15.5 C
Tirana
E premte, 11 Korrik, 2025

Real Madridi tentoi të blejë Kutinjon

Ditët e fundit të Philippe Kutinjos kanë qenë ndër më intensivet e jetës së brazilianit 25-vjeçar, por nuk bëhet fjalë për impenjimet e tij me Liverpoolin në fushën e blertë. Faza finale e bisedimeve mes Barcelonës dhe klubit anglez e përfshiu tërësisht edhe sulmuesin që vendosi veton për t’u bashkuar me çdo kusht me skuadrën katalanase. Sipas asaj që raporton “Mundo Deportivo”, ka pasur një tentativë nga ana e Realit të Madridit për t’i prishur negociatat falë forcës së parasë, por lojtari e kishte bërë zgjedhjen e tij prej shumë kohësh.
Plot 200 milionë euro mendohet se ofroi Florentino Perez dhe sigurisht që Liverpooli u josh nga kjo ofertë, por dëshira e lojtarit ndau përfundimisht hesapet dhe tashmë ai është plotësisht një lojtar i skuadrës blaugrana. Një tjetër prapaskenë interesante e ditëve të fundit është edhe ajo e nevojës së “The Reds” për të arkëtuar sa më shumë sepse financat e Liverpoolit nuk po kalojnë një moment të mirë, të rënduara ndjeshëm edhe nga blerja e mbrojtësit Van Dijk për 85 milionë euro.
Në fakt, Liverpool ishte gati për të pranuar ofertën fillestare prej 110 milionë eurosh dhe 40 bonuset, por publikimi i kompanisë Nike ku paralajmëroi transferimin, i ktheu bisedimet në pikën zero. Klubi i kuq e konsideroi këtë veprim si një thikë pas shpine që për më tepër prishte imazhin e Liverpoolit, duke refuzuar në këtë mënyrë edhe ofertën e Barcelonës. Hapin e radhës e hodhi vetë lojtari që u shpreh i gatshëm për ta paguar vetë ai diferencën që i ndante dy presidentët edhe pse në këtë rast bëhej fjalë për 30 milionë euro. Gjithsesi, Liverpooli e ndezi dritën jeshile vetëm mëngjesin e së shtunës edhe pse tentoi deri në fund ta mbante lojtarin deri në fundin e sezonit për ta transferuar në verë në Barcelonë.
Ndërkohë për këtë çështje ka ardhur edhe reagimi i paevitueshëm i njeriut të fundit që dëshironte ta humbiste një lojtar të tillë. Trajneri i klubit anglez, Jurgen Klopp thekson se klubi bëri gjithçka që braziliani të qëndronte, por ishte e pamundur të refuzonte ofertën e katalanasve. Ai e pranon se edhe vetë lojtari kishte këmbëngulur disa herë për t’u larguar dhe në këtë situatë nuk mund të bënte shumë për ta penguar. “Tashmë nuk është më një sekret që Kutinjo e ka dashur transferimin që në korrik kur Barcelona shfaqi interes për herë të parë. Philippe ishte këmbëngulës me mua dhe pronarët e klubit, madje edhe me shokët e skuadrës. Kjo lëvizje ishte e destinuar për t’u bërë. Pavarësisht kësaj ne e mbajtëm lojtarin në merkaton e verës duke shpresuar që ai do të ndryshonte mendim me kalimin e muajve. I siguroj tifozët se bëmë gjithçka për ta bindur”, theksoi trajneri gjerman në konferencën për shtyp. Në fund, ai i fton tifozët të shikojnë përpara edhe pse e kanë shumë të vështirë ta pranojnë largimin e yllit brazilian.

Blerja e Kutinjos

Nga raportimet, zbulohet prapaskena, sipas të cilës, treshja e Barcelonës, Lionel Messi, Luis Suarez dhe Ousmane Dembele detyruan trajnerin e katalanasve Ernesto Valverde të nënshkruajë me brazilianin e Liverpool, Philippe Kutinjo. Barcelona shkundi botën e futbollit, me blerjen e Kutinjos nga Liverpool për shumën rekord 160 milionë euro. Braziliani transferohet kështu në “Camp Nou” me detyrën për të zëvendësuar Andres Iniesta, koha e të cilit duket e përfunduar te klubi blaugrana. Por portali spanjoll “Diario Gol” pretendon se Messi, Suarez dhe Dembele detyruan Valverden të realizojë këtë blerje rekord për Barcelonën, të gjithë për arsye të ndryshme.
Thuhet se dy lojtarët me eksperiencë, Messi dhe Suarez i kërkonin vazhdimisht drejtuesve të Barças që të nënshkruanin me lojtarin e Liverpool, të shqetësuar për atë që ndodhi në merkaton e verës. Neymar u largua për te PSG për shumën rekord prej 220 milionë eurosh, ndërkohë që ofertat e katalanasve për Di Maria dhe Kutinjo u refuzuan nga PSG dhe Liverpool. Për rrjedhojë, Suarez dhe Messi mendonin të dy se Barcelona duhej të godiste fuqishëm me një superblerje në merkaton e janarit, në kërkim të trofeve sezonalë.
Si rezultat, trajneri Valverde depozitoi paratë për të plotësuar kërkesën e dyshes së sulmit blaugrana, duke blerë Kutinjon. Por, sipas “Diario Gol”, një rol të rëndësishëm në vendimin për blerjen e brazilianit luajti edhe Dembele. Barcelona ndjen se 20-vjeçari ka nevojë ende për kohë, përpara se të shndërrohet në një pikë referimi te ekipi katalanas. Në përpjekje për të mbuluar boshllëqet e tij, Barcelona rrjedhimisht lëvizi për blerjen e Kutinjo. Ndërkohë, Paulinho nuk vonoi të shprehë entuziazmin e tij për afrimin e bashkëkombasit në Katalonjë: “Kutinjo është një lojtar i shkëlqyer. Jam i sigurtë se do të na ndihmojë shumë”.
Inter ka fituar pothuajse 2 milionë euro e gjysmë nga transferimi i Kutinjo te Barcelona, por kjo shumë nuk mjafton që tifozët zikaltër ta harrojnë brazilianin, i shitur te Liverpool nga milanezët për vetëm 13 milionë euro më 2013-ën.
Fantazisti ka shpërthyer në Premier League, ku ka marrë edhe pseudonimin “magjistari i vogël”, duke u kthyer në një peng për Interin, siç kuptohet edhe nga fjalët e thëna nga Marco Materrazzi, një prej heronjve të “Triplete”.
“Marco Branca, të cilit i duhen bërë komplimentet për largpamësinë e tij, e ka marrë kur ishte akoma minoren”, ka thënë ish-qendërmbrojtësi zikaltër.
“Ka qëndruar te Vasco da Gama deri kur mbushi 8 vjeç, por erdhi gjithsesi në Milano për t’u stërvitur me ne për një javë. Ishte 15 vjeç dhe herën e parë që më doli përballë ma kaloi topin mes këmbëve dhe unë mendova: ‘Ky është një fenomen’”.

Van Gaal: “Manchester United u tregua i pabesë”

Louis van Gaal ka lëshuar një tjetër sulm thumbues ndaj Manchester United, duke insistuar në faktin se është trajtuar në mënyrë të tmerrshme nga klubi i “Djajve të Kuq”. Në vend të holandezit që u largua me kokën lart pas fitores së FA Cup 2016, u emërua portugezi Jose Mourinho, që pak muaj më parë ishte shkarkuar nga Chelsea. Në vijim u zbuluan prapaskenat, sipas të cilave “Special One” kishte patur kontakte me United që 6 muaj përpara emërimit në vend të Van Gaal.
“Mendoj se mënyra me të cilën më trajtoi Manchester United ishte e tmerrshme dhe e pabesë. Kam patur shumë kërkesa pune pasi u largova nga United. Përfaqësuesja belge dëshironte që të bëhesha trajneri i tyre. Por fatkeqësisht nuk munda të pranoj asnjë vend pune për një vit, për shkak të kushteve të përcaktuara nga Manchester United në kontratë. Kështu humba rastin në Belgjikë, mes shanseve të tjera, pavarësisht se mendoja që do të ishte një sfidë fantastike”, u shpreh Van Gaal.
“Jam penduar që e lashë të më ikte ai shans. Në aspektin e termave sportivë ishte një idiotsi. Por, në atë periudhë mendoja vetëm për mënyrën se si të hakmerresha ndaj United dhe t’i detyroja që të paguanin çdo qindarkë nga shuma e përcaktuar në kontratë. Krejt e kundërta ndodhi kur u largova nga Barcelona. Presidenti i atëhershëm Josep Núñez u soll me mua në mënyrë fantastike. Jo të gjithë në botën e futbollit janë falso”, rrëfeu Van Gaal për “De Volkskrant”.

Memushaj tek Bari

Ledian Memushaj, mesfushori i kombëtares sonë kuqezi, është drejt kalimit te një skuadër tjetër italiane, kësaj here në Seria B, te Bari. Aty do të gjejë një shqiptar tjetër, edhe ai pjesë e kombëtares së drejtuar nga Cristian Panucci, Migjen Basha. E përditshmja sportive italiane “Corriere dello Sport” bën me dije se drejtori sportiv, Sogliano, e ka mbyllur marrëveshjen me avokatin e mesfushorit të Beneventos, e cila parashikon: huazim me detyrimin e blerjes në rast të promovimit në Seria A të “Gallettos”. Pra, Bari godet me një blerje nga Seria A. Sean Sogliano punoi deri në mbrëmjen e vonë të së dielës për të mbyllur një negocim të rëndësishëm me Mario Giuffredi, avokatin e Ledian Memushajt (31 vjeç), mesfushori shqiptar i Beneventos.

Juventus, sytë nga Ozil

Juventusi është i gatshëm të lëvizë dhe të bëjë ofertë për Mesut Ozil, nëse lojtari i Arsenalit nuk i bashkohet Manchester United në merkaton e janarit, shkruan “Corriere dello Sport”. Turko-gjermani është jashtë kontratës në fund të sezonit dhe është lidhur me një ribashkim prej 40 milionë eurosh me trajnerin e tij të Real Madridit, Jose Mourinho, tashmë në “Old Trafford”. Megjithatë, nëse transferimi në fjalë nuk materializohet, atëherë Juventusi, i cili ka qenë admirues afatgjatë i Ozilit, do të kërkojë të krijojë një paketë për të nënshkruar me mesfushorin si një transferim i lirë dhe t’i ofrojë atij mundësinë për të luajtur në një ligë të re. Është një ide që rikthehet në skenë, në fakt. Dhe ndoshta nuk është rastësi që kthehet tani, sepse kushtet ekonomike ideale po piqen te bardhezinjtë, në përpjekje për t’u përballur me operacionin. Një marrëveshje e tillë ka, gjithsesi, jo pak “nëse”, që nuk varen direkt nga Juventusi.
Mesut Ozil do të largohet nga Arsenali për pesë muaj: në moshën 29-vjeçare, ai nuk do të rinovojë kontratën e tij, që i përfundon në qershor, pas pesë sezonesh me “Topçinjtë”, me të cilët ka fituar 3 Kupa angleze dhe 2 “Shields Community”. Juventusi e ndjek kampionin gjerman prej tri sezonesh. Bardhezinjtë nuk janë shprehur me dashje, por e ndjekin atë, madje edhe nga shumë afër. Herën e fundit, një vit e gjysmë më parë, kur dukej se Arsenali mund të dyfishonte pagën prej 8 milionë eurosh (duke përfshirë bonuset), u mendua për ta rivendosur në fokus të merkatos. Nuk ka qenë një pistë e suksesshme deri tani, por mbetet të kuptojmë se cila mund të jetë e ardhmja e numrit 11, që e konsideron aventurën e tij të mbyllur në Londër. Ne nuk po flasim për një operacion “të nxehtë” dhe më pak se kurrë të lehtë. Ozil është në “piacën” e futbollit europian, në radhë të parë i kërkuar nga Manchester United i Mourinhos, i cili ka një vlerësim të pafund për lojtarin, që e ka trajnuar te Real Madridi.

PSG tërhiqet nga Dybala

Lëndimi i Paulo Dybala ishte një dush i ftohtë për Juventusin, i cili do të jetë pa sulmuesin argjentinas për 30-40 ditë. Diçka shumë e vështirë në këtë moment, teksa bardhezinjtë do të përballen me ndeshjen e parë të fazës me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve kundër Tottenhamit. Një fillim i vështirë sezoni për “Joya”, për të cilin nuk ndalen së qarkulluari thashethemet në lidhje me një shitje të mundshme në fund të sezonit, me PSG në radhën e parë, në sajë të raporteve të mira me agjentin Mariano.
Në një intervistë me “La Stampa”, Nasser Al-Khelaifi, megjithatë, përgënjeshtron një interes konkret për Dybala: “Është e vërtetë se ka shumë lojtarë të mirë në ligën tuaj, jo vetëm Dybala. Nëse ne jemi të interesuar, kontaktojmë Juventusin. Agnelli është një mik i dashur, e kemi ndjerë këtë edhe më parë, por mund t’ju them se nuk është Dybala, çelësi për të ardhmen e PSG”. Presidenti i klubit, që është dominues i futbollit francez, foli edhe për mundësinë e një trajneri italian te skuadra e tij: “Conte dhe Ancelotti te PSG? Në Itali, ju keni lojtarë të mirë, klube të mira, trajnerë të mirë. Por tani për tani ne jemi të lumtur me trajnerin tonë, Emery”.

Shkarkimi i Çakos pak orë para vizitës së kreut të Antimafias italiane, a kishte Rama një ultimatum?

Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës për lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako.
Vendimi është formuluar pas propozimit të bërë nga Ministri i brendshëm, Fatmir Xhafaj mbi largimin nga detyra të zotit Çako.
Por çështja shtrohet pse vallë zoti Çako shkarkohet në këtë moment?
Sipas fjalëve të qeverisë, zoti Çako ndodhej në lulëzimin e karrierës së tij. Puna e Policisë është ngritur në “Olimp’ që nga koha kur ministër i Brendshëm ishte Tahiri- tanimë nën akuzë për bashkëpunim me bandat kriminale. Por është edhe momenti kur ‘gjysma’ e qeverisë Rama, LSI që qeverisi katër vitet e kaluara bashkë me zotin Çako, ka kontestuar rëndë misionin e këtij në krye të Policisë së shtetit.
Sot është e hëna kur pritet që vendin tonë ta vizitojë shefi i Antimafias Italianë, dhe me sa duket, duhej që të mos gjente në krye zotin Çako… Apo është vetëm një ditë pasi operacioni ‘Xibraka’ ku prodhohej kokainë në Librazhd, u dekonspirua, madje edhe u prishën provat nga Policia e Shtetit.
Apo shkarkimi ka lidhje me qëndromin ndaj ish- ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Të gjithë po thonë se qeveria po tenton me ‘jetë a vdekje’ që ta mbrojë. Por po thonë nga brenda klaneve se edhe Tahiri po kërcënon se ‘do të tregoj shokët’. Ndoshta për këtë arsye edhe i kanë hedhur ndër këmbë ‘kufomën’ e Çakos, dhe Tahiri merret ca ditë me këtë ‘lumturi’.
Bëhet akoma më e dyshimtë kur qeveria njoftoi se ministri aktual Xhafaj i ka shprehur falënderime zotit Çako për punën e mirë që ka bërë;…, por pas kësaj i ka thënë ‘ik në shtëpi”. A mos vallë e kanë larguar partnerët ndërkombëtarë pa dëshirën e askujt këtu brenda?!

Veritas.com.al

Kryemadhi: Rama nuk mban marrëveshjet as me familjen e tij

E pyetur nga gazetarët nëse i druhet një përçarje të opozitës për shkak se kryeministri Edi Rama në të gjitha thirrjet ndaj opozitës i është drejtuar kryedemokratit Lulzim Basha dhe jo Kryemadhit, kryetarja e LSI-së e pati të shpejtë përgjigjen.

Kryemadhi është kundërpërgjigjur se e njeh mirë Edi Ramën dhe se si i bën marrëveshjet kryeministri. Gazetarët e pyetën duke patur në mendje një marrëveshje të mundshme Rama-Basha si ajo e 18 majit.

‘Unë e njoh shumë mirë z.Rama, mos u shqetësoni! Është njeriu që kur bën marrëveshje është i jashtëzakonshëm dhe i prish nuk mban marrëveshje. Nuk bën marrëveshje as me familjen e tij.

Unë besoj te transparenca e marrëveshjeve dhe shërbimi ndaj qytetarëve.’, u përgjigj Kryemadhi.

Ndërsa më pas shtoi:

‘Unë jam e bindur edhe sot po të pyesni te tregu i Lali Erit në Baldushk, mund të pyesni fermerët që numri i gjelave është më i vogël. Peleshi mund të thotë që janë importuar nga jashtë…’.

Deputeti Shehaj: Pse jam i kërcënuar nga Rama

Deputeti i PD-së, Agron Shehaj, në një intervistë për “Gsh.al”, ka bërë një deklaratë të fortë. Shehaj është shprehur se ndihet i kërcënuar nga lidhjet e krimit me mazhorancën.

Ai shton se Rama mund t’i mbyllë gojën atij duke e akuzuar për evazion fiskal.

Shehaj shton se Kryeministri tashmë ka në dorë të gjitha institucionet dhe apelon për protesta masive.

Pjesë nga intervista:

Ju personalisht ndiheni i kërcënuar?

Shehaj: Absolutisht po. Asgjë nuk e ndalon Ramën të kërkojë të më mbylli gojën duke më akuzuar për evazion fiskal për shembull, apo ndonjë akuzë tjetër që mund të gatuajë. I ka të gjitha nën kontroll nga inspektorët, te shumica parlamentare për të më hequr imunitetin, te kryeprokurorja për të më hetuar dhe gjykatësit për të më dënuar. Prandaj ndarja e pushteteve është elementi themelor i demokracive liberale.

Mos po e bëni shumë të zymtë, po të ishte kaq keq do reagonin ndërkombëtarët?

Shehaj: Nuk flas dot për qëndrimin e ndërkombëtarëve, ata sigurisht kanë një vizion më të gjerë. Por po t’i pyesësh cili është prioriteti midis interesit të Shqipërisë dhe të vendit që ata përfaqësojnë, nuk kam dyshim se do ju thonë që ata janë këtu për të ndjekur interesin e vendeve të tyre në radhë të parë. Unë kam besim dhe jam i bindur që ata njëkohësisht punojnë për të mirën e shqiptarëve, por në disa raste për ta mund të ketë përparësi nevoja për stabilitet në Shqipëri. Personalisht kam shumë besim te ndërkombëtarët dhe si shqiptar jam shumë mirënjohës për çfarë bëjnë, por nuk mund të presim me shumë se ç’duhet nga ndërkombëtarët. Ata mund të na ndihmojnë, por vetëm shqiptarët mund ta bëjnë Shqipërinë.

Shkarkohet Haki Çako

Lirohet nga detyra kreu i policisë së shtetit, Haki Çako. Largimi i tij nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është bërë me propozim të Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, që më pas është miratuar dhe nga Këshilli i Ministrave. Në vend të tij është komanduar zevendës/drejtori Rebani  Jaupi.

Ministri Xhafaj thuhet se ka vlerësuar kontributin, angazhimin dhe përkushtimin e zotit Çako në drejtimin e Policisë së Shtetit gjatë viteve të fundit.

Ai ka një karrierë të gjatë në Polici dhe ka drejtuar me profesionalizëm struktura të niveleve të ndryshme.

Ministri Xhafaj, pati një takim gjatë të cilit e falënderoi Drejtues Madhor Çakon për punën dhe bashkëpunimin e deritanishëm, në përmbushjen e misionit të Policisë së Shtetit.

Megjithatë, realizimi i objektivave të këtij mandati qeverisës, në fushën e rendit dhe sigurisë publike, sfidat që e presin Policinë e Shtetit, kërkojnë një ritëm më të shpejtë dhe dinamikë të madhe pune.

Për këtë arsye është i domosdoshëm një lidership i ri, me energjitë të reja për të motivuar dhe çuar përpara punën e Policisë së Shtetit.

Puna e kësaj të fundit, domosdoshmërisht duhet të jetë e orientuar drejt rezultateve konkrete, me qëllim që t’u përgjigjet, kësisoj, më mirë kërkesave të kësaj faze të re dhe pritshmërive të larta të publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë ndaj Policisë së Shtetit.