25.5 C
Tirana
E enjte, 10 Korrik, 2025

Rikthehen në polici me detyra të reja shefat e shkarkuar të Elbasanit

Rikthehen në detyra të rëndësishme ish-krerët e Policisë së Elbasanit të shkarkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako në tetor të vitit të kaluar. 12 zyrtarë të Policisë së Elbasanit u shkarkuan në kuadër të masave ndëshkimore që u morën pas ngjarjes së rëndë, ku një makinë e blinduar e personave me precedent penalë goditi automjetin e zv/drejtorit të Rendit, Gjergji Oshafi.
Pikërisht ky i fundit, pak muaj pas shkarkimit me akuzën e mosveprimit ndaj elementëve kriminalë, është emëruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Tiranës si specialist në Sektorin e Narkotikeve.
Ndërkohë ish-drejtori i Policisë të Qarkut të Elbasanit, Arben Dashi, është transferuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si drejtor i Analizës dhe Informacionit Kriminal.
Kryekomisar Zija Sulaj, pas shkarkimit në Elbasan është transferuar shef Komisariati në Dibër. Ky i fundit më parë ka mbajtur detyrën e Shefit të Komisariatit të Policisë Elbasan. Kryekomisar Kujtim Muça është emëruar shef i Drejtorisë së Kufirit në Dibër.
Ish-drejtuesit e Policisë së Elbasanit u akuzuan vitin që shkoi se nuk vepruan në kohë, duke mos arrestuar autorin e goditjes ndaj nëndrejtorit të policisë. Autori i dyshuar i këtij incidenti, Enea Bekteshi u kap vetëm pas ndërhyrjes së forcave RENEA nga Tirana që u dërguan në Elbasan për të vënë në kontroll situatën.
Kreu i Policisë së Shtetit komandoi si drejtor policie në këtë qark Altin Qaton, nga Drejtoria e Përgjithshme në Tiranë me qëllim ndryshimin e situatës dhe rritjen e forcës reaguese të strukturave të rendit.
Pak ditë më parë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, zhvilloi në Elbasan një takim me strukturat lokale të policisë ku paralajmëroi hetimin e ngjarjeve të rënda pa autor dhe goditjen e grupeve kriminale që veprojnë në këtë qytet.

 

Të shtëna me armë zjarri në Tiranë, plagoset 40-vjeçari

Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur dje në mesditë në zonën e Institutit, në Kamëz. Burimet e policisë bënë të ditur se, është plagosur shtetasi Korab Peposhi rreth 40 vjeç, me origjinë nga Kukësi, ndërsa autori i dyshuar i kësaj ngjarje është identifikuar si shtetasi A.Rushi. “Në rrugën e “Shkodrës”, pranë “Nish Tulla nr.3″ dhe urës së Institutit, dyshohet se është plagosur me armë zjarri shtetasi K.P., rreth 40 vjeç. Shtetasi i plagosur është dërguar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve”, sqaron policia.
Policia është vënë në ndjekje të autorit i cili ka mundur t’i shpëtojë patrullave të policisë. Nuk dihet ende shkaku i kësaj ngjarje, ndërsa mësohet se 40-vjeçari është dërguar në spital. Sipas dëshmitarëve i dëmtuari dhe autori para ngjarjes janë konfliktuar me njëri-tjetrin.
Autori i plagosjes së 40-vjeçarit Korab Peposhi në Kamëz, Fredi Rrushi nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi rezulton person me precedent penal. Bëhet e ditur se, Rrushi ka qenë i dënuar më parë për një plagosje të ndodhur në Kamëz dy vite e ca më parë. Ndërkohë, edhe i plagosuri, Korab Peposhi është person me precedent penal, pasi në gusht të 2011 është arrestuar në Itali për kokainë.
Ngjarja e rëndë ku u përfshi Rrushi u regjistrua tre ditë para Vitit të Ri, në 28 dhjetor 2015, në vendin e quajtur Bulevardi “Blu”, pranë vilës nr. 23 Kamëz. Për këtë ngjarje u dënua me 10 vite burg i riu, Amarild Dushku, pasi plagosi rëndë, shtetasit Klevis Halili dhe Jurges Mullaj dhe 5 vite burg shokut të tij, Fredi Rushi.
Amarild Dushku dhe Fredi Rrushi pas një debati për hedhjen e fishekzjarrëve janë konfliktuar fizikisht me të dëmtuarit Klevis Halili dhe Jurges Mullaj. Më pas, pranë dy viktimave u afrua një mjet i tipit “Benz” me targa gjermane DO 107 C, i drejtuar nga i pandehuri Amarild Dushku, ndërsa brenda ishte dhe Fredi Rrushi, ndërsa është qëlluar me breshëri nga brenda me një armë zjarri ndaj Klevis Halilit dhe Jurges Mullajt.
Në atë kohë u raportua se shkaku i konfliktit ka qenë fakti, se Jurges Mullajit kishte hedhur një fishekzjarr në afërsi të një bilardoje ku ndodhej Amarild Dushku. Kaq ka mjaftuar që mes tyre të nis një sherr që degjeneroi deri në përdorimin e armës.

Mbi 600 çështje nga 2017 në Gjykatën e Tiranës

Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë është gjykata më e madhe në vend. Fluksi i çështjeve për një vit, bën që një pjesë e dosjeve të mbarten në vitin pasardhës. Kështu ka ndodhur edhe sivjet ku vetëm për çështjet penale janë mbartur nga viti i kaluar mbi 600 dosje.
Fluksi i madh i çështjeve penale që gjykohen në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës bën që për çdo fund viti një pjesë e çështjeve të mbarten në vitin pasardhës. Numri i dosjeve të mbartura nga viti në vit ka ardhur duke u zvogëluar, nga mbi 2 mijë dikur, në disa qindra sivjet. Por gjithsesi, mbartja e dosjeve nga një viti i kaluar, bën që për momentin në Gjykatën e Tiranës të mos hidhet short për të përcaktuar gjyqtarë për çështjet e reja të këtij viti.
Vitin e kaluar, Gjykata e Tiranës shqyrtoi gjithsej 2387 çështje penale, nga të cilat 366 nuk përfunduan brenda vitit. E njëjta situatë paraqitet edhe për kundërvajtjet penale.
Gjatë vitit 2017, Gjykata shqyrtoi 1711 çështje, nga të cilat 245 prej tyre janë mbartur për këtë vit. Nga dosjet penale numrin më të madh të çështjeve të mbartura e mbajnë ato çështje që kanë shënuar edhe numrin më të madh të procedimeve, dhuna në familje, vjedhja dhe ndërtimet pa leje. Ndërsa për kundërvajtjet penale numrin më të madh të çështjeve të mbartura e zënë ato për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.

 

Vdekja e 16-vjeçarit natën e Vitit të Ri, Gjykata lë në burg 2 të arrestuarit

Dy prej tre kushërinjve Lika, të cilët u arrestuan se qëlluan me armë natën e ndërrimit të viteve në Laç janë lënë në burg nga Gjykata. Tre të rinjtë qëlluan me armë në lagjen Sanxhak ku mesnatën e datës 31 dhjetor mbeti i vrarë nga një plumb qorr 16-vjeçari Klejdi Gjeta. Alban dhe Ernis Lika janë lënë në burg nga togat e zeza deri në përfundim të hetimeve.
Ndërsa Arbër Lika u lirua, duke caktuar si masë sigurie për arrestin shtëpiak. Vendimi i Gjykatës është kundërshtuar fort nga familjarët e tre të arrestuarve. Ata pretendojnë se djemve iu është adresuar një vepër që nuk e kanë kryer dhe se ata vetëm kanë qëlluar në ajër dhe nuk janë autorë të vrasjes së adoleshentit. Sipas tyre dy ngjarjet e ndodhura në Laç nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Por, sipas policisë tre kushërinjtë Lika kanë qëlluar me kallashnikov atë natë nëpër qytet natën e Vitit të Ri dhe kjo është e konfirmuar nga një video, të cilën të rinjtë e kanë hedhur në rrjetet sociale. Të arrestuarit u morën në pyetje nga grupi hetimor dhe pranuan se kishin qëlluar, por nuk treguan vendin ku kanë hedhur armën. Gjetja e armës është shumë e rëndësishme për hetimin. Kjo për faktin se duhet të bëhet krahasimi me plumbin që i mori jetën Klejdi Gjetës. Adoleshenti natën e ndërrimit të viteve ishte ngjitur në taracën e shtëpisë për të ndezur fishekzjarret, por humbi jetën nga një plumb qorr që e goditi në kokë.

Presidenti, urim të veçantë për “RD”

Presidenti Meta ka uruar përvjetorin e 27 të gazetës RD nga Korça. Në një postim në facebook Meta thotë se i uron shumë suksese dhe jetë të gjatë gazetës “RD”. “Sot në 27-vjetorin e gazetës së parë opozitare “Rilindja Demokratike” i uroj nga Korça, shumë suksese e jetë të gjatë, bashkë me dy gazetarët e njohur Çim Peka dhe Fahri Balliu”, thotë Presidenti Meta.

27 vjet-RD, një mision opozitar

Bledi KASMI

Në 5 Janarin 1991 askush nga ata që e themeluan “RD” nuk e kishte menduar se pas 27 vitesh ajo ditë do të kujtohej në një ceremoni si e sotmja këtu. Frroku, Preçi, Mentori, Mitro mund të kishin menduar më shumë Spaçin dhe persekutimin se sa kthimin e asaj dite në një shtëpi të lirisë së mendimit.
Nuk kujtojmë sot këtu thjesht dhe vetëm tirazhin e kësaj gazete që theu të gjitha rekordet historike në këto 27 vite dhe nuk do të mund të arrihen edhe në 27 vitet e ardhshme. Ajo që sot nderojmë këtu është institucioni i lirisë së shprehjes që u themelua atëherë dhe impakti që pati në shoqëri.
Kjo ditë nuk duhet kuptuar thjesht dhe vetëm si një ditëlindje e “RD”, por edhe si ditëlindja e ndarjes me çensurën.
5 Janari është një simbol jo vetëm i lirisë së shtypit, por edhe i guximit intelektual për t’u përballur me të keqen. Imagjinoni se çfarë ndryshimi do të kishte Shqipëria pa 8 Dhjetorin, 12 Dhjetorin, 5 Janarin dhe 20 Shkurtin e vitit 1991. Do të ishim të rrethuar sërish me telat me gjemba, duke u konsideruar si Kuba e Europës që hedh vallen në gojë të ujkut me lider global njëlloj si Koreja e Veriut.
Këto data janë ditët që ndryshuan historinë e Shqipërisë dhe mbeten simbole që duhen kujtuar, respektuar dhe mbrojtur si vlerat e vërteta të një shoqërie që në çdo kohë kanë nevojë të ridimensionohen.
Po aq sa janë shtuar armët në duart e gazetarëve sot, duke shfrytëzuar teknologjinë dhe rrjetet sociale po aq janë shtuar edhe mënyrat e kontrollit dhe keqpërdorimit të tyre. Vetëm në Kryeministri janë punësuar mbi 160 anonimë të paguar me paratë e takspaguesve që shërbejnë si një ushtri sharësish me pagesë në rrjetet sociale ndaj mendimit opozitar, pa llogaritur këtu shumë media të tjera online që sponsorizohen nga perandoria e krimit.
Beteja mediatike sot nuk është më vetëm në një plan, por është bërë shumplanëshe.
Në numrin e parë të gazetës në krye të saj kishte një postulat ku shkruhej se, “liria e gjithsecilit duhet të bëhet garante për lirinë e të gjithëve”. Sot pas 27 vitesh liritë e shqiptarëve po bien një e nga një bashkë me institucionet që do të duhet të ishin garante të atyre lirive të fituara.
Me 25 Qershor ka rënë e drejta e votës, e drejta për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur. E drejta themelore që u fitua bashkë me pluralizmin. Sot nuk ka më zgjedhje, por ka vetëm zgjedhë dhe nga zgjedha kanë rënë thuajse të gjitha institucionet. Ka rënë legjislativi, ka rënë ekzekutivi, drejtësia është në grahmat e fundit, ndërsa pushteti i katërt është në një luftë për mbijetesë.
Diktatura e krimit ka mënyra më të sofistikuara nënshtrimi se diktatura ideologjike. Pa bërë shumë filozofi, ne si gazetarë do të duhet t’i drejtohemi njëri-tjetrit. A do pranojmë të poshtërohemi dhe nënshtrohemi, duke na quajtur kazanë, legen, injorant një Kryeministër me fjalor hajvani apo do të zgjedhim të bëjmë të njëjtën betejë sikurse bënë ata që themeluan “RD”, 27 vite më parë duke vendosur dinjitetin të parin?
Nuk janë ditë të mira për gazetarët sot në Shqipëri, por në kohë të vështira kanë lindur vizionarët. Ne kemi dy detyrime ndaj shoqërisë sot. E para është e vërteta dhe e dyta akoma më e vështirë është t’i japim zë shumicës së heshtur. Me 25 Qershor 78% e shqiptarëve zgjodhën të heshtin.

Goditet rrjeti i prostitucionit në Francë, u denoncuan nga 18-vjeçarja shqiptare

Rrëfimi i një 18-vjeçareje nga Durrësi që është shfrytëzuar si prostitutë në Francë, ka zbuluar një rrjet trafikantësh të cilët janë nën hetim në Francë, Shqipëri e Itali. Vajza me inicialet A.K, gjimnaziste në një shkollë në qytetin bregdetar, vendosi t’u shpëtojë trafikantëve, duke u hedhur mbi një makinë policie në Bordo.
Prej tetë muajsh vajza ka marrë në Francë statusin e viktimave që mbrohen nga shteti. Autoritetet franceze u kanë përcjellë Krimeve të Rënda rrëfimin e vajzës. Hetimi i mëtejshëm i autoriteteve shqiptare, ka shpëtuar edhe dy vajza të tjera në Shqipëri, që ishin gati të trafikoheshin në të njëjtën mënyrë, por kësaj here në Itali.
Në pranga në Shqipëri ranë 3 persona, në Francë 2 persona, i akuzuari si tutor Nuredin Dumani dhe një taksist. Kurse hetimet në Shqipëri dhe Itali pritet të nxjerrë emra të tjerë të implikuarish.
Vajza nga Durrësi me inicialet A.K u ka rrëfyer me detaje autoriteteve franceze në Bordo, historinë e saj. “Isha në shkollë, kur një shoqja ime më foli për Nuredin Dumanin, më tregoi se ai donte të martohej shprehet vajza e trafikuar. Vajza tregon se ka vazhduar komunikimin me Nuredin Dumanin përmes rrjetit social Facebook. Ai më thoshte që jetonte në Belgjikë dhe se me të jeta ime do të ndryshonte”, ka treguar ajo.
Prokuroria shqiptare ka dyshime se në fakt gjatë kësaj kohe i akuzuari mbahej në një burg në Shqipëri për veprën e vjedhjes. Pas propozimit për martesë, trafikanti kishte takuar të atin e vajzës, i cili kishte refuzuar bashkimin e tyre. “Duhet të zgjedhesh o familjen, o djalin”, ka dhënë ultimatumin i ati.
“Unë zgjodha familjen”, shprehet vajza e trafikuar. Pikërisht në këtë moment kanë filluar edhe kërcënimet për jetën. Rezulton se Nuredin Dumani ka fotografuar motrën 3-vjeçare të adoleshentes A.K dhe me këtë e ka kërcënuar në Facebook.
“Do ta vras motrën, po nuk u martove me mua”, mësohet ta ketë kërcënuar ai. Pas një vargu kërcënimesh, vajza ka udhëtuar drejt Francës me mendimin se po martohej, por brenda javës ka përfunduar prej tij në rrugë.
Në dosjen e dorëzuar Shqipërisë, autoritetet franceze shprehen se në një rast vajza është arratisur prej trafikantit, por një tjetër femër pjesë e rrjetit e ka rikthyer në rrugë. Vajza mundi t’i shpëtojë rrugës vetëm më 20 mars 2017, kur ajo u hodh para makinës së policisë franceze në Bordo.

Aksident në Shkodër, makina përplas për vdekje 66-vjeçarin

Një aksident i rëndë rrugor u shënua mbrëmjen e së premtes në segmentin rrugor Shkodër-Koplik, në vendin e quajtur “Ura e Vrakës”. Automjeti me targa italiane, drejtuar nga 35-vjeçari Emiljano Zeneli banues në Malësi të Madhe, përplasi për vdekje 66-vjeçarin Xheladin Ivziku nga Shtoji i ri.
Ky i fundit ka qenë duke ecur me biçikletë në drejtim të fshatit të tij, kur si pasojë e shpejtësisë në lëvizje, është përplasur nga mjeti tip “Ford” dhe nga goditja e marrë, ka gjetur vdekjen në vend, duke mos arritur të dërgohet i gjallë në spital. Menjëherë në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe grupi ekspertizës, të cilat nisën punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti.
Nga këqyrja e bërë në terren, konstatohen gjurmët e lëna nga shenja e frenimit, ç’ka tregon se mjeti ka qenë duke ecur me shpejtësi tej normave të lejuara dhe pasi ka parë biçikletën, drejtuesi Zeneli ka tentuar të frenojë, por e ka patur të pamundur të shmangë goditjen. 66-vjeçari si pasojë e përplasjes ka marrë goditje të forta në kokë, ç’ka edhe i kanë shkaktuar vdekjen thonë burime paraprake të policisë.
Trupi i pajetë u dërgua në Morgun e Spitalit Rajonal të Shkodrës, ndërsa i riu Zeneli që mësohet se është emigrant i kthyer për pushime në atdhe, u shoqërua në mjediset e komisariatit deri në sqarimin e plotë të rrethanave.

Zjarr në një banesë në Tiranë, vdes i moshuari

Një i moshuar mbeti i vdekur, nga asfiksia, pasi zjarri përfshiu banesën ku ai jetonte i vetëm në rrugën “Frosina Plaku”. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, kur pensionisti Spiro Ndino 85 vjeç, kishte lënë ndezur furrnellën për t’u ngrohur. Një batanije që i moshuari kishte lënë pranë furrnellës kishte marrë flakë fillimisht. Më pas, zjarri përfshiu të gjithë dhomën në të cilën po flinte 85-vjeçari Spiro Ndino.
Ndihma e fqinjëve qe tepër e vonuar, për shkak se tymi kishte asfiksuar të moshuarin. Banorët njoftuan policinë dhe zjarrfikësen dhe u përpoqën të ndihmonin të moshuarin. Pavarësisht përpjekjes së tyre, i moshuari ndërroi jetë menjëherë. Zjarrfikësit mundën të izolonin zjarrin dhe më pas të ndërhynin. Nga këqyrja e zjarrfikësve u konfirmua se zjarri ishte shkaktuar nga ndezja e batanijes, e cila kishte qenë fare pranë furrnellës.
I moshuari jetonte vetëm në banesë, pasi bashkëshortja i kishte vdekur. Pas veprimeve në vendin e ngjarjes, trupi i të moshuarit u përcoll në morgun e kryeqytetit për veprime të mëtejshme.

Frymëzim për një Shqipëri të lirë si ajo që përshkroi “RD” në ditët e para

Lulzim BASHA

Rilindja Demokratike erdhi në jetë së bashku me pluralizmin politik dhe me lirinë e mendimit dhe të shprehjes.
Ajo arriti në skenën politike shqiptare si një uragan i fjalës së lirë, ishte drita e parë në errësirën mendore dhe shpirtërore që mbolli komunizmi.
Asnjë institucion tjetër nuk ka bërë aq shumë për mbjelljen e ideve të demokracisë, të pluralizmit dhe evropianizmit se sa “Rilindja Demokratike”.
Askush tjetër nuk luftoi më shumë dhe më mirë gënjeshtrën, manipulimin, propagandën komuniste.
Askush tjetër nuk ka bërë më shumë se “RD” në fillimet e saj për kultivimin e një brezi të ri njerëzish të medias dhe të fjalës. Shumë nga ata që më vonë luajtën një rol të madh në median dhe demokracinë e vendit e mprehën penën në redaksinë e “RD”-së.
Për të gjitha kontributet e saj për lirinë, “Rilindja Demokratike” do të ketë përherë një vend të veçantë në historinë e Shqipërisë.
Ne do t’u jemi përherë mirënjohës të gjithë atyre që me kurajo dhe vendosmëri e sollën “RD”-në në jetë në kushtet e vështira të dhunës, kërcënimeve dhe terrorit shtetëror:
Preç Zogajt, Frrok Çupit, Mitro Çelës, Blendi Fevziu, Armand Shkullaku, Ben Blushi, Dritan Kaba dhe Edi Paloka kanë qenë studentë që punuan fillimisht vullnetarisht që në numrat e parë.
Këshilli i parë botues kanë qenë: Prec Zogaj, Petraq Kolevica, Ajet Haxhiu, Natasha Lako, Mitro Çela, Kujtim Çashku, Edi Hila, Ilirjan Zhupa, Teodor Keko, Genc Pollo.
Piktori Mentor Shehu ka qenë faqosësi dhe dizenjatori i parë.
Korrektorët e parë të gazetës: Abdurrahim Këllezi, Agim Fortuzi
Kokën e “RD”-së e punoi: Bujar Marikaj
Në muajt e parë u bashkuan si gazetarë apo kontribues: Visar Zhiti, Genc Tirana, Arben Ruka, Bujar Xhaferri, Filip Çakulli, Skënder Shkupi, Rakip Sulçe, Xhevat Mustafa.
Në këtë përvjetor, dua të përgëzoj të gjithë gazetarët dhe drejtuesit e “RD”-së në vite, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në aktivitetin e saj, por edhe për Shqipërinë.
Kryeredaktorët dhe drejtuesit: Frrok Çupit, Mitro Çelës, Bashkim Trenova, Napolon Roshi, Lorenc Ligori, Xhevat Mustafa, Astrit Patozi.
Por mbi të gjitha dua të falenderoj Bledi Kasmin dhe gazetarët dhe punonjësit e sotëm të “Rilindjes Demokratike”, të cilët me punën e tyre kanë përcjellë vlerat e vërteta të misionit për të cilin “RD” u lind: t’i shërbejë demokracisë dhe interesit publik.
Është tregues i punës së tyre dhe i vitalitetit të “RD”-së që sot pas 27 vitesh “Rilindja Demokratike” është zëri kurajoz i të vërtetës në kushtet e terrorit informativ dhe dhunës propagandistike shtetërore.
Në regjimet autokratike, kur pushteti përqendrohet në një dorë, media merr një rëndësi të jashtëzakonshme. Por kur edhe media është e kapur, zërat e lirë janë e vetmja shpresë për t’u kthyer tek liria.
“Rilindja Demokratike” është sot një nga të paktat media të lira në Shqipëri. Ajo është ndër të paktat media që është në shërbim të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe jo interesave të atyre që grabisin dhe dëmtojnë Shqipërinë dhe të ardhmen e saj. “RD” nuk lufton për favore, por lufton për interesin publik.
Unë uroj që të mbetet e tillë përherë.
Së fundmi dua të uroj të gjithë gazetarët e Shqipërisë. Festa e “RD”-së është festa e lindjes së fjalës së lirë dhe gazetarisë së lirë në Shqipëri, ndaj ajo është festa e të gjithëve.
Por kjo ditë duhet të jetë edhe ditë e reflektimit për misonin e medias dhe të gjithë intelektualëve të fjalës. Liria, demokracia dhe mirëqeverisja nuk mund të ekzistojnë pa fjalën e lirë dhe pa median e lirë.
Liria nuk mund të ruhet dot nëse njerëzve ju mungon dija, informacioni. Vetëm një popull i mirëinformuar është në gjendje të vetëqeveriset dhe të ruajë demokracinë.
Kjo është nevoja më e madhe që ka sot Shqipëria, por edhe sfida më e madhe e medias. Çdo lloj ndryshimi fillon nga njohja, fillon nga idetë, fillon nga e vërteta. Sot shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për të njohur të vërtetën.
Pesha kryesore në këtë mision u takon njerëzve të medias dhe intelektualëve të fjalës. Ndaj sot dua t’u kujtoj gazetarëve dhe intelektualëve publikë fjalët e Ayn Arendt:
“Në çastin kur nuk kemi më lirinë e medias, gjithçka mund të ndodhë. Ajo që mundëson sundimin e çdo lloj autokracie dhe diktature është se njerëzit nuk janë të informuar. E si mund të kesh një opinion, nëse nuk je i informuar? Nëse dikush gënjen vazhdimisht, pasoja nuk është se ti i beson gënjeshtrat, por se askush nuk beson më në asgjë”.
Ky është një nga qëllimet kryesore të regjimit të sotëm: t’i shkurajojë njerëzit, t’i bëjë pesimistë, t’i bëjë të mos besojnë në asgjë, të mos besojnë tek demokracia, të mos besojnë tek liria, të mos besojnë tek aftësia e tyre për t’u qeverisur, të mos besojnë se mund të ketë ndonjëhere politikë të mirë. Sepse në mosbesim dhe dëshpërim, sundohet më lehtë.
Shqiptarët kanë nevojë për të besuar tek vetja dhe tek e ardhmja. Politika ka rolin kryesor për ta ngjallur këtë besim, por roli i intelektualëve të fjalës dhe të medias është po aq i rëndësishëm.
Ndaj ju uroj të gjithëve me shumë besim dhe frymëzim për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe europiane si ajo që përshkroi “Rilindja Demokratike” që në ditët e para të saj.
Gëzuar.