Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë dje 6 personat e arrestuar të hënën, pas protestës së opozitës para Parlamentit, ku PD dhe LSI, kundërshtuan zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme. Gjykata e Tiranës vendosi “detyrim paraqitje” për të arrestuarit, të cilët akuzohen për akte dhune gjatë protestës të së hënës përpara Kuvendit, në kohën kur votohej Kryeprokurorja e përkohshme.
Gjatë masës së sigurisë, të pranishëm në sallën e gjyqin ishin edhe deputet e PD dhe LSI. Sipas policisë, ndalimi i tyre u bë, pasi gjatë protestës, në mënyrë aktive kanë kryer veprime të dhunshme, si: hedhja e sendeve të forta në drejtim të uniformave blu, hedhja e materialeve piroteknike, si dhe kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë në përmbushjen e detyrës.
Ndërkohë, Byroja e Kuvendit në një mbledhje që ka patur, ka debatuar ashpër ku ka përjashtuar për 10 ditë 7 deputetë të opozitës për protestën e të hënës para Parlamentit për të kundërshtuar emërimin e Kryeprokurorit të Përkohshëm në shkeljet të Kushtetutës. Vendimi është marrë vetëm me votat e mazhorancës, e cila bëri edhe kërkesën për përjashtimin e tyre.
Policia i arrestoi, Gjykata liron 6 protestuesit e opozitës
Gjykata Supreme në Britani vendim në favor të shqiptarëve
Nga Avokat Naim Hasani
Gjykata Supreme e Mbretërisë së Bashkuar ka marrë vendim që vendimet e Ministrisë së Brendshme britanike të marra në vitin 2013 për heqjen e shtetësisë britanike, ndaj dy shtetasve shqiptarë Dinjan Hysaj dhe Agron Bakijasi, të cilët kishin përfituar shtetësinë duke u deklaruar si shtetas kosovarë, kur në fakt janë nga Shqipëria, ishin të paligjshme dhe se ata gjatë gjithë kohës kishin qenë shtetas britanikë dhe nuk kishin paraqitur identitet të rremë, pra nuk kanë huazuar identitetin e një personi tjetër.
Në këtë vendim historik, Gjykata Supreme ka hedhur poshtë edhe dy vendimet e mëparshme të Gjykatës së Lartë britanike dhe Gjykatës së Apelit, të cilat e kishin quajtur të ligjshëm vendimin e Sekretares së Shtetit për Punët e Brendshme, për të ju hequr shtetësinë britanike personave të mësipërm.
Dinjan Hysaj dhe Agron Bakijasi janë të dy shtetas shqiptarë, që kanë mbërritur në Britani në fundin e viteve 1990 dhe kanë kërkuar azil me të dhëna false, duke pretenduar se persekutoheshin gjatë luftës në Kosovë. Ata kanë përfituar leje të përhershme qëndrimi në rrethana të ndryshme dhe pastaj kanë përfituar shtetësinë britanike.
Çështja kryesore që ishte shtruar para Gjykatës Supreme ishte nëse mashtrimi që këta shtetas kishin bërë në aplikimet e tyre në Mbretërinë e Bashkuar e bën efektivisht të pavlefshme dhënien e shtetësisë nga Ministria e Brendshme apo vendimi ka qenë i vlefshëm dhe këta persona kanë qenë dhe mbeten shtetas britanike, derisa ose nëse ndonjëherë Ministria e Brendshme vendos që tua heqë në të ardhmen, por duke ndjekur procedurë ligjore të saktë dhe me të drejtë apelimi, para gjykatave të sanksionuara me ligj.
Gjykata Supreme ka vendosur, pasi palët kishin rënë dakord mes tyre se Gjykata e Apelit e kishte aplikuar në mënyrë të gabuar doktrinën a “pavlefshmërisë” së heqjes së shtetësisë britanike që nga vendimi precedent në çështjen Pervez Akhtar në vitin 1981 dhe Ministria e Brendshme ishte e detyruar përpara, që t’i hiqte shtetësinë në raste si çështjet Hysaj dhe Bakijasi, vendime të cilat ishin të gabuara në ligj.
Gjykata Supreme e ka hedhur poshtë këtë vendim të Gjykatës së Apelit, vendim që ka qëndruar në fuqi për 36 vjet. Ky është një rezultat shumë i rëndësishëm përsa i përket sundimit të ligjit dhe precedentit ligjor britanik.
Po ashtu, Gjykata Supreme ka hedhur poshtë një vendim tjetër të Gjykatës se Apelit, të njohur si çështja Bibi e vitit 2007 dhe në mënyrë të qartë ka vendosur që personat e tretë, siç janë fëmijët e personave që kanë mashtruar në përfitimin e shtetësisë britanike janë të pafajshëm dhe duhet të qëndrojnë shtetas britanikë.
Padyshim, ky është një vendim me pasoja shumë të mëdha ngaqë janë shumë çështje të shqiptarëve dhe të kombësive të tjera, që Ministria e Brendshme ju ka hequr shtetësinë britanike, duke e quajtur të pavlefshme, sikur nuk ishin dhe nuk kanë qenë kurrë shtetas britanikë dhe çështjet e tyre ligjore të depozituara në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Apelit, ose në gjykatat kriminale, kanë qenë në pritje të vendimit përfundimtar të çështjes Hysaj dhe Bakijasi.
Vendimi i Gjykatës Supreme është i formës së prerë dhe i detyrueshëm për t’u zbatuar nga gjykatat e niveleve më të ulëta dhe çështjet e tjera që presin në gjykatë duhet të kenë të njëjtin përfundim.
Gjithsesi dua të sqaroj se, Ministria e Brendshme britanike ka të drejtë të plotë të vazhdojë me heqjen e shtetësisë, për ata që kanë marrë shtetësinë nëpërmjet mashtrimit, por tashmë jo nëpërmjet procedurës “nullify” pavlefshmërisë por procedurës së deprivimit të shtetësisë.
Shkatërrohet banda shqiptare e trafikut të drogës, 8 të arrestuar
Policia greke ka asgjësuar një tjetër organizatë kriminale të trafikut të drogës. Në pranga kanë rënë 15 pjesëtarë të kësaj organizate, 7 grekë dhe 8 shqiptarë, të moshës nga 16 deri 32 vjeç. Në të njëjtën kohë janë identifikuar dhe shpallur në kërkim edhe 8 pjesëtarë të tjerë. Për të njëjtën çështje janë proceduar edhe tre prindër, dy grekë e një shqiptar, për veprën penale të neglizhimit në përkujdesjen për fëmijët e tyre me moshë minorene.
Policia thotë se, arriti në asgjësimin e organizatës pas një pune investigative disa mujore. Tipari kryesor i veprimtarisë së trafikantëve është se ata shisnin doza të vogla kanabisi dhe kokaine dhe kurrë nuk mbanin me vete sasi të mëdha.
Një tjetër veçori dalluese ishte se, siç rezultoi nga përgjimet telefonike, trafikantët shqiptarë komunikonin, duke përdorur dialekte të ndryshme të gjuhës së tyre, me qëllim që në rast përgjimi, të mos merreshin vesh nga përndjekësit. Gjithsesi, autoritetet mundën ta zbardhin gjithë veprimtarinë e organizatës, që i kishte tregjet e veta në pjesën Perëndimore dhe Verilindore të Athinës, por edhe në qendër dhe në zonën bregdetare.
Organizata kishte krijuar dhe një rrjet shitjesh në mjaft shkolla të mesme. Nga verifikimet e policisë ka rezultuar se ata kishin një numër të madh klientësh të mitur.
Gjatë operacioneve për asgjësimin e organizatës, policia ka sekuestruar edhe 1,7 kg kanabis, 26 gr kokainë, një numër të madh pilulash narkotike, 35 telefona celularë, një shumë parash prej 14.040 euro, 2 automjete, 2 pistoleta dhe 3 fishekë, 8 thika luftarake, shënime nga shitblerjet e drogave, si dhe bexha të policisë greke.
Protestat, tre skenarët e opozitës
Kryetari i PD, Basha deklaroi tre skenarët e mundshëm që janë në tryezën e opozitës për vendimet që do të merren për qëndrimin ndaj Parlamentit dhe protestat. Skenari i parë është marrëdhënie e kushtëzuar e Parlamentit, rikthimi në kushtetueshmëri i Prokurorit të Përgjithshëm. Skenari i dytë është bojkot pa afat. Kjo do ta simbolizonte krizën kushtetuese dhe politike) Skenari i tretë është invalidimi i mandateve (nëse kryhet, kryehet me opozitën e bashkuar. Nëse e bën e vetme, vendet e saj i merr partia tjetër. Nëse bëhet, avantazhi është se ekspozohet Parlamenti monist.
Basha tha se nuk ka pasur një skenar që protestuesit të futeshin në Parlament. “Nuk kishte një skenar për t’u futur në Parlament. Po të kishte skenar të tillë, njerëzit do të ishin në Parlament”, tha Basha. Kryetari i opozitës deklaroi se opozita nuk mund të perceptohet si një njësit guerril, por si forcë politike e alternativës. “Opozita nuk është pjesë e së keqes. Nuk është bërë palë me allishverishet e kësaj mazhorance dhe as ka elementë të inkriminuar brenda saj”, tha Basha.
“Është hera e parë në 27 vjet që një ministër i Brendshëm ka vënë në dispozicion të trafikut të drogës strukturat e shtetit. Rama mund të lajë duart si ponc pilati, por shkresa e SHISH ka emrat e 127 oficerëve të policisë, drejtues të policisë të përfshirë në trafik. Edi Rama e ka ditur dhe nuk ka reaguar. Rama është në panik prandaj kërkon të mbyllë hetimet”, tha Basha.
-Pse nuk e zgjodhët kryeprokurorin në bashkëpunim me Ramën?
Eshtë propagandë ftesa e Ramës. E kishte caktuar kandidatin. Ftesa ka brenda hilen që në kapjen e prokurorit të kishte edhe duart e opozitës.
Në Kushtetutë, sipas Reformës në Drejtësi, përcaktohet qartë se duhet një prokuror me vetting, jo një vetting siç u zgjodh, duhet të vijë nga KLP dhe me 3/5.
-Eshtë e kapur Arta Marku?
Nuk është çështje emri. Edi Rama është kryeprokuror.
-SHBA kundër?
Ne jemi për Kushtetutën, jo për shkeljen e saj. Nëse jemi për shfaqje dhe të bëjmë çfarë thonë ambasadorët, ok.
Ka me dhjetëra deklarata për vettingun. Sot prokurorja është pa vetting. Fryti i vetëm i asaj që ka ndodhur të hënën do të jetë mbyllja e akuzave për Tahirin, Dakon, Sejdinin, etj.
-Çfarë propozuat ju?
Të zbatohej Kushtetuta, të krijohej KLP. Konsensusi është në Kushtetutë. Mandati përfundoi. KLP nuk ishte.
Ka një koncept të vazhdimësisë institucionale. Nuk ishim në krizë të prokurorit të përgjithshëm.
-Cili është komunikimi juaj me ambasadorët?
Komunikimi im me ambasadorët është i direktë. Unë parashtroj qartë qëndrimet e opozitës. Ne nuk na e ka përgjegjësinë ambasadori Lu dhe Vllahutin, por Edi Rama. Opozita nuk bën përgjime. Opozita çfarë ka e ka nxjerrë, çfarë do të ketë, do ta nxjerrë. Suksesi i opozitës është vetëdijësimi i faktorit ndërkombëtar për rrezikun ekzistencial që vjen nga krimi i organizuar dhe droga.
-Bashkimi Europian thotë se është në rrugën e duhur…
Po kur thonë se është në rrugën e duhur, si ka mundësi që nuk hapen negociatat? Realiteti shqiptar është se Shqipëria ka numrin më të madh të azilantëve. Nuk i hapin dot negociatat, edhe sikur Junkeri ta puthte Edi Ramën në ballë. Sepse Edi Rama i bën vendit një menaxhim mafioz. Eshtë i lidhur me krimin.
Jemi në krizë të trefishtë politike, ekonomike, morale
Kryetari i PD, Basha është ndalur tek gjendja e vështirë ekonomike duke kujtuar se edhe sipas raporteve të vetë INSTAT të kontrolluar nga Rama afro gjysma e shqiptarëve nuk kanë mundësi që të ngrohen në këto ditë të ftohta.
Edi Rama kontrollon sot të gjitha pushtetet. Kontrollon edhe Parlamentin nga vjedhja e votës, siç e faktoi studimi i Bashkimit Europian për blerjen e 20 për qind të votave. Raporti i eurostatit 27500 shqiptarë kanë kërkuar azil këtë vit. Largohet popullsia e 18-34 vjeç. Shqiptarët ikin nga dëshpërimi. I vetmi vend ku prodhimi dhe eksporti është droga. Jemi në krizë të trefishtë politike, ekonomike, morale. 43 në 100 familje nuk paguajnë dot energjinë.
Ekonomia shqiptare nuk po rritet më dhe kjo është zgjedhje politike e Edi Ramës. E kam paralajmëruar këtë krizë institucionale, kapjen nga Edi Rama. Propaganda dhe mashtrimi kanë bërë që të nënshtrohen edhe elitat. Ka folur vetëm opozita 4 vjet për dekrimimalizimin, drogën. Opozita i ka bërë detyrat e saj.
Do afrojmë elitën e vendit në PD
Sfida e opozitës nuk është vetëm mobilizimi i protestës, por të hedhim hapat e nevojshëm që çdo energji pozitive të mblidhet rreth një aleance vlerash dhe jo qelbësirash, që na solli në këtë ditë.
Aleancë vlerash me elitën e vendit duke u krijuar besimin e plotë të PD. Ky është një proces i vështirë, por sa herë PD ka arritur ta bëjë, ka fituar zgjedhjet dhe ka fituar vendi.
-A ke reflektuar personalisht?
Sigurisht që po. Në PD ka vend për të gjithë ata që duan të kontribuojnë. Pas analizës do të shkojmë me një produkt që të bashkojë të gjithë.
Ju po flisni si në Holandë kur keni përballë një autokraci.
Shqiptarët duhet ta vendosin. Duan standardin holandez apo duan t’ia mbathin në Holandë. Nëse duan Holandën, meqë e stigmatizuat, se unë kam studiuar atje, atëherë duhet të besojmë tek aleanca e vlerave, ku më i miri të triumfojë.
Paralajmërimi amerikan për votën kundër
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë që hedh poshtë vendimin amerikan për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe për të lëvizur atje ambasadën e SHBA.
Në mbyllje të votimit, 128 vende u shprehën pro rezolutës, 9 kundër dhe 35 abstenuan. Shqipëria votoi pro rezolutës.
“Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë këtë ditë në të cilën u veçuan për t’u sulmuar në Asamblenë e Përgjithshme për vetë aktin e ushtrimit të së drejtës sonë si vend sovran”, tha ambasadorja e SHBA Nikki Haley në komentet e bëra në sallën e mbushur plot para votimit.
“Ne do ta kujtojmë këtë kur të na kërkohet përsëri të japim kontributin tonë në Kombet e Bashkuara, më i madhi në botë; do ta kujtojmë gjithashtu kur shumë vende të vijnë e të na kërkojnë, siç bëjnë aq shpesh, që ne të paguajmë akoma më shumë dhe të përdorim ndikimin tonë në dobi të tyre”, shtoi zonja Haley.
“Ata që mbështesin rezolutën e sotme janë si kukulla të manipuluara me fijet e mjeshtërve palestinezë”, tha ambasadori izraelit Danny Danon. “Jeni si marioneta të detyruara të kërceni, ndërsa udhëheqja palestineze ju vëzhgon e ngazëllyer,” tha ai.
Sesioni emergjent i Asamblesë së Përgjithshme u kërkua nga palestinezët me mbështetjen e vendeve arabe dhe atyre të paangazhuara.
Votimi në Asamblenë e Përgjithshme
Sesioni u mbajt pas vetos që SHBA i vuri të hënën në Këshillin e Sigurimit një projekt-rezolute pothuajse të njëjtë, të cilën të gjithë anëtarët e tjerë të këshillit e mbështetën.
Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme riafirmon statusin e veçantë të Jeruzalemit si një qytet i shenjtë dhe si një çështje e statusit përfundimtar që do të zgjidhet në negociatat e ardhshme izraelito-palestineze.
Aty thuhet gjithashtu se “të gjitha vendimet dhe veprimet që pretendojnë të kenë ndryshuar karakterin, statusin ose përbërjen demografike të Qytetit të Shenjtë të Jeruzalemit nuk kanë efekt ligjor, janë të pavlefshme dhe duhet të anulohen”.
Ndryshe nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit, kjo rezolutë nuk është ligjërisht e detyrueshme për t’u zbatuar, por mbart peshë morale, duke demonstruar vullnetin e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare.
Ajo u miratua me më shumë se dy të tretat e 172 vendeve që votuan – 128 vende e mbështetën, nëntë votuan kundër dhe 35 vende abstenuan.
Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit iu bashkuan në votimin “jo” Guatemala, Hondurasi, Ishujt Marshall, Mikronezi, Nauru, Togoja dhe Palau.
Më shumë se 20 vende nuk u paraqitën në votim, përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë, të cilat kanë kërkuar ndihmën e SHBA për të frenuar agresionin rus ndaj vendeve të tyre.
Një fushatë presioni
Më parë këtë javë, ambasadorja e SHBA, Haley, u shkroi shumë vendeve anëtare të OKB-së dhe i paralajmëroi se do të mbante shënim emrat dhe do t’i raportonte Presidentit Donald Trump se si votuan vendet e ndryshme, duke vënë në dukje se presidenti po e merrte votën e së enjtes në mënyrë personale.
“Historia i regjistron emrat, i kujton emrat,” tha në Asamblenë e Përgjithshme ministri Jashtëm palestinez Riyad al-Maliki. “Emrat e atyre që i qëndrojnë asaj që është e drejtë dhe të atyre që flasin gënjeshtra.” “Sot ne jemi kërkues të të drejtave dhe të paqes,” shtoi ai.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu edhe posaçërisht në Nju Jork për të marrë pjesë në seancën e veçantë. Ai hodhi poshtë me zemërim paralajmërimin e zotit Trump se nëse vendet votojnë kundër Shteteve të Bashkuara, ai mund t’u shkurtojë ndihmat.
“Një qëndrim i tillë është i papranueshëm,” tha zoti Cavusoglu. “Ky është frikësim dhe kjo sallë nuk do të përulet para kësaj. Është joetike të mendosh se votat dhe dinjiteti i shteteve anëtare mund të shiten e blihen. Ne nuk do të frikësohemi.”
Por lobimi i SHBA përpara votimit i bindi disa vende të abstenonin, duke përfshirë fqinjët, Kanadanë dhe Meksikën.
“Meksika nuk e sheh si pozitive apo të dobishme për procesin e paqes faktin që u bë një deklaratë e njëanshme për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit”, tha pas votimit ambasadori Juan Gomez Camacho. “As nuk besojmë se është e dobishme, dhe e shohim si joproporcionale, të thërrasim një mbledhje emergjente të Asamblesë së Përgjithshme”, tha ai.
Edhe në Bashkimin Evropian prej 28-vendesh, disa anëtarë e braktisën konsensusin për Jeruzalemin, përfshirë Republikën Çeke, Poloninë dhe Hungarinë, të cilat abstenuan.
Më parë këtë muaj, Presidenti i SHBA Donald Trump tha se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Jeruzalemin kryeqytet të Izraelit dhe po fillojnë procesin e lëvizjes së ambasadës së SHBA atje.
Izraeli e konsideron tërë Jeruzalemin si kryeqytetin e tij të përjetshëm, ndërsa palestinezët duan Jerusalemin Lindor si kryeqytetin e një shteti të ardhshëm dhe thonë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një partner i besueshëm në procesin e paqes.
Administrata Trump thotë se është e angazhuar për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme në qoftë se kjo është diçka që palët e dëshirojnë dhe se vendi fizik i ambasadës amerikane nuk duhet të ketë ndikim në bisedime.
Trump: Marrin miliarda USD nga ne dhe votojnë kundër
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të ndërpresë ndihmën financiare ndaj vendeve që mbështesin një rezolutë të Kombeve të Bashkuara kundër njohjes së Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit. Pas deklaratës së Trump ku njohu zyrtarisht Jeruzalemin si kryeqytet i Izraelit mori një serë kritikash dhe kundërshtimesh nga liderë të shumtë nëpër botë. Por duket se Trump është i vendosur dhe jo vetëm kaq, pasi ai kërcënon hapur duke thënë: “Ata marrin miliarda dollarë dhe më pas votojnë kundër nesh. Le të votojnë kundër nesh, vetëm sa do të kursejmë më shumë, nuk na intereson fare”.
Tirana zyrtare ka një paralajmërim zyrtar dhe të drejtpërdrejtë nga qeveria Trump për votën në OKB në lidhje me Jeruzalemin.
Vota shqiptare në OKB rreth propozimit të SHBA-së për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, do të ketë pasoja direkte në marrëdhëniet mes të dyja vendeve. Të paktën, ky përfundim del nga një letër që ambasadorja e SHBA-së në këtë organizatë, Nikki Haley u ka dërguar delegacioneve të vendeve të ndryshme, përfshirë ato europiane, në të cilën diplomatja e shpreh qartë se, çfarë do të thotë një “Jo” ndaj propozimit të Donald Trump.
“Do të raportoj te Presidenti i SHBA-së emrat e të gjithë atyre që mbështesin një draft rezolutë që hedh poshtë lëvizjen e SHBA-së në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Presidenti Trump e ka marrë personalisht këtë çështje”, citon “The Guardian”, e cila komenton letrën e ambasadores së SHBA-së.
“Ndërsa konsideroni votën tuaj, ju inkurajoj që ta dini se Presidenti dhe SHBA do të marrë këtë votë personalisht. Presidenti do ta vëzhgojë këtë votë me kujdes dhe më ka kërkuar që të raportoj për ata që votojnë kundër nesh”, vijon letra e Haley.
Një mesazh i qartë dhe i prerë, pa asnjë ekuivok dhe marzh manovre për çdo vend, të cilit i kërkohet ta shikojë votën për Jeruzalemin nën metrin si politikë pro apo antiamerikane. Haley bën disa nënvizime që duket sikur shkojnë drejtpërdrejt për Shqipërinë.
Në OKB na është kërkuar përherë të bëjmë dhe japim më shumë. Kështu që kur ne marrim një vendim, me vullnetin e popullit amerikan, rreth faktit se ku do të caktojmë vendndodhjen e ambasadës sonë, ne nuk presim që ata që kemi ndihmuar të na dalin kundër. Të enjten do të ketë një votë që kritikon zgjedhjen tonë. SHBA do të mbajë shënim emrat, thekson Haley.
Sesioni i Jashtëzakonshëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të mbahet të enjten dhe aty do të shprehen me votë të 193 anëtarët e saj. Mes tyre edhe Shqipëria, e cila për çështjen e Jeruzalemit është shprehur qoftë përmes pjesëmarrjes në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ashtu edhe përmes një prononcimi të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, sipas të cilit pozicioni për Jeruzalemin nuk ndryshon.
Paralajmërimi i Haley
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Nikki Haley, paralajmëroi përfaqësuesit e vendeve të tjera në Kombet e Bashkuara se do të mbajë shënim emrat, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të mblidhet sot në një sesion të rrallë emergjence për të shqyrtuar rezolutën që refuzon njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.
Zonja Haley tha se, Presidenti Trump i ka kërkuar që ajo t’i dorëzojë një raport mbi vendet, të cilat votojnë kundër Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Trump njoftoi më parë këtë muaj se, Uashingtoni do ta njohë Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit dhe do të fillojë përgatitjet për të ndërtuar atje një ambasadë të re. Vendimi shënon një ndryshim në politikën e Uashingtonit për Izraelin.
Njoftimi i zotit Trump u ndesh të hënën me një nismë brenda Këshillit të Sigurimit për miratimin e një rezolute ku theksohet “keqardhja e thellë për vendimet e fundit lidhur me statusin e Jeruzalemit”.
Katërmbëdhjetë nga të 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit votuan në favor të projekt-rezolutës, ndërsa Shtetet e Bashkuara përdorën fuqinë e vetos për ta bllokuar miratimin e saj.
“Ajo që pamë sot këtu në Këshillin e Sigurimit është një fyerje dhe nuk do të harrohet”, tha Nikki Haley, ambasadore e Shteteve të Bashkuara në OKB.
Zonja Haley tha dje se, Presidenti Trump i ka kërkuar që t’i dorëzojë një raport mbi ato vende, të cilat do të dalin kundër Shteteve të Bashkuara në sesionin e së enjtes.
Izraeli e shikon tërë Jeruzalemin si kryeqytetin e tij të përjetshëm, ndërsa palestinezët duan Jeruzalemin Lindor si kryeqytet të një shteti të ardhshëm dhe thonë se Shtetet e Bashkuara nuk janë më një partner i besueshëm në procesin e paqes.
Maskat, levë në kokë të moshuarit dhe grabisin lekët në banesë
Një i moshuar ka rënë pre e dhunës dhe e grabitjes nga maskat. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Muzinë të Bashkisë Finiq. Sipas burimeve të policisë, persona ende të paidentifikuar, pasi e kanë dhunuar 72-vjeçarin Koço Sharpo e kanë grabitur. Raportohet se autorët i kanë marrë të moshuarit një shumë prej 150 mijë lekësh.
Persona të maskuar dhe të armatosur janë futur në banesën e 72-vjeçarit Kosta Shapo në orën 03:00 të mëngjesit dhe kanë ushtruar dhunë dhe terror ndaj tij dhe i kanë grabitur 150 mijë lekë. I moshuari jeton vetëm në banesë, ku është qëlluar me mjete të forta në kokë dhe pjesë të tjera dhe është dërguar në Spitalin e Sarandës. Fillimisht të moshuarit i është dhënë ndihma e parë nga të afërmit, më pas ka mbërritur edhe ambulanca. Forcat e policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ai ka treguar për mediat se autori nuk i tha asnjë fjalë, por i bëri me shenjë që t’i jepte lekët. Pasi nuk i ka dhënë lekët, maska e ka qëlluar me mjete të forta në kokë. “Ishte ora 3 pas mesnatës. Hapa portën e jashtme, edhe ai ishte në rrëzë të portës, më vuri dorën në gojë dhe ai nuk foli, por ma bënte me shenjë. Vajta në dhomën e gjumit. Nuk foli. Kisha 150 mijë lekë nga pensioni që kurseja pak nga pak, ia dhashë vetë se po mos ja jepja do të më vriste”, shprehet Kosta Shapo.
72-vjeçari invalid, thotë se dorëzoi kursimet e tij për t’i shpëtuar më të keqes, por i trembet rrezikut se grabitësi do t’i rikthehet përsëri. “Por që do më vijë prapë, do më vijë. Do marrin vesh kur unë marr lekët, ata atë punë ruajnë”, thotë ai.
Ndërsa i moshuari po merr ndihmën mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, Policia e Sarandës ende nuk ka mundur të kapë autorin.
Grabitjet me maska janë kthyer frikshëm në të gjithë vendin. Dy ditë më parë u grabit një dyqan në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të së martës, ku persona të paidentifikuar kanë thyer xhamin e dyqanit me gurë dhe më pas kanë hyrë brenda. Nuk dihet ende sa është vlera totale e celularëve të grabitur. Ndërsa policia edhe në këtë rast nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorët.
Punonjësit e naftës në Ballsh nisin protestat pa afat
Punonjësit e Naftës në Ballsh kanë dalë sërish sot në protestë. Ata nisën këtë të enjte protestat ditore pa afat deri në zgjidhjen e problemeve. Punëtorët kërkojnë pagën e muajit nëntor, vazhdimësinë e punës dhe statusin e naftëtarit. Rreth 1000 punonjës ditën e djeshme e nisën protestën me një marshim nga uzina deri në qendër. Ata kanë deklaruar se, nëse problemi i tyre nuk gjen zgjidhje, protesta do përshkallëzohet deri në Tiranë.
Dy ditë më parë, reagoi edhe ish-Kryeministri Berisha për protestën e naftëtarëve. Në një postim në Facebook Berisha shkruante se: “Viktimat e vjedhjes së Armos nga Rama dhe Beso i tij në protestë!”.
Rreth 1000 punonjës prej 15 ditësh janë të pa punë, pasi Inspektoriati Shtetëror Teknik Industrial ka pezulluar punën për të kryer remontin në repartin e Koksit, ku rreth 15 ditë më parë ndodhi një avari dhe u plagos një punonjës.
Punonjësit kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të furnizuar me lëndë të parë uzinën për fillimin e punës sipas premtimit të kryeministrit Rama, që nafta shqiptare të përpunohet në Uzinën e Ballshit. “I kërkojmë shtetit të marrë masa. Do të përshkallëzojmë protestat nëse nuk merren masa. Po kështu, nëse nuk na japin pagesën do t’i vëmë flakën uzinës”, thonë protestuesit. Për shkak të defektit, rreth 1 mijë punonjës të Uzinës së Naftës në Ballsh kanë mbetur pa punë prej 2 javësh.
Përplasen 3 makina në aksin rrugor Lezhë-Milot
Një aksident i rëndë ka ndodhur ditën e djeshme rreth orës 16:45, në aksin rrugor Lezhë-Milot, tek kryqëzimi i Shënkollit ka ndodhur një aksident. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë, ku kanë konstatuar se ishin përfshirë në aksident 3 automjete dhe konkretisht; Automjeti me targa AA 550 GO me drejtues shtetasin A.M., ku dyshohet se si pasojë e mos ruajtjes së distancës, është përplasur me mjetin me targa AA 770 RF me drejtues shtetasin D.N.
Gjithashtu, mjeti me targa AA 770 RF me drejtues mjeti shtetasin D.N., si pasojë e përplasjes nga mjeti me targa AA 550 GO, është përplasur lehtë me mjetin me targa AA 558 EY të drejtuar nga shtetasi A.G. Si pasojë e këtyre përplasjeve është lënduar vetëm shtetasi A.M.,i cili është dërguar në Spitalin Rajonal Lezhë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën .
Lëvizja në këtë aks rrugor është e lirë dhe po menaxhohet nga shërbimet e Policisë Rrugore. Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Atentati me tre viktima në maj të 2016 do të rihetohet
Asgjë nuk është bërë për zbardhjen e atentatit me tre të vdekur një vit më parë në Vlorë. Prokuroria e Vlorës vendosi të rikthejë dosjen për vrasjen e Ilir Deromenës në polici, për hetime dhe gjetje provash të reja.
Prokuroria e Vlorës shpalli pezullimin e çështjes, dhe me anë të një shkrese riktheu dosjen për hetime të mëtejshme në polici. Bëhet fjalë për ngjarjen kriminale në 24 korrik të vitit 2016 në lagjen “Partizani” në Vlorë.
Aty u vra Ilir Deromenaj, i cili ishte shënjestra e atentatit. Kurse viktimë e rastësishme ishte Dhimitër Cani. Një javë më pas në siptal në Tiranë ndërroi jetë edhe Krenar Runaj. Autorët zbritën nga një makinë tip “Fuoristradë” dhe qëlluan me breshëri në drejtim të një tavolinë në lokal Eurolloto, ku ishte ulur Ilir Deromenaj.
Autorët arritën të largoheshin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe makinën e tyre e dogjën në rrugën nacionale Vlorë-Drashovicë në afërsi të fshatit Alikoke.
Në atë kohë supozohej se autorët ishin tre vetë. Por Prokuroria duket se ka gjetur mangësi në dosjen e policisë dhe pezulloi veprimet për të, duke e rikthyer edhe njëherë në vendin ku është hartuar.