Dyert e SHBA janë të mbyllura për Ramën. SHBA-të kërcënuan se do të “mbanin shënim” emrat e vendeve që do të ngrinin dorën “kundër” vendimit të presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. “Neësëeek” shkruan se pas asaj “humbjeje” dërrmuese në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ambasadorja amerikane Nikki Haley ka ftuar 8 vendet që mbështetën SHBA-të. Lista përfshin Izraelin, Guatemalën, Hondurasin, Mikronezinë, Ishujt Marshall, Naurun, Palaun dhe Togon, plus edhe përfaqësuesit e 56 vendeve që e anashkaluan votimin, ose abstenuan. Kanë mbetur jashtë kësaj ceremonie 128 vendet që dolën kundër vendimit të Trump. Jashtë ka mbetur edhe Shqipëria. Në ftesën e saj, Haley i falënderon këto vende “për miqësinë e shprehur ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Le të votojnë kundër nesh. Do të shpenzojmë më pak për ta. Nuk na intereson”, u shpreh Trump para votimit. Pritet të shihet nëse kjo votë do të jetë pasoja në marrëdhëniet me Shqipërinë.
Vjen refuzimi i parë amerikan për Ramën

Presidenca: Vota nuk është qëndrim shtetëror
Polemika të forta në Tiranë për votën e djeshme të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara në favor të rezolutës që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA. Opozita ka folur për “një qëndrim të gabuar”. Kritik është shfaqur dhe Presidenti Ilir Meta, sipas të cilit një qëndrim i tillë i Shqipërisë ka qenë “tërësisht i panevojshëm”.
Ministria shqiptare për Europën dhe Politikën e Jashtme sqaroi përmes një deklarate, pozicionin e mbajtur në OKB. “Vota jonë sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë çështje. Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër të konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit e saj të linjëzuar me Bashkimin Evropian”, shpjegon deklarata.
Por Presidenti Ilir Meta u shfaq sot kritik ndaj kësaj zgjedhjeje. Zëdhënësi i tij, Tedi Blushi i tha “Zërit të Amerikës” se, “Presidenti vlerëson se ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar”. Zëdhënësi sqaroi më tej se, “Presidenti i Republikës nuk është konsultuar dhe informuar paraprakisht lidhur me qëndrimin që do të mbahej ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për politikën e jashtme të Shqipërisë, por për mbarë kombin shqiptar”. Zoti Meta ka vënë theksin te rëndësia që, Shtetet e Bashkuara kanë për Shqipërinë. “Nuk duhet të harrojmë se, SHBA mbetet aleati dhe partneri më i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla duhet të jenë të mirë koordinuara. Populli dhe kombi shqiptar nuk e harrojnë kurrë dhe i janë mirënjohës vendimeve historike të SHBA-së lidhur me ekzistencën jetike të kombit dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë dhe të Kosovës”, përfundon deklarata e Presidentit Meta.
Edhe opozita e kundërshtoi qëndrimin e mbajtur në OKB. Kryetari demokrat Lulzim Basha theksoi mbrëmë gjatë emisionit “Opinion”, se “Shqipëria ka konsoliduar në 27 vite, një qëndrim të rreshtuar krah qëndrimit amerikan për çështjet e Lindjes së Mesme. Për herë të parë, Shqipëria ka ndryshuar qëndrim dhe është rreshtuar me shumicën e vendve të BE-së”, tha zoti Basha, sipas të cilit “është një qëndrim i gabuar. Kjo çështje ka të bëjë me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, të cilat deri sot janë shërbyer vetëm nga një aleat strategjik që janë SHBA-të, pa të cilët nuk do ishim anëtarë të NATO-s dhe Kosova nuk do ishte e pavaruar”, tha zoti Basha. “Nga ana tjetër, shpjegoi ai, ne kemi një tjetër interes strategjik, atë të anëtarësimit në BE. Por përsa kohë BE-ja nuk e kushtëzoi politikën e vet të jashtme, nuk kishte arsye që Shqipëria të ndryshonte qëndrimin dhe të mos i qëndronte pozicionit amerikan. Jo për mënyrën se si duhet të zgjidhet çështja, por për hir të interesit kombëtar”, nënvizoi zoti Basha.
Këshilltarja shqiptare e New-Yorkut: Akt i turpshëm
Lisa Milicaj është gruaja shqiptaro-amerikane, e cila mban një post zyrtar si këshilltare në Nju Jork.
Teksa Shqipëria votoi kundër SHBA-së në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për sa i përket çështjes së Jeruzalemit, Milicaj jo vetëm që nuk e ka mbështetur këtë votë, por e ka cilësuar si një akt të turpshëm. 129 shtete në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kanë shprehur qëndrim të kundërt me Uashingtonin për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, përfshirë edhe Tiranën.
Milicaj, mikeshë e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, nëpërmjet një shënimi në Facebook, e ka quajtur “të turpshëm dhe të sikletshëm”, vendimin e Shqipërisë për të mbështetur një rezolutë kundër qëndrimit amerikan për Jerusalemin.
Lisa Milicaj është shqiptaro-amerikania e parë e zgjedhur në një post publik, në Nju Jork, si këshilltare bashkiake në Pleasant Valley. Ajo është cituar nga Presidenti në SHBA, Donald Trump në rrjetin social Twitter.
Trump citoi një mesazh ku ajo shprehte mbështetjen për kandidatin, pavarësisht prej kritikave nga “National Review”, revistës konservatore amerikane. Revista sapo kishte porositur republikanët që të mos gënjeheshin prej retorikës së manjatit të pronave të patundshme nga Nju Jorku.
Lisa Milicaj, vajza e dy emigrantëve nga Kosova, ishte një nga mbështetësit e shumtë që reaguan në favor të kandidatit Trump.
Trump ngre ekipin: Ndëshkim vendeve që votuan kundër
Administrata Trump ka nisur menjëherë të shohë mundësitë për të ndëshkuar shtetet që votuan kundër vullnetit të Uashingtonit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit.
Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert tha se po shihen alternative të ndryshme. “Ekipi i Presidentit për politikën e jashtme është ngarkuar me detyrën për të shqyrtuar mundësi të ndryshme, por deri më tani nuk është marrë asnjë vendim”.
Në deklaratën pas votimit të së enjtes, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Niki Hallej përforcoi qëndrimin e Presidentit Trump se një prej masave ndëshkuese do të jetë ndërprerja e ndihmës financiare.
Analistët thonë se, vota tregoi se SHBA nuk do ta ketë të lehtë implementimin e vizionit të ri për paqen në Lindjen e Mesme, pasi ka kundër aleatët më të mëdhenj, Britaninë e Madhe, Gjermaninë e Francën.
Turqia dhe Rusia po e shohin veten triumfuese. Presidenti Erdogan i telefonoi homologut Putin për t’i shprehur mirënjohjen për votën pro-palestineze. Në një deklaratë për shtyp të Kremlinit thuhet se presidentët u angazhuan për formimin e shtetit palestinez, si pjesë e zgjidhjes së konfliktit historik.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përsëritën deklaratën e fortë, gati një kërcënim, për 128 vendet që votuan pro rezolutës së Turqisë dhe Jemenit në OKB.
Pas votimit, ambasadorja e SHBA në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley tha se, “Amerika do ta vendosë ambasadën në Jeruzalem. Asnjë votë në Kombet e Bashkuara nuk mund ta ndryshojë këtë. Por kjo votë do të bëjë një ndryshim sesi amerikanët e shohin OKB-në, dhe sesi ne i shohim vendet që nuk na respektojnë”. Deklarata e ambasadores Nikki Haley ishte e drejtpërdrejtë për vendet që nuk e respektuan SHBA. Në këtë grup, tani përfshihet edhe Shqipëria, me vendimin që mori qeveria për të votuar rezolutën anti-Trump.
Ambasadorja amerikane në OKB falenderoi 65 vende që respektuan vendimin e Shteteve të Bashkuara për të vendosur ambasadën e saj në Jeruzalem. Të paktë ishin ata që votuan kundër rezolutës, por shumica e vendeve abstenuan, duke mos shfaqur asnjë qëndrim armiqësor ndaj Trump. Ndryshe nga këta, Shqipëria iu bashkua vendeve me qëndrimin e prerë, duke votuar pro rezolutës dhe kundër amerikanëve.
Qëndrimi i qeverisë shqiptare nuk u konsultua më herët me forcat e tjera politike. E vetmja deklaratë e ministrit tonë të Jashtëm, Ditmir Bushati ishte në Parlament, kur ai tha se qëndrimi i Shqipërisë është i njehsuar me atë të vendeve të Bashkimit Europian. “Qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë rast është ai qëndrim i pandryshuar ndër vite, i reflektuar tek vota jonë në OKB, në linjë me qëndrimin e Bashkimit Evropian”, u shpreh Bushati.
Por të mërkurën, në një konferencë për mediat, Donald Trump ishte shumë i qartë, gati kërcënues me fjalët e tij për vendet që do të votonin pro rezolutës.
“Për të gjithë ata shtete që përfitojnë nga paratë tona dhe votojnë kundër nesh. Ata marrin qindra miliona dollarë, madje biliona dollarë dhe votojnë kundër nesh”, tha Trump. “Ne do t’i shënojmë ato vota. Le të votojnë kundër nesh. Do të kursejmë shumë para. Nuk ka rëndësi për ne”, tha ai, duke lënë të kuptohet se SHBA do të kursehet me ndihmën që i jep vendeve në nevojë.
Nismëtar i rezolutës ka qenë Presidenti turk, Taip Rexhep Erdogan, i cili flakë për flakë iu përgjigj kërcënimit të Trump.
“Zoti Trump, nuk mund ta blesh vullnetin demokratik të Truqisë me dollarët e t’u”, u shpreh Erdogan në një fjalim në Ankara. “Unë shpresoj dhe pres që Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të kenë rezultatin që shpresojnë nga OKB dhe bota do t’i japë një leksion të mirë Shteteve të Bashkuara”, tha Erdogan.
Rezoluta që dënon vendimin e Trump për zhvendosjen e ambasadës amerikane në Jeruzalem, ishte një propozim i Turqisë, në Samitin e Organizatës për Bashkëpunimin Islamik dhe Jemeni, në Grupin Arab në OKB.
Para votimit, Nikki Haley iu drejtua 193 vendeve të OKB-së me një letër ku sqaronte se administrata Trump “thjesht po kërkon mirënjohje për miqësinë historike, partneritetin dhe mbështetjen që ju kemi dhënë dhe që ta respektoni vendimin tonë për ambasadën tonë”. Siç duket, me votimin e OKB, Shqipëria për herë të parë në këto 27 vjet, me një vendim shtetëror e mohoi këtë mirënjohje ndaj SHBA.
Vatra: Rama, akt antikombëtar
Edhe Federata Panshqiptare Vatra, ka reaguar ndaj votës së Shqipërisë në OKB, duke e konsideruar këtë si votë kundër interesave kombëtare.
Në një njoftim të Presidentit të Vatrës, Dritan Mishto, thuhet se: Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ka ndjekur me një interes të lartë çështjen e transferimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem dhe ka mbështetur qëndrimin e Presidentit Trump pa asnjë rezervë.
Federata Vatra, mbështetësit dhe simpatizantët e saj në SHBA dhe mbarë botën janë ndjerë tejet të zhgënjyer nga votimi kundër i qeverisë së Republikës së Shqipërisë për Rezolutën e paraqitur në OKB.
Kjo votë kundër SHBA e Kryeministrit Edi Rama është jo vetëm mosmirënjohje për gjithë mbështetjen amerikane ndaj Shqipërisë përgjatë shtetformimit, e deri më tash, si edhe për rolin vendimtar në krijimin dhe procesin e njohjes së Republikës së Kosovës, por është edhe një mesazh tejet i rrezikshëm për vazhdimësinë e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë. Votimi i qeverisë shqiptare kundër SHBA është akti i dytë publik i Kryeministrit Edi Rama, pas deklarimit të tij të mëparshëm se zgjedhja e Trumpit President të SHBA “Zoti na ndjeftë, do të dëmtonte botën demokratike”.
Parë në zhvillimet më të fundit të diplomacisë amerikane, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në OKB, vota e qeverisë shqiptare kundër Shteteve të Bashkuara konsiderohet nga Federata Vatra si një Akt Antikombëtar.
Duke përfituar nga ky moment krycial i diplomacisë botërore, VATRA shpreh publikisht mbështetjen më të thellë për Presidentin Trump dhe përpjekjet e tij për të rritur autoritetin e SHBA në botë. Gjithashtu, Federata Panshqiptare Vatra vlerëson jashtëzakonisht prezantimin tejet profesional dhe mbrojtjen dinjitoze të kësaj nisme në OKB nga Ambasadorja Nikki R. Haley.
Së fundi, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, si organizatë shekullore dhe më e madhja e diasporës shqiptare rikonfirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbështetje të Presidentit Trump dhe dënon me ashpërsi sjelljen antikombëtare të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.
Vatra i bën thirrje ndërgjegjes shqiptare kudo në botë që në këto momente delikate të rrisë dashurinë dhe besimin tek SHBA, si vendi më mik i kombit tonë.
Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra po ndjek me vëmëndje situatën dhe do të paraqesë shqetësimin e saj në instancat më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Spaho: Votuan njëlloj si prindërit e tyre
Nënkryetari i Partisë Demokratike, deputeti Edmond Spaho, reagoi ashpër pas vendimit kundër të Shqipërisë ndaj iniciativës së Shteteve të Bashkuara për caktimin e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Në një reagim në rrjetin social Facebook, Spaho shprehet se politika e jashtme e Shqipërisë jo vetëm është e paaftë të zgjidhë ndonjë problem për vendin e vet, por përkundrazi në mënyrën më idiote krijon probleme. “Votuan njëlloj si prindërit e tyre. Dje, SHBA kërkoi me forcë që kushdo që është me të të votonte kundër rezolutës që nuk e njeh Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Shtetet e Bashkuara kanë shpëtuar pavarësinë e Shqipërisë me Presidentin Wilson, i kanë dhënë Pavarësinë Kosovës, kanë anëtarësuar Shqipërinë në NATO dhe ky trashëgimtar i komunizmit thotë që respektojmë rezolutat ndërkombëtare! Po vendet e tjera që votuan kundër, abstenuan apo nuk morën pjesë në votim budallenj janë dhe nuk i njohin rezolutat ndërkombëtare? Përse Shqipëria nuk është në këtë listë: Antigua-Barbuda, Argjentina, Australia, Bahamas, Benini, Butani, Bosnja dhe Hercegovina, Burma, Kameruni, Kanadaja, Republika e Afrikës Qendrore, Kolumbia, Kroacia, Republika Çeke, Republika e Dominikanëve, Republika Demokratike e Kongos, Salvadori, Guinea Ekuatoriale, Fixhi, Gjeorgjia, Guatemala, Guinea Bissau, Haiti, Hondurasi, Hungaria, Izraeli, Xhamajka, Kenia, Kiribati, Letonia, Lesoto, Malavi, Ishujt Marshall, Meksikë, Mikronezi Polonia, Rumania, Ruanda, Samoa, San Marino, Sao Tome dhe Principe, Sierra Leone, Ishujt Solomon, Sudani Jugor, Shën Kits-Nevis, Shën Lucia, Moldavia, Mongolia, Nauru, Palau, Panama, Paraguai, Swaziland, Timor Leste, Togo, Tonga, Trinidad-Tobago, Turkmenistani, Tuvalu, Uganda, Ukraina, Vanuatu dhe Zambia. Politika e jashtme e Shqipërisë jo vetëm është e paaftë të zgjidhë ndonjë problem për vendin e vet, por përkundrazi në mënyrën më idiote krijon probleme. Mosmirënjohja është cilësia më negative që ka një komb. Për fat të keq këtë cilësi ne e marrim nëpërmjet vullnetit të pak individëve si Bushati, Rama apo ndonjë si Mogherini”, u shpreh Spaho.
Mediu: Vota mund të cënojë rëndë marrëdhëniet me SHBA
Kreu i PR-së, Fatmir Mediu thotë se, vota e Shqipërisë kundër SHBA-së në Asamblenë e OKB-së ishte një hap i nxitur dhe absurd. Mediu thotë se më e pakta që duhet të bëhej në këtë rast është abstenimi, siç bëri Kroacia, Rumania, Çekia dhe Hungaria.
Mediu thotë se, një qëndrim i tillë mund të cënojë rëndë marrëdhëniet me Amerikën. “Vota e Shqipërisë kundër SHBA është një hap i nxituar, absurd, i nisur nga interesa personale politike të Edi Ramës dhe jo interesat e Shqipërisë, është kundër interesave kombëtare.
Më e pakta që duhet të bënim në këtë rast duhet të ishte abstenimi siç bëri Kroacia, Rumania, Çekia, Hungaria vende anëtare të BE dhe vende anëtare të NATO-s.
Miopia shkon deri atje sa ky qendrim të shfaqet si pro europian, duke cenuar rëndë marrëdhëniet me Amerikën, për më tepër kur administrata e Trump ka bërë paralajmërimet e saj.
Në diplomaci nuk ka qëndrime permanente, por diplomaci aktive, që vendos në plan të parë interesin kombëtar.
SHBA si asnjë vend tjetër ka qenë në krah të shqiptarëve që nga pavarësia, NATO, çlirimi dhe pavarësia e Kosovës”.
Diplomati, Nesho: Ky vendim, këmbanë alarmi
Diplomati i karrierës Agim Nesho komenton votën e djeshme të Shqipërisë kundër SHBA-ve. Për Neshon, i cili ka shërbyer për vite me radhë si ambasador në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ky rast tregoi që qeveria Rama mund ta përdorë SHBA-në kur i duhet të “kapë” drejtësinë, por mund të jetë kundër saj kur ka interesa të tjera.
“Duke vlerësuar që qeveria shqiptare është shumë e vëmendshme ndaj marrëdhënieve me SHBA-në, mendoj që presioni nga forca të tjera rajonale si Turqia mund të ketë influencuar në një vendimmarrje të tillë të gabuar. Këtë presion Turqia (si paraqitëse e kësaj rezolute) e ka bërë edhe në të shkuarën, por qeveria Berisha i ka rezistuar presionit dhe ka ruajtur integritetin e saj”, shpjegon më tej diplomati në intervistën për “Hashtag.al”.
Për të sigurisht që personi më i prekur dhe i zhgënjyer nga votimi i Shqipërisë në OKB kundër SHBA-ve duhet të jetë ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu.
-Shqipëria ka votuar dje kundër SHBA-ve dhe Presidentit Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Si e komentoni pozicionimin e Shqipërisë? A mund të zgjidhte të abstenonte? A mendoni se është luftë personale dhe shfaqje e forcës së votës së Ramës kundrejt Trump-it apo pozicionim pro vendeve si Turqia?
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dje, miratoi një rezolutë të paraqitur nga Turqia dhe Jemeni dhe bashkë-sponsorizuar nga Venezuela kundër njohjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të Jeruzalemit, si kryeqytet të shtetit të Izraelit. Ndryshe nga rezolutat e tjera që paraqiten në Asamblenë e OKB-së për konfliktin izraelo-palestinez, kjo rezolutë kishte karakter të njëanshëm dhe bazohej në dënimin e qëndrimit të administratës amerikane dhe dekretit të Presidentit Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet.
Si e tillë dhe me ngarkesat politike që mbarte me vete, Shtetet e Bashkuara të Amerikës theksuan se do të ishin të vëmendshëm për pozicionet që do të mbanin shtetet e tjera aleate dhe bashkëpunëtore të SHBA-së ndaj kësaj rezolute. Për më tepër, që përfaqësuesit e lartë të administratës amerikane shpjeguan që qëndrimi i tyre bazohej në njohjen e vendimit të Kongresit Amerikan të vitit 1995, për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosjen aty të ambasadës amerikane.
Në këtë votë për një rezolutë politike fatkeqësisht Shqipëria zgjodhi të votonte kundër partnerit tonë strategjik, SHBA-ve.
Minimalisht Shqipëria duhet të abstenonte, si shumë vende të rëndësishme si Kanadaja, Australia, Kroacia, Çekia, Polonia, Rumania, etj., të cilat e vlerësuan rezolutën politikisht dhe ruajtën interesat e vendeve të tyre në raport me Uashingtonin.
Argumenti që përdori ministria shqiptare për Europën dhe Punët e Jashtme, se vota jonë do t’i bashkëngjitej BE-së, nuk është bindëse për arsye se vetë BE-ja ishte e ndarë në qëndrimin e saj.
Vendet e rëndësishme europiane si Franca, Gjermania kanë mbajtur qëndrim pro rezolutës për arsye të rolit të tyre negociues në konfliktin në Lindjen e Mesme, si anëtarë të Kuartetit Ndërkombëtar si dhe pragmatizmit për të mos t’ia lënë rolin e ndërmjetësuesit për të ardhmen, fuqive të tjera jo-perëndimore si Rusia, Kina, etj.
Shqipëria për vetë rolin e saj të vogël në arenën ndërkombëtare nuk mund të zgjidhte të sakrifikonte aleatin tonë kryesor strategjik për njohjen e përkrahjen e çështjes tonë kombëtare, duke u bërë shtesë e një liste, ku qëndrimi ynë është vetëm një numër.
Duke vlerësuar që qeveria shqiptare është shumë e vëmendshme ndaj marrëdhënieve me SHBA-në, mendoj që presioni nga forca të tjera rajonale si Turqia mund të ketë influencuar në një vendimmarrje të tillë të gabuar. Këtë presion Turqia (si paraqitëse e kësaj rezolute) e ka bërë edhe në të shkuarën, por qeveria Berisha i ka rezistuar presionit dhe ka ruajtur integritetin e saj.
-Zyra e shtypit të Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme ka deklaruar se është në koherencë me qëndrimin në një linjë të Bashkimit Europian. A është kjo një lëvizje e re e qeverisë sonë për të bërë të pamundurën për t’u anëtarësuar në BE apo justifikimi i radhës?
Deklarata e MPEJ-së shqiptare kërkon të justifikojë qëndrimin e saj të gabuar, duke vënë përpara BE-në dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë ku politika e jashtme duhet t’i bashkëngjitet qëndrimit me ato të BE-së.
Në votimin e rezolutës për statusin e Jeruzalemit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, vota e BE-së ishte e ndarë, pra nuk kemi të bëjmë me një qëndrim të unifikuar të Bashkimit Europian.
Njihet një praktikë diplomatike në OKB, që kur BE është e ndarë në qëndrimin e saj vendet anëtare të saj dhe vendet aspirante për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian votojnë, duke mbrojtur interesat kombëtare. Fatkeqësisht diplomacia shqiptare zgjodhi si primare interesat e vendeve të Lidhjes Islamike se sa interesat e kombit shqiptar me aleatin tonë të madh, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
-Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA, sa mendoni se do ndikojë kjo votë kundër tyre në të ardhmen? Ambasadorja amerikane në OKB ka deklaruar se nuk do ta harrojnë, madje ka thënë se do ta kujtojnë sa herë ne të kërkojmë para…
Kjo nuk është thjesht një deklaratë e Ambasadores së SHBA-së në OKB. Kjo deklaratë u bë edhe nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Sigurisht që vota politike për rezolutën anti-amerikane në OKB do të mbahet shënim me vëmendje nga administrata amerikane, sidomos sot që ka një përqasje të ndryshme gjeo-strategjike të botës.
Mendoni për një moment sikur SHBA-të të zvogëlojnë përkrahjen ndaj Kosovës dhe të lejojnë të lulëzojnë skenarë të rinj serbo-rus në Ballkan për një zgjidhje tjetër gjeo-strategjike? Ku do të mbështetet diplomacia shqiptare? Tek vendet islamike, shumica e të cilave nuk e njeh Kosovën, apo te disa vende të Europës, të cilat kanë treguar që janë indiferente ose të pazonja për të ruajtur ekuilibrat europianë? Pra, diplomacia shqiptare në rastin më të mirë është treguar miope dhe në rastin më të keq kundër interesave të kombit shqiptar.
-Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, mbështeti hapur Edi Ramën për një zhvillim shumë të rëndësishëm, zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm. Sa mendoni se do ta ketë të vështirë Lu t’i shpjegojë administratës së tij qëndrimin kundër të Ramës?
Sigurisht, personi më i prekur dhe më i zhgënjyer nga ky proces duhet të jetë ambasadori Lu, i cili i ka dhënë mbështetje pa rezerva qeverisë Rama.
I çorientuar me politikën shqiptare dhe para një regjimi demagogjik, me gjithë dëshirën e mirë për përparimin e Shqipërisë, duhet të dëgjonte këshillën e filozofit dhe mendimtarit të njohur shqiptar Fatos Lubonja, që me përkrahjen e regjimit Rama mund të çosh në krijimin e një regjimi autoritar në Shqipëri, i cili pasi të jetë konsoliduar do të gjejë alternativa të tjera për të zgjatur ekzistencën e tij.
Ky rast tregoi që qeveria Rama mund ta përdorë SHBA-në kur i duhet të “kapë” drejtësinë, por mund të jetë kundër saj kur ka interesa të tjera.
-Së fundmi, Presidenca jonë ka reaguar, duke deklaruar se nuk është informuar dhe nuk është konsultuar për votën kundër SHBA-ve, duke komentuar se kjo votë nuk është një qëndrim shtetëror. Si duhet të funksiononte në një situatë normale?
Qëndrimi i Presidencës është i drejtë, por i pamjaftueshëm.
Në një shtet kur politika e tij e jashtme për qëndrimet më të rëndësishme nuk është konsensuale dhe e bashkuar, kjo duhet të zgjojë këmbanat e alarmit. Për më tepër që politika ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës është ekzistenciale për kombin shqiptar dhe nuk mund t’i lihet eksperimenteve dhe interesave të çastit.
Intervistoi: Hashtag.al
Do ta paguajnë!
Anne Bayefsky
Për dekada me radhë, Kombet e Bashkuara janë tallur me Shtetet e Bashkuara. Demonizimi i shtetit çifut – antisemitizmi modern – ka qenë një prej prioriteteve të politikës së Kombeve të Bashkuara, një qëndrim tërësisht anti-etik kundrejt vlerave dhe interesave amerikane. Vota e Asamblesë së Përgjithshme më 21 dhjetor që dënonte implementimin e ligjit amerikan të Donald Trump, i cili njohu Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit do të jetë hera e fundit që Shtetet e Bashkuara tolerojnë një situatë të tillë.
Le të qartësojmë pak se si ngjarjet degraduan deri në këtë pikë. Mbledhja e ditës së enjte ishte hera e 17-të që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka mbajtur të ashtuquajturin sesion special emergjencë “të 10-të” për situatën e Izraelit që në vitin 1997. Kjo për shkak se sesioni i “10-të” është në fakt permanent. Në fund të mbledhjes, Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme theksoi se, sesioni thjesht do të shtyhej.
Por çfarë do të thotë për njerëzit e zakonshëm ky marifet i Kombeve të Bashkuara? Që nuk ka pasur kurrë asnjë sesion special emergjence të Asamblesë së Përgjithshme për asgjë tjetër veçse për të sulmuar Izraelin në 20 vitet e fundit. Mbi 500 mijë të vdekurit dhe 7 milionë të dëbuarit nga Siria gjatë shtatë viteve nuk kanë qenë kurrë aq të rëndësishëm sa për të merituar një sesion special emergjence. Nuk e kanë merituar as një milion të vdekurit në Ruanda, as dy milionw të vdekurit në Sudan gjatë dy dekadave të fundit, asgjë tjetër nuk meriton një sesion emergjence.
Çështja e ditës së enjte nuk ishte Jeruzalemi. Çështja ishte vetëm urrejta ndaj popullit hebre. Rezoluta ishte e 21-ta e Asamblesë së Përgjithshme që godet dhe sulmon Izraelin me pretendimin se ka dhunuar të drejtat dhe ligjet. Ka patur vetëm një rezolutë për Korenë e Veriut, një për Iranin dhe një për Shtetet e Bashkuara, e cila e kritikonte për politikën në lidhje me Kubën. Së bashku, ka pasur vetëm 9 rezoluta të Kombeve të Bashkuara në lidhje me dhunimin e të drejtave të njeriut për disa shtete specifike në të gjithë botën. 21 të tjera vetëm për Izraelin.
Loja ka të bëjë me Jeruzalemin dhe kufijtë e vitit 1967, por në fund luhet për kufijtë e vitit 1948 dhe legjitimitetin e shtetit hebre. Çështja ditën e enjte nuk ishte vetëm për Donald Trumpin. Departamenti amerikan i Shtetit prodhon një raport vjetor në lidhje me “votën e besimit” në Asamblenë e Përgjithshme – me pak fjalë sa herë vendet e tjera votojnë njëlloj me Shtetet e Bashkuara. Në vitin 2016, duke numëruar draftet finale të rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme, për të cilat është përdorur votim dhe Shtetet e Bashkuara kanë votuar me “po” ose “jo”, “vota e besimit” për Shtetet e Bashkuara ishte në nivelin e 37 për qind.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, foli më hapur se kurrë për atë që në fund është çështja më e rëndësishme: për paratë. Në lidhje me “sulmin” e ditës së enjte kundër Shteteve të Bashkuara, ajo i theksoi Asamblesë së Përgjithshme se, Shtetet e Bashkuara janë “duke paguar më shumë se kushdo tjetër”, por për çfarë? “Për privilegjin e mungesës së respektit”. Ajo, me mbështetjen e Presidentit Trump, shkuan edhe më tej. Ata kanë premtuar se këtë radhë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë për të ndenjur më të nënshtruar teksa mazhoranca e Kombeve të Bashkuara janë shtete që shtypin popullin në vendet e tyre.
Teksa fliste përpara votimit në një takim me kabinetin, Presidenti Trump tha: “Nuk kemi për të lënë askënd të përfitojë më nga ne”. Haley deklaroi hapur të njëjtin mesazh: “Shtetet e Bashkuara do ta mbajnë mend mirë këtë ditë, kur u sulmua padrejtësisht në Asamblenë e Përgjithshme për aktin e vetëm të ushtrimit të të drejtës që i takon si shtet sovran. Do ta mbajmë mend mirë, kur të na kërkoni përsëri për të dhënë kontributin më të madh në botë për Kombet e Bashkuara”.
Vota e ditës së enjte, që u mbyll me 128 pro, 9 kundër, 35 abstenime – tregon se një pjesë e mirë e vendeve, bashkë me ata që nuk u shfaqën në votim, kanë marrë paralajmërimin e administratës se liria nuk vjen pa asnjë çmim. Megjithatë janë shifrat ato që tregojnë historinë e Kombeve të Bashkuara. Cilido të ketë qenë misioni i organizatës në shekullin XX, në shekullin XXI janë taksapaguesit e Shteteve të Bashkuara ata që po paguajnë për një institucion të drejtuar dhe në pronësi të vendeve anti-amerikane dhe jo-demokrate. Nuk ka kohë më të mirë se kjo për t’i dhënë fund kësaj maskarade.
Gjithçka ka ndodhur pikërisht në periudhën, kur Shteteve të Bashkuara do t’i kërkohet edhe një herë të japë kontributin më të madh në botë për Kombet e Bashkuara. Komiteti i buxhetit të Asamblesë së Përgjithshme është mbledhur për të vendosur në lidhje me financimin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara – një entitet i “të drejtave të njeriut” i përbërë nga shtete si Katari, Kina, Kuba, Arabia Saudite dhe Venezuela. Financimi do të përfshijë edhe pagesën e listës së zezë të kompanive amerikane që bëjnë biznes me Izraelin, bashkë një sërë programesh të tjera anti-amerikane.
Administrata Trump duhet të votojë kundër financimit të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në nivel komiteti. Kur rezoluta të miratohet, gjithsesi – dhe të rikthehet përsëri bashkë me programet e tjera anti-amerikane dhe anti-Izrael të Asamblesë së Përgjithshme – administrata Trump duhet të votojë kundër të gjithë buxhetit 2018-2019 të Kombeve të Bashkuara.
Ky vendim ka një precendet të pastër. Më 22 dhjetor 2007, administrata Bush votoi kundër buxhetit 2008-2009 të Kombeve të Bashkuara, pasi Asambleja e Përgjithshme vendosi të paguante për një tjetër manifestim urrejtjeje anti-semitike në konferencën e turpshme Durban të racizmit në vitin 2001.
Ja se çfarë duhet të ndodhë pas votimit: Të vendoset një pezullim i përkohshëm i financimit të Shteteve të Bashkuara për OKB-në, përveç të ndonjë rasti urgjent për misione humanitare. Të ngrihet një komitet për të shqyrtuar të gjitha kontributet e Shteteve të Bashkuara në organizatë – tashmë pothuajse 10 miliardë dollarë në vit nga të gjitha burimet qeveritare – dhe të vendoset se çfarë përputhet vërtetë me vlerat dhe interesat amerikane. Të spostohen kontributet nga kategoria buxheti “i zakonshëm” tek kontributet “vullnetare” për t’i kontrolluar ato më imtësisht. Dhe në fund, të transferohet ambasada në Jeruzalem, duke ndryshuar emërtimin mbi një ndërtesë në Jeruzalem në pronësi të Shteteve të Bashkuara. Koha për të treguar se si mbahen premtimet, nuk ka qenë kurrë më e volitshme, z.President!
Haley: “Këtë do ta mbajmë mend!”
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara për Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, kërcënoi të enjten Asamblenë e Përgjithshme se do të tërheqë financimin e Shteteve të Bashkuara nga organizata ndërkombëtare në kundërpërgjigje të rezolutës famëkeqe që dënonte vendimin e Presidentit Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet i Izraelit.
“Shtetet e Bashkuara do ta mbajnë mend mirë këtë ditë, kur u sulmua padrejtësisht në Asamblenë e Përgjithshme për aktin e vetëm të ushtrimit të të drejtës që i takon si shtet sovran. Do ta mbajmë mend kur shtetet të vijnë të na kërkojnë ndihmë një nga një, siç bëjmë shpesh, që të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim influencën tonë për përfitimet e tyre”, paralajmëroi ajo.
Rezoluta që u miratua me rezultatin 128-9, shprehu keqardhje të madhe për thirrjen e bërë nga Presidenti Trump dhe thirrjet që të gjitha shtetet të pengojnë vendosjen e misioneve diplomatike në qytetin e shenjtë të Jeruzalemit. Ishte një votë e spansorizuar nga Turqia dhe Jemeni, pak kohë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën veton mbi një rezolutë të tillë në Këshillin e Sigurimit. Shtetet e Bashkuara nuk e kanë të drejtën e vetos në Asamblenë e Përgjithshme.
Deklarata e ambasadores Haley ishte më e ashpra që ka bërë deri tani në karrierën e saj si ambasadore, edhe pse vazhdimisht ka kritikuar zyrtarët e Kombëve të Bashkuara për paragjykimet anti-Izrael dhe anti-amerikane të organizatës. Ajo ka theksuar shpesh kontributet e jashtëzakonshme të Shteteve të Bashkuara në organizatë dhe ka kërkuar që të vlerësohen më shumë interesat amerikane.
Ndërs,a Haley i ka vënë gjithmonë në dukje paragjykimet e Kombeve të Bashkuara, rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme është ndryshe për shkak se sulmon drejtpërdrejt një vendim të Shteteve të Bashkuara dhe politikën amerikane dhe kërkon të turpërojë Amerikën. Haley ka theksuar shpesh kontrastin ndërmjet trajtimit që i bëhet Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, krahasuar me atë të vendeve që shkelin sistematikisht të drejtat e njeriut si Kuba, Venezuela dhe Arabia Saudite – të tre vende anëtare të Këshillit të të Drejatve të Njeriut.
Administrata Trump ka shfaqur vullnetin e fortë për t’i mbështetur fjalët e ashpra me vepra. Në tetor, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga UNESCO, njësia kulturore e Kombeve të Bashkuara, për shkak të qendrimit të përhershëm anti-Izrael të njësisë. Deklarata e Haley fliste për përgjegjshmërinë demokratike dhe kritikoi ashpër vendet që kundërshtojnë Shtetet e Bashkuara, por nuk e kanë për përgjegjshmëri.
“Amerika do të vendosë ambasadën e saj në Jeruzalem. Kjo është ajo që duan populli amerikan dhe kjo është gjëja më e drejtë për t’u bërë. Votimi në Kombet e Bashkuara nuk do ta ndryshojë këtë, por do të bëjë ndryshim për mënyrën se si populli amerikan shikon Kombet e Bashkuara dhe se si shikojmë vendet që nuk na respektojnë në këtë organizatë. Vota juaj do të mbahet mend!”
Deklarata e Haley vjen gjithashtu një ditë, pasi Presdienti Trump paralajmëroi se do të tërheqë financimin e “vendeve që marrin paratë e amerikanëve dhe votojnë kundër tyre”. “Ata marrim qindra miliona dollarë, madje miliarda, dhe më pas votojnë kundër nesh. Ne do ta shohim votën e tyre”, tha ai. “Le të votojnë kundër nesh, do të kursejmë shumë para. Nuk na intereson shumë”.
Ditën e enjte, ambasadori izraelit, Danny Danon, shprehu mbështetjen e tij për ambasadoren Haley, duke përshkruar ata që mbështetën rezolutën si “kukulla” për lidershipin palestinez. “Ata që mbështesin rezolutën e sotme janë kukulla që tërhiqen me fije nga palestinezët”, tha Danon. “Jemi si marioneta që kërceni teksa lidershipi palestinez ju shikon dhe talet me ju”.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI
Zgjedhjet 2018
James M. Lindsay
Miliona njerëz në të gjithë botën kanë votuar gjatë këtij viti. Francezët zgjodhën Emmanuel Macron si president, ndërsa koreano-jugorët zgjodhën Moon Jae-in. Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, fitoi një madat tjetër me një marzh më të gjërë mbështetjeje. Turqia votoi për të rritur autoritetin kushtetues të Presidentit Recep Tayyip Erdogan në një referendum popullor.
Theresa May në Britani humbi mazhorancën e saj parlamentare, ndërsa Shinzo Abe në Japoni arriti të korrte një fitore të jashtëzakonshme. Kancelarja gjermane Angela Merkele çoi partinë e saj përsëri drejt fitores, por tani po përpiqet të formojë një koalicion qeveritar. Referendumi i shumëdebatuar për pavarësi në Katalonjë shkaktoi një krizë kushtetuese në Spanjë dhe një tjetër referendum pavarësi e debatuar në Kurdistanin e Irakut shkaktoi tensione të mëdha politike. Vitin e ardhshëm do të kemi zgjedhje po kaq të rëndësishme që do të trondisin politikën ndërkombëtare dhe mund të kenë pasoja të mëdha përtej kufirit të vendit përkatës.
Zgjedhjet presidenciale në Egjipt (shkurt-maj)
Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi u ngjit në pushtet në korrik të vitit 2013, pasi kishte rrëzuar paraardhësin e tij, Mohammed Morsi, në një grusht ushtarak. Sisi u zgjodh më pas president në vitin 2014 me 96 për qind të votave, një avantazh tepër i dyshimtë për zgjedhje të lira e të ndershme. Gjasat janë që Sisi do të vazhdojë sundimin e tij edhe pse nuk ka arritur të mbajë premtimet për të rritur ekonominë, është akuzuar për abuzim me të drejtat e njëriut dhe i ka detyruar egjiptianët të jetojnë në gjendje të jashtëzakonshme që në prill të vitit 2016.
Për shkak të tendencës autoritare të regjimit të Sisit, administrata Trump ka prerë gati 100 milionë dolarë ndihma ekonomike për Egjiptin në muajin gusht. Popullariteti i Sisit ka rënë shumë. Khaled Ali, lideri i njohur i opozitës, i cili ka deklaruar kandidaturën e tij muajin e kaluar, tha në muajin qershor se: “Po të kemi zgjedhje të ndershme, kushdo mund ta mundë Sisin”. Pas kësaj deklarate, Ali u dënua menjëherë me 3 muaj burgim për “prishje të mirësjelljes publike”. Ky dënim me siguri do ta pengojë kandidaturën e tij, pasi Kushtetuta egjiptiane nuk lejon kandidaturën e asnjë personi të dënuar për “paturpësi publike”.
Zgjedhjet presidenciale në Rusi (18 mars)
Njëlloj si Presidenti Sisi, Vladimir Putin ka shumë mundësi të fitojë zgjedhjet. Në rastin e Putinit, fitorja do të sillte mandatin e tij të katërt. Ai ka shërbyer dy mandate 4-vjeçare si president ndërmjet viteve 2000-2008 dhe më pas fitoi një mandat 6-vjeçar në vitin 2016. Ish-agjenti i KGB-së ka një mbështetje publike prej 80 për qind, pavarësisht ekonomisë së ngadaltë dhe sanksioneve perëndimore. Politika e ashpër e jashtme, veçanërisht në Ukrainë dhe Siri, padyshim kontribon shumë në popullaritetin e tij.
Megjithatë, pavarësisht mbështetjes që gëzon, Putini nuk i lë asgjë rastësisë. Ai ka kufizuar në maksimum lirinë e medias dhe ka dënuar me burg kundërshtarët politikë, gjë që e kufizon ndjeshëm numrin e kandidaturave kundër tij. Alexei Navalny, një nga liderët më të famshëm të opozitës ruse, është penguar të kandidojë për shkak të dënimit të tij për “krime ekonomike”. Ksenia Sobchak, e quajtur ndryshe “Paris Hilton” e Rusisë, është vajza 30-vjeçare e këshilltarit politik të Putinit, ka hequr dorë nga gara. Ajo nuk është gjë tjetër veçse një kritike e aprovuar nga Kremlini dhe kohët e fundit është takuar me Putinit dhe ka thënë se nuk ka ndërmend ta kritikojë gjatë fushatës. Është e vështirë të fitosh zgjedhje pa kritikuar kundërshtarin.
Zgjedhjet parlamentare në Irak (12 maj)
Nëse Parlamenti iraken do të aprovojë rekomandimet e Komisionit Zgjedhor, votuesit e Irakut do të shkojnë drejt kutive të votimit në pranverë për të zgjedhur parlamentin e ri. Kanë shumë gjëra për të shqyrtuar. 15 vite pas pushtimit të Shteteve të Bashkuara, Iraku vazhdon të jetë një vend i rrezikshëm. ISIS e ka humbur Kalifatin, por vazhdon të jetë një kërcënim i madh. Vota e shtatorit nga kurdët për të formuar Kurdistanin e Irakut ngre pikëpyetje për të ardhmen e integritetit territorial të vendit. Përçarjet dhe përleshjet e dy partive të mëdha Shia, Këshilli Suprem i Islamik dhe Lëvizja Sdriste, shton një tjetër hallkë kompleksiteti. Edhe sikur zgjedhjet të kalojnë pa probleme, politikanët irakenë mund të përfundojnë si gjithmonë në luftë për të formuar një koalicion qeveritar. Kushdo që të dalë në krye të lëmshit, do të duhet të shërojë një vend me shumë fraktura dhe me shumë probleme.
Zgjedhjet e përgjithshme në Itali (jo më vonë se 20 maj)
Italianëve u pëlqejnë shumë qeveritë, kanë pasur plot 65 të ndryshme, që kur Italia u shpall republikë në vitin 1945. Bëhet fjalë për pothuajse një qeveri në çdo vit. Teksa italianët mendojnë për qeverinë numër 66, sondazhet tregojnë se Lëvizja me Pesë Yje hahet kokë më kokë me Partinë Demokratike të Qendrës së Majtë të kryeministrit Paolo Gentiloni. A mund të ketë rezultate të mira një parti e djathë populiste euroskeptike, siç ka ndodhur edhe në vend të tjera të Europës? Ka mundësi.
Italianët janë të pakënaqur nga papunësia e lartë, borxhi i madh qeveritar dhe kriza e refugjatëve. Nëse L5Y arrin të dalë në krye, Luigi Di Maio do të ishte kandidati i ardhshëm për kryeministër. 31-vjeçari do të përballej me një sfidë të menjëhershme dhe nuk po flasim për faktin se nuk ka punuar asnjëherë në jetën e tij. Gentiloni miratoi këtë vit një ligj zgjedhor që e bën të vështirë për çdo parti të fitojë mazhorancë të lartë. Ndërkohë, L5Y thotë se nuk do të japë asnjë vend në kabinet për të formuar koalicion qeveritar. Partitë e tjera natyrisht nuk do të jenë dakord që të formojnë qeveri me këto kushte, kështu Di Maio dhe kolegët e tij mund të përfundojnë jashtë qeverisë edhe nëse fitojnë më shumë vota se partitë e tjera.
Zgjedhjet e përgjithshme në Pakistan (90 ditë nga 5 qershori)
Kryeministri pakistanez Nawaz Sharif dha dorëheqjen në muajin korrik, pasi Gjykata e Lartë e dënoi me marrëveshje të dyshimta financiare që dolën në dritë pas çështjes “Panama Papers”. Para shpërthimit të skandalit, partia e Sharif Liga Muslimane, dukej e pozicionuar shumë mirë për zgjedhjet e vitit 2018. Tani e ardhmja e partisë është e paqartë. Partia e opozitës është Tehreek-e-Insaf (Lëvizja për Drejtësi e Pakistanit), që drejtohet nga ish-lojtari i kriketit, Imran Khan. Partia duket në pozicion më të fortë krahasuar me një vit më parë, por ndoshta kjo nuk ka rëndësi.
Partia e Popullit të Pakistanit, partia politike demokratike më e vjetër e vendit, mund të kthehet në faktor. Cilado parti të fitojë nuk do të ndryshojë faktin se ushtria dominon qeverinë e Pakistanit dhe pak gjëra mund të bëhen pa aprovimin e saj. Pakistanezët madje pretendojnë se zgjedhjet do t’i fitojë ajo parti që merr miratimin e ushtrisë dhe Shteteve të Bashkuara. Sido që të jetë, viti 2013 ishte kalimi i parë demokratik i pushtetit në historinë e Pakistanit, pra zgjedhjet e vitit 2018 do të jenë tepër të rëndësishme.
Zgjedhjet presidenciale në Meksikë (1 korrik)
Meksika u diskutua shumë gjatë zgjedhjeve presidenciale amerikane, falë Presidentit Trump. Shtetet e Bashkuara me shumë gjasa do të diskutohet gjithashtu gjatë zgjedhjeve të vitit 2018 në Meksikë. Presidenti Enrique Peña Nieto, i cili ndalohet me Kushtetutë të kandidojë në zgjedhje, është treguar i kujdesshëm në marrëdhënien e tij me Donald Trump. Kjo është pritur keq në Meksikë. Kandidati kryesor është ish-kryetari i Bashkisë së qytetit të Meksikës, Andres Manual Lopez Obrador. “AMLO” siç quhet ai ndryshe, është renditur i dyti në dy zgjedhjet e mëparshme presidenciale dhe humbi zgjedhjet e debatuara të vitit 2006 me më pak se 1 për qind të votave. Si lideri i partisë së majtë Lëvizja e Rigjenerimit Kombëtar “MORENA”, ai është zotuar se do të luftojë kundër politikës së Trumpit kundrejt Meksikës. Por, njëlloj si Trump, AMLO është edhe një kundërshtar i marrëveshjes NAFTA, edhe pse platforma e partisë flet më shumë për përmirësimin e tregtisë, jo kundërshtimin e plotë të marrëveshjes. Një tjetër kandidate është Margarita Zavala, gruaja e ish-presidentit Felipe Calderon. E quajtur ndonjëherë si “Hillary Clinton e Meksikës”, Zavala është ndarë kohët e fundit nga partia e bashkëshortit të saj, Partia Kombëtare e Veprimit, për të formuar një të sajën.
Zgjedhjet e përgjithshme në Brazil (7 dhe 28 tetor)
Vitet e fundit kanë qenë të vështirë për Brezilin. Ekonomia është ngadalësuar dhe papunësia është nivelin më të lartë të 20 viteve të fundit. Presidentja Dilma Rousseff humbi votën e besimit vitin e kaluar, ish-presidenti Luiz Inacio Lula da Silva u dënua për pastrim parash verën e kaluar, presidenti në detyrë Michel Temer është akuzuar formalisht për shantazh dhe pengim të drejtësisë dhe një skandal korrupsioni ka mbuluar të gjithë elitën politike të Brazilit. Jo çuditërisht, një sondazh i kohëve të fundit tregoi se 87 për qind e brazilianëve mendonin se ishte “thelbësore” që kandidatët të mos ishin prekur nga akuzat e korrupsionit.
Megjithatë, Lula, lideri i partisë së majtë, deri tani është në krye të sondazheve, por nëse ai humbet gjyqin e apelit, do të marrë rrugën drejt burgut, jo presidencës. Kandidatët që mund të jenë më konkurrues në rast të largimit të Lulës, janë Jair Bolsonaro,, kongresmen i të djathtës estreme, i njohur për shpërthimet e tij homofobe dhe seksiste, ose Marina Silva, e cila konsiderohej si kandidate fituese në vitin 2014. Kushdo që të fitojë, do të trashëgojë një politikë të mbushur me probleme dhe publik tepër dyshues rreth politikanëve të tij.
Zgjedhjet e Mesmandatit të Shteteve të Bashkuara (6 nëntor)
Zgjedhjet e Mesmandatit në Shtetet e Bashkuara zakonisht nuk përfundojnë në favor të partisë së presidentit në fuqi. Gjatë shtatë dekadave të fundit, partia e presidentit ka humbur mesatarisht 25 vende kongresi gjatë zgjedhjeve të mesmandatit. Ndonjëherë rezultatet janë akoma më të këqija. Presidenti Obama i humbi demokratëve plot 65 vende në zgjedhjet e vitit 2010. Kjo do të thotë se viti i ardhshëm do të jetë i keq për republikanët? Aspak.
Sipas ndarjes së distrikteve mund të pritet që kandidatët demokratë të fitojnë më tepër vota se republikanët, por përsëri mund të përfundojnë me më pak vende në kongres. Për sa i përklet senatit, demokratët duhet të mbrojnë të 38 vendet që rrezikojnë në vitin 2018. Gjërat janë akoma më të vështira për demokratët, pasi duhet të mbrojnë 10 vende në shtetet që Donald Trump ka dalë fitimtar në vitin 2016, ndërsa vetëm një senator republikan do të garojë në një shtet të fituar nga Hillary Clinton. Natyrisht zgjedhjet janë ende larg dhe deri atëherë mund të ndodhin shumë gjëra që mund të dëmtojnë secilën parti.
Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI