31.5 C
Tirana
E martë, 8 Korrik, 2025

Rusia fton kurdët në negociatat për Sirinë

Rusia u ka premtuar liderëve të rajonit automon të kontrolluar nga kurdët në veri të Sirisë se mund të dërgojnë përfaqësuesit e tyre në forumin e paqes gjatë muajit të ardhshëm, ka thënë komandanti i milicisë kurde (YPG), Sipan Hemo.
Moska ka thënë se 155 përfaqësuesit e rajonit automon do të marrin pjesë, ka thënë komandari Hemo, përmes mediave sociale.
Grupet kurde nuk kanë marrë pjesë në asnjë rreth të bisedimeve për paqe në Siri, prej fillimit të luftës civile më 2011, pavarësisht se ata kontrollojnë më shumë se një të katërtën të territorit të Sirisë.
Turqia kundërshton pjesëmarrjen e tyre në bisedime.
Ankaraja e sheh këtë milici si grup terrorist të lidhur me një organizatë të kurdëve, e cila ka bërë kryengritje në Turqi me dekada të tëra.
Rusia është organizatorja në atë që e ka quajtur Kongres për Dialog Sirian më 29 dhe 30 janar në Soçi.
Ende nuk është bërë e ditur se kush do të jetë pjesëmarrës nga pala e aleatit të Rusisë, qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Rreth 40 grupe siriane të rebelëve, duke përfshirë edhe fraksione që më herët kanë qenë pjesë e bisedimeve, nuk do të jenë pjesë e këtij organizimi.
Më 27 dhjetor, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan e ka quajtur Presidentin sirian, Bashar al-Assad “terrorist”, i cili nuk duhet të jetë pjesë e ndonjë përpjekje për paqe në të ardhmen.
“Nuk ka paqe në Siri dhe ajo nuk do të arrihet me Assadin”, ka thënë Erdogan gjatë një vizite në Tunis.
“Si mund ta shohim të ardhmen me një president sirian, i cili ka vrarë afër 1 milion qytetarë të tij?”, ka thënë Erdogan.

Ministrja e Drejtësisë shkrin Departamentin e të Përndjekurve, nuk do të ketë më dëmshpërblime

Ministrja e Drejtesise, Etilda Gjonaj, duke folur gjate nje konference shtypi, ku njoftoi se ka firmosur shkarkimin e 8 drejtoreve te burgjeve dhe hapjen e konkursit per emerimin e 23 drejtuesve te rinj te burgjeve./r/n/r/nJustice Minister Etilda Gjonaj, speaks during a press conference, announcing that she has signed the dismissal of eight prison directors and the opening of the competition for the appointment of 23 new prison directors.

Rama ka vendosur të mbyllë kapitullin me dëmshpërblimet për shtresën e ish-të përndjekurve politikë. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjoni ka shkrirë strukturën e dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë. Kjo strukturë ka dalë e tepërt me riorganizimin e ministrisë. Duket se po shkohet drejt një strategjie të re të qeverisë për ndërprerjen e dëmshpërblimeve për të përndjekurit politikë.

Ruçi nxjerr zbuluar Ramën si shkaktar të incidentit në Kuvend: Berisha ishte në të drejtën e tij

Kryetari i Parlamentit Gramoz Ruçi në një intervistë për Sokol Ballën në “Top Story” në “Top Channel” ka komentuar zgjedhjen e Kryeprokurores së re të Përgjithshme të Përkohshme mes përplasjeve në sallën e Kuvendit. Ruçi tha se është ndjen përgjegjësi për këtë situatë të krijuar dhe se ka kërkuar falje publike.

“Unë kërkova para disa ditësh edhe ndjesë publike publikut shqiptar. Dua ta sqaroj edhe për publikun këtë çështje. Nuk kishte asnjë arsye në atë moment, sigurisht, Garda ka detyrat e saj të përcaktuara në rregullore se si, kur dhe pse ndërhyn dhe për atë punë është. Kjo nuk është një sajesë shqiptare, por e ka çdo Parlament. Cili ishte gabimi i saj? Gabimi i saj ishte se, nuk ishte ai moment dhe nuk paraqiste asnjë rrezikshmëri që Z. Berisha mori fjalën dhe mbi të gjitha, që nuk e mori fjalën vetë, por ia dhashë unë. Z. Berisha e ka kërkuar fjalën në të njëjtën kohë më Z. Balla. Sigurisht, që unë ia kisha dhënë fjalën Z. Balla dhe i kam thënë Z. Berisha, menjëherë për procedurë, menjëherë sa të mbarojë Z. Balla, fjala e keni ju. Z. Berisha ishte në të drejtën e tij që të merrte fjalën. Prandaj, kur kërkova ndjesë, ishte edhe ky moment i vetmi gabim i ndërhyrjes së shërbimit të Gardës, momenti që z. Berisha u ngrit.” – u shpreh Ruçi.

 

Boshti i ri në Lindjen e Mesme

Joschka FISHER

Ne jetojmë në një kohë tranzicioni gjeopolitik. Përpjekjet e Kinës për të zëvendësuar Shtetet e Bashkuara si fuqia udhëheqëse e botës, ose së paku për t’u bërë bashkëpartner në udhëheqësinë botërore, merr dhe meriton vëmendje të madhe. por dinamikat në nivel makro që prej kohësh kanë përkufizuar Lindjen e Mesme po ndryshojnë gjithashtu dhe këtu gjithashtu është ndikimi i SHBA-ve ai që me gjasa do të pakësohet.
Pak më shumë se një shekull më parë, Marrëveshja Sykes-Picot ndau Lindjen e Mesme mes Francës dhe Britanisë së Madhe dhe themeloi kufijtë kombëtarë që mbeten në fuqi edhe sot. Por tashmë rendi rajonal po ndryshon.
Që nga themelimi i Izraelit, konflikti arabo-izraelit në përgjithësi ka dominuar gjeopolitikën e rajonit. Izraeli fitoi luftën e parë Arabo-Izraelite më 1948 dhe të gjitha luftërat që pasuan atë. Por nëse Izraelitët dhe Palestinezët mundet apo jo të arrijnë një marrëveshje të pranueshme dhe për rrjedhojë, të rikthejnë paqen në Lindjen e Mesme, ky ka mbetur shqetësimi kryesor në çështjet ndërkombëtare.
Pika më e afërt mes Izraelitëve dhe Palestinezëve për arritjen e paqes ishte në periudhën mes firmosjes së Akordit të parë të Oslos më 13 shtator 1993 dhe vrasjes së Yitzhak Rabin, në atë kohë kryeministër i Izraelit më 4 nëntor 1995. Ia vlen të rikujtojmë se në të dyja akordet e Oslos më 1993 dhe 1995, statusi i Jerusalemit mbeti i pazgjidhur. Në përgjithësi u ra dakord që një çështje e tillë e ndjeshme dhe e komplikuar do të duhej të trajtohej në fund të procesit të paqes.
Konflikti Izrael-Palestinë humbi rolin qendror në rajon pas pushtimit të Irakut të vitit 2003, udhëhequr nga SHBA dhe akoma më shumë pas fillimit të Pranverës Arabe në fund të vitit 2010. Pas vitit 2011, lufta civile në Siri dhe shfaqja e Shtetit Islamik (ISIS) dominoi narrativën e rajonit. Por tashmë që koalicioni ndërkombëtar i ka hequr ISIS “kalifatin” e vet në Siri dhe Irak, beteja mes Iranit dhe Arabisë Saudite për dominim rajonal ka zënë qendrën e diskutimeve.
Deri tani, Irani dhe Arabia Saudite janë përballur me njëra-tjetrën në përgjithësi përmes luftërave indirekte në Siri dhe Jemen. Por mbështetja e secilit prej këtyre vendeve e fraksioneve rivale në Liban, bashkë me mosmarrëveshjen diplomatike që vijon mes Katarit dhe Arabisë Saudite, janë gjithashtu pjesë e përplasjes më të gjerë.
Në këtë sfond, konflikti i pazgjidhur Izrael-Palestinë duket se është zhvlerësuar në një mosmarrëveshje periferike. Kjo ishte kështu deri sa Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe administrata e tij vendosën më mënyrë të njëanshme këtë muaj të njohin Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.
Qeveria e Izraelit dhe Kneseti (Parlamenti) e kanë bazën në Jerusalemin Perëndimor, dhe dinjitarët e huaj në mënyrë rutinë bëjnë vizita atje. Por aneksimi i njëanshëm nga Izraeli i Jerusalemit Lindor pas Luftës së Gjashtë Ditëve të vitit 1967 nuk është njohur kurrë në mënyrë ndërkombëtare dhe vendet e tjera, përfshirë SHBA-në, kanë mbajtur ambasadat e tyre në Tel Aviv, për shkak se ata e dinë se statusi i Jerusalemit është i mbushur me probleme politike dhe fetare.
Për më tepër, të gjitha vendet e tjera e kuptojnë se animi nga njëra anë në çështjen e Jerusalemit mund të dëmtojë perspektivën për një zgjidhje eventualisht me dy shtete – ideja që e ka nisjen pas në Planin e OKB-së për ndarjen e Palestinës në vitin 1947 – për shkak se si Izraeli ashtu edhe Palestina pretendon se qyteti është kryeqytet i tyre.
Më 1947, zgjidhja me dy shtete nuk ishte e mundshme, për shkak se shtetet arabe iu përgjigjën themelimit të Izraelit duke hapur luftë. Kur Palestinezët më në fund pranuan ekzistencën e Izraelit më 1993, vetë vendimi i njohjes ishte një hap i madh përpara.
Megjithëse diplomatët vijojnë të flasin për një proces paqeje në Lindjen e Mesme, nuk ka pasur një proces për të arritur paqen që prej shumë vitesh. Zgjidhja me dy shtete, opsioni i vetëm i konceptueshëm për të kënaqur të dyja palët, po bëhet gjithnjë e më i pabesueshëm me kalimin e kohës edhe për shkak të vijimit të zgjerimit të vendbanimeve Izraelite në Bregun Perëndimore. Tani njohja e Jerusalemit nga Amerika si kryeqytet i Izraelit mund të nënkuptojë fundin e zgjidhjes me dy shtete një herë e mirë.
Por alternativa, një marrëveshje dykombëshe, mund ta përballë Izraelin me dilemën e të mbeturit ose vend demokratik ose Hebraik por jo të dyja. Dhe me zgjidhjen me dy shtete jashtë tryezës, do të jetë vetëm çështje kohe që palestinezët, pasi të kenë braktisur betejën për shtetin e vet, të fillojnë të kërkojnë të drejta të barabarta civile.
Ka një opsion të tretë, së paku në teori: një shtet palestinez mund të krijohet në Gaza, të zgjerohet në Sinain e Veriut dhe të vendoset nën kontrollin de facto të Egjiptit, ndërkohë që Bregu Perëndimor mund të ndahet mes Izraelit dhe Jordanisë. Por Palestinezët nuk do të pranojnë kurrë këtë zgjidhje dhe ajo nuk do të zgjidhë problemin e Izraelit si një shtet që duhet të bëhet dykombësh.
Mundet thjeshtë të hamendësosh se pse Trump vendosi të veprojë mbi çështjen e Jerusalemit tani. A ishte ky rezultat i irracionalizmit të tij të zakonshëm apo ishte politikë e brendshme? A ka ai në mendje një zgjidhje të re territoriale që kapërcen parametrat tradicionalë të konfliktit Izrael-Palestinë?
Ia vlen të vërejmë se deklarata e njëanshme e Trump shkaktoi vetëm përgjigje të moderuara nga fuqitë madhore arabe – Arabia Saudite, Egjipti dhe Jordania. Për sauditët, përballja me Iranin është prioriteti kryesor. Dhe për shkak se Arabia Saudite është tepër e dobët për të fituar një luftë më vete – veçanërisht në Liban dhe Siri – ajo do të vijojë të forcojë lidhjet e saj me rivalët e tjerë të Iranit, në veçanti superfuqinë ushtarake rajonale: Izraelin.
Aleanca në ngritje mes Arabisë Saudite dhe Izraelit, dikur e paimagjinueshme, ka gjasa do të bëhet forca udhëheqëse e Lindjes së Mesme të re. Vetëm koha do të tregojë se me çfarë çmimi do të vijë aleanca e re anti-Iraniane.

Bilanc tragjik nga aksidentet, 215 të vdekur e 357 të plagosur

Të paktën 215 persona kanë humbur jetën dhe 357 janë plagosur nga aksidentet rrugore në vend gjatë 11 muajve të këtij viti. Kjo shifër, sipas specialistëve të Policisë Rrugore në vend është afërsisht 17% më e ulët se viti i kaluar. Gjithsesi, Shqipëria vijon të ketë një prevalencë të lartë të humbjes së jetës prej aksidenteve rrugore.
Shkaqet kryesore të aksidenteve janë mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, drejtimi i automjeteve në gjendje të dehur, shpejtësia e madhe përtej kufijve të lejuar, etj. Rritja e numrit të aksidenteve me pasojë jetën gjatë viteve të fundit është bërë aq shqetësuese sa në verë në periudhën kur kthehen dhe emigrantët në atdhe, ka patur pothuajse çdo ditë aksidente me vdekje.
Pjesa më e madhe e jetëve të humbura më shumë se 93 persona ose 56 për qind e atyre që vdiqën ishin të rinj të moshës deri në 35 vjeç. Vetëm në muajin shtator 2017 numërohen 172 aksidente rrugore nga 191 aksidente të ndodhur në shtator 2016. Në krahasim me shtator 2016, numri i aksidenteve është ulur me 9,9%.
Numri i të aksidentuarve është 215 persona nga 265 që ishte një vit më parë, për të njëjtën periudhë. Në nëntëmujorin 2017, numri i të aksidentuarve është ulur 5,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i personave të plagosur gjatë muajit shtator 2017 është 197 nga 246 persona të plagosur në shtator 2016. Krahasuar me mesataren e personave të plagosur gjatë vitit 2016, ky numër është ulur me 5,8%.
Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25-35 vjeç, duke zënë 31,4% të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u rritur me 5,9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Aksidentet rrugore, të cilat kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit zënë 81,3% të rasteve. Numri më i lartë i aksidenteve është kryer nga grup mosha 25-35 vjeç, duke zëne 28,0% të numrit të aksidenteve rrugore dhe duke u ulur me 3,9% me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Si shpjegohet ky numër i lartë aksidentesh? Së pari, tek ne ndodh një fenomen që në vendet perëndimore as që mund të mendohet. Me dëshmi drejtimi automjeti mund të pajiset kushdo me një kurs 50 ditor, a thua se është i mjaftueshëm. Në raste kur ndonjë nuk arrin të kalojë testin boll që të paguajë dhe menjëherë bëhet drejtues automjeti. Eliminimi i një fenomeni të tillë do të ulte numrin e aksidenteve, pasi personat që nuk kanë aftësi drejtuese nuk do të ishin përdorues të rrugës, si rezultat rrugët tona do të ishin më të sigurta. Një shkak tjetër i rëndësishëm që ndikon në numrin e lartë të aksidenteve është dhe niveli i sigurisë që ofrojnë rrugët tona. Klasifikimi dhe mënyra e menaxhimit që duhet të ketë një rrugë, janë të përcaktuara qartë në Ligjin nr. 8378, dt. 22.7.1998.
Periudha e festave të fundvitit që shoqërohet me ngarkesë në akset rrugore të vendit ka sjellë shpesh pasoja tragjike. Për t’i paraprirë kësaj situate, Policia e Shtetit thotë se. po zbaton një plan masash me kontrolle rigoroze në të gjithë vendin.
Periudha e festave të fundvitit që shoqërohet me ngarkesë në akset rrugore të vendit ka sjellë shpesh pasoja tragjike. Për t’i paraprirë kësaj situate, Policia e Shtetit thotë se po zbaton një plan masash me kontrolle rigoroze në të gjithë vendin.
Nuk pritet të ketë tolerime sa i përket konsumimit të alkoolit dhe kontrollet me dragera pritet të jenë të rrepta. “Përdorni mjetet e transportit publik. Apeli është që të mos konsumoni shkelje rrugore gjatë këtyre ditëve festive. Policia Rrugore e Tiranës do të jetë në gatishmëri për të garantuar sigurinë në rrugë. Do të ketë kontrolle me dragera”.
Policia Rrugore pritet të kalojë situatë të përforcuar gjatë periudhës së fundvitit. Patrullat e qarkullimit pritet të mbështeten edhe nga shërbimet e rendit, si dhe nga ato të FNSH-së që do të instalohen në qytete.

Vetëm ditën e djeshme 8 aksidente rrugore, 2 të vdekur e 9 të plagosur

Aksidentet rrugore janë kthyer në një tmerr për shqiptarët. Vetëm ditën e djeshme kanë ndodhur 8 aksidente rrugore me dy të vdekur dhe 9 të plagosur. Një aksident me vdekje ka ndodhur në një fshat të Beratit.
Nipi 5 vjeç ka përplasur për vdekje gjyshen e tij, 52 vjeçe duke i marrë jetën. Aksidenti ka ndodhur në fshatin Pobrat të Beratit, ku 52-vjeçarja ka ndërruar jetë, pasi u përplas nga një makinë tip “Benz”. Me këtë makinë ishte duke lëvizur nga parkimi një fëmijë 5-vjeç.
Një 40-vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë në spital, pasi u përplas nga një makinë në rrugën “Konferenca e Pezëz”, në Misto Mame. Policia informon se, mjeti me targë AA 200 PX, me drejtues Enjo Dani, 24 vjeç, ka aksidentuar këmbësoren E.B, rreth 40 vjeç”.
Aksidenti u shënua rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, ndërsa 40-vjeçarja u transportua për në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Një aksident i rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në rrugën Durrës-Kavajë. Mësohet se në aksident janë përfshirë 4 automjete dhe si pasojë janë plagosur 4 persona. Bëhet e ditur se, se njëra prej makinave është dëmtuar shumë, ndërsa nuk dihet ende gjendja shëndetësore e të plagosurve, të cilët ndodhen në spital. Policia ka mbërritur në vendngjarje për zbardhjen e shkaqeve.
Një 32-vjeçar në Lushnje është arrestuar nga policia, pasi ka aksidetuar me mjetin e tij një person që po lëvizte me biçikletë. Ngjarja ka ndodhur të martën, 26 dhjetor 2017, në fshatin Mërtish. Sipas policisë, “Alban Pashaj, duke drejtuar mjetin tip “Golf”, ka aksidentuar shtetasin Gj.P, 49 vjeç, banues në fshatin Këmishtaj, i cili udhëtonte me biçikletë”. Ky i fundit është dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, por si pasojë e plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë, duke ndërruar jetë në spital.
Një aksident që mund të rezultonte fatal, por që fatmirësisht la pas vetëm një të lënduar lehtë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme. Një kamion i tonazhit të rëndë me targa AA R 618 doli nga rruga në aksin Fushë Krujë-Rinas.
Drejtuesi i mjetit, emri i të cilit ende nuk bëhet i ditur udhëtonte i vetëm dhe besohet se humbi kontrollin e mjetit pasi e kishte zënë gjumi në timon. Mjeti përfundoi në anë të rrugës dhe drejtuesi i tij mbeti i plagosur. Ai ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Qendrën Shëndetësore të Vorës. Policia tha se, ka nisur hetimet për sqarimin e shkaqeve të aksidentit.
Një 64-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Matit për shkaktimin e një aksidenti në gjendje të dehur. I arrestuari është Skënder. Gj, banues në lagjen nr. 11 Durrës. Policia thotë se, “arrestimi i tij u bë, pasi rreth orës 18:00 në aksin rrugor Burrel-Skuraj në vendin e quajtur “Qafa e kongrazhdit”, duke drejtuar mjetin tip “Benz” me targa DR 7585 C, në ndikimin e alkoolit ka humbur kontrollin dhe është përplasur me mjetin tip “Honda”, me drejtues shtetasin S.D, 33 vjeç, banues në Mat, dhe si pasojë ka marrë dëmtime të lehta pasagjeri P.S, 53 vjeç, banues në Mat”.

Narko tatimorët vërshojnë si kope hajnash mbi bizneset!

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një qytari, i cili denoncon gjobat ndaj bizneseve. “Narko tatimorët vërshojnë si kope hajnash mbi bizneset! Lexoni mesazhin e qytetari dixhital”, shkruan Berisha.
“Po na gjobisin! Drejtoria e Tatimeve u ka dërguar mandat gjobe të gjitha subjekteve që kane faturuar të tretët me gabime NIPT-i.
Pavarësisht se ka një urdhëresë që lejon korrigjimin e NIPT deri në 36 muaj, janë lëshuar tre letra gjobash për subjektet. Njëra më datë 07.12, njëra më datë 10.12 dhe sot për subjektet e mbetur. Shumë kompani në vend që të informohen për parregullsitë e ndeshura janë gjobitur.
Shumë subjekte i kanë lëshuar faturat me NIPT që klientët e tyre kishin patur, por nuk e kanë ditur që ndonjë subjekt NIPT-in dhe në vend të një letre lajmëruese sot i kanë gjobitur”, shkruan qytetari.

Pezullohen hetimet për skandalin e “byzylykëve” elektronikë

Prokuroria e Tiranës ka vendosur të pezullojë hetimet për kallëzimin e ish-ministrit të Drejtësisë, Gazmend Bardhi në lidhje me skandalin e byzylykëve të mbikëqyrjes elektronike. Ndërkohë Ministria e Drejtësisë e ka ankimuar këtë vendim në Gjykatë dhe pritet vendimi Gjykatës nëse do të pranoj apo jo ankimin e Ministrisë së Drejtësisë.
Gjatë kësaj periudhe rezulton se, shërbimi i provës i ka dërguar një shkresë gjykatave ku u kërkon të mos japin përkohësisht vendime për mbikëqyrje elektronike, pasi po testohet sistemi i sigurisë të byzylykëve, nëse janë të çmontueshëm të sigurt apo në funksion përgjatë 24 orëve.

Korrupsioni, Krimet e Rënda kërkesë në KLD për tre gjyqtarët e Durrësit

Prokurorët e Krimeve të Rënda i kërkojnë Këshillit të Lartë të Drejtësisë të mblidhet e të pezullojë nga detyra gjyqtarët e Apelit, Kliton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe Petrit Ceno, që të tre ata nën hetim për dyshimet se kanë kryer korrupsion.
Nuk ka ende një njoftim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë se kur do të mblidhet për ta shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë që u refuzua edhe nga Shkalla e Parë edhe nga e Dyta.
Në qëndrimin e organit të akuzës u thuhet anëtarëve të KLD se për sa kohë të tre gjyqtarët e Apelit Durrës janë nën hetim, ata duhet të pezullohen derisa në përfundim të hetimeve. Prokuroria thotë se, tre gjyqtarët dyshohet të kenë përfituar në mënyrë të paligjshme udhëtime jashtë vendit, madje në një rast kanë ndjekur edhe një ndeshje futbolli në Spanjë.
Për këto përfitime, sipas Prokurorisë, ata kanë dhënë një vendim civil në favor të biznesmenit Namik Sadik edhe ky nën hetim nga Krimet e Rënda. Si prova, Prokuroria radhit udhëtimet në të njëjtën kohë të tre gjyqtarëve me biznesmenin si në Itali, ashtu edhe në Spanjë, si edhe prerjen e biletave të udhëtimit në të njëjtën kompani, së bashku me akomodimin.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, gjyqtarët kanë udhëtuar për të ndjekur ndeshjen mes Real Madridit dhe Barcelonës.

Trupi i pajetë i Florenc Beqirajt niset nga Franca drejt Shqipërisë

Florenc Beqiraj, 23-vjeçari që vdiq në rrethana misterioze në Francë po kthehet për t’u prehur përgjithmonë në vendlindjen e tij në Shkodër. Trupi i pajetë i të riut doli nga morgu i Marsejës i mbuluar me flamurin kuq e zi dhe i shoqëruar nga përfaqësues të familjes, mes të cilëve edhe i ati, i cili qëndronte prej ditësh në Francë.
Kortezhi është nisur tranzit drejt Gjermanisë në rrugë tokësore dhe prej andej do të mbërrijë të enjten në Rinas me avion. Burimet thonë se, trupi i pajetë pritet t’i nënshtrohet edhe një ekspertize mjeko-ligjore në Shqipëri në funksion të zbardhjes së shkaqeve të vdekjes. Ai do të përcillet drejt banesës së fundit në Shkodër, ku familja Beqiraj ka hapur dyert e mortit prej ditës që mësoi vdekjen e të birit!
Të gjitha shpenzimet janë marrë përsipër nga qeveria shqiptare, që siç bëri të ditur ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati gjatë vizitës në familjen Beqiraj po bashkëpunon ngushtë me autoritet franceze për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes. Vdekja në rrethana ende të mistershme, që po hetohet nga autoritetet franceze ngjalli reagime të forta dhe protesta.
Ndërkohë, Këshilli Bashkiak në Shkodër miratoi vendimin për dhënien e një ndihme financiare prej 500 mijë lekësh për familjen e Florenc Beqirajt. Vendimi është marrë unanimisht nga Këshilltarët e Bashkisë së Shkodrës.
Sipas ministrisë së Jashtme më 14 dhjetor 2017, rreth orës 17.30, Florenc Beqiraj u gjet i pandërgjegjshëm në dhomën e tij në Qendrën e Ndalimit Administrative në Marsejë, pasi ishte shoqëruar më parë atje pas vendimit administrativ të Prefekturës për largim nga territori francez. Pas disa ditësh në koma të thellë, në datën 21 dhjetor, ora 18.30, u konstatua vdekja e Florenc Beqirajt. Trupi i tij u transportua në pavijonin e mjekësisë ligjore të Marsejës më 23 dhjetor, dhe po i kryhet autopsia. Familjarët kanë dyshime se Florenci është vrarë.
Dhjetëra qytetarë të Shkodrës protestuan një ditë më parë për vdekjen e të riut Florenc Beqirajt në Marsejë të Francës. Me parulla ku shkruhej “Duam drejtësi për shokun tonë”, qytetarët marshuan nga lagjja “Liria” drejt qendrës së qytetit duke kërkuan dorëheqjen e ambasadorit shqiptar ne France, Dritan Tola, pasi sipas tyre nuk ka reaguar siç duhet në lidhje me ngjarjen.Protestuesit kërkuan gjithashtu doreheqjen e ambasadorit shqiptar në Francë Dritan Tola, pasi sipas tyre përfaqësia diplomatike nuk bëri asgjë për rastin tragjik të të riut.