26.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Paralajmërimet për një sulm ajror, SHBA mbyll përkohësisht ambasadën e saj në Kiev: Qytetarët të strehohen në rast alarmi

SHBA po mbyll përkohësisht ambasadën e saj në Kiev pasi ka marrë atë që thotë se është informacion specifik për një sulm të mundshëm të rëndësishëm ajror më 20 nëntor.

 

“Ambasada do të mbyllet dhe punonjësit e Ambasadës po udhëzohen të strehohen në vend”, tha Departamenti i Shtetit i Çështjeve Konsullore të SHBA në një postim në X. “Ambasada e SHBA rekomandon që qytetarët amerikanë të jenë të përgatitur të strehohen menjëherë në rast se shpallet një alarm ajror”, thuhet në njoftim.

Lajmi vjen vetëm disa ditë pasi administrata Biden njoftoi se do të lejonte që armët e prodhuara nga SHBA të përdoreshin në luftën kundër Rusisë.

Moska tha dje se Ukraina kishte goditur Rusinë me gjashtë raketa me rreze të gjatë ATACMS të furnizuara nga SHBA.

 

Emri/ Arrestohet ish-drejtuesi i Kadastrës, ja për çfarë akuzohet! Hetimet ndaj tij nisën pasi…

Policia ka vendosur në pranga ish-drejtuesin e Kadastrës në Durrës, Ardian Kona, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.

 

Masa e sigurisë ndaj tij “arrest me burg” u caktua nga Gjykata e Durrësit ditën e djeshme, 19 Nëntor, pas një hetimi lidhur me regjistrimin e një prone me dokumente false.

Ndërkohë janë shpallur në kërkim shtetasit me iniciale B. Z., 42 vjeç, banues në Durrës dhe L. D., 34 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe A. D., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Njoftimi i policisë:

DVP Durrës/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, operacioni policor i koduar “Roli”.

Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin A. K., 52 vjeç, banues në Durrës (ish-drejtues në ASHK Durrës), për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim.

Masa e sigurisë i është caktuar nga Gjykata e Durrësit, më datë 19.11.2024, në kuadër të një hetimi për regjistrimin e një prone, me dokumente false.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë shpallur në kërkim dhe po punojnë për kapjen e 3 shtetasve për të cilët Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, konkretisht:

B. Z., 42 vjeç, banues në Durrës dhe L. D., 34 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, si dhe A. D., 44 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

SHBA njeh kandidatin e opozitës si fitues të zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë! Gonzalez u largua nga vendi pas lëshimit të urdhërarrestit ndaj tij

Qeveria amerikane njohu të martën kandidatin e opozitës, Edmundo Gonzalez, si fitues të zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë. Presidenti Nicolas Maduro pretendon se është fitues i zgjedhjeve të kontestuara të mbajtura në muajin korrik.

 

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e njohu zotin Gonzales si fitues të zgjedhjeve presidenciale përmes një shkrimi në rrjetin X, ndërsa bëri thirrje për respektimin e vullnetit të popullit të Venezuelës.

Administrata e Presidentit Joe Biden ishte shprehur më parë se zoti Gonzales kishte fituar shumicën e votave në zgjedhjet e debatueshme të 28 korrikut, por nuk ishte shprehur për njohjen e tij si president i sapozgjedhur.

Këshilli Kombëtar Zgjedhor i Venezuelës, i drejtuar nga njerëz besnikë të zotit Maduro, e kishte shpallur presidentin si fitues të zgjedhjeve vetëm pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme presidenciale, autoritetet zgjedhore nuk dhanë detaje për numërimin e votave.

Por koalicioni opozitar i mblodhi të dhënat nga 80% e makinave elektronike të votimit të mbarë vendin dhe i postoi ato në internet. Zoti González dhe udhëheqësja e opozitës, Maria Corina Machado, thanë se të dhënat treguan se ish diplomati i fitoi zgjedhjet me dy herë më shumë vota se Presidenti Maduro.

“Ne e vlerësojmë thellësisht njohjen e vullnetit sovran të të gjithë venezuelianëve”, tha zoti González në një postim në rrjetin X menjëherë pas deklaratës së Sekretarit Blinken të martën. “Ky gjest nderon dëshirën për ndryshim të popullit tonë dhe arritjen qytetare që bëmë së bashku më 28 korrik”.

Zoti González u largua nga Venezuela në muajin shtator për të mërguar në Spanjë pas lëshimit të një urdhër arresti në lidhje me një hetim mbi publikimin e të dhënave nga qendrat e votimit. Zyra e shtypit të qeverisë së Venezuelës nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Presidenti Maduro dhe autoritetet zgjedhore kanë refuzuar thirrjet e përsëritura nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Kolumbia, Brazili dhe vende të tjera për të publikuar të dhënat e detajuara të votave që mbështesin rizgjedhjen e presidentit.

Kritikat e ashpra pas zgjedhjeve për mungesën e transparencës bënë që Presidenti Maduro t’i kërkonte Gjykatës së Lartë të Venezuelës, anëtarët e së cilës janë në linjë me partinë në pushtet, që të shqyrtonte rezultatet. Gjykata e Lartë konfirmoi fitoren e tij.

Ekspertë të Kombeve të Bashkuara dhe Qendrës Carter me seli në Shtetet e Bashkuara, që vëzhguan zgjedhjet me ftesë të qeverisë së zotit Maduro, dolën në përfundimin se rezultatet e shpallura nga autoritetet zgjedhore nuk ishin të besueshme. Mandati i ardhshëm presidencial në Venezuelë fillon më 10 janar./VOA

Dështon sërish seanca ndaj Dritan Dajtit në Gjykatën e Elbasanit, zbardhet arsyeja! Vrasësi i katër policëve kërkon lirimin nga qelia

Ka dështuar sërish seanca e sotme gjyqësore e kërkuar nga Dritan Dajti, autori i vrasjes së 4 policëve në gusht të vitit 2009, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Shkak i dështimit të seancës sipas avokatit mbrojtës, ishte mosparaqitja në seancë e gjyqtares Thomaidha Roca.

Mësohet se gjyqtarja ka paraqitur raport mjekësor pasi prej ditësh ka probleme shëndetësore. Gjykata nga ana e saj e ka njoftuar paraprakisht avokatin mbrojtës për mungesën e saj në seancën e planifikuar për t’u zhvilluar sot në orën 09:30.

Edhe seanca e kaluar dështoi për të njëjtën arsye. Dritan Dajti, i cili aktualisht është duke vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit, i ka kërkuar gjykatës deklarimin e përfundimit të ekzekutimit të vendimit të dënimit me 25 vjet burgim.

Ai kohë më parë ishte në prag të lirimit nga qelia, por Prokuroria në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit dhe duke ulur dënimin e tij 25 vite burg.

Më datë 11 qershor 2024, Gjykata e Lartë prishi dënimin e Apelit për dënimin me 25 vite të Dajtit, duke e lënë në burg përjetë.

Dajti i është drejtuar Gjykatës së Elbasanit duke kërkuar lirimin nga qelia, pasi sipas tij, e ka konsumuar dënimin me 25 vite burg dhe se prej datës 17 gusht 2024 po qëndron në qeli në kundërshtim me ligjin.

Arbitrazhet “zhysin” në borxhe prej 85 mln euro agjencitë e varësisë mes njëra-tjetrës

Faturat e çështjeve që përfundojnë në gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar detyrojnë institucionet apo agjencitë e varësisë që të paguajnë fatura të kripura për studiot e mbrojtëse të avokatisë që kontraktohen apo për rrethana që s’kanë të bëjnë aspak me ato.

Raportet e fundit të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë dy institucioneve, konkretisht Agjencinë Kombëtare të Burimeve të Natyrës dhe operatori i kontrollit ajror Albcontrol tregojnë se në momente të caktuara këto të fundit janë vënë në vështirësi financiare pikërisht si efekt i përfshirjes së shtetit në beteja gjyqësore ndërkombëtare.

Audituesit e KLSH vërejnë se në rastin e AKBN, pagat nuk janë paguar për disa muaj me radhë për shkak të vështirësisë financiare të këtij institucioni që ka kërkuar që faturat t’i paguante Albpetrol në pamundësi për t’i paguar ajo vetë.

Për të dyja rastet shuma arrin në mbi 85 milionë euro, ku pjesa më e madhe prej 85 milionë euro i përket Albcontrol.

AKBN pa para për paga, faturat i shlyen Albpetrol
Raporti nënvizon se AKBN në datën 02.03.2022, ka kryer pagesën e faturës së parë studios ligjore H… L…. në vlerën 250,000 Euro. Duke patur parasysh gjendjen e vështirë financiare në të cilën ndodhet institucioni, AKBN iu drejtua MIE (shkresa 618/14 datë 29.07.2022), lidhur me gjetjen e mundësive për kryerjen e pagesave nga Albpetrol sha. Me shkresën nr. 1101/12, datë 29.07.2022, MIE i është drejtuar shoqërisë Albpetrol sh.a për realizimin e kërkesës se AKBN-së lidhur me pagesat e shpenzimeve paraprake gjyqësore.

“Kjo pagesë u realizua nga Albpetrol sha në datën 02.08.2022 për shpenzimeve gjyqësore ICC në vlerën 150 000 USD në favor të AKBN. Gjithashtu bazuar në Aktin Normativ Nr. 12 datë 01.12.2022, si dhe shkresës së MIE drejtuar Albpetrol sha me nr. 23 15/3 prot. datë 12.12.2022, MIE ka kryer pagesën për studion ligjore H…. L…. në vlerën 550,000 Euro, ndërsa Albpetrol sh a ka kryer pagesën ndaj dy ekspertëve në vlerën 361,250 USD.

Në kushtet e nevojës urgjente për kryerjen e pagesës të ambienteve me qira për seancat dëgjimore sipas shkresës së Avokaturës së Shtetit nr. 44/3 datë 26.01.2023, me qëllim mbarëvajtjen e procesit të arbitrazhi, AKBN ka kryer pagesën e pjesës takuese në vlerën 20,555 Euro në datën 27.01.2023” thuhet në raportin e KLSH.

Në raport nuk jepen detaje se për cilin nga rastet e arbitrazhit janë këto fatura edhe pse qeveria dhe agjencitë e saj të varësisë e ALBPETROL kanë qenë të përfshira në arbitrazhin me Bankers Petroleum si dhe një tjetër me GBC Oil ltd apo ish-Stream Oil.

Si efekt i kësaj vështirësie financiare të AKBN-së audituesit kanë konstatuar se për disa muaj me radhë nuk janë paguar në kohë pagat e punonjësve. “Nga auditimi rezultoi se AKBN duke qenë në kushte të vështira financiare nuk ka paguar punonjësit për muajt nëntor, dhjetor të vitit 2023 dhe për muajt janar dhe shkurt të vitit 2024 në kohë” thuhet në raport.

ALBCONTROL mori borxh në 5 institucione rreth 84 milionë euro
Albcontrol nuk mundi të arkëtojë paratë e saj pranë llogarisë në Eurocontrol për disa vite. Llogaritë e saj mbaheshin peng si efekt i vënies nën sekuestro për llogari të vendimit që Arbitrazhi dha në favor të investitorit Francesco Becchetti.

Vetë Albcontrol priste që llogaritë e saj të mbeten të bllokuara deri në mars 2025 derisa të plotësohej shuma e nevojshme për detyrimin e arbitrazhit. Ndërkohë në kushtet kur i duhet të operojë kompania ka marrë borxh në disa institucione në vend. Raporti i auditimit i KLSH pranë Albcontrol zbardhi se janë rreth 84 milionë euro të marra përmes pesë marrëveshjeve.

“Gjatë vitit 2022, ashtu si edhe gjatë vitit 2021, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi en route dhe terminal charge si pasojë e një vendimi të gjykatës së shkallës së parë të Brukselit, për ngrirjen e llogarive të Albcontrol sh.a pranë organizatës Eurocontrol. Për përballimin e situatës së krijuar mbi mos arkëtimin e të ardhurave, Albcontrol sh.a ka lidhur 3 marrëveshje për hua financiare si më poshtë:

1-Vlera prej 5 milion Euro, nga Autoriteti Portual i Durrësit, nëpërmjet vendimit nr.5, datë 23.02.2022 dhe me Kontratë Huaje nr. 686 Prot., datë 03.03.2022.

2-Vlera prej 936,000,000 lekë, nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, nëpërmjet vendimit nr.16 datë 17.08.2022 dhe me Kontratë Huaje nr. 2178 Prot., datë 24.08.2022.

3-Vlera prej 2,000,000,000 lekë, nga Autoriteti i Aviacionit Civil, nëpërmjet vendimit nr. 24, datë 22.12.2022 dhe me Kontratë Huaje nr. 3078 Prot., datë 27.12.2022.

4-Vlera prej 2,000,000,000 lekë, nga Korporata Shqiptare e Investimeve, nëpërmjet vendimit nr. 24, datë 21.11.2023 dhe me Kontratë Huaje nr. 2570 Prot., datë 24.11.2023.

5- Vlera prej 3,000,000,000 lekë, nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë me Kontratë Huaje nr. 2857 Prot., datë 27.12.2023” thuhet në raportin e auditimit.

Detyrimet e arbitrazheve arrijnë 181 milionë euro
Shteti shqiptar ndër vite është përfshirë në arbitrazhe të ndryshme ku në shumicën e rasteve vendimet kanë qenë kundër tij ashtu sikurse ka pasur edhe më pak raste por në favor.

Referuar relacionit të buxhetit 2025 Ministria e Financave raportoi se detyrimet të mbetura nga arbitrazhet deri në shtator 2024 ishin 71.6 milionë euro ndërkohë që detyrimet kontigjente që kanë të bëjnë me vendime akoma të pa përfunduar në procedura ligjore ishin 109 milionë euro. Në total detyrimet llogariten në 181 milionë euro./Monitor/

Shqipëria, vendi ku krimi të gjen më shpejt se shteti

Nga Namir Lapardhaja

Jetojmë në një vend që:

policia në vend të mbrojë, të ‘shet’ tek ata që ke denoncuar;

më shpejt të gjen krimi se sa rendi;

përpara se të ekzekutohesh, je në shoqërinë e policëve, ndonëse prej muajsh je i shpallur në kërkim;

je person me rrezikshmëri të lartë, por si shofer të shërben një oficer policie;

shefi i rendit paguhet nga prishësit e rendit;

shefi i antidrogës ‘koet’ nga lekët e drogës;

shefi i komisariatit paguhet me rrogë nga bota e krimit;

drejtuesi i krimit ekonomik s’heton se e thërret drejtuesi politik i qarkut dhe e akuzon se po godet pushtetin që të ka emëruar në punë;

emri i drejtorit të ri të policisë vendore të bëhet i ditur nga ‘të fortët’ nëpër tavolina përpara emërimit zyrtar.

Jetojmë në Shqipëri!

Ish-deputeti i PDIU paraqitet në SPAK

Ish-deputeti Dashamir Tahiri është paraqitur këtë të mërkurë në SPAK.

Deri më tani nuk dihet arsyeja pse Tahiri është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.

Analizë e Projekt-buxhetit 2025: Një Perspektivë e Zgjeruar – Nga Sidi Hasanaj

Projektbuxheti 2025 paraqet një pasqyrë të sfidave të mëdha fiskale dhe strukturore të Shqipërisë. Me një sistem fiskal të dobët, një ekonomi të mbështetur në sektorë jo të qëndrueshëm dhe një administratë të fryrë, vendi ka nevojë për reforma rrënjësore në transparencë, efikasitet dhe investime strategjike. Qeveria duhet të kalojë nga politikat afatshkurtra në strategji afatgjata që fuqizojnë konkurrencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, duke e pozicionuar Shqipërinë më afër standardeve evropiane.” – kështu shkruan në analizën e tij Sidi Hasanaj.

 

Analizë e Projekt-buxhetit 2025: Një Perspektivë e Zgjeruar

Të Ardhurat Buxhetore në raport me PBB

Të Ardhurat Buxhetore në raport me PBB janë një nga të dhënat fiskale më domethënëse përsa i përket statistikave të një Buxheti shteti. Interpretimi i tyre në raport % me PBB , ka dy aspekte, pozitive dhe atë negativë.

Shqiperia në projektBuxhetin e 2025 parashikohen 754.6 miliardë lek ose 28.8% të PBB-së.

Treguesi ShBipëria 2025 Ballkani Perëndimor BE Kroacia dhe Sllovenia
Të ardhurat (% e PBB-së) 28.8% (754.6 mld L) 27%-39% 45%-50% 42.6%
Shpenzimet (% e PBB-së) 29.4% (822.7 mld Lek) 28%-40% 50.8% 46.5%
Deficiti 68 mld Lek      
         

 

Kjo situatë reflekton disa sfida kryesore:

  • Kapacitet i ulët fiskal dhe informalitet i lartë: Shkalla e lartë e informalitetit dhe barra tatimore e perceptuar si e padrejtë e kanë dobësuar më tej aftësinë e shtetit për të mbledhur të ardhura.
  • Politika fiskale të paefektshme: Fokusimi në masa afatshkurtra, pa reforma strukturore për të zgjidhur problemet themelore të ekonomisë.
  • Shqipëria ka një ekonomi e cila masivisht lëngon nga mungesa e fitimeve dhe detyrohet të hyjë në rrugën e shmangies së detyrimeve tatimore. Pasojë direkte e këtij informaliteti është fondi i ulët që qeveria ka në dizpozicion për të investuar në vepra infrastrukturore të ndryshme.

Zgjidhja e duhur  është Ristrukturimi i sistemit të taksave: Ulja e barrës tatimore për bizneset e vogla dhe të mesme, duke rritur progresivitetin për korporatat më të mëdha.

  1. Shpenzimet buxhetore dhe deficiti

 

Shpenzimet buxhetore janë planifikuar të arrijnë në 822.7 miliardë lekë ose 29.4% të PBB-së, me një deficit prej 68 miliardë lekësh. Në krahasim me vendet e BE-së, ku shpenzimet arrijnë mesatarisht 50.8% të PBB-së, ky nivel është dukshëm më i ulët, duke reflektuar mungesën e investimeve thelbësore në sektorë si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.

 

Pavarësisht kësaj, administrata publike e Shqipërisë ka një numër të lartë punonjësish për 1,000 banorë (31.2), krahasuar me mesataren e BE-së prej 10-15. Ky është një tregues i fryrjes së administratës dhe përdorimit joefikas të burimeve publike.

Si përfundim të Ardhurat  dhe Shpenzimet Buxhetore në raport me PBB të Shqipërise (në %) janë shumë herë më të ulëta se vendet e rajonit si Kroacia, Sllovenia, apo dhe mesatarja e BE. Tregues i qartë fiskal që pasqyron strukturën e anemike të ekonomisë tonë të varfër, e cila na privon nga investimet e mëdha transformuese në vepra rrugore, energjitikë, shëndetësi,arsim dhe mirëqënie të shtresave të varfëra.

 

Investimet Publike në raport me PBB

Shqipëria planifikon 161.8 miliardë lek ose 6.2% të PBB ndërkohë që Mesatarja e investimeve publike në BE është rreth 3%-3.5% e PBB-së.

Vendndodhja Investimet (% e PBB-së) Kostoja për km rrugë (milion €)
Shqipëri 6.2% (161.8 mld L) 12.2 (Thumanë-Kashar)
BE (mesatare) 3%-3.5% 2-10
Vendet me kosto të lartë   20 (në projekte me ura/tunele)

 

Si mundet që një vend me të Ardhura dhe Shpenzime Buxhetore ne raport me PBB shume më të ulët sesa ajo e vendeve të tjera rajonale dhe europiane, paradoksalisht zërin Buxhet të investimeve puBlike ne raport me PBB ta ketë rreth dy herë më të lartë se vendet europiane, pra se vendet me perfomence fiskale shumë më të lartë?

Këtu përsëri panorama është tepër e ëartë:

Abuziviteti me fryrjen e kostove të tenderave dhe koncesioneve, si dhe administrata tejet e fryrë!

3. Projekte Kryesore të Infrastrukturës (Shqipëri 2025)

Projekti Vlera (lek)
Milot-Morinë 5.3 mld
Aeroporti i Vlorës 12.8 mld
Kashar-Lekaj 56.8 mld
Lekaj-Fier 37.9 mld
Milot-Thumanë 5.3 mld

 

Kostoja për ndërtimin e rrugëve në Bashkimin Evropian varion shumë në bazë të vendit dhe projektit specifik, por zakonisht shkon midis 2 dhe 10 milionë euro për kilometër për rrugët rajonale dhe ato kombëtare.

Për autostrada, kostoja mund të arrijë deri në 20 milionë euro për kilometër, duke përfshirë projekte Bë përfshijnë tunele ose ura, të cilat janë dukshëm më të kushtueshme .

Në Shqipëri, kostoja për ndërtimin e një kilometri rrugë është ndër më të lartat në Evropë. Për shembull, kostoja e ndërtimit të segmentit Thumanë-Kashar (20 km) arrin në 12.2 milionë euro për kilometër, duke e renditur Shqipërinë të dytën pas Austrisë (12.8 milionë euro/km) sa i përket kostove të larta të ndërtimit të rrugëve.

Projekte të tjera rrugore në Shqipëri, si rrugët lidhëse të Aeroportit të Vlorës dhe segmente të tjera, kanë shpenzime të ndryshme. Në disa raste, për 42 km rrugë me dy korsi janë raportuar shpenzime prej rreth 133 milionë euro .

Krahasuar me vendet e tjera evropiane, Shqipëria është në vendete me kosto më të lartë për rrugë, ndërsa vende me reliev të ngjashëm me ne, si Kroacia dhe Danimarka kanë kosto shumë më të ulëta, me 6.6 milionë dhe 5.8 milionë euro/km respektivisht.

Gjithashtu dallimet në teknologjinë e ndërtimit të rrugëve midis BE-së dhe Shqipërisë jane shumë herë më superiore, pasi në Shqipëri Proceset ndërtimore mbështeten më shumë te praktikat tradicionale dhe manuale, dhe analizat paraprake për kapacitetin e rrugëve janë të kufizuara. Këtu azohem dhe në raportet të raportet nga Arcadis dhe Eno Transportation, të cilat ofrojnë krahasime ndërkombëtare të kostove.

 

Arsimi 2025

  1. Për përmirësimin e infrastrukturës Arsimore në Bashkinë eTiranës për katër objekte arsimore në zonën Tirana 4 janë alokuar plot 1,738,456,242 lek:
  2. Dmth 434,614,060 lek per shkolle ose 4.3 milione euro per shkolle
  3. Ku siperfaqja mesatare e nje shkolle 2500metra2
  4. dmth 178,400 lek per m2!!!!!

 

  1. Për përmirësimin e infrastrukturës Arsimore në Bashkinë eTiranës për pesë objektet arsimore në zonën Tirana 1 prej totali 1600861766 lek
  2. 321,000,000 per shkolle.
  3. 128,068 lek per m2 me mesatare ndertimi 2500metra katrore

Kostoja e ndërtimit në tiranë nuk kalon 450euro për metër katror, ti shtojmë dhe pajisjet mund të arrijë në 600 euro për metër katrorë, ndërkohe në Buxhetin e 2025 kostoja e ndërtimit është 3fish më e lartë, rreth 1800euro metri2.

Administrata Publike dhe Efikasiteti

 

Vendndodhja Punonjës për 1,000 banorë
Shqipëri 31.2
BE (mesatare) 10-15
Gjermania 3.6
Kroacia, 12.3
Estonia, 14
Sllovenia 15.7
   

 

Për vitin 2025 programohen në masën 822.7 miliardë lekë ose rreth 31.4% e PBB-së duke rezultuar rreth 51.4 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2024.

Por çfarë po ndodh me këto shpenzime? Përse po rriten?

Përgjigjia e shkurtër është fryrja e tejmadhe e punonjosve të administratës qëndrore!

Le të bëjmë një krahasim mbi disa shifrat zyrtare të pasqyruara më sipër.

Shqipëria ka Numër të punonjësve të administratës publike qëndrore   85,974 persona sipas të dhënave më të fundit për vitin 2024  . Popullsia aktuale e ShBipërisë është afërsisht 2.76 milionë banorë. Pra ka raportin e punonjësve për 1,000 banorë prej 31.2 punonjësish.  Një numër shumë të lartë të punonjësve të administratës qëndrore për 1000 banorë (31.2), që tejkalon ndjeshëm shumicën e vendeve të BE në këtë krahasim.

 

 

Ndërkohë që ky është buxheti rekord që qeveria ka mbledhur nga taksat e shqipëtarëve, panorama e familjeve dhe mirëqënies Shqipëtare është diametrelisht e kundërt. Ajo paraqitet e zymtë, me familje në luftë për mbijetesë, me vuajtjet e përditshme si borxhet.

Sipas një anketimi të Bankës së ShBipërisë,aktualisht 24% e familjeve kanë borxh për të shlyer. E kanë atë në formën e mallit të papaguar, pra ka blerë produktin por nuk ka paguar faturën, ku më specifikisht

  • 41% e të pyeturve thonë se e kanë në formën e kredisë, overdraft ose karta krediti,
  • 38% e kanë marrë borxhin cash tek të afërmit e tyre dhe
  • 20% kanë mallra të papaguara.

Në vrojtim thuhet se pesha e familjeve që kanë borxhe nëpër dyqane është rritur me 2% krahasuar me fundin e vitit 2023.Qëllimi kryesor i huamarrjes mbetet:

  • për konsum’ në 35% të rasteve të huamarrjes, ‘
  • për blerjen/riparimin e një prone’ në 19% të rasteve dhe
  • për ‘zhvillim biznesi’ në 18% të rasteve”, thuhet në vrojtimin e Bankës së ShBipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit aktual.

 

Nga ana tjetër 23% e borxhit merret nga familjet shqiptare kryesisht për procedura mjekësore, duke u rritur ndjeshëm krahasuar me vjet kur kjo shifër ishte 7%.

Duhet theksuar se në Shqipëri ka aktualisht me ndihmë ekonomike rreth 62 mijë familje, për të cilat më shume se të ketë një rritje, do ketë një indeksim inflacioni këtë vit.

 

Pra, nga njëra anë “Dora e Shtetit” është çdo vit dhe më e fortë në xhepat e taksa paguesve Shqipëtarë, por nga ana tjetër këto të ardhura nuk përkthehen në mirëqënie për qytetarët e vendit tonë.

Përse vallë? A duhet shteti të ketë rolin e “Robin Hudit” siç propozon Berisha me ekspertët e tijë, ku nga njëra anë tjua marrë atyre që kanë dhe tjua shpërndajë në formën e asistencës sociale, ndihmës ekonomike apo rritjes së pensioneve përtej shumës që mblidhen nga kontributet shoqërore, të moshuarve?

 

A është  zgjidhja e varfërisë në Shqipëri, qeveria e politikave sociale që propozon grupi parlamentar dhe ekspertët e partisë së Berishës?

 

Apo është politika jo sociale, por socialiste “par excellence” e Edi Ramës, ku paradigma e qeverisë është:

“Shteti të mbledhë sa më shumë taksa nga individët dhe bizneset që punojnë, që janë shpirti i kapitalizmit, motorri vital i Shqipërisë, dhe këto taksa ti shpërndajë në njerëzit e saj të preferuar? Në oligarkët dhe administratën e saj, pjesë e makinerisë së partisë-shtet PS? Kush është politika socialiste e Edi Ramës?

 

Qeveria ka parashikuar të shtojë në sektorin e shëndetësisë:

  • 0.88 miliardë Lekë për kontrollin e chekup- it,
  • 1.9 miliardë lekë për koncesionin e sterilizimit.
  • 1.9 miliardë lekë për shërbimet spitalore. Ndërkohë që mbetet fakt se qytetarët në rreth, 60% të shpenzimeve i paguajnë nga xhepi dhe po sipas raportit të bankës kombëtare 23% e borxhit të qytetarëve tanë është për shërbime mjekësore.

Pyetja që lind është se a kanë eficensë dhe vizibilitet ekonomik politikat 11vjeçare të PS në sektorin e Shëndetësisë?

Nga shifrat (faktet) më sipër, konkludohet që Jo, aspak!

Përveçse afera korruptive, politikat në sipër kanë rritur borxhet e qytetarëve për procedura mjekësore, borxh që tregon që politikat e qeverisë nuk kanë qenë adekuate as në parandalimin e sëmundjeve, as në rritjen substanciale të shërbimeve dhe as në skemat e financimit të shërbimeve mjekësore për qytetarët.

 

Ndërkohë të largohemi pak nga sektori i shëndetësisë:

Ekonomia e vendit parashikohet të zgjerohet me rreth 3.9 përqind vitin e ardhshëm, e mbështetur nga ecuria mjaft e mirë e sektorit të turizmit dhe aktivitetit të ndërtimit. Por si qëndron panorama më e gjerë e ekonomisë?

 

  • Industria fasone në Shqipëri ka humbur 230 milionë euro deri në fund të shtatorit 2024 për shkak të zhvlerësimit të euros ndaj lekut.

 

  • Eksportet kanë rënë me 170 milionë euro, ndërsa importet me 60 milionë euro krahasuar me 2023.

 

Pra ne si vend po bazohemi çdo ditë e më pak në industrinë prodhuese e cila eksporton jashtë.

 

Por qeveria Socialiste e Edi Ramës, prioritetet e saj ka klientët e paktë të tenderave, PPP-ve dhe koncesioneve. Subjekte që nuk janë aktorë të tregut të lirë, të magjisë së kapitalizmit… por subjekte që fitojnë miliarda nga taksat e Shaipëtarëve:

 

Pagesat për kontratat e koncesioneve që përfundojnë në xhepin e tyre janë si më poshtë të planifikuara për 2025:

 

  • -Rruga e Arbrit 3 miliardë e 360 milionë lekë
  • -Autostrada Milot-Morinë 720 mln
  • -Porti i Jahteve Orikum-Dukat 956 mln lekë
  • -Skanimi në dogana 1 miliardë e 573 milionë lekë
  • -CHECK UP- me pagesë në vlerën 876 milionë lekë
  • -Për koncesionin e sterilizimit do paguhen 1.9 miliardë lekë.
  • -Për Ofrimin e shërbimit të dializës 960 milionë lekë
  • -Për shërbimet laboratorike 1.9 miliardë lekë
  • -Për inceneratorin e Tiranës 1 miliardë e 270 milionë lekë

 

PAGESAT PËR KONCESIONET

Viti 2024         14,023,580 mijë lekë

Viti 2025         14,231,130 mijë lekë

Rritja                +207,550 mijë lekë

Këto shifra pasqyrojnë angazhimet financiare të Shtetit Socialist të PS, ku ekonomia kryesore zhvillohet mes qeverisë dhe oligarkëve, dhe jo konkurrencës në sektorin privat.

 

Përmbledhje e Projektbuxhetit

Përfundim

Projektbuxheti 2025 paraqet një pasqyrë të sfidave të mëdha fiskale dhe strukturore të Shqipërisë. Me një sistem fiskal të dobët, një ekonomi të mbështetur në sektorë jo të qëndrueshëm dhe një administratë të fryrë, vendi ka nevojë për reforma rrënjësore në transparencë, efikasitet dhe investime strategjike.

Qeveria duhet të kalojë nga politikat afatshkurtra në strategji afatgjata që fuqizojnë konkurrencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, duke e pozicionuar Shqipërinë më afër standardeve evropiane.

Vrasja e 14-vjeçarit në Tiranë, ekspertët: Gjuha që indukton dhunë e politikanëve, modeli që po infekton qytetarët

‘Hëngshin kokat e njëri-tjetrit’, ky është fjalori që dëgjon rëndom në foltoren e kuvendit nga politikanët tanë të cilët i kanë vënë flakën institucionit që miraton ligjet kundër dhunës, jo vetëm në kuptimin figurativ’.

Ngjarja e rëndë në shkollën 9-vjeçare ‘Fan Noli’ në Tiranë që ka tronditur opinionin publik, për sociologun Gëzim Tushi, përvecc përgjegjësisë direkte të institucioneve edukuese si familja e shkolla, lidhet drejtpërdrejt dhe tërthorazi dhe me modelet që përcjell klasa politike me sjelljet e saj të dhunshme në sallën e kuvendit të Shqipërisë.

Sipas Tushit, retorika e mbushur me fjalor të rëndë, gjuhë fyese dhe etiketime denigruese, duke përfunduar deri në konfrontime fizike, sjellje që vitet e fundit janë bërë të zakonshme mes deputetëve, ka ndikuar keq në sjelljen e fëmijëve dhe adoleshentëve.

‘Këto sjellje sjellin për pasojë influencime joedukative, fjalor banal, nxitës për neurotizmin social të shoqërisë, këto janë eksperimente sociale që po i injorojnë mekanizmat e zgjidhjes së konfliktit’
, thotë sociologu Gëzim Tushi.

Ndërsa profesor Namir Lapardhaja, e sheh narrativën e dhunshme që përcillet përmes ekranit, si stimulim për dhunë në shoqëri.

‘Kryeministër që thotë për ata që vriten “hënkshin kokat e njëri-tjetrin” dhe nuk mban kurrfarë përgjegjësie, ish-kryeministër që nëpërmjet retorikës së tij emeton dhunë verbale, që mund të degjenerojë në konflikt fizikë dhe civil nga momenti në moment. Është një shoqëri e tërë e trysnuar nga dhuna. Fëmijë dhe adoleshentë që rriten në këtë kontekst social. Është fatkeqësi që shoqëria nuk po gjen modele të paqta, optimiste dhe që promovojnë bashkëjetesën e paqtë, pavarësisht ideve dhe mendimeve. Politika ka një rol vendimtar në këtë kontekst të trishtë, ndërsa familja është viktimë që nga dita në ditë po degradon, si pasojë e së cilës kemi një brez problematik dhe të dhunshëm’, thotë pedagogu Namir Lapardhaja.

Sipas tij, një shoqëri e dështuar në të gjithë hallkat e saj, është rezultat i dështimit dhe krizës së thellë që po kalon familja shqiptare.

‘Ky dështim i tërësishëm nuk mund të kuptohet pa një shkollë dhe politikë arsimore, e cila e ka shndërruar totalisht fokusin e arsimit, duke e keqorientuar dhe duke e larguar nga misioni i saj. Fatkeqësisht shkollat nga institucione edukimi po shfaqen përditë dhe më shumë sikur të ishin vatra riedukimi. Ngjarjet e fundit, janë kambana alarami për familjen shqiptare’,
thotë Lapardhaja.

Ndërsa psikologia Eksena Qirici thotë se të gjitha ambientet që e shoqërojnë fëmijën gjatë rritjes përbëjnë kuptimin e personalitetit që ai formon.

‘Imazhi i personaliteteve të dhunshme nuk zhbëhet duke dhunuar edhe më shumë, duke ndëshkuar edhe më shumë, duke e shtuar gjuhën e urrejtjes dhe inatit edhe më shumë, duke shtuar dozën e agresivitetit, duke marr hak, duke përdorur armë të cdo lloj forme.
Çdo ngjarje që prodhon emocione të ndryshme tek fëmija, ka rëndësi në formën që merr personaliteti i tyre dhe për këtë vëmendja për të kuptuar dhe ndihmuar fëmijën, dominon si alternativë për të parandaluar devijime nga rregullat njerëzore.
Neglizhenca emocionale, që mbështetet në arsyetimin se ”cdo gjë kalon vet” është dhuna më e madhe psikologjike që po i bëhet shoqërisë tonë njerëzore’,
thotë Qirici.

Sociologu Gëzim Tushi shton ndër të tjera se vrasja e 14-vjeccarit në shkollë tregoi se ‘demokratizimi’ i dhunës është kancer social.

‘Përkeqësimi i jetës, neurotizmi social ka si shkaqe faktorët social që lidhen me shoqërinë e median dhe faktorët ekstrasocialë që sjell struktura e jetës politike.’, thotë Tushi.
Sipas tij, sjellja e atyre që janë në bordin e shoqërisë ka impact në krijimin e modeleve që infektojnë qytetarët, përfshi dhe fëmijët.
‘Ideja e të fortit që vetëm me forcë arrin sfidat, po ushqen kriminalitetin dhe politika ka mëkatet e veta.
Dhe pse ata përpiqen tja hedhin fajin e kësaj klime, institucioneve të tjera si familja e shkolla, të cilat kanë peshën e tyre në këtë situatë sepse kane te bejne me institucionet e formimit dhe edukimit’, thotë sociologu Tushi.
Në analizën e tij, sociologu i njohur thotë se faktorët kryesorë në parandalimin dhe luftën ndaj krimit janë institucionet përgjegjëse, familja, shkolla e shoqëria dhe qytetarët që duke shmangur indiferencën, do të kontribuojnë për krijimin e një strukture të përbashkët’
, përfundon sociologu Tushi./gazetaSi.al

Ngjarja e rëndë pranë shkollës “Fan Noli”/ Mirela Karabina: Tragjedi e paralajmëruar që ka terren të përsëritet

Nga Mirela Karabina
Ngjarja e rëndë pranë shkollës “ Fan Noli” ku një fëmijë 14 vjeҫar vrau bashkëmoshatarin e tij, Martinin e bukur vetëm 14 vjeҫ, ka tronditur nxënës, mësues, prindër dhe mbarë opinionin publik.
Nuk gjendet fjalë ngushëlluese për prindërit e Martinit që humbën djalin e tyre të vogël, për bashkëmoshatarët që përjetojnë në këtë moshë një ndarje të tillë nga jeta të shokut të tyre, njëkohësisht dhe keqardhje për një tjetër fëmijë, i cili kreu aktin më të rëndë në jetë, atë të vrasjes së shokut.
Kjo tragjedi nuk ndodhi nga askundi, dhe jo vetëm që ka qenë e paralajmëruar,  por ka terrenin e duhur për të ndodhur përsëri.
Pasi shqoqëria shqiptare është në një krizë të thellë shoqërore në mungesë morali dhe karakteri, ku e keqja ia ka zënë vendin të mirës, ku anormalja paraqitet si normale, ku institucionet kanë humbur rolin dhe ia kanë lënë spontanitetit.
Dhe promotorë të kësaj gjendje janë vendimarrësit politikanë dhe kjo qeveri aktuale 12 vjeҫare me veprimet e tyre të mbrapshta të shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.
Familja në krizë shihet në shifrat e divorceve në rritje nga shkaqe ekonomike, emigracioni apo dhunës në familje. Figura e mësuesit është shpërfillur duke e lënë në kushte të vështira pune dhe jo të vlerësuar e respektuar. Shkolla ka humbur rolin edukues dhe ofron standarte të ulta me klasa të mbipopulluara pa ajër e oksigjen; pa mjete e kushte mësimore bashkëkohore; mësimi i cunguar me turne duke mos lënë hapsirën e nevojshme për arsimim e edukim të nxënësve; fiktivitet në vlerësime, kopjimi zyrtarizohet nga vetë institucione arsimore, paguhet lëkë për provime e diploma në shkolla e univeristete e shumë të tjera dhe të gjitha këto reflektojnë në ndërtimin e karakterit të fëmijët.
Pra, dy institucionet më të rëndësishme të edukimit janë tronditur duke humbur rolin edukues të vlerave morale, familja që  është e para në edukim dhe shkolla, e cila i mundëson nxënësit të mësojnë për etikën, vlerat morale, kompetencat dhe zbatimi i tyre përmes aftësive të fituara.
Mirëpo këto dy institucione janë goditur shumë, atëherë rolin parësor në edukim e ka marrë shoqëria dhe media.
Njëra, shoqëria është në krizë të thellë vetë, e dhunuar dhe prodhon dhunë, jo mirë e edukuar, jo e civilizuar, e frustruar, e frikësuar, indiferente, i është vrarë shpresa dhe me mungesë të thellë të empatisë dhe vetëdijes për ndryshim.
Ndërsa media, në interesa ekonomikë dhe nën trysninë e pushtetit, fatkeqësisht promovon modelin e gabuar të arritjeve të të rinjve përmes standarteve të gënjeshtra, të bukurisë false që vret, të dhunës verbale psikologjike të politikanëve përmes fyerjeve e sharjeve dhe kërcënimeve, jo dialog konstruktiv ku të mbizotërojë deduksioni logjik, të pasurimit të shpejtë e të tjera e të tjera.
Sot në media lajtmotivi i emisioneve të ditës duhet të kishte qenë Martin Cani, vetëm ai, djali 14 vjeҫ që nuk jeton më për shkak të indiferencës së të gjithëve, shkollës, shoqërisë, medias, qeverisë dhe shtetit që reagojnë vetëm kur e keqja ndodh, e më pas, asgjë…
Fatkeqësisht, problemi ynë është shumë më tepër se thjesht ekonomik dhe arsimor. Problemi ynë ka të bëj me të mangësitë në moralin apo në karakterin tonë për të ndërmarrë veprimin e duhur.
Sikur secili nga ne të bëjë më të mirën si prind e profesionist i fushës dhe politikanët mos korruptohen e të mashtrojnë por të ndërmarrin politika që adresojnë problemet e qytetarëve dhe zgjidhjen e tyre, sigurisht që gjërat do shkonin mirë dhe jeta jonë do të ishte më e sigurtë.
Por nuk po ndodh kështu, jëtojmë në një terren ku të gjithë jemi të rrezikuar…