Viti 2017 ka shënuar rritje të raportimeve të rasteve të pastrimit të parave. Sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga prokuroritë, në tremujorin e tretë të vitit 2017, janë hetuar 97 raste të dyshimta. Numri i rasteve ka ardhur në rritje krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2016, kur janë raportuar 89 raste. Për tremujorin e tretë të vitit 2015 dhe 2014 janë raportuar përkatësisht 83 dhe 73 raste. Rritje të trendit të raportimeve të rasteve të pastrimit të parave tregojnë edhe rastet e denoncuara nga bankat e noterët. Në harkun kohor të katër viteve të fundit, nga noterët e bankat janë raportuar të paktën 850 raste të blerjes së pasurive të paluajtshme me fonde të dyshimta. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, bëhet fjalë për blerje pasurish të paluajtshme me burim të panjohur të fondeve. 421 prej blerjeve janë raportuar në vitin 2015, ndërkohë që gjatë vitit 2016 janë raportuar 258 raste.
Menaxhimi i riskut, KLSH: Ndikimi politik në përkeqësim
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar pak kohë më parë raportin e monitorimit për strategjinë e menaxhimit të riskut. Ajo që bie në sy është rritja e riskut politik që, sipas KLSH, rezulton në një indiferencë të institucioneve për të zbatuar rekomandimet e bëra nga ky institucion pas auditimeve dhe gjetjeve. “Elementi i riskut të dimensionit politik në matricën e regjistrit të riskut është zmadhuar. Mosndërgjegjësimi dhe inertësia e administratës shtetërore është rivlerësuar në rritje nga 60 (i mesëm) në 70 (i mesëm). Ky risk ka influencë negative në zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së, me efekt negativ në përmirësimin e veprimtarisë së subjekteve të audituara. Ky risk vlerësohet i mesëm për shkak të rritjes së transparencës, publikimit të rezultateve të auditimit, trajtimit të letrave të popullit, botimet dhe rritja e prezencës së KLSH në media konsiderohen si objektiva të duhur për mitigimin e këtij risku”, thuhet në raportin e KLSH. Nga ana tjetër, risqe të tilla si ai i dimensionit teknologjik apo social kanë pësuar përmirësim, duke u ulur nga niveli i lartë në të mesëm. Strategjia e menaxhimit të riskut është dokumenti që i shërben KLSH-së si një vlerësim mbi atë që audiuesit hasin gjatë kontrolleve dhe adresimin e problematikave në mënyrë që mos cenohen standardet mbi të cilat punohet. Monitorimi i riskut sipas strategjisë nisi që nga viti 2015 dhe rishikohet çdo vit sipas përditësimeve që u bëhen edhe strategjive.
BB: Shqipëria me vdekshmërisë foshnjore më të lartë në rajon
Banka Botërore e listoi Shqipërinë me nivelin më të lartë të vdekshmërisë së fëmijëve nën 5 vjeç në rang europian, por edhe në rajonin e Ballkanit. Pasi ka agreguar të dhënat nga agjenci të tilla si UNICEF, Organizata Botërore e Shëndetësisë, divizioni i popullsisë në Kombet e Bashkuara dhe portali childmortality.org. raportoi se vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç në vitin 2016 ishte 14 për 100 lindje. Ky nivel ishte sa dyfishi i vdekjeve të fëmijëve në Serbi dhe Bosnjë dhe ishte tre herë më i lartë se në Malin e Zi. Pas Shqipërisë, nivel relativisht i lartë i vdekjes së fëmijëve nën pesë vjeç raportohet edhe në Maqedoni me prevalencë 12 për 1000 lindje. Por ka një diferencë shumë të madhe me ato që raporton Instituti Shqiptar i Statistikave. Për vitin e kaluar, vdekshmëria e fëmijëve nën 5 vjeç shënoi një rritje ne 10.2 për 1000 lindje nga 8.9 që kishte qenë ky tregues më 2015. Vitin e kaluar, rritje ka pësuar edhe vdekshmëria foshnjore nën një vjeç. Në rang global, vdekshmëria e fëmijëve ka pësuar ulje drastike në dekadat e fundit ndonëse mesatarja botërore vijon të jetë e lartë. Vitin e kaluar humbën jetën 40 foshnja për 100 lindje mesatarisht. Humbjet të mëdha i ka kontinenti afrikan me 78 vdekje fëmijësh për 100 lindje dhe Azia e Jugut me 48 për 1 mijë lindje. Banka Botërore shpjegon se burimet kryesore të të dhënave të vdekshmërisë janë sistemet vitale të regjistrimit dhe vlerësimet e drejtpërdrejta ose të tërthorta bazuar në anketa. Por gjithashtu banka sqaron se, vlerësimet e vdekshmërisë neonatale, të foshnjave dhe të fëmijëve kanë tendencë të ndryshojnë sipas burimit dhe metodës për një kohë dhe një vend të dhënë. Metoda e Bankës Botërore përdor modele statistikore për të marrë një linjë të mirë trendesh vlerësuese, duke përshtatur modelin e regresionit të vendit për normat e vdekshmërisë ndaj datave të referencës së tyre. Ekspertët e shëndetit publik në Shqipëri pohojnë se ka shumë pasaktësi në prevalencat e sëmundshmërisë dhe mortalitetit si në statistikat kombëtare dhe ato ndërkombëtare. Kjo vjen për shkak të shifrës së pasaktë të popullsisë. Në vitin 2011, kur bë censusi, u gjet se popullsia reale e vendit ishte pak më shumë se 2.8 milionë banorë, teksa prevalancat e sëmundjeve ishin të përllogaritura me një popullsi 3.2 milionë banorë. Për të shmangur këtë pasaktësi organizatat ndërkombëtare përdorin metodologji të tjera për treguesit e vitalitetit.
Lindjet, shuhen rrethet rritje vetëm Tirana
Numri më i ulët i lindjeve regjistrohet në Qarkun e Gjirokastrës, 112 lindje, me një rënie prej 42,3%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016. Numri më i madh i lindjeve regjistrohet në Qarkun e Tiranës me 2.271 lindje, të cilat shënojnë rënie me 18,5%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016. Të gjitha qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e tretë 2017, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Rënien më të madhe të numrit të lindjeve, gjatë kësaj periudhe, e paraqet Qarku i Gjirokastrës me 42,3% dhe Qarku i Vlorës me 32,6%. Numri më i madh i vdekjeve regjistrohet në Qarkun e Tiranës, me 1.203 vdekje, me një rritje prej 7,8%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016. Numri më i vogël i vdekjeve regjistrohet në Qarkun e Kukësit, me 118 vdekje, me një rritje prej 20,4%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016. Rënia më e madhe e numrit të vdekjeve në krahasim me tremujorin e tretë 2016, është regjistruar në Qarkun e Gjirokastrës me 9,2%. Në tremujorin e tretë 2017, gjithashtu, me rënie të numrit të vdekjeve paraqitet Qarku i Vlorës me 4,5%, Qarku i Lezhës me 4,3%, Qarku i Durrësit me 3,7% dhe Qarku i Korçës me 2,7%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016.
Përkeqësohen treguesit e popullsisë, shtesa natyrore bie me 47%
Treguesit demografike janë përkeqësuar më tej në tremujorin e tretë të vitit, teksa numri i lindjeve ka rënë dhe vdekjet janë rritur. Sipas INSTAT numri i lindjeve për tremujorin e tretë 2017, rezulton 7.203, duke shënuar një rënie me 20,7%, në krahasim me tremujorin e tretë 2016. Numri i vdekjeve për tremujorin e tretë 2017 rezulton 4.853, duke shënuar një rritje prej 3,7%, krahasuar me tremujorin e tretë 2016. Gjatë tremujorit të tretë 2017, numri i lindjeve tejkaloi me 2.350 numrin e vdekjeve. Shtesa natyrore e popullsisë, për tremujorin e tretë 2017, pasqyron një rënie me 46,7%, në krahasim me tremujorin e tretë. Shtesa natyrore e popullsisë, në tremujorin e tretë 2017, për 12 qarqet e Shqipërisë, regjistron vlerën më të lartë në Qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 1.068 numrin e vdekjeve. Me shtesë natyrore të lartë paraqitet Qarku i Durrësit, me 374 lindje më shumë se vdekje, pasuar nga Qarku i Elbasanit me 321 lindje më shumë se vdekje. Në tremujorin e tretë 2017, shtesa natyrore regjistron vlerë negative vetëm në tre qarqe (Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë). Vlera më e ulët është regjistruar në Qarkun e Gjirokastrës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 56 numrin e lindjeve.
Sota blen tek Rezervat e Shtetit 264 makina me 139 euro copën
Në thesin e “tenderave të familjes” për klientët pranë Ramës dhe njerëzve të tij, padyshim s’mund të bëjë përjashtim as Orest Sota. Njeriu që jo më larg se dje u la në burg nga Krimet e Rënda për dyshime të forta mbi lidhje me trafikun e drogës dhe lidhjet e ngushta me Saimir Tahirin në këtë trafik. Por pavarësisht se prej disa javësh është në burg, biznesi i tij mesa duket vijon shëndetshëm. Kompania e familjes Sota, IKONA Sh.P.K. ka fituar në datën 11 dhjetor 2017, një tender shtetëror për blerjen e 264 mjeteve motorike për skrap. Mjetet janë blerë nga Rezervat e Shtetit pas vlerësimit nga ana e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, e cila i kategorizoi ato si jashtë gjendje për punë. Gazeta “Telegraf” publikoi dje shkrimin, ku përveç hollësive, akuzon drejtorin e Rezervave të Shtetit, Irfan Dashi, për abuzim me vendimin. Në njoftimin e tenderit të botuar në Buletinin e Njoftimeve Publike, thuhet se mjetet kanë qenë jashtë funksionit dhe janë shitur për hekur. Orest Sota është një nga personat nën hetim për Dosjen Tahiri, pasi u kap në makinë me 863 mijë euro dhe dy patenta për mjete lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm. Sipas njoftimit thuhet se: Në ankandin me NR.REF.52A/2017, njoftimi i publikimit të së cilit është botuar në Buletinin e Njoftimeve Publike nr. 44 datë 06.11.2017, faqe 329-330 të APP-së, me objekt: “Shitje 134 mijë e 303 kg skrapi i përftuar nga 264 mjete motorike jashtë funksioni dhe kategorizuar për skrap nga komisioni i kategorizimit” të APP-së me vlerë fillestare 4.088.183 (katër milionë tetëdhjetë e tetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tre lekë) lekë me TVSH, morën pjesë Ofertuesit:
a) CEKREZI METAL SH.P.K. me ofertë në 4.110.000 (katër milionë e njëqind e dhjetë mijë) lekë me TVSH, për objektin e shitjes së këtij ankandi.
b) Shijaku SH.P.K. me ofertë në vlerën 4.088.183 (katër milionë e tetëdhjetë e tetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tre) lekë me TVSH
c) Ikona SH.P.K. 4.905.820 (katër milionë e nëntëqind e pesë mijë e tetëqind e njëzet) lekë me TVSH,
Pas zhvillimit të procedurës së ankandit të sipërcituar ofertuesit, rezultuan të suksesshëm
1. Shijaku SH.P.K. me ofertë në vlerën 4.088.183 (katër milionë e tetëdhjetë e tetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tre) lekë me TVSH
2. Ikona SH.P.K. 4.905.820 (katër milionë e nëntëqind e pesë mijë e tetëqind e njëzet) lekë me TVSH,
3. Nuk u kualifikua, oferta e Subjektit “CEKREZI METAL” SH.P.K., pasi dokumentacioni pjesë përbërës i ofertës (zarfit të dorëzuar) së paraqitur nga kandidati/ofertues “Cekrezi Metal” Shpk., nuk plotësoi mjaftueshëm të gjitha kërkesat e përcaktuara nga Autoriteti Shitës në DSA dhe paraqitet me të meta si më poshtë: “Deklaratë për gjendjen financiare nga një ose më shumë banka që kandidati/ofertues zotëron në bankë një shumë të barabartë me vlerën fillestare të lotit që konkurron, lëshuar jo më parë se 5 ditë nga data e hapjes së ofertave”.
4. Sa më sipër, klasifikimi përfundimtar, për këtë procedurë ankandi rezulton si më poshtë:
– Në vendin e parë, u kualifikua ofertuesi “Ikona” SH.P.K., me vlerë 4.905.820 (katër milionë e nëntëqind e pesë mijë e tetëqind e njëzetë) lekë me TVSH. Në vendin e dytë, u kualifikua ofertuesi “Shijaku” SH.P.K., me shumën 4.088.183 (katër milionë e tetëdhjetë e tetë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tre) lekë me TVSH. Subjekti “IKONA” SH.P.K., ftohet të lidhë kontratën e shitjes publike, brenda 10 ditëve nga publikimi i këtij njoftimi (data 21 dhjetor 2017). Mosparaqitja, për lidhjen e kontratës përbën kusht për konfiskimin e sigurimit të ofertës.
Kush është Orest Sota, lidhjet me Tahirin dhe bizneset
Orest Sota, djaloshi biznesmen 25 vjeç u kap në fillim të nëntorit me 865 mijë euro në makinë, me dy patenta të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe një tjetër të gruas së këtij të fundit. Por, cili është biznesmeni Oresti Sota? Mjafton një kërkim të thjeshtë në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit (qkr.gov.al) dhe rezulot se në emër të tij janë tri kompani të ndryshme. “Eco Construction & Partners” me numër NIPT-i: L51416003T (Kërkimi, zbulimi dhe shfrytëzimi i mineraleve të dobishme dhe tregtimi i tyre brenda dhe jashtë vendit. Përdorim dhe tregtim i lëndëve plasëse. Import eksport, tregtim me shumicë e pakicë të mallrave të ndryshme industriale, materiale të ndërtimit, etj.). Është themeluar, më 6 shkurt 2015 dhe është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, më 16 shkurt 2015. Ortak i vetëm është Orest Sota (100%). Administrator është Orest Sota (nga 22.01.2015 deri më 22.10.2020). Kur shikon historikun e kompanisë, mëson se ai më parë administrator ka qenë Magi Qarri. Por, më parë emri i kompanisë ka qenë Ikona Construction. Vendimi i përket datës 12.12.2016. Veprimi është tërësisht ligjor dhe i vlefshëm. Adresa: Vaqar, Lagjja e vjetër, truall, zona kadastrale 3712, nr.pasurie 300/91. Projektet e fundit të kësaj kompanie përfshijnë rikonstruksionin e Komisariatit Nr.6 në Kombinat në dhjetor të vitit 2015, kohë kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri dhe një projekt tjetër në Kolonjë po në vitin 2015. Më poshtë, ish-ministri Saimir Tahiri, duke përuruar nisjen e punimeve për ndërtimin e Komisariatit Nr. 6, nga kompania e Orest Sota.
Dy deputetëve të arrestuar në Itali do t’u hiqet mandati
Dy muaj pas denoncimit të Partisë Demokratike, Prokuroria i kërkoi dje KQZ ndërprerjen e mandatit për deputetin Aqif Rakipi si subjekt të ligjit për dekriminalizimin. Rakipi deputet i PDIU-së akuzohet nga Prokuroria se ka përdorur emra të tjerë në Itali, ndërsa akuzohet për vjedhje. Rakipi ka qenë nën hetim nga Prokuroria në lidhje me dekriminalizimin. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi në fillim të muajit tetor në Prokurori kërkesën për kontrollin e të dhënave të dekriminalizimit për deputetin Aqif Rakipi lidhur me dyshime për fshehjen e të dhënave për aktivitet kriminal, që sipas ligjit për dekriminalizimin duhej t’i pengonte për të marrë poste publike apo për t’u zgjedhur. Denoncime nga publiku dhe partnerët pranë Partisë Demokratike kishin dhënë indicie për të verifikuar nëse ky deputet ka fshehur rekorde kriminale në të kaluarën e tyre në lidhje me aktivitete të paligjshme të kryera në Itali. Partia Demokratike i kërkoi Prokurorisë të veprojë menjëherë e të garantojë zbatimin e dekriminalizimit. Ndërsa PD kërkonte një hetim të thelluar për deputetin në fjalë, Rama ka thirrur menjëherë në zyrë kreun e Prokurorisë, të asaj kohe Adriatik Llalla. Një takim i tillë u duk si një mjet presioni ndaj Prokurorisë për të mos zbardhur të vërtetën e deputetit Rakipi. Rama është i njohur për lidhjet me krimin dhe inkriminimin e Parlamentit si dhe për bllokimin e të gjitha institucioneve për të mos lejuar kapjen e këtyre kriminelëve nga ligji i dekriminalizimit. Të njëjtën strategji Rama e përdori edhe për kryebashkiakun e Kavajës, megjithëse dokumentat e gjykatave italiane ishin të qarta si rrezja e diellit në atë rast. Deputeti i PDIU, Aqif Rakipi ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë drejtuar KQZ-së për heqjen e mandatit të tij. Në një reagim për mediat, deputeti i Elbasanit shprehet se nuk ka qenë asnjëherë i arrestuar në Itali.
Prokuroria: Rama na kërkoi takim për deputetin Rakipi
Ish-Prokurori i Përgjithshëm, zoti Adriatik Llalla, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zotin Edi Rama, me kërkesë të kreut të qeverisë në muajin tetor.
Në fokus të takimit ishte diskutimi mbi kërkesën e subjektit politik, Partia Demokratike, lidhur me verifikimin e thelluar në kuadër të ligjit të njohur si “Për dekriminalizimin”, për deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, zotin Aqif Rakipi.
Zoti Llalla vuri në dijeni Kryeministrin se, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimin e thelluar ndaj deputetit Aqif Rakipi disa muaj më parë. Procedura e verifikimit për këtë subjekt është ende në zhvillim, pasi Sektori i Posaçëm për “Dekriminalizimin” në Prokurorinë e Përgjithshme është ende në pritje të përgjigjeve nga ana e disa prej autoriteteve të huaja, të cilave u është kërkuar informacion.
Në takim, zoti Llalla shprehu garancitë e plota se, Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të kryejë verifikimet e thelluara për të gjitha rastet që do i paraqiten me kërkesë të subjekteve të njohur nga ligji, si edhe me iniciativën e saj, kur informacioni sigurohet nga të dhënat që përpunon institucioni i Prokurorisë.
Gjithashtu, Prokurori i Përgjithshëm theksoi se, po vijon bashkëpunimi me autoritetet e tjera që kanë për detyrë verifikimin paraprak të subjekteve të ligjit “Për dekriminalizimin”, ku veçoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si institucioni që kryen përpunimin paraprak të personave të zgjedhur në pushtetin qendror dhe lokal.
Skandali ARMO, 60 mln euro taksa të papaguara në 11 muaj
Prej dy javësh ARMO, rafineria e përpunimit të naftës në vend, ka mbyllur dyert për të disatën herë, duke lënë miliona euro detyrime të papaguara ndaj shtetit, një skemë e njohur kjo, që po përsëritet që prej vitit 2009, kur ARMO u privatizua.
Sipas të dhënave të siguruara nga ‘Monitor’, për 11 muajt e këtij viti, sasia e naftës e përpunuar nga ARMO dhe e hedhur në treg ka qenë 156 mijë tonë (184 milionë litra, në bazë të dendësisë 1 ton = 1,180 litra), me një rritje të ndjeshme në krahasim me sasinë prej 11 mijë tonësh të përpunuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e ndjeshme e prodhimit, ka bërë që ARMO të zërë 30% të tregut të furnizimit me karburant në vend për periudhën janar-nëntor (për të njëjtën periudhë importet ishin 357 mijë tonë, me një rënie prej 23% me bazë vjetore).
Për këtë sasi nafte të prodhuar, ARMO ka paguar akcizë në vlerën e 6.8 miliardë lekë, ose rreth 50 milionë euro, sipas të dhënave zyrtare. Kompania është e detyruar të paguajë akcizën në momentin që hedh produktin për konsum, përndryshe nuk mund ta nxjerrë atë nga magazina doganore. Sipas legjislacionit në fuqi, momenti i pagesës së detyrimit të akcizës është hedhja për konsum e produktit. Shoqërimi i të gjitha procedurave të deklarimit bëhet nëpërmjet Dokumentit Shoqërues Administrativ, DSHA. Të gjithë subjektet që përpunojnë produkte me akcizë detyrimisht pajisen me statusin e Depozituesit të Miratuar (Magazine Fiskale) nga administrata doganore (pra kur del nga prodhimi drejt magazinës fiskale, paguhet automatikisht akciza). Çdo subjekt duhet të garantojë detyrimet e akcizës me lëvizje prodhim depozitim. Deklarimi dhe pagesa online bëhet nëpërmjet modulit kompjuterik të instaluar pranë operatorëve.
Pasi del nga magazina fiskale dhe hidhet në treg duhen paguar taksat e tjera, TVSH, taksa e karbonit dhe e qarkullimit. Por, ARMO rezulton të ketë paguar vetëm akcizën dhe jo taksat e tjera, përfshirë TVSH-në që është 20%, ose rreth 13 lekë për litër, taksë qarkullimi fikse prej 27 lekësh për litër dhe taksë karburanti prej 3 lekë për litër. Në total, për 184 milionë litrat e hedhura në treg, ARMO nuk rezulton të ketë paguar të paktën 43 lekë për litër taksa, ose 7.9 miliardë lekë detyrime (rreth 60 milionë euro). Pra nga të paktën 110 milionë euro taksa që ARMO duhet të derdhte në shtet, ka paguar më pak se gjysmën.
Nafta e ARMO-s, ndërkohë është shitur në treg me çmim pakice të paktën 160 lekë për litër, në nivele vetëm 5-7 lekë për litër më të ulëta se nafta e importit. Ndërsa cilësia e karburanteve ka qenë dukshëm më e përkeqësuar që kur ARMO u fut në treg, teksa në rrugë u shtuan makinat që nxirrnin tym të zi, duke ndotur cilësinë e ajrit.
Që prej shtatorit të vitit të kaluar, Kompania Jonian Refining dhe Trading Co. –IRTC SH.A mori në shfrytëzim rafinerinë problematike të naftës, ARMO dhe në fund të vitit të kaluar filloi përpunimin e naftës, sipas një kontrate të lidhur me prodhuesin më të madh të naftës në vend, Bankers Petroleum. IRTC rezulton e regjistruar offshore në ishujt britanikë Virgin. Kjo u cilësua nga qeveria në atë kohë si një marrëveshje e rëndësishme, që do të riaktivizonte prodhimin do të fuste të punë punonjësit dhe do të rriste investimet.
Por, pas një viti jemi kthyer sërish në pikën e fillimit. ARMO shfrytëzohet përmes qiramarrësve, nafta shitet me çmim tregu, taksat nuk paguhen, qiraxhinjtë zhduken, në pritje të një tjetri që do të përdorë të njëjtën skemë. Tatimet e doganat bllokojnë llogaritë e vënë sekuestro mbi kompanitë, por nuk arrijnë të marrin gjë.
Ndërsa borxhi fiskal sa vjen e rritet. Tatimet publikuan së fundmi listën e kompanive debitore, ku rezultonte se ARMO dhe kompanitë që e kanë administruar atë kanë krijuar në vite rreth 33 miliardë lekë (rreth 240 milionë euro) detyrime tatimore, të cilat me procesin e fshirjes zbritën në 13.2 miliardë lekë në fund të shtatorit 2017.
Historia e ARMO
Në vitin 2008 ARMO u privatizua nga grupi Taçi Oil, që mori në kontroll 85% të aksioneve të ARMO nëpërmjet kompanisë Anika Mercuria Rafinery Associated Oil, AMRA Oil, për 128 milionë euro. Grupi Taçi është tashmë i falimentuar dhe pronari i saj Rezart Taçi është në ndjekje penale për evazion fiskal.
Në vitin 2013, azerët e Heaney Assets Corporation blenë paketën e aksioneve të AMRA Oil. Azerët e përdorën për pak kohë kompaninë dhe më pas u tërhoqën. Në 2014-2015, përmes qiradhënies ARMO-n e shfrytëzuan Deveron Oil Albania, TPD-Trading Petrol & Drilling. Pas një periudhe disamujore ku aktiviteti mbeti pezull në shtator 2016 erdhi ITRC, që e mbylli si gjithë të tjetër, me një fund pa lavdi.
15% të aksioneve të ARMO-s janë ende në pronësi të shtetit, por nga institucionet shtetërore historikisht ka munguar transparenca se çfarë po ndodh me një nga kompanitë më të rëndësishme në vend.
Monitor
Inter, 4 sfida vendimtare
“Ajo që po vjen mund të jetë një periudhë shumë e rëndësishme për ne, ndaj duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet”. Kështu u shpreh Luciano Spalletti për Interin e tij, pas dy humbjeve të njëpasnjëshme. Zikaltrit do të përballen me katër sfida vendimtare (derbi i Italisë dhe në Kupë me Lazion, ndeshja me Fiorentinën dhe Romën në kampionat): “Të gjithë këta kundërshtarë kanë një vlerë të lartë, por ne duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet”, – tha trajneri në “Premium Sport”. Spalletti, i cili e ka dhënë ditën e Krishtlindjeve pushim për lojtarët, do të shohë ekipin në “Santo Stefano” para përplasjes Milan-Inter, që do të luhet më 27 dhjetor. Tri ditë më vonë, Lazio do të mbërrijë në “San Siro” për Kupën e Italisë.
Montellës i del emri në Spanjë
Sevilla nuk dëshiron të nxitojë në përzgjedhjen e zëvendësuesit të Eduardo Berizzo në stolin drejtues. Nëse Javi Gracia u bë kandidati kryesor për trajner ditë më parë, tani disa emra të tjerë janë pozicionuar si favoritë. Emri më i fundit shfaqet nga Seria A. Vincenzo Montella, i cili ka drejtuar Fiorentinën dhe Milanin, do të jetë një nga objektivat e drejtuesve të Sevillas, të cilët dje filluan udhëtimin për të takuar dhe ditur përshtypjet e më shumë teknikëve italianë, si Walter Mazzarri etj. Rruga e Montellës do të mbështetej nga një stil i lojës që do të përshtatej me ekipin aktual të Nervión. Emra të tillë si Laurent Blanc dhe Luis Enrique e kanë humbur forcën e ditëve të para. Orët e ardhshme mund të jenë vendimtare për të ardhmen teknike të Sevilla.
Objektivi i dimrit është Dembele
Situata te Milan është shumë e komplikuar. Skuadra kuqezi tashmë në turmën e mesit të klasifikimit ka ndryshuar trajner dhe mund ta bëjë sërish pas pak ditësh, nëse Gennaro Gattuso nuk do të marrë rezultate pozitive në derbin e Kupës së Italisë dhe në ndeshjen e fundit për vitin 2017, që do të diskutojë ndaj Fiorentinës. Montella mund të realizojë rikthimin e bujshëm. Ndërkohë, drejtori sportiv i Milan nis të hedhë sytë nga merkato dhe mendon për mesfushorin belg të Tottenham, Mousa Dembelé. Një futbollist që ka qenë thelbësor për trajnerin Pochettino, por që këtë sezon e ka lënë disi mënjanë.
Dinamizmi i Dembelé do të bënte dobi që tani në merkaton e janarit. Sepse Milan është një skuadër shumë e lehtë mes mesfushës dhe sulmit, nëse përjashtohen dy kolozë. Madje, edhe nëse Napoli kryesues nuk ka shumë futbollistë me fizik të fortë, dihet që në Serinë A duhen lojtarë me fizik të fortë për të arritur rezultate të mëdha. Gjithsesi Dembele qëndron vetëm në sfond, sidomos tani që Milan diskuton një moment shumë të rëndësishëm të sezonit, mes derbit të Kupës së Italisë dhe ndeshjes së fundit të fazës së parë kundër Fiorentinës. Gattuso rrezikon, por jo vetëm, me të gjithë kupolën kuqezi në rrezik.