27.5 C
Tirana
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

“Tërmet” te Torino, shkarkohet Mihajloviç

Vendimi sensacional i Torinos gjatë natës. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, presidenti Urbano Kairo ka vendosur të shkarkojë trajnerin Sinisa Mihajloviç pas derbit italian të Kupës, kundër Juventusit. Largimi nuk do të vijë aq shumë për humbjen kundër bardhezinjve, por, me sa duket, për lojën e ekipit në periudhën e fundit. Në fakt, performanca e Torinos duket se ka zhgënjyer drejtuesit e klubit, gjë e cila është shoqëruar me vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës me trajnerin serb.
Sipas raporteve nga e përditshmja sportive në Milano, uljet dhe ngritjet në rezultate, shoqëruar me lëndimet e shumë lojtarëve kyç, sfidat e fundit zhgënjyese kundër SPAL dhe Genoa, kanë peshuar rëndë në këtë vendim, i cili do t’i komunikohej Mihajloviçit me telefon. Me të dëgjuar lajmin, një delegacion i lojtarëve, i udhëhequr nga Andrea Belotti, dhe duke përfshirë Ljajiç, Baselli dhe Niang, e vizituan trajnerin serb në hotel dhe i shprehën dashurinë e tyre, duke i thënë se ekipi ishte me të.
Mihajloviç, i befasuar, mësohet se i ka përqafuar djemtë e tij dhe disa lot i kanë rrjedhur nga sytë. Shkarkimi zyrtar nga klubi “granata” pritet të zyrtarizohet në orët e ardhshme, ndërkohë që për gjetjen e zëvendësuesit të tij kanë filluar bisedimet. Torino, sipas “Sky”, në këto orë është duke reflektuar mbi profilin e trajnerit të ri, por duket se në “pole position” për vendin e Mihajloviç do të jetë ish-trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, aktualisht pa ekip, pas largimit nga Watford (me të cilin ai ka ende një vit kontratë). Kontaktet vazhdojnë midis palëve në kërkim të marrëveshjes, e cila duket gjithnjë e më shumë e mundshme. Mihajloviç e lë Torinon në vendin e 10-të të renditjes, me 25 pikë, 5 më pak se Sampdoria, e cila aktualisht zë vendin e 6-të, çka në fund të sezonit do t’i jepte qasje në “Europa League”.
Skuadra e Juventusit ka kaluar në gjysmëfinale të Coppa Italia, pas fitores 2:0 ndaj rivalit të qytetit, Torino. Golat për vendësit i shënuan Douglas Costa dhe Mario Mandzukiç. Juventus kështu bëhet skuadra e katërt që kalon në gjysmëfinale, ku do të luaj ndaj Atalantas, që mbrëmë eliminoi Napolin. Në gjysmëfinalen tjetër do të takohen Milan dhe Lazio.

Situatë kaotike!

Në Manchesterin që mbështet United, situata është disi kaotike, ndërsa zërat për largimin e Jose Mourinhos shtohen përditë. Nuk është më një mister fakti që diçka është thyer në marrëdhëniet mes klubit dhe trajnerit luzitan, i cili nuk arrin të buzëqeshë si më parë, duke dhënë sinjale të qarta se gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur. Shkëputja e rivalëve të City-t në krye të klasifikimit e ka rënduar jo pak situatën në radhët e “Djajve të Kuq” dhe tashmë hipoteza e një lamtumire të mundshme të “Special One” në fund të sezonit nuk është më një utopi. “Sindroma e vitit të tretë” që simbolizon krizën dhe që në Angli besohet verbërisht, duket se ka mbërthyer Moun, i cili në ndryshim nga dy vitet e para, po kalon përherë e më pak kohë në qytetin e Manchesterit.
Jose nuk ka blerë ende një banesë në qytetin ku punon, sepse Londrën e konsideron shtëpinë e tij ku shkon shpesh me avionin e tij privat. Drejtuesit më të lartë të klubit nuk e shikojnë aspak me sy të mirë këtë sjellje, aq më tepër që në krahun tjetër, rivali i tij Pep Guardiola po bën një punë të shkëlqyer kjo edhe për faktin që ai është 24 orë në kontakt me lojtarët e tij, pasi ka preferuar të jetojë me kohë të plotë në Manchester. Një tjetër çështje që krijon një hendek të madh mes portugezit dhe klubit është fakti që ai kërkon të menaxhojë çdo detaj, madje edhe emërimet në staf, gjë e cila nuk ka ndodhur në kohën e Louis Van Gaal dhe David Moyes.
Sulmi verbal kundër një emri të njohur si Paul Scholes me aq shumë kontribute në “Old Trafford” ka acaruar edhe më tej situatën, pasi një klub si United kërkon të ruajë me fanatizëm traditën dhe emrat që e kanë përfaqësuar dhe deklarata e Mourinhos se ka fituar më shumë se ish-mesfushori, nuk është pritur mirë. Ndoshta këtë herë me qëndrimin e tij publik, Mourinho ka shkelur në dërrasë të kalbur, sepse Scholes nuk përfaqëson vetëm një ish, por ai është një ikonë e gjallë e “Djajve të Kuq”. Në fund, por jo më pak rëndësi, kanë edhe zërat që vijnë nga Parisi për një interesim gjithmonë në rritje të sheikut Al Khelaifi. Te PSG, Mourinho do të kishte në dorë çekun e bardhë për të shpenzuar sipas dëshirës dhe ky është një fakt joshës për trajnerin portugez, i cili preferon ta ndërtojë skuadrën që dëshiron i lirë nga pengesat financiare.
Drejtuesit e Manchester Unitedit janë të shqetësuar rreth të ardhmes së Jose Mourinhos, i cili po mendon të largohet në fund të sezonit. “Daily Mail” shkruan se, Mourinho nuk është i lumtur në muajt e fundit dhe po e mendon largimin.
Arsyeja kryesore për pakënaqësinë e portugezit janë transferimet, pasi skuadra po refuzon të paguajë 45 milionë euro për Danny Rose. Ai po ashtu beson se skuadra nuk mund të konkurrojë me Manchester Cityn në transferime, skuadër e cila po kryeson kampionatin me 15 pikë më shumë se sa Unitedi.

Napoli i Hysajt me statistika të jashtëzakonshme në vitin 2017

Skuadra që e mbylli vitin 2017 në krye të Serisë A, Napoli ka statistika të shkëlqyera. Në një raport të “Gazzetta dello Sport” formacioni i drejtuar nga Maurizio Sarri ka shënuar një dominim në lojë, gola dhe pikë, duke lënë pas edhe kampionen e Italisë, Juventusin, njëkohësisht edhe finaliste e Champions League.
Por le ti marrim me radhë, duke nisur pikërisht nga pikët. Janë plot 99 pikët që Napoli ka grumbulluar në vitin 2017, duke e lënë pas Juven me 3 pikë, ndërsa vijojnë Roma me 88, Lazio me Interin me nga 73.
Napoli kryeson edhe numrin e golave të shënuar, 96 kundrejt 89 të Juves. Skuadra e drejtuar nga Sarri dominon edhe lojën në qarkullimin e topit, me një mesatare prej 63.06% për çdo ndeshje. Pas saj vijnë Juve me 57.98% dhe Roma me 57.8%.
Në këto statistika ka një vend të parë edhe Milani: 12 kartonë në kuq për vitin 2017, ndjekur nga Bolongna dhe Cagliari. Roma ka mundur ta kalojë Napolin vetëm te gjuajtjet, që në total ka një më shumë 693. Skuadra kryeqytetase mban edhe rekordin e goditjes së shtyllës, plot 29 herë.
Sa i përket statistikave individuale, portieri i Crotones, Cordaz numëron numrin më të madh të pritjeve, 144, ndjekur nga Donnarumma me 135.
Shqiptarët Strakosha e Berisha, renditen përkatësisht në vendet 5 dhe 8 me 111 dhe 90 pritje. Futbollisti që ka shënuar më shumë gola në vitin kalendarik është Ciro Immobile, plot 30 gola, i ndjekur nga Icardi me 27 dhe Dzeke me 24.
Në statistikat indivuduale dy futbollistë të Interit mbajnë vendin e parë: Candreva për numrin e krosimeve, plot 438 në harkun e një viti, ndërsa Skriniar ka rikuperuar 297 topa (për pjesën e parë të vitit Skriniar ka qenë pjesë e Sampdorias), i dyti është Torreira, ndërsa në vendin e tretë është shqiptari i Napolit, Hysaj me 280 topa të rikuperuar.
Futbollisti që ka finalizuar në shumë driblime është Papu Gomez i Atalantës, 96, ndjekur nga Dybala me 95 dhe Verdi me 73. Futbollisti që ka marrë më shumë faulle është Belotti, 123 të tilla.

Aubameyang zëvendëson Sanchezin në Arsenal

Drejtuesit e Arsenalit tashmë e kanë gjetur zëvendësuesin e Alexis Sanchez, nëse ky i fundit largohet gjatë janarit. Alexisa Sanchez ka kontratë me Arsenalin deri në fund të këtij sezoni dhe e ka bërë të qartë se nuk do ta vazhdojë atë. Pikëpyetje ka mbetur vetëm nëse ai do të largohet gjatë janarit apo verën e ardhshme.
Për lojtarin interesim të madh ka shprehur Manchester City, që e dëshiron gjatë këtij muaji dhe Arsenal tashmë ka gati zëvendësuesin e tij. Sipas Gianluca di Marzio, skuadra londineze e dëshiron sulmuesin e Borussia Dortmund, Pierre-Emerick Aubameyang. Edhe lojtari dëshiron të largohet nga Dortmund dhe Arsenal shihet si një mundësi tepër e mirë për të.

Alegri pas derbit: Mund të kishim qenë 3-0

Juventusi fiton dhe për të katërtin vit radhazi arrin gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Një 2-0 i thatë, por me disa polemika, në Torino, dhe një aventurë që vazhdon. Për kënaqësinë e Massimiliano Alegrit, i cili foli pas ndeshjes: “Ekipi ka luajtur në mënyrën më të mirë. Në pjesën e parë kemi rrezikuar diçka, por në pjesën e dytë kemi pasur disa mundësi. Unë jam i lumtur”. Kundërshtari i radhës në Kupën e Italisë për bardhezinjtë është Atalanta, e cila eliminoi Napolin.
Alegri ka dy fjalë për këtë kundërshtar: “Atalanta kaloi me sukses një raund të merituar, është një ekip shumë teknik dhe të ndeshesh me të nuk është e lehtë, por ne do të jemi gati”. Lidhur me protestat e Torinos për golin e epërsisë 2-0, të shënuar nga Mandzukiç, trajneri bardhezi shtoi: “Unë nuk do të komentoj kurrë veprimet arbitrale. Por, ne tashmë e kishim pasur mundësinë që të shënonim për 2-0 dhe më pas edhe 3-0”.

Interi mund të bëjë më shumë

Interi, në ndeshjen e tij të parë të vitit 2018, që gjithashtu përkon me gjysmën e parë të sezonit, do të jetë i angazhuar në fushën e Fiorentinës. Trajneri Luciano Spalletti, duke folur për mikrofonat e “Premium Sport”, shpjegoi: “Në ndeshjet më të bukura të vitit duhet të bëni shfaqjen më të mirë, atë që vetëm futbolli mund ta ofrojë”. Pavarësisht nga mënyra e mirë e ecurisë së Interit në përgjithësi, Spalletti nuk është i kënaqur: “Duhet të aspirojmë për të bërë diçka ekstra. Kështu që nuk jam i kënaqur me punën time. Interi është diçka emocionale, e cila krijon pasion të vërtetë. Vetëm të shikojmë brenda historisë zikaltër dhe ne duhet të punojmë në mënyrë të tillë, që ta ndiejmë Interin brenda vetes. Mjafton të jemi Interi dhe kjo bën dallimin”.
Sipas trajnerit toskan, Interi mund të kishte bërë edhe më shumë: “Ne kemi fiksuar disa numra të mëdhenj, kemi bërë mirë, por kemi diçka më shumë në dispozicion. Ne nuk e kemi optimizuar forcën që kemi, prandaj në pjesën e dytë të sezonit do të duhet të kemi një marrsh më tepër”. Spalletti ka analizuar edhe rënien e fundit të zikaltërve: “Ne duam të fajësojmë një problem psikologjik, veçanërisht për faktin se nuk mund të shënojmë më. Por, nëse shkojmë të prekim disa çelësa, kemi nevojë për specialistë në të gjitha fushat. Psikologu i largimit nga goli është Icardi. Unë do të flas me ekipin dhe do ta gjejmë zgjidhjen”.
Sesioni i transferimit të dimrit ka ardhur: “Nuk pres asgjë. Kam një ekip të fortë dhe dy menaxherë të fortë, kështu që, nëse ka një shans për të mbyllur një operacion fitimprurës, ata do ta bëjnë. Ne po bëjmë mirë, kemi gjithçka për të bërë mirë”. Spalletti shpjegoi edhe qëllimet e tij për vitin 2018: “Qëllimi im është gjithmonë të shoh 65 mijë njerëz në stadium. Nëse punojmë mirë, atëherë mund të shohim edhe 80 mijë. Tifozët do të jenë vendimtarë për ne”.

E zbulon “AS”

Kepa Arrizabalaga tashmë ka nënshkruar kontratën, që e lidh atë me Real Madridin. Sipas “AS”, në edicionin e tij të së enjtes, dokumenti i nënshkruar përfshin dy datat e fillimit: janar dhe qershor 2018. Arsyeja është e thjeshtë. Ekipi i bardhë donte që Zidane të vendoste kur erdhi ndërkombëtari spanjoll. Gjithçka tregon se Kepa do të jetë një lojtar i bardhë në këtë merkato të transferimit. Situata e tij te Athletic është shumë e pakëndshme, që kur largimi i tij, tani, ose në qershor, është një sekret i hapur dhe tifozët nuk e falin atë. Gjithçka varet nga Real Madridi, pasi ai duhet të paguajë klauzolën prej 20 milionë eurosh, me të cilën dalja e portierit është fikse. Portieri ende do të ketë nevojë për 10 ditë të tjera, për të qenë 100%, dhe ekipi i Real Madridit nuk dëshiron ta kryejë operacionin deri në atë moment.

Dy përforcimet që dëshiron Guardiola

Guardiola është i qartë se nuk mund të pushojë, pavarësisht nga fillimi i shkëlqyeshëm i Manchester City në këtë sezon. Trajneri katalanas dëshiron të bëjë disa përshtatje në skuadrën e tij, për shkak të lëndimeve që po vuan. Një nga pjesët ku ky faktor vuan më së shumti është në boshtin e mbrojtjes. Otamendi dhe Stones po bëjnë shumë mirë, por nuk kanë zëvendësime të garantuara, qëkur Kompany është lënduar vazhdimisht dhe Mangala është shumë i parregullt. Prandaj, Guardiola do të mendonte të inkorporonte Iñigo Martínez. Qendra e Real Sociedadit është një vlerë e sigurt dhe në verë ishte një hap larg nga nënshkrimi me Barcelonën. Çmimi i tij është 32 milionë euro. Kjo është, klauzola e përfundimit të kontratës. Real Sociedad tashmë e bëri të qartë, në verë, se nuk do ta reduktonte as edhe një euro klauzolën e futbollistit në bisedimet që kishte me grupin katalanas.
Prandaj, nëse ekipi anglez dëshiron të kontraktojë qendrën spanjolle, tashmë e di çmimin që duhet të paguajë. Përveç Iñigo Martínez, Guardiola dëshiron të nënshkruajë edhe me Alexis Sánchez. Është një sekret i hapur se kiliani do ta veshë fanellën e “qytetarëve”, sepse e përfundon kontratën e tij në qershor dhe negociatat janë shumë të avancuara. Megjithatë, pas lëndimit të Gabriel Jesus, Guardiola do të kërkonte inkorporimin e tij të menjëhershëm dhe nuk do të presë deri në verën e ardhshme. Prandaj, sipas “The Sun”, çmimi që vlerësohet të shpenzohet për të dy lojtarët është 50 milionë euro. Nuk ka dyshim se ato do të jenë dy përforcime që do ta përmirësonin, madje edhe më shumë, stafin e shkëlqyer të Manchester City.

Zemërimi i Guardiolës

Pep Guardiola ringjalli debatin e përjetshëm që shpërthen në Premier League çdo sezon, me ndryshimin e vitit kalendarik: mbingarkesat e ndeshjeve në Angli. “Ata do t’i vrasin lojtarët”, tha trajneri i Manchester City të martën, duke sulmuar kalendarin anglez të futbollit, pas fitores së ekipit të tij kundër Watford. Një lojë në të cilën trajneri katalanas bëri deri në pesë ndryshime në krahasim me ndeshjen e fundit. Pep nuk është gabim në ankesat e tij. Me të fundit, Manchester City ka luajtur tashmë 25 ndeshje në ligën kombëtare përkatëse, në këtë sezon. Në Itali, Juventusi luajti mbrëmë ndeshjen e tij të 22-të, ndërsa Bayern Munich dhe PSG shkojnë për pushime në Gjermani dhe Francë, respektivisht me 20 ndeshje “nën rripin e tyre”. Një rezultat që do ta arrijë sot Barcelona, kur të luajë në Kupën e Mbretit ndaj Celta.
Në total, për të pushtuar Premier League dhe dy Kupa angleze (FA Cup dhe ajo e ligës, tani e quajtur “Carabao Cup”), Manchester City do t’i duhet të luajë 50 ndeshje, pa numëruar “zëvendësimet” e mundshme, të cilat, në një rast ekstrem, mund ta rrisin shifrën në 53 ndeshje. Në Gjermani, megjithatë, numri maksimal i ndeshjeve është 40. Prej tyre, 34 ndeshje në Bundesliga (që ka 18 ekipe) dhe gjashtë ndeshje në Kupën e Gjermanisë. Ekipet italiane që luajnë në Europë mund të luajnë deri në 43 ndeshje. Spanjollët, me Kupën e Mbretit nga dy ndeshje për raund, shkojnë deri në 47. Francezët, të cilët si Anglia kanë dy Kupa, përjashto konkurrencën europiane, kanë një maksimum prej 48 angazhimesh kombëtare. Në Portugali, e cila gjithashtu ka dy Kupa, por një ligë prej 18 ekipesh, shkon deri në 45 ndeshje.
Këto 50 lojëra e bëjnë të pamundur që futbolli anglez të zbatojë një pushim dimëror, sikurse e gëzojnë ligat e tjera europiane. Më e shkurtër është ajo e Spanjës, e cila, me shpërndarjen e orarit të ditës së fundit të La Liga-s për 2017, ka pasur vetëm dhjetë ditë pa kompeticion. Real Sociedad, i eliminuar nga Kupa e Mbretit, do të arrijë në 16 ditë pushim. Franca ka 16 ditë pushime dimërore; Italia, ku është luajtur për Krishtlindje, do të ndalet dy javë pas ditës së “Reyes”. Gjermania, e cila zakonisht gëzon një pushim më të gjatë, do të qëndrojë këtë kohë 22 ditë pa futboll, pavarësisht nga çdo gjë më e shkurtër se zakonisht, pasi e ka pasur më të ngjeshur kalendarin për Kupën e Konfederatave verën e kaluar dhe Kupën e Botës tjetër.
* Pa llogaritur “zëvendësimet” e mundshme të “FA Cup”, që mund të jenë deri në tri ndeshje të tjera.
Konsiderata:
– Janë marrë parasysh garat kombëtare të Ligës dhe Kupës. Përjashtohen garat europiane, Superkupat kombëtare dhe europiane, si dhe Botërori për Klube.
– Numri i ndeshjeve mblidhet në bazë të atyre që i kanë luajtur, ose mund t’i luajnë skuadrat pjesëmarrëse në garat europiane. Në disa kupa kombëtare (Kupa italiane, ose Kupa e Ligës së Anglisë dhe Francës), ekipet e tjera të divizionit të parë hyjnë në garë në raundet e mëparshme.
– Pushimet dimërore janë ditët kur nuk ka konkurrencë. Varësisht nga kalendari i çdo klubi, mund të jetë më i gjatë.

Ronaldo pret Perez, tre oferta në tryezë

E ardhmja e Cristiano Ronaldos mund të jetë larg nga Real Madridi, sezonin e ardhshëm. Sipas programit “El Chiringuito” të së mërkurës, ylli portugez i “Los Blancos” ka marrë deri në tri oferta nga klube të ndryshme për të marrë shërbimet e tij që prej 30 qershorit. Asnjë nga këto entitete nuk kanë kontaktuar drejtpërdrejt me Real Madridin, por sipas burimit të lartpërmendur, njëri prej tyre do ta bëjë këtë në ditët ose javët e ardhshme. CR7 do të jetë i hapur për çdo mundësi, gjithmonë duke pritur për “skedën e bardhë”, me plotësimin e kërkesës së tij për një rritje të pagës, që do të vinte shenjën e barazimit me Leo Messin apo Neymar, të cilët aktualisht e tejkalojnë portugezin me të ardhurat e tyre.
Sipas këtij programi, në qoftë se në një muaj apo muaj e gjysmë, presidenti i klubit, Florentino Perez, nuk ka bërë lëvizje rekord në këtë drejtim, Ronaldo bie dakord për të hapur negociatat me disa prej atyre që kanë qenë të interesuar për nënshkrimin e tij dhe mund të largohet nga “Bernabeu” në fund të sezonit të tanishëm.
Kontrata aktuale e Ronaldos skadon në vitin 2021, por Reali do t’i ofrojë zgjatjen e saj dhe një pagë marramendëse. Sipas “Corriere dello Sport”, Reali do t’i ofrojë Ronaldos 650 mijë euro në javë apo mbi 30 milionë euro në sezon. Kështu Ronaldo do të bëhej lojtari më i paguar se sa dy konkurrentët e tij, Leo Messi dhe Neymar.