Në Samitin e Liderëve Botërorë të Biznesit që u mbajt në Oksford Shqipëria përfaqësohej nga Presidenti i EUROSIG dhe INSIG Kadri Morina.
Biznesmeni shqiptar prezantoi përpara sipërmarrësve dhe përfaqësuesve të botës akademike nga 55 vende të botës potencialet për investime në vendin tonë.
Samiti i Liderëve Botërorë të Biznesit kishte në fokus tendencat inovative në biznes, arsim, menaxhimin dhe rolet e përgjegjësitë e liderëve të biznesit në botën moderne.
Biznesmeni i njohur shqiptar në fushën e sigurimeve u nderua me Çmimin “Sokrates” nga drejtori i Përgjithshëm i Europe Business Assembly, Profesori John Netting.
“Ndihem i privilegjuar që jam këtu, pranë shumë biznesmenëve të suksesshëm. Ne e filluam aktivitetin tonë në një fushë të re, pasi ambicia jonë ishte edhe për industrinë e sigurimeve. EUROSIG është një kompani me kapital tërësisht shqiptar dhe shumë shpejt, kjo kompani, zuri një vend të rëndësishëm në tregun shqiptar të sigurimeve. Sot ofron paketa të plota të shërbimeve dhe aktiviteteve, duke u renditur ndër kompanitë më prestigjioze”, shprehet z.Morina. Në të vërtetë gjiganti EUROSIG&INSIG që ai themeloi dhe që e drejton me kompetencë, profesionalizëm e përkushtim është ndër më të vlerësuarit e vitit 2017 nga institucione vendase e ndërkombëtare. Vetë z.Morina ka marrë disa çmime që e radhisin atë ndër biznesmenët shqiptarë më të suksesshëm.
“Kompania me trendin më të lartë të rritjes në Shqipëri nuk mund të qëndronte vetëm brenda kufijve administrativë të Shqipërisë, por duhej të zgjerohej edhe më tej në rajon, ku ka edhe shqiptarë, por edhe të tjerë. Gjatë vitit 2015, EUROSIG zgjeroi investimet e saj në Kosovë, duke zënë vendin e parë në tregun e sigurimeve. Ndërkohë, për të katërtin vit radhazi, EUROSIG është klasifikuar si kompania me trendin më të lartë të rritjes në tregun e sigurimeve dhe me normat më të larta të pagesave të dëmeve. Gjithashtu, EUROSIG është vlerësuar me çmimin ‘Zgjedhja më e mirë në Shqipëri’ në tregun e sigurimeve nga Superbrands me qendër në Londër”, theksoi z.Morina.
Aktualisht EUROSIG ka mbi 3000 punonjës në të gjithë rajonin. Majin e 2016 investoi 16 milionë euro në blerjen e kompanisë së parë të sigurimeve në Shqipëri, INSIG. Sfida e ardhshme tregoi Presidenti Morina është zgjerimi në tregun europian të sigurimeve.
Kadri Morina nderohet me çmimin “Sokrates”
Pas lirimit të Sotës dhe kthimit të pasaportës Tahirit, ambasadori italian në zyrën e të komanduarës së Ramës
Ambasadori italian Cutilo ka mbërritur në zyrëne të komanduarës së ramës në Kryeprokurori. Nuk ka detaje nga takimi, por momenti që ka zgjedhur ambasadori për të takuar të komanduarën e Ramës përkon me lirimin nga burgu të Sotës në makinën e të cilit u gjenden 863 mijë euro si dhe dy patentat e Tahirit për anije dhe skaf. Takimi vjen edhe pas një tjetër vendimi të rëndë për hetimet, atij të rikthimit të pasaportës nga Apeli i Gjykatës së Krimeve të Rënda për Tahirin. Duket se pala italiane është e shqetësuar pas këtyre vendimeve që po minojnë hetimet për tahirin dhe grupin e tij kriminal të drogës.
Skandal, Rama fut drogën në listën e barnave të rimbursueshme 2017
Albana VOKSHI
Pacientët lihen pa kurat e nevojshme për pazaret e miqve të Kryeministrit.
Kryeministri Rama urdhëroi sot Ministren e Shendetësisë të dale në një deklaratë të re mashtrimi për dështimin më të madh të Rilindjes: SHËNDETËSINË FALAS!!
Ministrja e Shëndetësisë pranon në cdo rresht të deklaratës së saj të gjitha akuzat dhe Denoncimet e Partisë Demokratike:
1- Ministrja Manastirlliu pranon se në 2017 fëmijëve diabetikë nuk ju siguruan fishat për matjen e nivelit të sheqerit në gjak. Arësyeja e vetme: mosmiratimi i Listës së Barnave të Rimbursueshme 2017 (LBR2017). Sot, Ministrja e Shëndetësisë në deklaratën e saj sot duhet të jepte llogari:
– Pse LBR 2017 nuk u miratua kurrë???
– Pse Damianës dhe 1500 fëmijëve të tjerë diabetikë ju mohua e drejta për fisha të rimbursueshme një vit të tërë??
– Cfarë pazaresh dhe cilët klientë te Ramës fshihen pas mosmiratimit të LBR 2017?
– A është KRIM të lësh fëmijët pa kura vetëm për hir të pazareve dhe fitimeve në kurriz të shëndetit të fëmijëve shqiptarë??
Ministrja Manastirlliu edhe sot u tall me fëmijët diabetikë. Në asnjë rresht të deklaratës qeveritare nuk i kërkoi falje pacientëve fëmijë për mohimin e një të drejte themelore, të drejtës për kujdes shëndetësor !
2- Ministja Manastirlliu flet për 140 barna të reja të rimbursueshme në 4 vite të Rilindjes. Edhe këtu Ministrja Mashtron. 140 janë thjesht altërnativa të ndryshme, numri i barnave të reja është shumë herë më i vogël. Por për padije apo mungesë informacioni, Ministrja nuk përmendi që vetëm vitet e fundit të Qeverisjes së Partisë Demokratike, Listës së Barnave të Rimbursueshme ju shtuan mbi 150 barna të reja për sëmundshmëri të pambuluara më parë si talasemia, kanceri i gjirit etj. Sot Ministrja kishte rastin t’u shpjegonte të sëmurëve (me tumor, sëmundje zemre, me sklerozë, sëmundje mendore, të psoriazis etj) pse 30 barnat e reja të planifikuar në LBR 2017 për kurimin e tyre nuk u rimbursuan kurrë?? Për sa kohë Qeveria do të vazhdojë të rimbursojë ushqime ne vend te barnave?? (sic eshte rasti i ketosterilit)??
Sot Ministrja Manastirlliu duhet t’u shpjegonte shqiptarëve edhe SKANDALIN e RADHËS:
– Pse në listën e rimbursimit të barnave 2017 ishin të planifikuar për rimbursim e përdorim shtëpiak edhe drogëra të forta???
– Kush e urdhëroi futjen e Fentanylit në LBR2017 për të cilin u alarmua edhe agjencia nderkombetare e narkotike ne Vjene? Pse nuk u bë kurrë publike që ishte falë edhe reagimit të tyre që ministria të terhiqej nga kjo cmenduri dhe krim me shendetin e njerezve??
3- Paturpësisht Ministrja në deklaratën e saj, përsëri gënjeu kur tha që përgjigjet për mamografitë e lëvizshme kthehen në kohë rekord. Është mbi 10 mijë nr i gravë që kanë kryer mamografinë e lëvizshme. Secilës i është dhënë në dorë (në rastin më të mirë) një CD që ka humbur kush e di ku në ndonjë sirtar të shtëpisë. Shumë prej tyre sot mund të kenë shëndet të përkeqësuar ose edhe mund të mos jetojnë më. Jeta apo përkeqësimi i shëndetit të grave, janë përgjegjësi direkte e Ministres Manastirlliu të cilën as cinizmi i tepruar e as mbrojtja e Kryeministrit nuk e shpëton dot.
4- Ministrja Manastirliu foli edhe per rimbursimin e barnave për 600 mije te pasiguruar që mbetet një spekulim i pastër i Ramës për të fshehur dështimin e premtimit të madh për Shëndetësi Falas. Që në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike, rimbursoheshin me 100% ose në mënyrë të pjesshme pothuajse të gjitha kategoritë: fëmijë, pensionistë, PAK, ndihmë sociale, të papunë etj. Mjaftonte një vërtetim nga institucionet shtetërore për të siguruar barna të rimbursueshme. Sot që në flasim, asgjë nuk ka ndryshuar as nga ana ligjore e as nga ana praktike. Skema funksionon krejt njëlloj si në kohën e PD. Të njëjtat kategori marrin rimbursim të plotë ose të pjesshëm. E vetmja gjë që ka ndryshuar, janë ngjyrat e ndezura të zyrave të punës, të cilat vetëm sa kanë shtuar kalvarin e gjatë e të mundimshëm për marrjen e vërtetimeve të papunësisë.
5- Ministrja foli edhe për akseleratorin linear, që në fakt është investim i Qeverisë Berisha. Ironikisht, Ministrja Manastirlliu sot ka akuzuar veten e saj për shpërdorim detyre. Për shkak të shkeljes së premtimit për vënien në punë të akseleratorit linear në afatin e duhur, ka qenë vetë Ministrja Manastirlliu, në atë kohë drejtoreshë ë QSUT, që ka urdhëruar përdorimin e pajisjeve të vjetra e të degraduara të kobaltit me qëllimin e vetëm për të mashtruar pacientët dhe duke vënë në rrezik jetën e tyre!! Vetëm pas denoncimeve të Partisë Demokratike, njëra prej këtyre pajisjeve u hoq nga përdorimi dhe tjetra vazhdoi të përdoret në raste të kufizuara.
6- Në fund, Ministrja Manastirlliu sot duhet të japë llogari:
– pse të sëmurët me hemofili ende vuajnë për mungesë faktori?
– pse të sëmurëve me kancer në onkologjik nuk ju jepet shërbimi dhe kura e duhur?
– pse sot ne cdo spital por edhe ne QSUT mungojnë pajisjet dhe barnat me elementare???
– pse sot në QSUT nuk bëhen ekzaminimet e duhura për gratë e prekura me kancer gjiri??? Ju kujtoj që këto ekzaminime janë kryer më parë në QSUT… A ka lidhje kjo me dhënien me koncesionin e dyshimtë të laboratoreve??
– pse mjekët ikin nga Shqipëria apo japin dorëheqje si mënyrë refuzimi për kushtet skandaloze në të cilat Ju i këni lënë të punojnë???
Në çdo vend demokratik, sjellje të tilla të papërgjegjshme të autoriteteve ministrore shoqërohen me dorëheqje! Pra iu hiqet “fisha” zyrtarëve neglizhentë dhe pazarxhinj me listën e ilaçeve…dhe i dorëzohen organeve të drejtësisë!!
Sot, e vetmja kurë e plotë për vendin mbetet Largimi i Edi Ramës!
Basha: E vetmja kurë është largimi i Ramës
Lulzim BASHA
Në 14 nëntor, në kulmin e skandalit të Saimir Tahirit, u bëmë dëshmitarë të një shfaqje të pashpirt të Edi Ramës me një 12- vjeçare, që vuante nga diabeti. Ai i premtoi Damiana Bakiut, familjes së saj dhe, nëpërmjet saj, 1500 familjeve të tjera që jetojnë me dhimbjen e diabetit të fëmijëve të tyre, se fishat e matjes së diabetit do të rimbursohen që nga janari 2018.
Janari erdhi, por as Damiana, as 1500 fëmijët e tjerë nuk do të rimbursohen, sepse qeveria e Edi Ramës nuk ka miratuar akoma Listën e Barnave të Rimbursueshme për vitin 2017. 1500 fëmijët e sëmurë me diabet do të vazhdojnë të blejnë 100 mijë lekë çdo muaj fishat e diabetit, sepse klanet e tregut miliarder farmaceutik, klientë të Edi Ramës, nuk kanë rënë akoma dakord si do të ndajnë fitimet nga Lista.
Fëmijët me diabet nuk janë të vetmit që janë mashtruar nga Edi Rama. Ai bëri fushatë elektorale me premtimin se mijëra shqiptarë do të përfitonin nga zgjerimi i Listës me 30 ilaçe të reja me fokus tek sëmundjet me përhapje të gjerë si ato të zemrës dhe të veshkave. Është e qartë se edhe këta mijëra shqiptarë janë peng i pazareve të pambyllura të klientëve të Edi Ramës me Listën e Barnave të Rimbursueshme.
Ky vit ka nisur keq edhe për spitalet dhe qendrat shëndetësore. Siç e përshkruajnë mjekët dhe pacientët, gjendja është skandaloze, pa kushte, pa barna dhe pa kura të mjaftueshme. Shëndetësia falas nuk ekziston më as si term në fjalorin e kryeministrit, qeveria e të cilit ka braktisur plotësisht gratë, pjesën më vitale të çdo shoqërie.
Në Shqipëri ka rreth 500 raste të reja çdo vit me kancer gjiri dhe kjo sëmundje është shkaku kryesor i vdekjes tek gratë. Por dy analiza jetike për gratë e sëmura me kancerin e gjirit, për diagnostikimin dhe kurimin e tij, nuk kryhen më në QSUT. Ky shërbim jepet vetëm në spital privat dhe kushton 200 mijë lekë.
Prej 3 vjetësh, gratë që bëjnë mamografitë në shërbimin publik ambulator, nuk marrin përgjigje për analizat, sepse flitet se ky shërbim do të jepet me konçesion. Derisa Edi Rama të vendosë për këtë, shumë gra mund të kenë vdekur nga mungesa e një përgjigjeje elementare, janë apo jo me kancer.
Gjendja nuk ka për t’u permirësuar, as sepse shëndeti i shqiptarëve nuk është prioriteti i Edi Ramës, por as sepse drejtuesit e spitaleve nuk do ta ngrejnë zërin për pacientët e tyre! Partia Demokratike ka sjellë fakte se në krye të spitaleve rajonale janë emëruar militantë partie, interesi kryesor i të cilëve është t’i shërbejnë partisë dhe jo qytetarëve.
Kjo situatë skandaloze në shëndetësi ka sjellë eksodin masiv të mjekëve dhe infermierëve. Në 3 vjet janë larguar nga vendi rreth 530 mjekë dhe 848 infermierë, të cilët po kërkojnë jashtë vendit kushte më të mira pune dhe paga më të larta.
Gjendja në shëndetësi ka qenë kritike edhe gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, por ne nuk zgjodhëm konçesionarët para shqiptarëve. Në atë kohë, eksodi i mjekëve ishte i paimagjinueshëm.
Sot, me buxhetin e vitit 2018, qeveria ka parashikuar të paguajë 40 milionë euro në vit për konçesionet e 4 klientëve të Edi Ramës dhe familjes së tij. Nëse Rama do t’i ndërpriste sot këto konçesione korruptive, 40 milionë euro do të mjaftonin për të mbuluar nevojat me pajisje dhe barna për të gjithë spitalet e Shqipërisë.
Por kryeministri i krimit, drogës dhe votave të blera nuk do ta bëjë këtë, sepse ai nuk jep askund llogari për aktet e tij. Prandaj, është detyrë e secilit prej nesh të mos mbetemi tek urimi pesimist “Zoti na ruajtë”, por të bëjmë gjithçka për ta ndaluar Edi Ramën të dëmtojë më shumë shëndetin tonë! E vetmja kurë e plotë dhe përfundimtare për vendin është largimi i tij!
Lirohet “Peshku” 863 mijë euro
Tre javë pas marrjes së Prokurorisë së Përgjithshme, Edi Rama liroi dje nga burgu, Orest Sotën, i cili u arrestua nga policia pasi ju gjetën 863 mijë euro para kesh dhe dy patentat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Dje, me nisjen zyrtare të punës pas festave, Rama mezi ka pritur kur menjëherë me urdhër të tij, Apeli i Krimeve të Rënda ka ndryshuar masën e sigurisë për biznesmenin Orest Sota, nga “arrest me burg” në “liri me garanci pasurore”.
Lirimi i Sotës dëshmon për kontrollin tërësisht të Ramës ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe nisjen gjithashtu të zhdukjes së të gjithave provave dhe dosjeve që lidhin Ramën me narkotrafikun. Rama e ka nisur me dosjen më të ethshme atë të Saimir Tahirit, provat për të cilin mbi trafikun shtetëror të drogës janë voluminoze.
Dje, Rama bëri hapin e parë në nisjen e zhdukjes së këtyre provave. Duke liruar si fillim Orest Sotën, një prej pikave kyçe të provave që dëshmonin lidhjet e qeverisë Rama me trafikun e drogës. Liria e Sotës, vjen si një vendim i beftë në një kohë, kur Prokuroria para emërimit të Arta Markut kishte dyshime të forta se paratë e gjetura në makinën e Sotës i përkisnin ish-ministrit të Brendshëm, Tahiri. Gjykata e Apelit ka vendosur lirimin nga paraburgimi të Orest Sotës me një garanci pasurore prej 5 milionë lekë dhe detyrim paraqitje. Në nëntor, Prokuroria kërkoi arrest me burg për 25-vjeçarin në makinën e të cilit në datën 1 nëntor Policia e Elbasanit gjeti 863 mijë euro dhe dy patenta mjetesh lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Krimet e Rënda kërkuan nga ana e tyre që të cilësohej si i ligjshëm ndalimi i të riut për akuzën e pastrimit të parave. Sipas grupit hetimor, kishte dyshime se Sota nuk justifikon paratë dhe kishte dyshime se janë produkt i aktivitetit kriminal. Orest Sota u la në burg në 4 nëntor nga Gjykata e Elbasanit për akuzat e kundërshtimit të forcave të policisë, drejtim pa leje të mjetit, fshehje e të ardhurave dhe pastrim parash. Por duke qenë se në makinën e 25-vjeçarit u gjetën patenat e ish-ministrit Tahiri, dosja iu bashkëngjit çështjes Tahiri-Habilaj, e cila iu kalua për hetim Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila vendosi dje lirimin e Sotës.
Në dosjen e Prokurorisë lëvizjet e Orest Sotës me makinën e Tahirit
Janë disa prova të forta të nxjerra nga vetë Prokuroria në lidhje me arsyet që çuan në kërkesën për lënien në burg të Orest Sotës. Kërkesë kjo e kthyer përmbys dje nga Krimet e Rënda.
Prova më e fortë, krahas parave dhe patentave të sekuestruara në makinë është ajo e lëvizjeve të Orest Sotës me automjetin e Ministrisë së Brendshme gjatë kohës që Saimir Tahiri ishte ministër.
Biznesmeni Orest Sota ka lëvizur me makinën e Ministrisë së Brendshme jashtë vendit nga pika e Muriqanit drejt Malit të Zi, fakt i cili pretendohet nga Prokuroria në argumentet e dërguara Gjykatës me kërkesën për bllokimin e pasaportës së ish-ministrit. Në argumentet e Prokurorisë theksohet se më datë 24.02.2017, ora 08:05 Orest Sota doli nga Shqipëria nëpërmjet pikës së Muriqanit me automjetin me targa MB 279 AA, rezultuar në inventarin e mjeteve të Ministrisë së Brendshme.
Ndërkohë që me këtë mjet, sipas Prokurorisë ka disa hyrje-dalje Gentian Ceka, i cili është shoferi i Tahirit. Në një tjetër provë për lidhjen mes biznesmenit dhe ish-ministrit, Prokuroria deklaron se në datë 07.07.2017 Saimir Tahiri doli nga Shqipëria, nëpërmjet Muriqanit me automjetin e Ardit Sotës, vëllait të Orest Sotës dhe hyri në datë 09.07.2017 me automjetin në emër të Shoqërisë “IKONA”, me pronar Lefter Sota, babain e Orest Sotës.
Paratë dhe patentat në makinën e Sotës, provat që fundosën Tahirin
Policia e Elbasanit ka ndaluar më 1 nëntor 25-vjeçarin Orest Sota, që kishte në makinë 863 mijë euro dhe dy leje drejtimi për anije 20 dhe 100 ton të Saimir Tahirit. Me urdhër të Edi Ramës, këto të dhëna u fshehën në komunikatën e policisë.
Vetëm pas tre ditësh, dhe pas denoncimit të kryetarit të opozitës, policia u detyrua të pranojë publikisht shumën prej 863 mijë euro, bashkë me dy patentat e lundrimit të Saimir Tahirit. 25-vjeçari Orest Sota ka deklaruar se 863 mijë euro i duheshin për të blerë hekur tek Kurum. Por ky version ka rënë poshtë, sepse Kurum nuk pranon para kesh, e në veçanti jo për sasi të tilla, që do të blenin të paktën 70 kamionë të mëdhenj me hekur.
Ndërkohë, kompania e 25-vjeçarit Sota dhe e babait të tij, nuk i justifikojnë me dokumenta këto para. Në lidhje me këtë skandal dhe këto të dhëna PD ka ngritur dyshimet se të kujt janë 863 mijë euro? Dhe se pse Edi Rama, Fatmir Xhafa dhe Haki Çako urdhëruan policinë t’i fshehë të dhënat nga komunikata? Të gjitha rrethanat tregojnë se, këto para i përkasin të njëjtit person që i përkasin edhe patentat e lundrimit. Janë të Saimir Tahirit.
863 mijë eurot dhe patentat e lundrimit, janë pikërisht provat që kërkon drejtësia që faktojnë implikimin në trafik droge të Saimir Tahirit.
Përgjimet audio: Tahiri anëtar kryesor i bandës së Habilajve!
Ish-kryeministri Berisha ka reaguar pas publikimit të përgjimit audio të bandës së Habilajve, ku del se Tahiri ishte anëtar kryesor i bandës. “Ja përgjimi që fakton Saimir Trafikun si anëtar kryesor të bandës së Habilajve! Në këtë përgjim të Habilajve dëshmohet se:
Makina e narko-ministrit Saimir Trafiku, me targën qeveritare dhe pronësinë ministrore ishte mjeti tejet i çmuar për trafiqet e bandës!
– Hanëm Tahirit banda i blinte brilante me çmim 15 mijë euro
– Saimir Trafiku ka bërë kërdinë duke blerë votat!”, shkruan Berisha.
Audio 1/Biseda e Habilajve me italianin: “…I kanë q*”* nënën në gropë, i kanë vjedh’ të gjitha votat”
“Politiko.al” ka zbardhur bisedën të plotë të regjistruar nga Prokuroria e Katanias zhvilluar ndërmjet pjesëtarëve të ‘klanit Habilaj’, të mbajtur në përgjim për disa vjet. Me ‘B’ janë shënuar biseduesit dhe me numra secili prej tyre.
AUDIO 1
B1: …Se ke edhe shumë punë këtu i tha.
Pse, i tha Moisiu, nuk janë njerëz të mirë këta?
Çfarë njerëz të mirë, ata janë bastardë, i tha.
Eee, kështu si thoni ju ata janë bastardë, tha Moisiu. Moisiu për të nxjerrë sytë, ngacmonte ata.
O vëlla, i thashë unë, i fola shqip, thuaj i thashë, se unë i njoh më mirë se sa juve; më mori punën para dy muajsh.
(Qeshin)
Qeshte Moisiu, o (emër italian, nuk kuptohet), çfarë tha ky çfarë tha ky, çfarë tha ky?
Lëre tha, karton, tha.
Vajta atje, më thoshte pronari mua, se pronari kishte folur me Saimirin…që i kishte ashtu kostumin.
Eeeeeeee.
Më tha mua i lecioni, më tha mua, lecioni… unë e mora si leksione.
B 2: -Po.
I lecioni më tha, i thonë votime. I leccioni më tha, benne.
I thashë unë: çfarë i ke thënë këtij, jemi në shkollë ne tani, çfarë i ke thënë?
Jo, or jo, më thoshte mua, pyet për votimet se ka fol’ me Saimirin. Po, i thashë unë, i kanë q… nënën në gropë, i kanë vjedh’ të gjitha votat. Ja, kshu do futet Shqipëria në Europë. Fillova politikën unë me atë. (qeshin).
Aman o, lëre më thoshte Moisiu, se mo vjen ai këtu se ka mbajtur numrin (qeshin të gjithë), se i kishte pëlqyer.
More vesh ça i kishte blerë Moisiu nuses së atij?
Biseduesi 2: Eeeeee…
B1: 15 mijë euro gjerdan..
B2: Ça thu ti re?
B1: Tani për tani.
B1: Përveç lekëve (ndërhyn B2:… kostumeve…shefave që paguante.)
B1: Përveç Sokolit që mori lekët për punën…Saimiri nuk donte lekë. Edhe u dha…i dha gjerdan. Komplet diamant.
…..
(Njëri nga bashkëbiseduesit del nga makina. Lënë takim për të nesërmen ora 8:45 te ‘Peshku’.
Në makinë dëgjohet vetëm muzika e radios).
KOMENTAR
Çfarë ka të re në këtë material të publikuar nga Politiko. al? është pyetja e parë, duke ditur faktin se shumë elementë të dosjes Habilaj, të grumbulluar në përgjimet italiane, janë zbardhur nga media. Gjëja e parë, e pahasur në materialet e mëparshme, është fakti se përgjimet e këtij materiali audio lënë të kuptohet qartë fakti se ish-ministri Tahiri ka patur kontakte, jo vetëm me Habilajt, por edhe me partnerët italianë të tyre. Me sa duket, ai nuk ka qenë vetëm një ‘lehtësues’ me infrastrukturë dhe influencë shtetërore, por ka zbritur edhe në ‘terren’. Kjo del qartë në bisedën e mësipërme, kur njëri prej të përgjuarve i kërkon tjetrit që të mos flasë shumë (“se mos vjen këtu ai, se i ka mbajtur numrin”).
Elementi i dytë i ri lidhet me zgjedhjet. Del po aq qartë nga materiali i këtushëm se Tahiri ka folur edhe me italianët për zgjedhjet e pritshme në Shqipëri. Kushtojini vëmendje pjesës kur ndodh ngatërresa gjuhësore: italiani që i përmend zgjedhjet (elezzioni) dhe i përgjuari që kujton se po flet për leksione.
Elementi i tretë, ka të bëjë me sigurinë që jep ky pasazh zanor mbi atë se, a është kamionist Saimiri që del në përgjime, apo është ministër. Këtu flitet për një njeri me pushtet që quhet Saimir, që merr dhurata të shtrenjta dhe që është i shqetësuar për zgjedhjet.
Korrupsioni 250 milionë, KLSH kallëzon të besuarin e Ramës
Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori ish-kryetarin e Komisionit të Prokurimit Publik, Gentian Kerri, së bashku me dy ish-anëtarë dhe dy anëtarë aktualë të këtij institucioni. Gentian Kerri, njëri nga njerëzit më të besuar të Ramës akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Mësohet se në përfundim të një auditimi në Komisionin e Prokurimit Publik, për periudhën e veprimtarisë së këtij institucioni nga data 01.01.2015 deri më 31.08.2017, KLSH ka gjetur disa shkelje.
Në raportin e KLSH, rezulton se Komisioni i Prokurimit Publik në shqyrtim të pjesshëm të disa prej ankesave të operatorëve të ndryshëm ekonomikë ka vendosur me pa të drejtë kualifikimin dhe shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë të skualifikuar nga KVO-të si dhe skualifikimin me pa të drejtë të disa operatorëve ekonomikë të shpallur si fitues në procedurat e prokurimit.
Gjithashtu, referuar gjetjeve të auditimit rezulton që KPP ka vendosur që të kualifikojë dhe shpallë si fitues operatorin ekonomik me ofertën më të lartë, ndërkohë që asnjëri prej operatorëve ekonomikë nuk plotësonte kriteret kualifikuese.
Në total, për të shtatë rastet e vendimmarrjes së paligjshme të KPP-së, të shtjelluara këto më hollësisht në Raportin Përfundimtar të Auditimit, audituesit e KLSH-së kanë konkluduar në ekzistencën e një dëmi ekonomik prej 248,868,262 lekë.
Për tre nga vendimet e Komisionit të Prokurimit Publik të konstatuara me shkelje nga auditimi i KLSH-së, Kontrolli i Lartë i Shtetit me shkresën nr. 859/7, datë 31.12.2017 i ka përcjellë organit të Prokurorisë kallëzim penal ndaj ish-Kryetarit të KPP-së (G.K.) si dhe dy prej ish-anëtarëve (S.K., J.H.) dhe dy prej anëtarëve aktualë (L.G. dhe H.B.) të këtij institucioni me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Më konkretisht në kallëzimin penal të hartuar nga KLSH evidentohet vendimmarrja e paligjshme e KPP në lidhje me ankesat e bëra në këtë institucion për tre procedura prokurimi dhe më konkretisht:
1.Vendimi nr. 302 datë 6.5.2016 në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “B3- Blerje barna gjaku dhe organet formuese të gjakut për nevoja spitalore” – Loti 12, me fond limit 55,127,233 lekë, i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) në vitin 2016.
2.Vendimi nr. 84 datë 19.2.2016 lidhur me procedurën e tenderit me objekt “Blerje furgon i blinduar i përdorur (copë 5)” – Loti II, me fond limit 15,500,000 lekë (pa TVSH), zhvilluar në datën 29.12.2015, nga autoriteti kontraktor Posta Shqiptare sh.a.
3.Vendimi nr. 43/2016, datë 22.01.2016, në lidhje me ankimin e bërë në lidhje me prokurimin me objekt: “Mirëmbajtje bazuar në performancë segmentet rrugore Tiranë-Ndroq-Romanat, Plepa Ura e Farkës etj., 58,3 km (AK-Drejt. Rajonale Qendër Tiranë)”, me fond limit 47,357,107 lekë.
Në vendimet e mësipërme, KPP ka shpërfillur në mënyrë flagrante dokumentacionin bashkëlidhur ankesave të operatorëve ekonomikë si dhe atë të operatorëve të tjerë ekonomik ndaj të cilëve drejtohej ankimi, duke konkluduar më pas në mënyrë të paargumentuar në kualifikimin dhe skualifikimin e tyre, kjo e konfirmuar në një rast edhe nga vendimmarrja e Gjykatës Administrative, Tiranë.
Inspektori i policisë i emëruar nga Tahiri kërcënon qytetarët
Një inspektor i Komisariatit Nr.5 në kryeqytet, i cili shfaqet haptazi si mbështetës i Partisë Socialiste, ushtron presion ndaj qytetarëve. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Qytetari shkruan se inspektori Ben Zalla mban në Facebook si foto profili ish-diktatorin Enver Hoxha dhe foto me Saimir Tahirin. Zalla mban një makinë me xhama të zeza dhe u bën presion qytetarëve në zonë.
“Ja narko-policia që duam!
Qytetari dixhital denoncon:
Narko-inspektorin e policisë që mban në profil të FB foton e kryexhelatit, Hitlerit të shqiptarëve, Enver Hoxhës!!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje z.Berisha, po të dërgoj foton e inspektorit të Komisariatit Nr.5 në Tiranë, Ben Zalla. Në profil mban diktatorin. Bën presion nëpër zonë, me makinën me xhama të zinj”, shkruan qytetari.
Qeveria diskriminon Kamzën, 15 bursa për 149 mijë banorë
Edhe pse është fillimi i vitit 2018, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë akordon për studentët e Bashkisë Kamëz vetëm 15 (pesëmbëdhjetë) bursa të Arsimit të Lartë për vitin akademik 2017-2018. Referuar numrit real të popullsisë në Bashkinë Kamëz, regjistrohen 140.000 banorë, e thënë ndryshe, Kamza përfaqëson 5% të numrit të popullsisë në shkallë vendi.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka një numër total të bursave për Arsimin e Lartë në shkallë vendi 1800 (një mijë e tetëqind). Të ndodhur përpara këtyre fakteve në ndarje matematikore i përkon që Bashkisë Kamëz t’i jepen 90 (nëntëdhjetë) bursa studimore. Aktualisht, ajo ka marrë 6 herë më pak sesa fakti real që Bashkia Kamëz duhej të ishte përfituese.
Edhe në kushtet e dhënies së 90 bursave studimore, përsëri do të kishim një vështirësi në ndarjen e tyre, pasi kërkesa për to është shumë herë më e lartë dhe e vlerësuar sipas kritereve përfituese. Jo më tani që për studentët e Bashkisë Kamëz mbeten vetëm 15 bursa studimore dhe diskriminimi vjen nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë si një trajtim i vërtetë politik, ku të dëmtuar nga ky vlerësim dalin studentët e qytetit të Kamzës.
Ky diskriminim është vazhdë e trajtimit të qytetarëve të Kamzës si qytetarë të dorës së dytë. Prandaj kërkojmë që të rishikohet nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë edhe një herë numri i bursave studimore akorduar Bashkisë Kamëz për trajtimin e studentëve të këtij qyteti. Për të gjithë këto i jemi drejtuar me shkresa zyrtare dikasterit përgjegjës të qeverisë shqiptare.
Edmond DURAKU