-Më nëntor të 2012, Shqipëria abstenoi në OKB, gjatë votimit që Palestina të merrte statusin e vëzhguesit në OKB. (138 pro, 41 abstenim, 9 kundër). Me cilët shtete i dëmtoi marrëdhëniet e Shqipërisë kjo votë?
Absolutisht Shqipëria ka abstenuar, por duhet të them një gjë. Ka një material të botuar ndërkombëtarisht dhe kjo është fjala e Sali Berishës në OKB, në të cilën unë jam shprehur se Shqipëria ka njohur pavarësinë e Palestinës, por i bën thirrje miqve palestinezë të heqin dorë nga kjo kërkesë dhe të ulen në tryezë për të shqyrtuar ato çka Kuarteti ka kërkuar ato ditë. Shqipëria abstenoi dhe të jem i hapur as që mund të mendoja të votoja pro sepse çfarë ishte ajo? Ajo nuk ishte gjë tjetër veçse një rezolutë që kërkonte të shmangte SHBA nga zgjidhja e problemit dhe ai problem pa SHBA-të nuk zgjidhet kurrë. Përkundrazi, pa SHBA ai problem mund të çojë drejt një lufte të egër botërore. Më datën 28 nëntor të vitin 2012, Kryeministri i Turqisë Erdogan, në një insistim të jashtëzakonshëm kërkonte që unë të ndryshoja qëndrim dhe të votoja pro rezolutës palestineze, gjë të cilën unë ia bëra të qartë, se Shqipëria në çështjen e sigurisë ndjek dhe do të votojë SHBA-të, kjo është po kaq e vërtetë dhe për Lindjen e Mesme, dhe se ndërkohë Shqipëria nuk mund të bëhet shtojcë e politikës së askujt në Lindjen e Mesme përveçse të mbështesë politikën e SHBA-ve. Nuk votova pro, abstenova, një akt për të cilin unë u falënderova nga SHBA. Edhe dje, duhet ta dinë shqiptarët, delegacioni SHBA në OKB ka falënderuar të gjitha vendet që abstenuan, nominalisht, sikundër ka deklaruar se do e mbajë mend mirë pabesinë që iu bë nga miqtë. Ishte bërë një lobim, vendet mike, përfshirë dhe Shqipërinë iu ishte kërkuar të votonin kundër rezolutës, por natyrisht Edi Rama ka zërat e etërve dhe urdhrat i merr nga qendra të tjera, të cilat s’kanë asgjë të përbashkët me interesin shqiptar.
Berisha: Si refuzova Erdoganin për të dalë kundër SHBA në OKB
Këlyshi i Sul Bushatit thotë se votuam kundër SHBA sipas mësimeve të Enverit

Ky është reagimi i ministrit të Jashtëm, Bushati ndaj votës kundër SHBA në OKB. Ai thotë se kanë votuar në OKB njësoj si në kohën e diktaturës dhe nën mësimet e shokut Enver. Po kush është Ditmir Bushati? Ai është i biri i Sul Bushatit, një genocidistëve më të mëdhenj të diktaturës në Veriun e vendit gjatë diktaturës i ushqyer me propagandën se Shtetet e Bashkuara janë armiku më i madh i Shqipërisë socialiste.
Postimi i tij
Në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve.
Fakt është që rezoluta pro të cilës votoi Shqipëria dje, i referohet Rezolutave të mëparshme të Këshillit të Sigurimit. Më konkretisht Rezoluta 252 e vitit 1968, Rezoluta 476 e vitit 1980, Rezoluta 478 e vitit 1980 dhe me e fundit, Rezoluta 2334 e vitit 2016. Këto rezoluta, janë bërë pjesë e korpusit të normave ndërkombëtare dhe rrjedhimisht janë të detyrueshme për ne.
Po ashtu, Shqipëria ka votuar në mënyrë konstante pro rezolutave të OKB-së në lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme, në tërësi, dhe në veçanti pro rezolutës specifike që trajton çështjen e vendbanimeve në territoret e pushtuara, përfshi Jeruzalemin Lindor, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ky qëndrim i konsoliduar i Shqipërisë ka qënë e mbetet i njëjtë pavarësisht se kush ka qenë në drejtim të punëve të shtetit, përfshi këtu votimin në vitin 2012 dhe në vitin 2013 e deri sot si shumica dërrmuese e vendeve të OKB-së.
Fakt është se parimet, orientimi dhe qëndrimet në politikën e jashtme të një vendi janë shumë më të qëndrueshme sesa trillimet e atyre, të cilët përpiqen të minojnë gurin themeltar të partneritetit tonë me SHBA-të në fushën e forcimit të shtetit ligjor dhe të demokracisë në Shqipëri, që është reforma në drejtësi.
Hannah Arendt ka pasur të drejtë kur thoshte se e keqja më e madhe e një shoqërie nuk është nazisti i bindur e as komunisti i devotshëm, por të gjithë ata për të cilët dallimi mes fakteve dhe trillimeve, të vërtetave dhe gënjeshtrave, nuk ekziston.
Vota kundër SHBA ndan Kosovën nga Rama
Shtetet e Bashkuara kanë pësuar një disfatë në diplomaci, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, ku është kundërshtuar fuqishëm njohja që Amerika ia ka bërë Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.
Plot 129 shtete kanë shprehur qëndrim të kundërt me Uashingtonin, përfshirë edhe Shqipërinë. Por, ndryshe nga Shqipëria, Kosova do t’i kishte dalë në krah Amerikës, nëse do të ishte anëtare e OKB’së. Kështu thotë numri një i Kosovës, Hashim Thaçi, në një prononcim për Express.
Nëpërmjet një akti kolektiv të mosbindjes karshi Uashingtonit, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka votuar 129 me 9, me 35 abstenime, për të kërkuar që SHBA’ja të shfuqizojë deklaratën e 6 dhjetorit 2017 për Jerusalemin, qytetin e shenjtë të pretenduar për kryeqytet si nga izraelitët, ashtu edhe nga palestinezët.
Rezoluta e OKB’së është jo obliguese dhe rrjedhimisht kryesisht simbolike, por votimi bindës ka vënë në pah lëkundjen që ka shkaktuar në politikën botërore vendimi i administratës Trump për ta thyer një konsensus ndërkombëtar 50-vjeçar për statusin e Jerusalemit, si dhe izolimin diplomatik të Amerikës.
Aleatët kryesorë, si Britania, Franca, Gjermania dhe Japonia, të gjithë votuan pro rezolutës, ndonëse disa aleatë, si Australia dhe Kanadaja, abstenuan.
Rezolutën që dënon njohjen e Jerusalemit kryeqytet e mbështeti edhe Tirana zyrtare.
Por, Kosova, që s’bën pjesë në OKB, do të kishte votuar ndryshe. Këtë qëndrim e ka zbuluar vetë presidenti i vendit, Hashim Thaçi. “Edhe sikur të ishte vetëm vota e Amerikës kundër kësaj rezolute, e dyta do të ishte e Kosovës”, ka deklaruar Thaçi për Gazetën Express.I pari i vendit ka thënë se Kosova do të rreshtohej krah Amerikës, “pa marrë parasysh se si do të votonin të tjerët për këtë çështje”.
Armë të prodhuara në Shqipëri përdoren nga ISIS
Raporti britanik
Një hetim trevjeçar në Irak dhe Siri i kryer nga “Conflict Armament Research” (CAR) e rendit edhe Shqipërinë në tabelën e vendeve prodhuese, nga të cilat janë dokumentuar sasi armësh që përdoren nga Shteti Islamik në Irak dhe Siri.
Në tabelat “Sasitë e armëve të dokumentuara në Irak dhe Siri, sipas shtetit të prodhimit”, Shqipëria rezulton me 53 armë të identifikuara, ose 0.13% të totalit, nga të cilat 21 në Irak dhe 32 në Siri.
Nga vendet e rajonit, sasia më e lartë e armëve të identifikuara është nga Serbia (1211) dhe Bosnja (704).
Shteti i parë figuron Rusia, me 25.5% të totalit, i ndjekur nga Kina, me 25.4%.
Sipas raportit, rreth 90% e armëve dhe municioneve (97% dhe 87%, përkatësisht) të shpërndara nga forcat IS janë kalibra të Paktit të Varshavës – me origjinë kryesisht në Kinë, Rusi dhe vende prodhuese të Europës Lindore. Armët e kalibrit të NATO-s dhe municioni janë shumë më pak të përhapura, duke përbërë 3% dhe 13% të totalit, respektivisht; megjithëse këto sasi janë të ulëta, forcat e IS morën sasi të konsiderueshme të armatimit të NATO-s gjatë sulmeve fillestare ndaj forcave irakiane në vitin 2014.
Conflict Armament Research është një organizatë me bazë në Mbretërinë e Bashkuar që monitoron lëvizjen ndërkombëtare të armëve konvencionale, municioneve dhe materialeve ushtarake. Grupi monitoron zinxhirin e furnizimit të armëve që përdoren ilegalisht në zonat e konfliktit për të gjetur se si devijohen dërgesat e armëve.
Raporti “Armët në Shtetin Islamik”, i publikuar në dhjetor 2017 është rezultat i më shumë se tre vjet hetime në terren për zinxhirët e furnizimit të Shtetit Islamik. Dokumenti është financuar nga Bashkimi Europian dhe Zyra Federale e Jashtme e Gjermanisë. Ai paraqet një analizë të më shumë se 40,000 artikujve të rikuperuar nga grupi midis 2014 dhe 2017. Këto objekte përfshijnë armë, municione dhe komponentët gjurmues dhe agjentët kimikë të përdorur për prodhimin e pajisjeve shpërthyese të improvizuara.
Investigimi i CAR tregon se palët u përpoqën ta fshehin prejardhjen e armëve. Këto përpjekje përfshijnë: heqjen e municioneve nga kutitë origjinale, të cilat përndryshe do të siguronin informacione për dërgesën; ripaketimin e municioneve; dhe zhdukjen e shenjave të fabrikës për armët dhe municionin. Këto aktivitete janë dëshmi e përpjekjeve të qëllimta nga palët për të fshehur përfshirjen e tyre në furnizimin e armëve në konfliktet në Irak dhe Siri.
Transferimi i paautorizuar i armëve të destinuara fillimisht për forcat opozitare siriane ka rezultuar gjithashtu një burim domethënës armësh dhe municioni për ISIS-in, veçanërisht sistemet e përparuara antitank të armëve. Kina prodhoi 43.5% të të gjitha armëve të ISIS të dokumentuara në Irak dhe Siri. Interesante është se armët ruse ende janë më shumë se armët kineze në Siri, diçka që ndoshta lidhet me furnizimet e armëve ruse për t’i forcuar forcat ndaj regjimit. Pavarësisht ngarkesave të mëdha të pajisjeve perëndimore të kapura nga forcat e ISIS, armët e SHBA-së përbënin vetëm 1.8% të të gjitha pajisjeve të dokumentuara ndërmjet 2014 dhe 2017.
Monitor
Reagimi i Ambasadës Amerikane për votën në OKB
Ndërkohë që vota e Shqipërisë në OKB kundër kërkesës së SHBA për statusin e Jeruzalemit ka nisur akuzat politike pozitë-opozitë, pikërisht për këtë çështje ka reaguar edhe ambasada amerikane në Tiranë. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ambasada shkruan se SHBA ka pranuar të vërtetën e thjeshtë se Jeruzalemi është kryeqytet i Izraelit dhe se do të vazhdohet të punohet për paqen duke shpresuar në një rezultat sa më të mirë si për popullin izraelit ashtu dhe atë të palestinez.
POSTIMI I AMBASADËS SË SHBA:
Deklarata e Presidentit afirmoi realitetin e tanishëm dhe historik të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit. Shtetet e Bashkuara pranuan të vërtetën e thjeshtë se Jeruzalemi është qendra e legjislaturës, kryeministrit dhe gjykatës së lartë të Izraelit. Ne do të vazhdojmë të punojmë për paqen. Një proces që shpresojmë do të ofrojë rezultatin më të mirë si për popullin izraelit ashtu dhe atë të palestinez.
Votimi kundër SHBA, Nishani: Një dëmtim shumë i rëndë me vetëdashje i interesave tona strategjike
Ish presidenti Bujar Nishani hodhi poshtë pretendimet e ngritura nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati se vota kundër Shteteve të Bashkuara ishte e njehsuar me atë të Bashkimit Europian. Nishani thotë se nuk ekziston një qëndrim i BE-së duke sjellë shembullin e plot vendeve proamerikane që të paktën abstenuan.
“Ajo që unë nuk gjej dot është motivi i Shqipërisë në këtë rreshtim antiamerikan. Më së pari bien poshtë dy tezat e qarkulluara në mënyrë klandenstine nga media pro qeveritare në Shqipëri.
E para “njehsimi me qëndrimin e BE” dhe e dyta “qëndrimi kundër Presidentit Trump si individ”.
Bashkimi Evropian nuk pati dhe nuk ka asnjë qëndrim të njehsuar dhe deklaruar për vendimin e Qeverisë Amerikane për zhvendosjen e ambasadës së saj. Qëndrimi i BE është zgjidhja mbi bazën e njohjes së dy shtetetve. Të Izraelit dhe Palestinës. SHBA gjithashtu nuk e kanë mohuar egzistencën e dy shteteve. Shqipëria po ashtu ka këtë qëndrim dhe duhet ta mbajë këtë qëndrim; të zgjidhjes mbi njohjen e të dyja shteteve.
Por Rezoluta nuk kishte të bënte me këtë. Vetë shtete anëtare të BE si Polonia, Cekia, Rumania, Hungaria, Kroacia dhe Letonia nuk u rrjeshtuan pro kësaj Rezolute”, thotë Bujar Nishani, sipas të cilit “ky është një dëmtim shumë i rëndë me vetëdashje i interesave tona strategjike”.
Basha: Votë kundër SHBA, votë kundër interesit kombëtar
Kryetari i opozitës, Basha e konsideroi votën kundër Shteteve të Bashkuara në OKB si një votë që cënon intersin kombëtar të shqiptarëve. “Qëndrimi ynë përherë ka qenë në unison me qëndrimin e Shteteve të Bahskuara dhe për të parëhn herë në 27 vite ky qnëdrim ka ndryshuar”, tha Basha.
Basha tha se kjo çështje ka ndarë në mes politikën amerikane, madje edhe mes vetë republikanëve, ka krijuar një ndarje në qëndrimet e SHBA-së me BE-në dhe si ish-ministër i Jashtëm mund të them se është një çështje kontraverse.
Gjithsesi Basha tha se sot për herë të parë ndodhi që në 27 vjet, Shqipëria të ndryshojë qëndrim në raport me SHBA-të përsa i takon vendimeve për Lindjen e Mesme.
“Deri më sot kishim të njëjtin qëndrim, ne kemi qenë në krah të SHBA-ve për çdo çështje që kishte të bënte me Lindjen e Mesme. Sot pati një ndryshim, dhe Shqipëria u rreshtua në krah të shumicës së vendeve të BE-së. Mendoj se është një vendim i gabuar, pasi kemi të bëjmë me një qëndrim që duhej të ishte në përputhje me interesin e shqiptarëve, në krah të SHBA, aq më tepër kur BE nuk kishte vendosur një kusht të tillë në raport me vendet që aspirojnë anëtarësimin në Union”, tha Basha.
Berisha: Vendim bastardësh dhe antikombëtar
Ish-Kryeministri Sali Berisha pas votimit të Shqipërisë kundër SHBA-ve dhe Presidentit Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izarelit në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Sipas Berishës ky është një “akt i rëndë antikombëtar”.
“Sot klika e neo-bllokmenëve hoxhist, me në krye bastardin e xhelatëve të shqiptarëve Koleka, Rama votoi në OKB, në traditën atërore, kundër SHBA, vendit i cili nga vitet 20 të shekullit të kaluar deri sot ka luajtur rol përcaktues në lirinë e kombit shqiptar.
Duke dënuar me ashpërsi këtë qëndrim shtoj se me këtë akt politika e jashtme e Shqipërisë shndërrohet në një politikë të mirëfilltë antikombëtare. Ajo përfaqëson interesat e baronëve të drogës dhe balozëve neo-bllokmenë të krimit dhe jo të shqiptarëve”, shkruan ndër të tjera ish-kryeministri Sali Berisha në rrjetet sociale.
Si justifikohet Ministria e Jashtme
Mes 128 vendeve anëtare që kanë votuar pro kësaj rezolute ishte edhe Shqipëria. Ndërkohë 35 shtete kanë abstenuar dhe 9 vende të tjera kanë dalë kundër rezolutës.
Sipas tekstit të rezolutës çdo vendim për statusin e Jeruzalemit është nul dhe i pavlefshëm dhe se duhet të tërhiqet.
Pak pas këtij vendimi, Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar me anë të një deklarate, ku shpjegon pozicionin e Shqipërisë në këtë votim.
“Vota jonë sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë çështje. Shqipëria i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër të konsiderueshëm dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit e saj të linjëzuar me Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e MPJ.
Më herët, Trump dhe ambasadorja e SHBA në OKB kërcënuan se do të ndërpritet ndihma financiare për vendet që votojnë pro kësaj rezolute. Mes këtyre vendeve është gjithashtu edhe Shqipëria. Sidoqoftë për momentin është disi herët për të mësuar se cilat do të jenë pasojat reale të këtij pozicioni të Shqipërisë kundër vendimit të Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit. Shqipëria zgjodhi kështu të mbante të njëjtin qëndrim me Bashkimin Europian. Izraeli nga ana e tij e cilësoi OKB-në si ‘shtëpinë e gënjeshtrave’ dhe tha se ky votim do të përfundojë në koshin e plehrave të historisë.
Berisha: Shqiptarë, në këmbë të përmbysim kriminelët në pushtet
Një vendim i paprecedent është marrë dje nga PS me urdhër të Ramës për përjashtimin e opozitës nga Parlamenti. Byroja e Kuvendit në një mbledhje që ka patur debate të ashpra ka përjashtuar për 10 ditë 7 deputetë të opozitës për protestën e të hënës para Parlamentit për të kundërshtuar emërimin e Kryeprokurorit të Përkohshëm në shkeljet të Kushtetutës.
Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar, duke e cilësuar këtë vendim të Byrosë së Ramës një dëshmi tjetër të asgjësimit përfundimtar të Parlamentit pluralist të vendit nga baronët e drogës dhe krimit të narko-shtetit shqiptar.
Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, ndarja me të keqen, urgjencë e urgjencave! Shqiptarë, në këmbë të përmbysim kriminelët, trafikantët në pushtet! “Të dashur miq, sot kryehorri i Shqipërisë dhe Noriega i Europës përjashtoi nga Parlamenti 7 deputetë të opozitës, të cilët në një përpjekje ekstreme u përpoqën pa sukses të mbrojnë Kushtetutën, ligjin e vendit nga skizofreni që mjekohet me kokainë, kryetrafikanti i vendit Edvin Kristaq Rama.
Ky vendim është një dëshmi tjetër e asgjësimit përfundimtar të Parlamentit pluralist të vendit nga baronët e drogës dhe krimit të narko-shtetit shqiptar.
Ky akt dëshmon se në Shqipërinë e narko-shtetit të Noriegës nuk ekziston më Parlament, por narko-Parlament, strofull droge dhe krimi.
Ky vendim fton shqiptarët të ngrihen në lartësinë e përgjegjësive qytetare dhe të ndahemi sa më shpejt me të keqen, dhe me revoltën tonë të përmbysim një minutë e më parë, me të gjitha mjetet e mosbindjes civile pushtetin e krimit, drogës të skizofrenit që mjekohet me kokainë, kryehorrit të vendit, bastardit të xhelatëve hoxhist, Edvin Kristaq Ramës!”, shkruan Berisha.