22.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

Lejet e ndërtimit, batërdi betoni në bashkitë e Ramës

E gjithë Shqipëria do të kthehet në kantier ndërtimi. Pothuajse në të gjitha qarqet rezulton një rritje e ndjeshme e lejeve të ndërtimit të dhënave në tremujorin e tretë të këtij viti, ndërsa në kryeqytet, rritja ka filluar që në tremujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e tretë të vitit janë dhënë gjithsej 310 leje ndërtimi, nga të cilat 65 në Tiranë. Në të njëjtën periudhë të një viti më parë në gjithë Shqipërinë ishin dhënë vetëm 145 leje. Ndërsa për gjithë 9-mujorin janë dhënë gjithsej 608 leje, 27% e të cilave (167) kanë qenë në Tiranë. Në krahasim me 9-mujorin e vitit 2016, kur u dhanë gjithsej në gjithë vendin 308 leje, në 2017-ën ato janë dyfishuar (rritje 97%). Në kryeqytet, për gjithë 9-mujorin janë dhënë 167 leje, me një rritje prej 157% në krahasim me 9 muajt e parë të 2016-ës, pra pothuajse me një trefishim, (102 leje më shumë). Pas Tiranës, në vlerë absolute numri më i lartë i rritjes së lejeve të ndërtimit është në Fier, ku janë dhënë 67 leje më shumë, e ndjekur nga Vlora me 48 leje më shumë dhe Durrësi me 38 leje më shumë. Në tremujorin e tretë 2017 ka një rritje të ndjeshme të lejeve të dhëna në qytetin e Korçës, i cili është kthyer në një destinacion të preferuar turistik, ku janë dhënë 57 leje, nga më pak se 6 leje që janë dhënë mesatarisht tremujorët e mëparshëm. Në të gjithë vendin, ka një orientim të lartë të likuiditeteve të lira në ekonomi në sektorin e ndërtimit, ku më e ndjeshme është në qytetet kryesore, sidomos në Tiranë, Fier, Vlorë, Durrës. Ekspertët kanë paralajmëruar se kjo ofertë që po krijohet me apartamente është më e lartë sesa kërkesa dhe tregu mund të rrezikojë në flluskë, teksa banesat rrezikojnë të mbeten pa shitur. Shqipëria vlerësohet të ketë pasur një bum në sektorin e ndërtimit për vitin 2016, duke qenë se lejet e dhëna panë rritjen më të madhe në rang europian. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i lejeve të ndërtimit pësoi një rritje mesatare në vendet e Bashkimit Europian më 2016 me 10.3 për qind, ndërsa në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT, numri i lejeve të ndërtimit në vitin 2016, pati pothuajse një trefishim ose një rritje me 167 për qind. Shqipëria futet në vendet me sipërfaqe të vogël teksa projeksionet e popullisë janë me tkurrje në vitet në vijim.

138% rritja e lejeve të ndërtimit në Tiranë

Numri i lejeve të ndërtimit të dhënë në të gjithë vendin është 101 në tremujorin e parë të vitit me një rënie vjetore 4.7 për qind, por në kryeqytet numri ka pësuar një rritje vjetore 138 për qind. Sipas të dhënave nga INSTAT në janar-mars në Tiranë janë dhënë gjithsej 43 leje ndërtimi nga 18 leje që ishin dhënë vitin e kaluar. Gjithashtu, lejet për të ndërtuar në kryeqytet ishin edhe më të larta se në tremujorin e fundit të 2016, ku u dhanë 41 të tilla. Nga janari i 2016 deri në fund të marsit 2017 u dhanë 149 leje në kryeqytet. Numri i lejeve të dhëna sinjalizon se sektori i ndërtimit do të vijojë rritjen edhe këtë vit.
Në tremujorin e parë 2017 janë miratuar gjithsej 101 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, me një sipërfaqe rreth 91.864 m2.

Gatuzo: Dua të fitoj gjithmonë

Mund të jetë ndeshja e kthesës ky derbi i fituar 1-0 ndaj Inter-it në shtesë në Kupën e Italisë për Milan-in e Gattuso-s. “Kjo ishte një ndeshje thelbësore. Kam fituar si futbollist, tani jam një trajner. Nëse mendojmë se kemi zgjidhur problemet sot jemi të çmendur. Ndoshta jam trajneri më skarco i Serisë A, dhe duhet ende të rritem. E dija se çfarë do të kisha përballë, por me punë, dëshirë dhe lodhje do t’ia dilnim. Kjo fitore nuk i zgjidh problemet, por na jep besim dhe na jep mundësinë të punojmë me më shumë qetësi. Do të ketë ende për të vuajtur, por shpresoj vetëm që këta djem të tregojnë diçka”.
Gattuso e di se cilat janë momentet negative: “Fundin qoftë si futbollist, qoftë si trajner e kam prekur disa herë. Por këtu te Milan-i ka gjithçka dhe më takon mua të nxjerr jashtë më të mirën nga futbollistët tanë. Sot nuk kishte shumë diferencë krahasuar me ndeshjen me Atalanta-n apo në 20 minutat e para me Verona-n, problemi është që në vështirësinë e parë dukemi si një bandë muzikore. Gjatë javës punojmë, jemi një skuadër që ka kualitet, por na ka munguar gjithmonë “helmi”. Ndërsa sot ditëm të luftojmë”.

Spalletti: Interi duhet të zgjohet

Luciano Spalletti dha një intervistë enigmatike pas humbjes 1-0 ndaj Milan në çerekfinalen e Coppa Italia. Çfarë ka ndryshuar tek Inter? “Kemi humbur pak vetëbesim, veprojmë me më pak besim në cilësitë tona”, shprehet trajneri për “Rai Sport”. “Kur të vijnë mundësitë dhe nuk i shfrytëzon, bie vetëbesimi. Më pas, po nuk shënove, do të pësosh.
“Në aspektin psikologjik, duhet të bëjmë një kthesë, të kuptojmë se duhet të bëjmë më shumë. Nga ana fizike jemi shumë mirë, kualiteti është aty, por nëse pret që dikush të zgjidhë problemet e tua… Problemet tona duhet t’i zgjidhim vetë. Mendoj se skuadra ka potencialin për të mundur këdo, por duhet të kuptojmë aftësitë tona dhe t’i përdorim në çdo ndeshje. Në disa momente nuk jemi të kompletuar dhe ka lojtarë që nuk japin më të mirën e tyre dhe si pasojë e gjithë skuadra vuan. Duket sikur duan të na bindin se kështu funksionon, se mund të paraqitesh dobët. Dhe kur nuk ke forcë karakteri bëhet më e vështirë për të përmbysur këtë moment negativ”, përfundoi Spalleti.

Interi në krizë!

Nëse ende mungonte konfirmimi përfundimtar, kjo është shumë e vërtetë pas humbjes në derbi dhe eliminimit nga Kupa e Italisë: Interi është zhytur zyrtarisht në krizë. Kjo bëhet më e shpjegueshme, kur merret parasysh se deri në gati tri javë më parë, kjo skuadër ishte e vetme në krye të renditjes së Serisë A. Një rënie kryesisht psikologjike, që përkoi me humbjen kundër Udineses, por edhe me bllokimin e performuesve më të mirë, Mauro Icardi dhe Ivan Perisic, të cilët ishin autorët e 24 golave nga 34 të tillë në total, të realizuar deri më tani nga zikaltrit. Produktiviteti ofensiv, shumë i kushtëzuar, ishte prekur javë pas jave. Në tri ndeshjet e fundit, kjo qasje ka humbur (katër ndeshje, në qoftë se në to përfshijë barazimin 0-0 kundër Pordenone), sepse është shënuar vetëm një gol kundër Udineses.
Edhe kundër Milanit është bërë vetëm një goditje në pjesën e parë (më keq kishte ndodhur vetëm kundër Juventusit, me zero goditje), ndërsa gjuajtja e parë në portën e mbrojtur nga Donnarumma mbërriti pas një ore lojë. Një tjetër e dhënë shumë negative është goditja e Joao Mario: apatik dhe aspak i mprehtë, ai shpërdoroi një mundësi të artë, duke mos e mposhtur dot Donnarumma nga një distancë e afërt dhe duke nxitur zemërimin e tifozëve, të cilët menduan se do të shijonin golin e parë. Spalletti ka lënë të kuptohet tashmë se i shërben sa më shpejt të jetë e mundur ndryshimi i kursit, për të shmangur zhgënjimin në kampionat. Me këtë zakon të keq, katër vendet e para, që janë me vlerë kualifikimi për në Ligën e Kampionëve, mund të bëhen një fantazi. Dhe në atë rast dështimi do të kthehej si trishtimi në modë.
Milan ka kaluar me shumë vuajtje në gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Kuqezinjtë kanë fituar 1-0 në kohën shtesë në derbi ndaj Inter, një gol i ardhur në minutën e 104-t nga Cutrone. Koha e rregullt është mbyllur në barazim pa gola, edhe pse ndeshja ka pasur një ritëm të kënaqshëm, madje edhe me shumë raste për të shënuar. Kështu, Milan i pason krizën Inter-it, teksa në gjysmëfinale të Kupës së Italisë do të ndeshet me Lazio-n, që fitoi ndaj Fiorentina-s një natë më parë.
Ndeshja ka nisur me ritëm të lartë, e denjë për një sfidë derbi. Në minutat e parë është Milan që përpiqet të krijojë më shumë volum loje, por mungojnë goditjet drejt porte. Inter hyn në lojë me kalimin e minutave, madje zikaltrit kanë kaluar në avantazh në minutën e 25-të me një autogol të Antonio Donnarumma, vëllai i Gigio-s, i cili ka qenë titullar pas dëmtimit të vëllait të tij dhe portierit të dytë Storari. Gjithsesi, VAR ka shkuar në ndihmë të portierit kuqezi, me arbitrin që ka anuluar golin për shkak të një pozicioni jashtë loje të Ranochia-s.
Edhe pas këtij episodi, ndeshja ka vijuar me ritëm të lartë, teksa kanë mbajtur në ankth tifozët e pranishëm, në një “San Siro” të mbushur plot e përplot. Pjesa e dytë nis njësoj, të dyja skuadrat krijojnë volum loje dhe kishte kohë që nuk shihej një ndeshje me një ritëm të tillë në Itali. Mbyllet pa gola e gjithë ndeshja, për pasojë, shkon në shtesë. Në 15 minutat e para të shtesës duken zikaltrit më kërkues. Por pikërisht kur po mendohej të shënonte Inter, ndodh e kundërta. Suso jep një kros në zonë dhe aty Cutrone ndëshkon Handanoviç. 1-0 për Milan dhe kuqezinjtë janë të karikuar në 15 minutat e fundit.

Renditja e UEFA-s, Reali e La Liga dominim në 2017

Në përfundim të vitit kalendarit 2017, Reali i Madridit është skuadra që kryeson renditjen e UEFA. Skuadra dy herë kampione e botës në dy vitet e fundit ka koeficientin më të lartë, duke lënë pas rivalët e Barcelonës. Në vendin e tretë pozicionohet Bayern Munchen që thyen hegjemoninë e spanjollëve, duke lënë në vendin e katërt, Atletico Madrid. E pesta, dhe skuadra e parë nga Seria A italiane është Juventusi, që ka lënë pas Paris Saint Germain, Sevilla e Manchester City. Dhjetë vendet e para plotësohen nga Borussia Dortmund dhe Benfica.
Ndërkohë, kampionati spanjoll kryeson klasifikimin special të ligave europiane, që përllogariten në bazë të koeficientit për pesë vitet e fundit. La Liga ndodhet përpara Premier League, me Serinë A që plotëson podiumin virtual, ndërsa Bundesligën gjermane që pozicionohet e katërta. Asnjë ndryshim për Kategorinë Superiore që mbetet në vendin e 34-t në nivel kontinental, duke lënë pas ligat e Islandës, Hungarisë, Maqedonisë e Finlandës. Mbyll renditjen speciale Kosova, me vendin e 55-të. Superliga kosovare është mbrapa kampionateve në Gjibraltar, Andorrë e San Marino, prej faktit se është njohur vetëm prej një viti dhe nuk mund të përfshihet në përllogaritjen 5-vjeçare të UEFA-s.

“Pastore tek Inter? Varet nga PSG”

Drejtori i Inter, Piero Ausilio ka lënë të kuptohet se Inter do të bëjë një ofertë për Pastore-n gjatë janarit. “Inter nuk është në krizë, mendoj se është e natyrshme të humbasësh disa ndeshje pas disa muajsh. Mendoj se ishin ndeshje të pazakonta dhe bisedimet për një krizë janë të ekzagjeruara.
“Luciano Spalletti dhe klubi kanë besim të madh te djemtë. Skuadra mund të përmirësohet, të gjithë mundet. Do të punojmë për merkaton, pasi e konsiderojmë veten tonë një skuadër e fortë, por jo perfekte.
“Pastore? Nuk besoj se dikush ka dyshime mbi kualitetin e tij. Duhet të kuptojmë se çfarë do të bëjë PSG. Ai është një lojtar i rëndësishëm, jemi të lumtur që e sheh Inter-in si një mundësi, por është e parakohshme të flasim për këto gjëra.
“I di limitet financiare. Nuk jemi të interesuar të blejmë dikë vetëm për hir të merkatos. Duhet të mbajmë grupin e tanishëm. Por duhet të jemi të gatshëm për çdo mundësi që do të na paraqitet”.

De Vrij nuk rinovon, Lazio mendon për zëvendësuesin

Komplikohet sërish çështja e rinovimit të kontratës së Stefan De Vrij me skuadrën e Lazios. Mbrojtësi u ka kërkuar drejtuesve bardhekaltër më shumë kohë për të vendosur për të ardhmen e tij. Lojtari ka kërkesa nga shumë skuadra dhe nuk kërkon të nxitohet. Presidenti Lottito nuk dëshiron të gjendet i papërgatitur dhe menjëherë ka nisur nga puna për të gjetur zëvendësuesin e 25-vjeçarit. Sipas mediave italiane, bardhekaltrit kanë rikthyer interesin te meksikani Diego Reyes, duke nisur menjëherë bisedimet me Porton, skuadër që zotëron kartonin e 25-vjeçarit.

Guardiola: Më favoriti në Champions është Barcelona

Pep Guardiola përsëri tregoi përkushtimin e tij ndaj Leo Messit, pas ndeshjes së tij të fundit me Manchesyer City. Trajneri katalanas u pyet nëse ai e sheh ekipin e tij në mesin e favoriteve për të fituar Ligën e Kampionëve dhe në përgjigjen e tij kujtoi yllin argjentinas të Barcelonës. “Nëse jemi te favoritët? Për mua, favorit në Champions është ekipi ku luan Leo Messi”. Përgjigjia e Guardiolës ishte aq e ndershme, sa edhe e qartë.
Trajneri katalanas vazhdon ta shohë Barcelonën si kandidaten më të madhe për ta fituar Ligën e Kampionëve. Ndërkohë, Manchester City po lëviz në mënyrë të vazhdueshme drejt titullit të Premier League, pas fitores ndaj Newcastle, në ndeshjen e fundit. “Qytetarët” kanë tashmë 18 fitore të njëpasnjëshme në kampionat, çka ka mundësuar distancën prej 15 pikësh nga ndjekësi më i afërt në klasifikim, Manchester United e Mourinhos.

Kaçe në “radarin” e Platanias

Mediat greke e drejtojnë Ergys Kaçen drejt klubit modest të Platanias. Mesfushori korçar që ka një kontratë deri në vitin 2020 me PAOK-un e Selanikut është lënë jashtë projektit të trajnerit Lucescu, pasi këtë sezon numëron vetëm 4 ndeshje dhe 239 minuta, duke humbur rolin e liderit në mesfushë. Sipas asaj që raporton “Sportdog.Gr”, Platanias ka nisur ofensivën prej disa ditësh, por vendimtare do të jetë përgjigja e lojtarit. Vetë Kaçe duket se nuk e pëlqen destinacionin e ri që i kanë ofruar drejtuesit e PAOK-ut. Aktualisht, skuadra nga Kreta renditet në vendin e fundit të Superligës greke, pasi ka zhvilluar një pjesë të parë sezoni shumë të dobët, duke grumbulluar vetëm 6 pikë. Gjithsesi, këto janë ditë vendimtare për Ergys Kaçen, i cili kërkon të ndryshojë menjëherë ambjent për të hyrë në planet e trajnerit të Kombëtares shqiptare, Christian Panucci. Në rast se drejtuesit e PAOK do ta bindin për të lënë Selanikun, atëherë ky do të jetë huazimi i dytë i mesfushorit pas aventurës së dështuar në Çeki me Viktoria Plzen.

Ekonomia gjermane optimiste për vitin 2018

Më tepër se dy të tretat e shoqatave ekonomike të pyetura nga Instituti i Ekonomisë Gjermane presin prodhim më të lartë për sipërmarrjet e tyre. Edhe vetë ekspertët habiten për fuqinë e bumit ekonomik.
“Pak i fërkoj me habi sytë si ekonomist”, thotë i entuziazmuar drejtori i IW Michael Hüther për zhvillimin e vrullshëm të ekonomisë, “pavarësisht se ku nis ta masësh periudhën e rritjes – në vitin 2011 pas krizës së rëndë apo 2013, pas një faze të shkurtër dobësie – kemi të bëjmë në çdo aspekt me një nga zhvillimet më të gjatë të rritjes, që kemi vëzhguar në konjukturën gjermane, por edhe evropiane”.
Studiuesi i ekonomisë tregon vërtet gjëra që të habisin: 26 nga 48 sipërmarrjet që pyesin rregullisht në fund të vitit punonjësit e institutit të tij flasin aktualisht për gjendje më të mirë ekonomike në krahasim me një vit më parë. 20 sipërmarrje e vlerësojnë gjendjen e tyre njësoj si të një viti më parë. Por janë vetëm dy që raportojnë gjendje më të keqe – vitin e kaluar ishin nëntë sipërmarrje.

Zhvillim solid
Këto shifra pasqyrojnë një periudhë rritjeje ekonomike që po mban për një kohë të gjatë dhe – ajo që ndodh më rrallë – po zhvillohet thuajse pa lëkundje. “Në prodhim dhe në punësim kemi një rritje si të hequr me vizore”, thotë Hüter. Nga pikëpamja cilësore ky është një proces, i cili nuk ka të bëjë shumë me ciklet konjukturore të zakonshme, por që mbështetet në mundësitë e reja të zhvillimit.
Një gjendje më e keqe ekonomike, sipas sondazhit aktual të Institutit të Ekonomisë vërehet vetëm në industrinë ushqimore dhe në Bankat Popullore e bankat Raifeissen. Këto banka kryesisht të vogla, të organizuara si konsorciume vuajnë veçanërisht në nivelin aktualisht të ulët të interesave bankare. Me fuzionime në njësi më të mëdha, disa institute përpiqen që t’i kundërvihen kësaj gjendjeje.

Industria dhe industria e pasurive të paluajtshme me perspektivë të mirë
Në dallim me këtë, një pjesë e madhe e degëve të industrisë si dhe të industrisë së pasurive të paluajtshme dhe të leasing-ut, flasin për gjendje të mirë të biznesit. “Kemi kombinim të disa faktorëve pozitivë”, shpjegon Hütter. Ekonomia botërore, e cila në kuadër të 24 muajve të fundit pati edhe dyshime, për shkak të problemeve në Azinë Lindore, nga diskutimi në SHBA, u tregua rezistente. Të ngjashme qenë zhvillimet edhe në Evropë. “Vendet e krizës ndodhen në një rritje të qartë dhe në të gjithë indikatorët ekonomikë në Eurozonë ndodhemi në atë nivel, siç ishte para krizës së borxheve shtetërore”. Me modelin e saj të biznesit, Gjermania u përshtatet shkëlqyeshëm nevojave të vendeve të tjera, tha Hüther. Kjo i shpjegon sukseset në eksport. Në një hap me këtë është edhe zhvillimi i gëzueshëm në tregun e punës me gjithnjë e më shumë persona të punësuar. Si rrjedhim, është “thuajse e pashmangshme”, thekson ekonomisti që gjendja të jetë e mirë edhe në ekonominë brenda vendit.
Ana tjetër e medaljes: një e treta e sipërmarrjeve, të pyetura nga IW thonë se kapacitetet e tyre janë të mbingarkuara – dhe me këtë kërcënon një tejnxehje e ekonomisë. Si shkak për këtë, dy të tretat e sipërmarrjeve paraqesin mungesën e punonjësve të kualifikuar.