26.5 C
Tirana
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Borxhi, Qeveria pranon se po çon vendin drejt falimentimit

Ministria e Financave lajmëron se hapësirat për të financuar borxhin nga burimet të brendshme po shterojnë.
Financimi nga tregu i brendshëm po shoqërohet me kufizime, të cilat rrjedhin nga jetëgjatësia relativisht e shkurtër e borxhit të brendshëm (rreth 2.1 vite) dhe niveli i lartë i borxhit që rifinancohet, baza e kufizuar e investitorëve dhe përqendrimi në më shumë se 60% tek sektori bankar, tregu jo pazhvilluar i titujve shtetërorë, kufizimet e vendosura nga bankat mëma në drejtim të bankave vendase në lidhje me limitimin e ekspozimit ndaj borxhit sovran dhe ruajtjen e raporteve të caktuara të likuiditetit.
“Duke marrë në konsideratë faktorët e mësipërm, shoqëruar me borxhin në vlerë absolute në rritje, nivelin e rritjes së depozitave dhe pritshmëritë për rënien e mëtejshme të nivelit të kredive me probleme, rezulton se financimi i brendshëm është i kufizuar dhe rritja vjetore përtej 20-22 miliardë lekë do të ishte e vështirë për t’u realizuar pa ushtruar presion rritës mbi normat e interesit”, analizon Ministria e Financave.
Nga ana tjetër, rezulton se kërkesa e lartë për financim nga ana e qeverisë në tregun e brendshëm mund të ulë kreditimin e sektorit privat, i cili është faktor mjaft i rëndësishëm përsa i përket stimulimit të rritjes ekonomike të vendit, uljes së papunësisë strukturore, si edhe rritjes së produktivitetit dhe konkurrueshmërisë në rajon e më gjerë.
Për rrjedhojë burimet e huaja të financimit në periudhën afatmesme do të shërbejnë si një plotësues i burimeve të brendshme dhe do të shërbejnë përveç të tjerash edhe si optimizues i kostove të borxhit, duke qenë se këto burime paraqiten të mirëdiversifikuara dhe ofrojnë mundësi financimi jo vetëm me terma tregtare, por edhe me terma koncensionalë.
Ministria e Financave lajmëron se instrumentet kryesore që do të mund të përdoren në sigurimin e financimit të huaj janë:
a) Kreditë për financimin e projekteve, të siguruara kryesisht nga burime dypalëshe dhe shumëpalëshe;
b) Mbështetje buxhetore nga institucionet ndërkombëtare financiare, në kuadër të mbështetjes së reformave të ndërmarra nga Qeveria;
c) Eurobondi
d) Garancia pjesore e lëshuar nga Banka Botërore (PBG)
Huamarrja nëpërmjet burimeve të tregut të brendshëm është më e lehtë për t’u realizuar përsa i përket anës procedurale, është më fleksibël, eviton ekspozimin ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, si edhe i hap rrugën zhvillimit të tregut primar dhe sekondar të titujve shtetërorë, por hapësirat për financim të mëtejshëm janë shumë të pakta.

 

Kryemadhi: Dëshpërimi ekonomik po mbyt shqiptarët

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, ka pasqyruar disa nga sfidat e shumta të Shqipërisë, në rrugën e saj drejt integrimit në BE. Në artikullin e saj, “Politikë e Re për Gjeneratën e Re të Shqipërisë” për prestigjiozen, “European Interest”, Kryemadhi thekson se pavarësisht ndryshimeve që vendi ka përjetuar në 27 vitet e fundit, që nga përmbysja e diktaturës së Hoxhës, qeveria dhe elita e saj politike nuk kanë qenë të afta të përmbushin pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë. “Ekonomia shqiptare ka vuajtur për dekada të tëra, pasi pasuria është përqendruar gjithnjë e më shumë tek elitat e Shqipërisë, në kurriz të familjeve të thjeshta shqiptare. Ky dëshpërim ekonomik ka detyruar një numër të konsiderueshëm shqiptarësh të lëvizin jashtë vendit. Së paku 1/3 e popullsisë së saj ka emigruar në BE dhe në mbarë botën, si dhe 300,000 shqiptarë kanë ikur nga vendi vetëm në 4 vitet e fundit”, shkruan Kryemadhi. Ekonomia shqiptare, sipas Kryemadhit, ka qenë e varur për shumë vite nga dërgesat e emigrantëve shqiptarë në Evropë dhe më gjerë. “Megjithatë, ky burim i financimit për konsumin e brendshëm dhe investimet private është shteruar dukshëm kohët e fundit. Ndërlikimi i mëtejshëm i situatës ekonomike të Shqipërisë është përpjekja e dështuar për të tërhequr Investimet e Huaja Direkte, kryesisht për shkak të pamundësisë së krijimit të një modeli ekonomik me kornizën e duhur fiskale dhe ligjore, e gatshme për të tërhequr investitorë të huaj strategjikë”, shkruan kryetarja e LSI. Kryemadhi shpreh besimin se sot, shoqëria shqiptare po përballet me një çështje ekzistenciale, pasi të gjithë të rinjtë shqiptarë kanë të drejtën për të bërë zgjedhjen e tyre personale: ose të qëndrojnë në Shqipëri për të kontribuar në ndërtimin e vendit tonë ose të largohen nga Shqipëria në kërkim të një jete më të mirë. “Kryesisht është në dorën tonë, si politikanë, nëse ne do të jemi të aftë të japim përgjigjet e duhura, drejtimin e qartë dhe motivimin solid karshi pritshmërive të të rinjve tanë, në mënyrë që të gjithë së bashku të ndërtojmë vendin tonë brenda një kohe të shkurtër, për të krijuar një Shqipëri më të mirë dhe më të begatë”, mbyll shkrim e saj Kryemadhi.

 

Shehu: Një votë absurde kundër SHBA

Deputeti demokrat Tritan Shehu, ka risjellë në vëmendje deklaratën e ambasadores amerikane në OKB, pas rrëzimit të vendimit të Presidentit Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Mes vendeve që u pozicionuan kundër ishte edhe Shqipëria, për të cilën Tritan Shehu ngre pyetjen “a do të konsiderohet nga SHBA vota jonë absurde në Asamble si një votë kundër vetë atyre?”. “Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë këtë ditë në të cilën u veçuan për t’u sulmuar në Asamblenë e Përgjithshme për vetë aktin e ushtrimit të të drejtës si vend sovran. Ne do ta kujtojmë këtë ditë, kur……shumë vende të vijnë të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh, që të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, tha së fundmi Ambasadorja amerikane në OKB, Zj. Haley. Mbas kësaj deklarate nuk besoj se ka me dyshime për përgjigjen e pyetjes: “A do të konsiderohet nga SHBA vota jonë absurde në Asamble si një votë kundër vetë atyre?” Nga askush tjetër përveçse SHBA-ve mund të vijë kjo përgjigje. Dhe kjo përgjigje ka ardhur përsëri e qartë prej tyre, ashtu siç dhe ishte paralajmëruar. Pavarësisht kjo demagogjive të atyre që për aventurizëm, “lidhje a dashuri” të tjera, nuk deshën e nuk duan ta “kuptojnë” këtë, duke cënuar kështu rëndë interesat e Shqipërisë, Kosovës, shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e kudo ku ata jetojnë, ky tashmë është një fakt i hidhur për ne. Kjo e vërtetë tragjike nuk mund të zhbëhet nga disa “avokatë” të qeverisë, por vetëm nga një lëvizje të madhe mbarëkombëtare. Të bësh një mik të madh nuk ndodh as lehtësisht e as me shpejtësi, por ta humbësh atë mund të mjaftojë vetëm një çast ku tregon mosmirënjohje a pabesi”.

Vasili: Vota në OKB, gabim historik

Kreu i Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, në një reagim në rrjetin social Facebook thekson se, vota e qeverisë Rama kundër Amerikës në OKB është një turp që nuk zhbëhet. Vasili shprehet se çdo alibi e qeverisë e rëndon këtë faj historik të saj, ndërkohë që nënvizon se asnjë shqiptar nuk është në krah të qeverisë, kur ajo voton kundër Amerikës. “Qeveria kundër Amerikës në OKB, ky turp i saj nuk zhbëhet. Qeveria votoi kundër Amerikës dhe këtë nuk e luan topi. Çdo alibi e shpëlarë e qeverisë vetëm se e rëndon këtë faj historik të saj. Asnjë shqiptar nuk është në krah të qeverisë kur ajo voton kundër Amerikës. Arsyet e errëta të këtij votimi antiamerikan të qeverisë janë të qarta dhe qëllimkëqia. Çdo avokati e këtij turpi që nuk zhbëhet dot është po aq e errët sa edhe vetë arsyet e errëta të qeverisë së kapur për të votuar haptas kundër Amerikës. Denoncimi i fortë, pa komplekse dhe pa kompromis i këtij turpi është i vetmi qendrim i ndershëm në të mirë të Shqipërisë dhe në dëm të klikës antiamerikane që qeveris vendin dhe të gjithë zëdhënësve të saj politikë e parapolitikë”, shprehet Vasili.

Masakra mjedisore me Mbetjet Urbane në Zall-Herr

Mbetjet urbane kanë pushtuar lumin Tërkuzë në Njësinë Administrative Zall-Herr të Bashkisë Tiranë. Kjo njësi ndodhet vetëm pak kilometra larg kryeqytetit dhe përbehët nga 11 fshatra. Aktualisht në Zall-Herr ka vetëm 10 konteinerë mbeturiansh për rreth 12 mijë banorë. Duke marrë parasysh sipërfaqen e madhe të kësaj njësie, këto konteinerë janë të pamjaftueshëm. “Para dy vitesh u hodhën mbetje farmaceutike që ishin një problem, tani po buzë lumit Tërkuzë hedhin mbetje urbane që është bërë një shqetësim për ne. Shqetësimi i dytë është mospastrimi i plehrave nga ana e Bashkisë. Zall-Herri është si aneks i Bashkisë së madhe me ndarjen e re territoriale. E them me bindje të plotë që s’kanë asnjë farë interesimi, asgjë”, tregon Bashkim Meta, pronari i një biznesi të vogël në qendër të Zall-Herrit. Një problem tjetër është fakti se që prej datës 31 mars 2016, kësaj njësie i ka mbaruar dhe kontrata me kompaninë që sillte kamionët për pastrimin e mbetjeve në konteiner. Pavarësisht kërkesave dhe ankesave të banorëve të kësaj zone dhe të Njësisë Administrative, Bashkia Tiranë ende s’ka gjetur zgjidhje dhe këtë e konfirmojnë për Citizens Channel edhe banorët. Ndaj banorët, por edhe bizneset, të cilat operojnë në këtë zonë, kanë gjetur një zgjidhje aspak të këndshme, hedhjen buzë lumit Tërkuzë të mbeturinave. “Shqetësues është po çfarë të them unë. Kosha s’kemi dhe jemi të detyruar t’i hedhim diku. Disa i hedhin, disa i djegin materialet që janë kartona”, dëshmon Afrim Neziri, banor i kësaj zone. “Shumë keq është bërë vendi, por s’kemi çfarë të bëjmë. Fshati vetë i hedh, por s’ka kosha”, thotë për Citizens Channel, Sulltane Vogli. “Një pjesë e mbetjeve që gjenden sot përgjatë lumit Tërkuzë vijnë nga jashtë me kamion dhe thjesht derdhen aty”, na thotë Xhavit Xhepa përgjegjës i sektorit të shërbimeve pranë Njësisë Administrative Zall-Herr. Por megjithatë, ai nuk përjashton edhe mundësinë që banorët e shikojnë si një zgjidhje të lehtë, hedhjen e tyre në lum, sepse s’ka konteiner. Sipas Xhepës, Njësia Administrative e Zall-Herrit, i ka drejtuar kërkesë Bashkisë së Tiranës gjithashtu edhe për shtimin e numrit të konteinerëve, sepse janë të pamjaftueshëm për një siperfaqe kaq të madhe. “Nuk i kemi kushtuar shumë rëndësi shkresave dhe anës burokratike, por jemi përpjekur që me mundësitë që kemi dhe me bashkëpunimin me drejtoritë përkatëse të ndërhyjmë vetë për të bërë diçka, për pastrimin e tyre. Ne jemi informuar gjithashtu nga Bashkia e Tiranës se, në janar do të vijnë konteinerët”, rrëfen Xhepa. Rritja e numrit të konteinerëve dhe shpërndarja e tyre në të gjithë territorin e Njësisë Administrative është një emergjencë që ka 3 vite që është lënë pa u zgjidhur. “Vijnë për vota, na marrin votat e na japin një birrë atje dhe mbetjet urbane për faqe të zezë. Komunës ia vëmë fajin, por edhe tani që e mori Bashkia njësoj është, më fshat i humbur që jemi, s’ka ku të shkojë”, shprehet i revoltuar Gentian Taga. Megjithatë Njësia Administrative duket se ka bërë maksimumin brenda kompetencave të pakta që zotëron tanimë. “Mbetjet urbane kanë qenë një nga prioritetet e punës sonë, kështu që ne vazhdimisht me mundësitë që ka njësia, kemi ndërhyrë për pastrimin e mbetjeve. Megjithatë duhet pranuar, që ka vend për përmirësim, por me informacionet që kemi marrë nga Bashkia e Tiranës shpresojmë që kjo situatë të marrë fund sa më shpejt, që më në fund edhe Zall Herri të integrohet brenda bashkisë së madhe”, deklaron Xhepa për Citizens Channel. Megjithatë pavarësisht zhgënjimeve të vazhdueshme për një sërë premtimesh të pambajtura, si në infrastrukturë, punësim dhe kanale vaditëse, shqëtësimi i mbetjeve është një plagë që njihet mirë në periferinë e Tiranës. “Këtu është faji i gjithkujt. Ne nuk kemi një pikë grumbullimi që t’i hedhin të gjithë në një vend dhe të vijnë ata e t’i mbledhin. Do t’i kërkoja Bashkisë Tiranë që të paktën të pajiste çdo fshat me dy kosha”, vijon Isuf Baqoshi. Lumi Tërkuzë është ai që vuan pasojat e dorës njerëzore, megjithëse banorët e përdorin për vaditjen e tokave bujqësore dhe ka derdhje në Ishëm. Zall-Herri ka pasur edhe precedentë të tjerë vitet e kaluara, në 2013 dhe në 2015, dy herë radhazi, kjo njësi u bë pjesë e skandalit të mbetjeve spitalore dhe farmaceutike, ku tonelata të tëra u hodhen në Lumin Tërkuz, duke kontaminuar edhe produktet bujqësore.

Shtyhet vendimi për Velierën, ekspertët: Projekti fillestar cenon trashëgiminë

Tre ekspertë të pavarur, arkeologë të angazhuar nga Prokuroria prezantuan para Gjykatës Administrative të Durrësit raportin e shumëpritur për projektin Veliera. Përpara trupit gjykues, dhe në prani të përfaqësuesve të Shoqërisë Civile, ekspertët që kanë në dorë fatin e Velierës, thanë se projekti fillestar e cenon trashëgiminë kulturore të Durrësit. Përfaqësuesit e Shoqërisë Civile e ndoqën për dy orë prezantimin, por në fund kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me ekspertizën dhe më pas do të paraqesin qëndrimet. Në këto kushte, vendimi u shty për të 9 herë radhazi dhe seanca e radhës u caktua më datë 9 janar. Punimet për projektin tashmë të famshëm që ka gjetur mbështetës, por edhe kundërshtarë nisën rreth 13 muaj më parë në lulishen para Drejtorisë së Portit dhe Torrës Veneciane. Reagimet kundër u finalizuan me një padi të Shoqërisë Civile, pasi punimet nxorrën në dritë objekte arkeologjike. Projekti “Veliera” do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike, ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 237, më datë 23 mars 2011. Edhe pse VKM-ja lejon rindërtimin e infrastrukturës në këtë zonë të mbrojtur, neni 2, pika 3 parashikon qartësisht se lejohen vetëm ndërtime të lehta me një lartësi maksimale deri në 3 metra. Këto ndërtime duhet të jenë të lëvizshme dhe nuk duhet të dëmtojnë themelet nëntokësore dhe peizazhin. Zona ngjyrë rozë është Zona e mbrojtur A. Ngjyra e gjelbër është Zona B, në të cilën ndërtimet lejohen pas një “mbikëqyrjeje të vazhdueshme” nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, me anë të “zhurmave arkeologjike ose forma të tjera testimi në varësi të potencialeve të ofruara nga zona dhe me miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë”.

 

59 minuta me Lulzim Bashën

Agim XHAFKA

Që prej një jave kisha fiksuar një takim me kryetarin e PD-së. Do e bëja më dt 27 dhjetor ora 10 e 30. Para se të shkoja tek zyra e tij piva kafe me ca shokë të mi dhe u kërkova të më sugjeronin ca piketa për bisedën që do bëja. E nisën idetë varg.
-Të japë dorëheqjen, më tha Toni.
-Të tregojë marrëveshjen me Ramën, sugjeroi Mondi.
-Kur të thotë datën e protestës së ardhshme mundësisht të përcaktojë vitin, foli Edi.
-Mos i thuaj asgjë nga këto. Kërkoi që të shkojë te Burgu 313 e të shohë, cilët janë kriminelët më të shquar. Ata t’i vendosë te lista e ardhshme për deputetë e fitoren e ka në xhep, tha i nxehur Gazi.
Me kaq ngarkesë që mora ika në takim pak i nxehur. Por u zbuta si fillim kur takimi nisi fiks në orën e caktuar. Sa hyra tek zyra e tij dhe i dhashë dorën pashë që ishte shumë i gjatë. Unë, plot 1,8 metër dukesha si Braçe para Tom Doshit. Prapë një gjatosh do na vijë kryeministër, mendova në çast e u dëshpërova se më erdhi ndër mend rrenat që na vijnë nga lart.
Pashë zyrën aq të pastër e të bukur dhe i thashë:
-Të isha si ju nuk do luftoja për pushtet. Se kjo zyrë është më e bukur se ajo në qeveri.
Më pas erdhi kafja, përshëndetjet e rastit dhe shpjegimi që ai bëri për mua rreth çdo pyetjeje që i drejtova. U ndjeva si me një të njohur të vjetër. Se ai fliste, por dhe dëgjonte. Jo pak herë përmendi se kishte bërë gabim këtë dhe atë. Nuk gërthiti, nuk më ndërpreu e sa herë doja të largohesha më lutej, rri dhe pak.
Normal që në takime të tilla njeriu bën krahasim me rivalin e tij. Unë i bëj më konkrete se Ramën e njoh më mirë. Në gjatësi ai ia kalon pak Bashës, por Luli ka përparësi arsimin, rininë, maturinë, seriozitetin dhe përgjegjësinë. Nuk janë pak, është një mal me përparësi. Dhe kur i pëmenda marrëveshjen e majit, pashë që i hypi një trishtim në fytyrë, që lexohej si thyerje besimi. Kuptova që kishte pasur mirëkuptim në dorën që shtriu, por ja që ia kafshuan gjithë gishtat. E sa herë fliste për këtë temë fërkonte duart, sikur donte të mjekonte plagët e atij maji.
Zyra e Bashës ishte tamam perëndimore. Në lartësi e në ndriçim. Atje u ndjeva si një bashkëpunëtor i tij, pa qenë në partinë e tij. Kam besuar përherë tek lëvizjet që ka bërë. Me aq pak deputetë arriti të njoftojë globin se qeveria shqiptare është ngritur mbi krimin dhe mbi oligarkët që po blejnë krejt institucionet. Por lexova vullnet e seriozitet, këmbëngulje për të mos u dhënë para mashtrimit e kërcënimit. Në fund nuk rashë dakord me termin kamikaz që shprehu për ca ndihmës të Ramës. Se unë ata i emërtoj bajga e ajo edhe po shpërtheu si kamikaz nuk të vret, veç të ndot.
Takimi zgjati plot 59 minuta. Ishin shumë, m’u dukën pak. Erdha cazë i nxehur dhe u largova i zjarrtë se Luli do jetë Lulëzim vitin që po hyn dhe unë me plot si unë do jemi bashistë…E sigurt.

618 infermierë largohen nga Shqipëria

Numri i infermierëve që kërkojnë të largohen nga Shqipëria për të punuar në vendet e Bashkimit Europian, po rritet nga viti në vit. 618 janë larguar vetëm përgjatë 2017, duke shënuar kështu një rekord të ri, i cili është trefish më i lartë se i një viti më parë. Sabri Skënderi, president i Urdhrit të Infermierit: “Për vitin që kaloi shkuan në rreth 230. Për këtë vit ne kemi rreth 618. Destinacioni kryesor i tyre është Gjermania. Ajo që na shqetëson më shumë është, sepse ata duan një infermier me eksperiencë”. Shkaqet e largimit janë për një pagë dhe trajtim më të mirë, por Presidenti i Urdhrit të Infermierëve e shikon me shqetësim këtë eksod, i cili në të ardhmen mund të krijojë mangësi në sistemin tonë shëndetësor. “Di që po vazhdojnë kurset e gjuhës së huaj për të ikur dhe në vitin 2018, apo 2019 apo 2020 do të kemi në fluks akoma më të madh dhe ndoshta pas viteve 2020 mund të krijohen probleme dhe tek ne”. Ai kërkon që qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë të marri masa për parandalimin e këtyre largimeve masive, duke përmirësuar kushtet e punës, pagën dhe trajtimin e infermierëve.

Tkurret popullsia, numri i lindjeve ka rënë dhe vdekjet janë rritur

Treguesit demografikë janë përkeqësuar më tej në tremujorin e tretë të vitit, teksa numri i lindjeve ka rënë dhe vdekjet janë rritur.
Sipas INSTAT numri i lindjeve për tremujorin e tretë 2017, rezulton 7.203, duke shënuar një rënie me 20,7%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016.
Numri i vdekjeve për tremujorin e tretë 2017 rezulton 4.853, duke shënuar një rritje prej 3,7%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Gjatë tremujorit të tretë 2017, numri i lindjeve tejkaloi me 2.350 numrin e vdekjeve.
Shtesa natyrore e popullsisë, për tremujorin e tretë 2017, pasqyron një rënie me 46,7%, në krahasim me tremujorin e tretë.
Shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e tretë 2017, për 12 qarqet e Shqipërisë, regjistron vlerën më të lartë në Qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 1.068 numrin e vdekjeve. Me shtesë natyrore të lartë paraqitet Qarku i Durrësit, me 374 lindje më shumë se vdekje, pasuar nga Qarku i Elbasanit me 321 lindje më shumë se vdekje. Në tremujorin e tretë 2017, shtesa natyrore regjistron vlerë negative vetëm në tre qarqe (Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë). Vlera më e ulët është regjistruar në Qarkun e Gjirokastrës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 56 numrin e lindjeve.

Lindjet, shuhen rrethet rritje vetëm Tirana

Numri më i ulët i lindjeve regjistrohet në Qarkun e Gjirokastrës, 112 lindje, me një rënie prej 42,3%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016.
Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në Qarkun e Tiranës me 2.271 lindje, të cilat shënojnë rënie me 18,5%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016.
Të gjitha qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e tretë 2017, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve, gjatë kësaj periudhe, e paraqet Qarku i Gjirokastrës me 42,3% dhe Qarku i Vlorës me 32,6%.

Vdekjet në rritje

Numri më i madh i vdekjeve regjistrohet në Qarkun e Tiranës, me 1.203 vdekje, me një rritje prej 7,8%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016.
Numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në Qarkun e Kukësit, me 118 vdekje, me një rritje prej 20,4%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016. Rënia më e madhe e numrit të vdekjeve në krahasim me tremujorin e tretë 2016, është regjistruar në Qarkun e Gjirokastrës me 9,2%.
Në tremujorin e tretë 2017, gjithashtu, me rënie të numrit të vdekjeve paraqitet Qarku i Vlorës me 4,5%, Qarku i Lezhës me 4,3 %, Qarku i Durrësit me 3,7% dhe Qarku i Korçës me 2,7%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016.

Kemi vdekshmërinë më të lartë të fëmijëve nën 5 vjeç

Banka Botërore e listoi Shqipërinë me nivelin më të lartë të vdekshmërisë së fëmijëve nën 5 vjeç në rang europian, por edhe në rajonin e Ballkanit. Pasi ka agreguar të dhënat nga agjenci të tilla si UNICEF, Organizata Botërore e Shëndetësisë, divizioni i popullsisë në Kombet e Bashkuara dhe portali childmortality.org. raportoi se vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç në vitin 2016 ishte 14 për 100 lindje. Ky nivel ishte sa dyfishi i vdekjeve të fëmijëve në Serbi dhe Bosnjë dhe ishte tre herë më i lartë se në Malin e Zi.
Pas Shqipërisë, nivel relativisht i lartë i vdekjes së fëmijëve nën pesë vjeç raportohet edhe në Maqedoni me prevalencë 12 për 1000 lindje.
Por ka një diferencë shumë të madhe me ato që raporton Instituti Shqiptar i Statistikave. Për vitin e kaluar, vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç shënoi një rritje në 10.2 për 1000 lindje nga 8.9 që kishte qenë ky tregues më 2015.
Vitin e kaluar, rritje ka pësuar edhe vdekshmëria foshnjore nën një vjeç.
Në rang global, vdekshmëria e fëmijëve ka pësuar ulje drastike në dekadat e fundit ndonëse mesatarja botërore vijon të jetë e lartë. Vitin e kaluar humbën jetën 40 foshnja për 100 lindje mesatarisht. Humbje të mëdha ka kontinenti afrikan me 78 vdekje fëmijësh për 100 lindje dhe Azia e Jugut me 48 për 1 mijë lindje.
Banka Botërore shpjegon se burimet kryesore të të dhënave të vdekshmërisë janë sistemet vitale të regjistrimit dhe vlerësimet e drejtpërdrejta ose të tërthorta bazuar në anketa. Por gjithashtu banka sqaron se vlerësimet e vdekshmërisë neonatale, të foshnjave dhe të fëmijëve kanë tendencë të ndryshojnë sipas burimit dhe metodës për një kohë dhe një vend të dhënë. Metoda e Bankës Botërore përdor modele statistikore për të marrë një linjë të mirë trendesh vlerësuese, duke përshtatur modelin e regresionit të vendit për normat e vdekshmërisë ndaj datave të referencës së tyre.
Ekspertët e shëndetit publik në Shqipëri pohojnë se, ka shumë pasaktësi në prevalencat e sëmundshmërisë dhe mortalitetit si në statistikat kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Kjo vjen për shkak të shifrës së pasaktë të popullsisë. Në vitin 2011, kur u bë censusi, u gjet se popullsia reale e vendit ishte pak më shumë se 2.8 milionë banorë, teksa prevalancat e sëmundjeve ishin të përllogaritura me një popullsi 3.2 milionë banorë. Për të shmangur këtë pasaktësi, organizatat ndërkombëtare përdorin metodologji të tjera për treguesit e vitalitetit.