29.5 C
Tirana
E diel, 17 Gusht, 2025

“Edi Rama i tmerruar nga fati i Berishës”, Basha: E piketoi si partner për zgjedhjet e ardhshme, në një garë se kush është më pak i korruptuar

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në podkastin “Të Pashoq” ka deklaruar se Edi Rama ka mbështetur Sali Berishën për të ruajtur status quo-në dhe për të ndikuar në zgjedhjet e ardhshme.

Basha e akuzoi Ramën për një operacion politik që ka pasur për qëllim mbështetje direkte dhe indirekte për Berishën, duke u përpjekur të dëmtonte Partinë Demokratike. Ai theksoi se vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit ishte një rezultat i një komploti mes Ramës dhe Berishës.

Basha përmendi gjithashtu se ky komplot u shoqërua me disa “puntata”, përfshirë votën për amnistinë dhe kodin zgjedhor. Përfundimisht, ai e konsideroi vendimin për vulën si pjesë të një pazari politik të udhëhequr nga Rama dhe Berisha.

Pjesë nga intervista:

Lulzim Basha: Prej atij momenti e derisa Edi Rama, sepse është faktoiri Edi Rama këtu. Sali Berisha dhe ata ndjekës oportunist, apo ata ndjekës që me të vërtetë besuan për 6 muaj siç premtoi do të rrëzonte Edi Ramën. Në asnjë mënyrë dhe në asnjë moment nuk do të ishin në gjendje të imponoheshin. Ata u imponuan sepse prej momentit të parë Sali Berisha ka pasur ndihmën direkte dhe indirekte të Edi Ramës. Pikërisht për të ruajtur këtë status quo, pikërisht për të ardhur tek ky moment që fushata e Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme të reduktohet me një fjali: më doni mua apo doni Berishën. Edi Rama ka vepruar me plan prej fillimit për të goditur Partinë Demokratike, për të mbështetur një person i cili dihej situatën ku u ndodh. Diskutim tjetër e meritonte të ndodheshte këtu apo jo. I shpallur “non grata” nga SHBA për korrupsion madhor, i shpallur një vit më pas “non grata” nga Britania e Madhe, ku u shtua dhe akuza e lidhjeve me krimin e organizuar, i marrë tashmë i pandehur pas pothuajse një viti në arrest shtëpie për korrupsion nga SPAK. Edi Rama e piketoi Sali Berishën edhe si partnerin e tij në zgjedhjet e ardhshme, pra pseudo rivalin e tij, por edhe si makthin e tij. Sepse çdo shqiptar e kupton se çfarë shkon në mendjen e Edi Ramës me kusuret që i ka këtij vendi, këtij populli dhe këtij kombi kur thotë që “kur Sali Berisha përfundoi kështu, çfarë më pret mua me 1001 të zeza më shumë që i kam bërë këtij vendi. Pra, këtu kemi ardhur si rezultat i një operacioni të pastër politik të Edi Ramës për të mbështetur nga fillimi deri në fund Sali Berishën. Dhe pjesa kryesore e mbështetjes ka qenë lufta e hapur ndaj Partisë Demokratike, ndaj meje dhe ndaj ekipit tim. E megjithatë ne ia kemi dalë. Prej 29 korrikut të vitit të kaluar, e deri në 11 qershor, më pak se një vit kur konspiracioni midis Edi Ramës dhe Sali Berishës prodhoi vendimin e Gjykatës së Apelit krejtësisht në kundërshtim me ligjin.
Pyetje: E prisnit juve vendimin e vulës? Sepse ju luftuat shumë për të.
Lulzim Basha: Jo nuk e prisnim, Prisnim një vendim sipas ligjit dhe sipas vendimit të Gjykatës së Lartë. Megjithatë vendimi është prap në Gjykatë të Lartë.
Pyetje: Domethënë ishte Pazar Rama-Berisha vula?
Lulzim Basha: Pjesë e një pazari me disa puntata. Pjesa e parë ishte vota për amnistinë, ku për herë të parë në 34 vite të Shqipërisë pluraliste opozita, apo ata që pretendojnë që janë pjesë e opozitës bashkon votat me qeverinë për të liruar të korruptuarit e qeverisë dhe për të mbajtur në ndjekje penale protestuesit e opozitës të cilët u ngritën kundër korrupsionit qeveritar. Kjo është puntata e parë, puntata e dytë është vota për kodin zgjedhor dhe në mes të kësaj ndodh edhe vendimi për vulën.

Vendimi për përjashtimin e Berishës/ Basha: Nuk jam bërë pishman, vendim e kam marrë me sakrificë të madhe për interesin publik. Ja kush është fshehur për interes personal

Në një intervistë për podkastin “Të Pashoq” me gazetaren Edjona Dervishi, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, theksoi se nuk ka asnjë pishman për vendimin e tij ndaj Berishës, duke theksuar se e ka marrë për një interes të madh publik dhe politik.

Basha gjithashtu tha se vendimet që mori më 9 shtator erdhën pas një periudhe të gjatë bisedimesh me Sali Berishën për të ruajtur interesat e PD-së, por pa gjetur një zgjidhje. Ai gjithashtu tha se është gjithmonë etik, mirënjohës dhe luajal, por nuk ka pranuar kurrë të vendosë interesat personale mbi interesin publik.

Pjesë nga intervista:

Si mund të bëhem pishman për një vendim të cilin e kam marrë me sakrificë të madhe për një interes të madh publik dhe politik. Sigurisht pishman duhet të bëhen ata të cilët kanë vendosur interesin e tyre personal, mbi interesin publik, mbi interesin e demokratëve dhe duke bërë këtë kanë vendosur edhe mbi interesin e Shqipërisë. Çka po shohim edhe pasojat sot gjithë ditën të një qeverisje të korruptuar deri në palcë, të kryeministrit më të papërgjegjëshëm që njeh Shqipëria që nga 1912-ta, që është produkt sigurisht i papërgjegjshmërisë 12 vjeçare dhe i lidhjeve me krimin të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. Por është edhe nënprodukt i papërgjegjshmërisë dhe egoizmit të individëve të caktuar në opozitë.
Pyetje: Kishit menduar ndonjë gjë nga shumëçka ndodhi më pas që e prodhoi pikërisht vendimmarrja juaj? Në kuptimin gjithçka ndodhi pas kësaj, me grupimin që krijoi Sali Berisha me zhvillimet në Partinë Demokratike që e çuan këtë të fundit gropë? Pra, ndonjë pasojë e kishit menduar ju?
Lulzim Basha: Padiskutim që po. Ky vendim nuk ka ardhur nga sot nesër, siç është tashmë publikisht e njihur. Unë kam qenë në një proces bisedash të gjata me zotin Berisha, që ka zgjatur pothuajse tre muaj, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje e cila nuk do të dëmtonte Partinë Demokratike në një moment tejet delikat. Kam pasur momente që kam qenë i bindur që po i afroheshim një vendimmarrjeje që do të pranonte vendosjen e interesave personale nën interesat e mëdha politike të PD-së dhe të Shqipërisë. Por për fat të keq një moment i till nuk u arrit derisa unë u detyrova të marr vendime që mora në 9 shtator.
Pyetje: Ju thatë që vendosët në emër dhe për të mirën e Partisë Demokratike. Po nëse unë do ju pyesja në rang personal, moral, human, ku virtyti kryesor i qenies tonë dihet që është mirënjohja. A u tregua mosmirënjohës Lulzim Basha ndaj Sali Berishës, njeriut që bëri gjithçka për të po e them shkurt?
Lulzim Basha: Sali Berisha nuk ka gjetur dhe 10 jetë po të ketë person më etik, mirënjohës dhe luajal se Lulzim Basha në raportin profesional, politik dhe personal. Ajo që nuk kam pranuar dhe nuk pranoj kurrë për askënd, është të shkel mbi ato bindje pa të cilat nuk do të isha kurrë ky që jam. Dhe bindja e parë që gjykoj se më karakterizon në jetën politike, është që të mos vendos kurrë, asnjëherë interesin publik, interesin e shqiptarëve, posht interesit personal të kushdo qoftë.

Krimet kanë dalë jashtë kontrollit/ Bilanci tragjik në pak ditë trondit Shqipërinë

Numri i vrasjeve dhe plagosjeve është rritur ndjeshëm muajt e fundit në Shqipëri dhe ajo që e bën më tragjike këtë gjë, është fakti se po shtohen rastet ku protagonistët e ngjarjeve të tilla të rënda janë të mitur dhe adoleshentë.

Një bilanc i realizuar nga Alfapress.al ka analizuar me detaje vrasjet, plagosjet, atentatet e ndodhura në vendin tonë në gjysmën e parë të këtij muaji.

Sipas raportit situata paraqitet tepër shqetësuese tek adoleshentët në shkolla, ku përplasjet mes tyre kanë rezultuat fatale deri në humbje jete, siç ishte ngjarja e rëndë e ndodhur para dy ditësh, ku humbi jetën tragjikisht nxënësi 14-vjeçar.

Më poshtë Alfapress.al paraqet ngjarjet kriminale të ndodhura në ditët e fundit në vendin tonë:

30 Tetor 2024

Një ngjarje e rëndë tronditi Shkodrën dhe mbarë vendin, mesditën e 30 tetorit që rezultoi në 4 viktima.

Viktimë mbeti Hamza Lici, i cili është vëllai i Ibrahim Licit, një emër i njohur në botën e krimit.

Por tragjedia nuk mbaron këtu!

Veç Licit, mbetën të vrarë edhe tre persona të tjerë. Arlind Bushati, djali i Xhemal Bushatit, që ishte kandidat për Bashkinë e Shkodrës në vitin 2023, nën siglën e PD.

32-vjeçari ishte në makinë me Licin në momentin e ngjarjes dhe mori një plumb në kokë. Disa orë më vonë ai ndërroi jetë në spital.

Nga ngjarja humbi jetën edhe Flutura Basha, 56 vjeç, ndërsa disa ditë më vonë ndërroi jetë edhe bashkëshorti i saj, Bashkim Basha 67 vjeç.

Pas të shtënave, makina me të cilin lëviznin Lici dhe Bushati humbi drejtimin dhe shkaktoi aksident, duke përplasur një motoçikletë. Në të udhëtonin një çift bashkëshortësh, Flutura dhe Bashkim Basha.

4 nëntor 2024

Një 18-vjeçare është vetëplagosur me armë zjarri në lagjen “Liri Gero” në Fier.

E reja me iniciale A. G., është transportuar menjëherë në Spitalin e qytetit .

“Rreth orës 17:30, shtetasja A. G., rreth 18 vjeçe, banuese në Fier, është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, e dëmtuar me armë zjarri, jashtë rrezikut për jetën (paraprakisht dyshohet se është vetëplagosur me pistoletë).

Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit.”– njofton policia.

Ajo është dëmtuar në pjesën e barkut, por fatmirësisht ka mbërritur në kohë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

5 nëntor 2024

Sherr me thika në Durrës, i riu çahet në vetull, arratiset autori

Dy të rinj janë konfliktuar fizikisht mbrëmjen e 5 nentorit në lagjen nr. 6 të Durrësit, ku sherri ka degraduar deri në përdorimin e thikës nga njëri prej tyre.

Burime bëjnë me dije se dy të rinjtë kanë qenë nën efektin e alkoolit dhe kanë debatuar me njëri-tjetrin për motive banale. Më pas njëri prej tyre ka qëlluar me thikë tjetrin duke i shkaktuar një çarje në vetull.

Banorët e zonës kanë dërguar të riun e dëmtuar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është mjekuar për plagën në vetull.

6 nëntor 2024

Krim pasioni në Korçë/ E plagosura ish-partnere e autorit

Një plagosje me thikë ka ndodhur në afërsi të zonës së quajtur Trekëndëshi në Korçë.

Në konflikt janë përfshirë autori dhe ish-partnerja e tij e cila raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetën pasi ka marrë dëmtime në mjekër.

Shkak i konfliktit ka qënë ndarja mes tyre ku sipas informacioneve autori ka qënë i dënuar më parë edhe për përndjekje.

Autori ka qenë duke kaluar në rrugë në lagjen 4 të qytetit, kur ish-partnerja e tij e ka ndaluar dhe i ka kërkuar të mos vazhdojë ta ndjekë më.

Në atë moment, konflikti është agravuar dhe Ilia Cani ka nxjerrë thikën duke e plagosur ish partneren.

Sipas informacioneve, autori Ilia Cani ka qenë i dënuar më parë edhe për përndjekje.

6 nëntor 2024

Shpërthim në një banesë në Tiranë/ Thyhen xhamat e katit të tretë të një banese private

Sipas policisë, shpërthimi ka qenë i ngjashëm me lëndët plasëse ose lëndët piroteknike. Si pasojë janë thyer xhamat e katit të 3-të të një banese tjetër private. Banesa ku u dëgjua shpërthimi është në pronësi të shtetasit Aranit Beqiraj.

“Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 06.11.2024, rreth orës 19:50, në rrugën “Robert Naci”, në oborrin e një banese në ndërtim në pronësi të shtetasit A. B. është dëgjuar një shpërthim, i ngjashëm me lëndët plasëse ose lëndët piroteknike. Si pasojë janë thyer xhamat e katit të 3-të të një banese tjetër private.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vazhdon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

7 nëntor 2024

Goditi me thikë një person për motive të dobëta, arrestohet 30-vjeçari në Durrës

Një 30-vjeçar është arrestuar në qytetin e Durrësit, pasi ka goditur me thikë një person.

Sipas njoftimit të policisë shkak i konfliktit dyshohet të jetë për motive të dobëta. I lënduari, shtetasi me iniciale N.Sh., 35-vjeç, është jashtë rrezikut për jetën.

“Komisariati i Policisë Durrës arrestoi shtetasin L. Sh., 30 vjeç, banues në Durrës, sepse pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin N. Sh., 35 vjeç, banues në Durrës, i cili është jashtë rrezikut për jetën.”, thuhet në njoftimin e policisë.

8 nëntor 2024

Sherr me thikë në Gjirokastër, 21-vjeçari dërgohet me urgjencë te Trauma, në kërkim autori

Mbrëmjen e 8 nëntorit, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Gjirokastër, është paraqitur për të marrë mjekim, shtetasi L. H., 21 vjeç, banues në lagjen “Kodra e Shtufit”, i cili dyshohet se gjatë një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi L. Dh., 29 vjeç, banues në Fier, e ka goditur me mjet prerës (thikë).

21-vjeçari u dërgua për mjekim më të specializuar në spitalin e Traumës, Tiranë.

10 nëntor 2024

Shpërthim me eksploziv në derën e një banese në Shkodër

Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 10 nëntorit në Shkodër.

Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në lagjen “Tre heronjtë” në qytetin e Shkodrës, ku persona ende të paidentifikuar kanë hedhur në oborrin e një banese eksplozivin.

Për fat të mirë nuk ka të lënduar, por vetëm dëme materiale. Ndërkohë policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve.

11 nëntor 2024

E rëndë në QSUT/ 36-vjeçari kanos infermierin dhe kundërshton efektivët

Një 36-vjeçar në Tiranë ka rënë në prangat e Policisë, pasi ka kanosur një infermier në QSUT dhe ka kundërshtuar efektivët e Policisë.

Përmes një njoftimi Policia bën të ditur se personi i arrestuar është 36-vjeçari me inicialet A.M.

12 nëntor 2024

Eksploziv në bankomatin në afërsi të Kalasë, panikosen banorët në Krujë

Një shpërthim eksplozivi i vendosr në një bankomat në afërsi të Kalasë ka terrorizuar Krujën në orët e para të së martës së 12 nëntorit.

Policia Krujë/Informacion paraprak

Më datë 12.11.2024, rreth orës 02:45, pranë një bankomati në afërsi të Kalasë (në rrugë), është dëgjuar një shpërthim, i ngjashëm me lëndët plasëse ose lëndët piroteknike dhe si pasojë ka vetëm dëme materiale.

12 nëntor 2024

E rëndë/ Nxënësit sherr me thika në shkollën 9-vjeçare të Tiranës, 14-vjeçari përfundon në spital

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë, ku një 14-vjeçar është plagosur me thikë.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në ambientet e shkollës 9-vjeçare “Kolë Jakova”, ku i mituri është qëlluar me thikë pas një sherri me një bashkëmoshatar.

Ndërsa janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për autorin.

12 nëntor 2024

Sherr me thika para gjimnazit në Korçë, tre persona plagosin me thikë adoleshentin

Një sherr me thika ka ndodhur mes adoleshenteve jashtë gjimnazit “Raqi Qirinxhi” në qytetin e Korçës.

Njëri prej tyre ka shkuar në spitalin rajonal të Korçës për ndihmë mjekësore pasi ka dëmtime në fytyrë ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Korçës ka shoqëruar disa prej adoleshteve të përfshirë në këtë ngjarjes.

Rreth orës 13:20, në lagjen nr. 10, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi R. Ç., 21 vjeç dhe 2 shtetas ende të paidentifikuar kanë goditur me mjet prerës (thikë) dhe me përforcues grushti, një shtetas 16 vjeç.

13 nëntor 2024

Atentat tek Rruga Elbasanit, vritet ndërtuesi 52 vjeçar, ish drejtues në SHISH

Eduart Reçi, një biznesmen 52 vjeç u qëllua pak para mesnatës së 14 nëntorit me plumb në kokë, teksa ndërroi jetë në spital disa orë pas ngjarjes.

Reçi ishte babai i dy djemve dhe ishte sipërmarrës në fushën e ndertimit. Po kështu mësohet se 52-vjeçari ka punuar para shumë vitesh në SHISH.

Në momentin e atentatit, 52-vjeçari Eduart Reçi ka qenë i vetëm dhe se po qendronte në këmbë jashtë pallatit të tij në lagje.

Policia ka kryer veprimet hetimore dhe po punon për identifikimin e autorëve, teksa janë sekuestruar dhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi atentati.

15 nëntor 2024

Shpërthim tritoli në shtëpinë e të moshuarës në Orikum

Një shpërthim i fuqishëm ka shkaktuar panik te banorët e Orikumit.

Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 02:00, në Orikum, në verandën e banesës së shtetases Elansi Bello, 68 vjeçe, dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lëndë plasëse artizanale.

Për pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale, ndërkohë që grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

15 nëntor 2024

Tjetër shpërthim me lëndë plasëse në Tropojë

Një shpërthim ka ndodhur mbrëmjen e 15 nëntorit në fshatin Mserr, në afërsi të banesës së shtetasit A. P.

Sipas informacionit të policisë, shpërthimi ka ndodhur rreth orës 22:30 dhe ka shkaktuar dëme të vogla materiale në ambientet e jashtme të banesës.

Për fat të mirë, nuk ka pasur të lënduar nga shpërthimi.

17 nëntor 2024

Shpërthim në një studio muzikore në Kamëz

Një shpërthim ka ndodhur në një godinë në Kamëz, e cila ishte përshtatur si studio muzikore.

Policia thotë se kjo studio është në pronësi të shtetasit A.A, ndërsa paraprakisht dyshohet se shpërthimi ka ndodhur me lëndë plasëse.

Si pasojë, blutë e kryeqytetit thonë se ka vetëm dëme materiale.

18 nëntor 2024

E rëndë në Tiranë/ Sherr me thika mes 4 nxënësve pranë shkollës ‘Fan Noli’! 14-vjeçari ndërron jetë pas goditjes në zemër, autori dhe një tjetër në spital!

Një ngjarje e rëndë tronditi Tiranën, ku një 14-vjeçar mbeti i vdekur pas një sherri me thika mes adoleshentës pranë shkollës 9-vjeçare ‘Fan Noli’. I mituri humbi jetën në spital ndërkohë që shoku i tij Luis Meçja është ende duke marrë ndihmë mjekësore. Në një spital privat ndodhet dhe një adoleshent tjetër, i cili dyshohet të jetë autori, ndërsa tjetri është shoqëruar nga policia.

Sherri mes 2 grupeve dyshohet se ka nisur më herët në rrjetet sociale, ndërsa policia akoma e ka të qartë dinamikën. Nga ajo që deri më tani dihet, grupi i djemve janë takuar në një rrugicë qorre pranë shkollës “Fan Noli”, fillimisht mes tyre ka nisur debat verbal, për të vijuar me grushte dhe në fund me nxjerrjen e thikave.

19 nëntor 2024

Atentat në Tiranë, vritet djali i ish-gjyqtarit

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në Tiranë pak pas mesnates së 19 nëntorit në zonën e Xhamllikut.

Objektivi i atentatit, Klaudio Prendi fillimisht mbeti i plagosur dhe më pas ndërroi jetë në spital.

Autorët e atentatit kanë qenë në një makinë dhe kanë qëlluar sapo Prendi ka dalë nga lokali në Xhamllik për të hyrë më makinën e tij, e cila është mbushur plotë me vrima plumbash.

Mësohet se Klaudio Prendi është djali i ish-gjyqtarit Fran Prendi.

Ndërkohë rreth orës 01:05, në afërsi të Liqenit të Farkës është konstatuar duke u djegur një mjet tip “Audi”, që dyshohet se i përket autorëve të ngjarjes.

19 nëntor 2024

Ishin duke luajtur futboll/ Sherr me gurë mes dy 12-vjeçarëve në Korçë, plagoset njëri prej tyre

Dy të mitur janë përfshirë në një konflikt këtë të martë në Korçë, e për pasojë ka mbetur i plagosur njëri prej tyre.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në fshatin Bulgarec, teksa bëhet fjalë për dy 12-vjeçarëve, të cilët kanë qenë duke luajtur futboll në momentin kur janë konfliktuar me njëri-tjetrin.

Autoritetet policore raportojnë se nga konflikti ka mbetur i plagosur me gur njëri prej tyre, i cili po merr mjekim në spital pa probleme për jetën. Ndërkohë, 12-vjeçari tjetër, së bashku me prindin, është shoqëruar në Komisariat./Alfapress.al

Mësuesi duhet të jetë ligji dhe mbreti në shkollë, koha t’i rikthejmë shkëlqimin e ta ngrejmë në piedestalin që meriton

Nga Rigels Seliman

Në kohën e sotme, mësuesi ka humbur autoritetin dhe respektin që dikur kishte. Në vitet e shkuara, kur një mësues hynte në klasë, të gjithë nxënësit, pa marrë parasysh sa të rritur apo të pjekur ishin, e ndjenin menjëherë prezencën e tij si një autoritet që duhej respektuar. Nuk ishte fjala për frikë, por për një lloj respekti, adhurim dhe nderimi që ai kishte fituar falë diturisë dhe përvojës së tij. Sot, ndodhemi në një situatë të ndryshme. Shpesh, autoriteti i mësuesve është nënvleftësuar dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në sjelljen e nxënësve, veçanërisht të adoleshentëve.
Në shoqërinë tonë, gjithnjë e më shumë adoleshentët janë tërhequr nga një realitet virtual që ofron shumë mundësi për të shpërthyer, pa pasur kujdes për pasojat. Ata shpesh e konsiderojnë mësuesin një figurë të padobishme, duke e pasur atë si një “të huaj” në jetën e tyre. Ky fenomen ka krijuar një hendek të thellë mes mësuesit dhe nxënësit, ku nxënësit më të rinj e ndiejnë se mund të sfidojnë dhe injorojnë autoritetin e mësuesve pa pasur pasoja. Dhuna verbale dhe fizike në shkolla është rritur dhe kjo ndikon në një mjedis mësimor të dëmshëm për të gjithë, sikundër e tregon ngjarja e fundit ku një adoleshent u vra nga bashkëmoshatari i tij në shkollën “Fan Noli” në Tiranë.

Në kohën kur ne ishim adoleshentë, çdo fjalë e mësuesit kishte peshë. Kur një mësues hynte në klasë, të gjithë ngriheshim në këmbë dhe atmosfera ishte plot respekt dhe vlerësim për atë që ai ose ajo do të thoshte. Nuk kishte vend për ngacmime, për të qeshura të çuditshme apo për të sfiduar autoritetin e mësuesit. Ai ishte ligj dhe mbret i klasës, ndërkohë që ndjenja e frikës nuk ishte nga dhuna, por nga një lloj ndjenje përgjegjësie për të mos prishur disiplinën.

Sot, është e nevojshme që të rikthehet ky autoritet i shenjtë i mësuesve. Kur mësuesi është i dobësuar në autoritetin e tij, ai nuk mund të ushtrojë ndikimin e nevojshëm për të formuar karakteret e rinjve. Shkollat janë pasqyra e shoqërisë dhe një shoqëri ku mësuesi nuk ka autoritet është një shoqëri që nuk do të ketë një të ardhme të shëndetshme. Nxënësit që nuk respektojnë mësuesit janë më të prirur të mos respektojnë as institucionet, as rregullat e jetës. Ka ardhur koha që mësuesit t’i rikthejmë shkëlqimin e ta ngrejmë në piedestalin që meriton.

Thënë troç, autoriteti i mësuesit duhet të jetë i pacenueshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet një mjedis edukativ i shëndetshëm. Mësuesi është ai që drejton udhën e dijes, por gjithashtu është ai që formon karakteret e të rinjve, duke i ndihmuar ata të kuptojnë rëndësinë e disiplinës, përgjegjësisë dhe respektit. Nëse i japim mësuesit autoritetin që meriton, do të jemi më afër krijimit të një shoqërie të shëndetshme, ku të rinjtë do të respektojnë rregullat dhe të ardhmen do ta shohin me shpresë.

Siç thonë edhe ekspertët e arsimit dhe ata që komentojnë dhunën në shkolla, rikthimi i autoritetit të mësuesve është çelësi për një arsim të suksesshëm. Duhet të bëjmë përpjekje për të rivendosur këtë autoritet në mënyrë që të krijojmë një mjedis që do t’i ndihmojë nxënësit të zhvillohen si individë të përgjegjshëm dhe të respektuar, për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Buxheti, pensionet dhe oligarkët

Nga Klodian Tomorri

Konsideroni vetëm dy shifra. Qeveria shqiptare mbledh mesatarisht 28 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të ardhura në buxhet, kurse në Bashkimin Europian mesatarja është rreth 42 për qind e PBB.

Por nëse krahasohen investimet raporti është i përmbysur. Shqipëria investon mbi 6 për qind të PBB-së nga të ardhurat buxhetore. Bashkimi Europian në vitin më të mirë arrin të investojë rreth 2.7 për qind. Dhe kjo nuk e tregon të gjithë historinë. Nëse llogariten dhe koncesionet, rrugët që ndërtohen nga privatët, hendeku është shumë më i madh.

Pyetja është ku i gjen Shqipëria paratë të mbajë një nivel kaq të lartë investimesh publike? Dhe përgjigja është e thjeshtë. Nga tre kategori kryesisht. Qeveria u merr paratë pensionistëve, të sëmurëve dhe nxënësve në shkolla.

Qeveria shqiptare kursen minimalisht 1 miliardë euro në vit nga mbajtja e pensioneve në nivele qesharake, 400 milionë euro nga hedhja e barrës së financimit të sëmundjeve në xhepat e qytetarëve dhe po kaq nga nënfinancimi i sistemit arsimor. Këto dy miliardë euro kompesojnë plotësisht diferencën negative të të ardhurave që Shqipëria ka me vendet e BE-së si dhe i mundësojnë qeverisë të investojë mbi 2 herë më shumë në ekonomi.

Në rrafshin teorik orientimi i buxhetit drejt investimeve janë politika më e mirë buxhetore. Investimet rrisin ekonominë, krijojnë vende pune, nxisin prodhimin dhe shtojnë produktivitetin në ekonomi. Me pak fjalë ato rrisin tortën e ekonomisë dhe ideja është pikërisht kjo. Qeveritë tregohen agresive me investime për periudha të caktuara kohore për të rritur tortën, që më pas të shpërndajnë më shumë për të gjithë. Por problemi është se në Shqipëri kjo histori vazhdon prej më shumë se 20 vitesh.

Buxheti i shtetit nuk ka asnjë ndryshim nga ai i një familje. Një familje mund të vendosë të investojë në bono, hapjen e një biznesi apo në pasuri të patundshme me idenë që të ketë një të ardhme më të mirë ekonomikisht. Por nëse paratë që ajo investon i kursen nga ndërprerja e shkollimit të fëmijëve, kequshqyerja e tyre apo mos kurimi i sëmundjeve të të moshuarve, të ardhmen e ka shkatërruar. Kjo është ajo që po ndodh në Shqipëri.

Por pse qeveria këmbëngul në këtë drejtim? A udhëhiqet mbajtja e investimeve kaq të larta duke shtrydhur të gjitha shpenzimet e tjera jetike vetëm nga qëllimi i mirë për të rritur tortën? Në fakt, ka dhe një incentivë tjetër. Pensionet nuk i vjedh dot. Ndërsa tenderat e investimeve po.

Merrni vetëm tre sektorë, që marrin tortën e madhe të investimeve. Infrastruktura, energjia dhe Teknologjia e Informacionit. Kostot e rrugëve në Shqipëri janë më të shtrenjta se në çdo vend të avancuar të planetit.

Në sektorin energjetik janë investuar mbi 8 miliardë euro, por çuditërisht vazhdojnë ende të raportohen humbje teknike në nivele dyshifrore. Ndërsa në IT, Shqipëria ka krijuar një grusht të vogël biznesmenësh, të cilat kanë norma më të larta fitimi edhe se sa Apple. AKSHI ndan mesatarisht 100 milionë euro në vit në dy apo tre duar, pjesa dërrmuese e të cilave janë kosto korruptive.

Linja e fundit është kjo. Politika buxhetore e Shqipërisë nuk është asgjë tjetër vetëm një mekanizëm rentier, i cili thith paratë nga shtresat vulnerabël të shoqërisë dhe i çon ato për të pasuruar pafundësisht një grusht nënkontraktorësh të shtetit. Këta të fundit, ndryshe njihen edhe si oligarkë. Dhe për sa kohë kjo do të vazhdojë të ndodhë, shqiptarët do të vazhdojnë të braktisin vendin në masë, ashtu siç ka ndodhur.

Ata që mundohen racionalisht të shquajnë nëse kjo është një politikë e majtë apo e djathtë nuk janë asgjë tjetër veçse naivë. Ky është thjesht një sistem i krijuar nga incentiva për të vjedhur. Kaq e thjeshtë është./Kapitali.al

Të pasurit e rinj dhe ekonomia e fodullëkut

NGA ADRI NURELLARI

Në Shqipërinë e sotme makinat luksoze bllokojnë rrugicat e ngushta me gropa, butikët e modës me çmime marramendëse gjenden pranë tezgave ku shiten këpucë dhe rroba të përdorura; ndërsa në cepat e kullave të xhamit në zemër të kryeqytetit, të moshuarit shesin fshehurazi me çanta dore zarzavate apo lule të mbledhura nga bahçet e tyre. Ky kontrast goditës mes manifestimit arrogant të pasurisë prej pakicës dhe realitetit të hidhur e të heshtur të varfërisë së shumicës nuk është vetëm një reflektim i ndryshimeve ekonomike, por një simptomë e një ekonomie të deformuar nga vaniteti dhe gara për status. Ky realitet reflekton një ndarje të thellë sociale dhe ekonomike, ku pasuria është bërë një shfaqje spektakolare e konsumit, ndërsa varfëria mbetet e fshehur pas fasadave të zhvillimit të sipërfaqshëm. I gjithë ky teatër i luksit dhe kapadaillëkut ka të bëjë me një fenomen të mirënjohur historik, që quhet sjellja e “të pasurve të rinj” (nouveaux riches). Kjo shtresë e re njerëzish (të pasuruar rishtazi, shpesh shpejt e në mënyrë të errët, të lidhur me krimin dhe korrupsionin) po e shfrytëzon pasurinë për të ndërtuar një identitet të bazuar te fodullëku dhe prestigji. Makina të mëdha me motorë të zhurmshëm që shpërfaqin pushtet, ora të shtrenjta të mbajtura si trofe, festa të shfrenuara që mbushin rrjetet sociale dhe marka ndërkombëtare, që simbolizojnë luksin janë bërë mjetet kryesore të diferencimit shoqëror, që po përdoren si pasaporta për të hyrë në një hierarki të re sociale. Ndërkohë, përballë kësaj kapardisjeje të pakicës, shumica përpiqet të mbijetojë në heshtje, duke u përjashtuar gjithnjë e më shumë nga një ekonomi që duket se funksionon për të përmbushur nevojat e garës për vanitet dhe jo të mirëqenies reale.

Fenomeni i “Nouveaux Riches” apo “New Money” nuk është unik për Shqipërinë, por pjesë e një historie më të gjerë globale gjatë epokave të ndryshimeve të vrullshme e që i ka rrënjët prej antikitetit. Në republikën e hershme romake, posti i senatorit dhe konsullit ishte i rezervuar vetëm për patricët. Kur plebenjtë e talentuar (siç qe, për shembull, Ciceroni) fituan të drejtën për të mbajtur poste të larta shtetërore, ata filluan të quheshin me përçmim novi homines, ose “njerëz të rinj.” Mirëpo, nouveau riche mori kuptimin e plotë gjatë revolucionit industrial në Francë, ku shumë individë dhe familje u pasuruan shpejt rishtazi përmes industrisë, tregtisë dhe inovacioneve teknologjike. Këta të pasur të rinj shpesh përballeshin me përbuzjen e aristokracisë tradicionale, e cila pasurinë dhe statusin shoqëror e trashëgonte nga familja. Sikurse shpjegon sociologu francez Pierre Bourdieu, për të treguar përkatësinë e tyre në shtresat elitare, nouveaux riches filluan të imitonin klasën e lartë tradicionale, duke u veshur, sjellë dhe konsumuar njësoj si ata. Megjithatë, këto përpjekje, në shumicën e rasteve, nuk ishin plotësisht të suksesshme dhe stononin keq me aristokracinë origjinale, duke u bërë shkak për një tjetër term goxha të përhapur: termin “snob.” Fjala “snob” mendohet se e ka origjinën nga latinishtja sine nobilitate ose frëngjishtja sans noblesse, që do të thotë “pa fisnikëri” dhe u përdor për të përshkruar pikërisht ata individë që nuk ishin pjesë e aristokracisë apo fisnikërisë, por që me sforco imitonin sjelljet dhe zakonet e klasave të larta për të fituar autoritet dhe pranim shoqëror.

Mirëpo, rishpërthimi i këtij fenomeni në rrafsh global ndodhi pas rënies së komunizmit në vende si ish-Bashkimi Sovjetik, Evropa Lindore apo Kina, ku kalimi nga një ekonomi e centralizuar shtetërore në një treg të lirë privat hapi rrugën për krijimin e një klase të re të pasurish. Ky segment i shoqërive post-komuniste ku bën pjesë edhe Shqipëria, akumuloi pasuri me shpejtësi përmes privatizimeve dhe tregtisë, por shpesh edhe përmes praktikave të dyshimta si korrupsioni, kontrabanda, krimi, trafiqet apo spekulimet financiare. Kapardisja e të pasurve të rinj nëpërmjet luksit nuk ishte vetëm një reagim ndaj varfërisë ë periudhës komuniste, por edhe një përpjekje për të krijuar një identitet të ri në një shoqëri në tranzicion. Pikërisht, shfaqja publike prepotente e pasurisë është ajo që dallon të pasurit e rinj aktualë të Shqipërisë dhe Lindjes në përgjithësi prej traditave të mëparshme të lindjes së kapitalizmit në Perëndimin protestant. Siç e përshkruan Max Weber në veprën e tij “Etika Protestante dhe Shpirti i Kapitalizmit”, tradita protestante (veçanërisht ajo e kalvinistëve, metodistëve, kuakerëve dhe presbiterianëve) inkurajonte një mënyrë jetese të përmbajtur e të përulur, ku pasuria duhej të ishte një dëshmi e punës së ndershme dhe jo një mjet për demonstrime publike. Pasuria, sipas kësaj etike, duhej të rikonfirmonte përkushtimin shpirtëror dhe t’i shërbente një qëllimi më të lartë moral, duke u mbajtur e fshehur dhe duke mos u përdorur për konsum të dukshëm apo luks të tepruar.

Për t’u kthyer tek “të pasurit e rinj” shqiptarë, një element kyç në kërkimin e dëshpëruar për nam është dëshmia e një prejardhjeje dinjitoze fisnore, një linje trashëgimie të lavdishme, duke zhbiruar te gjenealogjitë të sojit e sorollopit. Për ata që e kanë të pamundur të pretendojnë ose sajojnë origjinë familjare fisnike ose paraardhës të shquar, ekziston gjithmonë mundësia për t’u asociuar nëpërmjet kopjimit të stilit aristokratik të jetesës. Forma tipike e kësaj përpjekjeje është imitimi i modeleve të njohura arkitekturore të aristokracisë, gjë që shpjegon maninë për të ndërtuar ngrehina si kështjella mesjetare në çdo cep të Shqipërisë ose vilat neoklasike kitsch në rezidencat elitare vërdallë TEG ut. Në pamje të parë mund të thuhet që nuk është ndonjë dramë e madhe për ekonominë kapitaliste, ku njerëzit janë të lirë të shpenzojnë si të kenë qejf paratë e tyre.

Megjithatë, përtej kësaj logjike të thjeshtë, fshihen sfida të ndërlikuara që godasin në themel parimet bazë të mendimit liberal klasik dhe të funksionimit të tregut të lirë. Ekonomia liberale klasike, e mbështetur në parimet e lirisë individuale, zgjedhjes racionale dhe efikasitetit të tregut, hamendëson që individët, duke vepruar në interesin e tyre, do të çojnë njëherazi në rezultate pozitive për të gjithë shoqërinë. Megjithatë, ngritja e një kulture konsumatore të drejtuar nga fodullëku i sfidon këto parime bazë. Kur zengjinë e rinj bëjnë shpenzime joracionale në mallra luksi, jo për nevojë apo mirëqenie të vërtetë, por për t’u afirmuar në hierarkinë sociale, ata faktikisht ulin efikasitetin e përgjithshëm ekonomik të vendit. Shpenzimet për luks nuk përkthehen në zhvillim teknologjik ose industrial, duke lënë ekonominë shqiptare të mbështetur kryesisht në sektorë me vlerë të ulët, si ndërtimi i pasurive të paluajtshme dhe turizmi masiv, në vend të inovacionit dhe industrisë prodhuese. Faktikisht, mendimi liberal klasik mbështetet te individët si aktorë racionalë që ndjekin përfitimet reale, ndërsa konsumatorët dhe bizneset në një ekonomi vaniteti shpërdorojnë burimet në pasuri të dukshme (si vila luksoze, makina të shtrenjta ose marka prestigjioze) për të rritur e ruajtur imazhin e tyre publik, në vend që të investojnë në asete produktive.

Prandaj, ky fokus tek dënglat, dukja dhe prestigji, dëmton alokimin efikas të burimeve duke larguar fokusin nga performanca dhe vlera reale dhe duke çuar burimet drejt aseteve joproduktive. Këtë gjë e dëshmon më së miri varrosja e kapitalit te betoni i vilave luksoze dhe kullave rezidenciale (me çmime që garojnë me Skandinavinë), të cilat nuk përkojnë me nevojat reale të tregut të strehimit, duke lënë pas një stok të madh të pasurive të paluajtshme bosh. Gjithashtu, një ndër pikat më të forta të ekonomisë së tregut është presioni që vjen ndaj bizneseve për të investuar në produktivitet apo teknologji, në mënyrë që t’i tërheqin konsumatorët me produkte më të lira apo më inovative. Mirëpo, në kushtet kur individët konsumojnë jo thjesht për nevoja praktike, por për të shprehur identitetin e tyre dhe për të demonstruar pozitën shoqërore, edhe bizneset i përshtaten kësaj kërkese dhe nuk merren fare me cilësinë, çmimin apo risitë e produkteve.

Në vend të këtyre të fundit, ato merren kryesisht me PR dhe marketing, në mënyrë që të krijojnë produkte ekskluzive dhe të dëshirueshme, të cilat ndihmojnë në forcimin e imazhit personal e nuk janë domosdoshmërish funksionale apo të dobishme. Kur PR-i dhe marketingu zëvendësojnë inovacionin dhe produktivitetin, ekonomia shqiptare rrezikon të mbetet peng i perceptimeve të rreme, duke humbur mundësinë për të gjeneruar rritje reale, zhvillim teknologjik dhe një të ardhme të qëndrueshme. Për më tepër, në përpjekjen për të ndjekur standardet e një jete luksoze, shumë individë hyjnë në borxhe për të përballuar shërbime e mallra luksoze që simbolizojnë statusin. Në ekonominë kapitaliste, borxhi shihet si një mjet i dobishëm ekonomik për të financuar rritjen dhe inovacionin, por në kontekstin e ekonomisë së vanitetit, borxhi shpesh bëhet një mekanizëm për të financuar dukjen dhe jo nevojat reale. Për më tepër, nevoja e njerëzve për të blerë produkte të shtrenjta për t’u konfirmuar me normat sociale mund t’i shtyjë shumë prej tyre që të zhyten në veprimtari kriminale apo korruptive, si të vetmet shtigje që sigurojnë para të bollshme për të mbajtur një standard elitar jete. Njëherazi, konsumizmi i orientuar nga vaniteti ka implikime serioze edhe për shoqërinë, duke thelluar ndarjet sociale dhe duke nxitur një garë të vazhdueshme për dominim e afirmim nëpërmjet sendeve që zotërohen. Në një ekonomi të tillë, suksesi dhe reputacioni shpesh varet nga aftësia për të shpenzuar për dukje, jo nga puna, talenti, aftësitë ose kontributet reale, duke rrënuar besimin se suksesi bazohet në meritokraci.

Ata që nuk mund të përballojnë produkte luksoze ose që zgjedhin alternativa më modeste shpesh përballen me përbuzje apo stigmatizim social. Për pasojë, mburrja me mallra luksoze sipërfaqësore jo vetëm ndikon negativisht në kohezionin e përgjithshëm të shoqërisë, por edhe deformon mënyrën se si shoqëria percepton suksesin dhe identitetin apo shanset për të marrë pjesë në zhvillimin ekonomik. Në përfundim, fenomeni i “të zengjinëve të rinj” në Shqipëri dhe përpjekjet e tyre për të arritur status elitar, të bazuar mbi shitmendjen, reflekton një sfidë të thellë për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare. Kjo garë për konfirmim të pozitës, e nxitur nga konsumizmi i tepruar i mallrave të luksit dhe demonstrimi i pasurisë në mënyrë të papërshtatshme, ka krijuar një shoqëri të thellësisht të ndarë, ku një pakicë e vogël përjeton luksin, ndërsa shumica përballet me një realitet të ashpër ekonomik dhe po detyrohet të braktisë vendin. Duke kanalizuar burime në shpenzime joproduktive dhe duke i dhënë përparësi kapardisjes përkundrejt vlerave reale, rrezikojmë të mbetemi peng i një modeli që pengon zhvillimin e qëndrueshëm. Një ekonomi që i jep përparësi konsumit për mendjemadhësi dhe jo inovacionit apo ndershmërisë, thellon ndarjet sociale dhe krijon një mentalitet të degraduar, ku vlerat e meritokracisë zëvendësohen nga fasadat e rreme. Vetëm duke rikthyer fokusin te vlerat reale, si puna, ndershmëria, inovacioni dhe investimet produktive, mund të ndërtojmë një shoqëri ku ekonomia të ketë rritje të qëndrueshme e të gjithë pjesëtarët të kenë shanse të barabarta për të përfituar prej saj.

Pse (nuk) mund të mbyllet TikTok?

Nga Lutfi Dervishi

Si mund të vdesë njeriu nga makina?!! Skandal? Çfarë është kjo monster që vret njerëz. Me kuajt ishim rehat.

Makinat nuk u ndaluan, por u investua shumë në infrastrukture, në sinjakistikë, në rregullore, në masat e sigurise.

Makina vazhdon të marrë jetë njerezish edhe sot, por askujt nuk i shkon në mendje të nxjerrë makinën nga rruga.

Debati i hapur sot nga kryeministri për të mbyllur tik tok dhe snap chat per shkak se nxisin bulizmin, gjuhën e urrejtjes ka vlerë vetëm nëse nxirren mësime nga pësimet dhe nuk shkojmë në zgjidhje alla Adhamudh.

Sot teknologjia nuk është thjesht një mjet; është një pjesë integrale e jetës sonë. Nuk divorcohemi dot nga jeta digjitale. TikTok, Snapchat dhe platformat e tjera sociale nuk janë burimi i problemit – ato janë mjete, ashtu si makina, që përdornim dje dhe që përdorim edhe sot. Problemi nuk qëndron tek TikTok dhe platformat e tjera, por tek mënyra si ne i përdorim dhe si i menaxhojmë efektet e tyre në shoqëri.

Nëse mbyllim Tiktok dhe snapchat, a jemi të sigurtë se në platforma të tjera nuk ka bullizëm, gjuhë urrejtje, veprime të paligjshme?!

Në vend që të mbyllim këto platforma, duhet të investojmë në “infrastrukturën” sociale.

Në anarkinë e botës digjitale që po jetojmë zgjidhja duhet kërkuar te edukimi dhe jo ndalimi.

Një përdorues i mirëinformuar fiton dhe nuk humbet nga rrjetet sociale.

Në vend që t’i shmangemi teknologjisë, duhet të edukojmë fëmijët dhe të rinjtë se si ta përdorin në dobi të tyre atë.
Kurrikulat shkollore duhet të kenë lëndë mbi etikën e përdorimit të mediave sociale dhe njohuri mbi privatësinë, bulizmin dixhital dhe ndikimin emocional që nesër mund të vijë jo vetëm nga përdoruesit njerëzit, por edhe nga botet dhe Inteligjenca Artificiale.

Ashtu si sinjalistika rrugore rregulloi trafikun, ligjet duhet të rregullojnë përdorimin e teknologjisë.

Mund të vendosen kufizime për algoritmet që promovojnë përmbajtje të dëmshme ose të përcaktohen mekanizma më të fortë për raportimin e bulizmit dhe gjuhës së urrejtjes.

Mund të investohet më shumë për të luftuar krimin kibernetik për t’ia ngulur në mendje “trimit” dhe “anonimit” se në rrjet “nuk është aq i padukshëm dhe i pakapshëm sa mendon”

Ashtu si fëmijët nuk lejohen të ngasin makinën pa një licencë, edhe qasja e tyre në teknologji mund dhe duhet të jetë e mbikëqyrur. Prindërit dhe mësuesit kanë një rol për të luajtur në mësimin e vetëkontrollit dhe përdorimit të vlefshëm dhe etik të teknologjisë.

Ashtu si makinat kanë evoluar me rripa sigurie, airbagë dhe sensorë që shmangin aksidentet, edhe platformat dixhitale mund të zhvillojnë teknologji që minimizojnë rreziqet.

Algoritmet duhet të programohen për të favorizuar përmbajtje pozitive, ndërsa përdoruesit duhet të kenë informacionin e duhur se si të dalin nga një mjedis toksik on line.

Në vend që të demonizojmë dhe të mbyllim një platformë, le të hapim debatin mbi efektet që ka teknologjia mënyrat më të mira për ta përdorur atë. Të mbyllim hapësirën virtuale apo të flasim për një mjedis dixhital të shëndetshëm?

Mbyllja nuk është zgjidhje!

Ashtu si nuk ndaluam makinat, nuk mund të ndalojmë rrjedhën e teknologjisë. Aq më tepër që me Inteligjencën Artficiale nuk jemi para një rrjedhe, por një dallge të madhe.

Çdo përpjekje për të mbyllur platformat dixhitale është një luftë kundër erërave të kohës. Nëse te mbyllja kërkojmë zgjidhjen kemi injoruar rrënjët e problemit.

Në fund të fundit, platforma si TikTok nuk janë “monstra” që duhet të eliminohen, por “makina të reja” që kërkojnë rregullore, edukim dhe përgjegjësi.

Në vend që të bëjmë luftë me teknologjinë, le të investojmë të mësojmë si të bashkëjetojmë me të.

Nëse duhet të shpallim luftë, para se të ç’armatosim duart, duhet të ç’armatosim mendjen, zemrën, dhe gjuhën. A e bëjmë dot këtë?

Çështjet ligjore ndaj Presidentit të zgjedhur Donald Trump, hyjnë në terren të panjohur

Në maj, ish-presidenti Donald Trump u shpall fajtor për 34 akuza lidhur me falsifikimin e të dhënave të biznesit për të mos lejuar bërjen publike të informacioneve që mund të dëmtonin shanset e tij në zgjedhjet e vitit 2016. Shpallja e dënimit u shty deri pas zgjedhjeve, por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Tina Trinh, tani që ai është president i zgjedhur, ajo që ndodh më pas është më pak e qartë.

 

A do të dënohet Presidenti i zgjedhur Donald Trump për krimet e tij? Është një pyetje që mbetet pa përgjigje ndërsa gjykatësi në Nju Jork, Juan Merchan, konsideron rrethanat e jashtëzakonshme kur një ish-president amerikan, i shpallur fajtor për vepra penale, është gjithashtu edhe presidenti i ardhshëm.

Në maj, zoti Trump u shpall fajtor për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit për të fshehur pagesat ndaj ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, për të parandaluar bërjen publike të një skandali seksual përpara zgjedhjeve të vitit 2016. Dhënia e dënimit për të është shtyrë disa herë dhe fitorja e tij në zgjedhje në fillim të këtij muaji krijon paqartësi të mëtejshme mbi procedurat ligjore.

“Thelbi është të zbulohet se ç’do të ndodhë me dënimin për zotin Trump: A do të jepet përpara se ai të marrë detyrën, pasi të marrë detyrën, apo nëse çështja e tij do të mbyllet tërësisht”, thotë Prof. Anna Cominsky e Universitetit Juridik të Nju Jorkut.

Ekipi mbrojtës i zotit Trump argumenton se një vendim historik i Gjykatës së Lartë në korrik i jep atij imunitet presidencial dhe se çështja duhet të pushohet tërësisht.

Por Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, po argumenton se juria arriti në një vendim fajësie përpara vendimit të Gjykatës së Lartë dhe se zoti Trump nuk ishte president në atë kohë. Në një letër drejtuar gjykatësit, ai shkruan se prokurorët do të kundërshtojnë përpjekjet për të pushuar çështjen, por se janë të hapur për shtyrjen e dënimit deri pas mandatit të zotit Trump.

“Nëse Juan Merchan e pranon sugjerimin e prokurorëve si një mundësi, atëherë ai do të angazhohej në atë që mund të quhet një shtyrje të arsyeshme e procedurës në dritën e rrethanave të jashtëzakonshme pasi i pandehuri u zgjodh president dhe çështja do të shtyhet deri në vitin 2029, pasi Donald Trump të largohet nga presidenca”, thotë Prof. Claire Finkelstein e Universitetit të Pensilvanisë.

Çështja e dhënies së parave në këmbim të heshtjes nuk është e vetmja me të cilën përballet presidenti i zgjedhur. Sipas njoftimeve, dy çështje federale të ngritura nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith, njëra për marrjen e dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago dhe tjetra për ndërhyrje në zgjedhje, janë drejt mbylljes në përputhje me një praktikë të Departamentit të Drejtësisë, sipas së cilës presidentët në detyrë nuk mund të akuzohen për vepra penale Megjithatë, një çështje për ndërhyrje në zgjedhje në shtetin e Xhorxhias, nuk bie nën juridiksionin federal.

“Teknikisht, shteti i Xhorxhias është i lirë të vazhdojë pa pengesa nga politika e Departamentit të Drejtësisë. Por praktikisht a do të munden ata të vazhdojnë me çështjen dhe të kenë shpresa tek bashkëpunimi i Donald Trump-it, që në fakt do të thoshte bashkëpunim i Shtëpisë së Bardhë për të vazhduar me gjyqin, ndërsa i pandehuri është president i Shteteve të Bashkuara?”, ngre pyetjen Prof. Finkelstein.

Rrethana të pashembullta kanë krijuar një terren të panjohur ligjor..VOA/

Me shtrëngimin e kufijve, shtohet dhuna në rrugën e emigrantëve nëpër Ballkan

Në një mëngjes të kthjellët pranvere në maj, një patrullë policie në veriun e Shqipërisë u dërgua në një shpat mali pranë fshatit Morinë, jo shumë larg kufirit me Kosovën, për të hetuar një raportim për aktivitet të dyshimtë. Një grup burrash ishin parë duke pushuar nën hijen e një peme, në një zonë të përshkuar nga trafikantë qeniesh njerëzore.

Ajo që nisi si një kontroll rutinë u përshkallëzua shpejt në një përplasje me armë zjarri, megjithatë, duke lënë të plagosur një oficer dhe një civil.

Përleshja nuk ishte fatale, por arrestimet në të cilat ajo çoi – pesë sirianë dhe një algjerian – hapën një dritare në një operacion trafikimi qeniesh njerëzore që shtrihej nga Turqia në Evropën Perëndimore, duke kaluar nëpër Ballkan.

Kjo është një rrugë që është bërë gjithnjë e më e dhunshme, paralelisht me masat gjithnjë e më të ashpra të përdorura nga Bashkimi Evropian – dhe vendet e Ballkanit që aspirojnë të bashkohen me bllokun – për të frenuar fluksin e refugjatëve dhe emigrantëve.

Ekspertët në terren thonë se masa të tilla po i çojnë azilkërkuesit e dëshpëruar në duart e trafikantëve që vënë fitimet në radhë të parë dhe nuk hezitojnë ta mbrojnë terrenin e tyre me armë. Incidentet e dhunshme si ai i parë në shpatin e malit pranë Morinës po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.

“Vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë, gjatë dy muajve të fundit, janë regjistruar më shumë se pesë përleshje të dhunshme, duke përfshirë armë zjarri dhe thika”, tha Anesa Agovic, Koordinatore në terren për Bosnjën dhe Hercegovinën në Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, GI-TOC.

“Është raportuar gjithashtu bashkëpunim mes grupeve kriminale lokale dhe rrjeteve të trafikimit të emigrantëve. Duke pasur parasysh shumat e mëdha të parave të përfshira, kanë lindur konflikte mes emigrantëve të përfshirë në trafikim.”

Trafikimi i emigrantëve është një formë e krimit të organizuar që është rritur vitet e fundit në një kuadër global, si dhe në Ballkan”, tha Agovic për BIRN, duke folur në anglisht.

Eksperti i sigurisë Redion Qirjazi tha se Shqipëria ka qenë një rrugë “e suksesshme” për emigrantët “për sa kohë që ata mund të kalonin tranzit pa shumë probleme”.

“Megjithatë, me rritjen e rrezikut për t’u zbuluar, emigrantët janë bërë më të organizuar”, tha ai, “shpesh duke bashkëpunuar me strukturat kriminale për të siguruar një kalim më të sigurt dhe më të shpejtë drejt BE-së.”

“Duhet t’i heqim qafe”

Emigrantë sirianë të shoqëruar nga policia shqiptare nga Gjykata e Rrethit Kukës në maj. Foto: Bashkim Shala.

Sipas Frontex, forca kufitare e BE-së, 99,000 “emigrantë të paligjshëm” përdorën rrugën ballkanike për të arritur në bllok vitin e kaluar. Kjo është një rënie prej 31 për qind në krahasim me shifrat e vitit 2022. Këtë vit, numri ka rënë edhe më tej, në afro 19,000 deri më tani, duke shënuar rënien më të ndjeshme të numrit të të gjitha rrugëve kryesore të migracionit të përdorura për të arritur në BE.

Një pjesë e rënies është rezultat i masave shtesë të kontrollit dhe mbikëqyrjes kufitare në Bullgari, me ndihmën e Komisionit Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së. Vitin e kaluar, Bullgaria mori 69.5 milionë euro sipas një skeme pilot për të parandaluar “ardhjet e parregullta” dhe për të forcuar “menaxhimin e kufirit dhe migracionit”.

Frontex ka rritur gjithashtu praninë e saj në Bullgari, e cila kufizohet me Turqinë, me oficerë që marrin pjesë në patrullimet e përbashkëta me rojet kufitare bullgare në xhipa dhe furgona të gjithë terrenit të pajisur me teknologji të kontrollit termik. Frontex ka gjithashtu oficerë në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, të dyja kufizohen me Greqinë.

BE-ja gjithashtu ka shkurtuar fondet për organizatat humanitare në Ballkanin Perëndimor, gjë që ka rezultuar në më pak monitorim të flukseve migratore, ndërsa dhuna e ushtruar nga forcat kufitare kombëtare, duke përfshirë “kthimet e paligjshme pas”, i ka shtyrë refugjatët dhe emigrantët të kërkojnë rrugë më pak të dukshme të kontrolluara nga rrjete trafikimi. Në fakt, të dhënat zyrtare mund të mos pasqyrojnë me saktësi situatën në terren.

Ndërsa autoritetet thonë se po ia dalin, ekspertët dhe aktivistët në terren thonë se janë trafikantët ata që po përfitojnë, pasi kërkesa më e lartë përkthehet në fitime më të mëdha.

“Presioni i BE-së mbi vendet e Ballkanit, dhe më parë ndaj Turqisë, për të mbyllur kufijtë me çdo kusht, nuk i pengon refugjatët që të përpiqen ende”, tha Vuk Vuckovic nga Klikaktiv, një organizatë jofitimprurëse për të drejtat e njeriut në Beograd.

“Përkundrazi”, tha ai, “kjo vetëm i shtyn ata në duart e grupeve të trafikimit të emigrantëve, rrjetet e të cilëve po bëhen gjithnjë e më të organizuara dhe agresive ndaj refugjatëve”.

Gjashtë të dyshuarit e arrestuar në veri të Shqipërisë në maj i përkisnin dy bandave rivale të përfshira në trafikimin e emigrantëve dhe refugjatëve përmes tokës nga kufijtë e Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë në Kosovë, duke përdorur shoferë vendas.

Sipas një aktakuze kundër tyre, të siguruar nga BIRN, bandat ishin rivale, por efektivisht vepronin nën të njëjtin grup ombrellë që kalonte emigrantët dhe refugjatët në të gjithë kontinentin.

“Udhëheqësit e këtij grupi kriminal janë persona të paidentifikuar që janë përgjegjës për koordinimin e shpërndarjes së parave sipas shërbimeve të ofruara nga grupet kriminale; personi përgjegjës për transportin dhe furnizimin me ushqime për grupet dhe personi që gjen dhe siguron emigrantët”, shkruan prokurorët shqiptarë në aktakuzë.

Anëtarët e bandës komunikonin kryesisht përmes aplikacioneve të mesazheve, ndërsa pagesat bëheshin me para elektronike nëpërmjet platformave të tilla si Moneybox. Ata merrnin porosi dhe udhëzime nga jashtë nëpërmjet mesazheve zanore.

“Këto dy grupe organizojnë operacione… për emigrantët që hyjnë në territorin shqiptar nga Greqia apo Maqedonia e Veriut”, thuhet në aktakuzë. “Udhëtimi i emigrantëve përtej Serbisë e më tej organizohet nga grupe të tjera sipas udhëzimeve të drejtuesve të grupit më të madh kriminal.”

Megjithatë, rivaliteti mes bandave që vepronin në Shqipëri shpërtheu në një konflikt të hapur përpara incidentit të majit, kur drejtuesi i një grupi, i identifikuar nga prokurorët si “shefi Abu Serda”, dyshohet se i dërgoi një armë dhe 20 plumba një ushtari dhe dha ​​një urdhër.

“Ke ardhur për punë; ata të ,orën punën, s’po bën asgjë”, shkroi ai në një mesazh të gjetur nga hetuesit. “Duhet t’i heqim qafe, kështu që shko t’i kapësh nesër dhe më informo.”

Në fshehtësi dhe larg syve

Fotografi të publikuara nga policia shqiptare pas arrestimeve të trafikantëve të dyshuar të emigrantëve në maj. Fotot: Policia Shqiptare.

Në kufi me vendet anëtare të BE-së, Kroacinë dhe Hungarinë, të dyja pjesë e zonës Shengen të Evropës, Serbia është një vend vendimtar tranzit në rrugën ballkanike që përdoret nga një pjesë e madhe e emigrantëve dhe refugjatëve nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia që përpiqen të arrijnë Evropën Perëndimore.

Të motivuara nga fitimet masive, bandat e trafikimit të emigrantëve kanë shënjuar secila territoret e veta në Serbinë veriore, veçanërisht zonën afër kufirit hungarez.

Lufta për territor dhe fitimet që vijnë me të u bënë gjithnjë e më e dhunshme në 2022 dhe 2023, veçanërisht midis trafikantëve afganë, derisa shteti u detyrua të vepronte, duke vendosur 800 policë shtesë, helikopterë, automjete luftarake, dronë dhe pajisje të tjera.

Goditja i ka bërë emigrantët dhe refugjatët të operojnë në fshehtësi, por dhuna vazhdon, duke përfshirë një mori rrëmbimesh edhe në kryeqytetin, Beograd.

Në një video të siguruar nga BIRN nga dy burime të pavarura, një grup emigrantësh mund të shihen të gjunjëzuar në një dhomë dhe teksa po rrihen nga një grup burrash – të identifikuar nga burimet si trafikantë – dhe teksa kërcënohen me thika dhe armë. Burimet thanë se emigrantët ishin pakistanezë dhe se ata ishin mbajtur në Mirijevo, një periferi e Beogradit.

Një nga burimet, një aktivist i OJQ-së që merret me refugjatë dhe që foli në kushte anonimiteti, tha për BIRN: “Raportimin e morëm nga një refugjat. Për rastin kemi njoftuar policinë. Kjo është gjithnjë e më e shpeshtë.”

Vuckovic nga Klikaktiv tha se goditja e policisë thjesht i kishte bërë edhe më të largëta operacionet e trafikimit, duke rritur rreziqet e përfshira për emigrantët dhe refugjatët.

“Më e rëndësishmja, refugjatët po bëhen gjithnjë e më pak të dukshëm për aktorët përkatës, nga institucionet shtetërore e deri te sektori joqeveritar, sepse një pjesë e madhe e rrjeteve të trafikimit e transferuan plotësisht operacionin e tyre në akomodime private, gjë që në fakt e bën më të vështirë pozicionin e refugjatëve”, tha Vuckovic për BIRN.

Ata e gjejnë veten, tha ai, “në një mjedis edhe më të pasigurt ku mund të bëhen viktima të dhunës apo rrëmbimit edhe më lehtë”.

Thika, armë, rrëmbime dhe tortura

Vrima plumbash në një tabelë në Velika Kladusa afër kufirit të Bosnjës me Kroacinë. Foto: Tommaso Siviero/BIRN.

Në veçanti gjatë vitit të kaluar, Bosnja ka qenë dëshmitare e një sërë incidentesh të dhunshme dhe shpesh fatale që përfshijnë trafikantë dhe emigrantë.

Së fundmi, në fillim të shtatorit, një emigrant i ri u qëllua për vdekje në mes të ditës në Stup, një periferi e kryeqytetit, Sarajevë. Mediat raportojnë se u bënë disa arrestime.

“Ata pritën që ai të merrte ca para. E vranë për 100 euro të qelbura, teorikisht”, tha për BIRN një trafikant pakistanez i njohur me rastin në kushte anonimiteti.

Ditën e fundit të vitit 2023, një afgan u gjet i plagosur rëndë pranë një qendre pritjeje në Lipa, pranë kufirit kroat, dhe më pas ai vdiq në spital. Tre javë më vonë, një 18-vjeçar afgan u arrestua në lidhje me këtë rast.

Rreth të njëjtës kohë, gjithashtu në Lipa, një emigrant sirian u godit për vdekje me thikë dhe një tjetër u plagos, ndërsa në maj një emigrant mori plagë me armë zjarri në Sarajevë.

Gjatë bastisjeve të policisë në kampet e emigrantëve gjenden rregullisht armë zjarri dhe armë të tjera, ndërkohë që ka raportime të rregullta në media për rrëmbime, zhvatje dhe tortura të emigrantëve dhe refugjatëve.

Një varg arrestimesh tregojnë se sa larg kanë arritur bandat kriminale.

Në tetor, pesë persona u kapën në Bosanski Brod, në kufirin verior të Bosnjës me Kroacinë, me dyshimin se punonin për një grup të organizuar kriminal përgjegjës për trafikimin në Kroaci të rreth 100 personave me origjinë turke, siriane, irakiane dhe kineze.

Në janar të vitit 2024, katër shtetas afganë u arrestuan dhe u akuzuan për rrëmbim dhe torturim të tre iranianëve, të cilët u liruan vetëm pasi familjet e tyre paguanin gjithsej 18,000 euro si shpërblim.

Prokurorët mësuan se afganët i përkisnin një bande të armatosur trafikimi të njohur si BËK që operon në Bihac dhe Velika Kladusa në Bosnjën veriperëndimore. Një tjetër anëtar i dyshuar i BËK, i identifikuar si shtetasi afgan 19-vjeçar Abdurahman Tahn, u arrestua në mesin e vitit 2024./ BIRN

Regjistruan rreth 13.000 m2 tokë pa asnjë dokument ligjor në Lalëz, detaje nga arrestimi i ish-drejtuesit të Kadastrës! Kush janë 3 personat e tjerë të shpallur në kërkim!

Prokuroria ka dhënë detaje nga arrestimi i ish-drejtuesit të Kadastrës në Durrës, Ardian Kona, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

 

Sipas organit të akuzës, Ardian Kona në bashkëpunim me dy punonjës të Kadastrës dhe kanë regjistruan rreth 13.000m2 tokë pa asnjë dokument ligjor në Lalëz në favor të shtetases Arta Demiraj.

Pas lëshimit të urdhërarresteve, u vendos në pranga ish-drejtuesi i Kadastrës. Ndërsa janë shpallur në kërkim:

Bledar Zerba me detyrë jurist në ASHK Durrës;

Leandro Dervishi me detyrë hartograf në ASHK Durrës

Arta Demiraj, përfituese.

Nga hetimi ka rezutuar se 44-vjeçarja, banuese në Tiranë, në bashkëpunim me tre punonjësit e ASHK-së Durrës kanë regjistruar pasurinë e llojit arë me sipërfaqë 12.900 m2 pa asnjë dokument ligjor, pasuri kjo e ndodhur në Lalëz Durrës, e cila më parë ka qenë pasuri me status “shtet”.

“Kjo pasuri u regjistrua në kundërshtim  Ligjin nr.9948, datë 07.07.2008 “Për vlefshmërinë ligjore të titujve të pronësisë”, i ndryshuar” pasi u regjistrua bazuar në një vendim gjykate i cili detyronte komunën për pajisjen me AMTP. Nga hetimet rezultoi se për këtë pasuri nuk është lëshuar asnjëherë AMTP nga institucionet përkatëse, si dhe nuk ka asnjë dokumentacion apo aplikim në ASHK në lidhje me këtë pasuri”, njofton organi i akuzës.

Gjykata e Durrësit për këtë pasuri ka vendosur ‘Sekuestro preventive”, të kësaj toke.

 

 

Njoftimi i Prokurorisë Durrës:

Regjistruan rreth 13.000m2 tokë pa asnjë dokument ligjor në Lalëz, Prokuroria e Durrësit kërkon arrestimin e 3 zyrtarëve të ASHK dhe përfitueses

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kërkoi vendosjen e masën e sigurimit “arrest në burg” për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’ kryer në bashkëpunim për katër shtetas:

A.K. ish-kryeregjistrues ASHK Durrës;

B.Z  me detyrë jurist në ASHK Durrës;

L.D  me detyrë hartograf në ASHK Durrës; dhe

A.D përfituese.

Në zbatim të këtij vendimi, u bërë i mundur arrestimi i shtetasit A. K. Ndërsa u shpallën në kërkim 3 shtetasit e tjerë, pasi ndaj tyre u vendos masa e sigurisë “Arrest me burg” si persona të dyshuar për kryerjen e vepres penale “Shpërdorimi i detyres” në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal dhe Fallsifikimi i dokumentave” parashikuar nga neni 186/2 i kodit penal për shtetasen A.D.

Nga hetimi në kuadër të procedimit penal nr.670 i vitit 2024, rezultoi se shtetasja A.D., në bashkëpunim me punonjësit e ASHK-së Durrës, shtetasit A.K., B.Z. dhe L.D., kanë regjistruar pasurinë e llojit arë me sipërfaqë 12.900 m2 pa asnjë dokument ligjor, pasuri kjo e ndodhur në Lalëz Durrës, e cila më parë ka qenë pasuri me status “shtet”.

Kjo pasuri u regjistrua në kundërshtim  Ligjin nr.9948, datë 07.07.2008 “Për vlefshmërinë ligjore të titujve të pronësisë”, i ndryshuar” pasi u regjistrua bazuar në një vendim gjykate i cili detyronte komunën për pajisjen me AMTP. Nga hetimet rezultoi se për këtë pasuri nuk është lëshuar asnjëherë AMTP nga institucionet përkatëse, si dhe nuk ka asnjë dokumentacion apo aplikim në ASHK në lidhje me këtë pasuri.

Me vendimin nr.488 datë 28.07.2024, nga Gjykata e Shkallë së Parë të Juridiksinit të Përgjithshëm Durrës për këtë pasuri ka vendosur ‘Sekuestro preventive”, të kësaj toke.