31.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

Amnisti për falsifikuesit e produkteve ushqimore?

Elton QYNO

Si çdo vit në prag të festave, dyqanet kanë shtuar gamën e produkteve ndërsa familjet shqiptare po bëjnë planet e fundit për ushqimet që do të konsumojnë në tryezën e ndërrimit të viteve.
Por lajmet e herepashershme për bllokim të mishit të kontaminuar apo produkteve të tjera të pakontrolluara në treg vazhdojnë të ngrejnë shqetësime për cilësinë e ushqimeve që shtrohen në ditë festash apo gjatë gjithë vitit mbi tryezat e shqiptarëve.
Deklaratat publike të autoriteteve shtetërore nuk e zbusin këtë shqetësim. Në tetor, ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi pranoi dështimin e deritanishëm të Shqipërisë në kontrollin e zinxhirit ushqimor-“që nga prodhimi në fermë e deri në tavolinë”.
“Duhet të pranojmë duke u skuqur, për hir të vërtetës se kemi dështuar krahasuar me vendet përreth dhe padyshim me çdo vend të BE-së,” deklaroi Peleshi, ndërsa shpalli një aksion kombëtar për disiplinimin e tregut të produkteve shtazore që nga thertoret e shpërndara anekënd vendit e deri tek dyqanet e mishit.
Fatura e dështimit bie kryesisht mbi Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, AKU, një institucion të kritikuar vazhdimisht për mungesë eficense dhe punësime partiake, që ministri aktual i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka premtuar ta reformojë.
Në mesin e gushtit, AKU u fshikullua edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, si një institucion që nuk mund të garantojë sigurinë ushqimore në vend.
“Në Shqipëri mungon një kuadër i plotë për sigurinë ushqimore dhe përgjegjësitë ligjore në zinxhirin e sigurisë ushqimore karakterizohen nga dublime dhe mungesë eficence. Ndërkohë problemet strukturore dhe ato të burimeve njerëzore në AKU kanë ndikur dhe në nivelin e inspektimeve të subjekteve që preken nga ligji për ushqimin,” thuhej në raport.
Por AKU nuk është institucioni i vetëm që ka ceduar në misionin e vet. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se neglizhenca ndaj sigurisë ushqimore pëfshin një zinxhir institucionesh, ndërkohë që shkelësit e ligjit u shpëtojnë dënimeve dhe u gëzohen privilegjeve të kulturës së pandëshkueshmërisë në vend.
BIRN analizoi vendimet gjyqësore ndaj personave të akuzuar për falsifikim të produkteve ushqimore prej nga rezulton se çështje të tilla neglizhohen vazhdimisht nga prokurorët dhe gjyqtarët, pavarësisht dëmeve të mëdha që shkaktojnë këto krime në shoqëri.
Gjatë viteve 2015-2016, Prokuroria e Përgjithshme ka ndjekur penalisht 52 raste për veprat penale që lidhen me prodhimin e kundërligjshëm të artikujve ushqimorë apo për falsifikimin e etiketave, stampave apo vulave. Sipas Prokurorisë, 34 persona u dënuan gjithsej në të dy vitet.
Dënimet mbesin gjithsesi në “letër”, pasi keqbërësit lirohen shpejt nga gjykatat ose përfitojnë nga amnistia e miratuar nga Parlamenti pothuajse në çdo vit, ndërkohë që zinxhiri i aktivitetit të tyre kriminal vazhdon të minojë sigurinë ushqimore në vend.

Amnisti për shkelësit e ligjit

Mesditën e 1 nëntorit 2017, policia e Korçës bllokoi më shumë se 800 litra vaj ushqimor në ambientet e ish-ndërmarrjes N.Sh.N-së, për të cilën u dyshua se ishte futur kontrabandë ose ishte prodhuar në mënyrë të kundraligjshme.
Sipas dokumenteve gjyqësore që BIRN i disponon, në magazinë u gjetën edhe qindra bidonë metalikë me etiketa vaji në gjuhën greke të tilla si “Thesaloniki”, “Nafeli”, “Eliazti”,”Ksamil” apo “Olive Oil”.
Pas kontrollit, policia arrestoi në flagrancë të zotin e magazinës, 48-vjeçarin Kosta Fshati i cili u akuzua për veprat penale të “prodhimit të kundraligjshëm të mallrave industriale dhe ushqimore”, “shkelje e të drejtave të pronësisë industriale” dhe “depozitim të mallrave kontrabandë”.
Por katër ditë më vonë, prokurori Julian Kristo i kërkoi gjykatës së Korçës që të lironte të akuzuarin dhe të vendoste ndaj tij masën e “detyrimit për paraqitje”, duke vazhduar hetimin në gjendje të lirë.
Kërkesa e Prokurorit për lirimin nga qelia të Kostës është parë me dyshim nga Gjykata e Korçës. Në vendimin e tij, gjyqtari Arben Lera shprehet se “nevojat e sigurimit që duhen marrë në rastin konkret nuk garantohen dhe nuk janë në raport të drejtë me vendosjen e kësaj mase sigurimi”.
Megjithatë, gjyqtari e ka miratuar lirimin në respekt të nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale, i cili sanksionon se “Gjykata nuk mund të caktojë një masë më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokuroria”.
Rasti i mësipërm nuk ishte i vetmi që e përballi Kosta Fshatin-prodhues i ligjshëm vetëm për vajin “Alkis” me drejtësinë. Sipas njoftimit të policisë, ai ishte dënuar edhe në vitin 2010 për veprat penale të prodhimit të paligjshëm të produkteve ushqimore dhe falsifikim të etiketave, por kjo nuk e pengoi të vazhdonte aktivitetin e tij të tregtimit të vajit të falsifikuar.
Njësoj si Fshati, edhe Xhavit Kasemi në Shkodër ka shfrytëzuar “dorën e butë” të drejtësisë për të vazhduar aktivitetin e tij fitimprurës të produkteve të pakontrolluara dhe të rrezikshme për shëndetin e konsumatorëve.
Në vitin 2010, punishtja e tij në lagjen “Ajasëm” të Shkodrës u bllokua nga policia, pasi u konstatua se prodhoheshin në mënyrë të paligjshme 27 produkte ushqimore dhe industriale. Mes produkteve të sekuestruara gjendeshin etiketa të markave të ndryshme të lëngjeve të frutave dhe pijeve alkoolike të tilla si konjak “Skënderbeg” apo “Brandi”.
Megjithatë, tregtari Xhavit Kasemi mori pafajësi nga gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit të Shkodrës në janar 2013.
Sipas vendimit që BIRN disponon, treshja e gjyqtarëve të Apelit, Astrit Kalaja, Lindita Hoxha dhe Luan Dervishi argumentuan se nuk provohet që “materialet e gjetura në banesën e të pandehurit janë të falsifikuara apo që ai t’i ketë përdorur për falsifikim”.
“Po të analizohet kuptimi i përmbajtjes së veprës penale ‘falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve’ rezulton që kjo vepër të konsumohet në formën e përdorimit dhe falsifikimit të tyre… Në rastin konkret vihet në diskutim ekzistenca e sendit objekt material i veprës penale. Nëse etiketat dhe tapat me mbishkrime të gjetura nga kontrolli i banesës a janë apo jo ‘stampë’ në kuptimin juridik,” thuhet në vendim.
Ndërsa bën një parashtrim të gjatë nëse është e faksifikuar etiketa apo lënda që ndodhet brenda ambalazhit, Gjykata e Apelit vendos se gjithsesi procedimi ndaj Kasemit nuk mund të vazhdojë për shkak të amnistisë.
Pas vendimit të pafajësisë, Kasemi iu rikthye aktivitetit të tij fitimprurës, por me pasoja të rënda për shëndetin e banorëve. Më 8 korrik 2013, ai themeloi kompaninë e tij “Brilant” në QKR por katër vite më vonë, ai u shpall sërish në kërkim policor pasi kamerat e emisionit “Stop” e filmuan atë duke shitur dhe reklamuar prodhime false si të importuara nga Italia.
Më 19 shtator, policia kontrolloi ambientet e subjektit të tij dhe zbuloi fakte tronditëse. Në depozita karburanti totalisht të ndryshkura, Kasemi mbante vajin ushqimor, prej nga më pas e hidhte në treg. Në magazinë u gjetën gjithashtu shtatë paleta me kanaçe B52 nga të cilat 3800 të mbushura dhe 135 mijë kanaçe të pambushura.

Ushqimet, ‘çëshje e dorës së dytë’

Një prokurore e Tiranës i tha BIRN në kushtet e anonimatit se çështjet e sigurisë ushqimore trajtohet pa ndonjë rëndësi të veçantë nga gjykatat, por edhe nga vetë prokuroria. Prokurorja, e cila ka hetuar vetë disa raste të ngjashme tha se shkak i kësaj neglizhence është përfshirja e krimeve që lidhen me sigurinë ushqimore në veprat penale që falen thuajse çdo vit nga amnistia.
“Neglizhenca fillon që në caktimin e masës së sigurisë dhe deri në dënimin përfundimtar. Arsyeja se pse këto çështje neglizhohen është se çdo vit kjo kategori është amnistuar dhe falur me ligj nga parlamenti…,”-thotë prokurorja për BIRN.
Prokurorja këshillon që për këto krime, që në dukje janë të vogla por që sjellin pasoja katastrofike për shoqërinë, ministria e Drejtësisë dhe Parlamenti nuk duhet të japin amnisti në fund të vitit.
Ajo thekson gjithashtu se pas përfitimit nga amnistia, personat recidivistë dalin totalisht jashtë vëmendjes së inspektorëve të AKU-së apo të Policisë së Shtetit.
“Vëmendja e inspektorëve të AKU ndaj këtyre personave të proceduar është zero, gjithashtu dhe e Policisë së Shtetit. Këta persona nuk mbahen më në vëzhgim, pasi ndryshojnë edhe vendin e ushtrimit të aktivitetit kriminal,” shton prokurorja.
BIRN mësoi përmes dokumenteve gjyqësore se kompania “Brilant” e Xhavit Kasemit ishte kontrolluar 5 herë nga inspektorët e AKU-së, përpara se rasti të denoncohej në emisionin “Stop” dhe ishte certifikuar prej tyre.
Ndonëse në punishte u gjetën pije alkoolike false të markave “Gin”, “Jonny” apo rum, inspektorët e AKU-së së Shkodrës deklaruan se “stabilimenti kishte kushte të përshtatshme higjenike për kryerjen e veprimtarisë nga subjekti…”.
Inspektorët Edmond Fortuzi, Abdyl Bajraktari, Elvis Rraboshta, Hilmi Erkoçaj dhe Adnan Geci u arrestuan nga policia në kuadër të këtij procedimi, së bashku me disa punonjës të kompanisë “Briland”. Prej fillimit të vitit, Xhavit Kasemi nuk është arrestuar ende nga policia.
I kontaktuar në telefon nga BIRN, avokati i Kasemit, Bujar Hoti tha se klienti i tij është i pafajshëm.
“Kasemi ka një aktivitet të regjistruar në Tatime dhe QKR dhe në gjykimin tonë kjo është e mjaftueshme për të ushtruar aktivitet tregtar,” tha Hoti.
Avokati refuzoi t’i përgjigjej pyetjes nëse klienti i tij ishte pajisur me leje nga AKU, duke thënë se nuk mund të jepte detaje pa miratimin e klientit të tij.
Drejtori i sapongjitur në krye të AKU, Agim Ismaili i tha BIRN se gjatë vitit 2017 institucioni që ai drejton ka dërguar kallëzime për 6 subjekte dhe administratorët e tyre. Por ai paralajmëroi kontrolle për teologët dhe biologët, që sipas tij lëshojnë firma për çdo produkt ushqimor që prodhohet “në kushte mizerabël”.
“Institucionet duhet të marrin masa për biologët-teknologët dhe urdhërat e profesionistëve që lëshojnë. Nëse kapen apo konstatohet dokumenta që janë lëshuar vend e pa vend, këto urdhra duhet të hiqen dhe këta persona të mos ushtrojnë profesionin e tyre për një periudhë të caktuar kohe…,” tha Ismaili.
Ai shtoi gjithashtu se ligji u jep zgjidhje shumë situatave, duke ia hedhur përgjegjësinë moszbatimit të tij në të shkuarën si dhe kritikoi politikën e gjobave, që sipas tij kanë qenë në vlera qesharake.
“Në peridhën e kaluar gjobat kanë qënë të shumta, por sipërfaqësore, me vlera qesharake në aspektin e shkeljeve të konstatuara. Si të thuash si gjobat e policisë rrugore,” përfundoi ai.

Qiellgërvishtësit në Tiranë, ndërtuesit paralajmërojnë flluskën

Nga Ornela Liperi

Dy vitet e fundit, shtesa natyrore e popullsisë shqiptare ishte rreth 10.3 mijë persona, më e ulëta që nga viti 1990. Me rreth 32 mijë lindje në vit dhe 22 mijë vdekje, ky tregues është larg fillimit të tranzicionit, kur Shqipëria shtohej me 60-80 mijë persona në vit, sipas të dhënave të INSTAT.
Emigracioni masiv i viteve 1990-2000 dhe rigjallërimi i tij vitet e fundit, e kanë bërë Shqipërinë një nga vendet me erozionin më të lartë njerëzor në botë, në raport me popullsinë e saj. Sipas të dhënave të OKB-së, Shqipëria është vendi i tretë në botë për përqindjen e lartë të banorëve të saj që jetojnë jashtë vendit, me 39% të totalit.
Rënia dramatike e lindshmërisë dhe plakja graduale e popullsisë janë të tjerë faktorë të rëndësishëm që ndikojnë në këtë trend. Viti 2016 shënoi rekordin më të ulët të lindshmërisë që nga viti 1990 kur raporton të dhënat INSTAT, me 31.7 mijë lindje.
Edhe numri i martesave ka ardhur në rënie, ose është vonuar në kohë. Në Shqipëri, në vitin 2016, kishte 22.5 mijë martesa, nga rreth 25 mijë vitin e mëparshëm. Vetëm në kryeqytet, numri i martesave ishte rreth 5600, më i ulëti që nga viti 2013.
Një tjetër parashikim i zymtë afatgjatë vjen nga pritshmëria e popullsisë, i publikuar nga pyramid.net, që përpunon të dhënat e Kombeve të Bashkuara. Sipas tij, në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të zbresë në vetëm 1.75 milionë banorë, nga rreth 2.9 milionë që është sot. Pesha e popullsisë mbi 50 vjeç, nga 31.1% që ishte në vitin 2015 pritet të rritet në 52.5% në më pak se 100 vjet. Të dhënat demografike e bëjnë të zymtë perspektivën afatgjatë të Shqipërisë në drejtim të konsumit, apo tregut të pasurive të paluajtshme. Kjo nuk i ka penguar sipërmarrësit të rendin drejt ndërtimit të kullave në kryeqytet, në kuadër të planit të ri rregullues të Tiranës, duke rrezikuar krijimin e një mbioferte në tregun e pasurive të paluajtshme, si për apartamente banimi, zyra, hotele e sidomos për hapësira tregtare.
Për dy kullat e para, lejet janë dhënë tashmë. Pak ditë më parë, Këshilli i Rregullimit të Territorit ka dhënë leje zhvillimi për objektin: “Godinë Polifunksionale DTA (DoënToën Albania)”, me vendndodhje në bulevardin “Bajram Curri”, me zhvillues “DT1” sh.p.k. Godina pritet të ndërtohet atje ku janë sot lodrat “7 xhuxhat” dhe do të ketë parkim, hapësira tregtare e zyrash dhe objekte banimi.
Një tjetër leje zhvillimi u dha për objektin: “Zgjerim i kapaciteteve akomoduese e shërbimeve të Hotel Tirana International, me shtesë anësore dhe kullë me destinacion Hotel dhe qendër multifunksionale tregtare e shërbimesh”, me vendndodhje në Bashkinë e Tiranës, me zhvillues shoqërinë “Geci” sh.p.k.
Plani i ri rregullues i kryeqytetit nuk i specifikon sa dhe ku do të ngrihen kullat në Tiranë, por ato pritet të zhvillohen përgjatë viteve. Ndërtuesit thonë se në Tiranë pritet të ngrihen rreth të paktën 15 kulla. Urbanistët sqarojnë se plani synon në ndërtimin e disa kullave deri në 40 kate nga qendra përgjatë zonës së Bulevardit të Ri deri te Parku i Liqenit.
Së fundmi, qeveria ka miratuar një projektligj i cili synon negocimin e një kontrate investimi prej 250 milionë dollarësh nga një kompani private nga Dubai, e cila ka shprehur interes për ndërtimin e një kulle në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës. Investitori është “Al Habtoor Investment LLC”, kurse projekti “Kulla Ikonike e Tiranës”.
Në pak vite, Tirana do të ketë shumë hapësira të lira për t’u ofruara blerësve, në një vend që ende renditet ndër të fundit në Europë për sa u përket të ardhurave për frymë dhe i 106-i në botë, duke lënë pas vetëm Moldavinë dhe Ukrainën, sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ndërtuesit dhe zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mbeten skeptikë nëse tregu do të jetë në gjendje të absorbojë gjithë shtesën.
“Oferta e re në planifikim e sipër është shumë e lartë dhe vështirë për t’u thithur nga tregu. Duhet theksuar se Tirana aktualisht mbetet një nga tregjet ku stoku i apartamenteve të pashitura është shumë i lartë”, pohon Stela Dhami, drejtore menaxhuese e agjencisë ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme, Colliers International.
Edhe Hajredin Fratari, ndërtues, është i mendimit se Tirana nuk ka fuqi blerëse për apartamente të shtrenjta. “Ka ende pallate shumë të mira që janë gjysmë bosh”, pohon ai. Ai paralajmëron se nga fryrja e ndërtimeve, zhvilluesit e pasurive të paluajtshme mund të bien në gropë, pasi do të krijojë një superofertë.
Më pak skeptik është Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve. Ai thotë se ka kërkesë për apartamente cilësore në zona të mira në Tiranë dhe tregu mund të mbajë shtimin e ofertës nga 15 kulla mbi 30 kate. Por, ai paralajmëron se nëse mania e ndërtimit do të kthehet siç ka qenë dikur, atëherë do të ketë kolaps.
Ndërsa mund të ketë ende hapësira për zyra e apartamente, të gjithë janë dakord se për hapësira tregtare (dyqane, apo qendra) tregu është tërësisht i ezauruar. Debati është i madh dhe për ofertën shtesë të hoteleve në kryeqytet. Zak Topozi, kryetar i sektorit të hotelerisë në Shoqatës Shqiptare të Turizmit, thotë se Tirana nuk ka më vend për hotele me 3-4 yje. Një biznes i mirë pritet të jetë parkimi, për të cilin kryeqyteti ka shumë nevojë. Por, si shpjegohet kjo rendje drejt betonit?! Ndërtimi është një sektor që ka kthim relativisht të shpejtë dhe të lartë, duke bërë që kapitalet e lira preferohen të orientohen drejt këtij sektori sesa në industri përpunuese, që ka më tepër andralla dhe fitime më të ulëta. Dervishi thotë se në sektorët e tjerë, norma e fitimit është e vogël.
Niveli i pagave në vend dhe shuma mesatare e kredisë që jepet nga bankat nuk e justifikojnë blerjen e apartamenteve të shtrenjta mbi 2000 euro/m2 dhe me sipërfaqe të mëdha mbi 100 m2, por deri në 1000-1200 euro/m2 dhe sipërfaqe të moderuar. Në kahun tjetër, të ardhurat nga sektori informal dhe i kriminalizuar janë një tjetër joshje e momentit, që nën zë pranohet nga të gjithë. Por fuqia blerëse për apartamente të shtrenjta, që kushtojnë minimalisht 250 mijë euro (përveç çmimit të shtrenjtë ato janë në sipërfaqe të mëdha, minimumi 100 metra katrorë) nuk dihet për sa kohë do të vazhdojë. Kërkesa për zyra mund të plotësohet shpejt edhe nga ndërtimi i kullave ekzistuese, ndërsa për hapësira tregtare, që tani nuk ka vend.
Pikërisht kësaj i tremben edhe investitorët, por kjo gjithsesi nuk i pengon të rendin pas ndërtimeve të larta. Edhe qeverisë duket se i intereson të japë leje ndërtimi, pasi në afatin e shkurtër merr taksa dhe hapen disa vende pune. Por, në afatin e gjatë, askush nuk është në gjendje të parashikojë se çfarë do të ndodhë. Në vend që të mendohet afatgjatë, po vijon të shkohet drejt rendjes afatshkurtër, drejt fitimeve të shpejta dhe shtimit të ofertës për pasuri të paluajtshme, që nuk i sjell vlerë të shtuar ekonomisë.

Shullazi 2 orë dëshmi në Gjykatë për kërcënimet dhe gjobëvëniet

Për herë të parë që kur ka nisur gjykimi, Emiljano Shullazi ka folur në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke mohuar të gjitha akuzat në ngarkim të tij. Për afro 120 minuta i pandehuri është përgjigjur pyetjeve të Prokurorisë për kërcënimin dhe gjobëvënien ndaj biznesmenit Ylvi Beqja si dhe dy akademikëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule, duke theksuar se gjithçka ishte e pavërtetë dhe e sajuar.
Në lidhje me kërcënimin ndaj biznesmenit Beqja, Shullazi ka deklaruar se kishte kryer vetëm rolin e ndërmjetësit. “Ylvi Beqja më erdhi tek shtëpia dhe më tha se dua të më ndihmosh, ai donte që të ndërmjetësojë në palën tjetër që ishin arabë dhe Zamir Hasa”, u shpreh Shullazi. Sipas tij, kishin rënë dakord se, nëse do të merrte “Vollgën”, Shullazi do të merrte 1.4 milionë euro nga shitja. Më pas i pandehuri tha se, bëmë një kontratë tjetër që do të merrja 10% kur ta regjistronte, por ndërkohë vlera e ish-hotel “Vollgës” po binte.
Gjithashtu, Shullazi ka deklaruar se në lidhje me gjyqet e Ylvi Beqajt, i kishte dërguar edhe një sms gjyqtares së Apelit, Fatmira Hajdari. Pa treguar përmbajtjen e mesazhit, Shullazi pranoi se i kishte shkruar gjyqtares së Apelit, Fatmira Hajdari. Por ndërsa dëshmitari i drejtësisë ka treguar se ai është kërcënuar me armë para noteres Aida Spahiu gjatë firmosjes së kontratës së dytë me Shullazin, i akuzuari e përshkroi situatën miqësore. “Nuk është e vërtetë”, kundërshtoi Shullazi, “nuk e kam kërcënuar, madje pasi firmosëm, ai më puthi shtatë herë në faqe”.
Si ndërmjetësues për të zgjidhur probleme, Shullazi ishte kontaktuar edhe nga shtetasi Fatmir Sinani, i cili pas humbjeve të herëpashershme në lojërat e fatit kishte shitur garazhet. Por, ndërsa Sinani ka kërkuar ndihmën e Shullazit për rikthimin e tyre, pronari i ri Jani Zaka sipas Shullazit i kishte thënë se prona i përkiste atij. Për episodin e tretë, për kanosjen e profesorëve Dhori Kule e Mynyr Koni, Emiliano Shullazi ironizoi duke kujtuar se ai nuk është i diplomuar në fakultet e për këtë nuk i ka njohur kurrë profesorët.
Në lidhje me kërcënimet e rektorëve, Shullazi ka mohuar t’i ketë kërcënuar ata dhe ka deklaruar se, “jo vetëm që nuk i kam kërcanuar, por as nuk i njoh dhe as kam nga t’i njoh, pasi nuk kam bërë as shkollë të lartë”. Të njëjtin qëndrim i pandehuri mbajti edhe ndaj kërcënimit të Jani Zakës dhe Adriatik Kërçukut, dy persona këta për të cilët Prokuroria ka pretenduar se janë kërcënuar nga i pandehuri.
I akuzuari Emiljano Shullazi është bërë pronar i 20 për qind të hotel “Vollgës” përmes një kontrate dhurimi të firmosur nga Ylvi Beqja. Prokuroria dyshon se, kompania “Saudit Brother”, administrator i së cilës ishte Beqja, është detyruar nëpërmjet kërcënimeve dhe presionit t’i japë 20 për qind të pronës Shullazit për të përfunduar gjithë problemet e pronësisë. Kësisoj, pasi ato u zgjidhën, rezultoi se në dhjetor 2014, Beqja në cilësinë e administratorit të “Saudi Brothers” i ka dhuruar Emiljano Shullazit “në shenjë mirënjohjeje” 749 metra katrorë truall brenda sipërfaqes ku ndodhet ish-hotel “Vollga”.
Por pas kësaj kontrate dhe depozitimit të saj në Hipotekën e Durrësit, sipas biznesmenit, Shullazi dhe njerëzit e tij kanë kërkuar më shumë. Më konkretisht, ata i kanë kërkuar Ylvi Beqajt rritjen e fitimit të Shullazit në 30 për qind të pronës. Pasi sipërmarrësi nuk ka pranuar, ai është përballur me kërcënime verbale e fizike për gati dy vjet. Referuar dëshmisë së dhënë nga biznesmeni Ylvi Beqja, ai është detyruar të jepte 550 mijë euro në total, pasi nuk pranoi që të jepte 30 për qind të pronësisë së ish-hotel “Vollgës” në Durrës.

 

Tmerr, 300 milionë euro ndërtime në 2018

Qeveria parashikon që për vitin 2018 të mbledhë rreth 24 milionë euro nga taksa e infrastrukturës në Tiranë. Kjo shifër nënkupton se vlera e ndërtimeve që parashikohet të ndërtohet në Tiranë do të kapë shifrën rekord në historinë e ktyre 27 viteve prej 300 milionë eurosh. Nga vijnë këto para shtrohet pyetja? Eshtë e kuptueshme se kemi të bëjmë me skemën më të madhe të pastrimit të parave të drogës. Kjo do të ishte edhe fundi i Tiranës pasi ajo do të betonizohet në çdo cep të saj duke u kthyer përfundimisht në një qytet të pajetueshëm. Ana tjetër mjaft problematike do të jetë shkatërrimi i tregut të ndërtimit. Droga do të përmbysë të gjitha ligjet e një biznesi të ligjshëm dhe në krye të kësja skeme qëndron vetë Rama. Eshtë kreu i qeverisë që po kërkon të pastrojë paratë që ka vjelur gjatë këtyre katër viteve me ndërtimet. Duke e pasur të pamundur ti pastrojë këto para jashtë Shqipërisë, e vetmja alternativë e trafikantëve të drogës në pushtet është që ti pastrojnë me ndërtimet në Tiranë, ky kryebashkiaku i Tiranës është vetëm një lodër në duart e mafies së ndërtimit.

Të ardhurat nga droga

Sipas të dhënave zyrtare gjatë aksioneve masive antikanabis gjatë vitit 2016 janë asgjësuar 1.5 milionë rrënjë.
Nisur nga sasitë e kapura pas aksionit të vjeshtës 2016 vlerësimet janë se është asgjësuar minimalisht më pak gjysma e prodhimit. Pra rreth 2 milionë rrënjë të prodhuara që janë hedhur në treg ose janë stok ende ne magazina.
Burimet nga tregu shpjegojnë se, rendimenti minimal i bimës që ka periudhë kultivimi 6-mujore është 1 kilogram për një rrënjë me një çmim mesatar (përfshirë kostot e prodhimit, përpunimit, magazinimit, transportit) në pjesën shqiptare është mesatarisht 800-900 euro/kg), për shkak të zhvlerësimit të bimës nga superprodhimi. (Të dhënat e fundit nga përgjimet e Dosjes së Habilajve nga prokuroria italiane bënë të ditur se çmimi i shitjes së një kg hashashi në tregun italian ishte rreth 1500 euro, nga të cilat 60% ishte kosto deri sa mbërrin produkti në palën italiane, pra rreth 900 euro).
Kalkulimet, për 2 milionë rrënje, me një ardhur mesatare në anën shqiptare prej 800-900 euro/kg sugjerojnë se vlera e 2 milionë rrënjëve që i kanë shpëtuar asgjësimit është 1.2-1.35 miliardë euro.

Vlerësimi i dytë, sipas sasive të kapura

Një shifër e ngjashme vërtetohet indirekt edhe nga të dhënat e policisë.
Sipas të buletinit zyrtar të Ministrisë së Brendshme gjatë periudhës janar-tetor 2017, bashke me deklaratat prokurorisë së Leçes janë sekuestruar 100 tonë kanabis, nga të cilat 25 tonë në vendin fqinjë.
Duke llogaritur dhe sasinë e kapur në 2016-n janë në total rreth 130 ton.
Sasia e kapur është edhe më e lartë pasi në përllogaritje nuk janë përfshirë sasitë e kapura në Greqi, Gjermani dhe Maqedoni. Vlera e mbetur në ekonominë shqiptare e një kilogrami kanabis është rreth 800-900 euro pas rënies së çmimeve. Në total droga e sekuestruar këtij viti vlerësohet 900-100 milionë euro.
Praktika sugjeron se me një mesatare të përbotshme policia arrin të sekuestrojë një të dhjetën e sasisë, pra sasia e prodhuar arrin në 1300 ton. Ndaj vlera e drogës e kapur nga policia e dhjetëfishuar tregon një të ardhur të mbetur në ekonominë shqiptare me rreth 1 miliardë euro.
Një pjesë e kësaj vlerë tashmë ka hyrë në ekonomi, por sipas burimeve nga tregu stoqet janë të mëdha, pasi grupet e trafikut janë pritje të çmimeve më të larta. Në këto përllogaritje nuk janë përfshirë të ardhurat nga kokaina. Nga janari në gusht policia e shtetit në buletinet mujor të saj ka sekuestruar 17 kilogramë heroinë dhe 1.7 kilogramë kokainë, pa përfshirë kapjet e këtyre substancave narkotike ne vendet fqinjë me origjinë nga Shqipëria.

Ndërtuesit: Kullat mund të hapin një gropë që mund t’i fundosë të gjithë

Ndërtuesit, të përfshirë në ngritjen e kullave të para në kryeqytet, shpresojnë se ata do të përfitojnë nga kërkesa e lartë aktuale për të blerë apartamente, apo dhe uria për zyra. Por, nëse do të vazhdojë ndërtimi i tyre, në rreth 15, siç pritet, ata janë të frikësuar se, në afatin e gjatë, nuk do të ketë treg të mjaftueshëm për të gjithë. “Kullat mund të hapin një gropë që mund t’i fundosë të gjithë”, thotë njëri prej tyre, në kushtet e anonimatit.
Apartamentet në kullat në qendër të Tiranës janë relativisht të shtrenjta dhe ndërtuesit presin t’i shesin ato me 2500-3000 euro për metër katror, ndërsa katet e para që shërbejnë si zyra dhe dyqane me 8,000-10,000 euro për metër katror.
Por, Arben Dervishi, pohon se tregu nuk ka kapacitet të tërheqë apartamente kaq të shtrenjta në objekte të mëdha. Një apartament prej 2500 eurosh metri katror mund të shitet në zonën e televizionit, në ndërtime 5-6 kate, por jo në kulla shumëkatëshe.

Radhë kilometrike për kolaudimin e makinave, revoltohen qytetarët

Bashkë me festat e fundvitit, për shoferët vjen edhe makthi i përvitshëm i kolaudimit të makinave. Në pikën e kolaudimit të automjeteve në Fushë-Prezë, radha arriti deri në dy kilometra. “Që në orën 2:30 të natës kam ardhur këtu…”, shprehet një drejtues mjeti.
“Në 10 e 37 minuta kam qenë në radhë, edhe duan të na largojnë. I marrim në telefon, thonë s’ka prenotim. Si s’paska prenotim, thotë janë blloku. Kolaudimin e kemi sot, ku të shkojmë ne mo vlla? Kam ardhur qysh dje edhe kam pre taksat. Kam ardhur sot prapë në 4 të mëngjesit. Jemi fut në radhë atje përtej, ka ardhur policia edhe na ka nxjerrë”, shprehen qytetarët.
Ndërsa punonjësit e kompanisë jashtë kamerave e pranojnë këtë situatë, por thonë se prioritet kanë ata qytetarë që e kanë rezervuar online kolaudimin, ndërsa të tjerët do t’ju duhet të presin radhën.
Por jo të gjithë qytetarët kanë akses në internet apo janë në gjendje të përdorin kompjuterin për të rezervuar orarin e kolaudimit. Megjithatë, prej afro dy javësh, rezervimet online janë të bllokuara, ndërkohë që afati i fundit për kolaudimin e makinave është data 31 dhjetor, më pas të gjitha këto makina që presin në radhë do të të duhet të paguajnë përsëri taksën e automjetit.

Ndahet nga jeta mjeku i mirënjohur Arben Runa

Mjeku i mirënjohur i Spitalit Ushtarak, ortopedi Arben Runa ka ndërruar jetë, pasi ka luftuar prej vitesh me sëmundjen. Prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë, por dje nuk ja ka dalë dot më.
Arben Runa ishte një mjek i talentuar, një poet dhe rrëfimtar i rrallë dhe një njeri i mençur që diti ta bëjë siç donte jetën e tij. Arben Runa u diplomua për kirurg traumatolog dhe shërbeu deri në fund si kirurg pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë. Ai kishte po ashtu plot pasione për letërsinë dhe është autor i disa cikleve të arrira poetike tregimeve dhe reportazheve botuar në vitet ‘90.
Arben Runa u lind në Nivicë, Tepelenë më 31 janar 1960 si një pasardhës i denjë i familjes së madhe Runa.
Ulsi Runa është mësuesi i njohur i Nivicës, i cili ka dhënë kontributin për arsimin shqip deri në Kosovë në vitin 1945-1948.
Arbeni mbaroi arsimin e mesëm mjekësor në Vlorë dhe pas një ndërprerje disa vjeçare, për shkak të problemeve biografike, arriti të fitojë të drejtën e studimit në Fakultetin e Mjekësisë në vitin 1984. Ai mbaroi fakultetin me rezultate shumë të mira, dhe pas një periudhe stazhi si mjek në Spitialin e Tepelenës dhe zonat përreth, ai u rikthye në Tiranë për specializim, në degën e Traumatologjisë.
Prej vitit 1993, ai punoi si mjek pranë klinikës mjekësore qeveritare, detyrë që e vazhdoi deri në vitin 2005.
Në vitin 2005, ai u emërua nëndrejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor ku qëndroi deri në vitin 2007.
Më pas, ai drejtoi për tri vite një spital privat në Durrës për t’u kthyer më në fund në Spitalin Ushtarak si kirurg në vitin 2010, ku kishte dhe ëndrrën e tij.
Arbeni përveç mjekësisë, kishte një pasion të madh letërsinë dhe publicistikën. Qysh kur ka qenë student, ai ka botuar një numur ciklesh me poezi dhe tregime kryesisht në gazetat “Studenti” dhe “Zëri i Rinisë” dhe më pas herë pas here reportazhe dhe artikuj publicistikë në gazetat e pas vitit 1990 kryesisht në gazetën “Tema”.
Ai ka pasur një familje të mrekullueshme me Adën prej vitit 1992 dhe kanë dy fëmijë Bjornin dhe Fionën, të cilët po shkollohen në Kanada, falë vullnetit të tij për të sakrifikuar për arsimin e fëmijëve.

Maskat terror në Sarandë, grabiten 2 pika karburanti

Dy grabitje të njëpasnjëshme kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në qytetin e Sarandës. Dy persona të armatosur dhe me maska janë futur në zyrën ku qëndron shitësi i karburantit dhe nën kërcënimin e armëve i kanë marrë të gjithë xhiron ditore. Më pas, maskat kanë shkuar në një pikë tjetër karburanti, duke marrë edhe këtu lekët e xhiros. Pasi kanë marrë lekët, maskat janë larguar me shpejtësi.
Dy punonjësit e pikave të karburanteve kanë njoftuar menjëherë policinë. Policia tha se njoftimi ka ardhur nga punonjës të karburanteve se në lagjen ‘Nr.1. të qytetit të Sarandës u janë grabitur lekët e xhiros nga persona të maskuar dhe me armë.
Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin, kur dy grabitës me kapuç në kokë rreth orës 06:49 minuta vijnë tek pika e karburantit jo nga rruga, por nga skarpata aty pranë dhe hyjnë tek vendi ku qëndron punonjësi i karburantit dhe paratë që i merr nga shitja e naftës dhe benzinës.
Teksa njëri e kërcënon me armë tip pistoletë, tjetri i afrohet rojes me një thikë dhe nën kërcënimin e tyre e neutralizojnë atë. Duke e mbajtur të mbështetur pas muri, grabitësit zhvillojnë kontrolle të shpejta të sirtarëve, por edhe në xhepin e punëtorit me uniformë.
Teksa zhvillojnë kontrolle, dukshëm të nervozuar, grabitësit godasin me shkelma sirtarët dhe më pas njëri prej tyre, merr një telefon dhe largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Pas aksionit, ata rikthehen nga e njëjta rrugë nga erdhën për t’u larguar. Kur erdhën forcat e rendit, grabitësit u zhdukën. Policia pyeti punëtorin e karburantit.
Policia tha se, grabitja ndodhi në lagjen Nr.1 të qytetit, duke grabitur 16.000 lekë të reja në total.
Policia ka ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. “Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë pranë vendit të ngjarjes në lagjen ”Nr.1”, dhe kanë marrë kontakt me shtetasin K.S., 58 vjeç, dhe R.S., të dy punonjës në dy pika të ndryshme karburanti, ku nga verifikimet ka rezultuar se rreth orës 06:00 dhe 06:30, pranë dy pikave të karburantit kanë shkuar dy shtetas ende të paidentifikuar të pajisur me maska e nën kërcënimin e armës së zjarrit u kanë vjedhur shumën e lekëve të xhiros ditore prej 16 000 lekë të reja në total. Policia ka ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë së Sarandës.
Pas ngjarjes së Sarandës ku grabitësit arritën të marrin xhiron ditore të dy karburanteve një tjetër ngjarje e ngjashme raportohet në Divjakë. Policia e Fierit thotë se i ka arrestuar tre autorët. Tre të rinj kanë grabitur mbrëmjen e shkuar shtëpinë e një 62-vjeçari në Divjakë. Ata ishin maskuar me paruke dhe kapuç dhe ishin armatosur me një thikë.
Policia e Fierit njoftoi se të arrestuarit janë: Olsi Janko, 29 vjeç; Serxhio Duda, 19 vjeç dhe Regist Vodo, 19 vjeç, të tre banues në Divjakë. Atyre iu sekuestruan 5 ora të vjedhura, 4 celularë, një palë paruke, një kapuç, dhe një thikë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë.
Gjatë ditëve të fundit janë shtuar grabitjet nga maskat në të gjithë vendin. Para pak ditësh maskat ushtruan terror në Shkodër dhe Mat, duke grabitur nën kërcënimin e armëve 5 mijë euro dhe një makinë. Katër persona të maskuar sulmuan me armë banesën e familjes Selimi në fshatin Dobraç të Shkodrës, duke marrë një shumë prej rreth 5 mijë eurosh, ndërsa personat që ndodheshin në banesë kanë mbetur të terrorizuar nga grabitësit.
Familjarët bënë të ditur se, grabitësit hynë në oborr të maskuar dhe të armatosur. Fillimisht, ata nën kërcënimin e armëve shtrinë në tokë bashkëshorten e Anton Selimit. E goditën me qytë automatiku pas koke. Më pas u futën në shtëpi dhe terrorizuan gjithë familjen, duke kërkuar ku janë fshehur paratë. Pasi morën 5 mijë euro u larguan me shpejtësi me një makinë tip “Alfa Romeo” ngjyrë gri, e cila qëndronte ndezur në rrugicë.

 

Babai i Florencit: Kërkoj drejtësi, djali kishte shenja dhune në trup

Me lot në sy, i ati i Florenc Beqiraj kërkon zbardhjen e së vërtetës për vdekjen e të birit. Teksa solli trupin e pajetë të tij nga Franca, Gëzim Beqiraj thotë se kërkon drejtësi, pasi nuk ka dhënë leje dhe as u pyet nga mjekët për heqjen e tubave. Sipas tij, i biri ka pasur shenja në trup, por shton se sapo filloi të akuzojë, spitali zhduki gjurmët në trupin e Florencit. “Ishalla e do drejtësia djalin tem. Meqë më iku nga kjo jetë, të paktën të dalë drejtësia që të flejë i qetë. Nuk kam firmos. Nuk më ka shku mendja me myt djalin tem me dorën teme. Ku ka prind që mbyt fëmijën e vet. Kërkoj vetëm drejtësi dhe vetëm drejtësi”, u shpreh ai.
Mes dhimbjes për humbjen e djalit të vetëm, ai nuk ka harruar të falenderojë edhe Presidentin Meta, i cili i mundësoi sjelljen e trupit të të birit dhe prehjen e tij në Shkodër.
Trupi i Florenc Beqirajt, 23-vjeçari që vdiq në rrethana misterioze në Francë, do të prehet në vendlindje. Nga Rinasi, i shoqëruar prej familjarëve ai u dërgua në banesën e tij në Shkodër. Trupi i pajetë i të riut, i cili doli nga morgu i Marsejës të mërkurën dhe u mbulua me flamurin kuq e zi, mbahej nga babai, i cili qëndroi disa ditë pranë të birit në spital në Francë. Me të mbërritur në Shkodër, Gëzim Beqiraj deklaroi se nuk kishte firmosur për të birin, të cilin ia kishin dhunuar.
Beqiraj 23 vjeç prej tre vitesh ndodhej në Francë dhe ishte në procedura për azil. Ai kishte filluar punë si kamerier në një lokal në Marsejë. U ndalua nga policia franceze për shkak të mungesës së mjetit të indentifikimit. Për tre javë me radhë u mbajt në Polici dhe me 16 dhjetor, ajo e dorëzoi të vdekur në spital. Gëzim Beqiraj, babai i Florenc Beqirajt, ka angazhuar një avokat francez me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së djalit të tij. 23-vjeçari do të varroset ditën e premte pranë varrezave të qytetit të Shkodrës.
Ndërkohë, familja Beqiraj kishte hapur dyert e mortit prej ditës që mësoi vdekjen e të birit. Shpenzimet u morën përsipër nga qeveria shqiptare. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, gjatë vizitës në familjen Beqiraj tha më herët se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet franceze për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes. Vdekja e mistershme e Florenc Beqirajt shkaktoi reagime të forta dhe protesta.
Babai i Florenc Beqiraj ka angazhuar një avokat francez me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së djalit të tij, Florenc Beqiraj. 23-vjeçari do varroset ditën e premte pranë varrezave të qytetit të Shkodrës.

 

Arrestohet i kërkuari për drogën që u gjet në magazinën e Artur Zotajt

Është arrestuar dje pas 3 muajsh njëri prej personave të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Provonik” ku ndër të arrestuarit ishte i vëllai i kryebashkiakut të Poliçanit, Adriatik Zotkaj. Policia e Beratit informon se në pranga ka rënë Emiljano Hysenbelli, i cili konsiderohet dhe si poseduesi i 19.3 kg lënde narkotike e dyshuar Canabis Sativa.
“Emiliano Hysenbelli, 24 vjeç, banues në Pronovik, Poliçan, i dënuar më parë ishte shpallur në kërkim në datë 22.09.2015, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat me Vendim Nr. 25 ka dhënë për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest me burg”, pasi dyshohet se është poseduesi i 19.3 kg lënde narkotike e dyshuar Canabis Sativa. Lënda narkotike është gjetur në datë 17.09.2017 në magazinat e shtetasit A.Z, në qytetin e Poliçanit”, informoi sot Policia e Beratit.
Zotkaj atëherë mohoi para Gjykatës që të kishte pasur dijeni për drogën. Së bashku me Artur Zotkajn u ndaluan edhe Kreshnik Hysenebelli, 24 vjeç, banues në Poliçan, Abedin Nurellari, 38 vjeç, banues në Poliçan, Destared Allko, 23 vjeç, banues në Skrapar. Aktualisht hetimet vazhdojnë, ndërsa Zotkaj po hetohet në gjendje arresti shtëpie.

Dhuna mbush burgjet, shifra alarmante

Dhuna në familje vazhdon të shënojë shifrat më të larta të veprave penale që regjistrohen në rrethin e Tiranës. Këtë fakt e konfirmojnë statistikat zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë të kryeqytetit. Sipas këtyre të dhënave, gjatë këtij viti në këtë gjykatë janë regjistruar plot 414 çështje penale me objekt gjykimi dhunën në familje.
Ky fenomen shënon edhe numrin më të madh të çështjeve të gjykuara në Gjykatën e Tiranës. Edhe vitin e kaluar dhuna në familje kryesonte me numrin më të lartë të çështjeve të gjykuara, me 501 të tilla.
Me këto shifra dhuna në familje ka tejkaluar edhe numrin e çështjeve që i përkasin vjedhjeve, të cilat për vite me radhë shënonin numrin më të lartë të çështjeve të gjykuara në Gjykatë. Përveç dhunës në familje, veprat e tjera penale që kanë shënuar numër të lartë çështjesh janë vjedhjet me 365 çështje të ndjekura nga mashtrimet në sigurime dhe prodhimi i narkotikëve.
Ndërkohë, nga kundërvajtjet penale që janë gjykuar në Gjykatën e Tiranës, numrin më të madh e zënë ato për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt me 950 çështje të regjistruara. Këto të dhëna tregojnë se masat shtrënguese veçanërisht për dy fenomenet më shqetësuese që është dhuna në familje dhe drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, përveç dënimit të personave përgjegjës nuk kanë sjellë ulje të rasteve.