23.5 C
Tirana
E enjte, 10 Korrik, 2025

“RD”, zëdhënëse e të vërtetave të mëdha të shoqërisë shqiptare

Sali BERISHA

27-vjetori i botimit të “Rilindjes Demokratike”, gazetës së parë opozitare në Shqipëri!
Si sot 27 vite më parë një grup intelektualësh, gazetarësh, studentësh botuan numrin e parë të gazetës së parë opozitare “Rilindjes Demokratike”, si organ i Partisë Demokratike dhe mendimit opozitar shqiptar. Vendimi për botimin e saj ishte njëri nga vendimet më të para të Partisë Demokratike. Regjimi u përpoq, por pa sukses t’a pengonte botimin e saj.
Numrin e parë të saj shumë e shumë qytetarë e pritën me padurim me një natë të bardhë, pra zbardhën natën për të siguruar një kopje të saj, e cila hapej me një editorial të pavdekshëm të redaksisë “E para është fjala!”
Me shpejtësi të rrufeshme gazeta, si organ i të vërtetës aktuale dhe asaj të ndaluar dhe mohuar, pushtoi mendjet dhe zemrat e shqiptarëve. “Rilindja Demokratike” vjen në këtë përvjetor si organi i lirë i shtypit të shkruar, organ i të vërtetës.
Me këtë rast le të shprehim nderimin tonë më të madh për të gjithë ata intelektualë, publicistë, gazetarë, studentë, redaktorë, kryeredaktorë dhe drejtorë që themeluan gazetën e parë opozitare të vendit, që e drejtuan dhe shndërruan atë, që nga numri i parë e deri në numrin e sotëm, në zëdhënëse të të vërtetave të mëdha të shoqërisë shqiptare! Gëzuar!!

Ambasada e SHBA: Mirëpresim vendimin e KQZ

Ambasada e SHBA në Tiranë mirëpret vendimin e djeshëm nga KQZ për t’iu hequr mandatet Aqif Rakipit dhe Gledion Rehovicës. “Ky vendim është provë pozitive se procesi i rëndësishëm i dekriminalizimit, filluar në dhjetor 2015, vazhdon në Shqipëri”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA. KQZ vendosi dje me 5 vota pro ndërprerjen e mandatit për dy ligjvënësit, njëri i PDIU-së dhe tjetri i LSI-së, pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme, në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Prokuroria pretendon se dy ligjvënësit përmes identiteteve të rreme janë ndaluar në Itali nga policia e vendit fqinj me akuzën e vjedhjes, ndërkohë që nuk kanë pasqyruar në formularin e dekriminalizimit ngjarjen në fjalë.

Pas çmimit të ujit, Veliaj fsheh aferën e privatizimit të ujësjellësit

Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës denoncuan si një përpjekje për t’i mbyllur gojën opozitës padinë që Erion Veliaj ka ngritur ndaj njërit prej këshilltarëve, Akil Kraja. Ai u padit prej Veliajt sepse e akuzoi se rritja e çmimit të ujit me 40% ishte kundër interesit të qytetarëve dhe në favor të një afere korruptive për privatizimin e Ujësjellësit. Veliaj pretendon se kjo akuzë i ka shkaktuar “turbullirë emocionale”, por gjatë komunikimit me median në PD, këshilltarët demokratë, transmetuan një deklaratë të Veliajt në gusht 2016, ku ai flet për “negociata për privatizimin e UKT” dhe se “kjo nuk e impaktonte fare çmimin e shitjes së ujit”. Këshilltarët thanë se kjo është vetëm një nga mashtrimet e Veliajt dhe se Partia Demokratike do të qëndrojë fort për të denoncuar çdo akt që është kundër interesit publik. “Rritja e çmimit të ujit është një akt kriminal. Ky vendim u mor në një kuorum votash të manipuluara. Një vendim i tillë, mban emrin korrupsion. Këtë e thotë çdo këshilltar i opozitës, këtë e thotë çdo qytetar i Tiranës, edhe nga ata që dje mund të kenë votuar z. Veliaj. Ndaj ne sot këtu jemi të gjithë të paditur, sepse po kryejmë detyrën tonë, detyrë për të cilën na kanë mandatuar qytetarët e Tiranës. Unë sot kam një mesazh për kryetarin e Bashkisë dhe kryeministrin e tij. Nëse mendojnë se me persekutime, me dhunë fizike apo verbale, të trembin demokratët, i kanë bërë hesapet krejt gabim. Ata dëshmojnë se nuk e njohin ADN-në e demokratëve, PD lindi përmes persekutimit dhe dhunës së diktaturës. Dhuna dhe persekutimi, veçse na forcon dhe na motivon. Ato janë dëshmi se ne jemi në një kauzë të drejtë, pranë qytetarëve dhe pranë së drejtës. Nëse kjo përpjekje për të shtypur opozitën rishfaqet, autorët nuk duhet të harrojnë se ishim po ne, dhe kjo ADN që 27 vite më parë përmbysën etërit dhe ua thyemë statujat trotuareve të Tiranës. Nëse nuk kanë mësuar asgjë nga historia, ne jemi këtu për t’jua rikujtuar në kushte të reja”, është shprehur Çollaku. “Një turbullim të padrejtë të gjendjes shpirtërore. E ripërsëris, një turbullim të padrejtë të gjendjes shpirtërore. Ky është dëmi që i është shkaktuar kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në vijim të një deklarate publike ku në detyrën tonë si këshilltar bashkiak, ne denoncojmë rritjen me 40% të çmimit të ujit të Tiranës. Deklaratë, e cila është në vijim të deklaratave të shumta repetitive, propagandistike, të gënjeshtërta të Erion Velisë ku ai premton që çmimi nuk do të rritet dhe çmimi rritet për ujin. Ku ai premton që çmimi i biletave të autobusit nuk do të rritet dhe çmimi i biletave të autobusit u rrit. Ku ai premton moratorium për ndërtimet dhe sot e dimë çfarë po ndodh në Tiranë. Kjo deklaratë e 15 nëntorit 2017 kishte vetëm një qëllim, për të sensibilizuar qytetarë të Tiranës për mundësinë e një afere tjetër, atë të privatizimit të UKT-së e cila mund të ishte burimi kryesor, e cila mund të justifikonte këtë rritje të beftë, të pakomunikuar më parë, mbi të gjitha në kundërshtim të hapur publik me vetë premtimet dhe deklaratat e Erion Velisë. Kështu që më mirë se faktet, çdo fjalë do të ishte e tepërt dhe ne sot përfitojmë nga pjesëmarrja e mediave këtu prezente, për të rindarë një nga dhjetëra, qindra deklaratat fotokopjuese, të gënjeshtërta, propagandistike të kryetarit të bashkisë, Erion Veliajt, ku ai thotë në mënyrë publike që po negocion privatizimin e UKT-së, por që çmimi i ujit nuk do të rritet. Çfarë ndodhi?! Çmimi i ujit u rrit. Privatizimi nuk e dimë, është në drejtim të paditur”, shprehet Akil Kraja.

Shehu: Kompani të dyshimta prodhojnë medikamente në Shqipëri

Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu në një intervistë televizive ka ngritur alarmin në lidhje me kompanitë e dyshimta në prodhimin e medikamenteve që operojnë në vendin tonë. Shehu thekson se nën qeverisjen e Ramës nga Shqipëria po largohen kompanitë më serioze europiane në prodhimin e medikamenteve, duke iu hapur rrugë ardhjes së kompanive nga vende të dyshimta. Shehu thekson se me kompani jo serioze mund të punosh si të duash, ku mund të ulet cilësia e ilaçeve. Gjithashtu ai ka folur në lidhje edhe me shëndetësinë falas. Ai thotë se shëndetësia falas tashmë nuk ekziston më as si koncept. Ai thotë se ky është mashtrimi i radhës nga ana e qeverisë. “Pas katër vjet të qeverisjes së tyre ata nuk ditën të zgjedhin asnjë rrugë për shëndetësinë falas. Problemet janë shumë të gjera, jo vetëm për kategorinë e personave me diabet. Shëndetësia falas nuk ekziton më as si koncept. Nuk janë shtuar lista e medikamenteve që rimbursohen. Shëndetësia është lënë si një ‘kënetë’ e braktisur. Nga Shqipëria po largohen kompanitë më serioze europiane në prodhimin e medikamenteve. Pse ndodh kjo?! Ju hapet rruga ardhjes së kompanive nga vende të dyshimta. Me kompanitë jo serioze mund të punosh si të duash. Kompanitë serioze nuk ia lejojnë vetes që të prishin imazhin e tyre në vende si Shqipëria. Pra, në këtë mënyrë ne ulim cilësinë e medikamenteve. Qytetarët detyrohen që të paguajnë nga xhepi, pasi zgjedhja e parë është e një cilësie të ulët. Të jemi të qartë që nuk ka një reformë në drejtësi. Që të kemi një Reformë duhet që të ketë nga buxheti i shtetit rreth 2000 euro për frymë dhe jo 83 euro saç ne e kemi”, u shpreh Shehu.

Shqiptarët, lënë 140 milionë dollarë në vit tek lojërat e fatit

Sa më i varfër të jesh, aq më shumë shpreson që të bëhesh i pasur sa më shpejt. Në të gjithë botën njihet lidhja mes varfërisë dhe tendencës për të luajtur me loto, bixhoz, kazino etj. Në Amerikë p.sh., në lagjet e varfëra luhet bixhoz sa dyfishi i lagjeve normale.
Nuk bën përjashtim as Shqipëria, ku sa vjen e shtohet shuma që banorët shpenzojnë për lojëra fati. Në vitin 2016, shpenzimet zyrtare për kazino, loto, bingo, baste, lotari ishin 15.2 miliardë lekë, ose gati 140 milionë dollarë, sipas të dhënave që “Monitor” ka përpunuar nga deklarimet zyrtare në bilanc të të ardhurave të subjekteve të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Në krahasim me një vit më parë, shpenzimet e shqiptarëve në kërkim të fatit janë rritur me 15%, duke zhvlerësuar “përpjekjet” e qeverisë në 2013-ën për të luftuar këtë fenomen, përmes aksionit “Fundi i Marrëzisë”, apo ndryshimeve legjislative për t’i nxjerrë kazinotë jashtë qytetit, por që për shkak të lobingjeve të forta, afatet shtyhen vazhdimisht (në 2019). Këto janë vetëm shpenzimet zyrtare, teksa nuk llogaritet informaliteti që vlerësohet i lartë në këtë sektor. Pak muaj më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaroi se 375 milionë euro është shifra e të ardhurave të munguara që nuk janë mbledhur nga ana e institucioneve përgjegjëse për periudhën 2014-2016.
Nga deklarimet zyrtare, kazinotë elektronike rezultojnë kategoria ku shqiptarët tentojnë të provojnë fatin, në zgjedhjen e bardhë apo e zezë, lojërat me fruta, slot machines etj. Në subjektet e licencuara nga Autoriteti si kazino elektronike, rezultojnë të jenë shpenzuar 10 miliardë lekë, ose rreth 92 milionë dollarë. Kazinoja elektronike më e madhe në vend APEX – AL, e ndjekur nga ADRIATIK GAME, ASTRA ALBANIA Sh.a, TOP START.
Më pas janë shpenzimet për baste sportive me rreth 30 milionë dollarë, teksa në 2016-ën ishte edhe Kampionati Europian.
Regency Kazino ka rritur të ardhurat me rreth 40% në 1.4 miliardë lekë.
Për lotaritë dhe bingot, shpenzimet janë më të ulëtat, në rreth 5-6 milionë dollarë.
Por, më shumë sesa individëve, që kërkojnë të bëjnë goditjen e jetës, fati u buzëqesh kompanive, që marrin 30-50% të të ardhurave si fitime dhe rezultojnë si sektori më fitimprurës në vend. APEX renditet në 10 kompanitë më të mëdha në vend për sa u përket fitimeve (1.3 miliardë lekë fitime), ndërsa ka një normë fitimi prej 51%.
VLT Albania raportoi 450 milionë lekë fitime, me një normë kthimi prej 42%. Fitimet e Regency International Casino Tirana u dyfishuan në 445 milionë lekë, me një normë fitimi prej 31%.
Astra Albania raportoi fitime prej 557 milionë lekësh, me një normë prej 27%. Normë më të ulët raportoi Adriatik Game, me 17%, teksa fitimet në vlerë absolute arritën në 353 milionë lekë.
Pritet të shikohet se çfarë ndikimi do të japë në këtë aspekt futja në funksion e koncesionit të monitorimit të këtyre subjekteve, që ka hyrë në fuqi në mes të vitit të kaluar. Ky koncesion është kundërshtuar në Gjykatë nga Shoqata e Shoqërive të Lojërave të Basteve Sportive.

Euro vijon të forcohet në tregun vendas, dollari mbetet i dobët

Me përfundimin e efekteve sezonale, monedha e përbashkët europiane e mbylli javën më e fortë përkundrejt monedhës vendase. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehet sot në tregun vendas në nivelin e 133.43 lekëve. Gjatë muajit dhjetor, euro kaloi një periudhë të dobët ndaj lekut si pasojë e fluksit të emigrantëve, që kthehen në vend për festa dhe rritjes së qarkullimit të parasë në vend. Gjatë dhjetorit, euro zbriti poshtë nivelit të 133 lekëve, duke arritur nivelet rekord të ulëta që prej gushtit të këtij viti. Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, gjatë janarit aktiviteti tregtar është shumë më i vakët, dhe valuta fillon e forcohet në vend. Forcimi i euros në vend është ndikuar dhe prej forcimit në tregjet ndërkombëtare. Ndërkohë që dollari amerikan po përjeton një periudhë të dobët, në vend dhe jashtë. Dollari ka rënë poshtë nivelit të 111 lekëve. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një dollar u këmbye sot në tregun vendas me 110.8 lekë.

290 mijë shqiptarë nuk sigurojnë dot as një vakt ushqimi në ditë

Vetëmjaftueshmëria e ushqimit i referohet kapacitetit të një vendi për të plotësuar nevojat e veta të ushqimit nga prodhimi vendas. Sipas një harte të re të përpiluar nga MapChart, me të dhënat e ofruara nga FAO, Shqipëria nuk arrin që të përmbushë vetë nëpërmjet prodhimit, nevojën për ushqimet bazë.
Sipas FAO-s, “koncepti i vetë-mjaftueshmërisë ushqimore në përgjithësi nënkupton se deri në ç’masë një vend mund t’i plotësojë nevojat e saj ushqimore nga prodhimi i saj i brendshëm”.
Ky përkufizim më themelor mund të zbatohet në nivel të individëve, shteteve ose rajoneve. Në kontekstin e debateve mbi tregtinë dhe sigurinë e ushqimit, vetë-mjaftueshmëria zakonisht i referohet vendeve që kërkojnë të prodhojnë të gjithë ose shumicën e ushqimit të tyre për konsum të brendshëm.
Megjithatë, FAO thekson se disa vende që konsiderohen si të vetë-mjaftueshme në shkallë kombëtare ende mund të kenë një pjesë të popullsisë së tyre që përjetojnë urinë dhe kequshqyerjen.
Vende të tilla mund të prodhojnë sasi të mjaftueshme të kulturave të caktuara, të tilla si drithëra, por ato ende mund të importojnë sasi të konsiderueshme të frutave dhe perimeve për të arritur një dietë të shëndetshme. Disa vende të pavarura mund të kenë nivele më të larta varfërie që pengojnë qasjen adekuate në të gjithë popullsinë. Vende të tjera që janë të vetë-mjaftueshme mund të mos kenë asnjë problem në sigurimin e dietave adekuate dhe ushqyese për popullatën e tyre.
Shtetet që edhe harta i tregon si të “zonjat” për të siguruar vetë ushqimet bazë, janë: Argjentina, SHBA, Rusia, Malajzia, Australia.
Sipas një raporti të fundit, të paktën 290 mijë shqiptarë kategorizohen në grupin e atyre me vakte të reduktuara për shkak se nuk kanë arritur të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm. Raporti i Organizatës së Ushqimit dhe Agrikulturës (FAO), për urinë, i vitit 2017 vlerëson se në Shqipëri prevalenca e pasigurisë së lartë ushqimore prek 10% të popullsisë totale.

Lajm i keq për kursimtarët dhe depozituesit, si ndryshuan interesat e depozitave dhe kredive

Kthimi nga kursimet në lekë nuk ka qenë i kënaqshëm as në muajin nëntor. Sipas statistikave të publikuara së fundmi nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e depozitave me afat (1-60 -mujore) ishte 0.91%, nga 0.93% që kishte qenë në muajin e mëparshëm, duke arritur nivelin më të ulët në katër muaj.
Për depozitat me afat 12-mujor, që kanë qenë më të preferuarat nga kursimtarët, kthimi vjetor ishte 0.74% në nëntor, nga 0.81% muajin e mëparshëm. Duke pasur parasysh se inflacioni vjetor luhatet rreth 2%, kthimi real nga depozitat është negativ.
Interesin më të lartë e përfiton nëse mbyll kursimet për një afat 5-vjeçar, me rreth 3.1% në vit.
Teksa yield-i (interesi) 12-mujor i Bonove të Thesarit (kthimi që marrin bankat, institucionet e tjera financiare dhe individët nga investimi në letrat me vlerë të qeverisë) është rritur në rreth 3%, pritet që kjo të reflektohet edhe tek interesat e depozitave.
Pas uljes së vazhdueshme të normës bazë nga Banka e Shqipërisë, që prej shtatorit të vitit 2011, edhe kthimi vjetor që merret nga kursimet ka rënë vazhdimisht për të arritur në më pak se 1% aktualisht për kursimet 12-mujore.
Kjo ka bërë që individët të kërkojnë për alternativa kursimi më fitimprurëse, si investime afatgjata (mbi 2 vjet), blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, blerjen e pasurive të paluajtshme etj. Në nëntor 2017, në krahasim me nëntorin e vitit 2011, kursimet me afat të rezidentëve kanë rënë me 94 miliardë lekë, ose gati 690 milionë euro. Depozitat e individëve me afat në lekë përbënin 26% të totalit në nëntor 2017, nga 40.5% që ishte kjo peshë në 2011-ën.

Rriten interesat e kredive

Edhe për kredimarrësit, zhvillimet në nëntor nuk kanë qenë pozitive. Norma mesatare (për të gjitha afatet e maturimit) e huave të reja në lekë u rrit në 6.8%, nga 6.59% që kishte qenë muajin e mëparshëm. Gjithsesi, kredia në lekë vijon të mbetet me kosto të favorshme, teksa interesat kanë rënë ndjeshëm vitet e fundit. Megjithatë, kjo nuk e ka nxitur kreditimin.
Me bazë vjetore (nëntor 2017/nëntor 2016), rritja e huasë për ekonominë është minimale vetëm 0.1%, duke shënuar të tretin vit radhazi kur ekonomia nuk po kreditohet, pavarësisht politikës lehtësuese të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka ulur normën bazë në nivele minimale prej 1.25%, në një përpjekje për të ulur koston e parasë dhe për të nxitur investimet private. Në 2015-ën kredia ra me 2.2% dhe në 2016-ën u zgjerua me 0.75, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Krizat gjeopolitike të vitit 2018

James M. Lindsay

Viti 2017 ka qenë i mbushur me histori të rëndësishme dhe lajme të bujshme. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në vitin 2018. Disa prej zhvillimeve do të jenë pa dyshim surprizuese. Jo shumë ekspertë kishin parashikuar një vit më parë spartimet etnike që do të ndodhnin në Mianmar. Fatkeqësisht u bë një prej historive më të mëdha të vitit 2017. Ndoshta në këtë kohë pas një viti të gjithë do të flasin për kryengritje në Egjipt ose për krizë financiare në Bashkimin Europina. Ndoshta jo. Është e vështirë të parashikohet e ardhmja, por një pjesë e eventeve të mëdha botërore do të zhvillohen pa dyshim. Disa prej tyre janë më të rëndësishme dhe duhen ndjekur me kujdes gjatë këtij viti që sapo ka nisur. Secili prej tyre mund të kthehet në lajm të bujshëm, por mund edhe të zhduket plotësisht.

Irani si hegjemoni rajonale
Liderët iranianë duhet të jenë të kënaqur me zhvillimet e vitit 2017. Nuk ishte vit i keq për ta. Presidenti sirian Bashar al-Assad duket i sigurt në pushtetin e tij në Damaskus. Ditto Hezbollah në Lebanon. Shteti Islamik ka humbur shumicën e territorit. Qeveria irakene ka rimarrë në dorë qytetin e pasur me naftë të Kirkukut. Rebelët Houthi e kanë futur Arabinë Saudite në telashe në Jemen. Përfshirja e Iranit u shfaq mr sukses në secilin prej këtyre eventeve, gjë që e ka zgjeruar influencën e Iranit në të gjithë rajonin.
Megjithatë, suksesi nuk i përket vetëm Teheranit. Hapat e këqinj të politikës së jashtme të Arabisë Saudite e kanë ndihmuar shumë. Përveç aventurave të dështuara në Jemen, Rijadi mori përsipër të impononte embargo mbi Katarin për simpatitë e tij pro-iraniane dhe mbështetjen ndaj terrorizmit. Kjo e ka shtyrë Katarin të afrohet më shumë me Teheranin dhe ka krijuar një dhimbje koke diplomatike për Uashingtonin.
Megjithatë, Arabia Saudite vazhdon të ruajë mbështetjen e Presidemtit Donald Trump. Strategjia e re e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara është zotuar se do të neutralizojë influencën malinje të Iranit. Trump i ka nxjerrë Shtetet e Bashkuara jashtë Planit Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA). Ai refuzoi të çertifikonte mbarëvajtjen e Iranit. Ndërkohë që Shtëpia e Bardhë kërkon t’ia vështirësojë ndjeshëm jetën Teheranit, pyetja tani është se deri në ç’pikë do të shkojë, në një kohë kur është mjaft e zënë edhe me çështjen e Koresë së Veriut. Një gjë është e sigurt: Irani do të përpiqet të përfitojë nga çdo gjë të mundet.

Ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut
Negociatat duhen bërë dhe duhet bërë ndonjë lëshim diku. Trump është zotuar se nuk do ta lejojë kurrsesi Korenë e Veriut që të fitojë kapacitet bërthamor për të prekur Shtetet e Bashkuara me raketa balistike. Këtë e përsëritur dhe mbështetur fuqimisht me deklarata dhe kërcënime të furishme. Deri tani, Korea e Veriut nuk është tërhequr. Peniani u krekos me një tjetër test balistik muajin e kaluar dhe pretenduar se tani mund të arrijë deri në zemër të Shteteve të Bashkuara. Kjo me siguri nuk është e vërtetë. Megjithatë, mënyra se si po zhvillohen ngjarjet nuk janë në favor të Shteteve të Bashkuara dhe opsionet që i kanë mbetur Uashingtonit në tavolinë për të frenuar Korenë e Veriut nuk janë aspak joshëse.
Kina nuk mundet (ose nuk dëshiron) të përdorë levën e saj ekonomike për ta gjunjëzuar Korenë e Veriut. Ndërkohë, kostot e veprimeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara do të ishin të kripura, madje katastrofike. Zgjidhja diplomatike nuk është menduar akoma dhe për ta arritur atë, me siguri do të duhet të njihet Korea e Veriut si fuqi bërthamore, me rrezikun që Korea e Veriut të fusë në xhep lëshimet dhe të shkelë të gjitha angazhimet. Kjo ka ndodhur edhe më parë. Është e vërtetë që Shtetet e Bashkuara mund të qëndrojnë në gatishmëri dhe ta mbajnë nën kontroll Korenë e Veriut, madje kjo strategji është përdorur me sukses kundër Bashkimit Sovjetik. Problemi është që Kim Jong-un mund të jetë aq i çmendur sa të marrë përsipër rreziqet që liderët sovjetikë as nuk i imagjinonin. Një grusht shteti ose revolucion mund t’i zgjidhte problemet, por jo në mënyrë paqësore. Sido që të zhvillohen ngjarjet, niveli aktual i tensioneve të krijojnë përshtypjen se lufta do të shpërthejë jo prej llogaritjeve, por prej keqllogaritjeve.

Kriza në Venezuelë
Venezuela duhet të jetë një shtet i begatë dhe vibrues. Në fund të fundit ka në dorë rezervat më të mëdha të naftës në botë. Në të kundërt, vendi është zhytur në një krizë të tmerrshme ekonomike dhe politike. Fajin e ka ekskluzivisht presidenti Nicolas Maduro. Ai ka implementuar politika ekonomike shkatërrimtare dhe e ka shkelur me të dy këmbët Kushtetutën e vendit. Populli i uritur i Venezuelës bëjnë shaka në dëshpërim se po ndjekin “dietën Maduro”. Ilaçet janë të pakta në vend dhe aleatët e Maduros nuk bëjnë asnjë përpjekje për t’i ndryshuar gjërat në kutitë e votimit.
Edhe pse gjërat kanë shkuar keq për Venezuelën gjatë vitit 2017, 2018-ta mund të shkojë edhe më keq. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se inflacioni këtë vit do të arrijë në nivele rekord gjatë këtij viti dhe Maduro i ka ndaluar tre partive opozitare që të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale të muajit dhjetor. Populli ka dalë në rrugë për të protestuar kundër regjimit diktatorial të Madurols. Mbi 100 protestues janë vrarë, por asgjë nuk ka ndryshuar. Si rezultat, qindra mijëra venezuelianë kanë emigruar në vendet fqinjë. Vendet latino-amerikane janë të përçarë për mënyrën se si dhet të përgjigjen ndaj situatës. Shtetet e Bashkuara kanë imponuar sanksione kundër zyrtarëve të Venezuelës dhe mund të miratojnë të tjera këtë vit. Trump ka sugjeruar një ndërhyrje ushtarake nga ushtria amerikane, por kjo duket mjaft e vështirë gjithashtu. Tani për tani, Maduro nuk ka ndërmend të largohet, nëse populli i Venezuelës nuk e rrëzon.

Ambiciet botërore të Kinës
Xi Jinping ka kaluar një vit fantastik gjatë 2017-ës. Ai konsolidoi pushtetin e tij dhe tani renditet si lideri më i fuqishëm i Kinës që në kohën e Mao Ce Dunit. Pyetja është: Si do ta përdorë ai statusin e ri? Nëse gjykojmë fjalimin e tij prej 205 minutash në Kongresin e Partisë Kombëtare të Kinës në muajin tetor, Xi nuk ka për të qëndruar jashtë loje, përkundrazi, ka ndërmend të tregojë muskujt. Ai përdori termat “superfuqi” dhe “pushtet i fortë” plot 26 herë gjatë fjalimit të tij. Politika e jashtme imponuese e Xi-së me siguri do të përdorë në kombinim të pushtetit të butë dhe të fortë.
Ai do të ofrojë ndihma domethënëse për shumë vende aziatike nën siglën e politikës “Një brez, një rrugë”. Shumica e vendeve do ta kenë të vështirë t’i refuzojnë këzo fonde të majme, edhe pse do të vijnë me detyrime jo të vogla nga pas. Pekini do të mbështesë edhe politikanët dhe grupet që pëlqen më shumë përtej detit, një taktikë që ka filluar të gjenerojë përplasje. Uthulla që do të shoqërojë mjaltin do të jetë përpjekja për ta kthyer detin e Kinës së Jugut në një liqen kinez. Vendet në Azinë Juglindore do të jenë në pritje për ndonjë veprimi nga ana e Shteteve të Bashkuara për të frenuar Kinën në nismën e saj për t’u kthyer në hegjemoni rajonale. Balanca e rendit botëror mund të lëkundet.

Hetimi Mueller Investigation
Nuk janë vetëm amerikanët ata që interesohen për hetimin e këshilltarit special Robert Mueller. Kryeqytetet e huaja po bëjnë të njëjtën gjë. Presidenti Trump e ka quajtur hetimin “gjueti shtrigash” dhe i akuzat se fushata e tij ka pasur lidhje me Rusinë i quan “fake news”. Politikanët e të dy partive kryesore pretendojnë se e dinë saktësisht si do të zhvillohen ngjarjet. Të shohim se cila palë do të ketë të drejtë. Atë që dimë me siguri është që ish-këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare ka pranuar se ka gënjyer përpara FBI-së, ashtu si ish-këshilltari i fushatës George Papadopoulos.
Nga ana tjetër, zhvillimet janë tronditur me një sërë skandalesh që tregojnë implikimin e demokratëve dhe Hillary Clintonit në hetim. Avokatët e Presidentit Trump pretendojnë se çështja do të zgjidhet shumë shpejt, por historia na tregon se hetimi mund të tërhiqet zvarrë për muaj e muaj të tërë. Rreziku më i madh është që ky hetim mund ta zhysë Amerikën në një luftë të vërtetë kushtetuese të padëshirueshme. Demokracia e Shteteve të Bashkiara do të vihet në provë dhe bota është duke e ndjekur me shumë kujdes.

Demokracia në rrezik
Demokracia është në rrezik në pjesën më të madhe të botës. Mjafton të shqyrtosh renditjet e gjeneruara nga Frredom House dhe kupton se liria demokratike ka qenë duke u lëkundur përgjatë dekatës së fundit. Problemi nuk qëndron me demokracitë në zhvillim si Tajlanda që po shkon drejt autoritarizmit. Shumë demokraci perëndimore janë gjithashtu në vështirësi. Bashkimi Europian po kërcënon se do t’i heqë Polonisë të drejtën e votës në institucionet europiane, pasi Varshava pa miratuar ligje anti-demokratike, ndërsa Spanja përballë me lëvizje përçarëse në Katalonjë. Partitë politike të qendrës nëpër Europë kanë humbur vota përballë partive në të dy ekstremet. Partitë më tradicionale të qendrës janë ato që kanë hasur më shumë probleme, duke përjetuar humbje poshtëruese në Holandë, Francë dhe Austri, por vështirësi kanë pasur edhe ato të qendrës së djathtë, siç tregojnë zgjedhjet në Britani dhe Gjermani.
Shtetet e Bashkuara kanë një sistem të fortë dy-partiak, por demokracia nuk është më si në ditët e lavdishme. Kongresi e ka të vështirë të kryejë funksionet më bazike si financimi i qeverisë dhe amerikanët tregojnë në sondazhe se nuk kanë besim tek politikanët e tyre. Nuk është çudi që Shtetet e Bashkuara renditen bashkë me shumicën e vendeve perëndimore si “demokraci me të meta”.
Regjimet autoritare në vendi si Kina dhe Rusia përpiqen të dyja në mënyrë të ndryshme të ndikojnë në zgjedhjet e lira dhe të ndershme nëpër botë. A është demokracia e destinuar për t’u shkatërruar? Jo. Demokracia është përsëri regjimi më i mbështetur botërisht. Gjatë vitit 2018 do të ketë zgjedhje shumë të rëndësishme që mund të ndryshojnë situatën. E mira e demokracisë është që ia jep pushtetin popullit, ai e ka në dorë ta përdorë këtë pushtet sa më mirë.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Gardianët e Revolucionit, një shtet brenda shtetit?

Kanë futur në “kllapë” Presidentin reformist. Operojnë në krah të ushtrisë së Bashar al-Assad, rivendikojnë fitoren kundër milicive të ISIS-it, sfidojnë Amerikën dhe Presidentin e saj që i quan krahun e armatosur të një shteti terrori. Tani kërcënojnë Europën. Janë Gardianët e Revolucionit iranian, pasdaranët në shërbim të shefit të vetëm që e njohin me të vërtetë: Ajatollahut të Madh Ali Khamenei. Një shtet brenda shtetit, me një ushtri prej të paktën 125000 vetësh, me një ekonomi paralele prej qindra miliard dollarësh.
Kur diplomacia tregon muskujt dhe lufta është vazhdimi i politikës me mjete të tjera, në Iran pasdaranët kthehen të mbretërojnë. Atëherë ja zëvendësshefi i Gardianëve Revolucionarë iranianë, Gjeneral Brigade Hossein Salami, që paralajmëron se nëse Europa do ta kërcënojë Teheranin, pasdaranët do ta rrisin rrezen e raketave të tyre në mbi 2000 kilometra. “Në qoftë se e kemi mbajtur rrezen e raketave tona në 2000 kilometra kjo nuk i detyrohet mungesës së teknologjisë: po ndjekim një doktrinë strategjike”, ka thënë Salami, i cituar nga agjencia iraniane FARS. “Deri më tani kemi ndjerë se Europa nuk përbën kërcënim, kështu që nuk e kemi rritur rrezen e raketave tona. Por në qoftë se Europa dëshiron të bëhet kërcënim, atëherë do ta rrisim rrezen e raketave tona”.
Në këtë kontekst, pushteti i “reformatorit” Rohani është në fakt i kufizuar, fuqimisht i kushtëzuar në veprimin e tij. “Amerikanët dhe sionistët e dinë mirë sesa përcaktues është roli i IRGC-së si në mbrojtjen e vendit, ashtu edhe në mbështetje, në nivel ndërkombëtar, të aleatëve të Republikës Islamike”. Kështu është shprehur Ali Akbar Velayati, asistent i Ajatollahut Khamenei, në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve lidhur me shtimin e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit dhe Islamic Revolutionary Guard Corps. “Sot iranianët – djem, vajza, burra dhe gra – janë të gjithë IRGC, të vendosur bashkë me ata që na mbrojnë ne dhe rajonin kundër agresionit dhe terrorit”, i ka bërë jehonë Javad Zarif, ministri i Jashtëm iranian.
Më 22 prill, duke përkujtuar 38-vjetorin e themelimit të Gardianëve Revolucionarë, Gjeneral Mohammad Bagheri, President i Komandës së Forcave të Armatosura të Iranit, ka deklaruar se IRGC-ja, “ka vepruar si ‘mburojë sigurie’ e kombit iranian dhe e të gjithë myslimanëve nëpërmjet pranisë së saj në Siri e në Irak”.
Sipas statutit të saj, IRGC-ja “është një entitet nën komandën supreme të liderit” dhe ndjek politikisht e ideologjikisht velayat-e faqih (sistemin e pushtetit të mullahëve)” (përkatësisht nenet 1 e 47). Rezistenca iraniane ka evidentuar herëpashere se IRGC-ja është leva kryesore dhe organi qendror i mullahëve për të imponuar ushtarakisht darën e tyre represive. Në 38 vitet e fundit, Gardianët e Revolucionit kanë luajtur rolin kryesor në represionin e brendshëm, përfshi masat e përgjakshme kundër revoltës studentore të 1999 dhe revoltën kombëtare të 2009. Inteligjenca e IRGC-së është bërë një organ trishtueshmërisht i njohur si protagonist arrestimesh, torturash, ekzekutimesh dhe vrasjesh të disidentëve e të spiunazhit kundër fraksioneve të vetë regjimit. IRGC-ja ka ristrukturuar hierarkinë e saj më 2008 për të fuqizuar kontrastin e protestave popullore, duke krijuan një strukturë komandimi të pavarur për çdo provincë në gjendje të shtypë revoltat publike. Në koordinim me IRGC-në, edhe Basij-ët (milicia vullnetare e mobilizimit) marrin pjesë në represion. Trupa Basij i përdor njësitë e veta paraushtarake dhe rrjetin e vet të spiunazhit në universitete, shkolla, zyra administrative, fabrika dhe lagje për të identifikuar e arrestuar disidentët.
Përveçse në luftën 8-vjeçare midis Iranit dhe Irakut, IRGC-ja ka luajtur një rol të dorës së parë në konfliktet e hapura në Lindje të Mesme, nga Siria në Irak, nga Jemeni në Liban. “Siria është provinca jonë e 35-të”, shpalli më 2014 Mehdi Taeb, ish-komandant i IRGC-së. Kurse sot janë pasdaranët e “Forcës Al Qods”, repartet e Gardianëve të Revolucionit që operojnë jashtë vendit, që kanë kontrollin e disa bazave dhe aeroporteve ushtarake siriane si ato të al-Sin, T4, Domair dhe Mezzeh (Damasco). E “Forcës Al Quds” është pjesë Njësia 400, që në të kaluarën ka goditur apo ka tentuar të godasë objektiva izraelianë e amerikanë nëpër botë. Bëhet fjalë për rreth 3000 agjentë të zgjedhur, ndërsa pasdaranët janë rreth 125000.
Më shumë se një ushtri në vetvete, Gardianët veprojnë si një shtet brenda shtetit. Drejtuesi politik i tyre është Ajatollahu Ali Khamenei, kreu i tyre në terren është Gjenerali Mohammad Ali Jaafari. Kredoja e tyre, e shpallur në më shumë se në një intervistë për gazetat iraniane, është: “Irani ka arritur në një kapitull të ri të politikës së tij të eksportimit të revolucionit islamik jashtë vendit. Revolucioni islamik po përparon me shpejtësi të mirë. Jo vetëm Palestina dhe Libani kanë njohur rolin influent të Republikës Islamike, por edhe popujt e Irakut e Sirisë. Edhe ata e vlerësojnë kombin e Iranit. Faza e eksportimit të revolucionit ka hyrë në një erë të re. Hezbollahu dhe rezistenca e tij kundër një prej ushtrive më të forta të botës është një prej mrekullive të Revolucionit Islamik. Është pjesë e influencës së fuqishme të sistemit islamik si timonier i rajonit. Irani korr suksese të vazhdueshme në strategjinë e tij të eksportimit të Revolucionit Islamik në Lindje të Mesme”. Është ai që ka një kontroll të fortë mbi të paktën gjysmën e milicive shiite irakene, Al-Hashd Al-Shaabi. 100000 njerëzve në Irak u duhen shtuar 50000 të tjerë në Siri, midis sirianësh, irakenësh, shiitësh afganas e pakistanezë dhe po aq të Hezbollahut në Liban. Në total pothuajse dyfishi i pasdaranëve iranianë, 125000, përfshi 25000 që operojnë në repartet raketore dhe në Gjirin Persik. Ajo e tyre është një ushtri paralele: më eficente dhe më mirë e armatosur se ajo “zyrtare”: Në fakt, Gardianët kanë një aviacion, një marinë dhe një këmbësori të tyren.
Pasdaranët, që e kanë pasur provën e zjarrit gjatë konfliktit kundër Irakut, me kalimin e kohës kanë siguruar një pushtet të madh mbi shoqërinë iraniane. Mitit të ngritjes së klasave më të varfëra, nga ku kanë nxjerrë legjitimim të fortë, i është bashkëngjitur duke filluar nga fillimet e viteve ’90, një pjesëmarrje e drejtpërdrejtë në ekonomi dhe në prodhimin industrial të vendit. Kjo trupë e shton pushtetin e saj ushtarak, të nënshtruar forcave të armatosura, një penetrim kapilar në të gjithë asetet kryesore të ekonomisë iraniane, aq sa një raport i RAND Corporation i vitit 2009 e quante “një konglomerat të pasur socio–politiko–ekonomik, influenca e të cilit shtrihet praktikisht në çdo cep të jetës politike dhe të shoqërisë iraniane”. Në kompleks, pasdaranët kontrollojnë një rrjet kompanish dhe fondacionesh me të ardhura vjetore të vlerësuara në 12 miliardë dollarë.
Asesti më i rëndësishëm në profilin ekonomik (telefonia mobile, tunelet nëntokësore për centralet atomike, kërkimi universitar dhe industria ushtarake e atomike kanë një rëndësi më shumë strategjike sesa ekonomike) është Komanda e Ndërtimeve Khatam Ol Anbia, e cila monopolizon të gjithë tenderat për infrastrukturat. Nëpërmjet praktikës së nënkontraktimit, pasdaranët jo vetëm që sigurojnë fitime të konsiderueshme financiare në të zezë, por garantojnë edhe kontrollin e të gjitha kompanive të ndërtimeve private të vendit. Nuk mjafton. Në 8 vitet e presidencës së Mahmoud Ahmadinejad, Gardianët kanë siguruar shfrytëzimin e disa vendburimeve të gazit në South Pars, rezerva më e madhe e botës, dhe përmjet fondacioneve të tyre kanë siguruar aktivitete industriale dhe tregtare për një vlerë të vlerësuar në 120 miliardë dollarë. Midis këtyre kompania shtetërore telefonike (8 miliardë dollarë) dhe janë akaparuar tendera publikë të rëndësishëm si metroja e Teheranit me kompaninë e ndërtimeve Khatam Al Anbia.
Fondacioni i të Shtypurve (Bonyad Mostazafan) dhe Fondacioni i Martirëve dhe i Veteranëve (Bonyad Shahid va Omur-e Janbazan) janë dy institucionet më të mëdha ekonomike të vendit. Të dy kontrollohen nga ish-anëtarë të ushtrisë, të ardhur nga rangjet e pasdaranëve. Gjithë kësaj i shtohen të ardhurat e aktiviteteve “në të zezë”, si shitja e produkteve perëndimore. Është “Pasdaran Economy”: prodhon pasuri që krijon konsensus dhe u jep një motivim konkret të rinjve rrënjëshkulur për t’u rekrutuar në ushtrinë e Gardianëve: para dhe identitet. Të njëjtat leva me të cilat “Kalifati islamik” kishte ngritur pasuritë e tij. I pajisur me këtë pushtet, ushtarak dhe financiar – që reformisti Rohani nuk ka arritur ta shkulë – dhe të koperturës “ideologjike” të Ajatollahut Khamenei, Gjeneral Jaafari ndërhyn rëndshëm në krizën libaneze dhe Kryeministrit Hariri që kërkon çarmatimin e Hezbollahut, ai i përgjigjet prerë: “Nuk është argument i negociueshëm”. Ka që flasin për “ISIS shiit”. Një gjë është e qartë: në Iran ndryshojnë presidentët, zgjidhen edhe reformatorë si të tillë, por pushteti i Gardianëve nuk preket, bile konsolidohet më shumë dhe eksporton “revolucionin” e tij.

Përgatiti:
ARMIN TIRANA