23.5 C
Tirana
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

James Rodriguez, i rilindur te Bayerni

Me James Rodriguez si forcë të shtuar në organikë, Bayneri Mynihut ka arritur një avantazh prej 11 pikësh me ndjekësit më të afërt, duke shënuar njëherazi edhe sukse të tjera në kompeticionet paralele. Pas vetëm disa muajve të shpenzuar në klubin bavarez, i huazuar nga Reali i Madridit (marrëveshja parashikon qëndrimin e 26-vjeçarit në Gjermani deri në qershor të 2019-ës), mesfushori kolumbian shprehet shumë i lumtur për eksperiencën e tij te kampionët e Bundesligës.
“Bayerni qëndron në të njëjtat nivele me Realin e Madridit. Objektivat e tyre janë gjithnjë maksimale, synojnë titujt e të gjitha kompeticioneve ku marrin pjesë. Te Bayerni janë mësuar me fitoret. Pa më të voglin dyshim, Bayerni është një ndër klubet më të mira europiane. Kam nisur një jetë të re në Gjermani, jam përshtatur mirë dhe ndihem shumë i lumtur në këtë ambient”, tha James Rodriguez.
Diçka e dukshme në fakt, pasi James ka realizuar dy gola dhe ka dhuruar tre asiste në 12 takimet e fundit të Bundesligës. “I duhej pak kohë që të përshtatej, por tashmë e ka shumë të qartë mentalitetin tonë dhe është unifikuar me këtë skuadër. Jo të gjithë e kuptojnë sa shumë impenjohet, koha do ta tregojë se gjithnjë e më shumë ai do të bëhet një element vendimtar në ecurinë e Bayernit”, deklaron trajneri Jupp Heynckes për fituesin e Këpucës së Artë të edicionit 2014. Bayerni ka në marrëveshje të drejtën e blerjes më 30 qershor të 2019-ës, kohë kur përfundon edhe huazimi i tij.
Pas lamtumirës së Karlo Ançelotit, të gjithë ishin dëshmitarë të një rilindjeje për Bayernin e Mynihut. Heynckes rezultoi të ishte kura më e mirë për lojtarët e klubit bavarez, çka lë të kuptohet se, pavarësisht faktit që Ançeloti është një ndër më të mirët në fushën e tij, sintonia mes palëve nuk ishte në maksimum dhe kjo reflektohej e gjitha në fushë. Edhe ish-lojtari i Juventusit, Arturo Vidal, ka përfituar nga ndryshimet që ndodhën në stolin e klubit gjerman, duke u rikthyer të bëjë diferencën falë golave shumë të rëndësishëm, përkatësisht 5 të tillë në kampionat përgjatë 15 prezencave të tij. Në këtë fillim sezoni, kiliani 30-vjeçar i ka dhënë edhe më shumë karakter kësaj skuadre.
Zhgënjimi për moskualifikimin në Botërorin e Rusi 2018 të Kombëtares së Kilit nuk i erdhi aspak në ndihmë mesfushorit që përjetoi disa javë vështirësie dhe që e bëri të mendonte edhe për një lamtumirë të parakohshme nga përfaqësuesja e vendit të tij. Shpesh herë protagonist i polemikave të shumta duket se që me mbërritjen e Don Heynckes tek Bayerni, gjithçka ka ndryshuar edhe për mesfushorin. Ish-juventini tashmë luan gjithnjë titullar në një skuadër që gjithnjë e më shumë po tregon se nuk mund të bëjë më pa të. Tekniku gjerman është mjaft strikt dhe nuk lejon asnjë lloj komportimi jashtë normave që ka vendosur dhe Vidal është përshtatur në mënyrë perfekte me këtë mentalitet rigoroz, duke dhënë më të mirën e tij e duke premtuar shumë më shumë për pjesën e dytë të sezonit.

Mançini te Milani?

Ardhja e Gattuso nuk ishte e mjaftueshme për Milanin, për të ndryshuar situatën në kampionat. “Djalli” vazhdon të mbledhë shfaqje zhgënjyese dhe menaxhmenti fillon të studiojë zgjidhje të reja për të ardhmen. Ideja e fundit mban emrin e Roberto Mançinit. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, kuqezinjtë do të donin që ta fillonin projektin e ri me një figurë të njohur jashtë vendit dhe me përvojë ndërkombëtare, një emër që mund të shfrytëzohet edhe në Kinë, ku Milani tregon për një zhvillim të fortë të markës. Mançini tashmë ka një marrëdhënie të mirë me Fassone dhe Mirabellin, por pengesa e madhe e operacionit është e përfaqësuar nga një angazhim prej 8 milionë eurosh në sezon, i cili mund të jetë shumë i madh për arkën e kuqezinjve.
Mançini e mori drejtimin e Zenitit në korrik dhe ka kontratë me të deri më 2020, me një pagë vjetore prej 8 milionë euro. Deri tani, 53-vjeçari ka regjistruar 17 fitore, tetë barazime dhe gjashtë humbje në 31 ndeshje me Zenitin. Thuhet se Mançinit i mungon futbolli italian dhe është i intriguar nga mundësia për ta drejtuar gjigantin tjetër të Milanos, pasi në të kaluarën e ka udhëhequr Interin drejt tre titujve radhazi në Serinë A.
Gjithashtu, nuk duhet të nënvlerësohet hipoteza e një thirrjeje në ekipin kombëtar italian, i cili mund ta bindë ish-trajnerin e Interit që të braktisë ambiciet në rang klubi. Trajneri aktualisht nuk është plotësisht i kënaqur me Zenit, i detyruar të ndjekë udhëheqësit e Lokomotivës së Moskës, me tetë pikë prapa. Kampionati rus do të rifillojë në mars: ndërkohë, Milani mund të lehtësojë arkën e vet me “vendbanimin” e ri të Montellës, nëse ky i fundit bëhet trajner i Sevilla.
Kurrë e parëndësishme fjala e tij. Fabio Capello tani ndëshkon edhe Leonardo Bonucci, çfarë duhet të ketë qenë pika kryesore e merkatos së kuqezinjve, por është bërë një nga blerjet më të këqija të sezonit. Duke folur për “Sky Sport 24”, Capello vlerëson cilësitë në fazën e vendosjes së ish-qendërmbrojtësit të Juventusit, por shkatërron aftësitë shënuese të Bonuccit. “Me topin në mes të këmbëve është më i miri në Itali dhe në mesin e top-3 më të mirëve në botë, por ai nuk mund të mbrojë, ka probleme të mëdha me modulin si luan Milani. Te Juve ka qenë i lirë dhe kjo ishte ideale për të. Është perfekt për të luajtur në sistemin me tre mbrojtës. Të luash me katër është tjetër gjë, është shumë vështirë, duhen bërë shumë përpjekje”.
Mbrojtësi italian kaloi nga Juventusi në Milan verën që lamë pas, pas një marrëveshjeje tronditëse që kapi shumën 42 milionë euro, por është duke kaluar nëpër formë tepër të dobët në një kohë të vështirë për skuadrën e Milanit. Capello, i cili e u udhëhoqi Milanin drejt katër titujve kampion në Serinë A dhe një titulli në Ligën e Kampionëve në vitin 1994, i ka vlerësuar cilësitë e Bonuccit, si dhe e ka treguar arsyen pas formës së tij të dobët.

Juventus flirton me Emre Can

“Virusi” vazhdon. Pas rastit “Axel Witsel”, të cilit iu afrua shumë, por nuk e mori dot, Juventusi pritet të ketë një fund të ndryshëm me “telenovelën Emre Can”. Gjermani është në fakt objektivi kryesor për të forcuar mesfushën e bardhezinjve në sezonin 2018-2019, kur, ndoshta, ai mund të marrë vendin e bashkatdhetarit Sami Khedira, që synon ta përfundojë karrierën e tij në SHBA. Emre mund të arrijë te Juventusi si transferim i lirë, pasi kontrata e tij me Liverpool skadon qershorin e ardhshëm. Siç shkruan “Tuttosport”, Juventusi do t’i informojë “Reds” në janar për kontaktet e vendosura tashmë me lojtarin e tyre.
Më shumë se nga Liverpool, megjithatë, bardhezinjtë do të duhet për t’u mbrojtur nga konkurrenca e fortë e Manchester United të Mourinhos, edhe pse Juventusi shpreson të ketë në anën e vet deklaratat e bëra një muaj më parë nga menaxheri i kombëtares së Gjermanisë, Oliver Bierhof, i cili siguroi: “Emre Can, me 80 për qind do të shkojë te Juventusi”. Vendimtare në këtë kuptim mund të jenë bisedimet e mesfushorit me dy shokët e tij në kombëtare, si Howedes dhe Khedira, tashmë të stacionuar në Torino dhe të gatshëm për të sponsorizuar zgjedhjen bardhezi. Marotta pret dhe përgatitet për të bërë një tjetër goditje pa asnjë kosto. Kuptohet, nëse e lejon Manchester United.

Kane parakaloi Ronaldon dhe Messin

Harry Kane shënoi të martën tripletën më të rëndësishme të karrierës, pasi arriti të vendosë një rekord në Premier League, por njëkohësisht të jetë futbollisti që ka shënuar më shumë gjatë 2017-ës.
Sulmuesi i Tottenhamit shkoi në kuotën e 39 golave në vit, në Premier League, duke thyer rekordin që mbahej nga Alan Shearer me 36. Gjithashtu, Kane shënoi golin e 56 në të gjitha kompeticionet, për vitin 2017, duke parakaluar Lionel Messin me 54, por edhe Cristiano Ronaldon dhe duke u konfirmuar si futbollisti që ka shënuar më shumë në këtë vit kalendarik.
Pas ndeshjes, Kane nuk i fshehu emocionet, ndërsa pranoi se ishte shumë i lumtur që emri i tij tashmë rreshtohet krah më të mirëve.
“Jam shumë i lumtur që vendosa një rekord në Premier League, por edhe që arrita të shënoj më shumë se të gjithë. Messi dhe Ronaldo janë 2 futbollistët më të mirë në planet dhe të parakaloj ata, është një kënaqësi e jashtëzakonshme. Është një nder për mua, që emri im të shënohet krah futbollistëve më të mirë”, tha Harry Kane.
Ndërkohë, ylli i Arsenalit, Mesut Ozil, i prin listës prej pesë futbollistëve që Ernesto Valverde dëshiron t’i sjellë në Barcelonë gjatë afatit kalimtar të janarit. Ozil, të cilit i skadon kontrata me Arsenalin në fund të sezonit, është i lakmuar në “Camp Nou”, dhe mund të jetë në dispozicion në tregun e transferimeve të janarit, nëse Arsenali dëshiron të mos e humbë gjermanin falas. Por, ylli gjerman është vetëm njëri prej emrave që lidhen me Barçën, përkrahë Nabir Fekir, Aleksandr Golovin, Max Meyer dhe Leon Goretzka.

Mungesa e Neymar nuk ndjehet

Sapo ka ardhur dimri dhe, pas gjashtë muajsh me Valverde në stol, tashmë mund të nxjerrësh disa përfundime rreth preferencave te Barcelona. Janë tre lojtarë, që kanë marrë pjesë në 17 ndeshje të La Liga-s, pra në të gjitha ato të luajtura. Njëri prej tyre, sigurisht, është Leo Messi. Ylli i madh azulgrana jo vetëm i ka luajtur të gjitha lojërat, por nuk është zëvendësuar në asnjë prej tyre. Asgjë e çuditshme, lojtari më i mirë në botë luan gjithçka. Tjetër lojtar fiks është Ter Stegen dhe këtu nuk ka asnjë dyshim. Gara e tij ka qenë jetike, që ky kampionat të ruhet nga ndalesat në disa raste. Pritjet e portierit gjerman kanë rezultuar shpëtimtare në jo pak ndeshje. Leo dhe Ter Stegen janë “Pichichi” dhe “Zamora” në La Liga (shënuesi më i mirë dhe portieri me më pak gola të pësuar), kështu që është normale që ata të luajnë gjithçka.
“Tridenti” përfundon me një emër, që nuk është më aq i zakonshëm. Lojtari i tretë që ka luajtur të gjitha ndeshjet e kampionatit është Ivan Rakitiç. Kroati është bërë një pjesë jetike për Valverde. Ai është futbollisti, i cili i jep ekuilibrin ekipit në mesfushë. Taktikisht, ai është një futbollist i jashtëzakonshëm, i cili di të jetë gjithmonë në vendin e duhur. Rakitiç është bërë shoqëruesi më i mirë i Busquets, i cili në sezonin e kaluar e pa shumë herë veten në vështirësi, se si duhej të mbulonte shumë hapësirë dhe nuk ia arriti. Tani me Rakitiç situata ka ndryshuar, sepse ata janë gjithmonë shumë afër së bashku në fushë. Një arsye tjetër që ka qenë thelbësore për përmirësimin e mesfushorit ka qenë se Valverde ka rivendosur besimin e tij.
Në sezonin e kaluar, Rakitiç kurrë nuk kishte vazhdimësinë e nevojshme. Luis Enrique e vuri atë në dhe jashtë ekipit, për asnjë arsye të dukshme. Dhe loja e kroatit çedoi. Valverde i ka dhënë atij besim të plotë që nga dita e parë. Nuk ka dyshim se së bashku me Busquets dhe Iniesta janë tre lojtarët fiks në qendër të fushës. Numrat thonë kështu: Ivan ka luajtur gjithçka, Busquets ka humbur një ndeshje dhe Iniesta tri ndeshje, të gjitha për shkak të lëndimit. Në rastin e Rakitiç, ai ka marrë pjesë në të gjitha ndeshjet zyrtare, përveç kthimit të Kupës së Mbretit, kundër Murcia.

Veliaj, 4 milionë USD Sadri Abazit për pastrimin e Tiranës

Fondet publike, të cilat vijnë nga taksa e qytetarëve shqiptarë, janë përqendruar në 2-3 klientë të qeverisë, por edhe të familjarëve të deputetëve socialistë. I tillë është rasti më flagrant që denoncon Tpz.al, ku Bashkia e Tiranës, me në krye Erion Veliajn, i ka dhënë një tender kompanisë “Alko Impex General Constrction”, pronë e familjes së deputetit Sadri Abazi, por që drejtohet aktualisht nga nipi i tij, Arbër Abazi.
Kjo kompani është i regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) në vitin 2011, me adresë në kompleksin USLUGA, i cili është ndërtuar nga deputeti Sadri Abazi, ndërsa aty janë të punësuar të gjithë familjarët dhe të afërmit e tij.
Ligji për konfliktin e interesit e ndalon në mënyrë kategorike përfitimin e fondeve publike nga deputetë apo të afërm të tij. “Konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesit privat të një zyrtari, kur gjatë ushtrimit të funksionit të tij, zyrtari ose personi i afërt ka interes privat pasuror ose personal jopasuror, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikon ose mund të ndikojë në kryerjen në mënyrë të drejtë të funksionit publik”, thuhet në Ligjin nr. 44/2014 datë 24.04.2014.
Po sipas këtij ligji, personi i afërt i një zyrtari cilësohet bashkëshorti, bashkëjetuesi ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë që janë kushërinjtë. Në rastin që Tpz.al denoncon, Arbër Abazi, nipi (djali i vëllait) i deputetit socialist Sadri Abazit, është në shkallën e parë si i afërm.
Të dhënat e siguruar nga Tpz.al, bëjnë me dije se, ky skandal thellohet edhe më tej, pasi përveç konfliktit të interesit, kompania e nipit të deputetit socialist, ishte ndër ofertat më të larta. Por pavarësisht kësaj, Veliaj ia dha tenderin, duke s’kualifikuar kompanitë e tjera! Kështu, fondi limit i prokuruar nga Bashkia Tiranë, për këtë shërbim ka qenë 494,683,652 lekë. Por kjo shkelje nuk është pranuar nga 2 kompani garuese, të cilat janë ankuar në Komisionin e Prokurorimit Publik Kompanitë “Shpresa” sh.p.k. & “Dion Texnikh A.E.” dhe Victoria Invest kanë paraqitur ofertë më të ulët se kompania e nipit të Sadri Abazit, Arbër Abazi. Madje, kompania Victoria Invest, sipas ankimimit e quan të padrejtë skualifikimin, pasi më herët kishte fituar të njëjtin tender, pastrimin e zonës lindore 3 në Tiranë.
Nga i gjithë ky skandal, i vetmi fakt pozitiv është vendimi prej 27 faqesh, i Komisionit të Prokurimit Publik për këtë tender. Ky institucion ka pranuar ankesën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Shpresa” sh.p.k. & “Dion Texnikh A.E”, ndërsa detyron Bashkinë e Tiranës dhe Erion Veliajn që të anulojë vendimin e për skualifikimin e kësaj kompanie.
Pra, e thënë ndryshe, tenderi duhet të rihapet sërish dhe të paraqesin ofertat dy kompani, “Alko Impex General Constrction”, pronë e familjes së deputetit Sadri Abazi si dhe “Shpresa” sh.p.k. & “Dion Texnikh A.E” e skualifikuar padrejtësisht nga Bashkia e Tiranës.

Klientët e pastrimit të Tiranës

Tpz.al ka denoncuar më herët skemën e “errët” të Veliajt, i cili përdorte një agjenci të ashtuquajtur “Eco Tirana” që t’i jepte tendera me prokurim të drejtpërdrejtë ose me fitues të paracaktuar, disa prej klientëve të tij. Mbi 20 milionë euro tendera, janë dhënë për kompani private, të cilat kanë rritur ndjeshëm të ardhurat e tyre pas fitores së Bashkisë së Tiranës nga Erion Veliaj, në 2015.
Përveç tenderave për pastrimin, “Eco Tirana” rezulton gjithashtu të ketë bërë një sërë tenderash për blerje, marrje me qira apo shërbime të tjera. Pra, Erion Veliaj nuk po përdor Bashkinë, por maskohet me Eco Tirana, që të “ushqejnë” me tendera klientët dhe firmat private. Natyrshëm lind pyetja, nëse Bashkia e Tiranës nuk është në gjendje të bëj asnjë punë publike pa tender, atëherë përse duhet të fshehë gishtin, duke krijuar institucione fantazëm, si ai i Eco Tirana? Tpz.al

 

Tenderat e pastrimit të ndarë në zona

• Bashkia ka hapur tenderin me objekt “shërbimi i pastrimit të zonës Tirana I”. Fondi për këtë tender është 521,961,531 lekë pa TVSH. Mësohet se Bashkia e ka financuar në 3 vite buxhetore. Tenderi pritet të zhvillohet në janar 2018.
• Tenderi i tretë është me objekt “shërbimi i pastrimit të zonës Tirana II”. Fondi është 537,078,671 lekë pa TVSH, financuar në 3 vite buxhetore. Ky tender është fituar nga bashkimi i operatoreve ekonomike “Korsel” shpk & “Brai Cata” srl.
• Bashkia hapi tenderin e pastrimit të zonës Tirana III. Fondi limit është 494,683,652 lekë pa TVSH, financuar në 3 (tre) vite buxhetore. Fitohet nga “Alko Impex General Constrction”, në pronësi të Arbër Abazit, nipit të deputetit socialist Sadri Abazi.
• U bë dhe tenderi “shërbimi i pastrimit të zonës Tirana IV” me fond limit 744,180,353 lekë pa TVSH, financuar në 3 vite. Ky tender është fituar nga kompania Fusha Sh.p.k e cila ka ofruar 699,000,767 lekë, ndërsa njihet si një nga “klientët” e preferuar të Bashkisë së Tiranës.

Mediat Spanjolle: Shqipëria, Kolumbia e Europës

 

“El Confidencial”

Në nëntor të vitit 2016, Policia e Shtetit italian publikoi një artikull mbi shkatërrimin e një rrjeti kriminal me bazë në Milano që importonte drogë nga Peruja dhe Shqipëria, e më pas shitej në Siçili e Holandë. Dukej si një nga operacionet e shumta policore të kryera në Itali çdo ditë. Operacioni i nisur në vitin 2013, falë hetimeve të DIA-s (Drejtorisë së Hetimeve të Antimafias) zbuloi se dhe përfaqësuesin e familjes mafioze të Calollo Palermos, djal i i një bosi të rëndësishëm të mafias siçiliane, që fshihte një miqësi të pashembullt të Cosa Nostra-s me grupet kriminale në Shqipëri.
DIA, raportoi se ishin regjistruar sinjale të aktivitetit të Cosa Nostra-s edhe në vendin e vogël ballkanik. Pak kohë pas operacionit të njohur “Rubens”, që çoi në arrestimin e 6 personave në Katania, u sekuestruan edhe 1 ton marijuanë në territorin shqiptar. Droga, e prodhuar në Shqipëri, që vitet e fundit është quajtur “Kolumbia e Europës” nga roli në rritje e bandave të tyre në trafikun ndërkombëtar, kishte lundruar përgjatë rrugës së vjetër detare të kontrabandës së cigareve nga Ballkani në brigjet e rajonit italian të Pulias dhe pastaj në rrugë tokësore transportohej në Kalabri, kryesisht nga dy grupet mafioze Sacra Corona Unita dhe Ndrangeta. Nga Kalabria, narkotikët përfundimisht dërgohen në Sicili.
Këto ishin shenja që diçka e re po eksperimentohej. “Duhet ta kuptojmë që historikisht krimi shqiptar nuk ka pasur një lidhje direkte me Cosa Nostra-n, siç ka ndodhur me Sacra Corona Unita-n të Pulias apo Ndragetën kalabreze”, kujton Antonio Ingroria, një ish-prokuror me përvojë në çështjet mafioze. Sipas tij, kjo është edhe çështje gjeografike, pasi brigjet e Shqipërisë janë më afër rajonit të Pulias në distancë, ndërsa për Siçili ka largësi më të madhe.
Ish-prokurori Ingroria shton: “Mund të arrihet në përfundimin se po krijohet një integritet më i madh mes grupeve mafioze italiane”. Duket se Cosa Nostra po kërkon të “blejë” partnerë të rinj, pas goditjeve të shumta të shtetit italian në vitet e fundit. Gjetjet e policisë italiane nuk kanë të ndalur. Në muajin tetor, Guardia di Finanza shkatërroi një rrjet tjetër, por këtë herë jo në Palermo, por në Katania, një qytet tjetër siçilian. 4 italianë dhe 3 shqiptarë u ndaluan. Sipas hetimeve, grupi kishte mundur të transportonte nga Shqipëria në Siçili, marijuanë dhe kallashnikovë, nga të cilat priteshin 20 milionë euro të ardhura.

Vigjilenca italiane në Shqipëri

Që autoritetet italiane të jenë vënë në dijeni të kësaj manovre të re të mafies siçiliane nuk duket diçka e çuditshme. Policia italiane, që nga vitet ’50, është përpjekur të ketë prezencë në Ballkan. Dhe kjo gjë është veçanërisht e vërtetë për Shqipërinë, një pjesë e madhe e popullsisë të së cilës e ka folur gjuhën italiane. Një prezencë, e cila nuk është ndërprerë edhe gjatë viteve kur Shqipëria ishte e izoluar nga regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha.
I pyetur në lidhje me këtë çështje, Haki Çako, kreu i policisë shqiptare, shmangu sqarimin e gjendjes së marrëdhënieve sot mes krimit të organizuar shqiptar dhe mafies italiane, por përgjigjet si vijon: “Janë rritur operacionet e përbashkëta me policinë italiane”, thotë ai për spanjollen “El Confidencial”.
Para dy javësh, Çako, sëbashku me krerët e forcave policore të Bosnjes, Bullgarisë, Kroacisë, Greqisë, Maqedonisë, Moldavisë, Malit të Zi, Rumanisë, Serbisë dhe Hungarisë, ishte në Romë për të marrë pjesë në takimin e pestë të të ashtuquajturit Forumi i Romës.
Ish-prokurori D’Angelo i referohet operacioneve të shumta që kryhen nga policia italiane në rajon. Ajo që në rastin e Shqipërisë quhet “PAMECA 5”, bëhet fjalë për një mision trajnimi dhe furnizmi me pajisje të policve lokale për çrrënjosjen e plantacioneve me kanabis në Shqipëri. Gjithashtu, janë vënë në dispozicion aeroplanë të Guardia di Finanza-s italiane për të patrulluar qiellin e Shqipërisë për të gjetur fushat me kanabis.
Kjo bëhet për faktin se, Shqipëria kërkon medoemos futjen në Bashkimin Europian, madje dhe qeveria e Edi Ramës ka rënë dakort për një luftë publike kundër trafikantëve të drogës në vendin e tij. Shembulli më i dukshëm ishte lufta në fshatin e izoluar Lazarat, i cili deri në vitin 2013 konsiderohej kryeqyteti i marijuanës në Europë.

Një problem europian

Atë vit rreth 800 agjentë të policisë shqiptare shkuan në këtë fshat dhe rrafshuan të korrat në një operacion që zgjati 5 ditë, dhe aksion nga i cili biznesi kriminal nuk është rikuperuar kurrë. Të tjerë, duke përfshirë dhe opozitën shqiptare si dhe disa gazetarë, janë skeptikë, pasi thonë se mbjelljet janë zhvendosur në të gjithë vendin, dhe tregtarët e drogës gëzojnë mbrojtjen e klasës politike në vend.
“Edhe pse qeveria thotë se kanë rritur arrestime dhe shkatërrimin e plantacioneve në vitin 2016, burime të tjera pohojnë se prodhimi i kanabisit është rritur”, vazhdon ish-prokurori spanjoll.

Në gjurmët e 5 klubeve “shekullorë”

Manchester City i Guardiola-s mund të bëhet pjesë e grupit ekskluziv të skuadrave “shekullore” europiane, ato që kanë arritur dhe kaluar kuotën e 100 pikëve në një kampionat. Një arritje e realizuar vetëm nga pesë skuadra europiane. A mund t’ia dalë City? Po dhe mund t’i lejojë vetes luksin edhe që të ngadalësojë, duke parë se në 19 ndeshjet e para të kampionatit ka grumbulluar 55 pikë. Nëse do të marrë të njëjtin numër pikësh edhe në fazën e dytë, do të arrijë në 110 pikë, plot pesë më shumë se uellsianët e Barry Town, formacioni që në sezonin 1996-97 ka arritur në kuotën e 105 pikëve dhe që në vitin paraardhës ka grumbulluar 104 pikë.
Këto janë skuadrat e tjera që kanë arritur në kuotën e 100 pikëve:
Celtic Glasgow (103 në sezonin 2001-02)
Skuadra skoceze ka fituar kampionatin me Martin O’Neill në stol, duke humbur vetëm një ndeshje në gjithë sezonin. Henrik Larsson dhe John Hartson kanë qenë golashënuesit e skuadrës së rekordeve të kampionatit skocez.
Juventus (102 në sezonin 2013-14)
Më mirë se Inter-i i sezonit 2006-07 që është ndalur në 97 pikë. Skuadra e Antonio Conte ka fituar 33 ndeshje nga 38, duke marrë pikë të plota në shtëpi. Shifra të pabesueshme që kanë lënë në hije ato të regjistruara nga Roma, e dyta me 85 pikë (rekord për klubin verdhekuq në kampionat).
Real Madrid (100 në sezonin 2011-12)
Pas katër vitesh, Real Madrid është kthyer të fitojë në Spanjë dhe e ka bërë me Jose Mourinho-n në drejtim. Një ekip rekordesh me 121 gola të shënuar, 46 prej të cilëve nga Cristiano Ronaldo dhe 9 pikë avantazh ndaj Barcelona-s së Messi-t. Ka qenë skuadra e parë spanjolle që ka bërë një “shekull” me pikë.
Barcelona (100 në sezonin 2012-13)
Barcelona e Villanova-s ka barazuar rekordin e vendosur nga Real Madrid në sezonin paraardhës dhe është kthyer të triumfojë në La Liga. Messi ka qenë i papërmbajtshëm: 46 gola në kampionat.

Do ta mund CR7

Kylian Mbape thotë se Cristiano Ronaldo ishte heroi i tij i fëmijërisë, por kjo nuk ndodh më. Mbape iu dha mundësia të bashkohej me Ronaldon te Real Madridi këtë sezon, por më pas vendosi të bashkohet me klubin e djalërisë, PSG, për një marrëveshje që do të kushtojë 180 milionë euro, kur të bëhet i përhershëm në fund të sezonit. Shfaqjet mbresëlënëse të 19-vjeçarit për Monakon, sezonin e kaluar, dhe PSG-në në këtë sezon, e kanë parë atë si një pasardhës të mundshëm të yllit të Real Madridit, Ronaldo, si një nga yjet më të mëdhenj të botës. Në vend të kësaj, të dy do të përplasen “kokë më kokë” në raundin e radhës të Ligës së Kampionëve, kur PSG-ja do të ndeshet me Real Madridin. Dhe Mbape po shkon me synimin për ta mposhtur portugezin.
“Ai është një hero nga fëmijëria ime dhe ishte e mahnitshme ta takoja kur vizitova Valdebebas, tha 19-vjeçari për “Marca”. Por unë jam një person shumë konkurrues dhe gjithçka që dua të bëj është të fitoj, të fitoj, të fitoj. Pra, nuk ka rëndësi se kush është para nesh, ne duam të fitojmë. E admirova Ronaldon kur isha më i ri, por tani kjo ka përfunduar. Tani shkoj në ‘Bernabeu’ për të luajtur dhe për të fituar ndaj ish-idhullit tim. Nga dikush që ka fituar pesë herë ‘Topin e Artë’ ju mund të mësoni shumë. Ai është një lojtar i madh, por Neymar është këtu, te PSG-ja, dhe mendoj se është shumë i ngjashëm dhe praktikisht i të njëjtit nivel si Cristiano Ronaldo. Unë mësoj shumë edhe nga Edinson Cavani, një golashënues shumë i fortë”.
Francezi ka përfituar nga të luajturit së bashku me Neymarin dhe Cavanin, që kur u bashkua me PSG-në në verë, ndërsa thotë se ka vënë re që ylli brazilian nuk është aq egoist, sa shumë besojnë. “Njerëzit nga jashtë shohin një Neymar në fushë, duke bërë truket dhe driblimet individuale. Ju mendoni se është duke u përpjekur të gëzojë veten, se është egoist dhe vetëm mendon për veten e tij, por kur ndani një dhomë të zhveshjes me të, e kupton se nuk është kështu. Është e vërtetë se ai është një person shumë i mirë, se është i interesuar për të tjerët, është shumë i mirë dhe luan me mish e me shpirt për PSG-në. Është e vërtetë se futbolli i tij ka të bëjë me driblimin dhe aftësitë, ndaj nuk mund t’i kërkoni të ndalet, sepse ai e bën shumë mirë këtë gjë. Askush nuk ka dribluar si ai në këtë aspekt të lojës, është një futbollist që mund të fitojë tituj dhe ne duhet të përfitojmë prej tij”.
Mbape ka zbuluar se ka zhvilluar bisedime me Real Madridin, para se të transferohet në kryeqytetin francez, megjithëse këmbënguli që është në të kaluarën. Një lëvizje për te kampionët spanjollë dhe europianë të Real Madridit u shfaq në horizont për Mbape, në mes të spekulimeve të forta, pasi ndihmoi Monakon të fitojë Ligue 1 në sezonin 2016-2017. “Është e vërtetë që kemi folur, por mendoj se tani i takon së kaluarës për mua Real Madridi”, tha Mbape për “Marca”. Tranzicioni nga “Stade Louis II” në “Parc des Princes” ka qenë i pandryshueshëm për Mbape, i cili ka shënuar 12 gola në të gjitha garat. Mbape e ka ndihmuar PSG-në të ndërtojë një distancë prej nëntë pikësh në majë të renditjes, ndërsa francezi ka shënuar katër gola në Ligën e Kampionëve, pasi klubi i tij fitoi Grupin B me rivalë të tillë si Bayern Munich, Celtic dhe Anderlecht, një rekord i fazës grupore, me 25 gola të shënuara.

Conte fton Vidal: Do ta doja gjithmonë me mua

Football Soccer - Bayern Munich v Schalke 04 - German Bundesliga - Allianz-Arena, Munich, Germany - 16/04/16 Bayern Munich's Arturo Vidal celebrates after scoring a goal. REUTERS/Michael Dalder. DFL RULES TO LIMIT THE ONLINE USAGE DURING MATCH TIME TO 15 PICTURES PER GAME. IMAGE SEQUENCES TO SIMULATE VIDEO IS NOT ALLOWED AT ANY TIME. FOR FURTHER QUERIES PLEASE CONTACT DFL DIRECTLY AT + 49 69 650050

Kurrë nuk ka qenë një sekret, që merkato e Chelsea verën e kaluar nuk i ka përmbushur të gjitha pritshmëritë dhe kërkesat e Antonio Conte, i cili do të pëlqente më shumë përforcime, sidomos në mesfushë dhe sulm. Deri tani, në funksion të sesionit të dimrit, që po afrohet, tekniku i “Blues” pret nënshkrime të reja për gjysmën e dytë të sezonit dhe nuk e “kafshon gjuhën” për të thirrur Arturo Vidal: “Do ta doja gjithmonë me mua”. Një frazë ajo e Contes, i cili është dorëzuar pas fitores së djeshme të Chelsea të tij në Brighton: 2-0, çka i çoi kampionët në fuqi të Premier League -1 pikë nga Manchester United, në vendin e dytë. Ish-trajneri i kombëtares italiane iu rikthye dëshirës së tij për të pasur nën urdhra Arturo Vidal, me të cilin te Juventusi fitoi tri kampionate radhazi.
Kilieni, bashkë me Pirlon, ishte njeriu kryesor i asaj skuadre, teksa ofroi një punë të pashtershme në të dyja fazat, difensive dhe ofensive. Kontrata e Vidal me Bayern Munich skadon në vitin 2019 dhe gjendja e tij, për disa kohë, nuk është më si më parë, e blinduar. Mesfushori nuk është një lojtar i patundur në formacionin bavarez dhe tashmë, Interi është përpjekur që në verë që ta marrë nga klubi gjerman. Gjashtë muaj më vonë, situata nuk ka ndryshuar shumë, në kuptimin që alternativat për Heynckes (dhe më përpara Ancelotti) nuk mungojnë dhe për këtë arsye kilieni mund të jetë i sakrifikuar. Chelsea do të ishte një zgjidhje ideale për të, sidomos për Conte, i cili është i etur për ta “përqafuar” nxënësin e tij.