21.5 C
Tirana
E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Nuk kanë marrë pagat, naftëtarët sërish protestë

Punonjësit e Uzinës së Naftës në Fier protestuan sërish këtë mëngjes për pagën e prapambetur të muajit nëntor dhe mospagimin e sigurimeve shoqërore për 18 muajt e fundit. Të mbledhur para Uzinës, ata kërkuan ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për t’i dhënë zgjidhje problematikave në naftëtarëve.
Sipas punonjësve të naftës në Fier, ata nuk janë siguruar nga muaji tetor i vitit 2016, ndërsa nuk janë paguar për muajin e nëntor të këtij viti. Disa prej naftëtarëve thonë se po rrezikojnë pensionin për shkak të mos pagimit nga kompania të sigurimeve shoqërore.
Punonjësit e Uzinës së Ballshit dhe Fierit kanë nisur një valë protestash përmes të cilave kërkojnë rinisjen normale të punës dhe detyrimet e prapambetura. Uzina e Ballshit u mbyll rreth 20 ditë më parë pas një shpërthimi që shkaktoi plagosjen e njërit prej punonjësve të repartit të koksit.

 

Si i zhvat policia emigrantët që kthehen për festat e fundvitit

Një qytetar nga Kosova ka denoncuar policinë shqiptare për vënie gjobash ndaj emigrantëve që kthehen për pushimet e fundvitit. Ai i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Qytetari dixhital denoncon çunat e krimit! Ja si ata zhvasin qytetarët që kthehen për pushime. Lexoni mesazhin e tij”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje z.Kryeministër, jam një qytetar nga Kosova, tani duke u kthyer nga Zvicra me familjën që jetojmë atje, pasi kaluam Shkodrën 20 km hasëm me një patrullë të policisë shqiptare, makina jonë kishte dritat e fikura, punëtori polic na tregoi që duhet të ju penalizojmë për arsye që dritat janë të fikura, dhe penalizimi ishte 1000 lekë, ne u pajtuam ta paguajmë penalizimin, por kërkuam tiketën e penalizimit, punëtori polic nuk pranoi me na dhënë tiketën, pas insistimit tonë të shumtë atje vajti në makinë dhe mbaroj një tiketë tjetër të re, të lutem shiko tiketën se në tiketë nuk shënon asgjë për çka jemi penalizuar, dhe me këtë ne kuptuam që punëtori polic deshti me na vjedhë”, shkruan qytetari.

Shtyhet seanca e sekuestrimit të pronave të familjes Balili

Seanca gjyqësore për sekuestrimin e pronave të familjes Balili është shtyrë ditën e djeshme nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda. Shkak u bë mosformimi i trupit gjykues. Seanca do të zhvillohet në janar të 2018-ës. Ndërmjet pasurive, të cilave u është vendosur sekuestro preventive, është edhe kompleksi “Santa Quaranta”.
Dhjetëra forca policore kanë mësyrë në 24 nëntor 2016 në hotelin Santa Quaranta në Sarandë, pronë e të shumëkërkuarit të drejtësisë, Klement Balili, për ta vënë nën sekuestro preventive me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të vendosur në sekuestron preventive kompleksin e njohur dhe 20 apartamente që janë pronë e Balilit dhe familjes së tij, me dyshimin se janë përfituar nga aktivitete kriminale, si trafiku i drogës.
Para një muaji Gjykata e Krimeve të Rënda, pas kërkesës së Prokurorisë vendosi nën sekuestro preventive pasuria e Klement Balilit, ose i njohur ndryshe si “Eskobari” i Ballkanit. Nën sekuestro mësohet se janë vendosur troje, biznese dhe apartamente që rezultojnë në emër të familjes Balili në Sarandë. Sekuestroja e pasurive u bë falë bashkëpunimit me sektorin e hetimit të aseteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Dyshohet se kjo pasuri dhe të tjera, në pronësi të 44-vjeçarit nga Saranda janë vënë me para të ardhura nga aktiviteti kriminal. Klement Balili është në kërkim që prej një viti pas urdhërit të arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Në maj të vitit të kaluar, autoritetet greke pas një hetimi të përbashkët me DEA-n amerikane e përmendën emrin e tij si drejtuesin kryesor të një rrjeti të gjerë të trafikut të marijuanës nga Shqipëria në Greqi dhe vende të tjera të BE.
Klement Balili, i njohur si “Eskobari i Ballkanit” është në arrati. Arrestimi i tij nuk është bërë i mundur pavarësisht disa operacioneve blic të Policisë së Shtetit.

 

863 mijë eurot dhe patentat e Tahirit, Gjykata le në burg Orest Sotën

Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar sërish kërkesën e Orest Sotës për lirim nga paraburgimi. Në seancën e djeshme, Gjykata nuk pranoi as garanci pasurore të ofruar nga i arrestuari, të cilit rreth dy muaj më parë iu gjetën në makinë mbi 863 mijë euro në mjetin me të cilin po udhëtonte në afërsi të qytetit të Elbasanit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshonte e paratë që i janë gjetur Sotës mund të jetë të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Por avokati i Sotës, është i bindur në pafajësinë e klientit të tij, duke akuzuar se ai po mbahet peng.
“Orest Sota mbahet në burg pa asnjë provë, mbahet nga një gjykatë që nuk është kompetente. Mbahet në burg peng dhe ai personi që këto duan ta lidhin nuk ka një akuzë është person nën hetim, pra të gjithë e dinë që Sota mbahet në burg pa asnjë fakt”, u shpreh Fatmir Brraka, avokati i Orest Sotës.
Avokati deklaroi se do të ankimojë këtë vendim, ndërsa deklaroi se gjithë kësaj kohe klienti i tij nuk është pyetur nga Prokuroria. Ai deklaroi gjithashtu se, arrestimi me të padrejtë ka ndikuar negativisht edhe në shëndetin e prindërve të Sotës.
Prokurorët e çështjes kanë deklaruar në seancën gjyqësore të Gjykatës së Krimeve të Rënda se, ka dyshime të arsyeshme që Sota të ketë konsumuar veprën penale të “pastrimit të parave” dhe të “fshehjes së të ardhurave”. Sipas tyre, shuma prej 863 mijë euro i përket ish-ministrit Saimir Tahiri, produkt i aktiviteteve të paligjshëm ku dyshohet të jetë përfshirë.
Përfaqësuesit e akuzës paraqitën një sërë përgjimesh ambientale dhe telefonike të Sotës, personit tjetër që ndodhej me të kur u ndalua nga policia, Leonard Almeta, shoferit të Tahirit, Genti Ceka, si edhe babait të 25-vjeçarit. Duke iu referuar një akt-ekspertimit të shumës së sekuestruar, prokurorët thanë se 5 kartmonedha prej 50 euro rezultuan të falsifikuara.
Pretendimi i Sotës se sasia e madhe e parave ishte për të blerë hekur tek “Kurum” u hodh poshtë nga menaxherja e kësaj kompanie, e cila deklaroi në Prokurori se “Kurum” kryen transaksione me shifra deri në 150 mijë euro. Shuma e parave që kishte Sota në makinë ishte disa herë më e madhe. Sekuestrimi i regjistrave të shitblerjes ishte veprimi i parë që kreu Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kuadër të verifikimit të pasurisë së Orest Sotës dhe familjes së tij.
Orest Sota u arrestua në nëntor në Elbasan, pasi në automjet iu gjetën 863 mijë euro dhe dy patenta skafi të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas avokatit Fatmir Braka, shuma e parave janë të justifikuara dhe i përkasin të atit të Orest Sotës.

Rrëfehet taksisti: Si më futën në bagazh dhe më grabitën makinën

Taksisti Bujar Elezi tregon se ka përjetuar një natë tmerri nga dy të rinj që i grabitën makinën. Ai shprehet se dy autorët e kanë futur me dhunë brenda në bagazhin e makinës për rreth 30 minuta, e dhunojnë dhe i marrin automjetin gjatë rrugës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të së dielës në aksin rrugor Levan-Vlorë. Elezi u nis nga Durrësi për të dërguar dy të rinj me taksi për në qytetin e Vlorës. Ka qenë vetë shoferi i taksisë, 48-vjeçari Elezi, i cili i ka telefonuar policisë dhe e ka lajmëruar për atë që kishte ndodhur.
Pasi është nisur nga Durrësi, rreth orës 12:00 të mbrëmjes, bashkë me dy të rinjtë, pasagjerët janë treguar të sjellshëm deri në momentin, kur kanë mbërritur pranë autostradës Levan-Vlorë. Pikërisht në këtë segment, të rinjtë kanë ushtruar dhunë fizike mbi taksistin, duke e futur më pas në bagazhin e automjetit të tij.
Më pas, një prej autorëve ka marrë drejtimin e taksisë dhe kanë udhëtuar drejt fshatit Bunavi dhe Kërkovë. Pasi kanë ndaluar makinën, autorët e kanë nxjerrë nga bagazhi dhe pasi kanë ushtruar sërish dhunë fizike mbi të, janë larguar, duke i marrë makinën. I mbetur në mes të rrugës, Elezi ka kërkuar ndihmën e policisë.

Fermerët në Fier drejt falimentimit nga përmbytjet

 

Përmbytjet në fillim të dhjetorit sollën dëme të mëdha edhe në frutikulturë. Në Njësinë Administrative Frakull banorët të cilët u bënë të famshëm nga kultivimi i luleshtrydhes tashmë janë drejt falimentimit. Serrat e shkatërruara totalisht dhe luleshtrydhe të kalbura është panorama që gjejmë në fshatrat Kashisht dhe Kafaraj të Bashkisë Fier.
Edhe pse kanë kaluar më tepër se 2 javë askush nuk është paraqitur tek ata për të mbajtur një procesverbal e për të evidentuar dëmet në të mbjella. “Këtu dëmi është kolosal. I gjithë prodhimi që lidhi dhe zhvilloi luleshtrydhja është kalbur komplet, më kanë ikur rreth 20 mln lekë të vjetra. Tani do presim që pas dy muaj të lidhë lule sërish”, shprehet një prej fermerëve, ndërsa kërkon ndihmën e shtetit.
Edhe pse të rrënuar disa prej fermerëve vazhdojnë të pastrojnë serrat, duke u munduar të shpëtojnë ato pak bimë që kanë mbetur. Të zhgënjyer banorët e fshatit Kashisht shprehen se para përmbytjes erdhi kryetari i Bashkisë Fier për të paralajmëruar për daljen e lumit Vjosë, por pas përmbytjes askush nuk është interesuar për ta. Të irrituar banorët shprehen para kamerave se janë harruar nga shteti edhe pse për vite i kanë paguar çdo detyrim shtetit. “Turpin ta mbajnë ata! Ne jemi të ndershëm do punojnë e do e përballemi me gjithçka”, pohon një tjetër fermer.
Edhe më e rëndë është gjendja e fermerëve në fshatin Kafaraj. “Këtu nuk ka ardhur njeri të shikojë. Janë 100 hektarë luleshtrydhe në këtë fshat. Ndihmat shkojnë në Frakull të Madhe jo tek ne në Kafaraj. Mua më sollën një thes miell po ç’e dua unë miellin?! Unë dua të më përgjigjet shteti për dëmin në serra”, shprehet një prej fermerëve, ndërsa thekson se në 2015 ka marrë vetëm 600 mijë lekë të vjetra dëmshpërblim, kur në të vërtetë dëmi ishte disa herë më i lartë.
Gazetarët e Fiks Fare i drejtohen Njësisë Administrative Frakull, por në godinë nuk gjejnë asnjë person. Ndërsa dera e godinës është e hapur dhe mund të lëvizësh lirisht në të. Pas rreth 30 minuta pritje në godinë shfaqet kryetari i Njësisë z. Dashnor Troka. Meqenëse vetë është fermer, ai shprehet se e di mirë sa dëm i madh u është shkaktuar fermerëve të zonës, por nuk mund të thotë nëse për ta do të ketë dëmshpërblim apo jo.
“Jemi interesuar në Bashkinë Fier se çfarë do të bëhet për verifikimin e dëmeve, por Ligji për Emergjencat Civile është shprehur qartë se në rast se nuk shpallet gjendja e jashtëzakonshme nuk mund të bëhen vlerësimet për dëmet në bujqësi, përveçse të specifikohen dëmet në banesa”, pohon Troka.
Për 2015 vlerësimet kanë qenë me 30% të vlerës së dëmeve. Gjithsecili prej tyre ka marrë nga 1.400 milionë lekë të vjetra, shprehet kryetari i Njësisë Frakull.

Një i vdekur dhe tre të plagosur në 3 aksidente

Një 26-vjeçar ka humbur jetën dhe tre persona të tjerë janë plagosur ditën e djeshme në tre aksidente automobilistike. Rreth orës 18:00 të ditës së djeshme në Fier në afërsi të fshatit Baltëz, një makinë doli nga rruga dhe si pasojë drejtuesi i mjetit humbi jetën. “Shtetasi J.I, 26 vjeç, banues në Fier, duke drejtuar mjetin tip “Benz” ka humbur kontrollin dhe ka goditur betonin e mbikalimit të autostradës. Për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme drejtuesi i mjetit”, sqaron policia. Policia dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit.
Ndërkohë, dy efektivë policie u përfshinë në një aksident paraditen e djeshme pranë Stacionit të Trenit në Tiranë. Nga të dhënat paraprake mësohet se një i moshuar u ka prerë rrugën efektivëve që ecnin me motorë. Për shkak të devijimit, ata janë përplasur me një makinë “Benz” të parkuar dhe më pas motori është përmbysur. Aktualisht mësohet se dy efektivët janë në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën.
Po ashtu, një aksident ka ndodhur në hyrje të qytetit të Burrelit, ku dy automjete janë përplasur midis tyre. Për pasojë, një person ka përfunduar në spital. Ende nuk dihet nëse ka persona të tjerë të lënduar si pasojë e përplasjes së automjeteve. Policia ndodhet në vendin e ngjarjes, po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit.

Presidenca: Nuk pati asnjë informim mbi votën e Shqipërisë në OKB

Presidenca ka reaguar në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga Shqipëria në OKB përsa i takon votës pro rezolutës së paraqitur nga Turqia për Jeruzalemin. Presidenca sqaron se nuk ka pasur asnjë informim dhe konsultim paraparak nga MEPJ dhe zyrtarë të saj në drejtim të kabinetit të Presidentit të Republikës për votimin në OKB. “Vetëm disa minuta para votimit, drejtori i Kabinetit të Presidentit, z.Arben Cici i ka telefonuar me inisiativën e tij për shkak të sensibilitetit të çështjes, drejtorit të Përgjithshëm Politik në MEPJ, z.Ferit Hoxha për t’u njohur me vendimin për mënyrën e votimit të Shqipërisë në OKB, nga i cili ka marrë përgjigje që “Nuk ka ende një vendim, por po vazhdojmë konsultimet”, por jo me kabinetin e Presidentit”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Reagimi i Presidencës

Portali “lapsi.al”, ka publikuar një artikull me titull “Vota në OKB/ Si gënjeu Ilir Meta në letrën për Donald Trump”. Duke patur të qartë prapavijën qëllimkeqe dhe dizinformuese të këtij lajmi, jo të rastësishëm, Zyra e Shtypit e Presidentit sqaron edhe njëherë se: Nuk ka patur asnjë informim dhe konsultim paraparak nga MEPJ dhe zyrtarë të saj në drejtim të kabinetit të Presidentit të Republikës për votimin në OKB. Vetëm disa minuta para votimit, drejtori i Kabinetit të Presidentit, z.Arben Cici i ka telefonuar me inisiativën e tij për shkak të sensibilitetit të çështjes, drejtorit të Përgjithshëm Politik në MEPJ, z.Ferit Hoxha për t’u njohur me vendimin për mënyrën e votimit të Shqipërisë në OKB, nga i cili ka marrë përgjigje që “Nuk ka ende një vendim, por po vazhdojmë konsultimet”, por jo me kabinetin e Presidentit.
Pak minuta më vonë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z, Ilir Meta është njohur me qëndrimin e Shqipërisë në OKB vetëm përmes mediave online, ashtu si gjithë qytetarët e vendit. Për informacion më të saktë njoftojmë se drejtori i Kabinetit në Presidencë, z. Arben Cici ka marrë një njoftim me sms nga drejtori i Përgjithshëm Politik në MEPJ, z. Ferit Hoxha, vetëm në orën 18:24, rreth dy orë e gjysëm pas votimit, me një “Pro” rezolutës”.
Nuk ekziston asnjë komunikim tjetër i mëparshëm midis Kabinetit të Presidentit me MEPJ dhe shërbimin diplomatik. U detyruam të bëjmë këtë sqarim të detyruar, për shkak të rëndësisë së veçantë të kësaj çështjeje dhe transparencës ndaj opinionit publik, këtij keqinformimi tërësisht të qëllimtë, jo profesional dhe manipulues për opionin publik, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Vota në OKB, Vasili: Rama i hedh sytë aty ku ka para të pista

Kryetari i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, e ka cilësuar votën e qeverisë shqiptare në OKB kundër qendrimit të SHBA në lidhje me Jeruzalemin si një votë të shitur. Përmes një interviste për “Report tv”, Vasili ka hedhur akuza të forta ndaj Ramës në lidhje me pazare e afera korruptive edhe me votën e Shqipërisë në çështje të tilla madhore.

-Sa i rrezikshëm është votomi i Shqipërisë në OKB kundër vendimit për Jeruzalemin? A duhet të kishte një koordinim të paktën me Presidentin Ilir Meta? Ose me Komisionin e Jashtëm për këtë çështje?
E kam thënë dhe e them përsëri, raporti ynë me SHBA nuk është një raport servil, ky vend Shtetet e Bashkuara të Amerikës është lokomotiva e zhvillimit botëror politik, ekonomik dhe shkencor për çfarë të doni.

-Pa Amerikën bota nuk do ishte kjo që është në raport me këtë Shqipëri kaq të vogël ka treguar një zemërgjerësi, mbështetje pa kushte nuk e di nëse do të kishte qenë dikush nga shqiptarët, duke drejtuar Amerikën a do të ishte kaq zemërgjerë?

Momentet kyçe të historisë sonë janë shënuar falë mbështetjes së Amerikës. Ku SHBA e kishte këtë votim në vlerësimin e tyre, që është një vlerësim kompleks i tyre, mediokriteti i politikës shqiptare nuk mund ta kuptoj, i mungoi një mbështetje e tillë, kur Amerika ndeshej për kufijtë tanë, ne ishim një vend kaq i vogël dhe nuk mbështetëm qëndrimin e aleatit tonë më të madh.

-Çfarë njohje të famshme ka kjo ministria jonë e Jashtme për këtë problem? Ku bëhej fjalë për një vendim kaq të rëndësishëm pse nuk e ndau me klasën politike në Shqipëri? Duhet ta bënte temë diskutimi në Komisionin e Politikës së Jashtme. Pse nuk u konsultua me kryetarët e partive politike?
Madje mendoj se duhej të merrej mendimi i të gjitha institucioneve, përfshirë Presidencën madje edhe të gjithë presidentët që kanë shërbyer ndër vite, duhet të ishte një vendim kolektiv, mbi së gjithash nuk duhet të ishte kundër SHBA-së.
Kjo është çështje e prerë e konsekuencave të kryeministrit shqiptar. Edi Rama nuk shikon në drejtim të Perëndimit, por shikon kudo që ka para të pista.

-Është dukur sikur gjatë kësaj kohe Edi Rama ka pasur përkrahjen e ambasadorit Donald Lu. Në këtë rast shikojmë se nuk i shkon përshtat për shkak të interesit amerikan. A mund të ketë pasoja për shkak të këtij votimi?
Unë nuk i referohem kryeministrit e as përfaqësimit diplomatik këtu në vend. Presidenti Donald Trump ka një vokacion shumë të qartë për këtë votim SHBA-ja shkurtoi 282 milionë dollarë për OKB-në. Amerika nuk bashkëjeton dot me probleme të tilla, por do që t’i zgjidhi. Vendimi i Donald Trump ishte një vendim mbi rezolutën është votuar me masën mbi 90% në Kongresin amerikan për çështjen e Jeruzalemit.
Ambasada amerikane nuk është e detyruar të flasi me gjuhën e drunjtë që flasin këta këtu në Shqipëri, por në të vërtetë konfirmonte 100% qëndrimin e SHBA-së. Pra konfirmon qëndrimin e SHBA lidhur me çështjen e Jeruzalemit, zgjedhja e tyre i shërbente paqes, nuk u tërhoq asnjë gram mbrapa.

Marrëzitë politike në Shqipëri vazhdojnë

Asllan BUSHATI

Këto ditët e fundit masmedia (stimuluar nga qeveria dhe qarqe të afërta me të), parapëlqeu të vinte në një plan të dukshëm takimin dhe bisedimet e ministrit tonë të Jashtëm, Bushati me homologon e tij grek, Kotzias. Dhe më pas me shumë kujdes e me një farë “krenarie” të heshtur, vuri në gojën e këtij të fundit se: është rënë dakort që pala greke të heq “ligjin e luftës” me Shqipërinë. Pra, me fjalë të tjera, prapa bisedimeve na qenka një “fitore e madhe” e politikës sonë të jashtme. Madje, duke cituar në ligjëratë të drejtë ministrin e Jashtëm grek, vihen në dukje se kjo çështje na qenka e përfunduar, vetëm se duhet të zgjidhet një nga dy opsionet e mundshme: njeri me anë të një dekreti presidencial, ose (varianti tjetër jo i pëlqyer prej tij) nëpërmjet një vendimi të Parlamentit të Greqisë. Më pas, me shumë hile e mungesë sinqeriteti lëshohen nja dy fraza se: po ashtu “është rënë dakort edhe për ngritjen e varrezave të reja të ushtarakëve grekë të rënë në teritorin shqiptar në Luftën e Dytë Botërore (LBD), siç ka qenë dakort edhe qeveria e mëparshme, (pra qeveria e PD-së). Tek kjo fraza e fundit fshihet gjithë llumi e ndotësi i marrëzisë së re politike.
Që Ligji i luftës i Greqisë me Shqipërinë duhet të hiqet, kjo ishte dhe është një domosdoshmëri midis dy vendeve normale, demokratike e fqinje dhe aq më tepër midis dy anëtarëve të NATO-s, sepse mbajtja më tej e tij është një turp për Greqinë dhe jo për Shqipërinë. Por puna e varrezave greke në territorin shqiptar është një maskaradë e re politike që dëmton rëndë interesat e sigurisë tonë kombëtare sot e në të ardhmen, duke bërë tramkë të turpshme varrezash e ligje lufte.
Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra” (përfshi dhe mua personalisht), edhe më para ka folur hapur e me shumë forcë kundër këtij fenomeni, duke e konsideruar atë anti kombëtar. Madje i është drejtuar me një ftesë të hapur publike edhe ish- Presidentit Topi që të mos e dekretojë se (në gjykimin e Vatrës), kjo është tradhti e re kombëtare.
Tani, ky problem ka eskaluar shumë, është “maisur”, është bërë i rrezikshëm dhe është koha t’ju thuhet hapur e pa as më të voglin ekuivok grekëve se: Shqipëria nuk ka asnjë përgjegjësi për sulmin që Italia fashiste i bëri Greqisë nga territori shqiptar në kohën e LDB-së. Sepse siç dihet botërisht, Shqipëria ishte e pushtuar para Greqisë, pra nuk ishte një vend i lirë që mund të merrte vendime të lira. Por vendimet i merrte Jakomoni-mëkëmbësi i Mbretit të Italisë (pra pushtuesi italian). Ne e respektojmë luftën vetmbrojtëse të Greqisë kundër pushtuesve italianë dhe shprehim respekt për të rënët e saj në LDB brenda kufijve territorial të Greqisë. Por për të rënët grek brenda kufijve të Shqipërisë, problemi është shumë më kompleks. Nëse ju grekët keni respekt për to, varrezat e tyre duhet t’i transferoni në Greqi në mënyrë që të afërmit të kenë mundësi që t’ju shprehin atyre nderimet e duhura dhe jo të ngreni komplekse memoriale në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Edhe varrezat e mëparshme (veçanërisht në Kosinë të Përmetit), kanë ngjallur shqetësime të mëdha publike në Shqipëri, se me to është abuzuar deri në ekstrem. Kujtoj këtu deklaratën e mjekut të nderuar Dr.Meksi, i cili gjatë ekzaminimit të eshtrave të varrezave të sipërpërmendura, konstatoi se jo vetëm ishin grumbulluar eshtra të të afërmve të disa familjarëve përmetar, por, në ato të ashtuquajturave “ushtarë grek”, kishte eshtra plakash (femrash), një fëmije femër gjashtë vjeçare, madje edhe eshtra kafshësh. Pra, t’ju thush grekëve sot, hajdeni e ngrini edhe ca varreza të reja në teritorin e Shqipërisë është, marrëzi e re politike me kosto të madhe për të ardhmen.
Edi Rama, me “delirin e tij prej gjoja lidershipi ndryshe nga të tjerët” dhe me idenë se do të ndjellte pas qerres së tij politike një pjesë të të përndjekurve politik të regjimit komunist, sajoi një “bunker” sipërfaqësor pranë Ministrisë së Brendshme në qendër të Tiranës. Ai e quajti atë vepër arti kushtuar antikomunistëve, por që në të vërtetë jo vetëm që nuk ishte vepër arti për këtë shtresë të shoqërisë, por një tallje e radhës me to. Ka plot vende që me të vërtetë e meritojnë të kthehen në vepra arti dhe muze kombëtar për të përndjekurit politik si: Spaçi, Qafëbari, Kampi i Tepelenës, Porto-Palermos etj., për të cilat nuk është bërë asgjë.
Por nuk mjaftuan këto, se “i nderuari Kryeministër”, u tall publikisht dhe shpalli, ish-vend-Komandën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare (në veri të qytetit të Tiranës-afër Shtisht-Tufinës), “bunker art”, vend peleglinazhi për vizitorë shqiptarë e të huaj. Kjo vend-Komandë nuk ishte e diktatorit Enver Hoxha, siç u reklamua (se diktatori ka shkelur në atë hapësirë vetëm një herë në jetën e tij për 15-20 minuta), por ajo ishte një objekt me vlera të pazëvendësueshme për Ushtrinë Shqiptare në rast lufte dhe specifikisht në rast të përdorimit të armëve të dëmtimit në masë (ADM).
Tani kam rastin ta pyes publikisht të nderuarin Kryeministër Rama se: Kur ndodhi sulmi terrorist mbi SHBA më 11 shtator 2001 mbi (Pentagon, gradacelat e NY, e Pensilvani) a e dini se ku e strehu personeli i Shtëpisë Bardhë (Zëvëndës/Presidenti e personeli tjetër madhor) se Presidenti ishte jashtë Uashington DC me shërbim? Ju a them unë: në tunelin (ose siç mund t’i thoni Ju bunkerin) kundër bërthamor, si ai i Shtabit Përgjithshëm Shqiptar që ju u tallët me të. Po në rast sulmi bërthamor nga i çmenduri i Koresë së Veriut? Ju a them unë: në tunelin kundër bërthamor, pa as më të voglin dyshim. Po a e dini i nderuar Kryeministër se i gjithë Kremlini (kryeqendra e Rusisë), është e fortifikuar me strehime kundër bërthamore të nëndheshme dhe i lidhur po me rrugë të nëndheshmë kundër bërthamore me objektet strategjike rreth tij? A e dini se objektet themelore të qendrës së Pekinit në Kinë (Komitetit Qendror i PKK-së, Parlamenti, ministritë e institucionet kryesore), kanë strehime kundër bërthamore nën objekt dhe dytësore të gjitha kundër bërthamore si ai shqiptar me të cilin u tallët Ju? A e dini i nderuar se të tilla objekte kanë edhe UK-ja, Franca, Gjermania, Italia, Suedia, Norvegjia… etj., etj.
More i nderuar kryeministër avanturier (e ke pak nofkën avanturier), a i ke “ti Edi Rama” në dorë kodet dhe çelësat e ADM-ve të të gjithë botës? A mendon ti se bota pa urdhërin tënd nuk ka për t’i përdorur ADM-të? A mendon ti se rreziku i ADM-ve është zhdukur (përfshi dhe terrorizmin)? Në se mendon se këto pyetje dhe shumë të tjera si këto janë inekzistente, atëherë unë si qytetar shqiptar, si ish-specialist dhe drejtues i fushës së ADM-ve, si ish-ushtarak i lartë i Ushtrisë shqiptare më e pakta gjë që mund të të them është: “je i çmendur”. Veprimet tuaja po i shtojnë popullit shqiptar marrëzi pas marrëzie.
Duke e parandjerë se një marrëzi e re shqiptare do të ndodhte në selinë e OKB-së në NY, më 21 dhjetor 2017, para disa ditësh pata publikuar në shtyp një shkrim me titull: “Deklarata e Presidentit Trump për Jeruzalemin” ku ndër të tjera theksoja (citoj): “Po shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, si ta vlerësojnë deklaratën e Presidentit Trump, në një kohë që kërkojnë t’i bashkangjiten BE-së dhe kjo e fundit nuk e mbështet atë. Mendoj se nuk duhet të ketë asnjë dyshim për rrugën dhe qëndrimin pro amerikan. BE-ja ka punët e veta dhe vështirësitë e panumërta, siç shpesh është e pa zonja të marrë vendime të shpejta, të drejta e të bashkrenduara me të gjithë partnerët. Por BE-ja është hapësira të së cilës i përkasim, gjeografikisht, politikisht, kulturalisht etj., pra është shtëpia jonë natyrale”.
Tani që kjo ndodhi dhe Shqipëria votoi kundër SHBA-së, mikut tonë më të madh dhe kontribuesit më të madh për ruajtjen e integritetit territorial shqiptar në Lidhjen e Kombeve dhe në realizimin e pavarësisë së Kosovës, mund të them se është marrëzia e radhës e Edi Ramës.
Pa e zgjatur më, do të theksoj edhe një marrëzi të fundit. Ramiz Alija dhe Nexhmije Hoxha, u përpoqën për shumë kohë që ta nxirrnin të larë e të pa përlyer në asnjë gjë të keqe diktatorin Enver Hoxha për gjithë kohën e sundimit të tij. Megjithëse ai sundoi me dorë të hekurt e si një diktator mizor, vrau, preu e shtypi popullin shqiptar pa as më të voglën mëshirë, Ramizi e Nexhmija ja faturuan kriminalitetin e tij, të tjerëve (grupeve armiqësore). Por kjo nuk qe e mjaftueshme për ta mbrojtur atë dhe Nexhmija u distancu nga Ramizi, duke thënë se edhe ai e njollosi qëllimisht figurën e Enver Hoxhës, dhe se Enveri ishte krejt i pastër. Tani kohët e fundit del i biri i diktatorit (Sokoli me të shoqen Liliana), të cilët thonë se fajtorët kryesorë janë Nexhmije Hoxha e Ramiz Alija (madje sipas tyre të dy këta kanë qenë pjesë e agjenturës jugosllave që në kohën e LDB-së). Pra, arma e fundit e përdorur për mbajtjen gjallë të ndonjë gjëje nga Enver Hoxha, është edhe sakrifikimi i nënës (vjehrrës) tyre Nexhmije Hoxha. Këto lloje përpjekjesh unë i quaj shkurt–marrëzi, megjithëse nuk shoh asnjë politikan që t’i kundërvihet kësaj prirje mediatike të kohëve të fundit.
Shpresoj e dëshiroj që marrëzitë e politikës shqiptare të ndalohen këtu, megjithëse ajo (politika) është inkubator ose edhe mitër e marrëzive.