18.5 C
Tirana
E hënë, 14 Korrik, 2025

KE: Shqipëria eksporton krim të organizuar në BE

Duke publikuar ҫështjet kryesore nga raportimi i Komisionit para Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian për funksionimin e regjimit pa viza me vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia si edhe me vendet e Partneritetit Lindor – Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, delegacioni i BE-së në Tiranë vuri në dukje se Komisioni Europian thekson se kërkon përgjegjësi nga qytetarët dhe autoritetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Delegacioni i BE-së në Tiranë citon në njoftimin zyrtar, Dimitris Avramopoulos, Komisioner për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, i cili ka përshëndetur autoritetet e Shqipërisë për “përpjekjet e bëra për forcimin e masave në trajtimin e migrimit të parregullt dhe përmirësimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE, më të prekura deri tani”.
Përpjekjet duhen mbështetur më tej për të siguruar që progresi të vazhdojë i pandërprerë, veçanërisht fushatat e ndërgjegjësimit mbi detyrimet dhe kushtet e udhëtimit pa viza, përmirësimi i kontrollit të kufijve dhe shtimi i hetimeve dhe ndjekjes penale të grupeve të krimit të organizuar”. Përpjekjet kanë të bëjnë me frenimin e mëtejshëm të emigracionit të parregullt, luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, forcimin e rendit dhe sigurisë publike.

Shqipëria – vendi me numrin më të madh të azilkërkuesve

Komisioni Europian në raportimin e tij vlerëson përpjekjet e autoriteteve në vendet e Ballkanit Perëndimor për të frenuar qytetarët e tyre të kërkojnë azil në vendet e BE. “Këto përpjekje kanë rezultuar në një rënie të konsiderueshme të përgjithshme të numrit të kërkesave për azil të bëra në shtetet anëtare të BE-së nga qytetarët e vendeve të BP”. Shqipëria është cilësuar në raportin në fjalë si vendi “me numrin më të madh të aplikimeve të pabazuara për azil mes shteteve të Ballkanit Perëndimor që udhëtojnë pa viza.
“Autoritetet shqiptare kanë qenë aktive për forcimin e masave për të trajtuar migracionin e parregullt dhe përmirësimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE më të prekura, por ata duhet të vazhdojnë të ndërmarrin veprime specifike, që nga forcimi i kontrolleve kufitare deri tek organizimi i fushatave informuese për udhëtimin pa viza”, thekson raporti.
Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që udhëtojnë pa viza, Komisioni Europian përmend Shqipërinë si vendin që duhet të ndërmarrë “veprime të menjëhershme për të siguruar përparim të vazhdueshëm lidhur me sfidat e migracionit të parregullt”.
Sipas EUROSTAT-it 27.500 qytetarë nga Shqipëria kërkuan azil në vendet e BE në vitin 2017. Vendi më i preferuar edhe këtë vit mbeti Gjermania, e ndjekur nga Franca, Holanda dhe Anglia.

Problem korrupsioni dhe krimi i organizuar

Për Komisionin Europian, megjithë përpjekjet e vazhdueshme për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar, grupe kriminale nga Shqipëria dhe vendet e tjera të BP janë ende aktive. Raporti vë në dukje se, krimi i organizuar “ushtron veprimtari kriminale në vendet e BE-së që nga trafikimi i qenieve njerëzore, i mallrave të paligjshme, krimi ndaj pronës, kontrabanda e migrantëve deri tek krimi kibernetik”. Komisioni Europian i bëri thirrje Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor “t’i shtojnë veprimet e tyre për ta trajtuar më tej çështjen e krimit të organizuar”.
Raportimi i Komisionit Europian para Parlamentit dhe Këshillit Europian përbën një detyrim ligjor të Komisionit në kuadrin e mekanizmit të forcuar të pezullimit të vizave, të miratuar në mars 2017, për të monitoruar përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave nga vendet jo-anëtare të BE. Qytetarët e Malit të Zi, Serbisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë filluan të udhëtojnë në BE pa vizë që nga dhjetori 2009, ata të Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës që nga fundi i vitit 2010. Komisioni Europian do të raportojë gjithashtu për situatën në punët e brendshme dhe të drejtësisë në kuadër të raporteve të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.
60 vende anembanë botës përfitojnë nga udhëtimi pa viza në BE. Komisioni Europian thekson se në disa raste, vendimet për lëvizjen pa viza në Zonën Shengen mbështeten në progresin e bërë nga vendet e interesuara në zbatimin e reformave të mëdha në fusha të tilla si forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsioni dhe migracioni i paligjshëm dhe përmirësimi i kapaciteteve administrative në kontrollin kufitar dhe sigurinë e dokumenteve.

Në cilat raste Komisioni Europian pezullon udhëtimin pa viza në zonën Schengen?

Komisioni Europian ka parashikuar rastet, kur udhëtimi pa viza në zonën Schengen të BE pezullohet. Kjo masë është parashikuar në rast se ka një rritje të konsiderueshme (më shumë se 50%) e migracionit të parregullt dhe kur qytetarëve nga vendet e BP që u është refuzuar azili vazhdojnë të qëndrojnë në mënyrë të parregullt. Pezullimi parashikohet të aplikohet edhe kur ka rënie të bashkëpunimit për riatdhesim, në rastet e rritjes së refuzimit të aplikimeve për riatdhesim. Dhe së fundi, kur emigrantët e parregullt përbëjnë një rrezik në rritje për sigurinë e shteteve anëtare të BE dhe kur ata kanë kryer vepra të rënda penale.
Komisioni do t’i raportojë përsëri Parlamentit Evropian dhe Këshillit për përmbushjen e vazhdueshme të kërkesave për liberalizimin e vizave në vitin 2018.

Do të jetë El Clasico e fundit për Bale?!

Real Madridi do të përballet me Barcelonën të shtunën dhe madrilenët janë të detyruar të fitojnë. Ndërkaq, Gareth Bale shpreson ta shfrytëzojë këtë “El Clasico” si një mundësi për të çimentuar zgjatjen e qëndrimit të tij në klubin mbretëror madrilen. Kampionët në fuqi të La Liga-s janë të katërtit në renditjen e deritanishme, 11 pikë mbrapa kryesueses Barcelona. Ata kanë lënë pikë në gjashtë nga 15 ndeshjet e luajtura. Bale ka munguar në pjesën më të madhe të ndeshjeve të kësaj faze për shkak të një serie dëmtimesh. Këto probleme iu kanë hapur rrugë spekulimeve se klubi po dëshiron ta shesë atë. Tani është kthyer i uritur, për të shfrytëzuar një tjetër shans, për të treguar se e meriton një vend në vijën sulmuese të Zinedin Zidane. Por a do të ketë?! Nuk është dhe aq e sigurtë nëse atij do t’i jepet kjo mundësi të shtunën.
Ndërkohë, Vinicius Junior ka provuar shijen e parë të jetës që e pret te Real Madrid, pasi ka udhëtuar për në kryeqytetin spanjoll për t’u takuar me trajnerin Zinedine Zidane dhe ata që do të jenë shokët e tij në të ardhmen. Ende futbollist i Flamengo, Vinicius po shijon pushimet sepse sezoni në Brazil është mbyllur para kohe. Ai bëri një vizitë në qendrën stërvitore të Real Madrid dhe sipas gazetës “Marca”, 17-vjeçari do të jetë prezent në “Santiago Bernabeu” për të ndjekur ndeshjen “El Clasico” kundër Barcelonës.
Sulmuesi u pa në aeroportin e Rio de Zhaneiro bashkë me babanë, vëllanë dhe xhaxhanë, që e shoqëruan në udhëtimin e tij në Madrid. Në qershorin e ardhshëm, kur të ketë mbushur 18 vjeç, Vinicius do të transferohet nga Flamengo te Real Madrid për 50 milionë euro.

Dy skuadra, 14 kombësi

Ndeshja e “Bernabeut” është një klasike për shumë arsye. Të shtunën do të luhet një ndeshje e vërtetë.
Një rivalitet që ka 115 vite histori
Konfrontimi i parë mes Real Madridit dhe Barcelonës daton më 13 maj 1902, në një ndeshje të “Copa de la Coronación”. Ekipi i Barcelonës fitoi 3-1. Skuadra e bardhë fitoi në klasifikimin e parë të ligës, më 17 shkurt 1929, 1-2, edhe pse në shtëpi fitorja shkoi për ekipin katalanas, me rezultatin 0-1.
Messi me 21 gola
Argjentinasi Leo Messi është artilieri “par excellence” i klasikes spanjolle, me 24 gola në 35 ndeshje, të luajtura midis garave të ndryshme, 16 prej tyre në La Liga. I ndjeri Alfredo di Stefano, ish-presidenti i nderit të të bardhëve ka akumuluar gjithsej 18 gola, një gol më shumë se Cristiano Ronaldo.
Manuel Sanchis, lideri dhe lojtari i klasikeManuel Sanchis, një komponent i të ashtuquajturit “Quinta del Vulture”, është lojtari që në klasike ka luajtur më shumë, me një total prej 43 ndeshjesh, duke përfshirë 29 në turneun e La Liga-s, dy më pak se Paco Gento, tani president nderi i Real Madridit dhe se Raúl González. Në shumën e të gjitha garave, Sanchís kryeson Gento dhe Xavi Hernández, me një ndeshje. Sergio Ramos, Andres Iniesta dhe Messi mund të luajnë të shtunën klasiken e 37-të zyrtare, e cila do t’i përputhë ata me Fernando Hierro, Raul dhe Iker Casillas.
8-2 fitorja më e madhe në Madrid
8-2, e regjistruar në javën e dhjetë të sezonit 1934-1935, është klasikja në Madrid, me më shumë gola dhe me diferencën më të madhe. Fitorja më e madhe e katalanasve në “Bernabeu” ishte në sezonin 1973-1974, kur Barcelona udhëhiqej nga Johan Cruyff (0-5), edhe pse në edicionin 2008-2009 skuadra katalanase fitoi 2-6, me një lider si Messi.
“El Classico” nuk përfundon 0-0 prej 15 vitesh
Lidhshmëria e fundit me zero gola në klasiken e njohur spanjolle u regjistrua në javën e 11-të të sezonit 2002-2003, më 23 nëntor 2002. Kjo ndodhi në “Camp Nou”. Për ta ndeshur barazimin 0-0 në “Bernabéu” ju duhet të ktheheni deri në “play off”-in e sezonit 1986-1987.
Barcelona, shënuesja maksimale
Barcelona e Ernesto Valverde kryeson me autoritet klasifikimin e La Liga-s momentalisht. Ajo është më e mira në të dyja drejtimet: ka më shumë gola të shënuar, 42 dhe më pak gola të shënuar, edhe pse i lidh shtatë golat me Atlético Madrid. Real Madridi, i cili ka një ndeshje në dorë, të prapambetur, kundër Leganes, ka shënuar 30 gola dhe ka pësuar 11 gola.
Messi, Luis Suarez dhe Paulinho
Leo Messi (14 gola), Luis Suarez (9 gola) dhe Paulinho (6 gola) janë shënuesit më të mirë të Barcelonës në këtë kampionat, ndërsa te Real Madridi kjo gjë është e shpërndarë, me Isco Alarcon, Marco Asensio dhe Cristiano Ronaldo si shënuesit më të mirë, me nga 4 gola. Te blaugrana-t kanë shënuar edhe Denis Suarez dhe Paco Alcacer, nga dy gola, ndërsa nga një gol kanë Gerard Pique, Sergio Roberto, Busquets, Gerard Deulofeu, Iniesta dhe Jordi Alba. Për të bardhët, shënuesit e tjerë janë Karim Benzema, Gareth Bale, Toni Kroos dhe Dani Ceballos, nga dy gola, si dhe Borja Mayoral, Lucas Vázquez, Nacho Fernández, Achraf Hakimi dhe Marcelo, nga një gol.

Dy skuadra dhe 14 kombësi
Real Madridi dhe Barcelona, dy nga skuadrat më të mira në botë, sjellin së bashku lojtarë nga gjithsej 14 kombësi, nga Europa, Amerika dhe Afrika. Spanja është ajo që ka më shumë përfaqësues në skuadrat e para respektive, përpara Francës (7 lojtarë), Brazilit (4), Kroacisë dhe Portugalisë (3). Argjentina dhe Gjermania kanë nga dy përfaqësues, ndërsa me nga një janë Kosta Rika, Uellsi, Maroku, Holanda, Belgjika, Turqia dhe Uruguaji.

Urrejtja ndaj pronarëve, Rama ul me pesë herë fondin për kompensimin

Qeveria ka miratuar një vendim, i cili ul me 5 herë masën e kompensimit financiar për pronarët. Vendimi, i cili është miratuar në mbledhjen e fundit, ndryshon tërësisht procedurën e kompensimit të pronarëve, jo vetëm duke ulur masën e kompensimit, por edhe duke e shtrirë marrjen e parave në këste për dhjetë vjet. “Në të gjitha rastet, kur subjekti nuk përfiton kompensim fizik, përfiton kompensim financiar deri në 20% të vlerës totale, por jo më shumë se 10 milionë lekë, dhe pjesa e mbetur kompensohet fizikisht nga fondi i tokës”, thuhet në vendim. Deri tani masa e kompensimit financiar ka qenë 50 milionë lekë, që do të thotë se përmes ndryshimit të fundit qeveria e ka ulur atë me 5 herë. Por edhe këto para do i përfitojnë vetëm një pjesë e vogël e pronarëve, pasi me vendimin e ri prioritet do të ketë kompensimi fizik nga fondi i tokës. Sipas vendimit, prioriteti i mënyrës së kompensimit përcaktohet sipas a) Kompensim fizik në ish-pronën e subjektit të shpronësuar; b) Kompensim fizik nga fondi i tokës; c) Kompensim financiar. Pra, vetëm pasi të jenë ezauruar dy metodat e para të kompensimit fizik, pronarët mund të përfitojnë kompensim fizik, edhe ky i kufizuar.

Paratë me këste

Agjencia e Trajtimit të Pronave kryen kompensimin financiar të subjektit, pasi janë ezauruar më parë të gjitha mundësitë e kompensimit fizik. “Në rastet, kur subjekti trajtohet me kompensim financiar, trajtimi kryhet me këste të barabarta, brenda 10 viteve, në përputhje me procedurat që miratohen me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë”, thuhet në vendim. Sipas këtij vendimi, pronarët e paktë që do të përfitojnë kompensim financiar nuk do të marrin më shumë se 10 milionë lekë dhe këto para do të shpërndahen për 10 vite me këste nga 1 milion lekë në vit. Qeveria premtoi 500 milionë dollarë për kompensimin e pronarëve. Sipas ligjit, këto para do të alokoheshin nga buxheti brenda 10 viteve, ku në çdo vit duhet të shpërndaheshin 50 milionë dollarë. Por ky mbeti vetëm një premtim, pasi ligji u thye që në vitet e para, pasi në buxhetin e 2018-ës fondi i dhënë për kompensimin e pronarëve është caktuar vetëm 20 milionë dollarë.

Forbes: Shqipëria në grupin e vendeve jo të preferuara për të bërë biznes

Revista prestigjioze “Forbes” ka renditur 153 ekonomi të ndryshme të botës në të bërit biznes, dhe i referohet vitit të ardhshëm. Pra, ky indikator shërben si kartolinë për secilën prej këtyre ekonomive për investitorët e huaj. Shqipëria renditet në vendin e 71-të në botë, e parafundit në rajon, duke qenë se lë pas Bosnje Hercegovinën. Një vit më parë, Shqipëria renditej e 61-ta në botë, por duke qenë se, këtë vit “Forbes” ka ndryshuar tërësisht metodologjinë e përpilimit të këtij indeksi, krahasimi me vitet e shkuara është i kotë. Në renditjen e këtij viti, nuk parashikohet performanca e tregut të aksioneve, ndërkohë që është shtuar performanca e tregut të punës, infrastrukturës, cilësisë dhe madhësisë së tregut, kënaqësisë së jetesës, varfërisë, etj. Praktikisht, “Forbes” mbledh një sërë indikatorësh, së bashku me ato të Bankës Botërore dhe të Forumit Ekonomik Botëror për të nxjerrë një indikator të përgjithshëm. E renditur në vendin e 71-të në botë, Shqipëria rezulton e parafundit në rajon, ndërkohë që, Serbia renditet e 69-ta, Mali i Zi i 68-ti dhe Maqedonia e 63-ta. Në vend të parë, në nivel global renditet Mbretëria e Bashkuar, e ndjekur nga Zelanda e Re dhe Holanda. Shqipëria ka humbur 7 vende në raportin e Bankës Botërore “Doing Business 2018”, duke u renditur e 65-ta, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 58 mes 190 ekonomive të marra në vlerësim. Kjo tregon se të bërit biznes në vendin tonë ose është vështirësuar, ose vendet e tjera janë përmirësuar me ritme më të shpejta, duke na lënë pas. Në raport me veten, bilanci është pozitiv me një përmirësim prej 0.96% krahasuar me të njëjtin raport të një viti më parë. Shqipëria ka shënuar përmirësim në dy aspekte. Sigurimi i financimit, pra është përmirësuar aksesi në financim përmes disa nismave ligjore që lidhen me amendimet në Kodin Civil, si dhe disa aspekte të falimentit. Aspekti i dytë me përmirësimin është pjesa e rregullimit të tregut të punës, ku Shqipëria ka amenduar ligjin për orarin e punës që lejohet në një javë, si dhe faktin që burrat dhe gratë të trajtohej njëlloj në rastet e shpërblimeve. Marrja e energjisë elektrike vazhdon të jetë sfidë për biznesin në vend, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 157 nga 190 ekonomi, por treguesi i pikëve është përmirësuar me 0.01% krahasuar me atë ku ishim një vit më parë. Në vendin e dytë, renditet pagesa e taksave, ku Shqipëria ka regjistruar vendin e 125 me një përkeqësim prej 0.54% në raport me një vit më parë. Lejet e ndërtimit edhe pse duket se kanë shënuar përmirësim kohëve të fundit nuk kanë mundur të sigurojnë një renditje më të mirë sesa vendi i 106, por në raport me veten jemi përmirësuar në mënyrë modeste me 0.03%.

Greqi: Refugjatёt në kushte të mjerueshme

Ishulli Lesbos njё hotspot pёr refugjatёt, ku jetojnё rreth 3000 syresh. Ata nuk mund tё lёvizin askund tjetёr dhe jetojnё nё kushte katastrofike. Situata precipiton nga dita nё ditё. Banorёve po u humbet durimi.
Irakiani Ahmed al Majeed pёr tё pirё njё çaj tё ngrohtё nё mёngjes pas njё nate tё ftohtё nё ishull, i duhet tё ndezё njё copё karton, sepse prej kohёsh, ai dhe shokёt e tij nuk kanё mё asnjё copё dru pёr zjarr. Që prej dy muajsh, irakiani Ahmed al Majeed ka mbetur i bllokuar në një strehimore të improvizuar pranë strehimores zyrtare të refugjatëve Moria. “Ne nuk kemi energji elektrike, as banjë. Po ashtu ne nuk kemi as ujë për t’u larë apo për të larë rrobat. Shumë refugjatë janë të sëmurë, por ne nuk na jepet ndihmë mjekësore, vetëm në raste emergjence”.
Strehimorja Moria aty pranё i ngjan një zone të sigurisë së lartë – e krijuar për qendrimin e refugjatëve në ishull derisa të shqyrtohet kërkesa e tyre për azil. Këtu ndalohet rreptësisht xhirimi me kamera. Po ashtu ndalohet edhe hyrja për gazetarët.

Kushte të mjerueshme jetese
Ahmed al Majeed na tregon, se ҁfarë ndodh brenda strehimores: Anë e mbanë vjen erë tym, mbeturinash dhe fekalesh. Sekretariati i OKB-së për refugjatët, UNHCR, e ka cilёsuar së fundi të rrezikshme strehimoren Moria për gratë dhe fëmijët – e pikërisht atyre u duhet të qendrojnë të ngujuar këtu. Shumë prej tyre ndodhen me muaj në strehmore.
Refugjat: “Ne nuk na japin dokumenta për t’u larguar nga strehimorja. Policia nuk kujdeset për sigurinë tonë. Eshtë lagështirë dhe ne nuk kemi energji”.

Banorët po e humbasin durimin
Për t’u ngrohur secili përpiqet të gjejë mënyrën e vet, sepse po bëhet gjithnjë e më ftohtë. Disa djegin pemët e ullinjve, për të bërë zjarr. Por ata kanë dëmtuar ulishtat e pronarëve si Stelios Kathiotis. Kur ai vjen te ullishtat e tij indinjohet e mezi e mbledh mendjen. Në këtë ullishtë, ai ka investuar gjithë jetën e tij, por tashmë nuk ka mbetur shumë gjë prej saj. Me breza në familjen e tij kanë kultivuar ullinj. Disa pemë janë deri në 300-vjeçare.
Stelios Kathiotis: “Të gjtiha këto pemë janë djegur. Nuk ka mbetur më asgjë prej tyre. Ato nuk do të rriten më, janë shkatërruar tërësisht. Këtu dikur ka pasur 120 pemë ulliri. Tani kanë mbetur vetëm katër. Askush nuk na zhdëmton ne, apo as nuk kujdeset për t’i ndaluar refugjatët”.
Stelios Kathiotis tregon, se si refugjatёt hyjnë e dalin në ullishtë përmes një të çare në gardh. Të gjitha përpjekjet për t’i denoncuar refugjatët në polici kanë qenë pa sukses. Madje edhe për këtë arsye, refugjatët i janë vërsulur tani edhe bagëtisë së tij. Ata që kanë qenë së fundi kanë lënë këtu madje edhe veglat me të cilat kanë shkaktuar dëmin, thotë bujku. Këtë ai tani e tregon si një trofe. Një çantë shpine e sekretariatit të OKB-së për refugjatët dhe një thikë – për të një dëshmi e qartë, se këtu kanë qenë refugjatët. Përse refugjatët i therin delet e tij, për këtë bujku ka një teori të vetën. “Ato nuk e vjedhin bagëtinë, prej urisë. Por ata i therin delet për t’i shitur ato më tej. Një apo dy vetë nuk mund të hanë shtatë apo dhjetë dele. Ne i kemi parë vet. Ata ua kanë shitur ato refugjatëve të tjerë. E pastaj, ato i pjekin në hell delet këtu tek ullishtet tona”.
Fshati Moria ndodhet në gjendje alarmi – Stelios Kathiotis dhe banorët e tjerë takohen rregullisht këtu për të gjetur rrugëdalje nga kriza. Kryetari i fshatit Nikos Trakellis sapo është kthyer nga Athina dhe njofton për bisedimet që ka pasur atje me qeverinë greke – ai nuk mund t’u japë shumë shpresa njerëzve këtu. “Nëse situata mbetet kështu siç është tani dikur do të ketë dhunë mes refugjatëve dhe vendasve. Deri tani ne i kemi toleruar plaçkitjet dhe për fat gjendja deri më sot ka qenë paqësore. Por është vetëm çështje kohe, derisa kjo të ndryshojë”.

Shpresa humbet e fundit
Ahmed al Majeed është arratisur nga vendi i tij prej dhunës. Ai nuk do të vihet në një kandar me ata që nuk i respektojnë ligjet. Ai do që të largohet nga ishulli Lesbos. Por një biletë për në Athinë është për të tani një ëndërr e largët. “Unë tani po pres të shqyrtohet kërkesa ime për azil. Por refugjatë të tjerë presin qysh prej tetë muajsh. Ata nuk na lejojnë ne të udhëtojmë më tej. Kështu disa mendojnë të arratisen nga Lesbos”.
Ai ende e bluan në mendje arratinë, ndërsa të tjerët kanë një plan konkret. Çdo mbrëmje ata përpiqen pa rënë në sy që kalojnë gardhin për të hipur në traget. Rrugëdalja e fundit nga ishulli, i cili u duket tani atyre si burg.

SHBA do të udhëheqë përpjekjet kundër sulmeve kibernetike

Zyrtarët amerikanë thanë se, Koreja e Veriut është identifikuar si origjinë e sulmeve kibernetike që shkaktuan dëme të konsiderueshme ndaj organizatave në Britani, Australi, Kanada, Zelandën e Re dhe Japoni gjatë këtij viti. Ekspertë të kibernetikës pajtohen se, Koreja e Veriut përdori virusin “WannaCry” për të marrë peng 230 mijë kompjutera në më shumë se 150 vende të botës. Vendi komunist po ashtu fajësohet për vjedhje të monedhave dixhitale si bitcoin. Shtëpia e Bardhë tha se Koreja e Veriut do të mbahet përgjegjëse për aktivitetin e saj kriminal kibernetik.
Shtëpia e Bardhë vlerësoi kontributin e kompanive private për gjetjen e fajtorit dhe parandalimin e dëmeve të mëtejshme në hapësirën kibernetike globale. Thomas Bossert është këshilltar për Sigurinë Kombëtare.
“Vlerësojmë korporatat si ‘Microsoft’ dhe ‘Facebook’, veçanërisht për iniciativën e tyre për të vepruar javën e shkuar pa ndonjë udhëzim nga qeveria amerikane apo koordinim për të penguar hakerët nga Koreja e Veriut”.
Jeanette Manfra, eksperte për sigurinë kibernetike në Departamentin e Sigurisë Kombëtare thotë se qeveria e diktoi problemin në fillim të majit.
“Fillimisht mësuam se diçka e pazakontë po ndodhte nga partnerët në rajonin e Azi-Paqësorit, ndërsa një virus përshkronte globin, u informuam nga partnerët në Evropë. U prek sistemi shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar dhe ne e kuptuam që kishim të bënim me një problem serioz, prandaj koordinuam punën me partnerët tanë të brendëshëm të industrisë”.
Ekspertë të sigurisë kibernetike në Amerikë dhe gjetkë kanë dalë në përfundimin se grupe hakerash koreano-veriorë të lidhur me qeverinë janë përgjegjës për sulmet.
Një ekspert në Romë, Fabio Rugge me Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Politike, thotë se arsyeja kryesore është se, Korea e Veriut ka nevojë për para.
“Koreja e Veriut ka nevoja të mëdha për para dhe ky sulm kibernetik u dha atyre monedha dixhitale bitcoin për të financuar regjimin. Një element i dytë është dëshira e Koresë së Veriut për të vënë në dukje aftësitë e veta. Për shembull, për të treguar se çfarë mund të bëjnë nëse kjo krizë konvencionale në Korenë e Veriut përhapet”.
Zyrtarët amerikanë thanë se, Shtetet e Bashkuara do të udhëheqin përpjekjet ndërkombëtare për ta bërë më të vështirë hakerimin dhe më të kushtueshëm për autorët.
“Presidenti Trump ka bashkuar aleatët dhe kompanitë e teknologjisë në botën e lirë për të rritur sigurinë dhe qendrueshmërinë e internetit. Bashkëpunimi mes qeverive dhe industrisë do të sjellë përmirësim të sigurisë dhe ne nuk mund të presim më”.
Pheniani është akuzuar për përdorim të virusit “WannaCry” për të marrë peng rrjetet kompjuterike të organizatave si “Sony Pictures Entertainment” me seli në Shtetet e Bashkuara, firmës spanjolle të telefonisë “Telefonica” dhe Shërbimin Kombëtar të Shëndetit në Britani, duke kërkuar para në shkëmbim të zhbllokimit.

Kremlini i cilëson “joligjore” sanksionet amerikane kundër Kadyrovit

Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, Dmitry Peskov ka thënë se Moska i konsideron “joligjore” dhe “armiqësore”, sanksionet amerikane ndaj liderit çeçen të përkahur nga Kremlini, Ramzan Kadyrov.
Duke folur para gazetarëve gjatë ditës së sotme, Peskov ka thënë se Rusia mund të përgjigjet ndaj kësaj mase.
Departamenti i Thesarit amerikan e ka goditur Kadyrovin me sanksione financiare dhe ato të udhëtimit një ditë më parë, sipas Aktit Magnitsky. Ky ligj i miratuar më 2012 ka për qëllim ndëshkimin e personave rusë, që supozohet se kanë shkelur të drejtat e njeriut.

Kadyrov akuzohet për torturë
Katër rusë të tjerë po ashtu i janë shtuar listës së sanksioneve, duke përfshirë Ayub Katayev, zyrtar për siguri, i cili së bashku me Kadyrovin akuzohen për “shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut të njohura ndërkombëtarisht” në Çeçeni.
“Ne i konsiderojmë këto sanksione joligjore, armiqësore dhe nuk pajtohemi me to”, ka thënë Peskov.
Ai ka thënë se, “ka shumë mundësi” që Moska të zbatojë “parimin e reciprocitetit”, si përgjigje, duke lënë të kuptohet se edhe Rusia mund të akuzojë zyrtarë amerikanë apo qytetarë dhe t’iu ndalojë hyrjen në këtë shtet.

Misioni i papërmbushur i Tribunalit të Hagës

Gjykata Penale Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, e njohur si Tribunali i Hagës, e themeluar 24 vjet më parë, të enjten e përfundon mandatin e saj. Kjo gjykatë ishte themeluar në shkurt të vitit 1993, në kohën kur në dy republikat e ish-Jugosllavisë, në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë, po zhvillohej lufta, e cila u përmbyll në vitin 1995. Nën kompetencën e Tribunalit të Hagës ishte edhe procedimi i rasteve të krimeve të luftës në Kosovë, e cila luftë u përmbyll në qershor të vitit 1999, pas intervenimit për 78 ditë të NATO-s mbi caqet serbe.
Por, a e ka përmbushur Tribunali i Hagës misionin e tij për sjelljen e drejtësisë për viktimat e luftërave në ish-Jugosllavi, veçanërisht për ato civile?
Njohësit e të drejtës ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, vlerësojnë se në këtë drejtim është pritur shumë nga Tribunali i Hagës, ndonëse sipas tyre, në një masë drejtësia është vënë në vend.
Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, thotë për Radion “Evropa e Lirë” se Tribunali i Hagës, ishte Gjykata e Dytë Ndërkombëtare më e rëndësishme për krime të luftës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Misioni i Tribunalit të Hagës, për gjykimin e kryerësve të krimeve më të rënda që ishin kryer në territorin e ish-Jugosllavisë, sipas tij, është përmbushur pjesërisht.
Sipas tij, ky Tribunal ka arritur që fajtorët më të mëdhenj për krime të ushtrisë jugosllave dhe të regjimit të Serbisë t’i vë para drejtësisë, por ka shfaqur mangësitë me zvarritjen e procedurave ndaj disa të akuzuarve, të cilët ishin në paraburgim.
“Kanë zgjatur procedurat nga tre vjet ose pesë vjet, që është në kundërshtim edhe me standardet, me rregullativën ndërkombëtare, por edhe me këto nacionale. Duke i shfrytëzuar këto defekte, të metat dhe zvarritjet e procedurës pranë kësaj gjykate, ish-kryetari i Serbisë, (Slobodan) Milosheviqi, arriti të mos gjykohet, të vdes në Sheveningen, në paraburgim. Kjo është një ndër të metat e kësaj gjykate. Marrë në përgjithësi ka arritur (të vë drejtësi), por, jo sa duhet, për shkak të shumë pengesave dhe duhet ta pranojmë, ka pasur edhe interferime dhe ndikime edhe politike në këtë gjykatë”, thotë Salihu.
Edhe Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, shpreh mendimin se Tribunali i Hagës ka sjellë drejtësinë në një masë vetëm për një numër të caktuar të viktimave. Duke folur për Radion “Evropa e Lirë”, Blakaj thekson që megjithatë, Tribunali i Hagës ka treguar që mund të luftohet, siç e ka quajtur ai, kultura e mosndëshkimit, duke sjellë para drejtësisë ish-presidentë të shteteve, zyrtarë të lartë, si dhe gjeneralë dhe eprorë të lartë ushtarakë.
“Sigurisht që pritjet kanë qenë shumë më të mëdha, sidomos nga komuniteti i viktimave. Mirëpo, mendoj që një gjykatë ‘ad hock’, siç ishte Tribunali penal ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, nuk ka mundur të bëjë më shumë në këtë aspekt. Duhet ta theksojmë edhe këtë që kjo gjykatë me aktgjykime të plotfuqishme ka dokumentuar, sidomos rastin në Srebrenicë, të cilin e ka cilësuar si gjenocid. Kjo do të mbetet tashmë në histori dhe askush nuk mundet ta mohojë. Nuk janë të gjithë të kënaqur, mirëpo, unë po tentoj ta paramendoj se si do të ishte situata në rajon, në ish-Jugosllavi, po të mos ekzistonte Tribunali i Hagës”.
Ndryshe, profesor Salihu, shpreh mendimin se edhe misioni i Tribunalit të Hagës për të ndihmuar në pajtimin e popujve, pas luftërave në ish-Jugosllavi, nuk ka arritur të përmbushej plotësisht.
“Pjesërisht edhe këtë mision e ka arritur, por jo sa duhet. Do ta arrinte sa duhet po t’i kishte nxjerrë para vetes një numër më të madh të atyre personave”, tha Salihu.
Por, Blakaj shpreh mendimin se ngarkimi i Tribunalit të Hagës me mandatin për t’i ndihmuar popujt për pajtim, ka qenë i tepërt dhe jo real. Kjo për shkakun që, sipas tij, një gjykatë e tillë, “ad hock”, nuk mund ta marrë mbi vete një proces shumë të komplikuar siç është procesi i pajtimit, i cili në mjaft raste është dëshmuar se merr dekada kohë.
“Në këtë aspekt, Tribunali i Hagës nuk ka arritur thuajse asgjë. Ndoshta në një horizont shumë më afatgjatë, mund të konsiderohet që Tribunali ka kontribuar, duke i nxjerrë disa fakte, duke krijuar arkivin e vet me dokumentacione, i cili në të ardhmen mund të shërbejë që të arrihet një ripajtim, sepse hapi i parë i pajtimit ose ripajtimit, është që palët që kanë qenë në armiqësi, t’i pranojnë faktet”.
Blakaj ka shtuar se pavarësisht që Tribunali i Hagës ka dokumentuar krime të tmerrshme të luftës në ish-Jugosllavi, ata që janë dënuar për këto krime, pasi që janë kthyer në vendet e tyre pas vuajtjes së dënimit, janë pritur si heronj nga shoqëritë relevante apo nga popujt të cilëve u përkasin ata. Madje sipas tij, në disa raste atyre u janë ofruar edhe pozita dhe funksione nderi.
Sidoqoftë, Tribunali i Hagës gjatë punës së saj për rreth dy dekada e gjysmë, ka ngritur 161 aktpadi, ka shqiptuar 90 dënime dhe 15 dhënie pafajësie.

Trump shënon fitore në Kongres për ligjin e taksave

Republikanët po festojnë miratimin e reformës së taksave, fitorja e parë legjislative për Presidentin Donald Trump.
“Kemi arritur një fitore historike për popullin amerikan”, tha zoti Trump në një mbledhje të qeverisë në Shtëpinë e Bardhë.
“Thelbi i këtij ligji është është një lehtësim i jashtëzakonshëm për klasën e mesme”, tha Presidenti. “Ata do të fillojnë të shohin rezultatet në muajin shkurt. Ky ligj nënkupton më shumë pagë të sjellë në shtëpi, do të jetë një dhuratë e jashtëzakonshme Krishtlindjeje për amerikanët që punojnë me zell”.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan e quajti ligjin e ri “reformimin më të gjerë dhe më të madh të kodit tatimor në një gjeneratë”.
Ligji i Shkurtimeve të Taksave dhe i Punës u miratua si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat me mbështetjen e plotë të republikanëve përballë opozitës së bashkuar demokrate.
Pas votimit të mërkurën pasdite, projektligji u dërgua në Shtëpinë e Bardhë për t’u kthyer në ligj nga Presidenti Trump.
Ligji i ri ul në mënyrë të përhershme dhe në shkallë të gjerë taksat e korporatave, shkurton përkohësisht taksat e punonjësve me rrogë, u vë kufi disa klauzolave popullore që parashikojnë përjashtim nga taksat për të ardhura të caktuara dhe rrit borxhin kombëtar amerikan me të paktën 1 trilion dollarë gjatë një dekade.
Demokratët e kritikuan ashpër ligjin, duke thënë se ai mban peng të ardhmen e Amerikës për të mbushur xhepat e të pasurve.
Qendra e politikës tatimore, një institucion jopartiak, ka arritur në përfundimin se ligji i ri do të shkurtojë taksat për 95 për qind të amerikanëve vitin e ardhshëm, por shkurtimet për të pasurit i tejkalojnë së tepërmi uljet për njerëzit që fitojnë më pak.
Legjislacioni i ri gjithashtu shfuqizon pjesërisht ligjin e kujdesit shëndetësor të ish-Presidentit Barak Obama, duke eliminuar kërkesën që amerikanët të blejnë me detyrim sigurim shëndetësor. Si rrjedhojë, gjatë dekadës së ardhshme do të ketë rreth 13 milionë më pak amerikanë me sigurime shëndetësore, sipas Zyrës Buxhetore të Kongresit.
Disa demokratë vunë në dukje se presidenti, një manjat i pronave të patundshme, do të përfitonte shumë nga disa dispozita të ligjit. Zoti Trump ka thënë se përkundrazi, ndryshimet në ligjin e taksave do t’i kushtonin atij më shumë personalisht.
Sondazhet e opinionit vazhdimisht kanë treguar se më shumë amerikanë janë kundër sesa e mbështesin ligjin e ri. Disa ligjvënës republikanë kanë fajësuar mediat, duke thënë se gazetarët e keqinterpretuan ligjin dhe minimizuan përfitimet e mundshme që sjell ai.