i ka treguar FBI-së se nuk ka dëshmi të një sulmi zanor. Edhe pse ky term është duke u përdorur, nuk ka dëshmi për një sulm të këtij lloji. Diçka ka ndodhur, nuk e dimë se çfarë ishte, por nuk ka prova se qeveria kubane sulmoi diplomatët këtu”.
Autoritetet kubane i kanë thënë senatorit Flake se FBI i kishte bërë të ditur se pas katër udhëtimeve në Kubë, agjentët e saj nuk kanë gjetur dëshmi se sëmundjet misterioze që pësuan diplomatët amerikanë ishin rezultat i sulmeve.
Senatori Flake tha se, informacionet sekrete nga zyrtarët e Shteteve të Bashkuara e kanë lënë atë pa arsye të dyshojë shpjegimin e autoriteteve të Kubës për incidentin, edhe pse ai nuk pranoi të diskutonte përmbajtjen e këtyre informacioneve.
Uashingtoni ka thënë se 24 zyrtarë të qeverisë amerikane dhe bashkëshortët e tyre u sëmurën në Havanë në shtëpitë e tyre dhe në disa hotele, duke filluar nga viti 2016.
Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson ka thënë se, ai është “i bindur se këto ishin sulme në qëllimshme”, por Shtetet e Bashkuara nuk e dinë se kush është prapa tyre.
Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr shumicën e diplomatëve të tyre nga Havana, duke cituar një rrezik shëndetësor, ndërsa detyruan shumë diplomatë kubanë të largohen nga Uashingtoni.

McMaster: Rusia synon të ndërhyjë në zgjedhjet e Meksikës

White House national security adviser H.R. McMaster listens to a question during a press briefing at the White House, Thursday, Nov. 2, 2017, in Washington. (AP Photo/Alex Brandon)

Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, H.R. McMaster, ka thënë se Kremlini ka nisur një fushatë të përsosur për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në Meksikë. Në një video të siguruar nga gazeta meksikane “Reforma”, McMaster i ka dhënë këto komente në Fondacionin Jamestown në Uashington. Më 15 dhjetor të vitit të kaluar, McMaster ka thënë se ka të dhëna për ndërhyrje ruse në zgjedhjet e Meksikës. “Kemi parë se kjo është një përpjekje e përsosur për të ndarë shoqëritë demokratike dhe për t’i shtyrë komunitetet kundër njëra-tjetrës”, ka thënë ai.
“Keni parë tashmë, shenja të kësaj çështje në fushatën për zgjedhjet presidenciale në Meksikë”, ka thënë McMaster pa përmendur ndonjë lloj specifik të ndërhyrjes. Ai ka shtuar se, qeveria amerikane ishte e shqetësuar nga përdorimi i mjeteve kibernetike nga ana e Kremlinit për të nxitur propagandën dhe dezinformimin. Agjencitë e Inteligjencës amerikane kanë ardhur në përfundim se Rusia ka tentuar të ndërhyjë në zgjdhjet presidenciale më 2016 në Shtetet e Bashkuara, në të mirë të republikanit Donald Trump dhe dëmtimit të imazhit të rivales së tij demokrates, Hillary Clinton.
Kremlini i ka hedhur poshtë disa herë këto akuza.
Meksikanët do të votojnë në muajin korrik në zgjedhjet presidenciale. Enrique Pena Nieto, nuk ka të drejtë kandidimi për shkak të kufizimeve kohore. Sondazhet tregojnë se kandidati majtist, Andres Manuel Lopez Obrador, që po kandidon me një platformë kundër korrupsionit dhe ka qenë udhëheqës i Meksiko Sitit, ka mundësi për të fituar presidencën. Disa ekspertë kanë thënë se Lopez Obrador është i preferuar edhe nga Kremlini dhe ka pasur mbulim pozitiv në mediat shtetërore ruse.

Raporti: Me të ardhura më të ulëta për frymë edhe se Bosnja

Harta për sa i përket konsumit dhe të ardhurave për frymë tregon mjaft qartë ndarjen e Europës në dy fusha kryesore: Gadishulli Iberik me gjithë pjesën qendrore lindore të kontinentit janë ndër rajonet ku konsumohet më pak sesa mesatarja evropiane, ndërsa Evropa Qendrore Perëndimore me Britaninë e Madhe dhe vendet e Veriut janë mbi vlerën mesatare. “Il Sole 24 Ore” ka publikuar hartën e të ardhurave për frymë dhe konsumit, duke iu referuar të dhënave të Eurostat.
Renditja e konsumit kryesohet nga Norvegjia (133% e mesatares europiane), e ndjekur nga Luksemburg (132) dhe Zvicra (128), siç shihet nga ngyra më e thellë e gjelbërt në hartë. Diametralisht të kundërta, të treguara me ngjyrë të ndritshme të kuqe, ju mund të gjeni të gjitha vendet e Gadishullit Ballkanik me nivelin më të ulët që e ka Shqipëria (37% e mesatares europiane), pak e distancuar nga Maqedonia dhe Bosnja (nivel mbi 41%).
Rasti i Italisë që përfaqëson pothuajse në mënyrë të përkryer vlerën mesatare europiane (98) është gjithashtu kurioz, siç dëshmohet edhe nga ngjyra afër të bardhës, një tregues i qartë viziv i tranzicionit mes dy tendencave të mëparshme të kundërta.
Siç është theksuar në hartë (madhësia e ikonës) dhe tendenca (zbritëse) të kolonave në lidhje me kombe të veçanta në dy harta, sa i përket renditjes evropiane të prodhimit të brendshëm për frymë, në vend të parë është Luksemburgu (258% e mesatares europiane) me të paktën 75 pikë përqindje diferencë me Irlandën (183) dhe Zvicër (161), të dytë dhe të tretë respektivisht. E fundit sërish Shqipëria.
Edhe në këtë rast, Italia ka një produkt të brendshëm bruto për frymë absolutisht afër mesatares me pjesën tjetër të Europës (97), përfundon artikulli i “Il Sole 24 ore”.

Shqipëria, jo vetëm e fundit në Europë, por edhe me përkeqësim

Për vitin 2016, të ardhurat për frymë të shqiptareve ishin sa 29% e mesatares së BE, nga 30% që ishin në 2014-ën. Shtetet e tjera të rajonit kanë ecur të gjitha përpara. Bosnja, që dikur ishte më poshtë se ne, tashmë ka mbërritur në 32% të mesatares së BE. Edhe Serbia, pas rënies relative në 2015, ka rikuperuar treguesin në 37% të mesatares së BE. Nivelin më të lartë të PBB-së për frymë në rajon e ka Mali i Zi, sa 45 për qind e mesatares së BE-së. Të dhënat janë publikuar më herët nga “Monitor”.
Pas Mali të Zi, renditet Serbia dhe Maqedonia, ku të ardhurat për frymë janë sa 37 për qind e mesatares europiane. E parafundit renditet Bosnja, me tre pikë për qind më shumë se Shqipëria, ku të ardhurat për frymë në 2016-ën shënuan sa 32 për qind e mesatares së BE-së. Të gjithë vendet e rajonit e kanë përmirësuar treguesin e të ardhurave për frymë.
Mali i Zi është vendi që ka pasur përmirësimin më të lartë në rajon, nga 41 për qind në 2016-ën, të ardhurat për frymë i janë afruar mesatares së BE-së me katër pikë përqindje krahasuar me dy vjet më parë.
Përpos të ardhurave për frymë, ka rënë edhe treguesi i Konsumit Aktual Individual.
Konsumin Aktual Individual është tregues i mirëqenies materiale të familjeve në Europë. Ky tregues në Shqipëri është më i ulët jo vetëm ndër vendet e BE-së, por edhe në rajon. Në 2015-ën ishte sa 38 për qind e mesatares së Bashkimit Europian, ndërsa në 2016-ën sa 37 për qind, duke pësuar rënie me një pikë përqindje.
Nivelin më të lartë të këtij treguesi në rajon e ka Mali i Zi, ku Konsumi Aktual Individual është sa 56 për qind e mesatares së BE-së (dyfish më shumë se Shqipëria). Më pas renditet Serbia, ku treguesi ACI është sa 47 për qind e mesatares europiane. Maqedonia dhe Bosnja kanë të njëjtin nivel të treguesit të Konsumit Aktual Individual më 41 për qind.
Vendet e rajonit e kanë përmirësuar treguesin e Konsumit Aktual Individual, dhe ritmin më të lartë të përmirësimit edhe për këtë tregues e ka Mali i Zi, me një rritje prej 3% krahasuar me një vit më parë. Treguesi për Serbinë dhe Bosnjen ka qenë konstant nga 2014-2016-ën. Ndërsa Maqedonia ka pasur një rritje të lehtë prej vetëm një për qind.

Prodhuesit: Hapja e tregjeve na falimenton

Blerina HOXHA

Shqipëria është prodhuesi më i hershëm i perimeve në rajon, ka edhe detin, por turshinë e kastravecit e importojmë nga Maqedonia. Turshitë nga Maqedonia kanë zënë vend në tregun shqiptar, njësoj si mielli serb dhe birra e Kosovës, për shkak të çmimit të lirë. Por në momentin që do të aktivizohet zona e lirë tregtare në rajon si në BE, fabrikat që prodhojnë në Shqipëri nuk do të rezistonin as gjashtë muaj dhe ekonomia do të përballej me faliment masiv të industrisë.
Ky është paralajmërimi i zymtë që bën industria e prodhimit në vend, shqetësimi i së cilës nuk po merret në konsideratë, pasi edhe tani që përpjekjet për hapjen e tregjeve kanë filluar, prodhimet shqiptare e kanë humbur konkurrueshmërinë edhe në tregun e brendshëm në raport me mallrat e importit. Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë, është i alarmuar nga lehtësia me të cilën qeveria shqiptare po merr krijimin e tregut të përbashkët rajonal.
Shpejtësia dhe lehtësia me të cilat do të vijnë mallrat nga rajoni dhe më gjerë do të shkallmojnë tërësisht industrinë, – paralajmëron Arben Shkodra, dhe përveçse humbasim vendet e punës, rrezikojmë të kthehemi në importues.
Aktualisht, Shqipëria është deficitare në tregtinë me vendet e CEFTA-s ku bëjnë pjesë edhe vendet e rajonit të Ballkanit. Gjatë 10-mujorit 2017, importet nga këto vende shënuan 40 miliardë lekë, me një rritje vjetore 30% si pasojë e rritjes së importit të miellit serb dhe birrës nga Kosova.
Eksportet shqiptare u rritën gjithashtu, por me ritme më të ulëta se importet. Ato shënuan vlerë 34 miliardë lekë në janar-tetor 2017, me një rritje vjetore 25% të nxitura nga materialet e ndërtimit drejt Kosovës.
Taksat e larta dhe mungesa e politikave subvencionuese dhe incentivuese i ka bërë prodhimet shqiptare, sidomos ato të industrisë së agropërpunimit, inferiore edhe në tregun vendas ndaj prodhimeve nga Serbia dhe Kosova.
Importet e miellit dhe birrës janë rritur me ritme dyshifrore dy vitet e fundit, duke çuar në kolaps industrinë vendase. Sipas administratorëve, fabrikat po punojnë me 40% të kapacitetit dhe disa prej tyre kanë dalë në shitje. Për të paraprirë “cunamin” e produkteve të importit, sidomos me funksionimin e zonës së lirë tregtare në rajon, qeveria shqiptare ka dy zgjidhje.
Altin Furtuna, sekretar i Dhomës Turke të Tregtisë, thotë se, e para duhet të jetë vendosja e barrierave doganore për ato produkte që konkurrojnë në mënyrë jo të drejtë prodhimin vendas dhe, së dyti, duhen marrë masat që kanë të bëjnë me lehtësimin e kostove për prodhimet shqiptare, me qëllim bërjen konkurruese në tregun vendas. Vendosja e barrierave tregtare duhet marrë në konsideratë, pasi masat që lehtësojnë kostot kërkojnë kohë, – rekomandojnë ekspertët.
Vendet e Ballkanit janë angazhuar të respektojnë rregulla tregtare si BE deri në vitin 2023, çka do të thotë se, mallrat e fabrikave serbe të vijnë drejt në tregjet tona pa asnjë ndalesë dhe asnjë tarifë.
Muajin e kaluar, Kosova vendosi një tarifë 0.4 cent për çdo kilogram miell që importohet nga Serbia për të mbrojtur industrinë vendase të blojës nga konkurrenca e padrejtë. Serbia e subvencionon grurin dhe përpunimin e tij në të gjitha hallkat.
Fermerët marrin financime direkte për mbjelljen në fushë, ndërsa fabrikat e përpunimit marrin mbrapsht TVSH për çdo investim në makineri. Për pasojë, mielli serb konkurron në të gjithë rajonin me çmime të lira. Por, sipas rregullave të OBT-së, çdo vend mund të aplikojë masa mbrojtëse (të rrisë tarifat doganore) për çdo produkt importi, kur e vërteton se ai subvencionohet nga qeveria e vendit partner.

Sërish të fundit

Teksa vendet e rajonit kanë krijuar të gjitha strukturat, ndryshimet në legjislacion dhe po punojnë për të lehtësuar prodhimet e tyre nëpërmjet përmirësimit të infrastrukturës, Shqipëria ende nuk ka bërë takimin formal me prodhuesit shqiptarë për t’u informuar në lidhje me shqetësimet që kanë ato nga hapja e tregjeve, thotë zoti Shkodra, përfaqësuesi i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë. Serbia po përparon shumë shpejt për të përfituar nga plani “Berlin Plus” që qeveria Merkel ka për rajonin e Ballkanit. Ky plan është një mini Marshall për Ballkanin dhe synon të mbështesë me fonde direkte lehtësimin e tregtisë së përbashkët në rajon dhe masa që lehtësojnë infrastrukturën për lëvizjen e mallrave. Zoti Shkodra pohon se, Serbia po merr pozitat dominuese në këtë proces.
Qeveria e vendit atje po investon në infrastrukturën rrugore dhe atë hekurudhore për të siguruar lidhje të shpejta me BE dhe vendet fqinjë. Gjithashtu, ndryshimet në legjislacion dhe incentivat fiskale kanë përparuar shumë. Në Serbi, investitorët e huaj subvencionohen me gati 9 mijë euro për çdo vend pune të hapur, ndërsa çdo fabrikë vendase apo e huaj i subvencionohet TVSH-ja e makinerive dhe lëndëve të para. Për pasojë, disa produkte të prodhuara në Serbi janë bërë shqetësim edhe për Bashkimin Europian.
Departamenti i Tregtisë në BE hapi më herët këtë vit një hetim për prodhimin e çelikut në Serbi, pasi dyshohej se po konkurronte me pa të drejtë për shkak të politikave subvencionuese. Mirëpo të gjitha vendet e rajonit, në kuadër të krijimit të tregut të përbashkët, po identifikohen me përparësitë që disponojnë për t’i bërë ballë nesër hapjes së tregut.
Mali i Zi synon eksportin e shërbimeve turistike dhe shërbimeve të teknologjisë, teksa ka nisur punën për ndërtimin e një zone të lirë teknologjike. Maqedonia po synon të nxisë prodhimet e saj nëpërmjet kompanive të mëdha multinacionale dhe të teknologjisë së lartë, duke ju ofruar zonat e lira ekonomike pa taksa dhe me subvencione të vendeve të punës, tha për “Monitor”, Asip Useini, zv/drejtor i Zonës së Zhvillimit Ekonomik në Maqedoni. Bosnja gjithashtu ka gati ekonominë e shkallës për t’iu përgjigjur tregut në rajon, sidomos në industrinë përpunuese dhe automative, e trashëguar nga ish-Federata Jugosllave. Por Shqipëria duket se mbetet e paorientuar, pasi ende nuk ka shpallur një platformë se si do të pozicionohet në tregun e përbashkët dhe me çfarë duhet të konkurrojë.

Çfarë duhet bërë

Nisur nga përvojat e shumta që nga hapja e tregjeve në vitin 1990, Shoqata Shqiptare e Prodhuesve ka disa rekomandime se si mund t’i bëhet ballë hapjes së mëtejshme të tregjeve me rajonin dhe Bashkimin Europian.
Arben Shkodra nga Shoqata e Prodhuesve thotë se, një sërë ligjesh, VKM dhe udhëzimesh, procedurash dhe tarifash duhet të ndryshohen në mënyrë që të ulen kostot dhe të bëhet konkurrues prodhimin vendas. Shkodra thotë se, prodhimi vendas nuk duhet të ketë taksa vendore. Këto taksa duhen vënë ndaj magazinave doganore dhe ndaj mallrave të importit. Më tej duhet të aplikohen lehtësi procedurale, sidomos ato që kanë të bëjnë me procedurat doganore dhe duhet hequr urgjentisht një taksë për ambalazhin. Vetëm nga kjo taksë produktet tona kanë humbur konkurrencën në eksport, shprehet ai.
Shqipëria, sipas zotit Shkodra, duhet të aplikojë urgjentisht një regjim të veçantë për procedurat doganore për artikujt agroushimorë.
Duhet shmangur radha në dogana, pasi ushqimet prishen dhe skanimi nuk këshillohet për të gjitha produktet.
“Ne kemi probleme me skanimin. Për shkak të kanabisit, çdo eksport skanohet. Kjo duhet të bëhet me kampionim, thotë Shkodra.
Prodhuesit kërkojnë që të ulen kostot e energjisë elektrike në prodhim. “Nuk duhet të përdoren të njëjtat politika taksash si për magazinën e importuesit, edhe për atë të prodhuesit, nëse duam të kemi prodhimin vendas të lehtësuar. Ju keni parë që çmimi i birrës së importit është më i lirë se prodhimi vendas, pasi prodhuesi atje ka çmim më të lirë energjie dhe taksa më të ulëta në tërësi”, tha Shkodra.

Të konkurrojmë me produktet unike

Edhe pse rajoni po përshpejton ritmet e punës për të përfituar nga lehtësimi i tregtisë, Shqipëria ka pozitë të favorshme gjeografike, klimë me rreth 300 ditë diell, burime të pasura natyrore, të cilat mundësojnë prodhime, të cilat nuk gjenden në fqinjët tanë.
Zoti Shkodra thotë se, duhet të identifikojmë dhe të nxisim prodhimin e produkteve unike shqiptare të tilla, si cikli i mbyllur i veshmbathjeve, vajin e ullirit, ujin, peshkun dhe mineralet etj. Por fillimisht duhet të identifikohen produktet unike shqiptare, duke krijuar një lloj shporte, me të cilat mund të konkurrohet në tregjet rajonale.
Kjo shportë fillimisht duhet të evidentohet dhe pastaj të analizohet i gjithë cikli i prodhimit të secilit prej artikujve që më pas të lehtësohen me politika mbështetëse, të cilat duhet të udhëhiqen nga qeveria. “Për shembull, vajin e ullirit e kemi unik. Por më parë duhet të ndërtojmë një strategji se mund ta lehtësojmë vajin e ullirit dhe ta bëjmë atë të aksesueshëm në tregjet rajonale”, shprehet Shkodra.
Në këtë mënyrë duhet të trajtohet prodhimi i peshkut, ujit, perimeve etj. Por gjithsesi prodhuesit sugjerojnë që qeveria duhet të nxisë industrinë përpunuese për të rritur vlerën e prodhimeve shqiptare. Ata sugjerojnë se, në bazë të gjithçkaje duhet të jetë ekonomia komplementare. “Ne duhet të zhvillojmë prodhimin e produkteve me të cilat mund të jemi lehtësisht konkurrues në rajon”, rekomandon Shkodra.

Fillimisht masat mbrojtëse

Teksa lehtësimi i prodhimeve vendase kërkon kohë, ekspertë të tjerë të ekonomisë pohojnë se qeveria shqiptare duhet të vërë në zbatim masat mbrojtëse (rritjen e tarifave doganore) për produktet që konkurrojnë në mënyrë jo të drejtë prodhimet vendase. Altin Furtuna nga Dhoma Turke e Tregtisë pohon se, marrëveshja e OBT-së, në të cilën Shqipëria është anëtare që në vitin 2000, në artikullin VI mbi tregun dhe tarifat, përcakton se çdo qeveri mbështet në termat e të ardhurave dhe politikave fiskale prodhimin vendas, por nga ana tjetër, vendet importuese kanë të drejtë të marrin masa mbrojtëse në përputhje me këtë artikull të së njëjtës marrëveshje, për të mbrojtur një nga industritë e saj në sektorin e prodhimit. Shqipëria nuk ka aplikuar asnjëherë të tilla masa për të mbrojtur prodhimin vendas dhe ka hapur të gjitha dyert për prodhimet e huaja.
Shtetet e Bashkuara kanë aplikuar barriera, nga të cilat njihen se janë ekzekutuar 368 masa mbrojtëse. Nga të cilat, 107 janë aplikuar ndaj produkteve kineze. Bashkimi Europian aplikon 310 masa të tilla. Jo vetëm vendet e zhvilluara, por edhe shumë vende në zhvillim, duke përfshirë Indinë që ka aplikuar 599 masa, Brazili 233 masa, Argjentina 239, Turqia 174, Afrika e Jugut 137, të cilat janë aplikuar për të mbrojtur industritë e tyre prodhuese.
Ekspertët pohojnë se mungesa e masave mbrojtëse po krijon shumë dëme në ndërmarrjet ekzistuese të industrisë së çelikut, birrës dhe blojës, teksa po pengohet avancimi i investimeve të reja.

Macron, do të zëvendësojë Merkel në BE?

Angela Merkel ishte ambijentuar prej kohësh me rolin drejtues në Europë. Por gjithnjë e më shumë, ajo po vihet në pikëpyetje nga Emmanuel Macron. E megjithatë të dy kanë nevojë për njëri-tjetrin.
Angela Merkel për vite me radhë luante violinën e parë në Europë, e askush nuk e vinte këtë në pikëpyetje. Pas fitores së Donald Trump në SHBA disa gazeta anglofone madje e cilësuan atë si “drejtuesen e botës së lirë”.
E kjo vlente deri para disa muajsh.Që pas zgjedhjeve parlamentare në shtator, Merkelit iu desh që të pranojë humbje të ndjeshme votash me partinë e saj kristiandemokrate, CDU. Kancelarja tani vetëm në detyrë ende nuk ia ka dalë që të krijojë një qeveri të re. Merkel si Mrs. Europa tani për tani është e përjashtuar.
Nga ana tjetër me Emmanuel Macron po ngjitet një yll i ri në skenën politike. I riu karizmatik Macron fitoi bindshëm zgjedhjet presidenciale në Francë kundrejt ekstremistes së djathtë Marine Le Pen. Më pas, ai ia doli edhe me veprën mjeshtërore të tij, duke reformuar tregun e punës pavarësisht rezistencës së fortë në vend. Të dhënat e mira konjukturore aktualisht po i japin edhe më shumë dorë atij. Kuotat e vlerësimit për të që fillimisht dukeshin në rënie, tani po rriten sërish. Në 40-vjetorin e lindjes së Macron në dhjetor shumica e francezëve thanë, se ai është “një president i mirë”. Ndërsa opozita e akuzon atë, se “vuan nga deliri i mbretit të Diellit”, sepse Macron në luftën elektorale pa aspak modesti u premtoi zgjedhësve një “presidencë jupiteriane”, në rast se do të fitojë. I gjithë vendi, që prej kohësh e kishte humbur besimin tek vetja, tani me Macron duket se është bërë sërish i vetëdijshëm.

Qendrim sovran në raport me djemtë e mëdhenj të botës
Duke i pasur krahët e lirë në politikën e brendshme, Macron e përballon me sovranitet edhe skenën ndërkombëtare: ai pati një darkë të shkëlqyer me Trump në kullën Eiffel dhe një pritje të Presidentit rus Vladimir Putin në kështjellën e Versailles, këto takime u pasuan me Konferencën Ndërkombëtare të Klimës në Paris, nismën për politikën ndaj Afrikës dhe tani vizitën tek Presidenti turk Erdogan. “Ai sërish po luan fort rolin tradicional të diplomacisë franceze, që angazhohet në mbarë botën, duke u nisur nga motoja, se çështjet e të gjithë botës kanë të bëjnë edhe me Francën dhe Franca duhet të marrë pjesë në to”, kështu e përshkruan Stefan Seidendorf, zëvendësdrejtori i Institutit Gjermano-Francez në Ludeigsburg, linjën e re të politikës së jashtme të Macron-it. Por ai shton, se Macron harron në këtë kontekst, që ai ka peshë vetëm “nëse prezantohet si europian”.
Megjithatë Macron pjesërisht dallon dukshëm prej partneres së tij të dëshiruar europiane Angela Merkel. P.sh. në rastin me Erdogan-in: Merkel në shtator kërkoi në fushatën elektorale, që të ndërpriten bisedimet e BE-së me Ankaranë për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut në Turqi, ndërkohë që Macron e quan Turqinë “një partnere të domosdoshme”. Një vizitë e Erdogan-it në Berlin aktualisht është e vështirë të përfytyrohet.
Edhe në stil dallojnë shumë Merkel dhe Macron në mënyrën se si komportohen me partnerët: Merkel ndonëse e kërkon vazhdimisht kontaktin me Trump-in, Putin-in apo Erdogan-in, ajo i përmbahet parimeve duke anashkaluar protokollin dhe krijon distancë të madhe. Ndërsa Macron përpiqet ta arrijë këtë ose përmes diplomacisë së madhe, ose duke luajtur mikun e ngushtë.

Një rol solo asnjëherë nuk ka qenë mirë për Europën
Revista amerikane “Time”, që pak kohë më parë e quante Merkel-in si “Gruaja Europë”, tani e quan Macron “drejtuesi i ardhshëm i Europës”. Por Stefan Seidendorf mendon, se nuk është mirë që një person, apo një vend të vihet në krye të Europës: “Gjithmonë ekziston rreziku, që nëse këtë rol drejtues duhet ta marrë një vend në BE, atëherë vendet e tjera të bashkëveprojnë nga zori ose të mos bashkëveprojnë dhe në thelb mund të bëjnë vetëm politikën sipas interesave të tyre kombëtare dhe jo politike europiane”. Ndaj si Merkel edhe Macron do të bënin mirë, që ta luanin së bashku këtë rol.

SHBA, reagime pozitive ndaj bisedimeve të ardhshme Phenian-Seul

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, tha se është “mirë për Shtetet e Bashkuara” që Korea e Veriut dhe Korea e Jugut kanë vendosur të angazhohen në bisedime të nivelit të lartë, por paralajmëroi se ambiciet bërthamore të Phenianit ende përbëjnë një kërcënim serioz për botën.
“Kjo është një situatë shumë e rrezikshme”, tha Haley për rrjetin ABC News të dielën.
Ajo tha se Shtetet e Bashkuara po vazhdojnë trysninë ndaj Koresë së Veriut për t’i dhënë fund zhvillimit të armëve bërthamore dhe paralajmëroi: “Ne gjithashtu mund t’i shkatërrojmë ata”. Ajo tha se nëse udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un do të niste një sulm bërthamor ndaj Shtetet e Bashkuara, “nuk do të jemi ne (Shtetet e Bashkuara) ata që do të shkatërroheshim”.
Në një fjalim nga vendpushimi presidencial Camp David, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se ai shpreson se bisedimet e reja mes Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut do të zgjerohen “përtej Lojërave Olimpike” dhe premtoi se Shtetet e Bashkuara do të marrin pjesë në kohën e duhur. Korea e Veriut pranoi ofertën e Koresë së Jugut për bisedime të nivelit të lartë rreth Lojërave Olimpike të premten.
Presidenti Trump dha një konferencë shtypi të pazakontë të shtunën nga shtëpia presidenciale e pushimit Camp David, ku u takua me ligjvënësit republikanë. Rreth bisedimeve të ardhshme mes Seulit dhe Phenianit, Trump tha: “Shpresoj se do të shkojnë mirë”.
“Nëse diçka mund të ndodhë dhe diçka mund të vijë nga ato bisedime, do të ishte e mrekullueshme për të gjithë njerëzimin. Do të ishte e mrekullueshme për botën. Shumë e rëndësishme”.
Presidenti tha gjithashtu se, ai kishte folur me kreun e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, i cili e falënderoi shumë për “qëndrimin e tij të ashpër”.
“Duhet të keni një qëndrim të caktuar dhe duhet të jeni të përgatitur për të bërë gjëra të caktuara dhe unë jam plotësisht i përgatitur për ta bërë këtë”, tha Trump, duke sugjeruar që gjuha e tij e ashpër ka ndihmuar të bindë Korenë e Veriut të ulet për biseda me atë të Jugut.
Kohët e fundit, udhëheqësi amerikan dhe ai koreano-verior kanë shkëmbyer komente thumbuese rreth arsenaleve të tyre bërthamore.
Të premten, Koreja e Veriut pranoi ofertën e Koresë së Jugut për bisedime të nivelit të lartë rreth Lojërave Olimpike. Bisedimet do të zhvillohen më datë 9 janar në zonën e çmilitarizuar ndërmjet dy Koreve.

Zarif, fqinjët po nxisin protesta në Iran

Ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, ka paralajmëruar vendet fqinje për nxitje të pasigurisë në vendin e tij, duke iu referuar protestave kundër-qeverisë, të cilat kanë shqetësuar Iranin në dy javët e fundit, transmeton AP.
Zarif i ka bërë këto komente gjatë një konference në Teheran gjatë ditës së sotme, duke theksuar qëndrimin e autoriteteve iraniane, i cili supozon se shtetet e huaja kanë lidhje me protestat në Iran.
Ai ka thënë se, “asnjë shtet nuk mund të krijojë një ambient të sigurtë për veten, duke krijuar pasiguri tek fqinjët”.
Agjencia zyrtare e lajmeve IRNA, e ka cituar Zarifin të ketë thënë se, “përpjekjet e tilla” do të dështojnë.
Autoritetet iraniane kanë thënë disa ditë më parë se protestat që fillimisht kishin nisur për shkak të pakënaqësive ekonomike e më pas kanë kaluar në tentim për të rrëzuar qeverinë veçse kanë filluar të zbehen.