23.5 C
Tirana
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Lavrov: Pajtueshmëri dhe dallim me Tillersonin për Korenë Veriore

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, thotë se ka “opinion të përbashkët” me kolegun amerikan, Rex Tillerson, për çështjen e Koresë Veriore, por dallojnë në mënyrën e zgjidhjes së krizës për programin e armatimit atomik të Phenianit.
Të dy diplomatët e lartë mbrëmë kanë biseduar me telefon dhe “e kanë ndarë opinionin e përbashkët se zhvillimet atomike dhe raketore në Korenë Veriore, paraqesin shkelje të kërkesave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Rusisë.
Lavrov nuk pajtohet me kërcënimin e Shteteve të Bashkuara për intervenim ushtarak dhe për imponim të sanksioneve të mëtejshme kundër Koresë Veriore dhe kërkon që diplomacia amerikane të synojë qasje më paqësore për negociata, thuhet në njoftim.

 

SHBA: Sanksione kundër dy zyrtarëve të lartë verikoreanë

Treasury Secretary Steven Mnuchin speaks during the news briefing at the White House, in Washington, Friday, Aug. 25, 2017. (AP Photo/Carolyn Kaster)

Shtetet e Bashkuara kanë imponuar sanksione kundër dy zyrtarëve të lartë të Koresë Veriore, për shkak të programit raketor balistik të këtij vendi.
Departamenti amerikan i Thesarit dje ka njoftuar se në listën e sanksioneve janë përfshirë, Kim Jonk Sik, që mendohet se është figurë kryesore në përpjekjet e Koresë Veriore për zhvillim të raketave balistike, dhe Ri Pyong Chol, i cili konsiderohet se është zyrtari kryesor në këtë program të Koresë Veriore.
“Këto aksione janë bërë pas Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nga e premtja, që ka imponuar sanksione të reja të fuqishme kundër Koresë Veriore, për pengimin e mëtejshëm të aftësisë së këtij vendi për ngritjen e fondeve joligjore”, ka thënë Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin.

Gjurmët e gishtërinjve, zbardhen emrat e dytë të dy deputetëve që vidhnin në Itali

Në shkresën e Prokurorisë së Përgjithshme, drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thuhet se shenjat e gishtërinjve të deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi provuan se në vitin 1998 kur jetonte në Itali, përdorte emrin Skënder Ejylbegaj.
Më 3 nëntor të atij viti është raportuar në Itali për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur. Emrin Skënder Ejylbegaj, regjistruar në një vit tjetër lindjeje, Aqif Rakipi e përdorte që prej vitit 1996.
Këto fakte të fshehura u zbuluan nga hetimi i thelluar, ndërkohë që deputeti i PDIU-së e kishte detyrim ligjor të tregonte në formularin e vetëdeklarimit nëse ka qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga një autoritet i huaj për kryerjen e një vepre penale apo nëse ka qenë ndonjëherë i ndaluar, apo arrestuar nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale. Përgjigja e tij në formular ka qenë “Jo”.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe deputeti Gledion Rehovica. Shenjat e gishtërinjve treguan se ai është raportuar po në Itali më 24 shkurt 1999 për veprën penale “Vjedhje dyqani”, por me emrin Kusta Mina. Edhe deputeti i LSI-së ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit.
Prokuroria argumenton se, fakti që në formular nuk është pasqyruar asnjë e dhënë në lidhje me ndalimet dhe hetimet përkatëse në shtetin italian, si dhe me identitet të rremë, me të cilët dyshohen se kanë konsumuar veprat penale: përkatësisht Aqif Rakipi të marrjes së mallrave të vjedhur dhe Gledion Rehovica të “vjedhjes së një dyqani”, bën që subjektet të përfshihen në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Këto të dhëna kanë dalë vetëm nga verifikimet në shtetin italian, i cili edhe në rastet e tjera është përgjigjur shumë shpejt, ndërsa mësohet se të dhëna janë kërkuar edhe në vende të tjera europiane.
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë njohur të mërkurën me konkluzionet e Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa mbledhja pritet të mbahet më 3 janar.
Një ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme i kërkoi KQZ-së t’i heqë mandatin dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi i PDIU-së dhe Gledjon Rehovica i LSI-së.

Shkresa e Prokurorisë

Nga krahasimet e gjurmëve të bëra nga Interpol Roma, rezulton se deputeti Aqif Rakipi është raportuar në vitin 1998 për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur në Itali, teksa përdorte një identitet tjetër atë të: Skënder Ejylbegaj. “Ka rezultuar se 03.11.1998 është raportuar për veprat penale të marrjes së mallrave të vjedhur, me gjeneralitetet Skënder Ejylbegaj lindur më 24.03.1962, regjistruar më 08.10.1996 me gjeneralitetet Aqif Rakipi lindur më 01.04.1964, informacion të cilin rezulton të mos e ketë deklaruar në kuadër të ligjit të dekriminalizimit”, thuhet në raport. Në shkresën e Prokurorisë së Përgjithshme, thuhet se Rahovica i LSI-së ka mbajtur një tjetër emër në Itali dhe se zbulimi i është bërë përmes krahasimit të gjurmëve të gishtave nga Interpol Tirana dhe Interpol Roma. Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim rezulton të ketë mbajtur emrin Kusta Mina dhe është akuzuar për vjedhjen e një dyqani në shtetin fqinj në 27.02.1999. “Me shkresën nr 2001/ 40 KL prot. datë 22. 12. 2017 zyra Qendrore Kombëtare e Interpol na informon se nga Interpol Romë në Itali, pas krahasimit të gjurmëve të gishtave ka rezultuar si më poshtë: Gledion Rehovica është raportuar më datë 27.02.1999 për veprën penale vjedhje dyqani me gjeneralitetet Kusta Mina lindur më 21.12.1978 në Shqipëri”, sqaron Prokuroria.

Dy deputetët, Rakipi dhe Rehovica kallëzohen edhe tek Krimet e Rënda

Dy deputetët, Aqif Rakipi i PDIU dhe Gledion Rehovica i LSI kallëzohen penalisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kallëzimi u bë sot nga Drejtoria e Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme për falsifikim të formularëve të vetëdeklarimit. Dje Prokuroria përmes një letre drejtuar KQZ kërkonte heqjen e mandatit për dy deputetët që sipas saj, preken nga ligji i dekriminalizimit. Në dokumentet e Prokurorisë drejtuar KQZ rezulton se nga krahasimi i gjurmëve të gishtave të deputetëve me bazën e shenjave të gishtave të INTERPOL është zbuluar se ata kanë pasur precedent dhe identitete të tjera në Itali. Në shkresën e Prokurorisë së Përgjithshme, thuhet se Rehovica i LSI-së rezulton të ketë mbajtur një tjetër emër në Itali dhe se zbulimi i është bërë përmes krahasimit të gjurmëve të gishtave nga Interpol Tirana dhe Interpol Roma. Rehovica rezulton të ketë mbajtur emrin Kusta Mina, dhe është akuzuar për vjedhjen e një dyqani në shtetin fqinj në 27.02.1999.

Protestë pa kthim e shumicës së ndershme kundër pakicës së kriminalizuar

Lulzim Basha i ftoi shqiptarët të bashkohen me protestat e opozitës për t’i dhënë fund sundimit mafioz të Edi Ramës, i cili ka për qëllim të përdorë çdo mjet për të ruajtur pushtetin dhe pasurimin personal, kundër interesit të shumicës së shqiptarëve. Kryetari i Partisë Demokratike e kishte bashkimin me shqiptarët lejtmotiv të turit të takimeve me qytetarët, tur të cilin e nisi nga Tirana.
“Kjo situatë është e paqëndrueshme. Kjo nuk mund të zgjasë më. Politikisht, ky do të jetë viti i fundit i zullumit, Edi Rama dhe banda e tij e kanë vulosur fatin e tyre. Përballje totale në të gjitha frontet dhe protestë pa pushim deri në largimin dhe mundjen përfundimtare të së keqes.”- tha Basha
Lulzim Basha shprehu bindjen se vetëm largimi i Edi Ramës është zgjidhja që vendi të dalë nga kriza politike, ekonomike dhe morale. Ai solli si argument marrëveshjen e imponuar para zgjedhjeve të qershorit.

“Ajo tregoi para shqiptarëve që zgjidhja hibride nuk funksionon. Që pa larguar shkaktarin e kësaj të keqe, nuk do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme.”- u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike.

Lulzim Basha e zhvilloi takimin e Tiranës në zonën e Kombinatit, prej nga kishte një paralajmërim për Saimir Tahirin dhe Edi Ramën.

“Nuk ka prokuror të përkohshëm, nuk ka prokuror pa veting, nuk ka prokuror politik që shpëton Sajmir Tahirin nga drejtësia. Mbajeni mend, shënojeni dhe ndajeni këtë lajm, këtu, në zonën e tij elektorale me çdo qytetar. Sajmir Tahiri, nuk do t’i shpëtojë drejtësisë, sikundër fati i shefit të tij politik është i vulosur”.-tha Basha.

Kreu i Partisë Demokratike tha se beteja e nisur nga opozita në mbrojtje të demokracisë dhe interesit të shqiptarëve, është një betejë e shumicës së ndershme kundër pakicës se korruptuar dhe të kriminalizuar.

“Këta janë një pakicë absolute, që u bënë milionerë me paratë e drogës, që u bënë milionerë me konçesionet korruptive. Shqiptarët nuk kanë përfituar nga kjo. Një pakicë absolute që hanë e pinë nga mëngjesi deri në darkë me krimin dhe drogën. Shumica e shqiptarëve janë të ndershëm. Ne përfaqësojmë këtë shumicë absolute. Le ta thërrasim, le ta bashkojmë, le ta përballim, le ta përmbysim pakicën që i ka marrë frymën vendit.”-u shpreh Basha.

Apeli i Lulzim Bashës për shqiptarët është të mos pajtohen me të keqen.

“Beteja për Kushtetutën është betejë për demokracinë, është betejë për drejtësinë, është betejë për ekonominë dhe ajo sapo ka nisur e ne do ta çojmë deri në fund.”-u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike.

S’kanë kufi në vjedhje, 101 miliardë lekë nga paratë e taksapaguesve tek koncesionet e plehrave të Ramës

Qeveria ka planifikuar të investojë në fushën e menaxhimit të mbetjeve urbane rreth 11.2 miliardë lekë (të reja, pse 112 miliardë lekë)  ose 82 milionë euro, por 74 milionë euro ose 90 për qind e shumës së përgjithshme do të shkojë për financimin e koncesioneve PPP, të kontraktuara për menaxhimin e plehrave në rrethin e Elbasanit, Tiranës dhe Fierit.

Lista e detajuar me investimeve në fushën e plehrave është bërë publike nga Ministria e Financave dhe investimet do të zgjasin deri pas vitit 2020.

Nga lista e investimeve 12 milionë lekë shkojnë për studimin dhe projektimin për mbylljen e vend-depozitave ekzistuese të mbetjeve të ngurta në Durrës.

Gjithashtu një shumë prej 330 milionë lekësh do të përdoret për studimet e mbylljes së vend-depozitimeve ekzistuese në qytetet e Sarandës, Cërrikut, Librazhdit, Belshit, Përrenjasit dhe Himarës, Shkodrës.

Rreth 450 milionë lekë do të shkojnë për menaxhimin e mbetjeve në Vlorë dhe 170 milionë lekë të tjera për vend-depozitimin e mbetjeve në Bushat të Shkodrës.

Por më shumë se 74 milionë euro janë programuar të financojnë tre koncesionet që do të përpunojnë plehrat nëpërmjet metodës me incenerim.

Ekspertët e mjedisit janë duke hedhur alarmin se po krijohen mbiinvestime në ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve me incinerator. Ndërkohë funksionimi i tyre është me kosto të larta në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve.

Së pari, këto impiante emetojnë CO2 në mjedis me nivel më të lartë se aktiviteteve të tjera. Por përpunimi nëpërmjet djegies me incenerim krijon mbetje të rrezikshme që nuk kalojnë për trajtim të mëtejshëm dhe depozitimi i tyre është rrezik.

Por pavarësisht rrezikut nga mbiinvestimet në përpunimin e plehrave me PPP, qeveria është duke bërë pagesa për investime që ende nuk janë bërë në sektor.

Nga 11 nëntori i vitit të kaluar deri në shtator të këtij viti, kompania Integrated Technology Ëaste Treatment Fier, që ka të drejtën e koncesionit për trajtimin e mbetjeve në Qarkun e Fierit, ka përfituar 4.8 milionë euro pagesa nga buxheti i shtetit, edhe pse problemi i tokës ku do të zhvillohet investimi ende nuk është zgjidhur e për pasojë, investimi nuk ka nisur.

Kompania kaloi një kalvar konfliktesh me komunitetin në Qarkun e Fierit, të cilët me protesta agresive nuk lejuan ndërtimin e impiantit në vendin që ishte planifikuar fillimisht në Mbrostar.

Avancimi i punimeve në lidhje me impiantin që do të përpunojë mbetjet nëpërmjet metodës së djegies me incenerator u pengua edhe për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti. Për kreditë elektorale, funksionarët lokalë të Fierit premtuan se projekti për mbetjet mund të pezullohej, ndërkohë kompania është në kërkim të një vendi ku mund të zhvillojë investimin.

Përpëlitjet e fundit të kartelit në qeveri

– Pse është perceptimi që ky vit nuk ka qenë i mirë as për vendin, as për opozitën?
Nuk është thjesht perceptimi. Eshtë e vërteta se për vendin ka qenë një vit i tmerrshëm, sepse gjithçka e keqe e akumuluar në 4 vitet e qeverisjes së mëparshme të Edi Ramës shpërtheu dhe efektet i kanë ndjerë qytetarët në kurrizin e tyre. Çfarë kam parasysh?! Shpërtheu problemi i jashtëzakonshëm i drogës, si një darë mbi ekonominë e mbytur shqiptare, duke shkatërruar më shumë vende pune, duke futur vendin në një cikël krize ekonomike, ku bizneset e ndershme mbyllen apo blihen me paratë e drogës dhe paratë e drogës diktojnë një axhendë ekonomike nga e cila përfiton vetëm një grusht njerëzish dhe çdokush tjetër vuan.
Përfaqësuesit e biznesit më shprehën në një takim shqetësimin e thellë për një krizë të vërtetë të raportit kërkesë-ofertë.
Dhe kjo vjen për dy arsye kryesore: E para, sepse faktorë kryesorë të ekonomisë janë nën presion. Faktori i parë është fuqia punëtore shqiptare është nën presion të jashtëzakonshëm. Marrim dy kategori njerëzish, marrim mjekët. Sot, kemi më pak mjekë për frymë sesa në kohën e komunizmit, kjo për një arsye të thjeshtë, sepse mjekët po largohen masivisht nga Shqipëria.
Marrim kategorinë e dytë, sipërmarrjen. Edhe sipërmarrja po emigron, po emigron kapitali i sipërmarrjes, po emigron vetë sipërmarrësi. Po emigrojnë asetet, kompanitë dhe po zgjedhin të largohen nga Shqipëria për një jetë më të mirë për veten e tyre dhe për fëmijët e tyre. Ky është tmerr i vërtetë për një vend; që të largohen sipërmarrësit, të largohen mjekët, të largohen intelektualët, të largohet shtresa e mesme, të largohet rinia.
Pra, nuk është thjesht një perceptim, është realiteti i një Shqipërie që po vuan një krizë ekonomike, një krizë politike dhe një krizë të thellë morale dhe krizë besimi.

– Duket se nga kjo krizë nuk ka shpëtuar dhe opozita… Çadra, marrëveshja, rezultati i dobët, përçarja. Mungesa e një opozite të fortë ka bërë që vendi të vuajë edhe më shumë arrogancën e këtij pushteti?
Qëndresa e opozitës këtë vit, 3 muaj në 12 muaj ditë e natë, hedh poshtë këtë premisë që po shtroni. Nuk ka patur opozitë më të vendosur, më kurajoze dhe që ka përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe paqësore për të vendosur për t’iu kundërvënë krimit në pushtet dhe pushtetit të lidhur me krimin, për t’iu kundërvënë parave të pista të drogës dhe të korrupsionit, si mjet për të diktuar vazhdimin e një sundimi mafioz në vend që të hapet një kapitull i politikës demokratike, ku qytetarët vendosin në bazë të ofertave të partive se kush do të qeverisë vendin. Kjo është kriza sot. Kriza është që demokracia sot është e asfiksuar, rezultati i krimit në pushtet, rezultati i kriminelëve në Parlament, në krye të bashkive të vendit, rezultati i Shqipërisë mbuluar me drogë është viktimizimi i demokracisë, që do të thotë viktimizimi i qytetarëve si vendimmarrës. Një e drejtë që e kemi fituar 27 vite më parë këtë vit është asgjësuar. Kur flasim për asgjësim, kemi parasysh që shqiptarët nuk kanë sot as Parlamentin që do të votonin në kushte të lira e të ndershme, as qeverinë që do të zgjidhinin në kushte të lira e të ndershme. Pra, kemi një krizë politike, e cila manifestohet në shkallën e vet më të lartë, krizën zgjedhore. Kur në një vend asgjësohen zgjedhjet e lira e të ndershme, gjithçka tjetër ka marrë fund.
Kjo qeverisje politikisht është e mbaruar, e vdekur. Ky është një kryeministër politikisht i vdekur, i zënë në qarkun e zullumit të vet, zullum, i cili sa vjen e thellohet.

– Mendoni vërtetë që Prokurorja e Përkohshme do të mbyllë dosjet e Tahirit dhe të tjerëve, do të ndërhyjë në punën e prokurorëve? Vërtetë ju jeni skeptikë apo keni bindje për këtë?
Qëllimi i Reformës në Drejtësi është një drejtësi e pakapur politikisht. Qëllimi i Reformës në Drejtësi është kontrolli i integritetit dhe profesionalitetit të figurës së gjyqtarit dhe prokurorit.
Ku jemi sot?! Sot kemi një kryeprokuror pa veting, sot kemi një kryeprokuror për herë të parë me më pak se gjymën e votave të Kuvendit, pra, kapur politikisht nga një parti. Nga një parti, e cila nuk është në nisje të mandatit të saj, por është në mes të një mandati të njollosur nga aferat më të mëdha kriminale dhe korruptive.
Nuk ka fare rëndësi se cili person u kap dhe u vu në atë detyrë. Mënyra se si u bë padyshim deligjitimon dhe diskrediton cilindo person, qoftë kjo edhe e shenjta Nënë Terezë, po të ishte zgjedhur, (se nuk dua të bëj krahasime që nuk qëndrojnë) pra, kushdo qoftë personi, mënyra se si u keqpërdor, duke u emëruar në një pozicion pa veting, pa konsensus politik, në një moment kritik për hetime të tilla si dosja e Saimir Tahirit, i pari ministër i Brendshëm në historinë e Europës 4-vjeçare, krahu i djathtë i kryeministrit i kapur në flagrancë nga përgjimet e Antimafies italiane si koka e trafikut ndërkombëtar të drogës. Pra, në këto kushte do të thoja është utopike që ne të shpresojmë se një emërim i tillë nuk ka pasur apo nuk ka një funksion të vetëm; mbylljen e dosjeve të krimit, sabotimin e Reformës në Drejtës si shpresa e vetme pas shkatërrimit të zgjedhjeve për të çmontuar lidhjet e krimit me politikën që janë sot e gjithë ditën arsyeja kryesore pse Shqipëria është në krizë politike, ekonomike dhe morale.
Pra, nuk ka krizë prokurori, ka krizë kushtetuese, e cila është produkt i krizës politike. Cila është kriza politike?! Kemi një qeveri pa mandat popullor, një Parlament që ka dalë nga zgjedhje të tjetërsuara me paratë e drogës dhe krimit dhe paratë e drogës dhe krimit janë vetë problemi. Sepse tani vetë peshqit e mëdhenj që kanë përfituar nga paratë e drogës, krimit janë kapur në rrjeta ndërkombëtare siç është rasti i Saimir Tahirit, i cili natyrisht nuk mund, ka vepruar si kokë më vete, por lidhet drejtpërdrejtë me njeriun që sot ka çelësat e Kryeministrisë. E pra, kjo është thelbi.

– Megjithatë, nga ana tjetër juve iu ofrua ky konsensus politik….
Jo, nuk e pranoj këtë.

– Dakord, nuk e pranoni se ju thoni Kushtetuta.
Sepse nuk është e vërtetë që mund t’i ofrohet opozitës të bëjë pazar me kryeprokuroren. Iu ofrua pazari, por jo konsensusi.

– Përse PD nuk e çon çështjen në Gjykatën Kushtetuese?
PD po e shqyrton këtë mundësi, ku ka dy linja mendimi, ndjekja e rrugës institucionale dhe linja tjetër se gjatë qeverisjes së Ramës, Shqipëria është zhytur në një krizë të thellë demokracie, në një krizë të thellë institucionesh dhe në një krizë të thellë kushtetuese dhe politike, e cila nuk mund të zgjidhet, duke pretenduar se në këtë vend funksionojnë institucionet. Nëse një mazhorancë vendos të shkelë haptas në mënyrë flagrante Kushtetutën, dhe e zhbën një investim të madh të shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar siç ishte Reforma në Drejtësi, përgjigja nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm “çoje në Kushtetuese”.
Përkundrazi, ky është një kapak floriri për mazhorancën. Kjo është mundësia për të blerë kohë që, ndërkohë përmes këtij investimi, të shkatërrohet plotësisht aspekti i Reformës në Drejtësi, që ka të bëjë me Prokurorinë, që emëron sejmenët dhe benjaminët e mazhorancës në KLP. Në këtë mënyrë edhe prokurori i përhershëm dhe aftësia e Prokurorisë për të çuar deri në fund hetimin e Saimir Tahirit, i cili është kapur dhe një herë në flagrancë nga Antimafia, jo thjesht nga opozita. Edhe mundësia për të hapur hetimet për Vangjush Dakon, i cili po kështu sipas informacioneve që vijnë nga institucionet e mirëinformuara është përgjuar nga agjensitë ndërkombëtare, duke komunikuar me bandat e Durrësit për shitblejrjen e votës në Durrës, të gjitha këto të mbyllen. Mbyllen, sepse lidhja e këtyre dy figurave me Edi Ramën, dihet katërcipërisht. Pra, kemi të bëjmë me një investim për fatin e një njeriu, për pushtetin e një njeriu, për pasurimin e një njeriu dhe një grushti njerëzish në kundërshtim me Kushtetutën, në kundërshtim me Reformën në Drejtësi, në kundërshtim me aspiratat e të gjithë shqiptarëve për të pasur një vend që shkon drejt normalitetit. Zgjedhjet asgjësohen, Reforma në Drejtësi pëson një goditje që mund të jetë fatale për të. Cila rrugë mbetet? Gjykata Kushtetuese? Absolutisht jo.
Alibia se kjo mund të zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese është një narkozë e vlefshme për narkoshtetin, e vlefshme për klanin kriminal dhe e dëmshme për një shoqëri të tërë.
Është e tepërt utopike, cinike të kërkojmë që këtë situatë të na e zgjidhin 6 apo 7, sa kanë mbetur gjyqtarë kushtetues, të cilët po kështu mund të ndodhen para presionit, shantazhit, apo joshjes, sepse duhet ta kuptosh që Edi Rama ka kapur çdo pushtet. Ka dorë të hekurt në qeveri, ka dorë të hekurt në Parlament.
Nuk funksionon qeveria si një bashkësi personash me integritet, por si një harem personal i kryeministrit. Të njëjtën gjë mund të themi dhe për Parlamentin, ka kapur kryeprokurorin, është vetë kryeprokuror tani. Ka një dorë të hekurt përsa i përket mediave.
Përmes monopoleve qeveritare sundon ekonominë. Dhe në këtë situatë e vetmja shpresë është një bashkim i madh i shqiptarëve, ndaj të cilëve ka për detyrë opozita t’i prijë si koncept, jo thjesht si parti apo bashkim njerëzish, por si koncept opozita politike ka detyrën t’i prijë.

– Ju thoni që zoti Rama është kryeprokuror i vendit dhe ky nuk është një perceptim i vogël, por një perceptim i gjerë. Duket se më shumë se sa Edi Rama, te kryeprokurori i përkohshëm u investua ambasada e SHBA…
Nuk ka asnjë informacion që ta mbështesë këtë supozim.

– Mbrojtën mënyrën sesi ajo duhej të zgjidhej. Doli OPDAT, EURALIUS, doli vetë zoti Lu dhe mbajtën një deklaratë të fortë…
OPDAT, EURALIUS e kanë gabim. Opinioni i tyre s’ka asnjë vlerë ligjore, ka zero vlerë ligjore dhe nga ana e argumentave, është një gabim trashanik.

– Edhe kur del ambasada amerikane nuk ka vlerë ligjore…
Unë nuk komentoj ambasadat dhe ambasadorët, po mund t’iu them se që mos denoncimi i drogës ishte gabim, mos shkuarja deri në fund e dekriminalizimit ishte gabim. Dhe se mbështetja e shkeljes së Kushtetutës dhe në veçanti e Reformës në Drejtësi që është një investim i përbashkët, do të ishte një gabim trashanik.
Nuk do të zgjidhte asgjë. Do të binim në të njëjtat pozita te qëllimi justifikon mjetin dhe kjo do na çojë në një katastrofë totale. Nuk do të na çojë aty ku duam të gjithë, në një Reformë në Drejtësi me gjyqtarë dhe prokurorë me integritet që luftojnë dhe nuk mbrojnë krimin dhe korrupsionin, por do të na çojë në kukulla, në duart e një mazhorance të kapur në flagrancë, në shtrat me krimin.
Mënyra për ta ndryshuar këtë situatë nuk është as duke heshtur, as duke pranuar, as duke shpresur se qëllimi i mirë mund të justifikojë mjetin e keq. Opozita ka patur të drejtë. PD ka pasur të drejtë, koha na ka dhënë të drejtë për dekriminalizimin, për luftën kundër drogës, qëndrimin tonë për Reformën në Drejtësi, për qëndrimin tonë për zgjedhjet. Në këto katër kauza, opozita ka patur të drejtë. Detyra jonë tani është që në këtë errësirë shpirtërore në radhë të parë, psikologjikë për shqiptarët, po ashtu politike, institucionale dhe ekonomike, të ndezim një dritë shprese. Dhe këtë dritë shprese ne do ta ndezim me të gjithë shqiptarët e ndershëm. Duke u bashkuar në një aleancë vlerash që ka të gjithë fuqinë numerike, shpirtërore dhe politike për t’iu kundërvënë të keqes.
Edhe me gjithë këto mjete me qindra milion euro të drogës, me institucione të kapura, me media të kapura, me ekonomi që ngëlçon nga monopolet në dorë të një grushti njerëzish apo kryeministrit, prapë se prapë, e keqja është pakica. Shumica dërmuese e shqiptarëve nuk pajtohen me këtë gjendje. Opozita jo se jo. Prandaj, hapi i parë dhe lajmi i mirë për Vitin e Ri është ndërtimi i një aleance vlerash me këdo që beson se, Shqipëria nuk është në rrugën drejt një Shqipërie europiane, por është drejt një errësirë absolute. T’i kundërvihemi të keqes me të gjitha forcat dhe të gjitha mënyrat dhe të hapim një kapitull të ri.
Duke rikthyer zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Duke zbatuar Reformën në Drejtësi, duke çliruar ekonominë dhe duke i dhënë mundësinë njerëzve të jetojnë me nder dhe dinjitet në shtëpitë e tyre.

– Kam përshtypjen se të nesërmen e seancës së 18 dhjetorit ambasadori amerikan ka sjellë një mesazh të fortë tek ju, që kjo ndoshta nuk është rruga e duhur. Pra, cila do të jetë kjo rruga e re, pasi dhe rruga e dhunës mendoj se nuk është rruga e duhur përsa i përket dhe imazhit që përcillet tek njerëzit dhe gjendjen e ankthit që reflekton tek ta?
Gjendja dramatike e vendit është që qeverisja është kapur në flagrancë me krimin dhe megjithatë ka arritur jo të bjerë, por të rritet me vota, sepse ka kapur institucionin e zgjedhjeve dhe tani edhe Reformën në Drejtësi.
Tymueset nuk janë gjë tjetër veçse alarm, alarmi që opozita ka për detyrë t’i japë çdo qytetari shqiptar për ta vetëdijësuar se vendi po kalon nga një situatë anormaliteti në një krizë totale anormaliteti. Është po kështu alarmi për miqtë tanë ndërkombëtarë, për të mos mbyllur sytë, sikurse për fat të keq u mbyllën sytë për drogën dhe sot na thonë”, ju keni të drejtë”.
Por po të na e kishin thënë këtë dy vite më parë, tre vite më parë, Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje. Me gjasa nuk do ta kishte kaq të vështirë për të hapur negociatat me BE.

– A është opsion djegia e mandateve?
Djegia e mandateve është reagim. Pra është reagim, nuk është zgjidhje. Zgjidhja është të rikthejmë demokracinë, të rikthejmë shtetin ligjor. Së pari, është duke detyruar vjedhësin e sendit të vjedhur të kthejë sendin e vjedhur. Me 25 qershor është vjedhur një mandat qeveritar që nuk i takon Edi Ramës.
Hapi i parë është kthimi i sendit të vjedhur, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përmes një qeverie antimafia, e cila nuk përbën pengesë, apo kërcënim për Reformën në Drejtësi, por që zbaton atë reformë në drejtësi, siç ka kaluar me konsensus të plotë, me 140 vota në Parlamentin shqiptar, dhe që është e përkushtuar për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë të zgjedhin qeverinë e tyre të lirë dhe bazuar mbi praktika demokratike, jo me tepsi, kazan e timon, por mbi oferta politike.
Ne jemi të qartë në vizionin tonë. Se sa kohë do të marrë, ne e kemi provuar që duhet të kemi durimin, forcën dhe këmbënguljen. Jam i sigurt se po të bashkohen të gjithë shqiptarët e ndershëm, koha për një ndryshim pozitiv, nuk do të jetë e largët. Një gjë është e sigurt, kjo situatë është e paqëndrueshme.

– Ju keni deklaruar që Reforma në Drejtësi ka vdekur. Mos vallë duhet të kishit thënë që ne nuk duhet ta lëmë?
Unë nuk e kam deklaruar. 2 shpresa ka Shqipëria sot për daljen nga kjo krizë. Rikthimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe një Reformë në Drejtësi, e cila të zbatohet ashtu siç është miratuar. Këto janë dy betejat dhe aleatët më të fortë dhe të rëndësishme të opozitës.

– Jeni gati nëse Edi Rama thotë nesër zgjedhje. Jeni gati të futeni në zgjedhje si opozitë?
Zgjedhje të lira dhe të ndershme, jo zgjedhje me bandat e me Dakot, e me Sejdinët, e me Tahirët e Roshët. Zgjedhje të lira dhe të ndershme. I gjithë investimi i Ramës është, të shkatërrojë institucionin e zgjedhjeve, që është institucioni i llogarisë, kur shkon e jep llogari para qytetarëve.

– Si i përgjigjeni akuzave apo kritikave të skepticizmit ndaj jush personalisht, si kryetar i opozitës dhe Partisë Demokratike? Se në fakt po aq sa Edi Rama, keni edhe ju frikë nga ngritja e SPAK dhe fillimi i hetimeve të lidhjes së politikës me afera të tjera. Pikërisht në këtë kohë, pagesa e lobingjeve në SHBA, çështja e Rapiskanit, dhe e ÇEZ, tre, janë tre çështje që implikojnë në debatin publik, edhe qëndrimin e PD-së dje dhe sot, për afera të prezupozuara korruptive.
Kur nuk ia del dot me gënjeshtra dhe mashtrime të tjera, i vetmi truk i Edi Ramës është të na barazojë. Thotë, jemi ne, por janë edhe ata. Çështjet që përmend, janë të gjitha një furtunë në gotë uji, të ngritura me një qëllim, pikërisht që të zhvendosin diskutimin dhe debatin publik dhe politik nga Saimir Tahiri, sepse është një dimension që ngërthen gjithë establishmentin politik të PS-së dhe vetë Edi Ramën dhe skandalet e tjera që po plasin dhe do të plasin në mënyrë të pashmangshme. Sepse ju po i plasni, mediat po i plasin.

– Edhe Top Chanel…?!
Disa nga mediat profesionale duket që janë në një presion të jashtëzakonshëm. Psh çështja e inceneratorëve, me sa duket të gjitha mediat kryesore kanë marrë urdhër me shkrim dhe me gojë që të mos merren me inceneratorët, një aferë qindra milionë euro, për të cilën në mënyrën më të turpshme çensurohet opozita. Sa herë që PD, unë personalisht, bashkëpunëtorët e mi, kanë komunikime politike për këtë çështje, me dorë të padukshme qeveria e heq këtë lajm nga ekrani i “Top Channel”, te televizionet e tjera, në çdo televizion zhduket lajmi.
Por po ju thoka se PD është e investuar dhe unë jam i investuar në zbatimin e plotë të Reformës në Drejtësi dhe në veçanti për SPAK-un dhe BKH-në, që është i vetmi nga shtatë ligjet që i ka votat tona.
Dy aleatët më të fuqishëm të çdo opozite, në veçanti të kësaj opozite janë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe Reforma në Drejtësi. Dhe ne do të luftojmë fuqishëm që të dyja këto të rivihen në binarë demokratikë, që vendi të ketë një Reformë në Drejtësi, me gjyqtarë dhe prokurorë të paemëruar politikisht, me veting, të cilët nuk mbrojnë, por hetojnë të pushtetshmit, peshqit e mëdhenj dhe krimin e organizuar dhe të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

– Aksioni opozitar në janar si ajo e 18 dhjetorit do të jetë, apo do të ketë një tjetër aksion të themi më thelbësor të opozitës?
Protesta është protestë dhe në momentin që flasim është një nga rrugët e pakta që i ka mbetur njerëzve për të ndikuar sjelljen e aktorëve politikë. Kur një qeveri, kur një kryeministër nuk do t’ia dijë për ligjin, zgjedhjet, Kushtetutën, opsionet e një shoqërie të qytetëruar mbeten pak. Dhe një nga këto opsione të fuqishme që gjithmonë ka treguar se kur mobilizohet sjell ndryshim, është opsioni i protestave popullore.
E kemi provuar edhe më parë se sa herë jemi bashkuar rreth qëllimeve të mira, i kemi arritur edhe kur na dukeshin utopi. E kemi provuar para 27 vitesh, kur rrëzuam diktaturën komuniste, do të vinin zgjedhjet pluraliste. E kemi provuar në vitin 2005-2006, kur nënshkruam Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, e kemi provuar në 2008, kur morëm ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, e kemi provuar, më 2010, kur shqiptarët lëvizin me pasaportë në xhep në vendet e Shengen, por kjo lëvizje po kërcënohet, sepse shumë prej shqiptarëve po i kthejnë në kufi dhe tani po kujton se çfarë të drejte të madhe kanë arritur. Kjo është thirrja ime në këtë fundvit, ndaj çdo shqiptari dhe shqiptare. Mos t’i mbajë sytë nga aeroporti apo trageti, por nga njëri-tjetri. Të bashkohemi në një aleancë vlerash dhe si çdo shoqëri tjetër europiane.

– Si mund të flasë një opozitë për institucionin e rëndë të zgjedhjeve kur vetë këtë institucion e ka vënë në dyshim?
Opozita, Partia Demokratike nuk e ka vënë në dyshim por ka ndërtuar dhe po ndërton traditën e zgjedhjeve brenda saj. Ky është procesi i dytë i zgjedhjeve një anëtar një votë për kryetarin e Partisë Demokratike. Absolutisht kam qënë i vëmëndshëm ndaj çdo kritiku dhe skeptiku, dhe disa prej tyre janë shprehur në mënyrë paragjykuese për garën para se ajo të ndodhte. Sikundër kandidati tjetër në garë është shprehur qartësisht për legjitimitetin e garës, natyrisht edhe për rezervat që ai ka patur për hallka apo për pjesë të procesit.
Në këtë garë, Partia demokratike është futur me garanci të plota që statute jep dhe çdo provë apo çdo pretendim përsa i përket rregullsisë së votimit duhej të ndiqej sipas garancive statutore që Partia Demokratike jep. Nuk ka ndodhur kjo gjë ç’ka më shtyn mua por edhe demokratët të besojnë se qëllimi nuk ka qënë të zbatohen rregullat dhe të mbahen përgjegjws ata që duhet të zbatojnë rregullat, por ka qënë diskreditimi apriori i një gare politke brenda partisë. Nuk është hera e parë dhe as e fundit që ndodh në një aprti politike, as në Shqipëri dhe as jashtë vendit. Unë mund tu them se cili është qendrimi im. Qwndrimi im është që kjo traditë demokratike që ka nisur, të fuqizohet edhe më tej. Që shkalla e vendimarrjes demokratike në Partinë Demokratike të shkojë më lart dhe të prekë të gjitha nivelet vendimarrëse që PD të arrijë apogjeun e demokracisë së brendshme përmes zgjedhjeve një anëtar një votë për të gjitha funksionet e rëndësishme përfaqësuese të Partisë Demokratike.
Kjo është bindja ime e thellë si kryetar i Partisë Demokratike dhe unë do të punoj fuqishëm me demokratët shqiptarë që të jemi ne partia e parë shqiptare që vë në zbatim këtë parim të shenjtë të demokracisë amerikane që është një standard që po aplikohet së fundmi edhe në partitë simotra europiane, por të jemi ne partia e parë shqiptare që e vëmë këtë në veprim jo thjeshtë si qëllim në vetvete, jo vetëm se na takon ne demokratëve, dallëndyshes së parë të pruralizmit politik por edhe si një mesazh të qartë ndaj shqiptarëve se vlera e votës së lirë, vlera e shprehjes së lirë të vullnetit do të garantohet njëherë e përgjithmonë në Partinë Demokratike në të gjitha nivelet e përfaqësimit, sot dhe nesër do të garantohet për çdo shqiptar, kur vjen puna për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në qeverisje qendrore apo qeverisje vendore.

– A ishte marrëveshja me Edi Ramën një gabim historik i karrierës tuaj të re politike, si kryetar i Partisë Demokratike?
Marrëveshja e 18 Majit ishte një marrëveshje e diktuar në një situatë unike dhe kritike për Shqipërinë e 27 viteve. Nuk ishte marrëveshja gabimi. Gabimi ishte investimi me një marrëveshje me një person që nuk e njeh marrëveshjen. Me një person apo faktor politik i cili provon se jo thjeshtë marrëveshja me kundërshtarin, por edhe fatin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që nga fëmijët e vegjël, që nga foshnjet e sapolindura e deri tek pensionistët në moshë të thyer, ka për borxh t’ia vërë në funksion egos së shfrenuar për pushtet dhe pasuri personale.
PD e gjen veten partner kryesor të faktorit ndërkombëtar për ndryshimin që po vjen dhe do të vijë pavarësisht përpëlitjeve të fundit të një karteli politico-kriminal, fati i të cilit është vulosur.

– Cili është një premtim që ju jepni sot dhe do ta mbani pas një viti?
Partia Demokratike do të vazhdojë të vendosë interesin e cdo shqiptari, interesin e familjeve shqiptare, të fëmijëve shqiptarë, punëdhënësve dhe punëmarrësve shqiptarë, fermerëve shqiptarë, mbi çdo interes tjetër. Ne nuk kemi asnjë interes tjetër përveç interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Siç kemi bërë deri më sot do të vazhdojmë ta vendosim interesin publik të parin. E kemi bërë këtë kur kemi luftuar krimin, kur kemi refuzuar dorën e shtrirë për bashkëpunim joparimor, kur kemi denoncuar drogën, kur kemi kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, kur kemi votuar reformën në drejtësi dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë pa asnjë kompromis me të keqen.

Rënia e drejtësisë, Tahirit i rikthehet pasaporta

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka shfuqizuar masën ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri që i ndalonte daljen jashtë vendit. Apeli urdhëroi që ish-ministrit t’i kthehej pasaporta. Tashmë Tahiri është i lirë të largohet nga Shqipëria, ndonëse ndaj tij vijojnë hetimet për përfshirje të mundshme në trafikun e kanabisit drejt Italisë.
Në një seancë me dyer të mbyllura në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, avokati i tij Maksim Haxhia dhe ish-ministri kanë këmbëngulur për heqjen e masës që u dha para tre javësh nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Pas argumentit se nuk kishte prova, kërkesa u pranua nga gjyqtarët Saida Dollani, Sokol Binaj dhe Nertina Kosova. Pas këtij vendimi, ish-ministri Tahiri uroi vetëm festat e fundvitit dhe nuk e përmendi më frazën që kishte filluar ta thoshte shpesh se do të fliste së shpejti. Një pyetje që iu drejtua ishte nëse do largohej jashtë vendit me pushime tani që mori pasaportën. Por, Tahiri nuk dha asnjë koment. “Gëzuar, gëzuar, do të flasë Maksi”, ishin fjalët e vetme të ish-¬ministrit për mediat, që prisnin një deklaratë të tijën.
Avokati i tij, Maksim Haxhia komentoi: “Gjykata vendosi shfuqizimin e dy vendimeve të datës 9 dhe 13, me anë të të cilave ishte vendosur ndalimi i zotit Saimir Tahiri për të dalë jashtë shtetit dhe sekuestrimi i pasaportës dhe kartës së identitetit”.
Në vendimin e 9 dhjetorit 2017, Gjykata për Krimet e Rënda bazohej në disa përgjime të ardhura nga autoritetet italiane, nga hyrje-daljet e Tahirit në kufi me mjetin e tij “Audi” pas shitjes dhe me mjete të familjes Sota si dhe dyshimin se 863 mijë euro të gjetura në mjetin e Orest Sotës i përkasin ish-ministrit.
Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për akuzat e trafikut të lëndëve narkotike, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion të zyrtarëve të lartë. Prokuroria pretendon se në përgjimet e dosjes italiane përmendet emri i Saimir Tahirit, i cili dyshohet se ka ndihmuar grupin e Habilajve në kultivimin dhe trafikun e kanabisit. Gjithashtu, ai ka marrë nga ata pagesa dhe dhurata të ndryshme, të cilat janë përmendur në biseda mes trafikantëve.
Provat që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka paraqitur në Gjykatë për Saimir Tahirin, tregojnë edhe lidhjet që ish-ministrit i Brendshëm ka me Orest Sotën. Këtij të fundit, më 1 nëntor iu gjetën në makinë një sasi prej 863 mijë euro, për të cilat organi i akuzës ka dyshime se lidhen me aktivitete të paligjshme të Tahirit.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, të paraqitura në Gjykatën e Krimeve të Rënda, “të dhënat e marra nga sistemi Tims japin njoftime për njohjen midis shtetasit në hetim Saimir Tahiri e ish-shoferit të tij, Gentian Çeka, me shtetasin Orest Sota dhe familjarët e këtij të fundit, për shkak të disa udhëtimeve jashtë shtetit, me automjete të njëjta”.
Më herët, në Shkallën e Parë u shqyrtua edhe kërkesa e biznesmenit Orest Sota, i cili përsëriti për të disatën herë të lërë paraburgimin, duke ofruar sipas ligjit garanci pasurore. Gjykata e rrëzoi kërkesën e 25-vjeçarit, i cili po hetohet në dosjen “Habilaj”, pasi u bllokua në automjet nga një postbllok policor me 863 mijë euro. Avokati dhe familja e Sotës këmbëngulin se kjo shumë do t’i paguhej si garanci kompanisë “Kurum”, ndërkohë që edhe Prokuroria gjatë seancës së radhës është tërhequr nga qëndrimi i mëparshëm se kjo shumë mund t’i përkasë ish-ministrit të Brendshëm.
Sipas burimeve, Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e masës “arrest me burg”, ndërkohë që për enigmën se kujt i përket kjo shumë, ka heshtur në Gjykatë. Avokati Fatmir Braka tha se do t’i drejtohet sërish Gjykatës së Apelit për të kërkuar lirimin e Orest Sotës, djali i biznesmenit të njohur Lefter Sota.

15 atentate me armë dhe tritol për drogën në Vlorë

Vlora ka spikatur për ngjarje të rwnda kriminale që në nisje të vitit 2017. Për nga intensiteti i ngjarjeve, qyteti i madh bregdetar, është identifikuar si qyteti i atentateve. Gjurmë që e bëjnë Vlorën qytetin e atentateve. Përgjakje rrugësh e bulevardesh. Pazare të pista, kryesisht të drogës kanë vendosur për fatin e shumë viktimave, gjashtë nga ata të vrarë në vend. 11 të tjerë janë gjymtuar. Mes tyre një fëmijë 8-vjeçar u plagos. Pesë automjete u shkrumbuan. Nga nisja e vitit 2017, 15 ngjarje të rënda u regjistruan. Disa me armë zjarri dhe disa me shpërthime tritoli.
29 janar 2017
Një makinë u hodh në erë në lagjen “Pavarësia”. Policia tha se ky ishte një mesazh kërcënimi për pronarin e “Audi”-t Q7, Flamur Lamaj. Shpërthimi ndodhi poshtë banesës së tij, por që nga ajo ditë ngjarja është akoma e pazbardhur.
9 shkurt 2017
Një 28-vjeçar u shënjestrua dhe u plagos në atentatin e 9 shkurtit. Arlind Lulushi edhe më parë ishte qëlluar për t’u vrarë. Lulushi ishte bodyguard i një pike bastesh në lagjen “Isa Boletini” dhe i arrestuar për ngjarjen ka qenë Klodjan Pashaj.
28 shkurt 2017
Në Llakatund të Vlorës qëllohet me breshëri kallshnikovi një 52-vjeçar. Për vrasjen e tij nuk ka asnjë person në pranga.
10 prill 2017
Elidon Mehmeti 35 vjeç, u ekzekutua me 15 plumba kallashnikovi në zonën e Skelës. Atij i kishin bërë pritë përballë një hoteli. Mehmeti po lëvizte me mjetin e tij drejt shtëpisë dhe policia gjeti 18 gëzhoja. Pak orë më vonë, në fshatin Ferras të Fierit një makinë u gjet e djegur dhe dyshohet se ajo ishte e autorëve. Vrasja e Mehmetit arkivohet si ngjarje e pazbardhur.
20 prill 2017
Ergys Gjioveshaj u vra me armë zjarri në ambjentet e bar “fiks-fare”, si dhe u plagosën katër persona të tjerë. Në vendin e ngjarjes u gjetën 18 gëzhoja armë zjarri të kalibrit 7.62 mm dhe 14 mm dhe 4 të modelit 7.62. Një pistoletë e markës magnium me 5 copë fishekë iu gjet viktimës në trup, si dhe DVR-ja e kamerave të sigurisë që mbikqyrte ambjentet e lokalit. I dyshuari si autor i krimit, Aranit Kondi, është akoma në kërkim, kurse bashkëpunëtori i tij u arrestua.
24 maj 2017
Atentat në qender të Vlorës. Ekzekutohet pronari i një televizioni lokal. I vrarë mbeti edhe drejtori i OSHEE të Vlorës, Roland Saliu. Një person zbriti nga një makine tip BMW që hapi zjarr në drejtim të “Hotel Vlora”, pronë e Erven Hysenit. Krimi ndodhi në një orë kur në zonën e Sheshit të Flamurit kishte fluks qytetarësh në lëvizje. Kjo ishte padyshim edhe një prej ngjarjeve më të rënda të shënuara gjatë vitit. Ngjarja nuk është zbardhur.
26 qershor 2017
Fatjon Sinanaj 40 vjeç, u ekzekutua në derën e shtëpisë së tij në Vlorë. Ngjarja ndodhi natën dhe autorët ishin të maskuar. Ata trokitën në shtëpinë e tij dhe e qëlluan sapo u hap dera. Sinanaj vdiq në vend, kurse autorët u larguan me nxitim me një “Benz” me targa gjermane, të cilin e braktisën rreth 300 m larg vendit të krimit. Pak minuta më vonë, po mbrëmjen e 26 qershorit, persona të paidentifikuar i vunë tritol makinës tip “Ford” i parkuar në një rrugë dytësore pranë Bashkisë së qytetit, në pronësi të 42-vjeçarit Elton Ismailaj.
29 korrik 2017
Renato Omeri u ekzekutua me armë zjarri në afërsi të lokalit të familjes së tij, në “Lungomare”, në një zonë të populluar nga sezoni turistik. Atentatori iu afrua ngadalë viktimës dhe e qëlloi gjashtë herë me pistoletë. Policia shoqëroi 10 persona, por pas deklarimeve të marra prej tyre, i la të lirë. Pista kryesore e hetimit është ajo e një zinxhiri atentatesh të organizuara ndaj 37–vjeçarit Renato Omeri. Vrasja e 37-vjeçarit ende nuk ësht zbardhur.
01 tetor 2017
Ferdinand Llanaj, 39 vjeç, i biri 8-vjeçar dhe daja i tij, Dritan Begaj 50 vjeç, u plagosën me breshëri kallashnikovi kur makina me të cilin po lëviznin sapo doli nga një pikë karburanti. Ngjarja ndodhi në rrugën Transballkanike në Vlorë dhe autorët ikën me automjetin tip BMW, që u gjet më pas i djegur në një fshat të Fierit. Paraprakisht, policia dyshoi se shënjestra e atentatit ka mundësi të ketë qenë Ferdinand Llanaj, babai i të cilit është vrarë në vijim të një zinxhiri vrasjesh në vitin 1998 në Selenicë. Atentati mbetet ende pa autor.
23 tetor 2017
Makina e Gëzim Dervishit u përfshi nga flakët në lagjen “Partizani”, pranë Bashkisë së qytetit të Vlorës. Kjo ishte hera e dytë që Dervishit i shkrumbonin makinën dhe ngjarjet janë pa autor.
10 tetor 2017
Makina e Vejushe Dalipaj u hodh në erë me tritol mëngjesin e 10 tetorit në lagjen “Uji i ftohtë”. Për fat nuk pati viktima, por autorët e vendosjes së eksplozivit nuk u gjetën.
27 nëntor 2017
Një “Jeep” u hodh në erë me 500 gr tritol në zonën e njohur si Bishti i Kalldrëmit. Atentati ishte i telekomanduar dhe 25-vjeçari Ines Hajrulla, djali i një biznesmeni u plagos rëndë. Ai humbi njërën këmbë, por mbijetoi. Policia dyshon që ngjarja ka lidhje me aktivitetet e tij të errëta në të kaluarën

 

Miku i deputetit qëlloi me armë në lokal, policia mbyll çështjen

Ish-kryeministri Berisha ka publikuar mesazhin e një oficeri të Policisë Kriminale në Shkodër që flet për mbyllje të çështjes me ndërhyrje nga lart. Berisha ironizon operacionin “Forca e ligjit” dhe shkruan se, Policia e Shkodrës kontrollohet nga bandat e partisë. Oficeri i policisë shkruan se, disa ditë më parë në një lokal në Shkodër një person ka qëlluar me armë, por kur është bërë identifikimi i autorit, policët në terren kanë marrë urdhër të mos merren me këtë çështje.
“Më së fundi ja një rezultat spektakolar i operacionit forca e le…! Qytetari dixhital denoncon: Kontrollin total të Policisë së Shkodrës nga bandat e partisë të lidhura direkt me Noriegën!”, shkruan Berisha.
“Mirëmbrëma doktor. Unë që po të shkruaj jam një oficeri i Policisë Kriminale në Drejtorinë Vendore të Qarkut Shkodër. Para 5 ditësh jemi njoftuar me radio nga salla operative se në lokalin E**** në qendër të qytetit Shkodër është qëlluar një person me armë zjarri pistoletë. Menjëherë kemi shkuar me disa kolegë në vendngjarje, duke mbledhur informacion. Pasi arrita të identifikoj autorin e kësaj ngjarje, kontaktoj me drejtuesit e policisë dhe çuditërisht më vjen urdhri nga ato që mos të vazhdoj të merrem me këtë ngjarje. Dua të theksoj se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 7 të darkës ku kishte dhe pamje filmike, pasi lokali është i monitoruar në çdo cep me kamera.
Ky shtetas ka qëlluar në ambient të mbyllur të lokalit, duke i rrezikuar jeta e shumë personave që ishin brenda në lokal. Autor i kësaj ngjarje është shtetasi Safet Bajri, i cili ka qenë duke pirë në këtë lokal dhe është afruar një tavoline tjetër, ku ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasit Erdis Ishmi disa herë. Dua të theksoj se, autori i kësaj ngjarje, Safet Bajri është person me precedent kriminal dhe problematik. Ka ndihmuar Luan Harushën për vota, ku ky i fundit ka marrë drejtuesit e policisë, duke i urdhëruar që mos të merren me këtë ngjarje.
Jemi shumë të indinjuar se kjo ngjarje ishte komplet e zbuluar, pasi kishim dëshmitarë në lokal dhe pamjet filmike dhe nuk kemi mundur të vazhdojmë me procedurën hetimore, për shkak se ky shtetas ka punuar për fushatë dhe partia i ka detyrime që ta lë të lirë të qëllojnë njerëz me armë si dhe të vendosin gjoba biznesmenëve në Shkodër. Drejtuesit e policisë rrinë urtë, duke marrë edhe ryshfet për të mbyllur gojën nga krimet që bëjnë fisi i Bajrave. Kjo ngjarje ka krijuar shumë urrejtje për policinë, pasi nuk është në gjendje të japin një autor ngjarje. Kur e di gjithë Shkodra kush e ka bërë. Ju lutem publikoje doktor ta marri vesh i gjithë vendi çfarë lepuj shefa ka Drejtoria dhe Komisariati Shkodër. Fshehin ngjarje me autor”, shkruan oficeri i policisë.