31.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

Vlorë, adoleshenti i fut thikën 23-vjeçarit

Një sherr që ka nisur me fjalë në lokal ka përfunduar në përdorimin e thikës në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë. Policia tha se është arrestuar për ngjarjen, 17-vjeçari me iniciale S.S, i cili ka plagosur me thikë një 23-vjeçar. “Ky shtetas ka debatuar dhe është konfrontuar për motive të dobëta me shtetasin D.Sh., 23 vjeç, e ka goditur këtë të fundit tre herë me thikë, duke e lënë të plagosur. Shtetasi D.Sh., ka marrë mjekimin e nevojshëm në Spitalin Rajonal Vlorë, dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, bëri të ditur policia, por pa dhënë detaje për motivin e sherrit mes të rinjve.

Si u zbulua dhe arrestua grabitësi shqiptar në Itali

x-default

Një shqiptar u arratis nga arresti shtëpiak në banesën e së motrës në Salsomaggiore Terme, ndërsa vazhdonte të postonte në Facebook foto me selfie nga vende të ndryshme. Ikja nga arresti shtëpiak ndodhi më 27 shtator. Nëpërmjet vëzhgimit të fotografive të hedhura në rrjet, duke njohur edhe të dashurën e njërit prej personave në foto, u arrit të gjendej banesa ku jetonte shqiptari në qendrën historike në Parma.
46-vjeçari shqiptar Mirgen Dedgjonaj u arrestuar nga policia në Parma në bashkëpunim me kolegët e tyre në Forlì, ku përveç tij përfunduan në pranga edhe dy shqiptarë të tjerë, përkatësisht Elis Hoxha dhe Ndue Zefi, 21 dhe 22 vjeç, nën akuzën e vjedhjeve të vogla dhe krimet që lidhet me emigracionin.
Hetimet kanë zbuluar se ata qëndrojnë pas një grabitje të kryer më 10 tetor 2017 në një apartament në Forlì. Nga hetimet është zbuluar se në grabitje është përfshirë edhe 46-vjeçari, i cili ligjërisht duhet të ishte nën arrest shtëpiak.
Policia e Parmas kanë konstatuar kështu se njeriu kishte ikur nga shtëpia e motrës së tij që në 27 shtator.
Por, më 24 nëntor, Gjykata e Milanos ka lëshuar një urdhër-arresti ndaj tij, duke i dhënë një dënim të formës së prerë prej 6 vite e 9 muaj burg për disa krime të kryera në këtë provincë në vitin 2014.
46-vjeçari u arrestua si për urdhrin e arrestimit nga Milano dhe për masën paraprake të lëshuar nga Gjykata e Riminit për largim nga arresti shtëpiak. Nga vjedhjet e fundit të grupit, janë zbuluar 15 orë të shtrenjta, bizhuteri, veshje, dhe sende të tjera me vlerë disa mijëra euro. Të tre janë tani në burg në Parma.

KLSH padit në Prokurori ish-drejtorin e ALUIZNI-t në Shkodër

Ish-kreu i Agjencisë së Legalizimeve në Shkodër dhe 3 ish-përgjegjës të kësaj drejtorie janë kallëzuar penalisht në Prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për konsumimin e veprës penale shpërdorim detyre.
Në bazë të një auditi që KLSH ka ushtruar në këtë drejtori, rezulton se janë kryer legalizime të jashtëligjshme për objekte me sipërfaqe prej 15 mijë e 600 metër katrorë, të cilat ndodhen në brigjet e liqenit të Shkodrës dhe lumit Buna, zona të mbrojtura ku nuk lejohet legalizimi. Po ashtu janë kualifikuar për të marrë leje 993 objekte të tjera që janë ndërtuar në zona historike dhe arkeologjike.
Kontrolli ka gjetur se për mbi 1900 raste janë kryer procedurat e dhënies së lejeve të legalizimit, por ato nuk kanë shkuar në dorën e qytetarit, por janë mbajtur në zyrat e drejtuesit të institucionit. Po ashtu është evidentuar se buxhetit të shteti i është shkaktuar dëm në masën e 1.8 milionë dollarëve, pasi nuk është përcaktuar çmimi i pagesave për lejet sipas termave të referencës të përcaktuara aktet ligjore.
KLSH i ka kërkuar drejtorit të përgjithshëm të ALUIZNI-t që të marrë masa disiplinore edhe për 13 punonjës të tjerë që akutalisht punojnë në strukturat e kësaj agjencie në Shkodër.
Po ashtu, një ditë më parë Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar anulimin e ofertës fituese të bërë nga Pelikani sh.p.k për zhvillimin e zonës ekonomike Spitallë. Në argumentin e tij KLSH vlerëson se oferta e skualifikuar e kompanisë Edil Al-IT siguronte një përfitim më të lartë ekonomik, por edhe punësim më të madh. Auditimi i posaçëm mbi këtë procedurë të zhvilluar nga ish-Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka ngarkuar me përgjegjësi anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Tabaku: Në një vit ARMO nuk ka paguar 30 milionë euro taksa

Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, reagoi për naftëtarët që protestojnë për mosmarrjen e pagës, duke sjellë fakte se gjendja e tyre është pasojë direkte e korrupsionit të kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Jorida Tabaku theksoi se: “Qeveria mashtroi naftëtarët dhe shqiptarët, kur tha se ARMO-n do ta blejnë amerikanet. ARMO zotërohet nga një kompani offshore, pas të cilës fshihet miku i Edi Ramës, Besnik Sulaj. Brenda 1 viti kompania offshore nuk ka paguar rreth 30 milionë euro taksa. PD denoncoi një vit më parë skemën korruptive dhe parashikoi situatën e sotme, si pasojë e vjedhjes së pasurisë kombëtare nga qeveria e Edi Ramës”. “Kush po vjedh Shqipërinë dhe punëtorët e rafinerisë? Në ditët e fundit të vitit është shumë e trishtueshme të shohësh se si një qeveri që punon për klientelën e saj të bëj kurban mbi 1000 familje vetëm për t’i dhënë mundësi një biznesmeni të lidhur ngushte me qeverinë. Punonjësit që sot u takuan me ministrin Gjiknuri janë të njëjtët që një vit më parë iu premtua e ardhmja e ndritur sepse kompaninë ARMO e kish blerë miku dhe klienti i kryeministrit Rama, i famshmi Besnik Sulaj. Paturpësisht, siç edhe zakoni ia do, kryeministri dhe ministri gënjyen punonjësit e rafinerisë duke i premtuar një kompani amerikane. Por e vërteta ishte se pas kompanisë që morri me qera ARMO-n ishte një kompani offshore që lidhej ngushtësisht me mikun e afërt të kryeministrit. Kompania IRTC sh.a (Ionian Refining & Trading Company) qëaktualisht zotëron aksionet dhe që nuk ka paguar naftëtarët ështëgjithashtu edhe një prej kompanive që brenda 11 muajve (nëntor 2016-shtator 2017) ka krijuar një borxh tek tatimet prej 3.7 mld lekësh. Ky detyrim nëse i shtohet dhe vlerës prej 9.5 mld lekësh të ARMOS jep totalin e 13.2 mld lekësh detyrime të prapambetura të cilat kompania i detyrohet buxhetit të shtetit. Vitin e shkuar, në emër të opozitës e kam denoncuar skemën korruptive dhe klienteliste që kryeministri përdori për t’i dhuruar klientit të preferuar një pasuri kombëtare. Fatkeqësisht ajo çfarë parathamë si opozitë u materializua këto ditë. Paralajmëruam vjedhjen dhe mospagimin e rrogave, paralajmëruam mospagimin e taksave dhe përdorimin e kompanisë offshore që këto taksa mos të paguhen. Ja ku jemi sot! Në atë periudhë mazhoranca vazhdoi orkestrimin e sulmeve pa iu përgjigjur asnjë akuze të ngritur nga opozita ndërsa sot për fatin e keq qeveria jo vetëm ka lënë në mëshirë të fatit gjoja investimin amerikan, por u ka falur detyrimet tatimore kompanisë offshore. Ndërkohë që punonjësve që nuk kanë marrë rrogë ministri i sorollat me premtime boshe dhe pa zgjidhje reale. Fatkeqësisht, punonjësit që sot janë edhe dhunuar nga policia janë viktimat që qeveria e korrupsionit dhe oligarkisë rilindase përdor për t’i dhuruar pasuri kombëtare miqve të kryeministrit nëpërmjet skemave offshore. Shqiptarët ndërkohë vazhdojne pagesën e taksave te rritura, bizneset e vogla mbyllin qepenat që kompanitë offshore te lidhura me qeverine te mos paguajnë, pasi është shumë e kuptueshme që 30 milionë euro që IRTC nuk ka paguar taksa për një vit do ta paguajnë shqiptarët përmes taksave të rritura. Të vetmit që përfitojnë nga e gjithë kjo situatë janë kryeministri Rama dhe bizneset prane tij. Janë ata që përfitojnë ndërkohë që qindra familje vazhdojnë të marshojnë për të drejtat e tyre përballë një qeverie të zhytur në luksin dhe makutërinë që korrupsioni dhe oligarkia prodhon!”

Halimi: Reagimi i fortë kundër zhbërjes së shtetit, e vetmja rrugë

Deputeti demokrat, Eduard Halimi deklaron se dorëzimi i kryeprokurorit tek kryeministri, si akti i parë i Reformës në Drejtësi është degradim i shtetit të së drejtës. Përmes një statusi në profilin e tij, në rrjetin social Facebook, Halimi thekson se e vetmja rrugë për t’i dhënë fund zhbërjes së shtett të së drejtë është një reagim i fortë brenda dhe jashtë Parlamentit.
“Caktimi i Prokurorit të Përgjithshëm nga Kryeministri dhe nga Partia Socialiste në pushtet, në mënyrë antikushtetuese me kundërshti të forta të opozitës është një ditë e keqe për shtetin ligjor dhe demokracinë.
Kjo nuk është një çështje mes opozitës dhe qeverisë: është çështje e gjithë shqiptarëve.
Kur kryeministri cakton i vetëm Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës, ai ka mundësi të ndërhyjë në hetime.
Dorëzimi i Prokurorisë tek Kryeministri është degradim i Reformës në Drejtësi që u votua me 140 vota. Se si e degradon drejtësinë Kryeministri mjafton të shohësh si shembull degradimin që i bëri Parlamentit dhe politikës me futjen e personave me rekorde të tmershme kriminale. Shembull për këtë është degradimi që i bëri policisë, duke e vënë në shërbim të klaneve të drogës. Shembull për këtë është shdërrimi i Shqipërisë në Kolumbi të Europës. Shembull për këtë është si u arrestua komisar Zagani dhe u ndihmua familja kriminale Habilaj të trafikonte drogë, duke i fikur radarët.
Shembull është degradimi që i bëri sistemit politik në proçesin zgjedhor me kontratën me krimin si instrument për të blerë zgjedhjet e mbajtur pushtetin.
Ndaj dorëzimi i kryeprokurorit tek kryeministri si akti i parë i Reformës në Drejtësi është degradim i shtetit të së drejtës, dhe jo çështje e 140 deputetëve.
Rruga e vetme pas asaj që ndodhi në Parlament është reagimi më i fortë.
Më i forti që opozita ka ndërmarrë në këto 5 vjet. E vetmja rrugë”, deklaron Halimi.

LSI: Koordinim të fortë me qytetarët për protestat

Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se do të zhvillojë një koordinim të fortë me Partinë Demokratike dhe me qytetarë për protestat që do të nisin në muajin janar kundër rënies së shtetit të së drejtës, kundër krimit dhe trafikut të drogës në pushtet. Kreu i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili në një konferencë për mediat tha dje se, emërimi i kryeprokurorit të përgjithshëm ishte një rrëmbim që Rama i bëri institucionit të organit të akuzës.
“Aksioni ynë është në vazhdimësi, nuk fillon në janar. Vijon të jetë një aksion në rritje. Edhe më parë, ne kemi pasur takime të mëdha, konventat tona, ku mijëra njerëz kanë ndarë bashkë me ne këtë udhëkryq, ku ndodhet vendi. Ka pasur një reagim shumë të fortë lidhur me dhunimin dhe daljen e shtetit nga shinat kushtetuese, siç qe në rastin e rrëmbimit të Prokurorit të Përgjithshëm. Kemi një kryeprokuror të rrëmbyer nga 69 deputetë të mazhorancës, si kurrë më parë në historinë e zgjedhjes së kryeprokurorëve në Shqipëri. Për fat të keq u zgjodh në këtë mënyrë pikërisht gjatë Reformës në Drejtësi. Pikërisht për këtë arsye, ky aksion do të vijojë. Do të ketë kombinimin e arsyeshëm me të gjithë faktorët opozitarë, ku PD është faktori nga më kryesorët. Jo vetëm kaq, por edhe koordinimi me të gjithë qytetarët do të jetë i tillë, pasi në një reagim masiv, në një protestë masive, çdo qytetar që nuk i respektohen të drejtat, siç qe rasti i naftëtarëve apo dhunohet nga organet tatimore në mënyrën me çnjerëzore, selektive, dhe nga më diskriminueset për t’i shkatërruar, çdo qytetar që nuk i fiton dot të drejtat e tij në zyrat e shtetit, apo largohet nga puna për shkak të preferencave politike, edhe të supozuara në shumë raste, për të gjithë këta qytetarë që secili ka ç’të zgjidhë në sheshin e protestës, sigurisht që ka dhe do të ketë një qëndrim të koordinuar me të gjithë faktorët opozitarë”, u shpreh Vasili. I pyetur në lidhje me zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm dhe vijimit të Reformës në Drejtësi, Vasili tha: “Kemi pasur njëkohësisht dhe një vullnet të fortë për të mos lejuar që kjo Reformë në Drejtësi të mos deformohet në atë mënyrë të shëmtuar, siç ndodhi me Kryeprokuroren e Përgjithshme të vendit, pasi ky ishte një akt, i cili hodhi një baltë shumë të madhe mbi procesin e Reformës në Drejtësi. E filloi me këmbën më të gabuar këtë reformë dhe dha një anti-mesazh për zbatimin e drejtë të kësaj reforme. Pra kemi qenë dhe jemi për të zbatuar Reformën në Drejtësi në çdo pikë, në çdo germë, por nuk jemi për të deformuar Reformën në Drejtësi siç ndodhi me Kryeprokuroren. Në rast se do të ketë tendenca për ta deformuar, për ta futur në hullitë e paligjshmërisë, në hullitë e interpretimit antiligjor, siç u fut në rastin konkret, qofshin duke përdorur mekanizma vendas, apo të huaj, sigurisht nuk do të jemi dakord. Kurdoherë që do të zbatohet Reforma, të cilën e kemi miratuar me 140 vota, patjetër që do të jemi pjesë aktive e zbatimit të Reformës në Drejtësi. Gjithashtu dhe një çështje tjetër me interes, pasi kemi parë edhe këto çështjet e fundit, që kemi ndjekur, ku Shqipëria ka pasur një sjellje në mënyrë të veçantë në politikën e jashtme, besoj nga më aventuresket që kemi parë, pasi jo thjesht dhe vetëm kemi votuar kundra Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë fare të qartë dhe kjo nuk ka vend për asnjë lloj leximi, për asnjë lloj përkthimi dhe asnjë lloj interpretimi, pasi, siç e dini, qoftë Presidenti Trump, qoftë ambasadorja amerikane në OKB u shprehën shumë qartë lidhur me pozicionin amerikan për këtë votë. Në fund të fundit, të gjithë duhet ta dinë dhe LSI konfirmon raporti me SHBA as nuk ka për të qenë pronë e asnjë kryeministri, cilido qoftë ai, kryeministri i radhës ngado që vijnë e ngado që shkojnë, dhe i asnjë ministri, qoftë ky i ekzaltuar nga e shkuara komuniste që kemi lënë pas, apo në delirin e ditëve të sotme, por ka për të qenë gjithmonë një marrëdhënie e Shqipërisë dhe e popullit shqiptar me SHBA, e cila është marrëdhënie qindravjeçare dhe ka shënjuar integritetin jo vetëm territorial të Shqipërisë, por ka shënjuar dhe integritetin politik të saj dhe vendosjen në krahun më pozitiv të politikës botërore, dhe njëkohësisht në shumë raste SHBA ka qenë pasaporta e besimit të Shqipërisë në praninë e saj në shumë institucione ndërkombëtare, duke filluar nga NATO, por edhe në rrugëtimin e saj drejt Evropës dhe integrimit evropian.

Energjia, ERE miraton rritjen e tarifës për OST në 0.75 lekë/kwh

Enti Rregullator i Energjisë ka miratuar këtë të enjte rritjen e tarifës së të transmetimit të energjisë që do të aplikohet nga ana e Operatorit të Sistemit të Transmetimit gjatë vitit 2018. Sot OST transmeton çdo kilovat/orë energji në rrjetin e saj me një tarifë 0.65 lekë, ndërkohë që nga 1 janari 2018 kjo tarifë do të jetë 0.75 lekë. ERE ka analizuar të gjithë skenarët e mundshëm që ishin parashtruar nga ana e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe që lidheshin me kosto potenciale gjatë vitit 2018 konkretisht humbjet dhe shërbimet ndihmëse që do të blihen në tregun e parregulluar dhe do të rezultojnë në rritje të kostos si dhe situatë me borxhin e investimet. ERE la të hapur opsionin e rishikimit të tarifës në një moment të dytë, pas një analize më të detajuar të gjithë treguesve dhe parametrave që do të kërkohen tek OST si dhe të lidhura ngushtë me planin e investimeve që sipas entit nuk është dorëzuar. Lidhur me këtë vendim për rritje të tarifës së transmetimit, e cila do ta ngarkojë automatikisht Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, burime pranë kësaj të fundit bënë me dije se nuk do të kërkohet rritje për konsumatorin final. Pra, familjarët do të mbeten të mbrojtur nga rritja e çmimit të energjisë. “Me shumë gjasa barra do të bjerë tek investimet, të cilat do të duhet t’i rishikojmë për të përballuar aktivitetin normal të kompanisë”, thanë të njëjtat burime. Sipas aplikimit depozituar në ERE ishin të paktën katër variante për tarifën që duhet të ketë OST për transmetimin për të siguruar aktivitetin e saj normal gjatë vitit 2018. Versioni 1-Ky version parashikonte përmbushjen e të gjitha detyrimeve të OST sha përgjatë vitit 2018, duke përfshirë pagesën e detyrimeve për kredi, të cilat aktualisht janë në detyrim të OSHEE sha paguajë referuar vendimeve të ERE nr. 52, datë 6.4.2017, dhe nr.190, datë 22.12.2016 të cilat përcaktojnë se: OSHEE sha përveç shlyerjes së detyrimeve korrente, të kryejë dhe pagesat ndaj KESH sha dhe OST sha nga detyrimet e prapambetura për qëllime të pagesave të kredive nga OST sha dhe nga KESH sha; Për vitin 2018, OST sha duhet të paguajë rreth 4,077 milionë lekë në bazë të marrëveshjeve për ripagimin e kredive me Ministrinë e Financave dhe KESH sha. Vetëm shtesa e detyrimit për të paguar kreditë nga ana e OST sha, do të bënte që tarifa të rritej me 0.47 lekë/kwh= 4.077 milionë lekë/7,231Gwh, më shumë se tarifa aktuale prej 0.65 lekësh. Në këtë version tarifa rezultonte 1.52 lekë/kwh. Version 2-Sipas versionit 2 OST sha vazhdonte të mos paguante kreditë, por ndryshimi në krahasim me situatën aktuale është blerja në treg të shërbimeve ndihmëse me një vlerë prej 1,233 milionë lekësh në vit, ndërkohë që vlera në të cilën aktualisht po i siguron ato është 140 milionë lekë dhe blerja në tregun e energjisë për mbulimin e humbjeve me një vlerë prej 1,165 milionë lekësh nga rreth 250 milionë lekë aktualisht. Në këtë version tarifa rezultonte 0.96 lekë/kwh.

Aferat nuk ndalen, 5 rrugë me koncesion

Teksa Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës ka shpallur fituese kompaninë Gjoka Konstruksion për ndërtimin e rrugës së “Arbrit”, të paktën 6 oferta janë paraqitur në Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës për të ndërtuar nëpërmjet koncesionit PPP. Burimet nga Ministria e Transportit bëjnë me dije se kompania Salillari ka dorëzuar një projekt-propozim për ndërtimin e autostradës, Thumanë-Vorë–Rrogozhinë, i pagëzuar si boshti i qendrës. Vlera e projektit llogaritet në 75 miliardë lekë nga të cilat, 34 miliardë lekë kushton aksi Thumanë-Vorë dhe 41 miliardë lekë të tjera Vorë-Rrogozhinë. Projekti i kompanisë Salillari nuk kërkon financim nga buxheti i shtetit, por nëpërmjet përvetësimit të pagesës pas përfundimit. Boshti qendrës, edhe në studimet e mëparshme, është konsideruar me fizibilitet të lartë në krahasim me akset e tjera, për shkak të densitetit të lëvizjes që e justifikon pagesën. Aksi Thumanë-Rrogozhinë është gjithashtu pjesë e Korridorit Blu, me gjatësi 64 kilometra. Ky segment paraqet rëndësi të veçantë, pasi mënjanon trafikun Jug-Veri në Qendrat kryesore, Tiranë-Durrës, duke kaluar në mes të Tiranës dhe Durrësit nga Thumana e Fushë-Krujës në Rrogozhinë, duke shmangur ndjeshëm trafikun dhe duke zvogëluar distancën. Korridori Blu është i vetmi seksion rrugor, i cili ka marrë financime nga nisma e Berlinit, që para dy vitesh kualifikoi për financime akset rrugore në vendet e rajonit që janë pjesë e procesit të integrimit. Rreth 10 vite më parë, kompani austriake i kanë sjellë propozime konkrete qeverisë shqiptare, të cilat nuk u finalizuan, pasi atëherë nuk ekzistonte as baza ligjore për të bërë investime me Partneritet Publik-Privat.

5 ofertat e tjera nga ndërtuesit për rrugët

Janë të paktën edhe pesë kompani të tjera të ndërtimit të rrugëve që kanë bërë oferta për paketën “One Billion”. Burimet nga Shoqata e Ndërtuesve pohuan se kompania Cobial ka shprehur interes për segmentin Kardhiq-Delvinë, ndërtimi i së cilës është braktisur prej vitesh. Vlera që parashikohet të financohet nga buxheti i shtetit pritet të jetë mbi 9 miliardë lekë. Kjo rrugë do ta shmangte Gjirokastrën dhe Qafën e Muzinës, duke bërë që distanca Tiranë-Sarandë të përshkohej normalisht për 3-3.5 orë, duke e shkurtuar atë me 50 km. Përpjekjet për ndërtimin e këtij aksi kanë nisur që në vitin 2003, në kohën e qeverisë Nano. Gjatësia e saj është 28 km, një pjesë e së cilës është e ndërtuar. Pjesa më e vështirë është ndërtimi i një tuneli 1 km të gjatë. Kompania Albstar gjithashtu ka dorëzuar një ofertë të pakërkuar për segmentin Vorë-Pezë-Plazhi i Gjeneralit. Gjithashtu mësohet se kompania Gjikuria ka bërë ofertë për By Pass-in e Vlorës, me një rrugë që vijon nga Tragjasi me tunel në Llogara dhe dublim deri në Himarë. Kompania ANK ka ofertuar për një propozim të pakërkuar me PPP për By Pass-in e Lezhës. Victoria Invest, në bashkëpunim me një kompani kineze, ka bërë ofertë për Autostradën Blu, duke marrë përsipër edhe studimet e fizibilitetit.

Monitor

Taksat, infrastruktura dhe energjia pengojnë rritjen ekonomike

 

Instituti britanik për kërkime ekonomike dhe biznesin, që është më i madhi në Britani dhe ndër më prestigjiozët në nivel global, në raportin që mban titullin “Liga ekonomike botërore 2018”, i siguruar nga SCAN, veçse jep projeksione deri në vitin 2032 për ekonominë shqiptare, analizon edhe situatën e ekonomisë së vendit aktualisht, si dhe evidenton problemet kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare. Një ndër rreziqet kryesore që evidenton raporti, është ai i rrezikut të ngadalësimit të investimeve të huaja, pasi të përfundojnë këto që janë aktualisht, pra TAP dhe Devolli. Ky rrezik është nënvizuar thuajse nga të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare. Duke qenë se këto dy projekte madhore kanë qenë ndër nxitësit kryesorë të rritjes ekonomike pranë niveleve aktuale, ngadalësimi i parave që injektojnë në sistem projekte të tilla, rrezikon të minojë normat e rritjes. Nga ana tjetër, barrierat rregullatore, sistemi inefikas i taksimit, si dhe aksesi i limituar në shërbimet financiare kanë parandaluar rritjen e sektorit privat në Shqipëri, thuhet më tej mes rreshtave në këtë raport. Qeveria, thuhet më tej, po ndërmerr hapa për të përmirësuar klimën e biznesit, nëpërmjet reformave të taksave dhe ligjeve, që do të promovojnë një rritje më të shpejtë. “Ndër të tjera, ka një hendek mjaft të madh në infrastrukturë, që është edhe ajo që pengon rritjen e prodhimit”, thotë instituti britanik për kërkime ekonomike. Vijimi i reformës në energji shihet si një ndër prioritetet kyçe, pasi “arritja e stabilitetit në sektorin energjetik është parësore në rritjen e qëndrueshme ekonomike në afatmesëm”, mbyllet kapitulli dedikuar Shqipërisë, ekonomisë së 125-të në botë, ndër 192.

Basha: Bashkimi i shqiptarëve për largimin e bandës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha në Lezhë se vendi ndodhet në një udhëkryq vendimtar, ku shumica absolute e shqiptarëve të ndershëm po varfërohet dhe po humbet të drejtat nga sundimi i një pakice të kriminalizuar dhe të korruptuar. Basha u shpreh se, Shqipëria sot nuk ka një qeveri dhe kryeministër, por ka një bandë dhe kapobandë, që e ka kthyer vendin në zonë të lirë për krimin dhe po kap drejtësinë për të mos dhënë llogari para saj. Akti antikushtetues i kapjes politike të Prokurorit të Përgjithshëm është prova më e qartë, tha Basha në aktivin e Lezhës.
“Efektin e parë të emërimit të Ramës kryeprokuror e patë me kthimin e pasaportës tek Saimir Tahiri. Ky është fillimi i një akti antikushtetues, i cili përqendron pushtetin e drejtësisë në duart e personit që duhet të përgjigjet para drejtësisë dhe i jep një goditje, ndoshta vdekjeprurëse, Reformës në Drejtësi”, theksoi Kryetari i PD-së.
Lulzim Basha tha se, skandali i Saimir Tahirit, ministrit të Brendshëm që drejtonte trafikun ndërkombëtar të drogës me bekimin e kryeministrit, ka vulosor fatin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
“Prandaj ju them sot, se qeveria e Edi Ramës është e vdekur politikisht dhe ai vetë është një kufomë politike i diskredituar para shqiptarëve, i diskredituar para faktorit ndërkombëtar. Ata që deshën t’i japin një shans të fundit Edi Ramës, shqiptarë dhe të huaj, kanë parë dhe po shohin sa po u kushton kjo”.
Në këtë udhëkryq, kur Shqipëria ndodhet në një krizë politike, ekonomike dhe morale, kreu i Partisë Demokratike ka një mesazh për çdo shqiptar që dëshiron një jetë dinjitoze në Shqipëri.
“Detyra jonë është që të bëjmë bashkimin më të madh të shqiptarëve që nga viti i themelimit tonë, të bëhemi zëdhënësit dhe përçuesit e kësaj shumice absolute të shqiptarëve dhe t’u themi se rrugëdalja nuk është as rënia në depresion, as vetëflijimi, as tragetet, as emigrimi, as avioni, por bashkimi në sheshet e protestës”.
Kryetari i opozitës shpjegoi çfarë synohet me protestat dhe çfarë do të thotë krijimi i një qeverie antimafia.
“T’ia bëjmë të qartë se nuk po e bëjmë këtë që të ikë Edi Rama dhe të vi unë me protestë, apo të jem unë kryetari i qeverisë së përkohshme, jo! Ne kërkojmë largimin e shkaktarit numër një dhe krijimin e kushteve për funksionimin e demokracisë dhe Reformës në Drejtësi. Ndaj kemi parashtruar nevojën për një qeveri antimafia”.
Basha tha se, qeveria antimafia do të garantojë Reformën Zgjedhore, mosprekjen e votës dhe, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, garanton një qeveri që lidh fatin e vet me atë të qytetarëve.