19.5 C
Tirana
E premte, 11 Korrik, 2025

Rama liron edhe vrasësin Mark Frroku

Gjykata e Apelit ka ulur dënimin për ish-deputetin e mazhorancës, Mark Frroku. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Apelit. Frroku më parë ishte dënuar me 7 vite e 5 muaj burg, ndërsa Apeli i ka hequr akuzën e vrasjes dhe i ka ulur dënimin. Frroku është dënuar për fshehje pasurie dhe të ardhurat. Frroku kishte kërkuar pafajësi në Gjykatën e Apelit, por kjo e fundit i ka hequr 17 muaj nga dënimi, duke e dënuar me 6 vite burg.

Rama habit gazetën “The Times”: Fajin për drogën në Shqipëri e ka Italia

Një nga gazetat më të rëndësishme në Britaninë e Madhe, “The Times”, publikoi një reportazh nga Shqipëria me titull: “Gangsterët e kanë kthyer Shqipërinë në një shtet kanabisi”.

“Ndërsa po përgatitej për një tjetër dërgesë të madhe kanabisi për mafian siciliane, një nga trafikantët më të mëdhenj në Shqipëri, e bëri të qartë mospërfilljen e tij ndaj “Cosa Nostra”-s. “Do u hedhim disa kallashnikovë,” tha Moisi Habilaj në një bisedë të përgjuar. “Ata do të masakrojnë njëri-tjetrin, kujt po i plas, kjo është ajo që duan ata”.

Habilaj dhe banda e tij u arrestuan në vjeshtë nga policia italiane pasi kishin sjellë armë dhe më shumë se 3.5 ton kanabis në Siçili, një biznes me vlerë 20 milionë euro në vit. “Ne mund t’i kemi kapur ata, por lumenjtë e drogës nga Shqipëria në anën tjetër të Adriatikut nuk janë ndalur,” tha një hetues italian”, nis shkrimi i gazetës.

“Në anën tjetër të Europës, në Britani, trafikanti shqiptar Klodian Copja është burgosur në gusht bashkë me 41 të tjerë pasi ka importuar 60 milionë sterlina drogë, duke i bërë jehonë një raporti të policisë britanike se trafikantët shqiptarë kanë akses të konsiderueshëm në tregun britanik të trafikut të drogës”.

“Me lidhje direkte me furnizuesit kolumbianë, trafikantët shqiptarë janë pjekur tashmë, pas kaosit të vendit të tyre gjatë daljes nga sundimi komunist”.

Në shkrim theksohet se kryeministri shqiptar u ka kërkuar ndihmë partnerëve europianë për të goditur krimin.

Duke folur për gazetën, Rama refuzon që të marrë fajin për rolin në rritje të shqiptarëve në krimin global. Ai fajëson mafian italiane që u ka dhënë shqiptarëve ‘edukimin’ e tyre.

“Pasi mori detyrën në vitin 2013, Rama dërgoi policinë për të kapur 71 ton drogë në Lazarat, bashkë me më shumë se 400 armë automatike, një kundërajror, granatahedhës, mortaja dhe armë antitank. Në përgjigje, trafikantët punësuan një ushtri fshatarësh për të përhapur kultivimin në mbarë vendin, duke i dhënë ryshfet policisë lokale që të mbyllë sytë”.

Në shkrim theksohet se pavarësisht arrestimeve, ka shumë pak dënime për trafikantët e mëdhenj, ndërkohë që Rama fajëson për këtë gjendjen e drejtësisë në vend.

Qeveria ka në plan që të zhdukë mbjelljen e kanabisit këtë vit, por policia druhet se reduktimi i furnizimit do të ngrejë çmimet, duke i nxitur fermerët që të mbjellin sërish.

“Njerëzit kanë shumë imagjinatë,” thotë Julian Hodaj, zëvendësministër i Brendshëm. “Që të mos pikasen, ata shkojnë nëntokë, kështu që ne po monitorojmë shitjen e llampave dhe rritjen e çuditshme të përdorimit të energjisë nga fabrikat”.

Në shkrim theksohet fakti se kanabisi po mbillet tashmë nëpër bunkere dhe ish-baza ushtarake, reliket e Enver Hoxhës.

Letër për RD nga burgu i Spaçit

Ismail ÇALA

Me rastin e 27 vjetorit te gazetes Rilindja Demokratike.

6 Janar duhet te kete qene. 6 Janar 1991. Nuk di se si gazeta e pare e Rilindjes Demokratike hyri ne burg ate dite. Me vone mora vesh qe nje polic nga Repsi e kishte sjelle. Ne ishim te burgosurit e fundit politike te Spacit. Ate dite ishim mbledhur te salla e tevizorit bardh e zi. Asgje nuk kishte per te pare, por te burgosurit nuk largoheshin nga ajo stalle e ftohte. Prisnin gjith ankth te vinte gazeta, gazeta qe pikerisht ketij burgu i kishte munguar dekada me radhe.
Mua me mbanin si lexues te mire dhe ate moment nuk do ta harroj kurre. Gazeta erdhi, ishte palosur aq shume sa mu deshen disa minuta ta drejtoja dhe kur e ndjeva veten gati, nisa ta lexoja.
Ishte nje artikull shume i mire i asaj dite me duket. Tre kater rreshtat e pare i lexova pa mu dridhur zeri, por pas pak ndjeva nje dhimbje ne fyt, zeri mu mek. Bera nje pauze te shkurter dhe rinisa te lexoj. E pamundur… Kete lloj emocioni nuk e kisha provuar kurre.
Ju kerkova bashkvuajtesve te mi qe ta lexonte dikush tjeter. Nga salla e mbushur plot e perplot erdhi nje joooo e gjate, e bute dhe kembngulese.
Vazhdova dhe mes ngasherimash e mbarova ate shkrim, qe me thene te drejten cuditi jo vetem te burgosurit, por edhe policet qe si pa ndjere kishin hyre brenda.
Dite e ftohte ne Spac, dite e lume, dite dhimbjeje per mijera te burgosur qe hyne dhe nje pjese s’dolen me nga ai burg. Sa shume ishte i desheruar ai vend per ato rreshta, per ato rreshta magjike, per ato fjale te lira per te cilat sa e sa njerez e paguan me jeten e tyre.
Dola nga salla e ftohte…faqet i kisha me lot..faqet e malit mbi burg me shihnin cuditshem e me dukej sikur buzeqeshnin, sikur na thonin…rruge te mbare, ecje te mbare ne kete rruge qe e niset sot.
Kam shkuar edhe here te tjera ne Spac…faqet e malit jane po aty, por sec duan te me thone. Sikur jane te merzitur, te zhgenjyer me mua. Me duket sikur nenqeshin si me tallje. Sikur me thone qe kemi akoma rruge per te bere….
27 vjet perpjekje..27 vjet dhe Spaci eshte atje akoma e sikur tallet me ne.
Urime per 27 vjetorin e gazetes se pare te lire…Rilindjes Demokratike.

Zërat e lirë, e vetmja shpresë për t’u kthyer tek liria

Gazetarë, botues, publicistë e analistë, politikanë e personalitete të botës së televizionit u mblodhën dje në pritjen e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e mbajtur enkas me rastin e 27-vjetorit të gazetës “Rilindja Demokratike”, gazetës së parë opozitare në vend.
Mes batutash miqësore, trokitjen e gotave të verës, por dhe nostalgji, të pranishmit kujtuan e ndanë mes tyre momentet historike të viteve’90 që kulmuan në 5 janar ’91 dhe me themelimit e gazetës së parë opozitare në vend.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se “Rilindja Demokratike” është sot një nga të paktat media të lira në Shqipëri. Ajo është ndër të paktat media, që është në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo interesave të atyre që grabisin dhe dëmtojnë Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. “RD” nuk lufton për favore, por lufton për interesin publik.
Ai tha se, “Rilindja Demokratike” erdhi në jetë së bashku me pluralizmin politik dhe me lirinë e mendimit dhe të shpehjes. “Ajo arriti në skenën politike shqiptare si një uragan i fjalës së lirë, ishte drita e parë në errësirën mendore dhe shpirtërore që mbolli komunizmi. Asnjë institucion tjetër nuk ka bërë aq shumë për mbjelljen e ideve të demokracisë, të pluralizmit dhe evropianizmit se sa “Rilindja Demokratike”.
Askush tjetër nuk luftoi më shumë dhe më mirë gënjeshtrën, manipulimin, propagandën komuniste.
Askush tjetër nuk ka bërë më shumë se “RD” në fillimet e saj për kultivimin e një brezi të ri njerëzish të medias dhe të fjalës. Shumë nga ata që më vonë luajtën një rol të madh në median dhe demokracinë e vendit e mprehën penën në redaksinë e “RD”-së” u shpreh kreu i PD, Basha.
Kryeredaktori i gazetës “RD”, Bledi Kasmi e cilësoi 5 janarin e vitit 1991 si një ditë reflektimi që sot duhet t’i shërbejë më shumë se kurrë medias shqiptare, por gjithashtu edhe gjithë shoqërisë.
Në numrin e parë të gazetës në krye të saj kishte një postulat ku shkruhej se, “liria e gjithsecilit duhet të bëhet garante për lirinë e të gjithëve”. Sot pas 27 vitesh liritë e shqiptarëve po bien një e nga një bashkë me institucionet që do të duhet të ishin garante të atyre lirive të fituara.
Më 25 Qershor ka rënë e drejta e votës, e drejta për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur. E drejta themelore që u fitua bashkë me pluralizmin. Sot nuk ka më zgjedhje, por ka vetëm zgjedhë dhe nga zgjedha kanë rënë thuajse të gjitha institucionet. Ka rënë legjislativi, ka rënë ekzekutivi, drejtësia është në grahmat e fundit, ndërsa pushteti i katërt është në një luftë për mbijetesë”.
Duke bërë një paralelizim midis diktaturës dhe asaj që shqiptarët po përjetojnë sot, Kasmi tha se, “Diktatura e krimit ka mënyra më të sofistikuara nënshtrimi se diktatura ideologjike. Pa bërë shumë filozofi, ne si gazetarë do të duhet t’i drejtohemi njëri-tjetrit. A do pranojmë të poshtërohemi dhe nënshtrohemi, duke na quajtur kazanë, legen, injorant një Kryeministër me fjalor hajvani apo do të zgjedhim të bëjmë të njëjtën betejë sikurse bënë ata që themeluan “RD”, 27 vite më parë, duke vendosur dinjitetin të parin”.
Kasmi tha se, nuk janë ditë të mira për gazetarët sot në Shqipëri, por theksoi ai në kohë të vështira kanë lindur vizionarët. “Ne kemi dy detyrime ndaj shoqërisë sot. E para është e vërteta dhe e dyta akoma më e vështirë është t’i japim zë shumicës së heshtur. Me 25 Qershor 78% e shqiptarëve zgjodhën të heshtnin”, tha Kasmi. Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit, njëherëz edhe i PD-së, Edi Paloka, përmes një postimi në rrjetet sociale ka uruar 27-vjetorin e themelimit të “RD”-së. “Sot një urim nga zemra për gazetën që e para shpërndau fjalën e lirë në Shqipëri pas gati 50 vjet diktaturë. Krenar që isha një prej gazetarëve dhe drejtuesve të “Rilindja Demokratike” që nga ditët e para të saj. Respekt për të gjithë ata që kontribuan e vazhdojnë të kontribuojnë në “RD” .
Paloka shprehet krenar për vitet e kaluara si gazetar pranë gazetës “RD”, kohë kur ai ka qenë edhe një prej gazetarëve dhe drejtuesve të “Rilindja Demokratike” që nga ditët e para të saj. “Respekt për të gjithë ata që kontribuan e vazhdojnë të kontribuojnë në “RD” .Uroj të mos harrojnë se misioni i kësaj gazete që nga dita e parë e saj, ka qenë dhe mbetet shumë më i madh se sa thjesht dhënia e informacionit.
“RD” duhet të rilindi shpresën sa herë ajo të rrezikojë të shuhet e të forcojë besimin se asgjë nuk vlen më shumë se liria, sepse ajo është zëri i demokratëve, është zëri i Partisë Demokratike”, shkruan Paloka.

Historia, si një shans reflektimi

Shënim për 27-vjetorin e daljes së numrit të parë të gazetës “Rilindja Demokratike”

Astrit PATOZI

Përfytyroni tani për një çast të mos i kishim televizionet private, turmën e gazetave, që më shumë ndiqen për pasqyrën e mëngjesit, me dhjetëra platforma, që ofrojnë gati gjithçka ndodh në botë, portalet aq shumë në modë, që kanë mbirë si kërpudhat, por sidomos mungesën e rrjeteve të fuqishme sociale. Kjo ka qenë pak a shumë Shqipëria e përpara 5 janarit 1991, kur doli numri i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”, e cila, atë ditë dhe për ca kohë më vonë, ishte në një farë mënyre ajo që përfaqësojnë sot të gjitha këto mjete të panumërta informimi, të marra së bashku. Dhe për shkak se ishte e tillë, ajo u prit atëherë me aq dashuri dhe entuziazëm, duke thyer çdo rekord audience dhe vëmendjeje të ndonjë botimi tjetër shqiptar, gjë që vlen për të gjitha kohërat.
Kjo është arsyeja se përse data e themelimit të saj ka zënë tashmë vendin e vet në historinë e re të Shqipërisë dhe do të kujtohet gjithmonë me respekt prej të gjithë atyre që çmojnë dhe vlerësojnë rolin e fjalës dhe të shtypit të lirë në një shoqëri demokratike. Dhe po ashtu, kjo është arsyeja se përse nderimi për 5 janarin i kapërcen kufijtë e Partisë Demokratike, ndonëse ajo ka meritën e pamohueshme që e solli në jetë si krijesën e saj.
Natyrisht, përtej të qenit e para, si ajo që i hapi rrugën të tjerave, që shënoi fundin e shtypit të kontrolluar dhe të censurës në Shqipëri, “Rilindja Demokratike” ka pasur edhe historinë e vet, e cila mesa duket do të vazhdojë. Por për të nuk kam ndërmend të ndalem shumë, mbi të gjitha ngaqë mund të jem subjektiv për shkak të nostalgjisë, sepse është një gazetë, të cilën e kam drejtuar për 10 vjet.
Por një gjë mund të thuhet me siguri, që ajo nuk i afrohet fare lavdisë së themelimit, si akti solemn dhe si dita që përcaktoi, jo vetëm fatin e lirisë së fjalës në këtë vend. Është jashtë çdo dyshimi se, nëse kjo gazetë ka pasur ditë të mira, ato duhen kërkuar, kryesisht, kur Partia Demokratike ka qenë në opozitë dhe kjo ia shton asaj vlerat. Sepse e ka çuar, me dashje apo pa dashje, në rolin e natyrshëm që ka shtypi kudo në botën e qytetëruar.
Por po ashtu, nuk e teprojmë fare po të themi se mbijetesa plot me halle e “Rilindjes Demokratike” deri në ditët tona nuk na bën ndonjë nder të madh. Në kushtet e një inflacioni të madh të gazetave të pavarura, nevoja për të pasur ende një gazetë partie në tregun mediatik, është një deformim i pastër i sistemit, që duhet pranuar si i tillë. Fakti që edhe në ditët e sotme opozitës i duhet ende një gazetë partiake, është padyshim edhe përgjegjësi e qeverisë, por nuk mund të jetë e vetëm asaj.
Vite më parë, përkujtimet e “Rilindjes Demokratike” organizoheshin ndryshe. Ishte gazeta, që ftonte politikanët, duke përfshirë këtu edhe kryetarin e PD. Kurse sot është partia, ajo që fton gazetarët. Në dukje të parë nuk ngjan të jetë ndonjë problem i madh. Por edhe ky invers është një tregues i qartë i evolucionit në përkeqësim edhe në raportet e shtypit me politikën, ndonëse “RD” e ka shumë të lartë taksën në këtë aspekt, se është thjesht gazetë e vetëm një partie.
Por le ta lëmë “Rilindjen Demokratike” të ecë më tej në fatin e vet, të cilin uroj ta ketë sa më të bardhë, ndonëse për këtë nuk kam shumë shpresë.
Duke qenë se sot nuk është thjesht data e themelimit të një gazete, them se 5 janari mund dhe duhet të shërbejë si ditë reflektimi për të gjithë shtypin shqiptar. Ka kaluar më shumë se një çerek shekulli dhe ka shumë nevojë të kthesh kokën mbrapa. Sot brezi i gazetarëve të rinj të fillimviteve ‘90 janë në një moshë të pjekur fizike dhe profesionale. Unë kam qenë me fat që isha njëri prej tyre dhe bëra një copë rrugë bashkë me ta, derisa jeta dhe karriera ime morën një drejtim tjetër.
Jam i sigurt se shumë prej atyre që kanë spikatur dhe janë bërë të njohur për shkak të punës si gazetarë nuk janë të lumtur me gjendjen e shtypit sot. Teknologjia e lartë, pamjet HD, numri krejtësisht i ekzagjeruar i titujve të gazetave, televizioneve apo portaleve në Shqipëri nuk i fshehin dot plagët reale të medias sonë. Përkundrazi, i nxjerrin më shumë në pah, njësoj si ajo anekdota me majmunin, që sa më shumë ngjitet në palmë, aq më shumë i duket prapanica e zbuluar.
Natyrisht, ata që duan t’i bien shkurt e kanë të lehtë ta gjejnë justifikimin, e lidhin me politikën, si nënën e të gjitha të këqijave, dhe mbarojnë punë. Kjo përfshin një pjesë të madhe të vërtetës, por nuk është e gjitha. Pa asnjë dyshim që tek shtypi i sotëm i Tiranës gjenden gjurmët e goditjeve të kërbaçit, por edhe përkëdheljet apo miklimet e kulaçit të qeverive, nganjëherë edhe të opozitave me para apo me pushtet. Një sëmundje që ka ardhur duke u rënduar me kalimin e viteve.
Por për të qenë realistë, duhet pranuar që edhe reagimi ka lënë shumë për të dëshiruar. Edhe Kodi Penal i dënon gati njësoj, si atë që korrupton, ashtu edhe atë që pranon të blihet. Dhe askush nuk mund të thotë se nuk ka pasur rrugë tjetër. Sepse pavarësisht që ndikimi i medias në Shqipëri ka ardhur duke u zbehur, edhe për arsye profesionale, sërish shtypi ynë nuk ka qenë kurrë aq i dobët, sa të merrej përpara prej qeverive. Fatmirësisht kështu, por që, fatkeqësisht, në shumë raste kjo pozitën është shpërdoruar, për të njëjtat arsye që ka degraduar edhe politika.
Sipas meje, 27 vjet pas numrit të parë të “Rilindjes Demokratike”, shtypi shqiptar i tranzicionit duhet të konsiderojë mbylljen e një cikli dhe çeljen e një epoke të re angazhimi për të mbrojtur interesin publik, në përputhje me rrethanat e reja. Nuk besoj se duhet ndonjë sforcim i madh.
Natyrisht, që do të ishte më e udhës që kjo shkundje e shoqërisë të fillonte si lëvizje politike, pikërisht aty ku është origjina e së keqes. Nuk është çudi që kjo erë të fryjë dhe do të isha shumë i prirur që pikërisht kështu të ndodhte. Kjo do ta lehtësonte shumë kthesën e fortë të raportit të shtypit me publikun.
Por edhe nëse kjo gjë e shumëpritur do të vonohej, mendoj se mediat shqiptare e kanë forcën, i kanë kapacitetet, eksperiencën dhe aftësinë për t’i paraprirë një aksioni emancipues për shoqërinë, që do të ishte shumë më i efektshëm se sa të gjitha “mrekulllitë”, që ëndërrohen të arrihen nga reforma në drejtësi. Koha ka ardhur. Për të mos thënë që po kalon.

Rilindja Demokratike!

Nga Arian GALDINI

Vlora po ziente atë fillimjanari të vitit 1991. Në dt 6 janar do të bëhej në Sheshin e “Flamurit”, mitingu i parë i Partisë Demokratike. Ishte ftohtë, frynte erë si gjithmonë në qytetin bregdetar, por ajri dridhej krejt pashpjegueshmërisht nga një ndjesi e çdo njeriu që gjallonte aty në atë qytet. Njerëzit shiheshin në sy, por ende nuk guxonin të flisnin ndaj trandnin ajrin me shikimin dhe mendimet e tyre. Ditë e kohë të tilla janë të rralla në historitë e qyteteve dhe kombeve. Të gjithë ndjejnë njëlloj e të gjithë e shkundin ajrin vendit me sy e ndërmendje, pa folur. E folura ishte ose brohoritje e me hov, ose ende sakrilegj.
Kur ja, 1 ditë para se të vinte tokmbledhja për brohoritje, Vlora u shpupurit e tëra si një buqetë që bukurinë nuk e kishte më në bashkim, por në rendje.
Kishte dalë “Rilindja Demokratike”. Ishim mësuar me normalitetin e gazetave “Zëri i Popullit”, “Zëri i Rinisë”, “Puna”, “Bashkimi”. Por një gazetë që quhej “Rilindja Demokratike” ishte si të dëgjoje papritmas se në hënë ishte zbuluar pylli ku banonte gjyshja e Kësulekuqës.
Vlonjatët nuk u sollën vërdallë tek Kapelja atë 5 janar. As shkuan nëpër rradha për të marrë 80 përqindeshin, nuk vunë gurë në rradhën për vajguri, as u zgjuan në 3 të natës për të provuar fatin mos ia dilnin të blinin ndonjë shishe qumështi.
Të gjithë ishin vërsulur për tek 2 pikat e vetme ku shitej gazeta “Rilindja Demokratike”. Zënka e sherre të ububushme u bënë në përpjekje për të marrë secili kopjen e tij të “Rilindjes Demokratike”. U shamë të gjithë vlonjatçe, por nuk u urryem as u inatosëm. Donim vetëm të ishim ne, ata që e kishim secili të vetën kopjen e vet të parë të “RD”.
Në gjithë atë katrahurë që ndali jetën e qytetit, nuk ia dola dot mbanë që ta merrja kopjen time. E megjithatë, fill sapo mbaruan çjerrjet e xhaketëkapjet në rradhën për të blerë “RD”, të gjithë e lexuan kopjen e tyre e filluan tua shpërndanin atyre që nuk e kishin blerë dot.
Kush kishte një “RD” të blerë, nuk shkonte në shtëpi për ta lexuar vetëm e në qetësi. Jo asesi. Të gjithë qëndruan aty e ua jepnin të tërëve që ishin aty për ta lexuar.
Më erdhi edhe mua mundësia për të prekur me duar e për të lexuar atë “RD” të parë teë 5 janarit 1991. Nuk e harroj dot kurrë atë shfletim, atë aromë, atë zemërrahje për çdo emër që lexoja aty e çdo fjalë që përpija.
Të nesërmen e dija që do dilja në miting të brohorisja.
Ndërsa atë 5 janar, mu dha shansi të flisja. Po flisja me një gazetë. Po flisja me Kësulëkuqen në shtëpinë e gjyshes së saj në pyllin e zbuluar në hënë. Kishte ndodhur e pamemdueshmja, e pamundura.
E neve që kurrë nuk e kishim besuar se do vinte një ditë kur do të flisnim, me veten, me gazetën a njëri-tjetrin. Ne që kujtonim se e folura ishte vetëm zbrazëti fjalësh në shkreti mendimesh. Ne që të folurën e dinim si informacion politik a zënka nën efektin e kaçurrelit për revistën televizive, të hënën sportive apo festivalin e fundvitit. Ne që të folurën e dinim si sharje të imperializmit amerikan dhe revizionizmit sovjetik. Neve që të folurën e dinim si ndërkallje për të gjetur se kush e dinte më mirë se cili shofer punonte për vitin 2000, e cila Kooperative e Tipit të Lartë e kishte realizuar planin e grurit me 150%.
Atë 5 janar mësuam se ka një të folur tjetër. Mësuam se ka një të folur të lirë, me fjalë të peshuara e mendime të plota. Atë 5 janar mësuam se e folura me veten, me gazetën, me tjetrin, është njohje, zbulese, ndërtim. Atë ditë zbuluam se e folura nuk është Kësulekuqja në hënë.
Atë 5 janar e takuam të folurën këtu mes nesh, ndër ne, me ne.
“Rilindja Demokratike” na e bëri të folurën atë 5 janar, tokësore, të mundshme të prekshme. Prandaj, bëjmë mirë të mos harrojmë e gjithëherë ta kujtojmë njohjen e parë të së folurës.

“Guardia di Finanza” në ndjekje të gomones me drogë nga Shqipëria

Guardia di Finanza është vënë në ndjekje të një gomoneje me drogë të nisur nga Shqipëria. Burime nga Policia Kufitare bënë të ditur se, Guardia di Finanza është vënë në ndjekje të gomones me drogë që prej orës 16:00 të ditës së djeshme. Sipas të njëjtave burime, mjeti lundrues dyshohet se është nisur nga Karaburuni dhe ka për destinacion brigjet italiane. Bëhet e ditur gjithashtu se, gomonia është ndjekur fillimisht nga Guardia di Finanza në ujërat territoriale të Italisë, e më pas ka kaluar ujërat territoriale shqiptare dhe ka hyrë sërish në ato italiane.
Operacioni ka vijuar përgjatë gjithë natës së mbrëmshme për ndalimin e gomones në bordin e së cilës dyshohet se janë dy persona. Gomonia po ndiqet në Jug të Italisë. Në aksionin e kapjes së gomones përveç Guardia di Finanzas është përfshirë edhe policia shqiptare. Policia e Vlorës bëri të ditur se, në gadishullin e Karaburunit, në vendin e quajtur “Bristan”, midis shkëmbinjve, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 28 kg lëndë narkotike të ndarë në 5 pako.
Natën e Vitit të Ri policia italiane bllokoi një gomone me 800 kg drogë. Gomonia ishte nisur nga brigjet shqiptare. Gjatë operacionit janë arrestuar tre shqiptarë. Gomonia me drogë në Itali u kap në zonën e Salentos. Avioni i Guardia di Finanza u vu në ndjekje të gomones në ndihmë të njësive detare të Guardia di Finanza të Pulias që e kanë bllokuar në pjesën e poshtme të Adriatikut. Në bordin e saj janë ndaluar tre shtetas shqiptarë. Gomonia rreth 9 metra me dy motorë të fuqishëm fuoribordo ishte e ngarkuar me lëndë narkotike të llojit marijuanë.
Italia ka publikuar shifra alarmante të kapjes së shtetit nga mafia. Guardia di Finanza vlerësoi se, në Shqipëri çdo vit janë prodhuar më shumë se 900 ton për një qarkullim total prej 4.5 miliardë euro, ose një e treta të PBB-së së Shqipërisë. Fshatarët braktisin tokat e tyre masive, duke preferuar të punojnë në këto plantacione.

Shqiptari kapet në Itali me një “super-market” kokaine

Një supermarket i vërtetë droge u zbulua nga policia italiane, ndërsa në pranga përfunduan një shqiptar dhe një rumune. Arrestimet janë kryer në Brescia Trenzano, ku policia është vënë në gjurmët e dy të huajve të dyshuar si të përfshirë në aktivitetin e shitjes së drogës. Pas kontrolleve të ushtruara në trupin e shqiptarëve, u gjetën disa gram marijuanë si dhe një dyzinë eurosh të ardhura nga aktiviteti i jashtëligjshëm.
Kontrolli më pas është shtrirë në Coccagli, në shtëpinë e tyre ku janë gjetur 32 doza kokainë të gatshme për t’u shitur, 65 gram marijuanë, si dhe mbi 4 mijë euro, përveç disa telefonave celularë të përdorura për të komunikuar me klientët. Shqiptari është vendosur në masën e sigurisë arrest shtëpie deri në përfundim të veprimeve, ndërsa për vajzën është vendosur masa e sigurisë “detyrim me paraqitje”.
Ndërkohë, një tjetër 40-vjeçar shqiptar është arrestuar në Itali, pasi e kishte kthyer shtëpinë në bazë kokaine. Hetimet nisën në fillim të dhjetorit, kur mes njoftimeve të fqinjëve dhe më pas vëzhgimeve të policisë, vunë re lëvizje të çuditshme në një shtëpi në Ardenza. Atje jetonte një 40-vjeçar shqiptar dhe partnerja e tij rumune 24- vjeçare banuese në Pisano. Shtëpia frekuentohej kryesisht nga emigrantë të shumtë brenda një periudhe të shkurtër, çka ngritën dyshimet.
Kjo çoi në vëzhgimin e banesës, ku identifikuan ata që hynin atje dhe zbuluan që shtëpia ishte kthyer në bazë të trajtimit të drogës. Mëngjesin e së enjtes, i ndihmuar edhe nga qentë antidrogë, policia u vu në aksion ku gjeti 350 gram heroinë, e fshehur në një zarf brenda një qese plehrash.
Gjithashtu, policia ka sekuestruar edhe materiale për paketimin e dozave të drogës, peshore, makineri si dhe dy telefona BlackBerry të përdorur për të komunikuar me klientët.
Zakonisht, këta telefona konsiderohen paksa të vështirë për t’u përgjuar. Gjithashtu, policia ka gjetur edhe bizhuteri dhe mbi 2500 euro para të gatshme, të ardhura nga veprimtaria e shitjes së drogës. Mediat italiane bëjnë me dije se ka përfunduar në pranga 40-vjeçari shqiptari Aurel Zhupa, nën akuzën e posedimit me qëllim trafikun e drogës, ndërsa partnerja e tij po ndiqet penalisht në gjendje të lirë si bashkëpunëtore.

Shqiptarët kryesojnë listën e azilkërkuesve edhe në Irlandë

Shqiptarët vijojnë të kryesojnë listën e vendeve azilkërkues në vendet e Bashkimit Europian. Shqiptarët renditen përkrah shtetasve nga Afganistani, Zimbabve, Siria, Nigeria apo Brazili edhe në Irlandë. Një nga vendet e cila ka pasur shumë largime si azilkërkues ka qenë Shqipëria, por edhe shkalla e refuzimit ka qenë e lartë. Irlanda ka qenë vendi që ka refuzuar më shumë kërkesa për azilkërkuesit.
“The Irish Times” shkruan se, përgjatë vitit 2016 shumë prej shtetasve që iu referua hyrja në Irlandë ishin shqiptarë dhe krahas tyre kishte edhe nga Pakistani, Afrika e Jugut, Brazili. Përgjatë 2016-ës rreth 3 mijë shtetas u detyruan të lënë Irlandën, nga të cilët 408 ishin shqiptarë. Ndërkohë brazilianë ishin 483, 231 nga Afrika e Jugut dhe 132 nga Pakistani.
Në raport me 2015-ën, numri i shqiptarëve që kërkonin azil në Irlandë ishte rritur, por gjithashtu edhe refuzimet për hyrje. Kështu referuar statistikave, në këtë vit iu është mohuar hyrja e 338 shtetasve shqiptarë, 127 pakistanezë dhe 123 nigerianë. Gjithashtu, rreth 118 kinezëve, 96 afganëve, 70 zimbabve, 68 ukrainasve dhe 52 sirianëve iu refuzua hyrja. Në vitin 2014, 252 shqiptarë, 168 afrikanë të jugut, 156 brazilianë, 110 kinezë dhe 109 malaviane u bllokuan të hynin në Irlandë.
Referuar aktit të emigracionit të vitit 2004, një shtetasi i refuzohet hyrja në Irlandë nëse ka një dënim të mëparshëm për një vepër të rëndë ose nuk posedon pasaportë. Një oficer i emigracionit gjithashtu mund të refuzojë lejen për një shtetas të huaj, nëse ai mund të paraqesë kërcënim për sigurinë kombëtare.
Grupet mbështetëse të refugjatëve kanë ngritur shqetësime për mungesën e transparencës rreth procesit të emigracionit në aeroportet irlandeze. Një zëdhënëse e Këshillit irlandez për refugjatët shprehu shqetësim në lidhje me “mekanizmat” që përdoreshin për të bllokuar hyrjen dhe paralajmëroi se shumë njerëzve që u refuzuan të lënë tokën kur ata kishin mundësi shumë të vogël për qasje në këshilla ligjore dhe nuk kanë qartësi rreth të drejtave të tyre .
“Rreth 4,000 njerëz u refuzuan të lënë vendin në Irlandë vitin e kaluar, shumë prej të cilëve vijnë nga vende që ne e dimë se gjenden në situata të paqëndrueshme ose të paligjshme, duke përfshirë Irakun, Afganistanin, Somalinë, Eritrean, Libinë, Sirinë, Jemenin dhe Sudanin”, tha zëdhënësja.
Agjenci të ndryshme kanë bërë herë pas here reportazhe, duke alarmuar mbi situatën “e tmerrshme” të azilkërkuesve shqiptarë, kryesisht në Francë, ku ata netët e ftohta i kalojnë në parqet dhe nën urat e Francës. Më shumë se dyqind azilkërkues, gra dhe fëmijë, shumica nga Kosova dhe Shqipëria jetojnë në tenda, të cilat formojnë një kamp të paligjshëm në afërsi të stacionit të trenit Perrache në Lion të Francës, që ngjan me kampet e refugjatëve kosovarë gjatë luftës së fundit.
Ata nuk kërkojnë gjë veç një strehë për ta bërë gjumin e rehatshëm me fëmijët e tyre. Duan në ditë jo më shumë se 2 kg bukë dhe 1 kg perime dhe pak kripë. Por deri tani këto kushte minimale për jetesë askush nuk ua ka ofruar. Përveç deklaratave të ministres së Integrimit, Çitaku, e cila pas kthimit nga Beogradi kërcënoi refugjatët kosovarë me policinë.
Në këtë rajon të Francës janë 200 shqiptarë nga Kosova, të cilët po vazhdojnë të kalojnë natën e ftohtë me fëmijë e gra shtatzëna nën urat e Francës. Shumë prej fëmijëve janë sëmurë dhe i janë drejtuar emergjencës. Veç këtyre halleve për bukë, veshje e shëndetin e fëmijëve, këta azilkërkues tani po ballafaqohen edhe nëpër gjyqe.

60 oficerë të policisë drejt largimit, nuk fituan çertifikatën e sigurisë

60 efektivë të Policisë së Shtetit me grada të niveleve zbatuese, të mesme dhe të larta, iu janë refuzuar çertifikatat e sigurisë nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe strukturat përkatëse në Policinë e Shtetit. Arsyet kanë qenë nga më të ndryshmet, që nga incidentet që ata mund të kenë pasur në radhët e policisë, probleme të vërejtura gjatë hetimit të dosjeve të ndryshme, vërejtje të dhëna nga eprorët e deri tek probleme të mundshme me deklarimin e pasurisë.
Pajisja me çertifikatë sigurie pritet të jenë një element i rëndësishëm në përcaktimin e karrierës së shumë prej efektivëve që duhet të vijojnë karrierën në nivele të larta. Po ashtu çertifikata e sigurisë është kategorikisht e nevojshme për ata oficerë që duhet të kenë akses për informacione të rëndësishme që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, antiterrorin dhe krimet e rënda.
Nuk bëhen të ditur emrat e personave apo funksionarëve që iu është refuzuar çertifikimi i sigurisë, por shumë shpejt ata pritet të lënë detyrat e rëndësishme që mbajnë nëse kanë të bëjnë me informacione sekrete të rëndësishme.
Oficerët nuk do të përjashtohen nga policia, por pritet të emërohen në strukturat e rendit, apo struktura, në të cilat nuk është e nevojshme pajisja me çertifikatë sigurie. Shumë shpejt, të gjithë efektivët dhe drejtuesit e policisë do t’i nënshtrohen edhe vettingut.