31.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

Rusia paralajmëron SHBA që të mos ndërhyjnë në zgjedhjet presidenciale

SHBA janë të shqetësuara për vendimin për ta ndaluar liderin e opozitës Aleksej Navalny që të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale. Ministria e Jashtme ruse foli për “ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin elektoral”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i hodhi poshtë të mërkurën kritikat e SHBA për ndalimin e liderit opozitar Aleksej Navalnij që të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale. Ajo tha se ato përbëjnë “ndërhyrje në zgjedhjet ruse”. “Kjo deklaratë e Departamentit Amerikan të Shtetit, për të cilën jam e sigurtë që nuk do të jetë e vetmja, është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor dhe në punët e brendshme të shtetit”, tha Zakharova në komentin e saj të shpëndarë nga agjencia shtetërore e lajmeve, TASS.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë pati shprehur shqetësim për “kufizimin e zërave të pavarur” në përgjigje të vendimit të Komisionit kryesor Zgjedhor në Rusi për ta ndaluar formalisht Navalnin që të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018. “Gjëja më zbavitëse për këtë është se kjo deklaratë është bërë nga të njëjtët persona që u vënë etiketën e agjentit të huaj mediave “Russia Today” dhe “Sputnik”, që persekutojnë mediat ruse në të gjithë botën dhe që investojnë shuma të mëdha parash në “kundërvënien e propagandës ruse”, tha Zakharova.
Në kuadër të fitores së papritur në zgjedhje të Presidentit të SHBA, Donald Trump vitin e kaluar, komuniteti i shërbimeve të fshehta në SHBA tha se, Rusia ka ndërhyrë në zgjedhje për të mbështetur kandidatin që preferonte. Në SHBA janë hapur disa hetime në lidhje me ndërhyrjen në zgjedhje, duke përfshirë edhe një hetim që ka si objekt marrëveshje midis administratës Trump dhe Moskës.

“Tmerrësisht i frikësuar”
Si reagim ndaj ndalimit për të marrë pjesë në zgjedhje, Navalny u bëri thirrje mbështetësve të tij që t’i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale. Presidenti Vladimir Putin është “tmerrësisht i frikësuar dhe ka frikë të konkurrojë përballë meje”, tha Navalny. Të martën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se “thirrjet e Navalnyt për t’i bojkotuar zgjedhjet duhet të studiohen me kujdes për të parë nëse përbëjnë shkelje ligjore”.
Formalisht, Navalnyn e kanë ndaluar të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të dënimeve penale, gjë që shihet si kundërpërgjigje për fushatat e tij antikorrupsion. Grupe të të drejtave të njeriut kanë paralajmëruar që vendimi i Komisionit Elektoral për të ndaluar pjesëmarrjen në procesin demokratik të Navalnyt mund të jetë pjesë e një shtypjeje në plan të gjerë të disidentëve në Rusi.

“Motive politike”
Të martën, BE shprehu shqetësim për transparencën e zgjedhjeve të ardhshme. Vendimi “zgjon dyshime serioze për pluralizmin politik në Rusi”. “Dënime të motivuara politikisht nuk duhen përdorur kundër pjesëmarrjes politike. Ne presim nga autoritetet ruse që të krijojnë një hapësirë të balancuar veprimi, duke përfshirë edhe zgjedhjet presidenciale”, tha zëdhënësja për punët e jashtme të BE, Maja Koçijançiç.

Opozita ruse, thirrje për bojkot të zgjedhjeve presidenciale

Russian opposition leader Alexei Navalny, who submitted endorsement papers necessary for his registration as a presidential candidate, center, sits at the Russia's Central Election commission in Moscow, Russia, Monday, Dec. 25, 2017. Russian election officials have formally barred Russian opposition leader Alexei Navalny from running for president. (Evgeny Feldman/Navalny Campaign via AP)

Udhëheqësi i opozitës ruse Alexei Navalny bëri thirrje për protesta në të gjithë Rusinë më 28 janar për të mbështetur një bojkot të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Zoti Navalny e bëri thirrjen për protesta sot, të njëjtën ditë që Presidenti Vladimir Putin u regjistrua zyrtarisht si kandidat për t’u rizgjedhur.
Sondazhet tregojnë se zoti Putin ka të ngjarë të fitojë një mandat tjetër gjashtë-vjeçar në zgjedhjet e 18 marsit.
Zoti Navalny është ndaluar të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të një dënimi me burg që ai thotë se ishte i fabrikuar. Dënimi i tij është pezulluar.
Ai thotë se zoti Putin, i cili 17 vitet e fundit ka qenë ose president ose kryeministër, ka qenë në pushtet për një kohë tepër të gjatë. Sipas udhëheqësit të opozitës, popullariteti i zotit Putin ka ardhur kryesisht për shkak të mediave shtetërore të njëanshme dhe një sistemi zgjedhor që përjashton kundërshtarët legjitimë.
Zoti Putin, ish-oficer i KGB-së, kandidon në zgjedhje si i pavarur, vendim që disa vëzhgues besojnë se do ta rriste imazhin e tij si udhëheqës kombëtar në vend që të dilte në rolin e një figure politike partiake.
Aleatët e kanë lavdëruar presidentin Putin për rikthimin e krenarisë kombëtare dhe forcimin e pozitës së Rusisë si udhëheqëse globale me ndërhyrjet ushtarake në Siri dhe Ukrainë.

Kremlini: Navalny do të hetohet

Kremlini ka thënë se autoritetet do të hetojnë nëse lideri opozitar, Aleksei Navalny është duke shkelur ligjin duke bërë thirrje për protesta mbarëkombëtare.
Navalnyt, i cili ka bërë fushatë për presidentin gjatë gjithë vitit, i është ndaluar edhe zyrtarisht kandidimi për president nga Komisioni Zgjedhor në Rusi.
Presidenti rus, Vladimir Putin është duke garuar për mandatin e tij të katërt dhe sipas sondazheve fitorja e tij është lehtë e parashikueshme.
Navalny ka njoftuar të mërkurën për një mori të marsheve në qytetet ruse për të protestuar rreth vendimit për të, që i ndalon kandidimin për president, në zgjedhjet e marsit më 2018.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Pekov u ka thënë gazetarëve se ai “nuk ka dyshim” se thirrjet e Navalnyt për protesta do të hetohen nga autoritetet për të kuptuar nëse ato janë joligjore.
Videoja e Navalnyt në YouTube, përmes së cilës bën thirrje për protesta nuk ka qenë e qasshme në Rusi, në mëngjesin e sotëm.

Sirena të reja kineze për Mandzukiç

Në merkaton e dimrit të kaluar, duke vënë “në pjatë” 28 milionë euro për kartonin e tij dhe një kontratë 4-vjeçare prej 8 milionësh neto në sezon, kroatin e Juventusit e kishte tentuar klubi kinez i Tianjin. Tani, përsëri, nga i njëjti vend, Hebei China Fortune po teston terrenin. Objekti i dëshirës mbetet i njëjtë: Mario Mandzukiç. Sulmuesi 31-vjeçar i Juventusit, i lidhur me bardhezinjtë deri në vitin 2020, i ngroh mendimet e Superligës kineze. Ka klube atje, që nuk kursejnë asnjë shpenzim, teksa kanë siguruar lojtarë dhe trajnerë të nivelit më të lartë. Dhe Hebei China Fortune, midis Ezequiel Lavezzi dhe Gervinho, ka treguar një fuqi ekonomike jashtëzakonisht mbresëlënëse. E gjithë kjo, duke përdorur njohurinë e Manuel Pellegrinit në stol. Pasi e ka mbyllur kampionatin me vendin e katërt, në qytetin e Quinhuangado është koha për të menduar për goditje të reja. Idetë nuk mungojnë. Paratë jo. Pra, klubi kinez në fjalë është duke ndjekur më të mirën e merkatos europiane. Dhe lind sugjerimi “Mandzukiç”.
Disa ndërmjetës të lidhur me futbollin kinez, në mënyrë krejtësisht embrionale, do të mundoheshin të provonin gjendjen shpirtërore të sulmuesit kroat. Paraja, veçanërisht në këtë periudhë historike, për një profesionist mund të nënkuptojë gjithçka. Por bomberi i Juventusit, edhe pse i kënaqur nga këto sirena të reja, do të preferonte të qëndronte në futbollin italian. Përgjigjja, pra, do të kufizohej në një “jo, faleminderit” e qartë. Në të njëjtën kohë, në mes të sezonit, “Zonjës së Vjetër” historikisht nuk i pëlqen ta privojë veten nga pjesët më të mira të saj. Aq më shumë nëse ato kanë karakteristika unike. Pjesa tjetër është një çështje nderimi mes Max Allegrit dhe numrit të tij 17, bazuar në një marrëdhënie të fortë dhe produktive.

E kërkon gjysma e Europës!

Paulo Dybala është një nga sulmuesit më të kërkuar në Europë. Manchester United, Real Madrid dhe Barcelona janë disa nga super klubet e Europës që janë interesuar dhe vazhdojnë të interesohen për “La Joya”, i cili nuk po kalon një moment të mirë tek Juventus. Në javët e kaluara, shtypi anglez ka folur për një marrëveshje të arritur mes Manchester United dhe “Zonjës” për transferimin e lojtarit në “Old Trafford” në merkaton e janarit për 68 milionë euro.
Por këto zëra janë hedhur poshtë nga klubit torinez që ka vendosur një çmim për sulmuesin argjentinas. Në fakt, kampionët në fuqi të Italisë, sipas “Corriere della Sera”, e vlerësojnë 150 milionë euro kartonin e numrit 10.

Kritika e “Fenomenit”

Ronaldo tronditi botën në vetëm një sezon te Barcelona, por pastaj u largua tek Interi për 5.000 milionë pesetas. Atje pësoi disa lëndime, por mundi të gjente një mundësi te Real Madridi, ku luajti në mes të viteve 2002 dhe 2006. Ish-sulmuesi i njohur kurrë nuk e ka fshehur se “Los Blancos” janë maja e arritjeve të tij me zemër gjatë karrierës, por tani e krahason largimin e tij nga klubi katalanas me atë të Neymar këtë verë, drejt PSG-së.
“Fenomeni” pranon se largimi i tij nga Barcelona ishte shumë i shëmtuar. “Ndihem shumë më mirënjohës dhe më i lidhur me Real Madridin, pavarësisht se e kam kaluar vitin më të mirë në Barcelonë. Por, fundi i eksperiencës sime me Barçën ishte i keq, shumë i ngjashëm me atë të Neymar, të jetuar tani”, tha ai për “Esporte Interativo”. Ronaldo nuk e kupton pse Barcelona përfundon kaq keq me lojtarët brazilianë. “Kjo ka ndodhur për disa kohë, sepse drejtorët e Barçës kanë bërë diçka të ngjashme me Romarion. Pastaj e bënë atë me Ronaldinhon. Por Barcelona është një qytet dhe një klub i pabesueshëm”, tha Fenomeni Ronaldo.
Ronaldo Nazário ka zbuluar se cili ishte karakteri që frymëzoi flokët e tij të famshëm në Kupën e Botës 2002, në një intervistë me “Deporte Interactivo”. Braziliani ishte një nga protagonistët e mëdhenj të Kupës së Botës së zhvilluar në Kore dhe Japoni, si për lojën e tij, ashtu edhe për pamjen e shumëkomentuar dhe shumimituar në mbarë globin. Tani vetë Ronaldo ka shpjeguar në një intervistë për median braziliane origjinën e “hairstyle” origjinal. Në atë kohë, “Fenomeni” shënoi tetë gola dhe udhëhoqi ekipin brazilian drejt fitoreve, duke u bërë një hero i vërtetë në vendin e tij. Mijëra fëmijë kopjuan prerjen e famshme të flokëve të lojtarit, i cili kujtonte me të qeshur dëshpërimin e tij kur i pa ata në rrugë. “Sa herë që shihja një fëmijë me atë prerje flokësh isha e dëshpëruar. Kjo nuk ishte ajo që dëshiroja, nuk doja t’i ndikoja fëmijët në këtë mënyrë”, shpjegoi ai i mërzitur.
E vërteta është se futbollisti u frymëzua nga një karakter i njohur i disa karikaturave shumë të famshme në vendin e tij, të quajtur “Cascão”, nga seria e “Monica”. Neymar, gjithashtu, mori modelin e Ronaldos. Sulmuesi i PSG-së pranoi në një intervistë se ishte një nga shumë tifozët e Ronaldos, që bëri atë prerje të famshme flokësh: “Në vitin 2002 kam pasur prerje flokësh si Ronaldo, por nuk mund të më mbani mend shumë”. Gruaja, Sonia, shpjegoi se edhe djali i Ronaldos, i cili në atë kohë ishte vetëm 2 vjeç, nuk e njohu të atin e tij kur u kthye nga Kupa e Botës.

Rikthimi i Adriano-s dhe Romario “show”

Ishte një ditë e veçantë, si gjithmonë. Ndeshja traditë e futbollit brazilian është zhvilluar në mbrëmjen e së mërkurës. Evenimenti i organizuar nga Zico ka bashkuar yjet e futbollit brazilian dhe të arenës ndërkombëtare.
Skuadra e Kuqe kishte lojtarë si Adriano, Romario dhe Petkoviç dhe në fund ishte ajo që triumfoi ndaj skuadrës së Bardhë, me lojtarë si Renato Gaucho, Alex dhe Marinho, me rezultatin 7-3.
Lista e lojtarëve të konfirmuar ishte: Junior, Tita, Renato Gaucho, Aldair, Juan, Leonardo, Jorginho, Zinho, Camilo, Bruno Silva, Djalminha, Neto (i mbijetuar i aksidentit të Chapecoense) dhe Amoroso, ndër të tjerë. Ndërsa lojtarë të huaj ishin Edgar Davids, Recoba, Sorin dhe Goycochea, bashkë me serbin Petkoviç.
Ndeshja shënoi edhe rikthimin e Adriano-s në Maracana. Ndeshja e tij e fundit ka qenë më 2010, në atë kohë Perandori mbante veshur fanellën e Flamengo-s në fitoren 2-1 ndaj Universidad de Chile në Copa Libertadores. Adriano shënoi golin e pestë të skuadrës së tij, por përgatiti edhe dy të tjerë për Zico dhe Romario.

Drama e Neymar: Ai ka qenë momenti më i tmerrshëm

Ëndrra për të qenë protagonisti i Botërorit para publikut të tij është kthyer në një makth. Kjo është ajo që mban mend Neymar nga Kupa e Botës e 2014-ës, e zhvilluar në Brazil. Ai mori një goditje të rëndë në kurriz nga Zuniga, që i shkaktoi atij një dëmtim që ka rrezikuar t’i mbyllë para kohe karrierën. Më pas ka ardhur humbja e pabesueshme kundër Gjermanisë, me pesë herë kampionët e botës që janë turpëruar në shtëpinë e tyre.
“O Ney” është kthyer të flasë për këto makthe në një intervistë të dhënë për ish-shokun e skuadrës te Barcelona, Gerard Pique. “Ai dëmtim ka qenë momenti më i keq i jetës sime, ka thënë Neymar. Në ato ditë kam qarë shumë, kam parë të qajnë prindërit dhe miqtë e mi. Të gjithë familjen time…”.
“Nuk arrija të ngrija këmbët, nuk arrija t’i lëvizja. Doktori më prekte këmbët dhe unë nuk ndieja asgjë. Pas vizitave më tha se do të ecja, por se nuk mund të luaja në Botëror. Nëse goditja do të kishte qenë dy centimetra më anash mund të kisha mbetur i paralizuar”.
Por futbolli i ka dhuruar një tjetër surprizë të keqe: “Disa ditë më vonë kam ndjekur humbjen 7-1 të Brazilit kundër Gjermanisë në gjysmëfinale, por nuk mund të bëja asgjë”. Njolla e fundit që Neymar do të provojë ta fshijë verën e ardhshme, kur do të udhëheqë Brazilin në Botërorin e Rusisë.

Kane më i mirë se Henry e Griezman

Hugo Lloris i ka thurur elozhe makinerisë së golave Harry Kane, duke e cilësuar si sulmuesin më të mirë me të cilin ka luajtur. Një kompliment i madh duke konsideruar se kapiteni i Francës ka luajtur përkrah disa prej sulmuesve më të mirë në botë, duke përfshirë Nikolas Anelka, Thierry Henry, Antoine Griezmann dhe Kylian Mbappe.
Portieri 31-vjeçar shihte i mahnitur teksa Kane shënonte një tjetër tripletë në “Wembley” në fitoren 5-2 ndaj Southampton. Sulmuesi i Spurs dhe Anglisë ka thyer rekordin 22-vjeçar të Alan Shearer për golat e shënuar në Premier League brenda një viti kalendarik.
Kur pyetet rreth Kane, gardiani i Spurs Lloris shprehet: “Nuk kam luajtur ndonjëherë me një sulmues që shënon kaq shumë gola brenda një viti. Kam luajtur me shumë sulmues të nivelit të lartë dhe ai me shumë mundësi është më i miri. Ai meriton të gjitha komplimentet për momentin. Por pjesa më e vështirë e sezonit fillon tani dhe ai duhet ta ruajë këtë formë.
Por me mentalitetin dhe kualitetin e tij nuk kam dyshime se ai do ta bëjë këtë. Ai është një nga më të mirët dhe ai do të vazhdojë ta tregojë këtë. Ai ka shumë besim në vetvete. Në futboll gjithmonë kur ka rekorde ti kërkon t’i thyesh”.
Në historinë e Premier League askush nuk i është afruar më shumë golave të shënuar nga Alan Shearer, i cili ka shënuar 260 herë me fanellën e Southampton, Blackburn Rovers dhe Newcastle.
Harry Kane mund të jetë njeriu që do ta kapë një ditë. Por ditën e martë ai ka thyer rekordin e golave të shënuar brenda një viti kalendarik me një tripletë ndaj Southampton.
Teksa të gjithë kanë thurur elozhe për Kane, kishte disa tifozë, sidomos ata të Everton, që kanë shprehur pakënaqësi duke u shprehur se ai nuk ishte rekordi anglez. Dixie Dean e mban atë rekord. Tifozët kanë të drejtë, deri diku, futbolli nuk ka filluar në vitin 1992, vetëm periudha e Premier League ka filluar. Gjithsesi, një vit i shkëlqyer i Harry Kane.

Kosova e pafuqishme përballë ndryshimeve kushtetuese

Ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës, të cilat konsiderohen të nevojshme për rrumbullakimin e proceseve të caktuara në vend, ndonëse në parim janë të mundura, ato ende mbesin praktikisht të pamundura për momentin, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike kushtetuese dhe njohësit e zhvillimeve politike në vend.
Transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës ose ndryshimet i sistemit zgjedhor në vend, por edhe të tjera, mbeten peng të pamundësisë së deritashme për ndryshime kushtetuese.
Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Enver Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese, duke folur për Radion “Evropa e Lirë”, thotë se çdo ditë e më shumë po kuptohet ajo që është dashur të kuptohet që në fillim të pranimit të Planit Ahtisari, në mars të vitit 2007, si dhe miratimit të Kushtetutës së vendit në prillin e vitit që pasoi.
“Kosova nuk është demokraci e shumicës, por demokraci kushtetuese parlamentare, ku pushteti buron nga populli, mirëpo ushtrimi i tij bëhet në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, mekanizmave kushtetues dhe ligjorë. Përveç kësaj, pushteti është i ndarë. Këto pushtete të ndara i nënshtrohen jo vullnetit të shumicës, por Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Pjesë e kësaj demokracie kushtetuese është edhe ajo pjesë e Kushtetutës dhe e Planit të Ahtisaarit, i cili është detyrim ndërkombëtar i Kosovës, të cilat cilësohen si pjesë të pandryshueshme të Kushtetutës” , thotë Hasani.
Ai shton se jo vetëm Kosova, por edhe vende të tjera me demokraci të konsoliduar, si Gjermania, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një pjesë e madhe e vendeve të demokracisë perëndimore, kanë dispozita kushtetuese sikurse që i ka Kosova dhe të cilat nuk mund të ndryshohen asnjëherë pa konsensus të gjerë nacional.
Për ndryshimet kushtetuese, nevojiten dy të tretat e votave të tërësishme të Kuvendit të Kosovës, i cili ka 120 deputetë, si dhe dy të tretat e votave të komuniteteve pakicë.
Njohësi i zhvillimeve parlamentare, Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se as në Kosovë e as në ndonjë vend tjetër, nuk është se gjithmonë të gjitha partitë kanë mendim të njëjtë për çështjet që kërkojnë ndryshime kushtetuese.
Por, megjithatë, ai e sheh problemin te sigurimi i votave të komuniteteve pakicë, përkatësisht, të përfaqësuesve të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës, të cilët aktualisht i përfaqëson Lista Serbe. Sipas tij, kjo e fundit po mban peng ndryshimet kushtetuese për formimin e Ushtrisë së Kosovës.
“Vota e tyre nuk ka ardhur kundër ose për të bllokuar ndryshimet kushtetuese për shkak të çështjeve të tyre parimore. Por, më shumë ka qenë ndjekja e agjendave të Beogradit në Kosovë dhe këtu është problemi. Nëse kjo, ashtu siç është e shkruar në letër, nuk do të përdorej vetëm për interesat e komunitetit serb që jeton në Kosovë, atëherë nuk do të kishte asnjë problem edhe pse është kjo dy të tretat, që është e dyfishtë, do të thotë, për komunitetet që mbajnë vendet e garantuara në Kuvend”, thotë Krasniqi.
Ndryshimet kushtetuese teorikisht janë të mundura, por në praktikë, tash për tash, mbeten të parealizuara. Sistemi zgjedhor, si kategori kushtetuese në Kosovë, gjithashtu mbetet peng i këtyre ndryshimeve, sikurse formimi i Ushtrisë së Kosovës.
Profesor Hasani, shpreh mendimin se megjithatë, sistemi zgjedhor i Kosovës, si kategori kushtetuese, deri më tash ka luajtur rol mjaft pozitiv.
“Sistemi zgjedhor është dispozitë e Planit të Ahtisaarit, që Kushtetuta e jonë vetëm e ka bartur në tekstin e vet. Ky sistem zgjedhor, mendoj unë, ka luajtur rol shumë të madh dhe pozitiv në zhvillimin e demokracisë parlamentare në Kosovë, sado që kjo mund të duket paradoksale. Po të kishte qenë sistemi i përzier apo i shumicës, në Kosovë kaherë do të kishte pasur degjenerim të demokracisë dhe shkatërrim të diversitetit nacional, gjuhësor, fetar dhe kulturor etj. Unë e shoh këtë sistem zgjedhor si një aset të madh të Kosovës, sepse asnjëherë, asnjë force politike apo individi nuk i lejon komoditet dhe kjo ka shumë rëndësi të madhe për zhvillimin e demokracisë së re në Kosovë”, vlerëson Hasani.
Profesor Hasani shton se sistemi zgjedhor në Kosovë ka përbrenda vetes një mesazh, të cilin, siç ka thënë ai, politika në Kosovë nuk e ka kuptuar akoma: se për çështjet e interesit nacional duhet në fillim të krijohet me çdo kusht një konsensus i gjerë nacional dhe me atë konsensus të shtyhen përpara proceset që kanë rëndësi dhe peshë kushtetuese, e assesi anasjelltas. Sipas tij, Kushtetuta nuk mund të fajësohet e as të jetë zëvendësues për zgjidhjen e problemeve politike të Kosovës.

Sulm vetëvrasës në Kabul me dhjetëra të vrarë

Një sulm vetëvrasës në një ndërtesë në kryeqytetin afgan në të cilën është e vendosur qendra kulturore e myslimanëve shiit, la pas vetes dhjetëra të vrarë e të plagosur.
Nusrat Rahimi, nga Ministra e Brendshme i konfirmoi “Zërit të Amerikës” se 40 veta janë vrarë dhe 30 të tjerë janë plagosur dhe se druhet që numri i viktimave mund të rritet.
Dëshmitarët thanë se sulmuesi hodhi veten në erë afër një takimi në katin përdhes të ndërtesës së qendrës kulturore Tebyan, pak para dy mjete të tjera të vendosura më parë, të shpërthejnë njëra pas tjetrës.
Mohammad Sabir Nasib, drejtor i Spitalit në Kabul, i tha “Zërit të Amerikës” se, kanë pranuar 11 trupa dhe 18 të plagosur rëndë, duke theksuar se numri i viktimave mund të rritet. Në mesin e viktimave kishte edhe gra, tha ai.
Agjencia “Zëri i Afganëve”, një organizatë mediale, është e vendosur në atë ndërtesë. Agjencia “Reuters” raportoi se të paktën një gazetar është në mesin e të vrarëve.
Grupi Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë. Edhe në të kaluarën, sulmet mbi tempujt shiit në Kabul dhe zonat tjera në Afganistan janë marrë përsipër nga grupi militant Shteti Islamik.
Misioni i NATO-s e dënoi sulmin nëpërmjet një komunikate.
“Përparimi kulturor dhe liria e fjalës nuk do të pengohen. Armiqtë tanë të përbashkët duhet ta dinë se nuk do të fitojnë dhe populli afgan nuk do të heshtë”, thuhet në komunikatën e misionit që kryesisht përbëhet nga trupat amerikane.
Kryengritësit talebanë janë distancuar nga sulmi, duke theksuar se ata nuk vënë në shënjestër ndërtesat civile, posaçërisht ato në të cilat janë vendosur qendrat arsimore e kulturore.
Ndërkohë, gjatë natës në shpërthim në krahinë Balkh në veri u vranë të paktën gjashtë fëmijë. Incidenti ndodhi në qarkun Dawlatabad. Autoritetet thanë se viktimat kishin gjetur një mjet të improvizuar të vendosur nga militantët dhe po luanin me të kur ajo shpërtheu.