31.5 C
Tirana
E diel, 13 Korrik, 2025

Mister mbi vrasjen e policit nga kolegu i tij në Peshkopi

Një efektiv policie ndërroi jetë në spital, pasi u plagos me pistoletë nga kolegu i tij në Dibër pas një sherri mes tyre. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:10 të mbrëmjes së djeshme në qytetin e Peshkopisë. Sipas burimeve të policisë, shtetasi Ardian Roçi me detyrë Specialist i IT, (punonjës civil në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër) mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në Spitalin e Peshkopisë.
Autori i dyshuar për ngjarjen është shtetasi Naim Murliu, 55 vjeç, banues në Peshkopi, punonjës policie, me detyrë Ndihmës Specialist në Seksionin e Teknologjisë dhe Përgjimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër. Një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes u nis drejt Peshkopisë për ta përcjellë drejt Tiranës për ndihmë të specializuar, por i plagosuri nuk ia doli, duke ndërruar jetë në spital.
Sipas burimeve, të dy punonjësit e policisë po ktheheshin nga një drekë në Dibrën e Madhe dhe gjatë rrugës kanë debatuar me njëri-tjetrin. Në konflikt e sipër, polici Naim Murliu, 53 vjeç ka qëlluar me armë zjarri Ardjan Roçin, 50 vjeç. Autori mësohet se e ka sjellë afër spitalit të plagosurin dhe më pas është vetëdorëzuar në polici. Megjithë ndërhyrjen e mjekëve, 50-vjeçari Roçi ka ndërruar jetë në spital.
Policia bëri të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, rreth orës 19:10, policia u njoftua se është dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore një shtetas i plagosur me armë zjarri. “Menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe nga verifikimet paraprake ka rezultuar se shtetasi Naim Murliu, 55 vjeç, banues në Peshkopi, punonjës policie, me detyrë Ndihmës Specialist në Seksionin e Teknologjisë dhe Përgjimit në Drejtorine Vendore të Policisë Dibër, duke u kthyer me mjetin e policisë nga një shërbim pune nga Maqellara për në Peshkopi, me shtetasin A.R., me detyrë Specialist i IT, (punonjës civil në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër), dyshohet se pas një konflikti të çastit e ka plagosur me pistoletë këtë të fundit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia bën të ditur se, i dëmtuari ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në Spitalin e Peshkopisë. “Një helikopter i Ministrisë së Mbrojties është nisur për ta përcjellë drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar. Autori i dyshuar është arrestuar për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje. Në drejtim të Dibrës është nisur menjëherë Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit së bashku me një grup specialistësh”, përfundon njoftimi i policisë.
Ende mbete mister vrasja e efektivit të policisë. Burime nga Policia e Dibrës bënë të ditur se dy efektivët e policisë po ktheheshin nga një drekë në Dibrën e Madhe dhe pas një sherri në makinë Naim Murliu ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar kolegun e tij Ardian Roçi. Ndërkohë, Policia e Dibrës bëri të ditur se dy efektivët po ktheehsin nga një shërbim pune nga Maqellara për në Peshkopi.
Nuk ka asnjë njoftim pse dy efektivët janë grindur mes tyre, duke udhëtuar me makinën deri në nxjerrjen e armës nga njëri prej tyre. Policia bëri të ditur se po hetohet për shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë.

R.POLISI

Basha: Rama kërkoi pazar për Kryeprokurorin, përgjigja që mori

Kryetari i opozitës, Basha deklaroi se Rama ka kërkuar që zgjedhja e Kryeprokurorit të bëhej përmes një pazari kokë më kokë.
Ai pranoi se ka pasur ftesa edhe direkte nga Rama për të zgjidhur çështjen, por kjo është refuzuar në mënyrë kategorike nga Basha. “Partia Demokratike nuk mund të zgjedhë kryeprokurorin me një pazar dhe aq më pak me një njeri që interesi i vetëm është të mbyllë dosjen e Saimir Tahirit”, tha Basha.

-Ju ka kërkuar Rama ta takoni së fundmi?
Po ka kërkuar. Edhe direkt. Po edhe direkt.

-Pse nuk e takuat?
Sepse ne nuk bëjmë pazar për Prokurorin e Përgjithshëm. Rama ka interes të mbyllë hetimet për krimin dhe drogën. Marrëveshja është shkatërruar kur Rama prishi dhe shkatërroi zgjedhjet.

2 tonelata drogë nga Vlora digjen nga policia italiane

Një sasi prej 2 ton drogë e llojit marijuanë dhe hashash, e konfiskuar në Lidos, tetorin e kaluar është djegur me incenerator. Në Ferrara, përveç tymit të zakonshëm të mbetjeve, dy javët e fundit në ajër ka pasur edhe substanca narkotike. Rreth 100 pako të mëdha marijuanë kanë përfunduar njëra pas tjetrës në incenerator në kontrollin e rreptë të Policisë së Ferraras dhe Comacchio-s.
Mediat italiane shkruajnë se, policia nuk kishte një ambient të posaçëm për sasinë e madhe të drogës së kapur, për të cilën është arrestuar një shqiptar dhe për këtë arsye, u zgjodh djegia e plotë e saj.
Tashmë, Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës nisjen e procesit gjyqësor për shqiptarin Rolando Rrapaj, djaloshi 19- vjeçar nga Vlora, që mediat italiane e cilësojnë si “kryeqytetin e drogës”. Procesi pritet të nisë në fillim të vitit 2018.
Shqiptari deri më tani nuk i është përgjigjur asnjë pyetjeje të hetuesve dhe policisë për rolin e tij të zbarkimit të sasisë së madhe të drogës në Lido Spina natën e 17 tetorin, në një plazh natyror në Bellocchio.
Megjithatë, ai akuzohet për posedim dhe trafikim ndërkombëtar të drogës dhe rrezikon më shumë se 10 vite burg. Pavarësisht kësaj, ai kurrë nuk e ka hapur gojën për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe pse ka edhe një avokat mbrojtës. Sipas hetimeve fillestare, Rrapaj mund të jetë pjesë e një organizate të madhe dhe që ka punuar në emër të saj.
Hetimet e policisë çojnë të gjitha lidhjet e trafikut në Shqipëri nga ku është edhe nisur ngarkesa e drogës. Përveç Policisë së Ferrara dhe Comacchio, hetimet për rastin po zhvillohen edhe nga Drejtoria e Antimafies.

Dy shqiptarë kapen me 15 kg kokainë në Itali

Dy shqiptarë u arrestuan në Breshia me 15 kg kokainë, vlera e të cilës në tregun italian shkon rreth 5 milionë euro. Një nga shqiptarët e arrestuar rezulton vetëm 14 vjeç, dhe një pjesë e drogës iu gjet në një çantë shkolle. Minoreni së bashku me një 24-vjeçar janë mbajtur në vëzhgim për disa ditë dhe më pas u arrestuan teksa dolën nga një garazh automjetesh. Ata janë ndaluar në bordin e një automjeti dhe në zotërim të 14-vjeçarit janë gjetur 6 kg kokainë e ndarë në disa pako. Pas kontrollit në banesën e minorenit 14-vjeçar janë gjetur dhe 9 kg të tjera kokainë, 3 kg prej të cilave ndodheshin në çantën e shkollës së bashku me një peshore të vogël.
14-vjeçari shqiptar ka lindur në Itali nga prindër shqiptarë, punëtorë të rregullt e të integruar mirë në jetën sociale breshiane. Një familje perfekte, e cila nuk kishte asnjë dijeni mbi atë çka kishte bërë djali i tyre.
Sipas hetimeve të policisë italiane 14-vjeçari shqiptar është shfrytëzuar si një hallkë lidhëse e trafikut të kokainës nga një organizatë kriminale trafikantësh. Pas marrjes në pyetje, minoreni shqiptar ka rrëfyer se ka pranuar propozimin e bërë nga dikush për të mbajtur fshehur këtë sasi të madhe droge.
Autoritetet italiane po hetojnë mbi anëtarët e tjerë të kësaj bande që me shumë gjasa janë trafikantë shqiptarë. Shqiptari tjetër i ndaluar 24 vjeç ka rrëfyer se është punësuar si korrier droge.
Ndaj 14-vjeçarit shqiptar është lëshuar urdhëri i arrestit me burg pranë qendrës minorene të vuajtjes së dënimit në Beccaria të Milanos. Ndërsa 24-vjeçari është shoqëruar në burgun Canton Mombello të Milanos.

Vendet e BE që nuk dolën kundër vendimit të Trump dhe SHBA

Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi për votën kundër SHBA sot në OKB. Sipas ministrisë, Shqipëria mbajti pozicionin e vendeve të Bashkimit Europian. Një argument i tillë duket i pabesueshëm, pasi mes vendeve që kanë abstenuar ka mjaft që janë anëtare të BE si Kroacia, Polonia, Çekia, Hungaria.
Shtetet anëtare të BE mund të kenë pasur dhe koordinim për të votuar kundër, si pjesë e një unioni, megjithatë ato kanë abstenuar duke dalë kundër Brukselit.
Madje dhe vende të tjera në rajon si Bosnja kanë abstenuar.
Ende është i pakuptimtë qëndrimi i Shqipërisë që doli kundër. Minimalisht mund të kishte abstenuar.

LISTA E VENDEVE QË ABSTENUAN NË REZOLUTËN KUNDËR SHBA

Argjentinë
Poloni
Rumani
Bosnje
Kanada
Kroaci
Antigua
Bahmas
Benin
Republika Domenikane
Guniea Ekuadoriale
Fiji
Haiti
Hungari
Xhamajka
Kiribati
Lituani
Lesotho
Malavi
Meksika
Panama
Paraguai
Filipine
Ruanda
Ishujt Solomon
Sudani i Jugut
Trinitad Tabago
Tuvalu
Uganda
Vanuatu

 

Basha pret Talat Xhaferrin: Zbatim Marrëveshjes së Ohrit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti në takim kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, z.Talat Xhaferri, me të cilin ndau vlerësimin dhe kënaqësinë që sjell caktimi i tij në krye të Parlamentit në vendin fqinj, si një shenjë kjo e emancipimit politik dhe progesit të shoqërisë maqedonase, si tregues i ecjes përpara në realizimin e të drejtave të shqiptarëve, dhe si pikë kulmore e bashkëjetesës demokratike.
Partia Demokratike, tha z.Basha, e ka interesin e shqiptarëve dhe interesin kombëtar, në krye të qëndrimeve dhe vokacionit të saj politik.
Basha tha se, PD ka mbështetur dhe ka nxitur vazhdimisht respektimin dhe përmbushjen e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe integritetin territorial të Republikës së Maqedonisë, si një interes strategjik i vendit tonë.
Kryetari i Partisë Demokratike nënvizoi se, përmbushja e plotë e Marrëveshjes së Ohrit me avancimin e mëtejshëm të të drejtave të shqiptarëve dhe gjuhës shqipe atje, është rruga drejt sigurisë dhe stabilitetit në Maqedoni dhe më gjërë në rajon.
Partia Demokratike, theksoi Basha, do të vazhdojë të mbështesë pa u kursyer procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO.
Duke u ndalur në zhvillimet e brendshme, kryetari i opozitës, vuri në dukje se rreziku kryesor që kanos ëndrrën europiane për Shqipërisë dhe vendet e tjera të rajonit, është korrupsioni dhe krimi i organizuar i lidhur me qeverinë.
“Korrupsioni dhe krimi i lidhur me qeverinë, janë armiku numër një i demokracisë, i ekonomisë, i qytetarëve”, u shpreh Basha, duke theksuar se përgjigja ndaj këtyre fenomeneve është ngritja dhe konsolidimi i institucioneve të pavarura, sidomos atyre të drejtësisë.
Basha bëri të ditur se opozita në Shqipëri do të luftojë deri në fund, për Kushtetutën, dhe për drejtësinë e pavarur që lufton krimin e korrupsionin.

Narkotrafiku vrapoi për t’i dhënë prokurorin Ramës

Dy deputetët e PD, Flamur Noka dhe Edi Paloka, kanë deklaruar se ajo që ka bërë opozitë ka qenë vetëm mbrojtja e Kushtetutës. Në një dalje për mediat, deputetët thanë se opozita nuk do të ndalet, duke luftuar për të mbrojtur Kushtetutën dhe qytetarët. “Ne deputetët që jemi prezent ishim aty si deputetë për të bërë detyrën, e përsëris ne deputetët të opozitës PD dhe LSI ishim aty si deputetë të betuar për të mbrojtur Kushtetutën. Në funksion të këtij betimi, ne mbrojtëm Kushtetutën, e patë që Kushtetuta u shkel dhe u dhunua nga Kryeministri dhe Parlamenti. Në rast se ka një rresht në Kushtetutë që flet për mënyrën si u zgjodh kryeprokurori, atëhere mund të kishte gjykim ndaj nesh. Këta zgjodhën ditën e Stalinit për të na dënuar ne, por të jeni të sigurtë që deputetët e opozitës kanë qenë dhe janë në mbrojtje të Kushtetutës. Narkotrafikantët vrapuan për tja dhënë prokurorin Ramës për të mbuluar dosjen”, tha Paloka. Ai u shpreh se, Parlamenti tashmë e ka humbur legjitimitetin. “Gjithë deputetët e opozitës bënë maksimumin e mundshëm për të mbrojtur Kushtetutën dhe nuk ka Byro që drejtohet nga Ruçi apo Rama që të pengojë opozitën të bëjë detyrën e saj. Ky Parlament e ka humbur legjitimitetin prandaj ta harrojë t’i bëjë shantazh apo presion deputëteve të opozitës. Ky Parlament nuk ka parë realisht asgjë akoma”, theksoi Paloka.

 

Baloteli: Do të kthehesha tek Interi

Nice's Italian forward Mario Balotelli (C) celebrates his team's victory at the end of the French L1 football match OGC Nice (OGCN) vs Olympique de Marseille (OM) on September 11, 2016 at the "Allianz Riviera" stadium in Nice, southeastern France.VALERY HACHE/AFP/Getty Images

Në këtë formë nuk është parë prej disa kohësh. Mario Balotelli, 16 gola në 21 ndeshje (10 në Ligue 1) në Francë, me Nice e tij, në të gjitha garat, duket se vendos synime ambicioze për të ardhmen . Sulmuesi italian, i intervistuar ekskluzivisht nga “La Gazzetta dello Sport”, tha: “Unë nuk do ta fsheh. Ëndrra ime është që të kthehem për të veshur fanellën blu të kombëtares italiane. Babai ishte tifozi im më i madh dhe unë i detyrohem atij. Kur vesh fanellën e Italisë gjithmonë ndiej ndjesi të veçanta dhe gjithmonë jap më shumë”. Ai mund të jetë një prej “viktimave” të kursit të ri të ish-trajnerit Ventura, me të cilin axurrët u eliminuan nga Botërori i Rusisë së vitit të ardhshëm: “Unë jam ende i zemëruar me ndeshjen Itali-Suedi. Në kombëtare ishin Belotti, Immobile dhe Insigne, për të mos përmendur veteranët. Suedezët kishin maksimumi dy lojtarë në nivelin tonë. Unë ende nuk e kuptoj pse Ventura i ka lënë jashtë disa lojtarë. Tani, pas eliminimit nga Kampionati Botëror, të gjithë merren me Venturan. Nuk dua të tërhiqem nga kombëtarja, por ende nuk e kuptoj pse ai më përjashtoi”.
Sa për të ardhmen, tani për tani Balotelli nuk ka ndërmend të lëvizë, por në afat të gjatë nuk përjashton asgjë: “Me Nice dua ta përfundoj sezonin sa më mirë dhe të vazhdoj të shënoj më shumë. Por, qëllimi im është të kthehem në një klub të madh, për të fituar diçka të rëndësishme, përsëri”. Dhe sulmuesi shkon në detaje, duke i hedhur poshtë opsionet “margherita”: “Milani? Ju e dini se për çfarë ngjyrash rreh zemra ime. Interi është një klub i madh, do të rikthehesha aty. Napoli, nga ajo që kuptova, kurrë nuk donte ta thellonte diskutimin me mua. Të gjithë e dinë që unë, gjithmonë, shkoj në Napoli. Aty do të kthehesha edhe falas”. Ndër sekretet e SuperMarios është sigurisht marrëdhënia me vajzën Pia: “Është gëzimi im. Raffaella është një nënë e mirë dhe kohët e fundit ajo më tregon më shumë për vajzën time”.

Kryemadhi: Nuk lejojmë që drejtësia të kthehet në vegël të krimit të organizuar

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, pasi doli nga Byroja e Kuvendit tha se, nuk i intereson vendimi për masën disiplinore që do të marret. Në një dalje për mediat, ajo tha se çizmja në Parlament ishte një paralajmërim për krimin dhe drogën. “Mbrojtja është jo vetëm morale, por edhe ligjore. Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë janë betuar se do respektojnë Kushtetutën dhe do të bëjnë çdo gjë për përparimin e vendit dhe të popullit. Veprimi ynë ka qenë legjitim, ka qenë një veprim legjitim për mos shkeljen e Kushtetutës nga partia shtet. Sepse është një Kushtetutë që ne e votuam me 140 vota, është një Kushtetutë që i ka kushtuar popullit shqiptar dhe sot ka ardhur dita që sot ajo të zbatohet. Njerëzit, të cilët donin që ta përdornin këtë sistem drejtësie ditën e hënë e shkelën Kushtetutën”. E pyetur në lidhje me masat disiplinore për përjashtimin nga Kuvendi, Kryemadhi: “Absolutisht fare nuk më shqetëson asgjë. Më shqetëson varfëria, e cila po pllakoset çdo ditë e më shumë mbi shqiptarët. Sa më të varfër të jenë shqiptarët aq më shumë nënshtrohen nga Edi Rama dhe kjo është një nga arsyet që ai po i varfëron shqiptarët çdo ditë dhe më shumë për t’i pasur argat të plantacioneve të tij të drogës. Për t’i pasur dhe për t’i kthyer fëmijët e shqiptarëve në spaçator. Nuk është më problemi i politikës, por po them është problem i jashtëzakonshëm droga e tmerrshme, e cila ka zaptuar shkollat 9-vjeçare, gjimnazet dhe nuk po hyj fare te universitetet. Kjo është klithma më e madhe e popullit shqiptar. Dhe kjo është një nga klithmat që ka terrorizuar dhe që po i ngre në makth nga mëngjesi në darkë nënat shqiptare. Për këtë gjë nuk do të ndalem në asnjë moment. Luftë kundër drogës dhe kundër atyre njerëzve që duan t’i kthejnë shqiptarët dhe fëmijët e tyre në spaçator”. Monika Kryemadhi tha se, Rama është përgjegjësi kryesor për bllokimin e procesit të integrimit të Shqipërisë. “Statusin për hapjen e negociatave e ka shkatërruar Edi Rama, ai është përgjegjësi kryesor. Ai nuk ka dashur dhe ka sabotuar në çdo moment Reformën në Drejtësi. Ai është i vetmi përgjegjës, i cili e solli në këtë situatë për të zhvilluar seancën e ditës së hënë, sepse nuk do të ngrihet Byroja e Hetimit, KLP, Prokuroria kundër korrupsionit, sepse është një nga njerëzit më të korruptuar”, theksoi Kryemadhi. E pyetur mbi hapat që do të ndërmarrë opozita për protestën në janar, Kryemadhi tha: “Do të ndjekim të gjitha hapat, sepse ajo që është më e rëndësishme, dua të them që shqiptarët duhet të kenë një sistem drejtësie. E patë çfarë ndodhi dje me familjen Hoxha? Ishin në shtëpi të tyre, në pronë të tyre dhe oligarkët i nxorën jashtë për të ndërtuar pallatet e tyre shumëkatëshe, të cilat krijojnë jo vetëm fitime marramendëse, por pastrojnë paratë e drogës. Këto para, të cilat Edi Rama kërkoi t’i rifusi përsëri në ekonominë shqiptare për ta infektuar atë dhe për ta futur në black list Shqipërinë siç ka bërë gjithmonë”. Ajo theksoi se, akoma në dyert e Prokurorisë flenë dosjet e Ministrisë së Kulturës, të tenderave të tij dhe të fasadave të famshme. “Pafund ka dhe kjo është frika dhe makthi i Edi Ramës. Edhe pse ai e futi në këtë rrugë antikushtetuese Parlamentin shqiptar, frika e tij e madhe është KLP. Dhe do vazhdojë me të gjitha mënyrat, me avokatët e mafies dhe krimit për të uzurpuar këtë sistem drejtësie dhe për ta kthyer atë në një vegël të krimit të organizuar”, theksoi Kryemadhi.

Shpërdorim i talentit

Historia e Mariano-s është një shpërdorim i talentit. Ai ka qenë më i talentuar në shtëpinë Dybala, por nuk ka pasur dëshirë për t’u stërvitur dhe është larguar shumë shpejt nga radarët e futbollit të rëndësishëm. Kështu, kur Paulo (13 vjeç) ka nisur fluturimin e tij, ai e ka marrë përdore me hijen e atij që e di si shkojnë gjërat në botën e futbollit dhe jo vetëm. Por hapat e parë nuk kanë qenë të menduar mirë. Mariano, vëllai i “Joya”-s, ka vendosur të bashkëpunojë me menaxherët Omar Peirone dhe Gonzalo Rebasa, duke krijuar një konflikt me Gustavo Mascardi-n, ai që e dërgoi sulmuesin në Itali. Një konflikt ky që ka krijuar disa probleme edhe me Palermo-n. Ka qenë 2012-ta. Situata është qetësuar, pasi Pierpaolo Triulzi është bërë menaxheri i Paulo-s dhe Mariano është larguar nga skena. Problemet janë kthyer gushtin e kaluar, me familjen Dybala që ka dalë kundër Triulzi-t dhe nuk ka pranuar të njohë disa marrëveshje të rëndësishme që menaxheri kishte arritur me sponsorë të ndryshëm. Për shkak se i kishte shitur të drejtat e imazhit, “Joya” i detyrohej një përqindje menaxherit të tij, por Mariano vendos të ndryshojë rrugë. Kur kishin mbetur 10 ditë nga mbyllja e merkatos së verës ka provuar të tundojë Barcelona-n, por më kot.
NEGOCIATA – Juventus është munduar t’i bëjë qejfin Dybala-s, por nuk ka qenë e lehtë. Që në fillim klani argjentinas ka punësuar një avokat katalanas dhe një asistent italian. Por strategjia e tyre nuk i bind. Atëherë ka hyrë në skenë një avokat argjentinas. Ndërkohë Triulzi i është drejtuar Gjykatës Sportive për shumë që i takonte, ndërsa sponsorët kanë marrë kohë (për momentin), edhe për shkak të punës diplomatike të bërë nga klubi bardhezi. Juventus, siç dihet, ka si partner Adidas, rivalin e Puma-s, që ka një marrëveshje të rëndësishme me Paulo-n. Administratori i deleguar, Beppe Marotta, dhe stafi i tij po punojnë për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme për ta liruar lojtarin nga ajo marrëveshje.
VËLLEZËR TË NDRYSHËM – Por është e qartë se lëvizjet e bëra nga Mariano nuk ndihmojnë asnjë. Kohët e fundit ka shkuar në Paris, siç është zbuluar nga vetë ai me një fotografi të publikuar në rrjetet sociale (por nuk është takuar me PSG), ndërsa në Argjentinë është shkruar për kontakte me City dhe United. E vërteta është se Juventus nuk po negocion me asnjë dhe Paulo e di mirë se këto zëra nuk bëjnë gjë tjetër vetëm sa e dëmtojnë atë. Rreziku është që vlera e tij, në një moment ku ai nuk po shkëlqen, të pësojë një rënie. Për të njëjtën arsye është e dobishme që çështja e të drejtave të imazhit të zgjidhet shumë shpejt. Peripecitë e këtyre muajve tregojnë se Dybala-s i duhen këshilltarë të aftë. I takon familjes të bëjë zgjedhjen e duhur dhe, në këtë aspekt, duhet mbajtur në konsideratë edhe roli i mamasë dhe i vëllait tjetër Gustavo, me këtë të fundit që ka ide më pak ekstreme se Mariano. Por është shpejt për të parashikuar devijime të tjera gjatë rrugës.

Braimllari: Si më kërcënoi Vasilika Hysi

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari, ka lëshuar akuza të forta në adresë të deputetes së PS-së, Vasilika Hysi. Gjatë mbledhjes në Byronë e Kuvendit, Braimllari bëri me dije se deputetja Hysi, i kishte bërë presion ditën e hënë gjatë tensioneve në Kuvend, dhe i ka thënë që ai së bashku me babain e tij, do të përfundonin në burg. Braimllari thekson, se qeveria po përdor Reformën në Drejtësi për t’i bërë presion çdo shqiptari. “Vasilika Hysi më bëri presion në seancë që do të përfundosh në burg dhe babai yt do të ketë pasoja, sepse është gjyqtar. Ndërkohë, babai im nuk është gjyqtar, ka një profesion krejt tjetër. Kjo tregon qartë atë ç’ka përfaqësonte ajo seancë”, u shpreh Braimllari. Më tej, Braimllari ka shtuar se dhuna ndaj deputetes Kejdi Mehmetaj është e patolerueshme. “Ka përdorur një fjalor jashtëzakonisht të turpshëm për deputeten Mehmetaj, më vjen turp mua si mashkull të them ato fjalë. Është e turpshme ajo që bëri deputeti Çelaj, që ushtroi dhunë ndaj deputetes Mehmetaj”, tha ai.