Sulmuesi brazilian hispanik shënoi gol në fitoren e skuadrës së tij kundër Lleida. Një rikthim i mrekullueshëm i tij në radhët e Atletico Madrid. “Jam shumë i lumtur që kam luajtur përsëri futboll dhe kam luajtur përsëri me Atlético Madrid. Kjo ishte shumë e rëndësishme për mua dhe ndihem shumë i lumtur për këtë”, tha ish-sulmuesi i Chelsea. Lidhur me golin e shënuar kundër Lleida, Costa shtoi: “Unë nuk mund të kërkoj më shumë në këtë rikthim me Atlético. Jam duke luajtur përsëri dhe jam me fat që të shënoj një gol, gjë që më bën edhe më të lumtur”. Mirëpo, në këtë ndeshje të parë për vitin 2018, Diego Costa pësoi një traumë të drejtpërdrejtë në pjesën e brendshme të këmbës së tij të djathtë, që i shkaktoi siklet edhe në gju. Në trajnimin e të enjtes do të vlerësohet evolucioni i problemit dhe nevoja për të kryer teste diagnostike apo jo.
Diego Forlan rikthehet në fushë 38 vjeç
Diego Forlan do të luajë edhe në moshën 38-vjeçare në futbollin profesional, pas nënshkrimit të kontratës me Kitchee SC. Kjo marrëveshje vjen pas një sezoni pasivitet, si përforcim për kampionin e Hong Kong-ut. Kthimi i Forlan në fushë vjen pasi tha “lamtumirë” në dhjetor 2016, me Mumbai City, në Indi. Uruguajani, me 112 ndeshje, udhëtoi drejt Hong Kong-ut të mërkurën dhe do të paraqitet të nesërmen në një konferencë shtypi. Forlan, si përforcim i Kitchee, do të përballet për herë të parë me fazën e grupeve të “Champions League AFC”, duke filluar nga 13 shkurti i ardhshëm. Sulmuesi uruguajan fitoi titullin me Manchester United dhe “FA Cup”, edhe La Liga-n, duke u bërë golashënuesi më i mirë në sezonin 2004-2005 me Villarreal, teksa fitoi edicionin e parë të “Europa League”. Me Atlético Madrid fitoi Superkupën Europiane muaj më vonë.
Klopp refuzon Bayern: Dua të fitoj titullin në Premier
Zërat e ditëve të fundit se trajneri Jurgen Klopp do të rikthehet në Bundesliga, këtë herë si trajneri i Bayern Mynih, janë hedhur dje poshtë nga menaxheri i tij, Marc Kosicke. Ai ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë në këto zëra dhe se Klopp do të vazhdojë të drejtojë Liverpool sezonin tjetër. “Nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me transferimin e Jurgen te Bayern. Ai do të vazhdojë me Liverpool, pasi kërkon të triumfojë në Premier me këtë ekip”, tha menaxheri i Klopp.
Klopp konsiderohej si kandidati kryesor për të zëvendësuar Yupp Heynckes, që erdhi në mesin e këtij sezoni te Bayern, pas shkarkimit të Carlo Ancelotti. Por duket se Klopp ka të tjera plane, ndaj ka vendosur të mos rikthehet në Gjermani. Mes kandidatëve të tjerë për të marrë stolin e Bayern janë Joachim Loew, Thomas Tuchel dhe Julian Nagelsmann, por duket se emri i trajnerit të ri do të jetë enigmë deri në fund të sezonit.
Arsenal-Chelsi, fitoi spektakli
Megjithëse drejtuesit e Premier League janë kritikuar nga shumica e trajnerëve të klubeve më të mira të ishullit britanik, Chelsea dhe Arsenal kanë zbritur në fushë më të motivuar se kurrë në këtë mbrëmje të ditëve të para të vitit të ri duke dhuruar spektakël në fushë. Ishte një ndeshje e madhe nga të dyja skuadrat dhe në fund barazimi 2-2 ishte rezultati më i drejtë në “Emirates”.
Megjithëse nuk prodhoi gola, pjesa e parë u karakterizua nga një lojë fantastike me një ritëm të lartë nga të dyja skuadrat. Edhe mundësitë për të shënuar nuk munguan, por Alexis Sanchez dhe Lacazette nuk u treguan të saktë përpara portës. Ndërsa për miqtë ishin Morata dhe Fabregas të rrezikshëm. Pas pushimit stili i lojës dhe ritmi mbetën të njëjtë dhe si pasojë golat nuk munguan.
Shqiptarët shpenzojnë për veshje 10 herë më pak se europianët
Një shqiptar shpenzon gati 10 herë më pak se një banor i Bashkimit Europian për veshje dhe këpucë. Përfundimi del nga krahasimi i të dhënave zyrtare që publikon Eurostat dhe Instituti Shqiptar i Statistikave. Sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve, në vitin 2016, shqiptarët shpenzuan 243 milionë euro në total për veshje dhe këpucë. E shprehur për frymë, rezulton se një individ në Shqipëri shpenzon vetëm 84 euro në vit për t’u veshur. Aq sa kushtojnë një palë këpucë të zakonshme. Por një qytetar i Bashkimit Europian shpenzon 9.2 herë më shumë për veshjen e tij se sa shqiptarët. Sipas Eurostat, në vitin 2016 familjet e Bashkimit Europian shpenzuan në total 395.4 miliardë euro për veshje dhe këpucë. Aktualisht BE ka një popullsi prej 510 milionë banorësh. Rrjedhimisht një qytetar europian shpenzon mesatarisht 775 euro në vit për veshje, nga 84 euro që shpenzon një shqiptar. Diferenca e madhe e shpenzimeve që familjet bëjnë për rroba mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë tregon nivelin ekonomik të dy vendeve. Një pjesë e madhe e familjeve shqiptare e kanë të vështirë të përballojnë jetesën bazë dhe nuk mund të shpenzojnë para për veshje. Sipas INSTAT, gati gjysma e buxhetit të familjeve shkon për ushqime, ndërkohë që pjesa tjetër ndahet në zërat e tjera të shpenzimeve, përfshirë pagesën e faturave për shërbimet publike, në një kohë që një familje e BE-së shpenzon vetëm 12.3 për qind të buxhetit për ushqim.
Çdo shqiptar paguan 4600 USD në vit nga borxhi i Ramës për luks dhe fasada
Shifra të frikshme ka publikuar dje deputetja demokrate, Jorida Tabaku në lidhje me nivelin e lartë të borxhit publik, rritja e të cilit në mënyrë stratosferike nga Rama po rëndon xhepat e shqiptarëve. Sipas deputetes Tabaku, rreth 4600 dollarë paguan çdo shqiptar në vit për shkak të borxhit të marrë nga Rama për shpenzime luksi e fasadash. Përmes një statusi në profiling e saj në rrjetin social Facebook, Tabaku i referohet një raporti të publikuar pak kohë më parë sipas të cilit borxhi publik i marrë nga qeveria është rritur në kurriz të shqiptarëve.
“Një studim i publikuar pak orë më parë konfirmoi se, borxhi publik është rritur në kurriz të qytetarëve. Të dhënat e raportuara nga Open data Albania, tregojnë se si që prej buxhetit të parë të qeverisë Rama (ai i vitit 2014) borxhi u rrit me 10,49% ose me 93 miliardë lekë (93 milionë USD). Mesatarisht në katër vjet (2014-2018) borxhi publik është rritur me 1.3 trilion lekë (13 miliardë USD) në vit dhe kjo vlerë përkthehet si një borxh i rritur çdo vit për çdo banor me vlerë e 460 mijë lekëve (4625 euro/banor në vit).
Megjithëse vlera e borxhit është rritur pyetja që gjithsecili shtron është se ku kanë shkuar këto para të marra borxh, për të cilët ne po paguajmë? Sipas të dhënave nga buxheti i shtetit, shumica dërrmuese e borxhit ka shkuar për fasadat e qyteteve. Vetëm për vitin 2017 investimet e parealizuara në infrastrukturë kapin vlerën e 11 miliardë lekëve (100 mln USD), ndërkohë që borxhi i marrë për këtë vit kap vlerën e 24 mld lekëve (240 milionë USD).
Tashmë është e qartë për këdo se këto para që po paguan një më një përmes taksave, tarifave dhe çdo formë tjetër nga shqiptarët, janë një tjetër rrugë abuzive përmes së cilës pasurohen pjesëtarët e qeverisë dhe mazhorancës. Nga shtatori vitit 2013 e deri më tani qeveria ka rritur borxhin publik me 2 mld USD që është vlera kumulative e rritjes së taksave nga paketa e parë fiskale e deri tek kjo e fundit. Pra, shqiptarët sot paguajnë borxhin e rritur përmes taksave të tyre dhe janë shqiptarët e thjeshtë dhe jo ato të cilët qeveria përmes taksimit selektiv u ka falur tatime dhe taksa.
Kjo është e vërteta e hidhur që qeveria u faturon shqiptarëve çdo vit përmes politikës së saj fiskale. Më pak të ardhura në xhepin tuaj, më pak konsum, çmime më të larta, borxh më të madh publik dhe një ekonomi gjithnjë e në rënie”, shprehet Tabaku në reagimin e saj.
Nga 1 Prilli, bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë do të paguajnë TVSH
Tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar një qarkullim mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë, për vitin kalendarik 2017, si dhe ata që parashikojnë të realizojnë këtë qarkullim gjatë këtij viti, nga data 1 Prill 2018 duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së (tatimi mbi vlerën e shtuar), njoftuan tatimet. Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në, duhet të komunikojë me shoqërinë e autorizuar që e ka furnizuar me pajisjen fiskale për të bërë ndryshimin e shkallës tatimore të TVSH brenda datës 31 mars 2018, për qëllim të lëshimit të kuponit tatimor me TVSH; Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në brenda datës 31 mars 2018 duhet të furnizohet me faturat tatimore me TVSH, të përdorshme për çdo shitje mbi 40.000 (dyzet mijë) lekë, ose kur blerësit do t’i kërkojnë një të tillë. Paraprakisht këta tatimpagues duhet të përpilojnë (inventarizojnë) listën e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë. Ky inventar duhet të dorëzohet në Drejtorinë Rajonale, brenda datës 31 mars 2018. Çdo mall i përfshirë në inventar duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë jo më parë se 12 muaj nga data që është bërë regjistrimi në TVSH. Ky proces i jep të drejtën çdo tatimpaguesi, që në muajin e parë kur bëhet subjekt i regjistruar në TVSH, të njohë TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën e regjistrimit në këtë regjim. Administrata Tatimore është në shërbimin tuaj në sportelet e saj të shërbimit, si dhe me Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 00 02. Një program gjithëpërfshirës seminaresh trajnimi me grupe tatimpaguesish, është programuar përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018. Ndryshimi i përgjegjësisë tatimore mbështetet në Ligjin nr.92/2014 datë 24.07.2014, “Për TVSh-në në RSH”, i ndryshuar neni 117 dhe VKM nr.652, datë 10.11.2017 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin Nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave “Për Dispozitat Zbatuese të Ligjit nr.92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, neni 2, pika 1, i cili përcakton se kufiri minimal për regjistrimin e tatimpaguesve në skemën e TVSH-së, është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekë në një vit kalendarik.
Raporti: Pasuritë e shqiptarëve ndahen në pak duar
Pjesa më e madhe e shqiptarëve bëjnë pjesë në kategoritë e të ardhurave të ulëta, sipas të dhënave që jepen nga Pew Research, një institucion kërkimor amerikan. Ky i fundit e ka ndarë botën në pesë grupe të ardhurash: të varfër (ku përfshihet 15% e popullsisë globale), me të ardhura të ulëta (56% e popullsisë), të ardhura mesatare (13% e popullsisë), të ardhura mbi mesataren (9% e popullsisë globale) dhe të ardhura të larta (7% e totalit).
Përmes formulës, Pew Pesearch të mundëson që, duke i dhënë të ardhurat mujore të nxjerrësh, në cilën kategori përfshihesh në Shqipëri, për vitin 2014. Në Shqipëri, pjesa më e madhe e popullsisë i përket grupit me të ardhura të ulëta, që përbën 84.6% të totalit, nga 56% që është mesatarisht ky grup në botë. Përqindja që zë shtresa e ulët në Shqipëri është ndër më të lartat në rajon e Europë.
Shqipëria ka më pak të varfër në krahasim me mesataren globale, 1.8% e popullsisë, nga 15% e popullsisë globale. Grupi me të ardhura të shtresës së mesme në Shqipëri është 11.2%, e përafërt me mesataren globale. Por, aty ku Shqipëria çalon është shtresa mbi të mesmen dhe ajo e pasur, që zënë një peshë mjaft të vogël në popullsinë e vendit, ndryshe nga rajoni. Grupi me të ardhura mbi mesataren zë 2.1% të totalit në Shqipëri dhe ai me të ardhura të larta 0.3%. Në botë, grupi me të ardhura mbi mesatare zë 9% të totalit dhe ai me të larta 7%.
Në Maqedoninë fqinje, shtresa me të ardhura të ulëta përbën 59% të popullsisë. Përqindja e popullsisë me të ardhura të mesme është shumë më e lartë në Maqedoni, me 24.7% të totalit. Ndërsa shtresa me të ardhura mbi të mesme është sërish e lartë, në 10.7% të totalit. Edhe të pasurit në Maqedoni janë më të shumë se në Shqipëri, ata zënë 1.1% të totalit. Por edhe të varfërit janë më të shumë, në shtetin fqinj, me 4.9% të totalit.
Të 111 vendet e përfshira në studim përbënin 88% të popullsisë botërore dhe 85% të prodhimit botëror në vitin 2011. Studimi është gjithashtu ndër të parët që përdor metodën e barazisë së fuqisë blerëse të vitit 2011 (PPP), e cila bazohet në të dhënat më të fundit të vlerësimeve standarde të niveleve të çmimeve në botë. Metoda e barazisë së fuqisë blerëse korrigjon kurset e këmbimit me dallimet në çmimet e mallrave dhe shërbimeve në vende të ndryshme dhe është thelbësore për raportimin e të ardhurave të krahasueshme ndërmjet vendeve.
Në 111 vende të përfshira në këtë studim, 783 milionë banorë ishin të ardhura mesatare në vitin 2011, krahasuar me 398 milionë në vitin 2001. Kështu, popullsia me të ardhura mesatare – ata që jetonin në 10-20 $ në ditë – gati dyfishuar, duke u rritur me 386 milionë në dekadën e parë të shekullit të ri.
Monitor
Protestat e Iranit dhe bota e jashtme
Siç ndodh shpesh në Iran edhe protesta e tanishme zhvillohet në disa nivele: brenda Iranit fillimisht drejtpërdrejtë në rrugë – dhe aty ka pasur ndërkohë edhe demonstrata masive pro regjimit – por edhe në luftën për pushtet midis qendrave të ndryshme të pushtetit të establishmentit politik. Jashtë Iranit zhvillohen diskutime për përgjigjen e duhur ndaj këtyre zhvillimeve. Kjo lidhet me shqetësimin se mos përmes reagimeve nga jashtë forcohen pa dashje përfaqësuesit e vijës së ashpër në Teheran dhe dobësohen forcat e moderuara. Përmes shprehjeve të simpatisë dhe mirëkuptimit për demonstruesit dhe shqetësimet e tyre, bëhen përsëri të dukshme qasjet e ndryshme të Evropës dhe SHBA-së në trajtimin me Iranin.
Qëndrimi i administratës amerikane është i qartë: Presidenti i SHBA-së, Donald Trump bëri hapur thirrje për një ndryshim të regjimit në një mesazh në Twitter ditën e Vitit të Ri. Ekspertja amerikane për sigurinë Ariane Tabatabai nga Universiteti Georgetown në Uashington mendon se kjo është kundërproduktive. Në një intervistë me DW Tabatabai bëri thirrje për një qasje të matur: “Ne duhet t’i bëjmë thirrje Iranit të respektojë të drejtën e njerëzve për t’u organizuar – pa propozuar ndonjë qasje të veçantë për ta”.
Edhe politikani gjerman Norbert Rwttgen (CDU ) tha se deklaratat e pakujdesshme mund të ushqejnë pretendimet e udhëheqjes në Teheran se kryengritja nxitet nga jashtë. Dhe vërtet drejtuesi më i lartë i Iranit, Ali Khamenei i quajti të martën trazirat si “komploti i armiqve të Iranit”. Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Cavusoglu u shpreh të mërkurën për mbështetjen e protestave anti-qeveritare nga SHBA-ja dhe Izraeli. Sipas CNN Turk Cavusoglu tha se, Turqia është kundër çdo forme të ndërhyrjeve të huaja në Iran.
Hijet e ndërhyrjeve të kaluara
Akuzat për ndërhyrje të tilla ndeshin në terren pjellor në Iran. Shumë iranianë e kanë të qartë rolin e shërbimit sekret të CIA-s për rrëzimin e presidentit të parë të zgjedhur në votime të lira, Mohammed Mossadegh, në vitin 1953, që u pasua nga diktatura e shahut për një çerek shekulli. Në vitin 2013, me rastin e 60-vjetorit të grushtit të shtetit, SHBA botuan dokumente që ishin mbajtur sekrete për dekada të tëra. Kësaj i shtohen edhe përpjekjet e presidentit Trump për ta mobilizuar botën arabe sunite kundër Iranit.
Evropa e rezervuar
Evropa deri tani ka reaguar me kujdes. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, i bëri të martën thirrje udhëheqjes në Teheran që të respektojë lirinë e grumbullimit dhe të shprehjes. “Bashkimi Evropian po i ndjek nga afër demonstratat e vazhdueshme në Iran, dhunën në rritje dhe humbjen e papranueshme të jetëve njerëzore”, tha Mogherini.
Liria e grumbullimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhet të garantohen pa përjashtim në çdo vend, tha Mogherini dhe u bëri gjithashtu thirrje të gjitha palëve të heqin dorë nga dhuna.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se, në një bisedë telefonike me presidentin iranian Hassan Rohani kishte bërë thirrje për përmbajtje në qëndrimin ndaj protestave anti-qeveritare. Në të njëjtën kohë, Macroni anuloi një vizitë të planifikuar për këtë javë në Teheran nga ministri i tij i jashtëm, Jean-Yves Le Drian.
Edhe Berlini zyrtar shprehu shqetësimin sidomos për viktimat dhe arrestimet e shumta gjatë demonstratave dhe tha që qeveria e Iranit duhet të reagojë ndaj protestave me gatishmëri për dialog.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu u tall me qëndrimin e evropianëve, duke kritikuar në një video-mesazh se shumë qeveri evropiane po heshin dhe bëjnë sehir, ndërkohë që në rrugë po rrihen shumë iranianë heroikë që kërkojnë drejtësi”.
E ardhmja e marrëveshjes bërthamore në pikëpyetje
Ndërkohë SHBA ka kërkuar një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork. “OKB-ja duhet të thotë se, çfarë mendon”, tha ambasadorja e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley. Si Këshilli i Sigurimit dhe Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë duhej të diskutojnë për arrestimet dhe të vdekurit gjatë protestave në Iran, kërkoi Haley.
Javën e ardhshme, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Trump mund t’i ashpërsojë sanksionet ndaj Iranit: më 10 janar në Kongres do të diskutohet për çertifikimin e të ashtuquajturës marrëveshje bërthamore me Iranin JCPOA. Në tetor, Trumpi e kishte refuzuar çertifikimin e kësaj marrëveshjeje. Kjo mund të sillte me vete rivendosjen e sanksioneve ndaj Iranit. Falë lobimit masiv të evropianëve, Kongresi nuk e vendosi për rivendosjen e sanksioneve dhe marrëveshja mbeti e paprekur. Por këtë herë situata politike duket shumë më pak e favorshme për vazhdimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin.
Pence: Amerika është me popullin e Iranit
Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence, shprehu solidaritetin me protestuesit iranian, duke thënë se regjimi i atij vendi është i rrezikshëm për popullin e vet dhe në arenën ndërkombëtare. Zoti Pence foli në një intervistë për bashkëpunëtoren e “Zërit të Amerikës”, Greta van Susteren.
Nënpresidenti Pence tha se, nuk duhet harruar se Irani është një nga vendet kryesore që sponsorizon terrorizmin në botë dhe se regjimi jo vetëm që shtyp dhe i mohon të drejtat popullit të vet, por eksporton gjithashtu terroristë në gjithë rajonin dhe vazhdon të jetë një forcë destabilizuese e rrezikshme.
“Kur populli i Iranit ngrihet në këmbë dhe kërkon ndryshim, çdo amerikan që do lirinë dhe të gjithë ata që duan lirinë në gjithë botën duhet të ndjehen të frymëzuar”, tha nënpresidenti.
Zoti Pence vlerësoi përgjigjen e administratës së tanishme ndaj protestave, duke thënë se ish-presidenti Barack Obama nuk kishte shprehur të njëjtën mbështetje në kohën e revolucionit të gjelbër në Iran.
“Mbështetja e qartë që Presidenti Trump ka shprehur për protestuesit që po ngrihen në qytete në gjithë Iranin është dramatike dhe mendoj se është në përputhje me rolin e Amerikës në botë si kampione e lirisë”.
Nuk është hera e parë që ish-Presidenti Obama kritikohet se heshti përballë protestave të 2009-ës, pasi presidenti i atëhershëm Mahmoud Ahmadinejad deklaroi se kishte fituar në zgjedhjet, ku kishte rikandiduar. Kundërshtari i tij kryesor Mir Hossein Moussavi tha se në zgjedhje kishte pasur shkelje të shumta. Fitorja e Ahmadinejadit u shpall më 13 qershor. Më 15 qershor protestat e drejtuara nga Moussavi ishin bërë më masivet që nga Revolucioni i vitit 1979.
Presidenti Obama foli atë ditë, duke thënë se i takonte popullit të Iranit të vendoste, por gjithashtu e dënoi dhunën. Ai foli edhe disa ditë më pas.
Nënpresidenti Pence tha në intervistën për “Zërin e Amerikës” se, ish-presidenti Obama foli vetëm, pasi Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati miratuan rezoluta ku mbështeteshin protestuesit.
Zoti Pence foli për “kontrast mes heshtjes dhe dështimit për të mbështetur lirinë në administratën e kaluar dhe qëndrimit të pakompromis të Presidentit Trump për të qenë në krah të popullit kurajoz të Iranit”.
“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim jo vetëm me fjalë, por ndërsa sjellin ndryshim në vend. Mund t’ju garantoj se Shtetet e Bashkuara dhe bota më gjerë qëndrojnë me popullin e Iranit që do një të ardhme më të mirë, më të begatë dhe më të lirë”.
I pyetur se pse nuk kishte përmendur pasoja të mundshme për regjimin Iranian në kohën e protestave të vitit 2009, ish-presidenti Obama kishte thënë se nuk dihej ende se si do të shkonin ngjarjet.
I pyetur se çfarë janë të gatshme Shtetet e Bashkuara të bëjnë për të mbështetur protestuesit, nënpresidenti Pence, tha se si Shtetet e Bashkuara, edhe vendet e tjera mund të bëjnë shumë nëse populli i Iranit vazhdon të ngrihet kundër ideologjisë radikale që ka marrë prej dekadash kontrollin e vendit.
Ai kritikoi gjithashtu marrëveshjen bërthamore me Iranin, të cilën administrata aktuale nuk e riçertifikoi. Zoti Pence tha se, marrëveshja nuk solli një qëndrim më të moderuar nga Irani.
“Shpresa ime është që njerëzit që po dalin në rrugët e Iranit ta dinë që nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump, ata nuk janë të vetëm, se populli amerikan është me ta dhe nëse vazhdojnë të tregojnë kurajon e bindjeve të tyre dhe përqafojnë një të ardhme të lirë dhe demokratike, Amerika dhe bota do të jetë me ta”.