24.5 C
Tirana
E diel, 13 Korrik, 2025

E pabesueshme, Bristol City eliminon Manchester United

Bristol City ka realizuar një mrekulli të vërtetë sportive, pasi ka eliminuar Manchester United, në sajë të fitores 2-1 dhe shkon në gjysmëfinalet e Kupës së Ligës Angleze, “Carabao Cup”. Skuadra e Championship, një kategori më poshtë se United i drejtuar nga Jose Mourinho, e gjeti golin e fitores në minutën e 93-të, me anë të “heroit” Korey Smith.
Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë. Bryan shënoi golin e avantazhit për Bristol City, por Zlatan Ibrahimoviç barazoi për Manchester United pas 8 minutash me një goditje dënimi të ekzekutuar në mënyrë perfekte. Ky ishte goli i parë për Ibra pas më shumë se 200 ditësh. “Djajtë” u vunë në kërkim të fitores, por pikërisht kur të dy ekipet po i drejtoheshin shtesës, Smith tundi rrjetën e Romero. United ishte fituesi në fuqi i kësaj veprimtarie. Shorti i gjysmëfinaleve do të hidhet pas pak orësh.
Chelsea shkon në gjysmëfinalet e “Carabao Cup” në saj të fitores 2-1 ndaj Bournemouth me golin e shënuar nga Alvaro Morata në sekondat e fundit. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për londinezët me golin e Willian. I shërbyer nga Cesc Fabregas, sulmuesi brazilian tundi rrjetën me portën e boshatisur në minutën e 13-të. Fundi i ndeshjes ishte shumë emocionues. Në minutën e 90-të Gossling barazoi për miqtë, por dy minuta më vonë Alvaro Morata gjeti golin e fitores për skuadrën e Antonio Conte.
Katër skuadrat gjysmëfinaliste në “Carabao Cup” janë: Bristol City, Arsenal, Chelsea dhe Manchester City.

Liverpool piketon “yllin” e PSG, nëse largohet Coutinho

Ashtu si ka shkruar një numër i konsiderueshëm gazetash në Britani dhe Francë, Liverpool do të lëvizë për të marrë lojtarin e Paris Saint-Germain, Julian Draxler, nëse Philippe Coutinho vendos të shkojë te Barcelona. Katalanasit kanë kërkuar vazhdimisht Coutinho dhe kjo do të jetë çështja kryesore e verës së ardhshme. Të gjitha gjasat tregojnë se për rreth 130 milionë euro, numri 10 do të transferohet në “Camp Nou”. Në këto kushte, klubi i kuq ka nisur të punojë për të gjetur zëvendësuesin.
Fillimisht, Liverpool mendoi për blerjen e Thomas Lemar, i cili zgjodhi të qëndrojë edhe për një sezon te Monaco, përpara se të zgjedhë mes skuadrës së Klopp dhe Arsenal. Gjithsesi, kohët e fundit, gjermani Julian Draxler është emri favorit për t’i bashkuar Sane, Salah dhe Firmino në sulmin e ekipit të drejtuar nga Klopp. Trajneri gjerman e sheh bashkatdhetarin e tij si idealin për të investuar 60 milionë euro, ndryshe nga Lemar që kushton 90 milionë. Draxler, që ka përfunduar në stolin e PSG, do të ishte gati për transferimin në “Anfiel Road”.

Dybala u rikthye titullar me gol

Mision i arritur për Juventusin, i cili fitoi 2-0 ndaj Genoa dhe kualifikohet në çerekfinale të Kupës së Italisë. Në fund të ndeshjes, trajneri bardhezi, Massimiliano Alegri, foli për mikrofonët e “Rai Sport”. Ai, veçanërisht, pëlqente pjesën e parë, të luajtur nga Higuain dhe shokët e tij të skuadrës: “Më duhet të përgëzoj djemtë për forcën dhe aspektin teknik. Në gjysmën e dytë u rrit më shumë Genoa dhe ne kemi dhënë pak më tepër. Jemi edhe të zemëruar, sepse kemi humbur 3-4 topa në zonën tonë dhe ato janë gjëra që nuk duhet të ndodhin. Në ato momente, topi duhet të hidhet sa më larg, por pastaj gjërat u përmirësuan me një fitore 2-0.
Qëllimi ishte për të arritur në çerekfinale të kupës dhe ne e bëmë atë. Dybala? Ai bëri një paraqitje të mirë. Jam i lumtur për të, por të gjithë presim që ai të kthehet një kampion i jashtëzakonshëm siç është. Ne nuk po flasim për një lojtar që kishte humbur. Ai duhet të mendojë të qëndrojë i qetë dhe të bëjë gjërat që mund të bëjë, sa herë që shkon në fushë. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen e kampionatit, kundër Romës. Le të shohim se si lojtarët e dëmtuar do të reagojnë. Kemi dy ditë për t’u përgatitur për lojë. Unë jam i sigurt se do të jemi gati për Romën, një ekip që potencialisht është me pikë me ne”.

TAP drejt fundit, rritet rreziku për rënien e investimeve të huaja

Konsorciumi Trans Adriatic Pipeline (TAP) tha së fundmi se ka përfunduar shtrimin e mbi 80% të tubave përgjatë projektit të Korridorit Jugor të Gazit në Shqipëri dhe Greqi. Rreth 620 km nga 765 km tubacione tashmë është shtruar në Shqipëri dhe Greqi, tha konsorciumi në një postim në Twitter të mërkurën.
Korridori jugor i gazit përbëhet nga tubacioni jugor i Kaukazit (SCP), i cili kalon Azerbajxhanin dhe Gjeorgjinë, tubacionin Trans-Anatolian (TANAP) dhe TAP, i cili parashikohet të nisë nga kufiri grek me Turqinë, të kalojë përmes Shqipërisë dhe Detit Adriatikut për të arritur bregun italian. Investimi i përgjithshëm i konsorciumit në Shqipëri do të jetë rreth 400 milionë euro këtë vit dhe po aq vitin e ardhshëm, ka pohuar më herët ish-menaxheri i vendit TAP Albania, Shkëlqim Bozgo.
TAP planifikon të fillojë operimin në shkallë të plotë të tubacionit në vitin 2020, sipas informacionit të publikuar në faqen e internetit të konsorciumit. Aktorët aktualë të TAP janë BP, kompania shtetërore Socar e Azerbajxhanit dhe Snam i Italisë me 20% secila, Fluxys belg me 19%, Enagas spanjolle me 16% dhe Axpo zvicerane me 5%.

Efektet e TAP dhe çfarë do të ndodhë më pas

Punimet për gazsjellësin TAP i rritën ndjeshëm investimet e huaja në Shqipëri, duke i çuar ato në gati 1 miliard euro dy vitet e fundit, ku 40-50% e shumës vinte nga gazsjellësi. Një pjesë të madhe të kësaj vlere e përbënin tubat që u shtruan nën tokë. Me mbarimin e punimeve për gazsjellësin, së bashku me projektin tjetër madhor atë të HEC të Devollit, institucionet ndërkombëtare kanë paralajmëruar që duhen gjetur burime të tjera investimesh, më të qëndrueshme dhe të orientuara në ekonominë reale, me ndikim në rritjen e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit.
FMN në një raport të fundit pohonte se investimet në këto dy projekte janë sa 14 për qind e PBB-së rreth 1.5 miliardë euro. Investimet në projektin TAP janë rreth 1 miliard euro në HEC-et e lumit Devoll, pak më shumë se 500 milionë euro. Të dy projektet punësojnë 3500 persona. Duke pasur parasysh intensitetin e kapitalit të tyre, importet përbëjnë një pjesë të madhe të kostove (rreth 60-70 për qind) dhe pjesa tjetër rreth 30% korrespondon me pagat, kontraktorët lokalë dhe kompensimin për përdorimin e tokës. Projektet kanë krijuar rreth 3500 vende pune të drejtpërdrejta ose 6 për qind e totalit të vendeve të reja të punës.

Bankers refuzon të kompensojë banorët e Patos-Marinzës

Kompania “Bankers Petroleum”, refuzon të japë dëmshpërblim për banorët e prekur nga lëkundjet e disa muajve më parë në zonën e Patos-Marinzës. Në një prononcim për “Tema Tv” (shiko videon në fund të shkrimit), kompania arsyeton se para se të njohë faturën e qeverisë shqiptare, duhet të dalë raporti i ekspertit të pavarur. Bankers e quan VKM-në e qeverisë shqiptare si të pambështetur. Në shkurt të këtij viti, të dyja palët kanë caktuar një ekspert që do përpilonte shkakun e lëkundjeve dhe do të dorëzonte një raport përfundimtar. Ky raport ende nuk është dorëzuar. Qeveria i ka dorëzuar kompanisë “Bankers Petroleum” një faturë prej 100 milionë lekësh. Ndërkohë që, qeveria shqiptare do paguajë 73 milionë. Qeveria dhe Bankers kanë mes tyre një Marrëveshje Konfidencialiteti, e cila nuk është bërë publike dhe çështja “Bankers” pritet të prodhojë sërish lajm. /Hashtag.al

Bonuçi me sytë larg Milanit

Mbrojtësi i Milanit, Leonardo Bonuçi, tashmë është duke pritur klubin, vetëm disa muaj pas bashkimit me kuqezinjtë dhe largimit nga Juventusi, thonë burimet për “Goal”. Bonuçi u transferua në “San Siro” për 40 milionë euro gjatë verës dhe atij iu dorëzua menjëherë shiriti i kapitenit në klub. Megjithatë, Milani ka duruar një fillim makthi të sezonit dhe aktualisht pozicionohet në vendin e tetë të Serisë A, 18 pikë prapa liderëve të Napolit, duke shkarkuar edhe ish-trajnerin Vincenzo Montella, i cili u zëvendësua me ish-mesfushorin kuqezi, Gennaro Gattuso. Ndërsa Milani është këmbëngulës se nuk do të shesë asnjë lojtar të ekipit të parë gjatë periudhës së dimrit, është e kuptueshme se ndërmjetësit janë duke pritur nëse italiani ndërkombëtar do të mund të joshet nga jashtë vendit.
Bonuçi ka qenë i lidhur me Manchester City, edhe pse klubi anglez nuk ishte në gjendje ta bindte atë të largohej nga Italia. 30-vjeçari e kupton se me Milanin nuk mund të luajë në Ligën e Kampionëve, të paktën edicionin e ardhshëm, por nuk ka gjasa që klubi kuqezi ta lejojë atë të largohet për më pak se 40 milionë euro, sa ka paguar për të në verë. Trajneri i Chelsea, Antonio Conte, e pëlqen shumë Bonuçin, për të cilin ka pasur lëvdata gjatë tri sezoneve të përbashkëta bardhezi, njëri si trajner dhe tjetri si futbollist. Bonuçi ka luajtur 15 ndeshje të Serisë A në këtë sezon dhe ka qenë në anën fituese vetëm gjashtë herë.

Sa do paguajmë? Dyfishohen e më pas katërfishohen taksat për pronën

Zëri i dytë që sjell më shumë të ardhura është taksa mbi pasurinë e paluajtshme, të ardhurat nga e cila pritet të shënojnë një rritje të ndjeshme me 37%, për të arritur në 2.5 miliardë lekë. Familjet do të paguajnë 510 milionë lekë, dyfish në krahasim me një vit më parë, si rrjedhojë e rishikimit të formulës së taksës së pronës, mbi bazën e vlerës. “Me ndryshimet e fundit ligjore, të cilat marrin efekte nga data 1 prill e vitit 2018, taksa e ndërtesës do të marrë një tjetër vlerësim, duke u mbështetur tek vlera e banesave dhe % e caktuar për masën e taksës si për banesat dhe objektet e biznesit. Për këtë qëllim, në bashkëpunim me institucionet qendrore, por jo vetëm, ka filluar ngritja e bazës së të dhënave për krijimin e kadastrës fiskale si informacion vendimtar për përllogaritjen dhe mbledhjen e të ardhurave”, thuhet në relacionin e Bashkisë. Në 2019-ën, pagesa e familjarëve për taksën e pronës pritet të rritet edhe më tej, duke arritur në 850 milionë lekë (6.2 milionë euro), ose gati 4 herë më shumë se shuma që pritet të paguhet në vitin 2017. Edhe bizneset do të paguajnë 2 miliardë lekë si taksa prone, me një rritje prej 25% në krahasim me vitin e kaluar. Fatura do rëndohet sërish në 2019 dhe 2020, përkatësisht në 2.2 dhe 2.3 miliardë lekë.

Parkimi, 3.3 milionë euro

A e dini se për të parkuar në Tiranë qytetarët shpenzojnë rreth 3 milionë euro në vit. Sipas buxhetit të Bashkisë, shuma e pritshme për t’u arkëtuar në 2017-ën është gati 300 milionë lekë, që është më e lartë sesa ajo që do të paguajnë familjarët për pronën po përgjatë këtij viti. Parashikimi për vitin 2018 është që të ardhurat nga tarifa e parkimit të arrijnë në 450 milionë lekë (3.3 milionë euro). Në vitin 2015, të ardhurat nga parkimi ishin vetëm 71 milionë lekë. “Arkëtimi i tarifës së parkimit ka një rritje të dukshme, si rrjedhojë e riorganizimit të strukturave, mënyrës së arkëtimit dhe evidentimit në kohë të përdoruesve të parkimit në rrugët me pagesë, por dhe në sheshet e miratuara për parkim”, thuhet në relacionin e Bashkisë.

Taksa e arsimit

Nga taksa e përkohshme për infrastrukturën Arsimore pritet të arkëtohen 892 milionë lekë, me një rritje të lehtë prej 1.2% me bazë vjetore. Gati 40% e kësaj shume do të paguhet nga familjarët dhe pjesa tjetër nga bizneset. Të ardhurat nga kjo taksë e përkohshme do të përdoren për projektin e ri të ndërtimit të 19 shkollave të reja, thotë Bashkia në relacion.

Më pak nga tarifa për zënien e hapësirës

Të ardhurat nga tarifa për zënien e hapësirës pritet të vijnë në ulje, pas rritjes së ndjeshme që pësuan dy vitet e mëparshme. Ky zë pritet të jetë 490 milionë lekë, me një ulje prej gati 20%. Me rënie prej 10.5% janë dhe të ardhurat që pritet të mblidhen nga tarifa e pastrimit, që parashikohen në 2.1 miliardë lekë.

Rekord nga taksa e ndërtimeve

Peshën kryesore në të ardhurat e veta të Bashkisë Tiranë në 2018-ën parashikohet ta ketë taksa e ndikimit në infrastrukturë, nga e cila pritet të mblidhen 3.2 miliardë lekë (24 milionë euro), me rritje prej 18.5% me bazë vjetore. Taksa që bizneset paguajnë kur marrin leje ndërtimi, e cila prej vitit të kaluar u rrit në 8% të vlerës së shitjes, pritet të sjellë 25% të të ardhurave të veta të Bashkisë. 2018-a është viti kur pritet të kulmojnë ndërtimet në kryeqytet, ndërsa në 2019 dhe 2020 pritet që të ardhurat nga infrastruktura të ulen përkatësisht në 2.7 dhe 2.5 miliardë lekë.

Një ndeshje rekord në “Bernabéu”

Ndeshja e së shtunës do të jetë e veçantë për Luis Suárez. Sulmuesi uruguajan, përveç debutimit të tij si një lojtar i Barcelonës në “Santiago Bernabeu”, në tetor 2014, do të kalojë të shtunën rekordin më të mirë të ndeshjeve në kampionat me tri klubet e mëdha europiane, në të cilat ai ka luajtur. Në këtë kohë ai ka 110 ndeshje me Barcelonën, të njëjtën gjë që ai akumuloi me Ajax në “Eredivisie”, në mes të viteve 2007 dhe 2010, dhe te Liverpool në Premier League, në mes të viteve 2010 dhe 2014. Luis Suarez, pas 110 ndeshjeve në kampionat me Ajax, Liverpool dhe Barcelona, respektivisht, ka treguar në radhët e ekipit katalanas se po performon më mirë se në dy “stacionet” e tij të mëparshme. Ai përmirëson golat e tij dhe ndihmon rekordet, të cilat i ka në shifrat: 0.84 gola dhe 0.39 asistime për ndeshje.
Me Ajax u vlerësua 0.73 gola dhe 0.29 asistime për ndeshje, ndërsa me Liverpool 0.62 dhe 0.30, respektivisht. Gjithsej, me Barcelonën, futbollisti uruguajan ka 168 ndeshje dhe 129 gola në të gjitha garat (La Liga, Kupa e Mbretit, Liga e Kampionëve, Superkupa e Spanjës, Superkupa Europiane dhe Botërori i Klubeve). Uruguajani, që kur erdhi në radhët e skuadrës katalanase, e ka parë veten duke luajtur në të gjitha garat e të gjitha sezoneve, përveç dy: Superkupën e Spanjës 2015-2016 dhe Ligën e Kampionëve 2017-2018. Në këtë rast, dhe me ekipin e kualifikuar për në tetëshe, raund në të cilin do të ballafaqohet me Chelsea, Suarez ka mundësi të vazhdojë me këtë statistikë spektakolare.
Portieri i Barcelonës, Marc Ter Stegen thotë se çdo gol e ndjenjë njësoj, por e pranon se ai i Sergio Ramos e kishte mërzitur shumë. Kapiteni i Realit kishte barazuar rezultatin në 1:1 sezonin e kaluar në “Camp Nou”. “Golat e Realit a dhembin më shumë se sa të skuadrave të tjera? Dhemb sikur të tjerat, por, më duhet ta them se një më mërziti shumë, ishte vitin e kaluar kur Ramos shënoi në minutën e 89. Ai më la me ndjenja shumë të këqija”, tha Ter Stegen për “El Pais”. Ai po ashtu foli për El Clasicon ndaj Realit, ku tha se skuadra ka ndryshuar që nga takimi në Superkupën e Spanjës, ku u mposhtën në dy ndeshje me rezultat të thellë 5:1.

Skandali, si falsifikoi Veliaj miratimin e Buxhetit të Bashkisë

Erion Veliaj miratoi ditën e djeshme Buxhetin e Bashkisë së Tiranës me kuorum të falsifikuar dhe me vota të blera këshilltarësh, duke dëshmuar se ky është thesi në të cilin ai ka ndarë që tani llokmat për veten dhe klientelën pranë tij e Ramës. Bashkia e Tiranës miratoi me 32 vota pro Buxhetin e Tiranës për vitin 2018, ndërkohë që opozita nuk ka qenë prezente. Jashtë ambienteve të Bashkisë në të njëjtën kohë, kur kryetari po paraqiste buxhetin, kreu i këshilltarëve të djathtë deklaroi se, mbledhja është e falsifikuar dhe po zhvillohej pa kuorumin e duhur. “Refuzojmë të bëhemi pjesë e çdo lloj mbledhje të paligjshme, me kuorum të falsifikuar dhe me synimin e qartë që bëhet për të kaluar një buxhet korruptiv për njerëz të korruptuar, të cilët do të vazhdojnë të rëndojnë më shumë qytetarët e Tiranës dhe keqqeverisjen e Tiranës”, u shpreh ai. Gjithashtu në një intervistë televizive kreu i këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Kreshnik Çollaku, ka deklaruar se miratimi i Buxhetit të Bashkisë është një turp, pasi edhe u blenë disa nga këshilltarët. Çollaku shtoi më tej se, në sallë kishte edhe persona që nuk i njihnim që ishin ulur në karriget e këshilltarëve. Ai theksoi se, vendimet që ka ai buxhet janë skandaloze, pasi rëndojnë ekonominë e qytetarëve të Tiranës. “Mungesa e paketës fiskale është shkelje e ligjit. Konstatuam në sallë një anomali, në sallë pamë të ulur në vendet e këshilltarëve, individë që nuk i njihnim. Mbledhja e Këshillit ka pasur persona që nuk i njohim. Në rast se është një shok i kryetarit, por nuk mund të ulet zotëria në pozicionin dhe mandatin e Këshilltarit. Ky është Pullazi që nuk është anëtar, është ish-këshilltar, kryetar i Njësisë 2. Kjo që ka bërë Veliaj është një teatër, është një mbledhje me shokët e tij. Nuk është një mbledhje bashkie. Aty futeshin edhe punonjës të bashkisë, shoferë e ku di unë. Kështu, përpara kësaj situate ne vendosëm që të braktisnim mbledhjen. Vendimet që janë marrë në atë mbledhje janë skandaloze. Në atë mbledhje le të futin kë të duan, por nuk mund të marrin vendime të tilla. Zotërinë e ulur që shikoni në foto unë nuk e njoh, është hera e parë që e shikoj aty. Para kësaj situate manipulative ne nuk mund të bëheshim një me ta. Ata blenë një ose dy këshilltarë që të plotësonin numrin. Ai projektbuxhet është një krim që po u bëhet qytetarëve të Tiranës. Ai është një buxhet që sanksionon shumë proceduara për falimentimin e shumë bizneseve në Tiranë. Unë mendoj që ky është një turp”, u shpreh Çollaku. Kreshnik Çollaku ka denoncuar atë që ka ndodhur dje në Këshillin e Bashkisë së Tiranës, ku Veliaj, sipas tij në vend të këshilltarëve përdori njerëz që nuk njiheshin. Po ashtu sipas Çollakut në këtë projektbuxhet parashikohet dhe blerja e drejtuesve të medias. “Projektbuxheti parashikonte një rritje dramatike të të ardhurave. Ka një sërë shpërdorimesh nga më të çuditshmet. Nuk ka asnjë investim në kuadër të përgjegjësisë sociale. Është një buxhet për të ushqyer oligarkinë dhe disa përfaqësues mediash po të doni. Çmimin e paguajnë qytetarët e Tiranës. Kjo është e papranueshme. Qëndrimin tonë do ta bëjmë sa më të detajuar ditën e nesërme. Është një situatë e paprecedentë, as në vendet e Afrikës nuk ndodh një gjë e tillë, kjo nuk gjendet në asnjë manual politik. E keqja nuk ka mbaruar, ne duhet të shohim zgjidhjen e kësaj situate. Qeverisja lokale është si një shoë televiziv, kështu po e drejton Veliaj. Drejtimi nëpërmjet propagandës, kreu i Bashkisë del tre herë në media për të njëjtën gjë, i vuri dritaren shkollës, u hap, u mbyll. Ka një manipulim të tmerrshëm mediatik. ‘Kënga Magjike’ a ju kujtohet ç’iu tha drejtuesi i saj?! Tha frazën ‘ne jemi të lumtur që paguajmë taksat në Tiranë’. Po a ka njeri në rruzullin tokësor që do të ishte i lumtur që të paguante taksa, në Tiranë apo kudoqoftë”, u shpreh Çollaku.

Iniesta do fitore

Andrés Iniesta do të luajë të shtunën “El Clásico”-n e tij të 37-të. Ai është në të njëjtën situatë si Sergio Ramos dhe Leo Messi, më veterani në ndeshjet e kësaj natyre. Që nga debutimi në vitin 2002, kapiteni i Barçës i ka përjetuar ato, nga të gjitha llojet. Në disa prej tyre, si këtë fundjavë, ekipi i tij ka dalë si favorit i qartë dhe udhëheq klasifikimin. Të tjerat, megjithatë, kanë parë se si Real Madridi ishte në një kohë më të mirë se katalanasit. Me një fitore të shtunën, ekipi i Barcelonës mund të largohet nga rivali i saj, praktikisht pa mundësi për të synuar më titullin e La Liga-s. Një fitore do t’i dërgonte katalanasit 14 pikë përpara, një diferencë praktikisht e pakapërcyeshme, pavarësisht faktit se faza e parë nuk ka përfunduar ende. Në këtë aspekt, kjo “El Classico” është shumë e qetë për blaugranët.
Të paktën, kjo është përshtypja që perceptohet nga jashtë, por Iniesta nuk ka besim fare dhe preferon të jetë i kujdesshëm. Ai e di se në një lojë si kjo, gjithçka mund të ndodhë. “Unë nuk e shikoj fare klasifikimin para një ndeshjeje të tillë klasike. Ato janë lojëra të ndryshme dhe nuk ka të bëjë me mënyrën, në të cilën një ekip ose një tjetër vjen. Ne e dimë se çfarë është në rrezik dhe do të përpiqemi për të bërë një hap tjetër të rëndësishëm, për ta fituar këtë kampionat”, thotë kapiteni azulgrana për “Marca”. Situata ka marrë një kthesë spektakolare që nga fillimi i sezonit deri më tani. Real Madridi i mposhti katalanasit në Superkupën e Spanjës, por që atëherë, ekipi i Valverde nuk ka dështuar. Shto 24 ndeshje pa humbje. Këto dy ndeshje të Superkupës, të dyja me triumfin e bardhë, tashmë i kanë kaluar historisë.
“Kjo është një situatë, që tashmë ka ndodhur. Ne jemi tani në një tjetër kompeticion dhe një tjetër kohë. Për më tepër, ajo është një ndeshje tjetër, nuk ka të bëjë me ato që kemi përjetuar më parë. Këtë të shtunë është një përplasje tjetër, në të cilën duhet të bëjmë gjëra shumë të mira për të fituar”, thotë Iniesta, i cili preferon t’i harrojë dy humbjet e gushtit të kaluar. Rezultati është se katalanasit do të hyjnë në fushë, në “Bernabeu”, me 11 pikë avantazh. “Unë nuk e di nëse kjo është diferenca reale në mes të dy skuadrave, por është ajo që është. Meritat e të dyja skuadrave janë pasqyruar në tabelën e klasifikimit. Gjëja e rëndësishme është që përfundimisht merita e vërtetë është e jona, sepse kemi fituar më shumë pikë se sa Reali. Më pëlqen klasikja, si të gjithëve, sepse ta jetosh një ndeshje të tillë nga brenda është diçka e papërshkrueshme. Duke jetuar me të, është një krenari”, përfundoi Iniesta.
Ronaldo dhe Messi kanë shpenzuar më shumë se 350 ditë të luftës më 2017. Një betejë e përjetshme mes tyre, por rrugët i konvergojnë këtë të shtunë në ndeshjen e fundit të këtij viti, një përplasje direkte, në të njëjtën fushë, atë të “Santiago Bernabéu”. Si në një maratonë, të vendosur për sprint, Cristiano dhe Leo arrijnë të krahasohen në vijën e finishit. “El Classico” e së shtunës mund të mos balancojë një rezultat, që tregon një ekuilibër me 53 pikë, më 21 dhjetor.