Nuk ka paqe për Paulo Dybala, i cili nuk po përjeton momentin më të mirë me fanellën e Juventusit. Tri ulje në stol të njëpasnjëshme në Seria A janë një sinjal elokuent, se diçka është e gabuar prej tij. Dhe tani, gjithashtu, thashethemet e merkatos nuk mungojnë, me Jose Mourinhon gati për të përfituar nga koha e “venitjes” së argjentinasit te bardhezinjtë. Sipas “Daily Star”, Manchester United do të jetë në “pole position” për “Joya”. 70 milionë euro janë gati për “Zonjën e Vjetër”, një shifër që duket e ulët, por “Djajtë e Kuq” janë të sigurt në misionin e tyre.
Në Angli, ata e kanë studiuar tashmë planin për të rrëmbyer Dybala nga bardhezinjtë. Shifra kryesore do të ishte ajo e Javier Ribalta, i cili, si skaut i skuadrës së Juventusit, kaloi në verë te Manchester United. Raportet e drejtpërdrejta, në fakt, do ta lehtësonin shumë operacionin. Klubet gëzojnë një marrëdhënie të shkëlqyer edhe pas çështjes “Pogba”. As Real Madridi, as Barcelona; në të ardhmen, numri 10 i Juventusit duket se do të luajë në Premier League. Thashethemet e merkatos mund ta destabilizojnë atë edhe më shumë, ndërsa trajneri Alegri duhet ta rimarrë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Mourinho kërkon ta bëjë pjesë të skuadrës së tij. Sipas “Daily Star”, Manchester United është gati të shpenzojë deri në 70 mln euro për ‘Joya’, që ka humbur shkëlqimin në Torino. Në Angli duket të kenë bërë edhe planin për të realizuar këtë transfertë. Njeriu kyç për këtë manovër mund të jetë Javier Ribalta, që nga shefi i zbulimit të talenteve të Juves, ka kaluar te Manchester United. Dhe raportet direkte mes klubeve lehtësojnë më shumë operacionin e transferimit, veçanërisht pas çështjes Pogba.
Në këto kushte e ardhmja e Dybala nuk lidhet as me Real Madrid dhe as me Barcelonën. Për momentin të gjitha këto mbeten zëra merkato, ndërsa Alegri në krahun tjetër po kërkon ta bëjë sërish të vlefshëm për skuadrën.
Ndërkohë, lajme jo të mira ka edhe për trajnerin e “Djajve të kuq”. Rezultatet e fundit të Manchester United në kampionat, që kanë sjellë edhe rritjen e diferencës në 13 pikë me kryesuesit e Manchester City, kanë ngritur jo pak dyshime te drejtuesit e “Djajve të Kuq”. Sipas të përditshmes “Daily Mirror”, të gjitha dyshimet janë për punën e deritanishme të Jose Mourinhos, duke marrë vendimin të mbajnë pezull bisedimet me të për rinovimin e kontratës.
Gjithnjë sipas “Daily Mirror”, investimet e mëdha që kreu klubi anglez nuk sollën rezultatet që priteshin për Manchester United që, pas humbjes në derbin me City, barazoi edhe me Leicesterin. Për më tepër, drejtuesit e “Djajve të Kuq” kanë rezervat e tyre edhe përsa i përket stilit të lojës që aplikon Mourinho, duke e krahasuar me atë të Guardiolës që është shumë më argëtues se ai i portugezit. Jose Mourinho, ka një kontratë me Manchester United deri në vitin 2019 dhe tani pikëpyetjet mbi të janë vërtet të mëdha.
S’ka paqe për Dybala
Merkato, Kovaçiç në radarët e Juventusit
Mateo Kovaçiç duket shumë pranë rikthimit në Serinë A, por këtë herë te kampionët në fuqi, Juventusi. Mesfushori kroat pëlqehet shumë nga Alegri dhe drejtuesit e klubit bardhezi janë angazhuar për t’i plotësuar dëshirën teknikut.
Mediat spanjolle raportojnë se Juventusi ka kërkuar zyrtarisht informacione për Kovaçiçin, duke u treguar i gatshëm ta marrë në huazim me detyrim blerjeje në verën e 2018-ës.
Te kroati, Alegri shikon futbollistin e duhur për të luajtur bashkë me Pjaniç dhe Matuidi në mesin e fushës, duke parë se Khedira dhe Marchisio nuk ofrojnë garanci fizike për të përballuar intensitetin e në pjesën deçizive të sezonit.
Kovaçiç gëzon edhe mbështetjen e Zidanes në Madrid, por mesfusha e tejmbushur me kampionë ka bërë që hapësirat në dispozicion të tij, të jenë të pakta. Operacioni i transferimit të Kovaçiç në Torino mund të mbyllet për një shumë prej 45-50 milionë eurosh.
UEFA: 2017, viti i Real Madridit
Reali i Madridit do të mbyllë vitin 2017 në krye të klasifikimit të UEFA-s, që e ka përpiluar atë, duke u bazuar në rezultatet e klubeve në 5 vitet e fundit. Reali i Madridit fitues i 3 edicioneve të Ligës së Kampioneve gjatë këtyre 5 viteve është në krye dhe i shkëputur ndjeshëm nga ndjekësit e tij. Në vendin e dytë gjenden rivalët e përhershëm të Barcelonës, ndërsa në vendin e tretë është Bayern Munchen. Klasifikimi vijon me një tjetër skuadër spanjolle, Atletico Madrid, që ka lënë pas italianët e Juventusit, PSG dhe Sevilla. Dhjetëshja e klubeve më të mirë për vitin 2017 sipas UEFA-s mbyllet nga Manchester City, Borussia Dortmund dhe Benfica.
Por jo vetëm kaq, UEFA ka përpiluar edhe një klasifikim për skuadrat përfaqësuese, duke u bazuar te koeficientët. Kreun e renditjes e mban skuadra kampione e Botës në fuqi, Gjermania, e ndjekur nga Portugalia, Kampione e Evropës në vendin e dytë dhe Belgjika në vendin e tretë. Klasifikimi për kombëtaret vijon me Spanjën në vendin e katërt, Francën, Anglinë dhe Zvicrën. Dhjetëshen e kombëtareve më të mira të Evropës për 2017 e mbyllin Italia, Polonia dhe surpriza Islanda.
Vera e çuar dëm e Real Madrid
Real Madrid ishte në majën e botës, kur nisi merkato e verës, pasi skuadra e Zidane sapo kishte kaluar sezonin më të mirë në 50 vitet e fundit, duke fituar Champions League dhe La Liga-n. Gjatë merkatos së verës u larguan emra si Morata, Mariano, Pepe dhe James Rodriguez nga Bernabeu me klubin, që bleu vetëm lojtarë të rinj e pa eksperiencë.
Formacioni i El Clasico-s vërtetoi edhe njëherë se asnjë nga ato blerje nuk ka arritur të hyjë në ekipin e parë dhe të luajë nga minuta e parë, pasi askush nuk ka fituar besimin e trajnerit francez.
As Ceballos, Llorente, Mayoral apo Vallejo nuk janë përfshirë në listën e lojtarëve ndaj Barça-s dhe vetëm Theo Hernandez ishte në stol gjatë humbjes 3-0.
Ndeshja e radhës e Los Blancos do të jetë në 1/16 e Copa del Rey ndaj CN Numancia dhe kjo sfidë do të jetë e duhura për të aktivizuar skuadrën e dytë dhe për parë se cili prej blerjeve të reja ka bërë më tepër progres.
Por dyshimet për merkaton e zhvilluar janë të mëdha, pasi asnjë prej pesë rekrutëve nuk ka luajtur më tepër se 630 minuta deri tani këtë sezon. Me dyshime për një largim të mundshëm në merkaton e janarit, portieri Kepa i Athletic Bilbao është përfolur për një transferim në kryeqytetin spanjoll. Një gjë është e sigurt, 45-vjeçari Zidane do të ketë shumë detyra shtëpie në gjashtë muajt e ardhshëm.
“No Isco, no party”!
Ishte një nga imazhet unike të “El Classico”-s së fundit, ajo e Iscos, i ulur në stolin e zëvendësuesve. Ai rrinte i heshtur aty “prapa perdes”, teksa vendimi i Zidanes më shumë diskutohej me kalimin e minutave, duke parë paraqitjen e Kovaçiç. Një zëvendësim që do të mbetet si pikëpyetje kryesore në historinë e fundit të përplasjes Real Madrid-Barcelona, të luajtur të shtunën në “Bernabéu” (ai, gjithashtu, nuk luajti në 2-3 vitet e fundit, ishte zëvendësues në rezultatin 0-4, dy vjet më parë). Duke parë nëpër statistika, nuk duhet të jetë rastësi që në atë histori të trefishtë në “Bernabeu”, Isco nuk ishte titullar… Sepse të dhënat janë shumë të favorshme për Real Madridin kur “Arroyo de la Miel” është titullar. Nga 155 ndeshjet, në të cilat Isco është shfaqur që në fillim, pavarësisht nëse luajti ndeshjet e plota (57), apo jo (98), të bardhët fituan 116 ndeshje (75%), barazuan 23 ndeshje (15%) dhe humbën vetëm 13 ndeshje (8%).
Pra, shifra e humbjeve me të titullar është shumë e ulët. Kur numri 22 nuk figuron në formacionin fillestar, Real Madridi humb gati pothuajse dyfishin e numrit të ndeshjeve. Ai ka qenë zëvendësues (duke qëndruar në stol 90 minuta, si kundër Barçës) 93 herë (60 herë erdhi nga stoli, 33 herë të tjera nuk djersiti fare, nuk luajti asnjë minutë). Prej tyre, 65 ishin fitore (70%, pesë pikë më pak), 15 barazime (16%) dhe 13 humbje (14%). Kjo përqindje rritet në 15%, kur Isco nuk shfaqet në formacionin fillestar të Real Madridit. Nëse bashkohemi me përqindjet e ndeshjeve që nuk fitohen nga Real Madridi, me Iscon si startues, duhet të flasim për 22% të ndeshjeve. Pa të në formacion, kjo përqindje shkon në 30. Statistikat nuk mashtrojnë. Real Madridi me Iscon në formacion nga fillimi fiton më shumë.
Merkatoja e Interit
Pavarësisht nga fakti se Suning është serioz për investime të mëdha, Interi dëshiron të jetë protagonist i transferimeve të janarit, në mënyrë që të plotësojë kërkesat e trajnerit Spalletti. Ky i fundit bëri thirrje për përforcime, duke iu drejtuar Ausilio dhe Sabatini, të cilët punojnë kryesisht në dy fronte dhe posaçërisht në dy emra: Pastore dhe Mkhitaryan. Dje, argjentinasi u “zhvendos” në fund të ndeshjes kundër Caen, ndoshta e fundit me fanellën e PSG-së. Interi e ka ndjekur atë prej disa kohësh dhe do të përpiqet ta marrë në janar. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Pastore tashmë ka dhënë “OK” për transferimin te zikaltrit, por gjithçka ka të bëjë me Al-Khelaifi, me të cilin nuk është e lehtë të negociohet.
Kjo është arsyeja pse Interi është i gatshëm ta vendosë edhe Joao Marion në tavolinën e negociatave. Ndryshe qëndron puna për Mkhitaryan. Manchester United nuk do të donte ta huazonte armenin, por ndoshta do të ishte më i gatshëm të bisedonte me Borussia Dortmund, ndoshta në kontekstin e negocimit “Weigl”. Në sfond mbetet Ramires, më pak i pëlqyer se dy të parët, por ende ideal për planet e Spallettit. Braziliani është në pronësi të Jiangsu Suning. Klubi kinez nuk dëshiron t’ia lehtësojë punën Interit me një huazim të lirë. Prandaj, mund të arrihet një marrëveshje për një transferim të përhershëm, ndoshta për shifra më të vogla. Alternativa me kosto të ulët për mesfushorin është Donsah në Bolonjë, i ri dhe dinamik.
8 miliardë euro stoku i borxhit të jashtëm në vetëm 6 muaj

Stoku i borxhit të jashtëm të Shqipërisë, publik dhe privat, ka arritur në gati 8 miliardë euro në gjashtë mujorin e parë të vitit. Banka e Shqipërisë ka bërë një analizë të detajuar mbi borxhin e jashtëm bruto të vendit tonë, kur rezulton se në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, borxhi i jashtëm ka rënë me 5 pikë përqindjeje, duke arritur në nivelin 70% të PBB. Qeveria zë peshën më të madhe ne strukturën e borxhit të jashtëm me 43,2% të totalit ose rreth 3,4 miliardë euro. Në raport me PBB-në borxhi i jashtëm qeveritar vlerësohet 30.2%, me rënie 1.7 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Pas qeverisë në marrjen e borxhit renditen huatë ndër kompani të investimeve të huaja direkte, me 22.3%, të totalit, dhe vazhdojnë huatë e korporatave depozituese, borxhi i sektorëve të tjerë dhe ai i autoritetit monetar. Raporti ndërmjet borxhit të jashtëm dhe eksportet tona është në nivelin 183.6%, me rënie krahasuar me një vit më parë. Por Banka e Shqipërisë vlerëson se ky tregues është përsëri mbi pragun kritik prej 150%. Stoku i rezervës valutore në vendin tonë është i mjaftueshëm për të përballuar goditjet negative të mundshme nga jashtë. Kjo rezervë mbulon mbi 6 muaj e gjysmë importe mallrash dhe shërbimesh.
Qeveria mban peshën kryesore të borxhit
Sektori i Qeverisë së Përgjithshme mban peshën kryesore në stokun e Borxhit të Jashtëm Bruto. Në harkun kohor të një viti, borxhi i jashtëm i këtij sektori është zgjeruar me 2% dhe në fund të muajit shtator 2017 shënon 3,429 milionë euro. Borxhi i Qeverisë së Përgjithshme përbëhet nga huatë afatgjata, obligacionet dhe dëftesat. Teprica e huave afatgjata u rrit me rreth 69 milionë euro, ndërsa ajo e obligacioneve është ulur me 6 milionë euro – në vijim të blerjes së obligacionit të emetuar nga sektorë rezidentë. Huatë e Qeverisë së Përgjithshme përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ’90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësonin 1% të stokut të huave afatgjata të këtij sektori. Stoku i borxhit të Autoritetit Monetar ose Bankës së Shqipërisë ra përgjatë vitit me rreth 8%, në reflektim të shlyerjes së huasë të FMN dhe në fund të muajit shtator 2017 shënon 57 milionë euro. Në masën më të madhe, ky borxh përbëhet nga alokimet e SDR-së (97%), ndërsa huatë afatgjata të akorduara nga FMN zënë vetëm 3%. Në fund të periudhës, stoku i borxhit të jashtëm bruto të Sistemit Bankar shënon rreth 1,362 milionë euro dhe në terma vjetorë ra me 5 milionë euro. Ai prezantohet kryesisht në formën e “huave” dhe “monedhave dhe depozitave”, respektivisht në rreth 12% dhe 87% të totalit. Sektorët e tjerë kanë tkurrur detyrimet e tyre me jashtë, me rreth 42 milionë euro në nivelin 1,256 milionë euro. Borxhit të jashtëm në formën e huave midis kompanive të lidhura në një marrëdhënie investimi direkt “investime direkte, hua ndër kompani” arriti nivelin prej 1,728 milionë eurosh, duke u zvogëluar në harkun kohor të një viti me 56 milionë euro.
Liverpool duhet të përmirësohet
Jurgen Klopp thotë se, Liverpool duhet të përmirësohet nëse do të renditet mes katër më të mirëve në Premier League këtë sezon. Barazimi 3-3 me Arsenal të premten i mbajti në vend të katërt, por trajneri i Të Kuqve kritikoi skuadrën për gabimet në prapavijë që i mundësoi Arsenal të përmbyste një rezultat nga 2-0 në 3-2 përpara se të regjistronte barazimin e tetë të sezonit. “Ishte barazimi numër tetë dhe duhet të kishim fituar, si të gjitha barazimet e tjera”, shprehet Klopp nëpërmjet faqes zyrtare të Liverpool. “Nëse mbetemi konstantë dhe shmangim gabimet si të premten, do të fitojmë më tepër ndeshje se sa të humbasim apo barazojmë”.
40 milionë euro për të “liruar” Sanchez
Arsenal-it po i soset durimi me “rebelin” Alexis Sanchez dhe është gati të konsiderojë ofertat rreth 40 mln euro për të. Kiliani ishte pranë Manchester City gjatë verës së kaluar, por Topçinjtë refuzuan 50 mln euro për të, pasi nuk gjenin dot një zëvendësues në kohë.
Gjithsesi tani klubi londinez mund të jetë gati të dëgjojë oferta të reja kur të hapet merkato në janar, për një çmim më të ulët. Raportohet se Sanchez kishte rënë dakord për një kontratë të re – përpara se të ndryshonte mendje pas disfatës ndaj Bayern. Tani i mbetet Arsenal të vendosë nëse do ta mbajë lojtarin e pakënaqur deri në fund të sezonit apo do ta shesë te rivalët e Premier League që në janar.
Fitorja është detyrim
Liverpool ka një ndeshje që duhet të fitojë, të paktën në letër, por në ndeshjen e parë të vitit 2017 ishte Swansea që fitoi 3-2 në “Anfield Road”. Gjithsesi, “të kuqtë” janë optimistë duke parë mënyrën dhe sasinë e golave që kanë gjetur në këtë sezon. Mohamed Salah e ka gjetur rrugën e rrjetës 15 herë në Premier League, ku është golashënuesi më i mirë.
Liverpool ka luajtur 21 herë në ditën pas Krishtlindjeve, duke fituar në 12 raste. Rezultatet e tjera kanë qenë pesë barazime dhe katër humbje. Swansea ka fituar dy, barazuar 1 dhe humbur 2 nga pesë ndeshjet e luajtura në historinë në saj më 26 dhjetor, 24 orë pas Krishtlindjeve
Mes atyre që do të luajnë sot në “Anfield” është e Alex Oxlade-Chamberlain, që pavarësisht se nuk është aktivizuar me rregullsi, ka ende besimin e trajnerit Jurgen Klopp. “Chamberlain është një sportist i mirëfilltë dhe është ende shumë i ri. Ndoshta nuk do ta besoni, por unë mendoj se ai do ta shijojë karrierën e tij për 10 apo 12 vitet e ardhshme. Për momentin nuk është ende i kompletuar, sepse po të ishte i tillë do të konkurronte me Messi për rolin e më të mirit”, u shpreh Klop.
Nga ana tjetër, Swansea do të prezantohet në këtë ndeshje me trajner të ri, pasi u shkarkua Clement, trajneri i katër në dy sezonet e fundit. Bilanci i skuadrës nga Uellsi me një trajner të ri në stol është 3 fitore, 0 barazime, 2 humbje. Paul Clement, nuk e priste të shkarkohej: “Unë gjithmonë kam pasur një marrëdhënie të mirë me drejtuesit dhe futbollistët. Të gjithë kishin besim te unë dhe unë te vetja. U habita që më larguan, megjithatë i uroj suksese”.
Shumë larg nga Manchester City kryesues, “të kuqtë” dhe “blutë” duhet të marrin tri pikët në fushën e tyre, në garën për një vend në Champions League…
Chelsea, kampion i Anglisë në fuqi, duket se nuk është skuadra e vitit të kaluar, por edhe po të ishte me të njëjtin numër pikësh si në fund të 2016-ës, kur kryesonte, sërish City do të kishte qenë 6 pikë larg, sepse skuadra e Pep Guardiola po bën një kampionat magjik. Në këto kushte duket se të besuarit e Conte kanë ndryshuar objektiv, por gjithsesi fitorja në “Stamford Bridge” është gjithmonë një kusht i panegociueshëm me askënd.
Këtë herë kundërshtari është Brighton. Kjo skuadrën e ka nisur shumë mirë sezonin dhe është 19 pikë larg arritjes së kuotës së 40 pikë, e cila garanton praninë edhe për një sezon mes të mirëve të futbollit në Angli. Chelsea i ka fituar të pesë ndeshjet e fundit të luajtura në shtëpi në Premier League, me të paktën dy gola të shënuar. Ky ishte reagimi i “bluve”, pas humbjes ndaj Manchester City, 1-0. Brighton i ka humbur të tre ndeshjet e fundit të luajtura jashtë, duke pësuar pesë gola në total, 1.6 për ndeshje. Faktikisht, Brighton vuan në gjetjen e golit jashtë fushe, pasi ka shënuar vetëm pesë të tillë. Vetëm Crystal Palace me katër gola në transfertë ka bërë më keq.
50% të golave të shënuar nga Brighton në këtë kampionat kanë ardhur në 20 minutat e para të pjesës së dytë.
Herën e fundit që Chelsea është ndeshur me Brighton ka qenë në kategorinë e dytë në sezonin 1988/’89. “Blutë”, që atë vit fituan kampionatin, duke u ngjitur në Premier League, i fituan të dyja ndeshjet, 1-0 jashtë fushe dhe 2-0 në shtëpi. “Fitorja në ndeshjen e fundit ndaj Watford na ka shtuar besimin se mund të arrijmë një rezultat të mirë kundër Chelsea”, tha trajneri i Brighton, Chris Houghton.