Një ngjarje e rëndë ndodhi në Bashkinë e Tiranës paraditen e djeshme. Një person i paidentifikuar hyri në derën e institucionit me një shishe benzinë në dorë, duke tentuar t’i vërë flakën vetes. Në momentin që personi hodhi benzinën mbi trupin e tij, ndërhynë punonjësit e Bashkisë dhe policët bashkiakë për ta ndalur.
Fatmirësisht ndërhyrja ishte në kohë dhe burri nuk ka mundur ta ndezë flakën. Fotot tregojnë momentin kur policët e kanë kapur personin që tentoi të digjej dhe po e shoqërojnë për në komisariat.
Ndërkohë, një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme edhe në Berat. Burrë e grua kanë përfunduar në Spitalin e Beratit me djegie të mëdha në trup. Ngjarja ka ndodhur në Berat, ku një 43-vjeçare me inicialet T.M i ka vënë flakën vetes, duke tentuar të vetëdigjet me benzinë. Sapo ka konstatuar këtë gjë, bashkëshorti i saj 49-vjeçar G.S, ka tentuar të shuajë flakët, por është djegur edhe vetë.
Menjëherë, bashkëshortët janë dërguar në Spitalin Rajonal të Beratit për të marrë mjekimin e nevojshëm, ndërsa grupi hetimor ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në dëshmitë e para, familjarët e çiftit, thonë se 43-vjeçarja vuan nga depresioni.
Burri i hedh benzinë vetes për t’u djegur në Bashkinë e Tiranës
Biznesi 1.4 miliardë USD që bleu votën anti-SHBA
Ditën kur në OKB do të votohej rezoluta kundër SHBA-ve (për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit), ministri shqiptar i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri ndodhej në Turqi, ai ishte i ftuar special i një konsorciumi të fuqishëm të biznesit turk, në një ceremoni që mbahej për një projekt investimi 1.4 miliardë USD.
Gjiknuri nuk kishte ndonjë lidhje me këtë projekt në Turqi, por ai ishte i ftuar special i kompanisë ‘Kalyon Group’, një kompani në pronësi të afaristit turk Orhan Kalyoncu.
Zoti Kolyoncu është një miliarder që mbështet fort Presidentin Erdogan dhe që mban lidhje biznesi me dhëndrin e Erdoganit të quajtur Berat Albayrak (ministër i Energjisë në Turqi).
Në fotot e shpërndara për këtë ceremoni mund të dallohet familjariteti i zotit Gjiknuri me biznesmenin Kalyoncu dhe dhëndrin e Erdoganit, Berat Albayrak.
Të tre kanë pasur mundësi të presin e përcjellin disa herë njëri-tjetrin në muajt e fundit.
Por një burim diplomatik i informuar dhe i angazhuar në proces, i tha Hashtag.al se javët e fundit objekti kryesor i takimeve mes palëve ka qenë mbështetja e Shqipërisë për rezolutën turke, e cila ndëshkonte SHBA-të.
Burimi pretendon se kontaktet-turko shqiptare mbi këtë çështje kanë nisur në muajin nëntor 2017.
Më 28 nëntor 2017, Zv/Presidenti i SHBA-ve, Mike Pence, deklaroi publikisht se Presidenti Trump po vlerësonte seriozisht mundësine e zhvendosjes në Jeruzalem të ambasadës së SHBA-ve në Izrael.
Kjo deklaratë e Mike Pence i vuri të gjitha palët në lëvizje, ndërsa burimi diplomatik informon se në lëvizje u vu dhe afaristi turk Orhan Kalyoncu.
“Ekzekutivë të ‘Kalyon Group’ kanë mbërritur në Rinas më datën 29 nëntor 2017, ata erdhën me një avion privat TC-KHG, të cilin e kishte marrë me qira. Kjo ishte vizita e parë dhe një shtet fqinj me Shqipërinë, i cili ka mbikëqyrur lëvizjet, informojnë shërbimet partnere për këtë vizitë.
Pas kësaj date, deri më 21 dhjetor janë realizuar edhe disa udhëtime të tjera mes palëve drejt Tiranës apo Ankarasë e Stambollit. ‘Kalyon Group’ ka intensifikuar kontaktet me zyrtarë dhe biznesmenë shqiptarë pas 29 nëntorit dhe ne mendojmë se shkaku kryesor i këtyre vizitave të shpeshta lidhet me rakordimin për votimin në OKB”, sqaron burimi diplomatik.
I njëjti burim diplomatik thotë se, “Kalyon Group” është një firmë e profilizuar në ndërtimet infrastrukturore, rrugë dhe vepra, ndërsa familjariteti i zotit Gjiknuri me këtë kompani mund të ketë bërë që “Kalyon Group” të ketë mbështetur dhe lobuar kalimin e Ministrisë së Transporteve në varësinë e Gjiknurit në qeverinë Rama-2.
Aktualisht kompania ‘Kalyon Group’ është e angazhuar dhe në ortakëri me gjigantin rus të energjisë atomike ‘RosAtom’ në ndërtimin e një impianti atomik në Turqi.
“Hashtag.al”
Xhafajn e përshëndesin në Elbasan: “Rroftë diktatura e proletariatit”!

Një ish-oficer policie është arrestuar nga Policia e Elbasanit pse nderoi me grusht me stilin sovjetik ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Ngjarja ka ndodhur ditën e martë, gjatë vizitës së Xhafajt në Elbasan. Denoncimi është bërë nga vajza e të arrestuarit, e cila i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Ja çfarë ndodhi dje në Elbasan pas vizitës së Fatmir Drogës! Lexoni mesazhin e qytetares dixhitale, e cila denoncon arrestimin antiligjor të babait të saj”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje dr. Berisha! Unë që po ju shkruaj quhem Rovena Çala. Babai im Bujar Çala ish-oficer policie i liruar padrejtësisht nga rilindja bolshevike e Edvin Kristaq Ramës, jeton momente dëshpërimi të thellë. Sot, Policia e Elbasanit e ka shoqëruar në polici. Duket pak si e çuditshme, por është e vërtetë. Ja arsyeja e shoqërimit: Rreth orës 14.00 në Teatrin “Skampa” .inistri i Brendshëm Fatmir Xhafa ishte në një nga sallat e hotel turizmit “Elbasan”. Sapo doli ministri nga turizmi dhe ju drejtua makinës, babai im, Bujari i doli përpara, duke e përshëndetur me stlin sovjetik, duke ngritur grushtin lart. Donte t’i bënte një urim special për mirëseardhjen në qytetin e Elbasanit. Më tej babai vazhdoi, duke thirrur: “Rroftë Marksizëm-Leninizmi! Rroftë diktatura e proletariatit! Rroftë Komiteti Qendror i Partisë Komuniste Shqiptare me në krye shokun Edvin Kristaq Rama”!
Ministri Xhafa nuk bëri zë, por me bishtin ndër shalë hipi në makinë dhe u largua. Sigurisht, kjo skenë u krye në prani të mjaft policëve civilë e me uniformë, të cilët nuk vepruan. Pas kësaj, babin tim në shtëpi erdhi e mori një furgon policie dhe e shoqëruan në komisariat. Nuk e kuptoj se çfarë vepre ka kryer im atë për t’u shoqëruar në polici. Ai nuk shau askënd veçse thirri rroftë, rroftë, rroftë… Përshëndetje më të këndshme ministri nuk besoj se ka marrë në asnjë vend. Shqetësimi më i madh për babin tim mbetet se siç konstatoi në komisariat disa policë ishin të trembur se mund të pezulloheshin nga detyra për mosveprim. Eh, policët e shkretë nuk dinë ç’të bëjnë. Veçse një gjë është e sigurt se, policët nuk janë fajtorë dhe s’kanë pse të ndëshkohen. Ju lutem dr Berisha shpërndajeni këtë mesazh. Me respekt”, shkruan qytetarja nga Elbasani.
Ish-nëndrejtori i Burgjeve dëshmon pro Artur Zotos
Në seancën e radhës ndaj Artur Zotos tek Krimet e Rënda, Gjykata u njoh me dëshminë e ish-zëvendësit të tij, Bledar Skënderi, aktualisht anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Skënderi rrëfeu mbi marrëdhënien e Zotos me ish-kolegun e tij, Iliaz Labi, si edhe për tenderin që çoi në qeli ish-kreun e burgjeve.
Bledar Skënderi, ish-nëndrejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, aktualisht anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte dëshmitari i radhës në procesin gjyqësor ndaj Artur Zotos tek Krimet e Rënda. Ai ishte thirrur nga mbrojtja në procesin ku Zoto përballet me një akuzë për “korrupsion” në lidhje me një procedurë tenderimi.
Thëniet e dëshmitarit nuk kanë pasur asnjë pikëprerje me pretendimet e shfaqura nga ish-zëvendësdrejtori tjetër i Burgjeve, Iliaz Labi, sipas të cilit Zoto ka përfituar një shumë prej 2 milionë lekësh në këmbim të një fituesi të paracaktuar.
Dëshmitari Skënderi konfirmoi pohimet e bëra më herët nga Zoto, për një marrëdhënie të acaruar dhe jo të mirë me ish-vartësin e tij Labi. “Iliaz Labi vinte rrallë në punë. Ai nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Artur Zoton. Nuk mbaj mend t’i kem parë ndonjëherë bashkë”, është shprehur Skënderi.
Në lidhje me procedurën e tenderit të ushqimeve, Skënderi ka rrëfyer se janë ndjekur të gjithë hapat e kërkuara nga ligji dhe se nuk ka pasur dyshimet për ndonjë parregullsi. Në vijim Gjykata është njohur me dëshmitë e tre anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave gjatë së njëjtës procedurë. Ata kanë pretenduar se në praktikën në fjalë nuk janë konstatuar shkelje.
Në seancën e 30 nëntorit 2017, Artur Zoto këmbënguli mbi pafajësinë e tij, si dhe i bëri thirrje Gjykatës të ngrejë një komision të veçantë për verifikimin e tenderit.
Dy shqiptarë kapen me 18 kg heroinë në Greqi
Dy shqiptarë u arrestuan me 18.3 kilogramë heroinë në Athinë. Atyre iu gjetën 64 kg përzjerës kimikë për heroinën, si dhe 95 gramë kokainë. Sipas policisë greke dyshohet se prej këtij aktiviteti, dy të arrestuarit kishin përfituar shuma të mëdha parash, të cilat investoheshin në prona të patundshme në Shqipëri. Ata u dërguan në Gjykatë, e cila vendosi t’i lërë në burg deri në përfundim të hetimeve.
Aksioni u ndërmorr në Drapetsona, në Athinë. Mësohet se sasia e drogës u sekuestrua në banesë, në të cilën u gjetën 95,8 gr kokainë, 64 kg substancë në trajte pluhuri që përdoret si përzierës i heroinës. Po ashtu shqiptarëve, 37 dhe 48 vjeç, iu sekuestruan edhe 540 euro si dhe 5 celularë. Ndërkohë, policia greke ka nisur hetimet për zbardhjen dhe identifikimin e plotë të rrjetit kriminal.
Para dy ditësh policia greke sekuestroi 101 kg drogë dhe një kallashnikov të futur nga Shqipëria. Operacioni u krye nga policia greke në Kallpaq të Janinës, ndërsa mjeti në të cilin ishte ngarkuar droga vinte nga kufiri i gjelbërt dhe drejtohej nga një shtetas grek. Gjatë kontrollit u gjetën në sediljen e pasme të mjetit 65 pako me 101 kg marijuanë. Në makinë ishte fshehur edhe një kallashnikov, 200 euro dhe 2 celularë.
Gjatë 2017-ës u sekuestruan gjithsej 16 tonë kanabis, shumica e të cilave kishin hyrë nga Shqipëria, 302 kg heroinë, 220 kg kokainë dhe 50.000 pilula narkotike. Policia trajtoi 12.000 çështje që lidheshin me drogën. U proceduan 17.000 persona, nga të cilët 12.000 u arrestuan.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke tha se, gjatë vitit të ardhshëm, do të operohet në dy akse në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në sensibilizimin e shoqërisë, për të patur rezultate edhe më të mira në luftën kundër trafikut të drogës.
Të dënohen dhuna e deputeteve brenda dhe jashtë Parlamentit
Aleanca e Grave Deputete i kërkoi Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, që të dënojë dhe të marrë masa për deputetët dhe punonjësit e Policisë që ushtruan dhunë kundër dy deputeteve vajza, Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpaçi.
Gratë deputete i dërguan një letër Kryetarit të Kuvendit, ku shprehën shqetësimin për mungesën e reagimit nga ana e zotit Ruçi, si dhe vunë në dukje tolerancën e treguar prej tij ndaj dhunës dhe gjakosjes së dy deputeteve nga deputetët burra dhe punonjës të Policisë së Shtetit.
“Ju, në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit dhe vetë Kreu i mazhorancës Edi Rama, jo vetëm nuk u distancuat nga dhuna apo nuk morët masa ndaj saj, por, nëpërmjet tolerancës dhe heshtjes tuaj, treguat se pas këtyre akteve dhe nixitës e përkrahës të tyre jeni pikërisht ju”, thuhet në letrën drejtuar kryeparlamentarit Ruçi.
Aleanca e Grave Deputete theksoi se, nga Byroja e Kuvendit të Shqipërisë u ndërmor një akt i paprecedentë, ku edhe e dhunuara, edhe dhunuesi, u dënuan njësoj nga mazhoranca, të cilës zoti Ruçi i përket. “Kjo provoi edhe njëherë se dhuna ndaj grave është fenomen që jo vetëm nuk luftohet nga mazhoranca juaj, por nxitës i saj është vetë Kreu i qeverisë Edi Rama”, thuhet në letër.
“Në cilësinë e deputeteve të Kuvendit të Shqipërisë, anëtare të Aleancës së Grave Deputete, dënojmë me forcë këto akte dhune, duke kërkuar nga ana juaj, marrjen e menjëhershme të masave për të dënuar maksimalisht dhe për të vënë përpara përgjegjësisë penale dhe administrative, deputetët burra dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, që ushtruan akte dhune ndaj grave deputete, si dhe vetë nxitësin e këtyre akteve, Edi Ramën”, thuhet në letrën drejtuar Ruçit.
Aleanca e Grave Deputete beson se me realizimin e këtyre hapave, Kryeparlamentari Ruçi dhe mazhoranca do të provojnë se e kanë seriozisht angazhimin kundër dhunës ndaj grave, të ndërmarrë me miratimin pak kohë më parë të Rezolutës konsensuale “Për dënimin e dhunës ndaj grave e vajzave dhe rritjen e efektshmërisë së mekanizmave ligjorë për parandalimin e saj”. “Në të kundërt, nëpërmjet mosveprimit tuaj, ju do të zhbënit këtë angazhim konsensual që në ditët e para të miratimit të tij, duke treguar, edhe në këtë rast, se mbështetja ndaj Rezolutës së propozuar nga opozita ishte një akt fasadë”, thuhet në letrën e AGD.
Anëtaret e Aleancës së Grave Deputete ftuan kolegët e Partisë Socialiste që t’i bashkohen protestës kundër dhunës ndaj grave deputete dhe grave e vajzave shqiptare.
Presidenti maqedonas: Platforma e Ramës na solli krizën kushtetuese
“Për shkak të Platformës së Tiranës, kriza politike [në Maqedoni] është rritur në një krizë kushtetuese”. Kjo ishte deklarata e fortë e Presidentit të Maqedonisë, George Ivanov, në fjalimin e përvitshëm përpara deputetëve të Kuvendit. Duke folur për vitin 2017, Presidenti Ivanov theksoi se kriza politike, për fat të keq është bërë tashmë realitet: “Nuk mund, që mos të konstatoj se kriza po bëhet një normalitet i ri, ku njerëzit filluan të mësohen me të”. Sipas presidentin, marrëveshja e Tiranës mes liderëve të partive shqiptare në Maqedoni, hartuar nën dirigjimin e Edi Ramës, për të unifikuar qëndrimin për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, ka sjellë shumë mospërputhje të Kushtetutës dhe ka vështirësuar formimin e qeverisë. “Platforma e Tiranës” ishte një prej arsyeve kryesore se përse Presidenti Ivanov i refuzoi dy herë të drejtën për të formuar qeverinë Zoran Zaev, lideri i partisë LSDM. Në fillim të marsit, Presidenti Ivanon, në refuzimin e parë të koalicionit të Zaev, deklaroi se: “kushtetuta dhe ndërgjegja ime më ndalon të jap një mandat për këdo që shkatërron sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë.” Ai shtoi se, Zoran Zaev duhet të jetë i pari që të refuzojë një “platformë që vjen nga një vend i huaj”. Po ashtu, ish-kryeministri Nikola Gruevski, ka refuzuar publikisht platformën e hartuar në Tiranë, në janar 2017, nga partitë shqiptare të Maqedonisë. Me anë të një deklarate për shtyp, VMRO-DPMNE, forca që fitoi zgjedhjet e dhjetorit me 51 vende në parlament, shprehet: “Në zgjedhjet e kaluara qytetarët votuan për VMRO-DPMNE-në e jo për platformën e Tiranës. Është e palejueshme që platforma e Tiranës të bëhet kusht për formimin e qeverisë në Republikën e Maqedonisë. Ajo qeveri do të ishte qeveri e Tiranës”. Megjithëse prej disa muajsh tashmë, Maqedonia ka qeverinë e re, formuar nga LSDM dhe dy partitë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleanca për shqiptarët, Parlamenti është bllokuar dhe shumë nga reformat nuk janë votuar ende.
Rriten me 40% çmimet në prag të festave
Pikat e pakicës në kryeqytet i shiten dy ditët e fundit me 40 për qind më shtrenjtë mandarinat, portokallet dhe limonët dhe me gati 20 për qind mollët dhe frutat e tjera për shkak se prodhimit vendas i ka ardhur fundi.
Tregtarët pohojnë se po marrin furnizimet me çmime më të larta, teksa në ditët e fundit të javës çmimet do të rriten më tej për shkak të konsumit që sjell festa e ndërrimit të viteve.
Një kilogram mandarina kushtoi sot në tregjet e pakicës 100-120 lekë nga 70 lekë që ishte javën e kaluar. Në të njëjtat nivele u rrit edhe çmimi i portokalleve, ndërsa çmimi i një kilogrami mollë vendi u rrit me 20 lekë.
Llukan Kote, një nga përfaqësuesit e kooperativës së Xarrës, prodhuesi më i madh i agrumeve në vend pohoi për “Monitor” se prodhimi vendas pothuajse ka përfunduar.
Ai tha se, prodhimi këtë vit ishte 30 për qind më e lartë, teksa nga ana tjetër edhe tregtia ka qenë shumë e mbarë. Zoti Kote tha se, këtë vit Xarra zgjeroi kontratat e importit me Kosovën, Poloninë dhe Rumaninë.
Ai shpjegoi se, mandarina e Xarrës në pjesën dërrmuese të saj ka shkuar në eksport teksa tregu vendas është furnizuar më së shumti nga qytete të tjera.
Temperaturat e ulëta të vitit të kaluar nuk kanë sjellë shumë dëme në agrumet e Xarrës, për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik, teksa vende te tjera të rajonit si Mali i Zi dhe Kroacia kanë pësuar dëme të mëdha.
Kjo ka bërë që kërkesa për mandarinën shqiptare të rritet edhe më shumë, duke bërë që edhe furnizimet për tregun vendas të jenë të limituara dhe po ofrohen me çmime më të larta.
Nga ana tjetër, përmbytjet e fillimit të muajit dhjetor dëmtuan prodhimet e stinës, duke bërë që brokoli dhe lulelakra të shiten me çmime dyfish më të larta.
Një kilogram brokoli kushtoi dje në pikat e pakicës 170 lekë nga 80 lekë që ishte javën e kaluar.
Çmimet e fruta dhe perimeve janë përbërësit kryesor të inflacionit në vendin tonë, pasi përgjatë gjithë vitit, ato janë rritur me ritme dyshifrore teksa çmimet e artikujve të tjerë të qëndrueshëm shpesh herë janë paraqitur me rënie.
KLSH: Anuloni kontratën për zonën ekonomike të Spitallës
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar anulimin e ofertës fituese të bërë nga Pelikani sh.p.k për zhvillimin e zonës ekonomike Spitallë. Në argumentin e tij KLSH vlerëson se oferta e skualifikuar e kompanisë Edil Al-IT siguronte një përfitim më të lartë ekonomik, por edhe punësim më të madh. Auditimi i posaçëm mbi këtë procedurë të zhvilluar nga ish-Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ka ngarkuar me përgjegjësi anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Auditimi i KLSH
“Nga auditimi rezultoi që KVO ka klasifikuar padrejtësisht në vend të dytë Operatorin ekonomik “Ofertuesi 1”, duke sjellë si pasojë:
potencialisht 54 milionë euro investime të munguara (kosto e investimit të “Ofertuesi 1” është rreth 93 milionë euro, ndërsa e bashkimit të operatorëve “Ofertuesi 2” është 39 milionë euro, ose 54 milionë euro më pak);
potencialisht 9,500 vende pune më pak (“Ofertuesi 1” do të punësojë 12,000 punëtorë, ndërsa e bashkimi i operatorëve “Ofertuesi 2”, 2,500 punonjës);
potencialisht të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit, nga mosrealizimi i kontributeve për pagesën e sigurimeve shoqërore vetëm për 1 vit për shumën 718 milionë lekë (6,300 x 9,500 x 12); dhe së fundmi
Risqe të shtuara për ndotjen mjedisore (“Ofertuesi 1” do të investojë në magazina doganore, qendra biznesi, etj; ndërsa bashkimi i operatorëve “Ofertuesi 2”, midis të tjerash do të investojë edhe në ndërtimin e një fabrike ferrokromi, me impakt të lartë mjedisor).
Sa më sipër, KLSH ka rekomanduar marrjen e masave për anulimin e shpalljes fitues të bashkimit të operatorëve ekonomikë “Ofertuesi 2”, pasi nga auditimi ka rezultuar që si fitues duhet të ishte shpallur operatori tjetër ekonomik “Ofertuesi 1” në ofertën e të cilit parashikohej një investim prej 54 milionë euro dhe punësimi i 9,500 punonjësve më tepër se bashkimi i operatorëve i klasifikuar në mënyrë të padrejtë në vend të parë”, vlerëson KLSH.
Në Kavajë mafia socialiste që grabiti qindra hektarë, tani merr edhe Hipotekën
Një tjetër skandal është denoncuar nga qytetarët e Kavajës për sa i përket emërimeve në administratë. Ish-kryeministri Sali Berisha, ka bërë publik një denoncim të një qytetari, i cili shkruan se në krye të Hipotekave në Kavajë, pritet të vijë vajza e Seit Cikalleshit, i cili tentoi të vidhte 36 hektarë tokë në Spille. Ndërkohë denoncuesi shkruan se në rast se PD, do të bëjë denoncim rreth këtij emërimi, mafiozët socialistë kanë edhe një plan B.
Ja postimi i Berishës në Facebook: Në Kavajë mafia socialiste që grabiti qindra hektarë tokë në Spille, tani merr edhe Hipotekën e saj! Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital. Emërimin e kunatës së famozit Genti Daja si kryeregjistruese të Kavajës.
“Përshëndetje Doktor. Një lajm i zi nga Kavaja! Pasi vjehrri i Gent Dajës (Seit Cikalleshi) tentoi të vidhte 36 hektarë tokë në bregdet dhe dështoi, sot vjen lajmi akoma më i keq se vajza e Seit Cikalleshit (Blerta Cikalleshi kunata e Gent Dajës) do të bëhet Kryeregjistruese e Hipotekës së Kavajës, për të vazhduar punën që la përgjysëm babai me vjedhjen e pronës, ose të paktën të dëmtojë provat e vjedhjes që është bërë. Deri tani flitet që po nuk ka denoncim publik nga PD është e sigurtë që në konkursin fals të datës 22.12.2017 në Ministrinë e Drejtësisë do të zgjidhet Blerta Cikalleshi. Por Gent Daja ka menduar edhe planin “B”, nëse ka denoncim nga PD, Blerta Cikalleshi do të tërhiqet dhe do të emërojë pas konkursit fals, Irma Demrozin Kryetaren e Forumit të Gruas Socialiste (pa arsimin përkatës) për të dëmtuar provat e vjedhjes së 36 hektarëve tokë në bregdet.
Ju lutem bëjeni publik denoncimin dhe monitoroni procesin e konkurrimit që hajdutët të mos arrijnë teë kryejnë vjedhjen që kanë planifikuar dhe të dëmtojnë provat. Anonim Doktor të lutem se këta të hakojnë dhe të mbyllim faqen e internetit”, thuhet në denoncimin e publikuar nga Berisha.