15.5 C
Tirana
E premte, 11 Korrik, 2025

Familjet e varfëra në errësirë, nuk mund të paguajnë energjinë

 

Pavarësisht se numri i hidrocentraleve që prodhojnë energji elektrike në vendin tonë është rritur, sërish çmimi i saj vazhdon të jetë i lartë për shumë familje shqiptare. Sipas Eurostat, Shqipëria është ndër vendet me çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon, ku vetëm në Mal të Zi është më shtrenjtë. Duke marrë parasysh edhe të ardhurat e ulëta të shumë familjeve, qeveria shqiptare ka ndërmarrë një nismë, e cila u lejon familjeve me status në nevojë të përfitojnë të paktën një llambë ndriçuese, por edhe pse ka 2 vite që është aprovuar nga Parlamenti ende nuk është vënë në zbatim. Citizens Channel ka mësuar nga burime brenda Ministrisë e Infrastrukturës dhe Energjisë se, ende nuk kanë një skemë se si do të zbatohet neni 95, 96 të Ligjit nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, ku përcakton se klientët familjarë, që kanë fituar statusin e familjeve apo klientëve në nevojë për furnizimin me energji elektrike, kanë të drejtën për të marrë shërbimin universal të furnizimit të energjisë elektrike, sipas disa kushteve të veçanta. Sipas dispozitave ligjore parashikojnë për këtë kategori klientësh “vulnerabël” u garantohet e drejta për furnizim minimal të energjisë elektrike. Nga Avokatit të Popullit mësojmë se janë më shumë se 80 000 familje, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike dhe janë borxhlinj nga OSHEE-së, çka detyrimisht sjell dhe mungesën e energjisë elektrike tek këto familje, pasi situata socio-ekonomike nuk i favorizon që të jenë në gjendje të paguajnë. Për kamerën e Citizens Channel Ardian Muharremi, një kryefamiljar nga Selita, prej 2 vitesh jeton në dritën e qiriut, sepse nuk ka mundësi të paguajë borxhin që nuk ka ndaj OSHEE-së. Ndonëse, kjo e drejtë është parashikuar që në vitin 2015, institucionet përgjegjëse akoma nuk kënë hartuar aktet nënligjore që do të bënin të zbatueshme këtë të drejtë. Nga ana tjetër, një tabelë me shifra zyrtare e Eurostat tregon se, bazuar në raportin e të ardhurave për frymë të secilit shtet në Europë e nxjerr Shqipërinë si një nga shtetet me çmimin më të lartë të energjisë elektrike. Çmimet e energjisë elektrike në vendin tonë nuk kanë ndryshuar gjatë gjysmës së parë të vitit në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për 100 KwH çmimi mesatar fiksohet në 8.4 euro, çka sipas të dhënave më të fundit të Eurostat e bën Shqipërinë vendin e tretë më të lirë në Europë në terma absolutë, pas Kosovës dhe Serbisë me 6.6 euro. Eurostat merr në analizë vendet e unionit, ato kandidate dhe ato potencialisht kandidate si dhe vendet e Efta-s. E përkthyer në terma të fuqisë blerëse, pra, pesha reale e energjisë elektrike, duke llogaritur edhe të ardhurat e qytetarëve, Shqipëria nuk është aspak vendi më i lirë, por renditet i 24-ti ndër këto 40 shtete. Kjo do të thotë se, praktikisht, për një holandez, francez, apo austriak, sa për të marrë tre shembuj, elektriciteti është më i lirë se për një shqiptar. Kur bëhet fjalë për taksat ndërkohë, rezulton se Shqipëria është një ndër vendet që ka taksimin më të ulët për energjinë elektrike, në vetëm 17%. Por edhe këtu, Bosnje Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia kanë peshë fiskale më të ulët.

Shifrat alarmante të varfërisë në Shqipëri

Sipas statistikave të fundit të Bankës Botërore, Shqipëria renditet në vendin e fundit në rajon për sa i përket nivelit të varfërisë. Në raportin e BB-së, rreth 2 mijë e 300 shqiptarë jetojnë me 1.9 dollarë në ditë, ndërsa mbi 181 mijë të tjerë që përbëjnë 6.3 për qind të popullsisë jetojnë me 5 dollarë në ditë. Nisur nga ky raport Shqipëria renditet, pas Serbisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Kosovës, për sa i përket varfërisë në vend. Gjithashtu BB ngre dhe një tjetër shqetësim të madh, ku numri i personave në varfëri ekstreme mbetet ende shumë i lartë, madje ka tendenca rritjeje gjatë viteve të fundit. Më tej në raportin e BB-së, thuhet se Shqipëria ka numër më të lartë personash që jetojnë me 5 dollarë në ditë edhe se Serbia, Maqedonia e Bosnja. Madje Kosova paraqitet më mirë se Shqipëria, pasi përqindja e popullsisë që jeton në varfëri ekstreme është më e ulët se në vendin tonë, vetëm 0.2% të totalit të popullsisë. Por gjithashtu Banka Botërore hedh poshtë dhe shifrat për rritjen ekonomike të publikuara nga qeveria shqiptare. Sipas raportit të BB-së, rritja ekonomike e Shqipërisë u forcua në 3.4% në 2016 dhe parashikohet të jetë mesatarisht 3.5% gjatë vitit 2017-‘19.

Strakosha kushton 18.6 milionë euro

Igli Tare është padyshim Drejtori Sportiv më i mirë në Itali për vitin 2017. Jo më kot e mori këtë vlerësim nga mediat italiane, të cilat kanë vlerësuar ish-kapitenin e Kombëtares Shqiptare për sukseset e tij në afrimin e lojtarëve cilësorë te Lazio me çmim shumë të ulët e më pas shitjen e tyre me vlera marramendëse. Një sukses i padiskutuar është dhe Thomas Strakosha.
Në një artikull me titullin “Mrekullia Tare”, sajti italian “Laziosiamonoi”, rendit disa nga lojtarët aktualë te Lazio, që janë afruar nga Drejtori Sportiv në vite të ndryshme për vlera të ulta financiare, ndërsa sot kartoni i tyre vlen miliona euro. Mes tyre ndodhet dhe Thomas Strakosha.
Portieri i Lazios dhe Kombëtares Shqiptare u afrua në vitin 2012 për vlerën 75 mijë eurove te Lazio. Ndërsa për pak vite ai arriti të tregonte potencialin e tij duke u bërë lojtari numër një i ekipit bardhekaltër. Strakosha shkëlqeu duke i zënë vendin Marchetit, dhe prej gati një viti ai është lojtari më i pa zëvendësueshëm për ekipin e Lazios. Sot vlera e kartonit të tij, sipas Observatorit Virtual të Futbollit në Europë shkon në 18.6 milionë euro.
Shifra marramendëse këto për futbollistin e Kombëtares Shqiptare, që në Itali tashmë është futur edhe në formacionin e vitit. Investimi i Lazios për Strakoshën me shokë, të zbuluar pikërisht nga Igli Tare, tashmë po shpërblehet. Disa yje të Lazios janë afruar në ekip për vlera deri në 10 milionë euro, ndërsa sot, Milinkviç Saviç, Luis Alberto, Imobile etj, kushtojnë nga 70 deri në 170 milionë euro.

Guardiola e përjashton këtë “sëmundje” te Manchester City

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, hodhi poshtë shqetësimet e lodhjes, e cila mund të provohet të jetë pengesa e “fluturimit të lartë” e të tijve. “Qytetarët” kryesojnë me 13 pikë të qarta distancë nga ndjekësit më të afërt në Premier League, pasi kanë fituar 18 nga 19 ndeshje të luajtura, duke shënuar 60 gola. Ndërsa stili i tyre i lartë i energjisë sulmuese ka bërë përshtypje këtë sezon, mund të ketë një ndikim pengues, përfshirë periudhën e zënë të Krishtlindjeve, por Guardiola nuk ka shqetësime të tilla. “Lodhja, nuk mendoj kështu. Mund të ndodhë, por kemi një skuadër mjaft të mirë, tha spanjolli për mediat në Mbretërinë e Bashkuar. – Gabriel Jezus nuk luajti kundër Bournemouth. Ai luajti 120 minuta kundër Leicester dhe është luftuesi më i madh në shtypjen e lartë që kam parë në jetën time.
Ai na ndihmon shumë me intensitetin tonë. Danilo, Bernardo Silva, Ilkay Gundogan na ndihmuan të gjithëve kundër Bournemouth-it. Pastaj, ne kemi Yaya Toure, Oleksandr Zinchenko etj. Natyrisht, do të rrotullohemi në këtë periudhë. Ne kemi një lojë çdo katër ditë. Gjithkush që ka luajtur në të kaluarën do të luajë në të ardhmen”.
Guardiola, ekipi i të cilit viziton Newcastle United të mërkurën, tha se ai kishte një skuadër të aftë për të vazhduar formën e tyre të pabesueshme. “Kjo është një cilësi e lojtarëve që kam pasur në Barcelonë, Bayern Munich dhe tani këtu, – saktësoi ai. – Ne jemi në gjendje të shkojmë përpara, të jemi agresivë, edhe pa topin, sepse pas kësaj jemi të shpejtë dhe në gjendje të marrim vendime me topin”.

Mourinho do sulmuesin brazilian

Manchester United është i gatshëm të bëjë një ofertë të hapur prej rreth 40 milionë paundësh për Malcom, sulmuesin e Bordeaux. Trajneri i Manchester United, Jose Mourinho, e konsideron brazilianin si perspektivën më të mirë në Europë dhe do të nxisë Ed Woodward, nënkryetarin ekzekutiv të klubit, që të ndërmjetësojë një marrëveshje në janar. Kuptohet që Bordeaux po kërkon më shumë se 55 milionë paundë dhe me presidentin Stephane Martin, duke këmbëngulur se 20-vjeçari nuk do të lejohet të largohet këtë dimër.
“Djajtë e Kuq” janë të gatshëm ta lënë atë të qëndrojë në stadiumin “Matmut Atlantique” deri në verë. Malcom e ka mbyllur sezonin e kaluar me shtatë gola në Ligue 1, por pavarësisht nga disa performanca tërheqëse këtë sezon, klubi francez po lëngon në vendin e 15-të. Manchester United nuk ofron shumat e sugjeruara nga Bordo, por Mourinho do të kërkojë që Woodward të jetë fleksibël me buxhetin e tij, pasi ai refuzoi të dëgjojë vlerësimin e Interit për Ivan Perisic gjatë verës. Besohet se Arsenali, gjithashtu, ka mbajtur në fokus Malcom, edhe pse nuk ka pasur ende ndonjë kontakt me Bordo.

 

Dhurata sekrete e Perez

Florentino Pérez lëviz letrat në dispozicion. Presidenti i Real Madrid po shkon drejt vitit të ri 2018 me çështje të pambyllura, të cilat ai dëshiron t’i zgjidhë sa më parë të jetë e mundur. Mes tyre shfaqet edhe CR7 me gërma të mëdha. Ronaldo prej javësh e muajsh po kërkon një përmirësim të kushteve financiare të kontratës së tij me Real Madrid, që të mund ta vendosin atë në nivele të barabarta me më të paguarit në botë, si Messi dhe Neymar. Cristiano nuk mund të pranojë se ndonëse ai është në majën e Botës, si 5 herë fituesi i “Topit të Artë”, më i miri i porsashpallur, ndodhet poshtë rivalëve të tij sa i përket çështjes financiare. Një betejë të cilën CR7 e ka luftuar përmes menaxherit të tij, Jorge Mendes, që mund të përjetojë episodin e fundit gjatë majve të ardhshëm.
“Florentino Perez ka folur me Cristiano Ronaldo në lidhje me kontratën e tij dhe presidenti i Real Madrid i ka kërkuar portugezit që të qetësojë mendjen, duke i premtuar se do të takohen sërish bashkë në fund të sezonit për të zgjidhur situatën dhe në një mënyrë për të barazuar rrogën e tij me atë që ofron tregu, sepse aktualisht ai përfiton më pak nëse krahasohet me Neymar or Messi”, sqaron gazetari i emisionit radiofonik “Cape Cope”, Juanma Castaño. Një rezolutë kjo që do të mbante Ronaldon të lidhur përjetësisht me Real Madrid, deri në përfundim të karrierës së portugezit në Europë, por njëherësh një premtim, përfundimi i të cilit mund të ndikohet tmerrësisht shumë nga rezultatet e Los Blancos dhe performanca e CR7.

A do ta arrijë Kosova liberalizimin e vizave?

Institucionet e Kosovës kanë vetëm pak javë në dispozicion që ta ratifikojnë Marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, thonë analistë të çështjeve integruese.
Nisur nga fakti që në shkurt, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker, do të prezantojë strategjinë për Ballkanin dhe Zgjerimin e Bashkimit Evropian, analistët thonë se humbja e këtij momenti, do të nënkuptonte edhe disa vite izolim të Kosovës dhe mungesë të liberalizimit të vizave.
Ishte edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ai i cili e kishte ftuar spektrin politik që të jetë i përgjegjshëm dhe i përgatitur që deri në atë kohë t’i kryejë obligimet e veta. Në të kundërtën, siç ka thënë ai, do t’i kushtonte Kosovës me “një çmim shumë të lartë”.
Kriteret për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës ishin dhe mbeten në agjendën politike të të gjitha qeverive të Kosovës, që nga viti 2010 e këndej.
Aktualisht, kanë mbetur dy kriteret e fundit, përkatësisht kriteri për luftimin e korrupsionit dhe ai për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi.
Jehona Lushaku – Sadriu, analiste e çështje politike në një prononcim për Radion “Evropa e Lirë” e konsideron të rëndësishme që kriteret e mbetura të plotësohen në kohë rekord.
Ajo thekson se në këtë proces janë shënuar ngecje dhe se Kosova është në pikën e njëjtë siç ka qenë para tre vjetësh.
“Është krijuar një situatë paradoksale sa i përket Marrëveshjes së Demarkacionit. Në njërën anë është aprovuar marrëveshja në qeveri, ndërsa në anën tjetër e kemi një thirrje nga ana e kryeministrit që kjo marrëveshje të mos miratohet në Parlament”.
“Ndërkohë, në anën tjetër kemi një thirrje nga presidenti që kjo marrëveshje të aprovohet dhe, po ashtu, kemi thirrje nga bashkësia ndërkombëtare që kjo marrëveshje të kalojë, pasi që është marrëveshje obligative për t’i përmbushur kushtet për liberalizimin e vizave”, thotë Lushaku-Sadriu.
Ajo vlerëson se, përgjegjësia e spektrit politik dhe gjithë parlamentarëve duhet të jetë shumë e lartë dhe të jenë të vetëdijshëm për konsekuencat që mund të ketë Kosova si shtet.
“Do të dëshiroja të shihja një përgjegjësi të lartë nga parlamentarët se në çfarë pozite është Kosova dhe të dinë konsekuencat që mund t’i ketë vendi ynë në rast të mosratifikimit të demarkacionit. Jemi si shtet i bllokuar dhe që nuk e kemi liberalizimin e vizave, ndërkohë kemi plotësuar numrin më të madh të kushteve që i janë parashtruar ndonjë herë ndonjë vendi. Prandaj është paradoksale dhe keq për shkak të një kriteri, siç është demarkacioni, të mbesim të izoluar si shoqëri dhe si shtet”, thotë Lushaku- Sadiku.
Marrëveshja për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar nga autoritetet e Prishtinës dhe Podgoricës, në fund të gushtit të vitit 2015, në Vjenë.
E njëjta marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës. Për ratifikimin e marrëveshjes nevojiten 80 vota të deputetëve.
Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se, në çfarëdo varianti, institucionet e Kosovës nuk kanë kohë të humbin në ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.
Ujkani konsideron se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi do të ishte mirë të ndodhte para se Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Junker, të prezantojë strategjinë për Ballkanin dhe Zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Ai thotë se. nuk është i sigurt nëse institucionet do të arrijnë të ratifikojnë marrëveshjen para kësaj date, porse pasojat në rast të mosratifikimit të kësaj marrëveshjeje, do të jenë të mëdha për vendin.
“Mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje do të na lërë larg nga shumë procese, jo vetëm nga agjenda evropiane, pasi do të vazhdojmë të jemi një njollë e zezë dhe nuk mund të flitet për progres as në fusha të tjera derisa e kemi këtë. E dyta, do të largohemi nga aleatët tanë, ata që e mbështesin ratifikimin e kësaj marrëveshjeje, prandaj po humbim mbështetjen e aleatëve tanë”, vlerëson Ujkani.
Ndryshe, zyrtarë nga Bashkimi Evropian në vazhdimësi janë duke kërkuar që institucionet të mos vonojnë në përmbushjen e kritereve, nëse synojnë liberalizimin e vizave në një afat më të shpejtë.

BE ngre shqetësime për pluralizmin në Rusi

Russian opposition leader Alexei Navalny, who submitted endorsement papers necessary for his registration as a presidential candidate, center, sits at the Russia's Central Election commission in Moscow, Russia, Monday, Dec. 25, 2017. Russian election officials have formally barred Russian opposition leader Alexei Navalny from running for president. (Evgeny Feldman/Navalny Campaign via AP)

Një zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, thotë se moslejimi i politikanit opozitar, Aleksei Navalny, që të kandidojë në zgjedhjet presidenciale ruse në mars të vitit 2018, “ka hedhur dyshime serioze në sistemin e pluralizmit politik në Rusi” dhe perspektivën për zgjedhje demokratike në këtë vend.
Zëdhënësja, Maja Koçijançiq, tha sot se për Navalnyn, “Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kishte marrë vendim se ai ishte privuar nga e drejta për proces korrekt në çështjen e tij gjyqësore në vitin 2013”.
Sipas saj, “akuzat e motivuara politikisht nuk duhet të përdoren kundër pjesëmarrjes politike”.
Këto komente u bënë një ditë, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Rusi, mori vendim për moslejim të kandidaturës së Navalnyt në zgjedhjet presidenciale, ku pritej se do të ishte rival kundër Presidentit aktual, Vladimir Putin.
Komisioni, në vendimin e djeshëm, tha se Aleksei Navalny nuk mund të garojë, për shkak të dënimit penal nga e kaluara lidhur me akuza për keqpërdorim.
Navalny ishte dënuar me kusht, ndërsa këtë veprim të autoriteteve ai e ka përshkruar shumë herë si të motivuar politikisht.
Zëdhënësja, Maja Kocijançiq, tha se Bashkimi Evropian pret që Rusia t’i ftojë monitoruesit zgjedhorë nga Zyra e OSBE-së për institucione demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR).
“Bashkimi Evropian do t’i mbështesë vlerësimet e veta për procesin zgjedhor në gjetjet e tyre, siç kemi vepruar në të kaluarën”, tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.
Aleksei Navalny, pas vendimit të komisionit për moslejimin e kandidaturës së tij, i ka ftuar mbështetësit e vet që t’i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale ruse.
“Dalja në vendvotime tash është votim për gënjeshtra dhe korrupsion”, tha Navalny.

 

Navalny bën thirrje për bojkot të zgjedhjeve presidenciale
Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny bëri thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendimin për ta ndaluar atë të kandidojë.
Komisioni votoi të hënën kundër kandidimit të tij në zgjedhjet e marsit 2018 për shkak të dënimit të tij për akuza kriminale, të cilat blogeri anti-korrupsion dhe pasuesit e tij i cilësojnë si të motivuara politikisht.
Vendimi i komisionit erdhi një ditë, pasi zoti Navalny deklaroi se kishte mbledhur numrin e kërkuar të mbështetësve në mbarë vendin për të kandiduar për president.
Pas vendimit të KQZ-së të hënën, Alexei Navalny publikoi një video ku u bënte thirrje mbështetësve të tij që të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale.
“E kuptuam që vendimi i KQZ-së ishte i mundur, por kemi një plan të qartë dhe të saktë…Deklarojmë një “grevë të votuesve” për aq kohë sa procedura në të cilën na kërkohet të marrim pjesë, nuk është proces zgjedhor”, tha ai.
Zoti Navalny tha se, tani ekipi i tij do të bëjë fushatë kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet presidenciale, duke shtuar se pjesëmarrja do të ishte “një votë pro mashtrimit dhe korrupsionit”.
Presidenti Vladimir Putin ka njoftuar kandidimin e tij në zgjedhjet e 18 marsit dhe besohet gjerësisht se ai do të fitojë një mandat të katërt si kryetar i shtetit rus.

Maqedoni: Zgjidhet me vështirësi Prokurori i ri i Përgjithshëm

Parlamenti i Maqedonisë arriti me vështirësi të miratojë Prokurorin e ri të Përgjithshëm, për mungesë kuorumi. Më në fund, 61 deputetë nga 120 që ka Parlamenti gjithsej, votuan pro Lubomir Joveskin-it për postin e kryeprokurorit publik.
Lubomir Joveskin vjen në këtë pozicion në një kohë, kur gjyqësori në Maqedoni përballet me probleme si korrupsioni dhe mungesa e reformave. Zoti Joveski pason në këtë detyrë Marko Zvërlevskin, i cili u shkarkua nga Parlamenti për mungesë profesionalizmi dhe mosaktivizimi për të hetuar rastet e shkeljes së ligjit nga politikanët.
Prokurori i ri i Përgjithshëm tha për shtypin se është i vetëdijshëm për sfidat me të cilat do të përballet, por premtoi se do t’u kthejë qytetarëve besimin tek institucioni.
63-vjeçari Joveski u zotua se, Prokuroria Publike do të mbrojë ligjet, do të sigurojë sundimin e ligjit, do të distancohet nga pushteti ekzektutiv dhe se do të jetë një organ i pavarur që do të hetojë rastet kriminale.

Peru: Protestë masive kundër amnistisë për ish-presidentin

Mijëra shtetas të Perusë kanë protestuar mbrëmë në kryeqytetin Lima kundër amnistisë për ish-Presidentin, Alberto Fujimori.
Protestuesit kanë kërkuar që presidenti aktual i Perusë, Pedro Pablo Kuczynski, të paraqes dorëheqje, pasi pardje e ka amnistuar Fujimorin, për siç ka thënë, shëndetin e dobët. Ka pasur edhe përleshje të policisë me demonstruesit.
Alberto Fujimori, 79-vjeçar, ishte duke vuajtur dënimin prej 25 vjetësh burg, për vrasjen e 25 njerëzve gjatë fushatës kundër grupit terrorist të krahut të majtë, Shining Path.
Para tri ditësh, Fujimori është dërguar nga burgu në spital, për shkak të problemeve me zemër.
Duke brohoritur “tradhtar”, protestuesit kanë bartur flamuj të Perusë dhe fotografi të viktimave të fushatës kundër kryengritjes nga qeveria e e Fujimorit, në periudhën 1990-2000.