I gjithë qarku juglindor i Korçës është mbuluar nga bora. Reshjet intensive gjatë orëve të natës kanë bërë që trashësia e borës të arrijë deri 25 cm në fshatin turistik të Dardhës dhe në Qafën e Qarrit. Në segmentin Qafë Thanë-Kapshticë bora arrin deri në 10 cm. Sipas informacioneve më të fundit, akset Korçë-Dardhë, Korçë Voskopojë, Korçë-Ersekë momentalisht janë të kalueshme me zinxhirë. Ndërkohë, aksi Qafë Thanë-Kapshticë është i kalueshëm, por pjesërisht duhen përdorur zinxhirët.
Policia e Korçës njoftoi se akset dytësore janë të kalueshme, por pjesërisht nevojitet përdorimi i zinxhirëve konkretisht në rrugën Dardhë-Voskopojë-Vithkuq, si edhe Leskovik-Gërmenj.
Reshjet e dëborës në Qarkun e Shkodrës kanë prekur prej ditësh vetëm zonat malore, duke krijuar një situatë problematike.
10 kilometra rrugë që lidhin Vermoshin me Shkodrën nga segmenti i Qaf-Predelec deri në qendër të fshatit është e bllokuar nga dëbora, por edhe rrëshkitja e gurëve e dherave në rrugë. Për pasojë janë të bllokuar fshatrat e Vermoshit dhe të Lepushës në Njësinë Administrative të Kelmendit, Bashkia Malësi e Madhe.
Emergjencat Civile thonë se, pasi të shihet situata nga afër do të marrin masa, duke treguar se deri më tani nuk kanë informacion për bllokimin e rrugës, edhe pse bora e rënë ka prej 72 orësh.
Problematike paraqitet situata edhe në aksin rrugor Bogë-Theth, në zonën e Qafë Thores, ku 14 km rrugë vazhdojnë të jenë të bllokuara nga dëbora. Atje asnjë fadromë nuk është dërguar për hapjen e rrugës që të dërgon në zemër të qendrës turistike më të preferuar nga turistët, por që këtë fundviti dhe fillim viti të ri, ishte mollë e ndaluar për të gjithë. Edhe segmenti rrugor Theth-Breg Lumi – Shkodër si shkak i rrëshkitjes së dherave dhe gurëve në rrugë ka vështirësi kalimi. Në aksin rrugor nacional Vau Dejës – Pukë ka patur prezencë të rreshjeve të deborës, por nuk ka probleme për lëvizjen e mjeteve.
Reshjet e deborës të rëna gjatë mbrëmjes kanë përfshirë edhe zonat malore në rrethin e Librazhdit, duke sjellë anomali në akset rrugore. Rruga Librazhd-Peshkopi si dhe Prrenjas–Qafë Thanë kanë vështirësi në qarkullim.
Sipas shefit të Zyrës së Emergjencave pranë Prefekturës Elbasan, sasia e borës ka shkuar në 35 cm në Qendrën Administrative të Stëblevës, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve në drejtim të Peshkopisë, ndërsa në aksin e Qafë Thanës, policia u ka kërkuar drejtuesve të mjeteve të kenë kujdes dhe të përdorin zinxhirët.
Sipas shefit Zyrës Emergjencave deri tani nuk ka bllokim të rrugëve nacionale. Ndërkohë edhe në Dibër, reshjet e borës kanë krijuar vështirësi në qarkullim. Si pasojë e reshjeve gjatë orëve të natës në Qarkun e Dibrës, policia njoftoi se në disa akse rrugore rurale ka prezencë të borës dhe akullit.
Policia Rrugore e Dibrës ka shtuar grupet e shërbimit në akset rrugore, për të drejtuar e menaxhuar me kujdes qarkullimin rrugor si dhe për t’ju ardhur në ndihmë gjithë përdoruesve të rrugës që kanë nevojë për ndihmën e policisë.
Borë dhe akull në Veri e Juglindje të vendit, disa akse të bllokuara
Dy aksidente në Elbasan, një i vdekur, një në gjendje të rëndë
Një i moshuar humbi jetën në një aksident në rrugën Cërrik-Elbasan. Kurse një person tjetër ndodhet në gjendje të rëndë gjithashtu si pasojë e një tjetër aksidenti në Elbasan. 69-vjeçari po kalonte rrugën në fshatin Kuqan, kur një makinë e mori para. I dëmtuari ndërroi jetë në spital. Aksidenti i dytë ndodhi më herët në kryqëzimin e Unazës te rruga e Trenit. Një motor tentoi të parakalonte me shpejteësi makinën, e cila e goditi. I dëmtuari u dërgua në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë, kurse drejtuesi i makinës u shoqërua në polici. Ndërkohë në vendin e quajtur ‘Rotonda’ në rrugën Maqellarë-Shupenzë, dy persona u plagosën. Një “Benz” u përplas me një “Opel” dhe për pasojë dy pasagjerët morën plagë. Ata u dërguan për ndihmë mjekësore në Spitalin e Peshkopisë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Përplasen dy makina në Maqellarë, dy të plagosur
Dy automjete janë përplasur mesditën e djeshme në Dibër. Aksidenti ka ndodhur në rrugën Maqellarë-Shupenzë dhe si pasojë dy persona kanë marrë lëndime. “Në vendin e quajtur ‘Rotonda’, aksi Maqellarë-Shupenzë, është përplasur mjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin Gj.M, banues në Gjoricë, Bulqizë me mjetin tip “Opel”, me drejtues shtetasin G.M, banues në Bllatë, Dibër. Për pasojë është dëmtuar lehtë pasagjeri B.Xh, 50 vjeç, banues në Gjoricë, që udhëtonte me mjetin tip “Benz”, si dhe drejtuesi i mjetit tip “Opel” shtetasi G.M, 32 vjeç”, sqaroi policia.
Të dëmtuarit po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Peshkopisë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Përplasen 4 makina në autostradën Tiranë-Durrës
Katër automjete janë përfshirë në aksidente mëngjesin e sotëm në autostradën Tiranë-Durrës. Në aksidentin e parë janë përfshirë një automjet tip “Volksvagen”, një makinë tip “Ford” dhe një “Citroen”, të cilat kanë pësuar dëme materiale, ndërsa policia raporton se nuk ka pasoja në njerëz nga ky aksident.
Ndërkohë edhe një automjet tjetër ka humbur drejtimin në rrugën dytësore pranë mbikalimit të Rinasit. Policia ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen dhe në orët në vazhdim pritet të mësohen detaje të reja.
Paralajmërimi i Palokës: Nuk do ketë asnjë peshk të madh
Nënkryetari i PD, Edi Paloka paralajmëroi dje se, lirimi i Orest Sotës është fundi i drejtësisë shqiptare në luftën kundër narkotrafikut, pavarësisht dosjeve voluminoze e provave të pakundërshtueshme që gjenden në tavolinën e kryeprokurores. Paloka reagoi ashpër dje pas lirimit të Orest Sotës, ndërsa e cilësoi këtë vendim si nisjen e veprimtarisë së Ramës si kryeprokuror.
“Efektet e Edi Ramës kryeprokuror po godasin çdo ditë drejtësinë dhe po i japin mbrojtje nga ligji çdokujt që implikon Saimir Tahirin në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Lirimi nga arresti me burg i Orest Sotës, në makinën e të cilit u gjetën 863 mijë euro dhe, bashkë me paratë e hedhura në sediljen e makinës, edhe patentat e Saimir Tahirit, është një fakt tjetër se Edi Rama kontrollon pika kyçe të sistemit të drejtësisë.
Partia Demokratike e ka shprehur shqetësimin e saj që në 22 nëntor, kur paralajmëroi se, Edi Rama po bënte gjithçka për të mbrojtur Saimir Tahirin dhe, nëpërmjet tij, edhe Orest Sotën.
Publikimi në media i pohimit të Ramës para deputetëve socialistë më 21 nëntor, se “gjetja e patentave në makinën e Sotës nuk është një fakt për të cilin Saimir Tahiri duhet të shqetësohet”, ishtë mesazh për pengimin e drejtësisë.
Nuk ka njeri sot të besojë që 863 mijë eurot, nuk ishin as për të blerë hekur, as për të blerë ilaçe. 863 mijë eurot janë një pjesë e pasurisë kriminale të pronarit të patentave, Saimir Tahirit”, u shpreh Paloka.
“Shqiptarët kanë dëgjuar me veshët e tyre sesi ministri i Brendshëm ishte pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës. Materialet audio të publikuara nga portali Politiko.al konfirmojnë:
Se makina e ministrit të Brendshëm u përdor nga kushërinjtë e tij, Habilaj, për t’i bërë presion policisë, në mënyrë që ata të punonin të qetë me trafikun e drogës.
Se Saimir Tahiri e ka njohur italianin, me të cilin punonin Habilajt në Itali.
Se Partia Socialiste ka blerë vota për të ardhur në pushtet dhe për ta mbajtur atë”, tha Paloka.
Në emër të PD, Paloka ftoi të gjitha mediat e vendit të vazhdojnë investigimin për çështjen “Tahiri”, pavarësisht pengesave nga Edi Rama. “Partia Demokratike fton televizionet kombëtare dhe lokale të publikojnë materialet audio të bisedave të trafikantëve, që kanë patur nën kontroll qeverinë shqiptare për trafikun ndërkombëtar të drogës.
Ne e dime se marrja nën kontroll e Prokurorisë e bën të paprekshëm Saimir Tahirin, Orest Sotën dhe këdo që mund t’i trondisë Edi Ramës pushtetin e bazuar tek krimi, droga dhe blerja e votës. Me Edi Ramën kryeprokuror është e sigurt se nuk do të ketë asnjë peshk të madh në rrjetën e drejtësisë.
Partia Demokratike, si shumica e shqiptarëve, është e bindur se drejtësia do të jetë e pafuqishme të luftojë krimin dhe drogën derisa në krye të qeverisë të jetë Edi Rama. Vetëm me largimin e Edi Ramës do të ketë garanci për luftën kundër krimit të organizuar dhe vetëm atëherë peshqit e mëdhenj do të bien në rrjetën e drejtësisë së pakapur”, u shpreh Paloka.
Narkoshteti i Edvinit-Noriegës, nuk njeh amnistinë!
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me vendimin e qeverisë për të mos dhënë amnisti këtë fundvit ndryshe nga tradita e çdo viti të mëparshëm. “Të dashur miq, viti 2017 ishte viti i parë në histori që nuk pati amnisti për të burgosurit. Narko-Parlamenti i narko-republikës së Noriegës nuk bëri amnisti me rastin e 105-vjetorit të pavarësisë as dhe për festat e fundvitit paçka se në burgjet e vendit dergjen qindra e më shumë fëmijë, të rinj, gra, burra për krime minore si mospagesa e energjisë, mosbindje apo zënke me çunat e krimit, faje të shkeljes së rregullave të qarkullimit, hajdutë xhepash, përdorues fatkëqinj droge të arrestuar për dy gramë hashash etj., etj. Ndërkohë që me rekomandime të narko-deputetëve, narko-bashkiakëve, narko-ministrave dhe vetë Noriegës nxirren nga burgjet vrasës serial, trafikantë të dhjetëra tonelatave drogë, pronarët e magazinës me 21 tonelata drogë në Përmet vetëm për lidhjet e tyre me pushtetarët si dhe qarkullojnë të lirë mbi 300 vrasës, shfrytëzues prostitucioni, grabitës, pengmarrës, trafikantë droge, të dënuar nga drejtësia e vendeve të tjera, por që në Shqipëri ndajnë paratë e tyre të krimit me pushtetarët. Ky qendrim banditesk ndaj amnistisë është pasqyrë e fytyrës së vërtetë të Edvin Kristaq Ramës, Noriegës së Shqipërisë dhe narko-shtetit të tij të urryer”, shkruan Berisha.
Vota në OKB, vjen penalizimi i parë për Shqipërinë
Deputeti demokrat Gent Strazimiri ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale në lidhje me pozicionin e mbajtur nga Shqipëria në OKB, ku së fundmi votoi pro rezolutës së paraqitur nga Turqia, që kundërshtonte qëndrimin e SHBA për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Strazimiri i është referuar pritjes së organizuar nga Ambasadorja amerikane në OKB me përfaqësuesit e vendeve që abstenuan ose votuan kundër rezolutës, ku Shqipëria nuk renditej. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë falënderuar zyrtarisht 64 shtetet miq që iu gjendën pranë, në atë që zyrtarisht e quajnë “ditë të vështirë” dhe “kohë sfidash”! Unë nuk e di cilëve prej këtyre 64 miqve, SHBA u është gjendur në krah në ditën e tyre më të vështirë “me pushkë në faqe” siç i themi ne, por di që ne ndër këto 64 miq të SHBA nuk ishim! P.S. Si emigrohet për në UN? Unë dua të kem këtë zonjën ambasadore amerikane”, shkruan Strazimiri, duke postuar edhe disa foto nga pritja e organizuar nga Ambasadorja e SHBA në OKB.
Pritja e ambasadores së SHBA në OKB
“Një natë fantastike e miqve”, kështu e konsideron ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley takimin e organizuar prej saj me 64 përfaqësuesit e shteteve që u shprehën kundër, abstenuan dhe nuk morën pjesë në votimin e organizuar në Asamblenë e Përgjithshme, për rezolutën ku dënohej vendimi i presidentit Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit kryeqytet i Izraelit. Shqipëria nuk ishte pjesë e këtij takimi, pasi votoi pro rezolutës, duke dënuar presidentin Trump. Megjithatë, ambasadorja Haley ka ftuar në takim konsullen e Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija. “Jam mirënjohëse për miqësinë e madhe midis SHBA dhe Kosovës. Faleminderit Nikki Haley që fton Kosovën në të gjitha aktivitetet e Ambasadës së SHBA-së në OKB”, shkruan Sahatqija. Kjo ftesë e ambasadores Haley ka bërë një diferencë të qartë midis Kosovës dhe Shqipërisë. Një ditë, pasi Tirana votoi pro rezolutës, Presidenti kosovar, Hashim Thaçi u shpreh se, Prishtina do të rreshtohej në krah të Uashingtonit nëse do të kishte të drejtë vote. Ndërkohë, vetë ambasada ka dhënë një mesazh të qartë për shtetet që votuan pro dënimit të vendimit të Trump: “Është e lehtë për miqtë të jenë me ty në kohë të mira, por janë miqtë që qëndrojnë me ty në kohë sfidash ata që nuk do të harrohen kurrë. Faleminderit të 64-ve”, shkruan politico.al.
Manjani: Besimi tek drejtësia më pak se zero
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani është shprehur se, për kohë qeveria është mbi drejtësinë dhe ligji penal lejon arrestime pa prova, ligji nuk zbatohet e as ka për t’u zbatuar ndonjëherë njësoj për të gjithë. “Mjafton të jesh në anën e qeverisë dhe nuk të gjen gjë! Mund të vuash pak, por në fund je njeri i lirë! Të gjithë të tjerët shpallen fajtorë që në Komisariatin e Policisë. Në gjyq dalin kot se, vendimin e merr qeveria! Besimi tek drejtësia nuk është më as 0. Është në vlera negative!”, shprehet Manjani. Ditën e sotme për Orest Sotën, Gjykata vendosi lirim nga burgu me garanci pasurore pse 50 milionë lekësh të vjetra.
“Për sa kohë qeveria është mbi drejtësinë dhe ligji penal lejon arrestime pa prova, ligji nuk zbatohet e as ka për t’u zbatuar ndonjëherë njësoj për të gjithë! Mjafton të jesh në anën e qeverisë dhe nuk të gjen gjë! Mund të vuash pak, por në fund je njeri i lirë! Të gjithë të tjerët shpallen fajtorë që në Komisariatin e Policisë. Në gjyq dalin kot se vendimin e merr qeveria! Besimi tek drejtësia nuk është më as 0. Është në vlera negative! Kemi bërë reformë të drejtësisë, por vetëm drejtësi nuk bëhet! Vështirë të bëhet kur qeveria është edhe kapterri edhe polici edhe gjykatësi…”
LSI: Kjo është shëndetësia e një kryeministri të sëmurë pa shërim
Edhe Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar ashpër në lidhje me shërbimin skandaloz në sistemin shëndetësor. Përmes një statusi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, kryetari i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, ka dënuar ashpër degradimin e sistemit të shëndëtësisë në vend. “Shëndetësia e këtij kryeministrit të sëmurë pa shërim, sot është thjesht rilindja e memorjes së rrënuar dhe militantizmit provincial. Çfarë është bërë më parë është e qartë, por po jua freskoj pak memorjen: u bë ligji bazë i sistemit shëndetësor dhe sistemi mix siguracion+buxhet shteti ai që mbretëron dhe sot, vdekshmëri foshnjore dhe amtare një shifrore, skaner në çdo rajon të vendit, për herë të parë sistem referimi, spital të ri modern të urgjencës, spital të ri kirugjikal në Elbasan, telemedicine edhe akseleratorët meqë i kanë merak edhe tre rezonanca të reja etj., etj. Po ky kryeministër çpo bën….apo është i aftë vetëm për dëngla me shëndetësi falas të cilën do ta bënte brenda 2017. Ja pata thënë që ja fut kot dhe nuk e bën dot, por kishte qejf t’i dilte boja dhe ja i doli….shëndetësia falas vdiq. Tani ta gëzoni shëndetësinë e koncesioneve qindra milionëshe euro me kryeministrin në krye të tyre”, shkruan Vasili në reagimin e tij.
Gazeta që vrau frikën
Nga Mitro ÇELA
17 dhjetor 1990 Ishte krijuar Komisioni Nismëtar i PD-së. Mbledhjet e komisionit bëheshin në një nga godinat e Qytetit “Studenti”. Debate për statutin e partisë. Pas mbledhjes bëra një bisedë me Berishën. Për të qenë më i saktë, më duhet të hap një parantezë. Ishte viti 1982. Në atë kohë, isha shef i Sektorit Ekonomik në gazetën “Zëri i Popullit”. Në Pogradec kisha shkuar bashkë me gruan për të bërë muajin e mjaltit. Me Doktorin u takuam me disa pogradecarë, në një nga kafenetë e qytetit. Na tregoi diçka rreth librit “Mëngjeset e magjisë së madhe”. Ai tregonte në mënyrë të veçantë dhe tregimi i tij të “ndiqte” për njëfarë kohe. Ishte kjo nuancë, kjo njohje, që më vonë u bëmë miq. Jo rrallë kishim pirë kafe në Tiranë…
– Mitro, a nuk e merr ti drejtimin e gazetës?, më thotë Doktori. Bisedova edhe me Preçin. Ai më tha: Nuk mund të lë letërsinë për gazetarinë!
– Edhe unë, me shëndetin që kam, nuk e mbaj dot atë barrë… Ju e dini historinë e sëmundjes sime…
– Po si t’ia bëjmë, sepse gazeta duhet, vazhdoi bisedën ai. Ti e kupton më mirë: Fati i gazetës, në njëfarë shkalle, varet nga kryeredaktori.
Në kërkim të kryeredaktorit, unë kisha biseduar edhe me Preçin. Si kandidaturë mund të ishte edhe Frrok Çupi.
Kishim punuar së bashku në gazetën “Zëri i Popullit”. Të dy na kishte ndjekur i njëjti fat. Frroku u përjashtua nga “ZP-ja” dhe shtypi shqiptar, në vitin 1982. Sebep u bënë 5 kuintalë peshk. Tre vjet më vonë, mua më vunë “drunë” nga “ZP-ja” për 40 kuintalë reçel fiku. Më degdisën korrespondent i gazetës “Bashkimi” në Elbasan, Librazhd dhe Gramsh. Frroku e pati më të vështirë. Për disa vjet punoi në minierat e bakrit në Mirditë. Më vonë punoi në Ndërmarrjen Artistike “Migjeni”, në repartin e llullave. Në fillim të vitit 1990, kishte nisur punë në Institutin e Folklorit.
Doktori e mirëpriti propozimin tim. (Kohë më vonë, mora vesh që këtë propozim, veç meje dhe Preçit, ia kishin bërë edhe Mehmet Elezi me Qemal Sakajevën). Pas dy ditësh, në mbledhjen e Komisionit Nismëtar, erdhi Frroku. Saliu bëri propozimin: “Na duhet një gazetë, tha. Me organizimin e saj, krahas Preçit e Mitros, do të merret edhe Frroku”.
Më 2 janar ’91 U shtrova në spital. Bëra analizat. Komisioni i mjekëve nuk ma përcaktoi diagnozën. Sipas rregullit të kohës, duhet të shkoja në Budapest (Vjena e Parisi ishin për të “mëdhenjtë”). Kuptohet, unë do të shkoja jashtë, në qoftë se halla… qeveria do të zgjidhte torbën për dollarë. Unë isha mësuar me këto histori. Edhe mjekët e Sanatoriumit, në vitin 1987, ma dhanë viston për të shkuar jashtë shtetit. Po pse? Në fillim mjekët dyshuan për kancer. Por unë nuk mund të kisha kancer, domethënë të ngrija patkonjtë, për të vetmen arsye se do të vinte një ditë që do të bëhesha Baba i Kombit! Më vonë mjekët thanë se kam sarkoidozë-sëmundje me origjinë skandinave. Unë do të isha rasti i 10-të në Shqipëri. Nuk qe kësmet të hyja në analet e mjekësisë eksperimentale: Nuk u vërtetua edhe kjo diagnozë!
3 janar 1991 Frroku më solli në spital listën e Këshillit Botues. Kryetar: Preç Zogaj. Anëtarë: Petraq Kolevica, Ajet Haxhiu, Natasha Lako, Mitro Çela, Kujtim Çashku, Edi Hila, Ilirian Zhupa, Teodor Keko, Genc Pollo. Kryeredaktor Frrok Çupi.
4 janar 1991 Piktori Bujar Marika dhe Mentor Shehu kishin fiksuar, mes dhjetëra modelesh, “siglën” e gazetës. Ishin përgatitur kryeartikulli, artikujt, lajmet, fotot. Të gjitha të futura në një dosje kishin përfunduar në Kombinatin Poligrafik, të ngritur në gjysmën e rrugës “Ali Demi”… Paralelisht me dosjen, një superlajm kishte mbërritur mbi trapezën e Ramiz Alisë: “PD-ja do të nxjerrë nesër gazetën e saj!”. Ra në mendime lideri i komunistëve shqiptarë… Kujtoi një frazë nga Bibla: “E para doli fjala!”… Po u shtyp fjala, po doli në treg fjala e Partisë Demokratike, vdiq komunizmi në Shqipëri! Dhe u dha në shtypshkronjë kushtrimi i partisë: “Gazeta e PD-së nuk duhet ta shohë dritën e diellit!”. Dhe u vu në lëvizje makina e rëndë e shtetit, ajo makinë që për 50 vjet kishte vrarë fjalën e lirë, që i kishte vënë pranga mendimit ndryshe!
Por ndodhi herezia: Fjala e Ramiz Alisë mbeti në letër. Në mbrojtje të gazetës u vunë tipografët. E shtypën gazetën, duke rrezikuar jetën. Morën materialet, poshtë përparëseve të nxira nga vaji dhe plumbi. U ngjitën në katin e dytë të ndërtesës, mes errësirës, atje ku “syri vigjilent” i partisë nuk depërtonte dhe e derdhën fjalën e “RD”-së në plumb. Pastaj fjala çau në rrotativë… dhe u shpërnda në të gjithë Shqipërinë. Kush ishin këta tipografët? Flamur Këmbora, Bashkim Lusha, Sokrat Xhavara, Firdes Saraçi etj.
5 janar 1991 U botua numri i parë i “RD-së”. Kryeartikulli me titull: “Fjala e parë”. Tri intervista: Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Rexhep Qosja. Fjala e Sali Berishës në mitingun në Qytetin “Studenti”: “Ylli polar, çështja kombëtare”. Intervistë nga Pashko: “Për të përballuar krizën”. Artikulli i Preç Zogajt: “PD nuk është mace e zezë”. Koment nga Aurel Plasari për Gjergj Fishtën. Artikulli i Neshat Tozaj: “Pse e refuzoj kandidimin për deputet?!” (i Partisë së Punës.) Koment nga Frrok Çupi “Vallë a do të dalë numri i dytë i gazetës?”.
Në të vërtetë, gazeta jo vetëm u botua, por ndoshta u bë gazeta më e suksesshme fundshekullit të kaluar. Ishte gazeta që vrau censurën. Ishte gazeta që vrau frikën. Tirazhi arriti nga 70 mijë deri në 100 mijë kopje. Nuk ishte ky kufiri. Tirazhi nuk pengohej nga shitja, por nga mungesa e letrës. Për lexuesin kjo pengesë kapërcehej, duke e kaluar gazetën dorë më dorë. Ndërkohë, në treg filluan spekulimet. Çmimi i shitjes u rrit me herë.
5 janar 2001 U mbushën 10 vjet nga botimi i gazetës. Takova kryeredaktorin. Pyeta: Pse nuk kemi një dhomë muze për “RD-në”? Përgjigjja erdhi hazërxhevap: Mungon, sepse gazeta është e varfër! Rrogat e gazetarëve qesharakë. Mos vallë po kërkon qiqra në hell?… Mendova. Historia e një gazete mund të “shkruhet” edhe pa kërkuar investime. Pjesë e historisë janë reliket: Makinat e shkrimit ku u shtyp numri i parë. Vlerë kanë edhe tavolinat, karriget, derdhjet në plumb, aparatet e telefonit, magnetofoni, faksi…. Për këto nuk duhen fonde: Duhet vetëm vullnet për t’i grumbulluar dhe kulturë për t’i ekspozuar.
10 shkurt 1992 Në Tiranë kishim përfunduar bisedat me stafin e gazetës franceze “Le Figaro”, për të bërë një ndërmarrje të përbashkët. “RD-ja” do të kishte 49 për qind të aksioneve, francezët 51 për qind. Zyrtarisht u vendos që firmosja e kontratës të bëhej në Paris. Në përbërje të delegacionit ishte kryeredaktori Mitro Çela, zëvendëskryeredaktori Filip Çakuli, Sekretari i Kolegjumit Bashkim Trenova, avokati Dhame Pite. Delegacionin e drejtonte Sali Berisha. Bëmë një vizitë në redaksinë e “Le Figaro”. Një sallë ishte kthyer në muzeum, ku gjendej historia e gazetës. Foto të shumta. Emrat e kryeredaktorëve dhe të superyjeve të gazetës. Përmbledhje të shkrimeve më të mira në vite, sipas rubrikave të ndryshme. Shënime të personaliteteve të jetës politike, artistike e shkencore për gazetën: De Gol, Pompuidu, Brixhid Bardo, Edit Piaf, Ajzenaur, Jan Pol Sarter, Kenedi, Martin Luter King, Xhon Lenon… dhe Ismail Kadare. Evolucioni i teknologjisë nga makinat e shkrimit tek kompjuterat; nga tipografia me plumb tek ofseti; nga shpërndarja me biçikletë tek makinat moderne… Pak çaste dhe unë dija për “Le Figaro” më shumë se për të gjitha gazetat shqiptare, ku kisha punuar rreth 20 vjet…
Tetor 1995 Shkova në Romë me Qemal Dishën, në atë kohë drejtor i INSIG. Na ftoi në shtëpi Sandro Shtylla. Avokat i njohur. Babanë e kishte nga fshati Shtyllë, diku afër Vithkuqit. Nënën serbe. Shtëpia ishte plot me relike nga Shqipëria. Duke i parë me vëmendje, syri më zuri një gazetë të vendosur në kornizë dhe të varur në mur. U befasova: Ishte numri i parë i “RD-së”. Qemali thirri Sandron. I foli për mua. I zoti i shtëpisë hoqi gazetën nga korniza dhe m’u lut të firmosja, karshi emrit tim të botuar në listën e Këshillit Botues. Me lot në sy, Sandro tha: Onorevole (deputet) Çela! Firma jote në të parën gazetë demokratike të Shqipërisë, do të jetë një surprizë e vërtetë për miqtë e mi!”. Më erdhi turp nga vetja: Unë nuk e kam numrin e parë të “RD-së” as në kornizë e as në bibliotekë!
Një pjesë tjetër e historisë janë koleksionet, fotografitë e para, dorëshkrimet. Artikujt e botuar me rastin e përvjetorëve të kaluar. Një stendë me emrat e kryeredaktorëve, gazetarëve, korrektorëve, shoferëve, tipografëve. Ndoshta edhe me ndonjë shënim ku ishin edhe ku janë sot “penat” që bënë historinë e gazetës në vitet ‘90. Për të nxjerrë numrin e parë të gazetës, punuan edhe disa studentë. Cilët janë ata? Deputeti Ben Blushi. Këshilltari i Fatos Nanos, Emin Barçi. Këshilltari i Metës, Dritan Kaba. Armando Shkullaku. Gazetari Blendi Fevziu. Deputeti Edi Paloka etj… Gazeta ka qenë e hapur edhe për Edi Ramën… Për të gjithë… Më tej, “historia e ekspozuar” pasurohet duke bërë edhe shpenzime: Botime speciale nga faqet e gazetës për jetën e partisë, për ekonominë, fushatat elektorale, kulturën, artin, sportin, konferencat e shtypit, politikën e jashtme, çështjet kombëtare, Kosovën, Çamërinë, minoritetin dhe qëndrimet e shtypit ndaj tij etj.
Fjala e parë
Editoriali i parë i gazetës “Rilindja Demokratike”
Sot, “Rilindja Demokratike” flet fjalën e parë të saj. Kjo rilindje ka marrë për vete një barrë të rëndë dhe detyrë të ndershme. Ka marrë për detyrë që të thotë fjalën e vërtetë. Shumë-shumë e duan atë fjalë. Vetëm fjala e vërtetë është e lirë, atëherë liria është e vërtetë. Prandaj do ta bëj të pamundurën të mundur për të vënë dhe mbrojtur lirinë e fjalës, lirinë e shprehjes e të mendimit. Ajo kurrë nuk do të ruajë sekretin për disa dhe lejojë në pakufi për ca të tjerë. Ajo do ta shprehë dhe do ta mbrojë mendimin e lirë të gazetarëve të saj, të bashkëpunëtorëve, por edhe më gjerë gjer të drejtën e ligjshme të mendimit e të shprehjes së lirë në një popull të tërë. Që në fjalën e parë, “Rilindja Demokratike” bën thirrje që askush të mos cenohet, të mos persekutohet, të mos censurohet për shkak të fjalës, mendimit e të shprehjes.
“Rilindja Demokratike” lind pikërisht për të kryer atë vepër të madhe demokratike në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ajo është gazetë demokratike dhe do të ketë mendjen e saj, mendimin dhe fjalën e publicistëve të përparuar demokratë e përparimtarë shqiptarë, do të ketë bekimin e dëshmorëve për demokraci, do të ketë idealin e drejtësisë sociale e të demokracisë.
“RD”, në çdo fjalë e në çdo germë, do të ketë çështjen e kombit e të atdheut. Kombi të ngjitet, të vëllazërohet e të përparojë! Kombi shqiptar ngjitet ku i takon e të zhvillohet. Atdheu të gëzojë liri dhe indipendencë. Atdheu ynë i lashtë të bëhet çerdhe e dashur dhe kopsht lulesh për bijtë e vet, që kështu të mos ia kthejnë shpinën, por as fjalën të mos ia kthejnë kurrë Atdheut. Për këtë do të përpiqet “Rilindja Demokratike”.
Në faqet e “RD” do të shihemi e do të kuvendojmë me vëllezërit tanë kosovarë, me të gjithë shqiptarët, vëllezërit tanë të shpërndarë nëpër botë, nga brigjet e tejshme të Adriatikut e gjer në kontinentin amerikan.
“Rilindja Demokratike” i ka faqet e hapura. Ajo do të interesohet për të gjitha problemet që ka populli, për ekonominë, për kulturën, për historinë, për letërsinë e artin, për të drejtën, për mësimin e mendimin, ndërgjegjen, për zakonin e traditën, për sot e për nesër. “Rilindja Demokratike” shikon përpara. Ajo ka një dëshirë e vullnet që të hyjë tek të gjithë; te fshatari, te shkollari, te punëtori, te intelektuali, te shkrimtari e shkencëtari, tek i riu e fëmija, tek të mëdhenj e të vegjël.
“Rilindja Demokratike”, e cila lindi së bashku me Partinë Demokratike, do të mbështesë dhe do të pasqyrojë çdo reformë demokratike që i shërben përparimit, pavarësisht se cila forcë politike do të jetë nismëtare dhe zbatuese e saj. Ajo do të kultivojë dialogun, tolerancën, pluralizmin.
Por fjala e “Rilindjes” nuk do të jetë kurrë lustër apo lajkë. Fjala e saj do të jetë e rreptë ndaj burokracisë, ndaj autokracisë, ndaj çdo të keqeje që do të përpiqet të pengojë përparimin e vendit, lirinë e njeriut, forcimin e shtetit juridik shqiptar. Të mos qëndrojmë duarkryq para të keqes shoqërore dhe shtetërore, këtë do ta atakojë vetë dhe do t’ia kërkojë lexuesit “Rilindja Demoraktike”.
“Rilindja Demokratike” do të flasë fjalën shqipe, shqipen gurrë e qelibar, që nuk ngec nëpër gurët e sofizmave, që nuk njëtrajtësohet në enët e ideologjive të përcaktuara, që nuk flashket nëpër frazat e gjata boshe me pamje zyrtare. Ka një dëshirë “Rilindja Demokratike”, njerëzit të mos thonë më: Mos më fol si në gazetë, por të thonë: Flasim si gazeta “Rilindja Demokratike”. Ajo ta ketë fjalën për ta pirë me etje.
Gëzuar të gjithëve fjalën e parë!
Si doli numri i parë i “RD”me 78 mijë kopje
Nga Agron Sejamini
Ka qenë një nga tipografët më të mirë të Kombinatit Poligrafik, në repartin e revistave Bashkim Lushi. Aty ku shtypeshin botimet më të rëndësishme dhe më cilësoret e atij sistemi, që për themel kishte vetëm ideologjinë komuniste. I saktë, i shpejtë dhe me shumë rendiment. I vetmi njeri që mund të të nxirrte nga një situatë e vështirë ishte Bashkim Lushi. Të ngjan sikur fotografia e tij, nuk është hequr asnjëherë nga tabela e nderit. Mirëpo e vërteta dëshmon të kundërtën. Në 730 punëtorë që kishte ai Kombinat Poligrafik, më problematiku për organizatën e partisë dhe drejtorinë ka qenë pikërisht Bashkim Lushi. Kanë qenë të njohura bëmat e tij. Kështu, nga viti 1979 nuk paguante kuotat e Bashkimeve Profesionale. Jo se i dhembseshin ato 30 lekë në muaj, por nuk e ndjente për detyrim. Pasoja për këtë veprim të dënueshëm ishte mosmarrja e fletëve të kampit për pushime. Vazhdimisht, mungonte nëpër aksionet vullnetare, duke e konsideruar shpërfytyrim të personalitetit të punëtorit, punën pa pagesë. Edhe më i rëndë u konsiderua ajo që bëri atë ditë, kur iku në shtëpi pa realizuar normën, për faqosjen e veprës madhore të udhëheqësit të partisë, “Shënime për Kinën”. Të paktën këtu, nuk priste kush të dilte pa u lagur. Fjala vjen, Bashkimi përfundoi punëtor kaldaje për tetë muaj… As vetë nuk e beson që ka shpëtuar, pa ndonjë të keqe më të madhe. Ia di për nder vetes, që nuk kursehej për punë dhe rakisë që e ka patur mikeshën e tij më besnike. Jo vetëm drejtuesit, por edhe ai shpeshherë justifikimin e çdo veprimi të dënueshëm e gjenin te gota. Por, kjo nuk është plotësisht e saktë. Shpirti rebel i Bashkim Lushit e kishte burimin te sistemi i kohës, që vetëm të shfrytëzonte dhe të shpërfytyronte. Thënë ndryshe, ai kishte vite që kishte filluar të “faqoste” “Rilindjen Demokratike”, zëdhënësen e lirisë dhe demokracisë. Gjithsesi, nuk i mungojnë etapat që e çuan në atë mision aq madhor të realizuar më 4 janar 1991.
9 dhjetor 1990. Del nga shtëpia për t’u interesuar për djalin e tij që kishte ikur të luante futboll me shokët, diku pranë stadiumit “Qemal Stafa”. Por, nuk mundi të mbërrijë… Tani, ishin familjarët e tij që dolën për të kërkuar Bashkimin. Ndërsa ishte duke ecur, pranë Liceut Artistik përjetoi me dhembje dhe shumë emocion sulmin e policisë ndaj studentëve. Harroi për çfarë kishte dalë nga shtëpia dhe u bë pjesë e atij tubimi. Jo vetëm në protestë, por edhe në atë vetëmbrojtje të asaj dhune të ashpër dhe të shëmtuar. Bashkë me studentët për orë të tëra, përshkroi rrugica të shumta derisa shpëtuan nga arrestimi dhe shkopinjtë e gomës.
11 dhjetor. Ishte duke pirë kafe në mensën e Kombinatit Poligrafik, bashkë me Gim Alimehmetin, Halil Ferhatin, Perlat Voshtinën, Sali Bilbilin dhe kryetarin e Bashkimeve Profesionale, Hiqmet Melasin. Në atë bashkëbisedim shokësh, i gjithë muhabeti mbante dhembjen e dhunës ndaj studentëve. Në çast u lind ideja për të bërë të pabërën. Ikin në repartin e punës dhe lajmërojnë për mbledhjen urgjente me të gjithë punëtorët e turnit të parë. As nuk kundërshtonin dhe as nuk dyshonin në seriozitetin e këtij njoftimi, se me ta për fat ishte edhe Hiqmeti, që po atë ditë do të jepte dorëheqjen nga kryetarllëku. Të gjashtë ata, u ulën në presidium. Tema e diskutimit ishte vetëm pyetja: – Ç’mendim keni për protestat e studentëve? Të gjithë ata që diskutuan, mbështetën lëvizjen rinore dhe dënuan ashpërsinë e Policisë së Shtetit. Ndërkohë, ishte përhapur lajmi se te Poligrafiku ishte ndërprerë puna… Pas dy orësh, numri i pjesëmarrësve në atë tubim spontan ishte dyfishuar. Nga muret e Poligrafikut dhe jo dera kryesore, kishin vërshuar punëtorët e ndërmarrjeve të tjera që ishin aty afër. U shpall krijimi i sindikatës dhe u përgatit një komunikatë në mbështetje të studentëve, të cilën atë pasdite e lexoi në Qytetin “Studenti”, Gim Selimi, punëtor i repartit të galvinizimit.
13 dhjetor. Pas krijimit të Partisë Demokratike, ndjehej nevoja e shumëfishimit të programit. Për më tepër, më 25 dhjetor mendohej se studentët do të fillonin pushimet dimërore, duke mundësuar shpërndarjen e këtij programi në të gjithë Shqipërinë. Materiali për t’u radhitur në linotip iu dha Natasha Llojit, që para disa muajsh ishte pushuar nga puna në Tipografinë Ushtarake, sepse kishte shtypur traktet që ishin hedhur në qytetin e Shkodrës. Shumëfishimin do ta bënte vetë Bashkimi. Një punë që kërkonte kohë, por edhe shumë kujdes. Edhe në këtë drejtim, ai ishte mjeshtër. Rreth orës 21.00, para se punëtorët e turnit të dytë të linin punën, ai futej te dollapi i rrobave. Dilte prej andej kur përgjegjësi i repartit dhe kontrollori i cilësisë, pasi kishin mbyllur portën e madhe dorëzonin çelësat te roja. Me shumë kujdes, ai vendoste torkion (pajisjen rul) në fund të repartit që të mos dëgjohej zhurma dhe ia niste punës. Punonte pa pushim gjithë natën. Në mëngjes, para se ora të vinte shtatë, kur fillonte punë turni i parë, ai hynte përsëri në dollap. Pa rënë në sy te të tjerët, me shumë kujdes, dilte prej andej dhe niste punën e shtetit. Pasdite, i njëjti skenar për të vijuar punën e shpirtit. Kështu, çdo natë deri më 20 dhjetor. Pra, plot një javë pa ikur në shtëpi.
21 dhjetor. Lajmi për krijimin e sindikatës kishte mbërritur në qeveri. Këtë kryesi që përbëhej prej 14 vetësh me në krye Bashkimin e thërrasin në Ministrinë e Arsimit. Ndaj tyre u bënë një sërë pyetjesh nga Besnik Bekteshi, Sotir Koçollari dhe Alfred Uçi, duke testuar se në ç’shkallë ishte rrezikshmëria. Pasi u deklarua i mbyllur ky takim, ndërsa përcjellin kryesinë e sindikatës së Kombinatit Poligrafik, ftojnë vetëm Bashkimin për të pirë kafe. Kafe u tha, se në fakt ishte seanca e dytë e mbledhjes. Por, Bashkimit i ka mbetur në kujtesë një ndërhyrje e Prof. Uçit.
– Unë jam akademik, në shtëpi kam edhe djalin e martuar, gatuajmë në banjë nga ngushtica… Si mendon ti, se Hekuran Isai është më i mençur se unë?!
Një pyetje që nuk kishte nevojë për përgjigje. Një pohim shumë domethënës dhe inkurajues për Bashkimin dhe shokët e tij, se lëvizja e nisur duhej çuar deri në fund.
3 janar 1991. Veshët i kapin sihariqin se do të dilte gazeta “Rilindja Demokratike”, organ i Partisë Demokratike. Pa i thënë kush, me një frymë troket te dera e Frrok Çupit që ishte caktuar kryeredaktor.
– Quhem Bashkim Lushi. Jam faqosës në Poligrafik. Dua që t’ju ndihmoj për gazetën.
– Faleminderit! E kemi zgjidhur atë problem, ia pret shkurt Frroku, paksa edhe dyshues për këtë vullnetar të panjohur.
4 janar. Dosja me materialet e numrit të parë të “Rilindjes Demokratike” mbërrijnë në repartin e gazetave në Poligrafik. Fillon debati dhe kundërshtimi i të gjithë punëtorëve, duke mos pranuar të fillonin punë. Jo se kishin arsye politike, por thjesht se do u shtohej puna. Kjo jehonë përcillet edhe në kafe, duke rënë në vesh të Bashkimit. Me një frymë shkon te reparti i gazetave ku vazhdonte diskutimi. Të gjithë i njihte, ndaj u lutet si shok që ta nxirrnin edhe atë gazetë. Mirëpo lutjet ranë në vesh të shurdhët. Nuk përmbahet, rrëmben dosjen e materialeve dhe i thotë Hasan Kasmit, përgjegjësit të repartit të gazetave, se do e përgatiste në repartin e tij. Mirëpo, Bashkimi ishte punëtor dhe jo drejtor. Të dy ikin te zyra e drejtorit të Poligrafikut, Lirim Ruka, i cili kundërshtoi në mënyrë të prerë. Pas lutjeve të zgjatura të Hasanit se të paktën të lejohej vetëm botimi i këtij numri, ai thyhet. Kaq i duhej Bashkimit. Niset për te reparti i punës, duke u shoqëruar me një rit dasme. Njëri prej personave që kishte sjellë materialet e gazetës, dy hapa para Bashkimit, fillon e spërkat shkallët me konjak… Hera e parë në jetë që nuk ka ndjerë dhembje, për atë lëng aq të dashur, kur e shikonte që derdhej si ujë. Menjëherë, u shpërndanë materialet linotipistëve Ferdi Sinoimeri, Flamur Këmbora dhe Hasip Halili. Rreth orës 15.00 bëhet gati lënda e radhitur për faqet e para. Në krah të tij ishte faqosës edhe miku i tij, Sokrat Xhavara, që shquhej për punë shumë cilësore. Kaq ishin punëtorë. Të gjithë punonin vullnetarisht dhe me shumë dëshirë për të përgatitur numrin e parë të kësaj gazete. E ndërsa, punëtorë kishte pak, e gjithë salla gumëzhinte nga studentët që ishin kureshtarë për shkrimet që do të botoheshin dhe proceset e punës.
Kur dukej se gjithçka po ecte mbarë, në punë e sipër, dora e Sokratit skuqet nga gjaku. Ishte duke prerë në tranxhë, klishenë e fotografisë së Rexhep Qoses. Nga numri i parë, ky njeri ka qenë ters për faqet e kësaj gazete… E ndërsa Sokrati u çua në spital për mjekim, vendin e tij e zë brigadieri i turnit Bujar Çaslli. Në orën 23.00, në një kohë rekord përfunduan të gjashta faqet e gazetës dhe u çuan flanet në repartin e gazetave për të filluar shtypjen. Këtu nuk u lejua asnjë njeri përveç Bashkimit. Pas një ore, del gazeta e parë blu me emrin “Rilindja Demokratike”! I mbërthyer nga emocionet e forta, del në oborr duke e valvitur si të ishte një flamur… Tashmë, më e lehtë se gazeta, ishte bërë Bashkimi që hidhej dhe pritej në ajër nga studentët.
Vonë shumë vonë, si të ishte në një përrallë niset më këmbë drejt shtëpisë, jo për të fjetur, por për të pushuar. Të nesërmen rreth orës dhjetë, shkon pranë selisë së Partisë Demokratike. Mundohet që të gjejë një kopje gazete, por ishte e vështirë. Kujtojmë se tirazhi i numrit të parë ishte 78 mijë kopje.
Troket te zyra e Arben Imamit, por edhe këtu nuk i jepet një kopje e asaj mrekullie, që për tërë natën e realizoi me shokët e tij. Dikush nga studentët që e njohu Bashkimin, ndërhyn duke buzëqeshur:
– Zoti Imami! Atij i takon jo një, por një mijë….
Një numër gazete nxori Bashkim Lushi, por e meriton të jetë pjesë e historisë së “Rilindjes Demokratike”. Sepse ai njësh, peshon më shumë se shumëfishat e tij. E ndërsa krenohet për ç’ka bërë, ndjehet i lënduar që në këto vite, ka mbetur i harruar nga PD-ja dhe “RD”-ja. Të paktën në ditë festash, le të shkonte një ftesë edhe në adresë të Bashkim Lushit. Për të mos folur pastaj edhe për një ligësi tjetër. Gjashtë orë është filmuar atë natë kur u përgatit numri i parë i “RD”-së. Para një viti, tek ndiqte një emision special në një stacion televiziv, mbushi sytë me lot, kur u shfaqën sekuencat e para të asaj nate të paharruar. Por… u ligështua, sepse nuk mundi të shihte as veten dhe shokët e tij. Në vend që të çmallej, kujtoi atë kohë kur retushi dhe krasitja ishin në modë… Gjithsesi nuk është bërë asnjëherë pishman dhe nuk ka vënë inat… Ai vazhdimisht në këto vite ka qenë kryetar ose nënkryetar i Partisë Demokratike për zonën 55/2, pranë Stacionit të Trenit. Ndjehet i lumtur, sepse demokracia i krijoi kushtet dhe mundësinë, për t’u ndjerë njeriu më i pasur në botë. Të tri fëmijët e vet i kanë mbaruar shkollat e larta, pa bërë asnjë ndërhyrje dhe pa harxhuar asnjë lekë.