15.5 C
Tirana
E enjte, 10 Korrik, 2025

Ethe spekulative

Në fund të janarit 2016 më së fundi vendos që ta ndaj mendjen, duke nisur të kursej. Një llogari në bankë është natyrisht e kotë, duke qenë se interesat janë praktikisht zero. Për të blerë aksione më mungon kapitali: ka vetëm 500 franga zvicerane (rreth 428 euro). Pastaj në jetë kam dëgjuar të flitet shumë për rënie bursash dhe për flluska që plasin. Nga ana tjetër, çfarë rezultati mund të shpresoj që të arrij? Në më të mirën e hipotezave, me një 20% të pabesueshëm fitimi, do të arrij të fitoj 100 franga të qelbura në vit, veç të tjerash, duke shtrydhur si limoni punonjësit e kompanive në të cilat investoj. Me pak fjalë, aksionet janë të përjashtuara. Rreziqe të larta, fitime të pakta dhe shumë ligësi. Kështu që vendos ta provoj me paranë dixhitale. Dikur në një bar jam njohur me një student Filozofie që me bitcoin kishte arritur të fitonte dhjetëra mijëra franga. Sot të gjithë flasin për kriptomonedhat. Në ndryshim nga kartëmonedhat, të bëra me një lloj letre që nuk mund ta falsifikohet, këto para dixhitale bëhen nga kode të ruajtura në rrjet, që me sa duket nuk mund të preken. Them me vete: nëse një copë letër mund të vlejë shumë, a mund të vlejë po aq ndonjë rrjesht kod, apo jo? Duke mos e pasur idenë sesi blihet një kriptomonedhë, i telefonoj një mikut haker, që teorikisht është trokë, por praktikisht mban të fshehura në shtëpi harddisqe të ndryshëm plot me para dixhitale. Nuk e di askush, operacionet me këto para janë më të rezervuara se një konsulent në një bankë zvicerane. Takohemi një të shtunë pasdite në bar. Miku im më ka thënë që të marr me vete laptopin, ai do të merret me blerjen e parasë dixhitale dhe unë do t’i jap një çek më pas. Kur më pyet se çfarë dua të blej, i përgjigjem: ether për një vlerë prej 500 frangash. Etheri është një nga dhjetëra kruptomonedhat tashmë në qarkullim, pothuajse të gjitha klone të thjeshta të bitcoin. Por krijuesit e etherit kanë bërë përpjekjen që të ndërtojnë një sistem të tyrin: ethereumin.
Ëndërroja një bitcoin më të mirë. Kam dëgjuar të flitet, pasi më ka ndodhur që të shkruaj një portret të Vitalik Buterin, themeluesit të tij, që në atë kohë ishte një djalë gjeni 21-vjeçar. Buterin e dinte shumë mirë se çfarë donte: të krijonte një rrjet krejtësisht novator fluksesh me vlerë. Monedha, etheri, do të ishte uji që do të rridhte në kanalet dixhitalë e këtij sistemi të ri të quajtur Ethereum. Nuk e kishte menduar as si mjet pagesash, as duhej të shërbente për spekulimet. Më shumë i interesonte që të abrogonte paranë dhe ndoshta edhe bankat. Ishte një lloj Lenini dixhital. Skuadra e tij me “nerd”-a më kishte lënë përshtypje të mirë. Pothuajse të gjithë njerëzit që njoh, të frikësuar nga gjuha kriptike teknike në rrjet, nuk blejnë para dixhitale. Kanë frikë, ndoshta frikësohen se mos janë shumë budallenj. Kur provoj që ta diskutoj argumentin, më kundërpërgjigjen me shumë gisht mesi të ngritur lart: më pyesin nëse kam dije të mjaftueshme teknike. Që është si të thuash se për t’i dhënë një makine duhet të jesh në gjendje që të shpjegosh sesi punon motori. E paraqitur kështu, pjesa më e madhe e njerëzve nuk do të duhet të përdornin as lapsat. Megjithatë, gjëja e vetme që i mundëson botës tonë tejet të zhvilluar që të funksionojë është fakti se përdorim objekte edhe pse nuk i kuptojmë. Mendoni sikur ta përdornim kompjuterin vetëm, pasi të kishim mësuar të programonim. Do të ndalej bota. Në praktikë, ether dhe bitcoin mund të shiten e të blihen pa e pasur as idenë më të vogël sesi funksionon kjo gjë nga pikëpamja teknike. Deri është më e lehtë sesa të blesh mollë në pazar. Vetëm fillimi është i pazakontë.
Kur në mesin e 2015 ka njohur Vitalik Buterin, një ether vlente 1.33 franga (1.14 euro). “Për momentin, etheri vlen 2.67 franga”, më thotë miku im në bar. Është shkurti i 2016: në pak më shumë se 6 muaj, etheri e ka dyfishuar vlerën e tij. Me miratimin tim, ai hap një faqe që i ngjan një kutie poste elektronike. Është një portofol dixhital që quhet wallet. “Diku duhet t’i dërgoj paratë e tua”, më thotë miku im. Hap një dokument teksti dhe e aty lëshon adresën e portofolit tim dixhital: 0xb32b63a61be2f4b3525a2cac1d1e56685abf9e58. Ky kod i korrespondon një llogarie të shifruar, por që ekziston vetëm në internet, në legjendarin blockchain. Ky i fundit nuk është gjë tjetër veçse një libër kontabël në të cilin e gjithë bota mund të hyjë për të verifikuar sesa shkon në një moment të caktuar saldoja aktive në secilën prej llogarive të shifruara. Në miliona kompjuterë ka një kopje identike e kësaj database, një backup. Blockchain funksionon kështu: Është sikur të ishim të gjithë të ulur përreth një zjarri dhe kur njëri i kalon diçka tjetrit të gjithë e kuptojmë dhe e kujtojmë. Në këtë mënyrë, shkelja e sistemit bëhet praktikisht e pamundur. Sot të gjitha monedhat dixhitale bazohen mbi blockchain. Përderisa ky libër kontabël – në ndryshim nga llogaria ime bankare – është publik, kushdo që për çfarëdo motivi njeh numrin e llogarisë time të shifruar mund të shikojë se më 9 shkurt 9 febbraio 2016 në orën 14 e 15 në të janë depozituar 18774082 etherë. Për ta siguruar këtë informacion mjafton të fusësh numrin tim të llogarisë në etherscan.io. Në këtë pikë, miku im kopjon dy fjalëkalime në dokumentim tim tekst. “Fjalëkalimet të shërbejnë për të spostuar paratë. Mos ia trego askujt”. Do të ishte më mirë t’i printoja dhe më pas t’i eliminoja nga laptopi. Me sa duket, ka shumë bursistë dixhitalë në pritje të fillestarëve si puna ime për t’ua boshatisur llogaritë. Sigurisht, asnjë haker nuk mund të modifikojë atë që regjistrohet në këtë regjistër të madh që është blockchain dhe të sigurojë para në këtë mënyrë. Megjithatë, vjedhja e të dhënave hyrëse në portofolët dixhitalë është e lehtë njëlloj sikur të vjedhësh kredencialet e postës elektronike. Mësimi i parë: interneti është i sigurtë sa Somalia, më mirë t’ua lësh në ruajtje prindërve një kopje të backup. Miratoj dhe ruaj fajlat në laptopin tim, në një nënkartelë të vështirë për t’u gjetur dhe pastaj paguaj kafenë. Në shtëpi printoj menjëherë gjithçka dhe, për siguri, i vendos kartelës një emër që shpresoj të kalojë pa rënë në sy: “et”. Por në rast se, shtëpisë do t’i binte zjarri, përfshi kompjuter dhe printer, çfarë do të ndodhte? I dërgoj një mesazh mikut tim, i cili më këshillon që të ruaj kopje të backup në një flash drive dhe më pas t’ua dërgoj prindërve. Mësimi i dytë: sigurinë absolute ta japin vetëm prindërit.

Llogari të shifruara
Qysh kur janë lançuar bitcoin-et në fundin e 2008, ekzistojnë llogari të shifruara të paprekura ndonjëherë, me saldo që vlejnë qindra milion euro. Në fakt, 64% e bitcoin-eve të krijuara nuk janë përdorur asnjëherë. Ka dy shpjegime të mundshme: paratë i përkasin shpikësit legjendar të bitcoin, Satoshi Nakamoto, apo njerëzve që kanë dashur ta provojnë bitcoin-in, por më pas u ka humbur fjalëkalimi. Në atë kohë, askush nuk do ta kishte mundur ta imagjinonte se kombinime germash dhe numrash pa asnjë përdorim konkret një ditë do të mund të vlenin mijëra euro. Qysh kur bitcoin ka pasur sukses, shumë kanë krijuar një kriptomonedhë të tyren, duke shpresuar në hopin e madh dhe shumë ia kanë dalë. Edhe programuesi kokëfortë i dogecoin, një monedhë dixhitale me një qen si logo, e menduar për të ironizuar pasionin e shpërthyer për bitcoin, ka arritur të pasurohet, në kundërshtim me çdo shpresë: njerëzit dëgjonin termin kriptomonedhë dhe menjëherë fillonin e blinin. Kush e ka bërë shpejt dhe me një çmim të mirë ka arritur që të fitojë më shumë se të tjerët. Ka lindur një klasë e re pasanikësh, kriptomilionerët. Midis tyre, milionerët e bitcoin janë etërit themelues. Në fillim qenë sidomos ata që blinin drogën në internet në vend se ta blinin në rrugë. Paguanin me bitcoin, pasi kështu nuk mund të njiheshin nga policia. Në një moment të caktuar e kanë kuptuar se trafikimi me para të siguron në shumë fitim dhe praktikisht bitcoin është një lloj droge. Për sa i përket investimit tim, mendoj se tashmë është shumë vonë për të realizuar fitime spektakolare. Pastaj hedh vetëm 500 franga. Praktikisht nuk mendoj edhe aq shumë: thjesht, logoja e etherit më duket më e bukur se ajo e kriptomonedhave të tjera. Është një romb gri në blu e përbërë nga trekëndësha të ndryshëm. Shumë shik. Në javët në vazhdim herëpashere kontroll ecurinë e kuotimeve.
Shtyp “Eth Chf chart” në Google, duke përfunduar në sajte si CoinGecko. Vlera e investimit tim rritet me 4 herë. Në marsin e 2016500 frangat e mia janë bërë 2000. Shumë më tepër nga sa do të kisha fituar me aksionet apo me obligacionet e arkës së kursimit. Krejtësisht i kënaqur, botoj një screenshot në Instagram dhe siguroj disa like. Pyes veten nëse është rasti të rishes, por nuk e kam idenë sesi bëhet. Nuk dua ta bezdis mikun tim haker. Një mik tjetër, që ka pushuar prej vitesh me këtë lojë bixhozi dixhitale, më këshillon që të shes menjëherë ose t’i heq 500 frangat e mia dhe të lë aty kusurin. Thekson se kriptomonedhat janë mashtrim. Edhe ai dikur ishte pjesë e mashtruesve. Ishte një whale, një balenë, domethënë pronari i një shifre të majme. Linte takime në chat me balena të tjera dhe vendosnin që të ngrinin vlerën e një monedhe të caktuar, duke blerë të gjithë sëbashku. Në zhargon quhet “pompim”. Pastaj papritmas, pas një sinjali të marrë, shisnin të gjithë njëherazi. Rezultati është gjithmonë njëlloj, thotë: balenat fitojnë një mal me para dhe të gjithë të tjerët humbasin. Prej vitesh miku im ka jetuar si milioner dhe në fund nuk i ka mbetur asgjë, përveç një problem me kokainën. Ngurroj. Shpresoj të fitoj akoma. Filloj të jem lakmiqar. Dhe për këtë ndëshkohem: këmbimi ndryshon. 4 javë më pas më mbetet në xhep ekuivalenti i 1000 frangave. Pastaj njëra katastrofë pas tjetrës: një projekt i madh i ethereumit hakerohet dhe vidhen më shumë se 50 milionë dollarë. Për pasojë, shpërthen një luftë midis programuesve, që nga ana e saj shkakton ndarjen e monedhës midis etherit (Eth) dhe ether klasikut (Etc). Me pak fjalë, midis meje dhe meje kam humbur tashmë 500 frangat e mia.

Në një stol në park
Një vit më pas, saktësisht më 21 maj 2017, unë dhe miku im Moritz jemi ulur në një stol në park. Moritz dredh një cigare, birra në kanoçe është e ngrohtë. Po shijojmë natën. Papritmas Moritz më pyet: “Po ti nuk kishe blerë etherë?”. “Ekziston akoma etheri?”, i përgjigje. “Herën e fundit që kam parë këmbimin ishte në 60 franga”, më thotë Moritz. “Si?”. Bëj dy hesape shpejt e shpejt: etherët e mi sot vlejnë më shumë se 10000 franga. Kërkoj menjëherë në Googlë: 1 ether kushton 144 franga. Kështu që posedoj ekuivalentin e më shumë se 20000 frangave. Uau! “Mmm, nuk e di as ku kam vënë kodin”, i them Moritz. “Pastaj edhe janë ndarë, nuk e di nëse kam Eth apo Etc”. Etc-të vlejnë vetëm 8 franga, kështu që pasuria ime vlen afërsisht 1400 franga. I shkruaj menjëherë mikut tim haker, që më përgjigjet mëngjesin tjetër: “Nëqoftëse nuk ke bërë asgjë kur janë ndarë, i ke të dyja monedhat”. Vërtet? Kërkoj gjithë nervozitet në malin e letrave ku ruaj të gjitha gjërat e rëndësishme. Në fund gjej adresën dhe fjalëkalimin. “Kontrollo nëse etheri është akoma në wallet”, më thotë miku im. “Ndoshta je hakeruar dhe ta kanë boshatisur llogarinë. Ndodh”. Hap etherscan.io dhe kopjoj adresën në dritaren e kërkimit. Ja ku dalin etherët e mi. Gjithçka është në rregull. Praktikisht në këtë pikë do të duhet tashmë të dija sesi i bëhet që të dilja ose të paktën do të duhej të kisha provuar që të spostoja para. Justifikohem me veten: një pjatë e mirë shijohet me ngadalë, nuk hahet me një kafshatë. Në realitet, kam zhvilluar tashmë një varësi. Dua më shumë. Kurba e grafikut synon për lart: përpara meje ngrihet një valë e lartë sa një pallat. Shikoj në Coingecko ecurinë e kurbës qysh kur është lançuar etheri. Këmbimi ka mbetur i qëndrueshëm për muaj në rreth 12 franga. Pastaj, në shkurt të 2017, ka filluar të ngrihet. Statisticienët e quajnë këto lloj ecurie “me shkop hokeji”. Zakonisht shikohet vetëm në prezantimet e konsulentëve financiarë. Në fakt, ka ndodhur vërtet dhe më ka ndodhur pikërisht mua. Çdo ditë vlera rritet me 20 franga dhe unë fitoj 3000 apo 4000 franga.

Një saldo milionëshe
Në fillim të qershorit, kur këmbimi ishte në rreth 320 franga, takoj disa miq në një pishinë të hapur. Janë të gjithë artistë. “Ke dëgjuar të flitet për Birru?”, pyet njëri. Birru është një dizajner që paguhet vetëm me bitcoin, por tani ka kaluar në ether. “Është milioner. Më ka dërguar një screenshot të llogarisë së tij”. Ma tregon. Ka një sakdo prej 1 milion frangash. Filloj të ëndërroj. Kontrolloj kuotimet më shpesh se mesazhet në WhatsApp. Tani një ether vlen 326 franga. Pas disa minutash ngrihet edhe pak dhe unë arkëtoj disa qindra franga virtualë më shumë. Ëndërroj të lahem në një vaskë plot me dollar. Filloj që të dua të shikoj para kesh, pasi me ether nuk paguan dot asgjëkundi. Prej të gjitha funksioneve të një monedhe – njësi llogarie bankare, mjet reserve i vlerës, mjet shkëmbimi – etherit i mungon pikërisht kjo e fundit. Pyes sesi mund t’i transformoj ato në para të vërtetë. I telefonoj David, që vite më parë ka shitur kompaninë e tij dhe ka blerë ar. Në 2013, pas rritjes së kuotimeve, i ka shkëmbyer me bitcoin. Menjëherë më pas, vlera e arit ka rënë dhe ajo e bitcoin-eve është ngritur në mënyrë marramendëse. “David, nëqoftëse shesh etherët, a më duhet të paguaj taksa?”, e pyes. David jeton në një vilë afër liqenit dhe në këtë moment po krasit lulet. “Jo”, ma kthen, “në rastin tënd nuk duhet t’i paguash”. Shyqyr? Në të kaluarën isha shumë në favor të tatimit ndaj të ardhurave financiare. Më dukej e padrejtë që kush fitonte pa luajtur as gishtin në bursë apo në tregun imobiliar të mos paguante. Kurse tani kam ndryshuar flamur: jam bërë kapitalist. “David, si t’ia bëj që t’i shes etherët?”. “Nëpërmjet Bitcoin Suisse”, më përgjigjet. Është një bursë e menaxhuar nga një njeri që e njeh. Është më e shtrenjtë se bursat e tjera, por është e besueshme. Nuk do të përfundojë si Mt. Gox, një bursë bitcoin-esh depozitat e së cilës u zhdukën sikur nuk qenë në 2013. “Janë të pakta bursat që tregtojnë etherin”, më shpjegon David. “Për shembull, Kraken dhe Poloniex. Askush nuk shkëmben etherë me franga zvicerane. Por Kraken ofron euro në këmbim të etherëve”. David më tregon se ka shitur etherë pikërisht dje. Ka pasur një parandjenjë të keqe, kur ka parë të rriteshin aq shumë kuotimet. “Me sa i shite?”, e pyes. “Me korresponduesin e 280 frangave”. “Sot janë me 320”, i them. David përtypet.
Në mbrëmje ndez laptopin dhe shkoj në uebsajtin Kraken. Nuk e shtyp adresën në shfletues, por e kërkoj me Google. Miku im haker më ka shpjeguar se kështu arrihet në sajtin zyrtar, duke shmangur ridrejtimin nga një shfletues i manipuluar në një adresë false, që mund të të vjedhë fjalëkalimin. Klikoj në kraken.com dhe ndërsa pres që faqja të ngarkohet kontrolloj edhe një herë akoma adresën. Këmbimi, ndërkohë kalon 330 frangat. Më duket se po fluturoj. Për të negociuar me Kraken duhet të hapësh një llogari dhe të fusësh sasinë e etherit që dëshironi të ofroni dhe këmbimin që je i gatshëm të prabosh. Pastaj mund të qetësohesh, duke pritur se kush e pranon. Kjo është e gjitha. Ose pothuajse. Përpara se të fillosh duhet t’i nënshtrohesh një proceduere identifikuese në tri nivele, pakashumë siç ndodh në bankë. Kështu që e gjej veten, duke dërguar në një sajt me emrin Kraken, të menaxhuar kushedi nga kush, të dhënat e mia personale më private: një foto të pashaportës time, ekstraktin e llogarisë së kartës time të kreditit. Kraken më përgjigjet se duhet të pres disa ditë. Në këtë pikë filloj të kem disa dyshime, por tashmë jam infektuar. “Sa duhet që Kraken të më lejojë të shesë”, i shkruaj mikut tim haker. “Kur e kam bërë më janë dashur dy javë”, më përgjigjet. Edhe ai ka dyshimet e tij. “Por për çfarë motivi kuotimet ngrihen dhe ulen?”, e pyes. Përgjigjen e sinqertë askush nuk e di. Njëri shet, sepse beson që gjërat shkojnë keq, një tjetër blen, sepse mendon që gjërat shkojnë mirë. Kuotimet janë rezultati i mendimeve të kësaj natyre. Sikur të ishin të njohura motivet për të cilat këmbimi ngrihet ose ulet, nuk do të ekzistonte spekulimi.
Kështu, për të parashikuar ecurinë e këmbimit, duhet zbuluar se cilët janë informacionet në posedim të spekulatorëve. Çfarë lexojnë? Duke shkruar Ethereum në Google zbuloj se Vitalik Buterin, themeluesi i tij sapo ka takuar Vladimir Putin. Ama nuk e di nëse është një lajm i mirë apo lajm i keq, nëse do të thotë që duhet të blej apo duhet të shes. Pastaj kujtohem se, Buterin ka dërguar mesazhe të gjata në kinezçe. Beson se potenciali i madh është në Kinë: 1.4 miliard blerës potencialë. Kam motive të mira për t’u mbështetur tek kërkesa. Miku im haker më shkruan se ka hartuar një plan të detajuar për të dalë nga gjëja dhe se do të konsiderohet përfundimisht i kënaqur, kur këmbimi do të arrijë në 500 franga. Të nesërmen, më 12 qershor 2017, takoj një mik shkrimtar në Bazel. Në drekë notojmë në lumin Ren dhe ai nis të më pyesë për etherin. Më tregon për miq artistë, që kanë braktisur punën për të spekuluar me etherin. Gjendja shpirtërore e tyre rritet dhe bie sipas kuotimeve. Mua më ndodh njësoj. Atë ditë, rreth orës 16, këmbimi i etherit arrin një pik maksimal prej 386 frangash. Jam i lumtur dhe vendos se do të shes kur 500 frangat e mia do të jenë bërë 100000, domethënë, kur një ether do të arrijë në 530 franga. Në orën 17 kuotimet zbresin në 340 franga. Sajti CoinGecko është i bllokuar. Sajti Zerohedge referon se ethereumi ka problem teknike. Mëngjesin e 13 qershorit, CoinGecko është ende jashtë shërbimi. Kuotimet vazhdojnë të zbresin. Çereku i fitimeve të mia është zhdukur në hiç dhe i kam duart e lidhura. Llogaria ime Kraken nuk është ende aktive. Miku im haker është larguar. Më 25 qershor një përdorues anonym boton një postim në forumin online 4chan: “Konfirmohet vdekja e Vitalik Buterin. Të brendshmit shesin ether”, kuotimet zbresin akoma. Lajmi rezulton fals: Buterin ka postuar një selfie.

Një betejë heroike
Sapo zgjohem në mëngjes shikimi im i parë nuk shkon tek ime shoqe apo tek fëmijët e mi, por tek celulari. Në bursat e etherit është në zhvillim një betejë heroike midis optimistëve dhe pesimistëve. Kuotimet ngrihen dhe ulen, edhe me 20% në një orë. Kjo gjë quhet volatilitet. Duke mos ditur më se çfarë të bëj, i telefonoj mikut tim të vjetër. Duhet të kërkoj që të çlirohem nga gjithçka kam sa më shpejt? Duhet të ndryshoj monedhë? Duhet të vazhdoj? “Jo”, më thotë miku im Paul, “të spekulosh do të thotë të fitosh para pa lëvizur asnjë gisht”. Paul është dizajner dhe nuk kupton asgjë nga paraja. Vendos që t’i jap të drejtë. Jam si një maratonist në mes të garës. Të rezistosh është e vështirë. Nuk mund të dorëzohem deri sa pa arritur në destinacion. Në një farë mënyre më duhet të motivohen. Duke kaluar përpara konçesionares së Tesla të Zyrihut më bjen një ide. Shesin modelin S. “Sa kushton?”, pyes. Me 80000 franga makina do të ishte e imja, më shpjegon shitësja. Tani posedoj rreth 55000 franga. Më mungojnë edhe pak, reflektoj me vete. Dhe nëse dua të vë diçka mënjanë për fëmijët, atëhere më mungojnë edhe më shumë, por tani kam një objektiv: një Tesla dhe kursimet për fëmijët e mi. Totalisht, 100000 franga. Deri sa të arrij këtë shifër, do të mbajë etherët. Për spekulatorët fillestarë rënia e parë është një lloj zbulimi. Ka që rezistojnë dhe ka që tërhiqen. Në fund fiton kush arrin që të mbajë nën kontroll etjen për fitim të menjëhershëm. Ose të paktën kështu shpresoj. Më 2 korrik, ka një rënie të papritur dhe për disa sekonda etheri vlen vetëm 15 franga. Pastaj kthehet në 200. “Kriptojeta”, e quan miku im haker: prekje e qiellit me një gisht dhe më pas rënie në humnerë. Por unë nuk dua të bie. Dhe në këtë pikë, sistemi Ethereum tregon të çara. Filloj të pyes nëse miku im spekulator, që qysh nga fillimi më këshillonte të shisja gjithçka, nuk kishte të drejtë. Thoshte se ishte një mashtrim i madh, se në fund do të zbulohej dhe do të kuptoja se me bitet nuk hahet. Kërkoj që të mos lejoj që ecuria të influencojë gjendjen time shpirtërore. Por është e vështirë. Më kthehet ai tiku nervoz në sy që më bezdiste përpara provimeve në universitet. Më 2 korrik zgjohem në mes të natës, rrëmbej celularin dhe kontrolloj kuotimet. Ime shoqe fle. Më parë është zemëruar se nuk më intereson më asgjë, as ajo e as fëmijët. Flet vetëm për para, më thotë. Edhe unë tashmë u ngjaj parave: jam bosh brenda, më thotë, shkoj në kuzhinë dhe gap dritaren. Jashtë nata verore është e ngrohtë. Më habit më shumë se gjithçka indiferenca ndaj ime ndaj zemërimit të sime shoqeje. Ndjehem se jam nga e drejta.
Tani jam pjesë e atyre që janë kundër tatimit mbi të ardhurat financiare. Jam një investitor racional që frekuenton konçensionaren e Tesla, një që kur flitet të “bëjë pjesën që i takon” preferon të bëjë bamirësi në vend që të paguajë taksat, që në parkun e lojërave u hedh një sy kuotimeve, që ka gjithmonë celularin në dorë dhe rrallë djalin e tij në krah. Bëhem i urryer vetë. Jam gjithmonë nervoz dhe i shqetësuar, edhe pse në fund të fund të fundit nuk do të humbisja më shumë se 500 franga. Mungon pak nga mesnata, kur i telefonoj vëllait tim të madh. Është një i apasionuar pas kompjuterëve. Në të kaluarën fitonte ndonjë para më shumë, duke vënë në shitje edicione të rralla Lego në eBay. Kur i kam treguar për ether, është hedhur në lojë menjëherë dhe me një kapital shumë më të madh se i imi. Qysh nga ai moment në shtëpinë e tij shihen gjithnjë e më pak kutia me Lego. I flas për preokupimet e mia. Nuk reagon, ndoshta po kontrollon kuotimet pikërisht në këtë moment. Ndoshta edhe atij tashmë i interesojnë vetëm paratë. Me maturi investigoj: “Je në gjendje të keqe shpirtërore prej rënies së etherit?”. Dhe në fakt më thotë: “Jo më çfarë, është në 320 franga”. “Por është katastrofë. Unë po kërkoj të fitoj diçka. Dua të arrij në 10000”. “Çfarë budallallëku”, më përgjigjet. “Këtë kombinim paniku dhe lakmie e njoh. Edhe unë deri pak kohë më parë isha i stresuar si ty. Doja të isha gati për ta shtypur pulsantin në momentin e duhur të shitjes. Por në një moment të caktuar kam kuptuar se paratë dixhitale as nuk më hyjnë në punë. Qeraja e makinës, makina, pushimet: me rrogën time arrij që t’i mbuloj të gjitha pa problem”.
Për të humbje dhe fitime janë vetëm një dëfrim. Pastaj shton: “Besoj se ndjehesh saktësisht kështu kur je i vërtet i pasur. Kur paraja nuk ka më pushtet mbi ty”. Ajo natë për mua ndryshon gjithçka. Kthehem të jetoj i qetë. Dhe kështu duhet të jetë jeta e spekulatorit: nuk duhet menduar se mund të merren vendime, të kontrollohen kuotimet sikur të keshë peshë në vendimmarrje. Duhet lësh të shkojë, siç bëhet në festime: vallëzohet deri në një moment të caktuar dhe pastaj shkohet në shtëpi. Më 27 korrik llogaria ime në Kraken më së fundi është aktive. Ndërkohë vlera e etherit është më shumë se përgjysmuar respektivisht pikut maksimal. Durim. Më pas, etheri fillon të ngrihet dhe ngrihet gjatë gjithë verës. Fillimisht me ngadalë e me ndonjë përshpejtim, më pas gjithnjë e më me shpejtësi. Ndjek zhvillimet me qetësi të plotë. Disa mijëra më shumë apo më pak? Është kjo që e bën gjithçka dëfryese. Të dëgjosh valët dhe t’i kalosh një e nga një. Më 2 shtator, në mëngjes, pasi i kam ndërruar panolinon më të voglit të fëmijëve të mi, ndërsa shoqja ime më sjell kafenë, i hedh një sy kuotimeve. Është si atëhere, përpara se binte vala e parë e madhe. Ja, vala ime. Mbaj vetëm 20 etherë. Një orë më pas, bëj një dërgesë prej 6042613 frangash në llogarinë time të vërtetë bankare. Kam realizuar një fitim prej më shumë se 12000%. Çfarë kam bërë me ato para? Kam vajtur në bankë, siç bëhej dikur, dhe aty më kanë ofruar një librezë kursimi për fëmijët e mi. Përqindja e interesit: 1%.
(Hannes Grassegger për Das Magazinë)

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Dembele nuk është gati

Ousmane Dembele bëri paraqitjen e tij të parë në 110 ditë, duke dalë nga pankina për 20 minutat e fundit të ndeshjes së Kupës së Mbretit, Celta Vigo-Barcelona, 1-1, të enjten. Pione Sisto “anuloi” avantazhin hapës të Jose Arnaiz, për ta lënë kualifikimin hapur për ndeshjen e dytë, atë të kthimit, në të cilën Dembele ka gjasa të përfshihet përsëri në formacion. Por, Valverde, i cili e përdori Dembelen në një rol qendror, me Luis Suarez dhe Lionel Messin, do të presë për aktivizimin fillestar të blerjes 105 milionë euroshe të Barcelonës.
“Dembele luajti në një pozitë, ku u lirua nga detyrimet mbrojtëse, të cilat ishin paksa stresuese në atë kohë të ndeshjes”, tha Valverde për ndryshimin e pozitës së Dembele. “Duke e ditur se kjo ishte ndeshja e parë e këtij lojtari pas pothuajse katër muajve pa luajtur, unë preferova që ai të ishte në një pozicion ku mund të mësohej gradualisht me lojën. Ne duhet të merrnim parasysh se ritmi i një ndeshjeje të tërë, edhe kundër një ekipi të divizionit të parë, do të ishte e tepruar për Dembele”, tha ai.

PSG “ringjall” ëndrrën e madhe

PSG kthen vëmendjen nga Cristiano Ronaldo. Dy ditë më parë bëri bujë lajmi i mediave iberike se ylli i madh i Real Madridit ka marrë tri oferta të rëndësishme, ndërkohë që dje, “El Confidencial”, del me emra të përveçëm, duke zbuluar njërën nga skuadrat e marrosura pas portugezit. Dhe Real Madridi ka pse të shqetësohet, sepse në lojë është PSG-ja, që verën e kaluar arriti t’i rrëmbejë yllin brazilian, për një shumë rekord të të gjitha kohërave, Neymar. Klubi parisien kthehet përsëri tek njëra prej dëshirave të mëdha të pronarëve të tij. Sheikët, që financojnë gjigantët e kryeqytetit francez, pas rekrutimit të Neymar dhe Mbappé, verën e kaluar, janë të bindur se mund të arrijnë edhe te pesë herë fituesi i “Topit të Artë”. Ata, veç parave, janë në gjendje t’i ofrojnë CR7 një projekt sportiv që, sipas tyre, nuk duhet ta ketë zili Real Madridin.
Oferta parisiene ka pasur pasoja në politikën e shitjeve të klubit francez. Duke pasur parasysh shpenzimet e bëra verën e kaluar dhe tjetra (kur nënshkrimi i Mbappé do të jetë efektiv), PSG urgjentisht duhet të rimbursojë 70 milionë euro për të përmbushur “fair-play financiar” të UEFA-s, i cili do të shpjegonte nxitimin e entitetit francez në shitjen e disa prej lojtarëve aktualë. Sidoqoftë, rasti i Cristiano Ronaldos do të kishte pak të bëjë me Neymarin. Për fillestarët, klauzola e Cristiano Ronaldos te Real Madridi është shumë më e lartë se ajo e brazilianit në Barcelonë: 1000 milionë euro për 222 milionë euro. Shifra është e papranueshme për çdo ekip, prandaj një largim i ngjashëm është përjashtuar. Duhet të ketë negociata, edhe pse klubi i bardhë nuk është në favor të lejimit të largimit të yllit më të madh.

Klauzola “bombë”!

Barcelona mund ta shohë Lionel Mesin të largohet nga klubi pa asnjë pagesë, falas, nëse Katalonja është e suksesshme në ofertën e saj për pavarësi, raporton “El Mundo Deportivo”. Kontrata e yllit të Argjentinës ka një klauzolë të shkruar në të, duke treguar se ai mund të largohet falas, nëse Barça nuk do të vazhdonte të luante në Spanjë, Angli, Francë apo në garën më të lartë të Gjermanisë. Mesi aktualisht ka një klauzolë lirimi prej 700 milionë eurosh në kontratën e tij, e cila u nënshkrua në fund të vitit 2017, por nëse oferta e pavarësisë katalanase do të ishte e suksesshme, 30-vjeçari do të vihej në dispozicion të kujtdo, si një transferim i lirë. Pra, situata politike në Katalonjë ka përfshirë edhe Lionel Mesin. Lojtari argjentinas dëshironte të ishte i qartë në lidhje me atë që do të ndodhte në rastin kur Katalonja të fitonte pavarësinë, duke e detyruar Barcelonën për të krijuar kushtet, që të largohet nga klubi.
Mesi ka rënë dakord me shkrim për rinovimin e kontratës multimilionë euroshe për të vazhduar në Barcelonë, por vetëm në qoftë se pavarësia hipotetike e lejon atë për të luajtur në “një ligë të standardeve europiane”, diçka që legjislacioni aktual e bën të pamundur për rastin e spanjollëve. Përndryshe, ai do ta linte automatikisht klubin katalanas, pa pasur nevojë të paguante klauzolën e tij (700 milionë euro). Sulmuesi i Barcelonës ka prezantuar një klauzolë në marrëveshje, sipas të cilës, bie dakord për të luajtur te Barça në rast të shkëputjes (pavarësisë) së Katalonjës, vetëm nëse klubi mbetej pjesë e një prej kompeticioneve më të rëndësishme të kontinentit: ligat angleze, gjermane, franceze ose spanjolle. Ky opsion i fundit është i papërshtatshëm me Ligjin aktual të Sportit.
Ylli argjentinas ka lëvizur gjatë disa muajve të kaluar në klubin azulgrana përmes përfaqësuesve të tij, duke nënvizuar shqetësimin e tij për gjendjen politike në Katalonjë. Ai ka rinovuar me Barcelonën për katër vitet e ardhshme, ndërkohë që klubi rezervon mundësinë e zgjatjes së marrëveshjes më tej, në të njëjtat kushte. Nëse Katalonja bëhet një republikë e pavarur, por Barcelona vazhdon të luajë në kampionatin spanjoll, ose ka aftësinë për t’u integruar në Bundesligën gjermane, Premier League angleze, Ligue 1 franceze, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” mbetet me fanellën blaugrana. Çdo formulë tjetër që nuk përshtatet në mundësitë e përshkruara, do të shkaktonte largimin e menjëhershëm të Mesit, pa pasur nevojë të paguante klauzolën e tij të shlyerjes, 700 milionët stratosferikë.
Siç shpjegohet nga “EL MUNDO”, klubi katalanas do të paguajë për Mesin një shpërblim bruto prej 100 milionë eurosh, që do të shpërndahet gjatë sezoneve të ardhshme. Kjo shumë e shtuar në kartelë do të dërgojë në 35 milionë euro neto fitim në vit, 70% më shumë se sa merr Cristiano Ronaldo. Këto shpërblime nuk përfshijnë të drejtat e imazhit, të cilat janë të rezervuara për shfrytëzim të plotë, as bonuset. Vetëm shifrat e rëna dakord nga ish-shoku i tij, Neymar me PSG, janë të afërta me ato që është pajtuar Mesi me Barçën.

“Ter Stegen është po aq i mirë sa Manuel Neuer”

Portieri i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen, tashmë është aq i mirë, sa bashkëlojtari i tij në kombëtaren e Gjermanisë, Manuel Neuer. Për këtë ka siguruar një nga mesfushorët më të mirë në botë, Xavi Hernandes. 25-vjeçari ka qenë i rëndësishëm në fillim të sezonit katalanas, duke pësuar vetëm shtatë gola në La Liga, ndërsa të tijtë janë nëntë pikë të qartë në krye të renditjes. Ter Stegen ka marrë përsipër zgjedhjen e parë në ekipin kombëtar të Gjermanisë, në muajt e fundit, dhe ish-ylli i Barcelonës, Xavi, beson se kampionët e botës janë ende në duart e sigurta me 25-vjeçarin. “Ai është aktualisht një nga portierët më të mirë në botë. Ai luan në një nivel të lartë, është një njeri i mirë dhe është shumë profesional, tha mesfushori ikonë për “Bild”. Kur e pashë ditën e parë te Barcelona, isha i befasuar nga cilësitë e tij si futbollist. Ai është një portier shumë i mirë, mendoj se është pak a shumë në të njëjtin nivel me Manuel Neuer”.
Gjermania është e pajisur mirë edhe në mesfushë, teksa Xavi ka lënë anash lidhjet e tij me Barcelonën dhe rivalitetin me Real Madridin, për të lavdëruar Toni Kroos, i cili mbetet i rëndësishëm për kampionët europianë të Zinedine Zidane. “Kroos është një nga mesfushorët më të mirë në këtë moment, shtoi ai. Mendoj se po e shijon kohën e tij në Madrid. Madrilenët kanë një ekip të fortë dhe Kroos është ndër lojtarët e tyre më të mirë”.

Kane ka kualitetin për të luajtur te Reali

Sergio Aguero beson se Harry Kane i Tottenham ka kualitetin për të luajtur te Real Madrid.
Sulmuesi argjentinas, i cili është përfolur për një kalim te Real për shumë vite, është i bindur për cilësitë e Kane. “E vërteta është se lojtarë të kualitetit të tij nuk do të kishin problem të luanin për një klub kaq të rëndësishëm si Real Madrid”, shprehet Aguero mbi Kane, i cili raportohet të jetë në radarin e gjigantëve spanjollë. “E vërteta është se jam shumë i lumtur këtu, si gjithmonë, siç kam thënë më parë, klubi ka fjalën e fundit. Klubi është ai që vendos dhe unë do të respektoj vendimin e tyre”, tha ai.

Milan mendon për huazimin e mesfushorit të Tottenham

Sipas asaj që shkruhet në shtypin europian, AC Milan mbetet i interesuar për të marrë mesfushorin e Tottenham, Mousa Dembele, kontrata e të cilit me klubin e veriut të Londrës skadon në qershor 2019. Drejtori teknik i Milan, Massimiliano Mirabelli, synon të forcojë ekipin në mesfushë dhe ka si objektiv të marrë shërbimet e Dembele, futbollist i cili është kërkuar edhe nga trajneri Gennaro Gattuso.
Milan nuk mund të shpenzojë në merkato, duke parë se ende nuk ka justifikuar 200 milionë euro të shpenzuara në verë, por Mirabelli po punon për huazimin e Dembele me të drejtë blerjeje përfundimtare në fund të sezonit për një çmim që nuk i kalon 20 milionë euro. Kuqezinjtë, që renditen në vendin e 11-të të Serie A, vazhdojnë garën në Europa League dhe në Kupën e Italisë ku kanë shkuar në gjysmëfinale.

Pastore ringjall shpresat e Inter

Javier Pastore nuk u paraqit në rifillimin e përgatitjeve stërvitore te PSG. Argjentinasi nuk iu përgjigj kështu grumbullimit, ndërkohë që zyrtarë të klubit sqarojnë se kanë autorizuar mungesën me justifikimin “arsye personale”. Një element ky që ka mjaftuar për të shpërthyer zërat e merkatos përreth “Skifterit”. Asnjë çështje, pretendojnë nga Parisi, por Inter ripozicionohet vigjilente në dritare. Pastore dëshiron të transferohet brenda merkatos së janarit, dhe kjo mungesë mund të përshpejtojë divorcin, duke u dhënë zikaltërve një shans më shumë.
Mungesa e futbollistit ka krijuar shumë zhurmë në Francë, edhe mbi të gjitha në qendër të merkatos, por mes një hipoteze dhe tjetrës, ishte e detyrueshme ndërhyrja e klubit të PSG, që justifikoi situatën, duke sqaruar se ish-ylli i Palermos nuk iu përgjigj ftesës së trajnerit Emery për grumbullim, për arsye personale, duke shijuar një ditë më shumë pushim të autorizuar. Një sqarim ritual, që nuk mjafton për të shuar zërat e transferimit përreth Pastore, me Inter si destinacionin potencial, pavarësisht përgënjeshtrimit të menaxherit.

Inter trembet nga Real Madridi

Luciano Spalletti ka qenë shumë i qartë: Aktualisht, Inter nuk ka 40 milionë euro për të shpenzuar për blerjen e Pastore ose Mkhitaryan, dy fantazistët që ishin identifikuar si futbollistët e duhur për të furnizuar me topa qendërsulmuesin Mauro Icardi. Duke qenë se nuk mund të përforcohet në merkato, edhe pse mbetet gjallë mundësia e huazimit të Deulofeu nga Barcelona, klubi zikaltër synon të blindojë qendërsulmuesin argjentinas, që ka përfunduar në “radarët” e Real Madrid. Në këto kushte, Inter është gati t’i ofrojë një kontratë të re kapitenit…
Icardi është emri kryesor në listën e trajnerit të Real Madrid, Zinedine Zidane, për të zëvendësuar Karim Benzema, i cili në qershor do të largohet nga “Bernabeu”. Për momentin, Icardi ka një kontratë me Inter, e cila do të prishet automatikisht nëse një klub vendos të shpenzojë 110 milionë euro në 15 ditët e para të muajit qershor. Nga ana e tij, argjentinasi nuk ka thënë kurrë se dëshiron të largohet nga “San Siro”, por zikaltërit do të marrin masa dhe kanë bërë gati rinovimin deri në qershor 2023, që do të shoqërohej me rritjen e pagës dhe klauzolës për shitjen e tij.

KQZ u heq mandatin deputetëve Rakipi dhe Rehovica

KQZ vendosi dje ndërprerjen e mandatit për dy deputetët Aqif Rakipi të PDIU dhe Gledion Rehovicës të LSI-së. Vendimi është marrë me 5 vota pro. Prokuroria kërkoi heqjen e mandatit për deputetin e PDIU-së, Rakipi dhe të LSI-së, Rehovica pasi prekeshin nga ligji i dekriminalizimit. “KQZ me 5 vota pro vendos të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të deputetit, për Gledion Rehovica dhe Aqif Rakipi”, lexoi vendimin kryetari i KQZ-së, Klement Zguri. Në një reagim për mediat, Aqif Rakipi e quajti të turpshëm vendimin e KQZ-së për heqjen e mandatit si deputet i PDIU-së. Ai akuzon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se mori një vendim “jo transparent dhe me dyer të mbyllura”. Anëtari i KQZ-së Gëzim Veleshnja nuk mori pjesë në votim. Para votimit u dëgjuan palët mbrojtëse. Deputeti Aqif Rakipi përmes avokatit të tij mbrojtës kërkoi pezullimin e procedurës administrative në KQZ për ndërprerjen e mandatit deri në një vendim nga Gjykata Administrative e Apelit. “Në këtë gjykatë deputeti Rakipi ka kërkuar shfuqizimin e të vetmes bazë ligjore për të cilën kërkohet ndërprerja e mandatit. Nëse shfuqizohet ky veprim, atëherë lidhet drejtpërdrejtë me kërkesën e Prokurorisë për heqjen e mandatit”, deklaroi avokati mbrojtës Theodhori Sollaku. Por kjo kërkesë e hedhur në votim nga anëtarët e KQZ u hodh poshtë. Më pas KQZ vijoi shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë ndaj deputetit Rakipi. Avokati kërkoi mospranimin e kërkesës së Prokurorisë me pretendimin se nuk ka sjellë asnjë fakt të ri, por dhe se nuk ka shkak për ndërprerje mandati. “Prokuroria ka dështuar se ka bërë fshehje të qëllimshme të identitetit tjetër në formular. Nuk ka ardhur asnjë fakt i ri nga Prokuroria. Pse nuk sjellin vendimin që ka marrë Prokuroria italiane për klientin tim, bëhet fjalë për një vepër penale mbajtja e sendeve të vjedhura. Duhet të provosh që dihet që janë sende të vjedhura”, deklaroi Sollaku.

Akuzat mbi dy deputetët

Në shkresën e Prokurorisë së Përgjithshme, drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thuhet se shenjat e gishtërinjve të deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi provuan se në vitin 1998 kur jetonte në Itali, përdorte emrin Skënder Ejylbegaj. Më 3 nëntor të atij viti është raportuar në Itali për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur. Emrin Skënder Ejylbegaj, regjistruar në një vit tjetër lindjeje, Aqif Rakipi e përdorte që prej vitit 1996. Këto fakte të fshehura u zbuluan nga hetimi i thelluar, ndërkohë që deputeti i PDIU-së e kishte detyrim ligjor të tregonte në formularin e vetëdeklarimit nëse ka qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga një autoritet i huaj për kryerjen e një vepre penale apo nëse ka qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale. Përgjigjja e tij në formular ka qenë “Jo”. Të njëjtën gjë ka bërë edhe deputeti Gledion Rehovica. Shenjat e gishtërinjve treguan se ai është raportuar po në Itali më 24 shkurt 1999 për veprën penale “Vjedhje dyqani”, por me emrin Kusta Mina. Edhe deputeti i LSI-së ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Prokuroria argumenton se, fakti që në formular nuk është pasqyruar asnjë e dhënë në lidhje me ndalimet dhe hetimet përkatëse në shtetin italian, si dhe me identitet të rremë, me të cilët dyshohen se kanë konsumuar veprat penale: përkatësisht Aqif Rakipi të marrjes së mallrave të vjedhur dhe Gledion Rehovica të “vjedhjes së një dyqani”, bën që subjektet të përfshihen në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.