29.5 C
Tirana
E mërkurë, 16 Korrik, 2025

Karakteristikat e njerëzve të suksesshëm

Ne i shohim kudo: shfaqen në reklama televizive, duke mbajtur fjalime në TED dhe duke buzëqeshur në kopertina revistash.
Udhëheqësit e mëdhenj janë shpesh sinonimë me pasurinë dhe prestigjin e lartë. Megjithatë, shumica nuk kanë lindur mes bollëkut. Shumica kanë hasur vështirësi dhe e kanë fituar atë që kanë me shumë mund, punë, inteligjencë dhe kokëfortësi.
Ka 5 cilësi që çdo udhëheqës i suksesshëm duhet t’i ketë. Nuk janë magjike apo të paarritshme. Mund të punosh me to dhe t’i përshtatës në stilin tënd të udhëheqjes.

1. Vizioni
Duhet instikti për të nisur një gjë krejt të re. Kur Bill Gates nisi karrierën në teknologji, kompjuterët ishin vetëm për të pasurit dhe kërkonin një makinë gjigante për të kryer edhe një detyrë të thjeshtë. Por kur ke vizion, i sheh gjërat se si duhet të jenë – dhe jo si janë. Gates pa se këto makina mund të bëheshin produkte shtëpiake, dhe me shumë punë, inteligjencë, e transformoi atë vizion në Microsoft. Gjej diçka që ke pasion dhe pyet veten si mund të përmirësohet. Kur mund t’i përgjigjesh asaj pyetjeje, bëj një lëvizje – sado e çuditshme. Gates la Harvardin për të ndjekur vizionin e tij. Nuk ka pse të jeni aq ekstremë, por kjo tregon se si një vizion i qartë mund t’ju udhëheqë që të bëni një kapërcim të madh drejt suksesit.

2. Aftësia ripërtëritëse
Oprah Winfrey kish lindur thellë në Jugun e Amerikës gjatë kohës së lëvizjes për të drejtat civile. Ajo ishte abuzuar seksualisht që fëmijë, lindi një fëmijë kur ishte adoleshente, dhe u rrit nga një nënë e vetme. Por ajo u ngrit nga varfëria për t’u shndërruar në një prej grave më të suksesshme në botë.
Tonny Robbins u rrit nga një nënë e divorcuar dhe jetoi në varfëri ekstreme. Ai lante enët në vaskën e apartamentit 40 metra katrorë. Por gjithsesi, ishte i vendosur që t’ia dilte. U shndërrua në një folës motivues dhe tani ka një pasuri prej 30 milionë dollarë.
Çfarë kanë të përbashkët këta të dy? Aftësinë për t’u ringritur. Jeta nuk ka qenë e kollajtë për ta, por sërish u ngritën mbi problemet që kishin dhe gjetën suksesin. Kudo ju mund të ndeshni pengesa, por dijeni se pa to, suksesi nuk mund të jetë kurrë kaq i ëmbël.

3. Inteligjenca
Richard Branson nuk shkoi kurrë në kolegj, por ai është burrë shumë inteligjent. Virgin America, Virgin Mobile dhe Virgin Records, të gjitha lulëzuan nën mbikëqyrjen e tij, pavarësisht se nuk kishte para. Në fakt, Branson e nisi Virgin Records që nga karroceria e kamionit të tij.
Niveli i arsimit formal që keni nuk është domosdoshmërisht tregues i inteligjencës. Branson ndërmori risqe të përllogaritura, duke i bërë vetes pyetjet e duhura dhe duke krijuar një plan. Kjo është inteligjenca: risqe të zgjuar, në kohën e duhur. Mos e gjyko veten – ose të tjerët – nga diplomat.

4. Veprimi
E gjithë inteligjenca e botës do të shkonte dëm, nëse nuk do të vini në veprim vizionin tuaj. Gates dinte si të vepronte. Ai pa një hapësirë në treg, që askush tjetër nuk e pa, dhe kështu vuri në lëvizje vizionin e tij. Kjo e bëri një prej sipërmarrësve më të famshëm të revolucionit të kompjuterit.
Të vepruarit nuk është aq e thjeshtë sa tingëllon. Zvarritja ose frika mund t’ju paralizojnë, por është e rëndësishme të mbani mend se asgjë e madhe nuk ka ndodhur vetë. Lidhuni me të tashmen, bllokoni rezistencën emocionale, dhe planifikoni me kujdes lëvizjen e radhës. Të dish kur është koha më e mirë për të vepruar, është një aftësi që të gjithë njerëzit e suksesshëm e zotërojnë.

5. Intensiteti
Çdo ditë, për më shumë se 20 vite, Robbins praktikonte të folurit në publik. Me kaq shumë përsëritje, frika e tij nga të folurit u zhduk, dhe tashmë mund të fokusohej në të folurit me pasion, me forcë.
Pa forcë dhe pasion për atë që bën, me siguri nuk do të mundesh ta bësh mirë. Ata që nuk kanë pasion duhet të eksperimentojnë, të bëjnë pyetje, të eksplorojnë fusha të reja. Mund ta gjejnë interesin në një vend ku nuk e prisnin kurrë që ta gjenin.
Secili prej këtyre udhëheqësve kishte një vizion për të ndryshuar botën, si dhe vendosmërinë për të vepruar me pasion. Ata donin të shihnin vizionin e tyre të bëhej realitet, pavarësisht nga pengesat që hasën. Nuk ishin shkollimi apo fati që i bënë të suksesshëm, dhe sigurisht që nuk ishte paraja.
Me fokus të qartë dhe me vendosmëri, të gjithë jemi në gjendje të arrijmë potencialin tonë më të lartë. Suksesi është një hap që hidhet nga brenda. Mos shihni rreth e rrotull për vlerësim të asaj që bëni. Futuni brenda vetes dhe gjeni vizionin që doni të krijoni.

Basha me ambasadorët e BE: Mbrojtje demokracisë

Kryetari i opozitës Lulzim Basha informoi ambasadorët e 5 vendeve anëtare të Bashkimit Europian për qëndrimin e Partisë Demokratike kundër zgjedhjes antikushtetuese të një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm.
Në një takim në selinë e Partisë Demokratike me përfaqësuesit diplomatikë të Gjermanisë, Francës, Austrisë, Italisë dhe Greqisë, zoti Basha i njohu ata me veprimet e qeverisë që çuan në një puç kushtetues, që ka futur në krizë sistemin e drejtësisë, ka shkatërruar proçesin politik në vend dhe po prodhon një krizë destablizuese për vendin.
3 hapat e puçit kushtetues janë, vonesa e qëllimshme për mosngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, uzurpimi i kompetencave të KLP-së nga Parlamenti, zgjedhja e një Prokurori të Përgjithshëm me shumicë të thjeshtë dhe pa kaluar vetingun.
Zoti Basha pohoi se të gjitha këto veprime kanë qenë të paramenduara dhe të planifikuara nga Edi Rama për të zgjedhur një kryeprokuror që kontrollohet plotësisht prej tij, me qëllim shkatërrimin e hetimeve për dosjet kriminale të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos dhe politikanëve të tjerë të lidhur direkt me vetë Ramën.
Kryetari i PD tha se opozita ka faktuar me vepra dhe jo me fjalë se ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë procesin e integrimit europian, përfshirë edhe çeljen e negociatave të anëtarësimit, por zoti Basha theksoi se proçesi është plotësisht në dorën e qeverisë, e cila duhet të përmbushë 5 prioritetet, që nuk varen aspak nga opozita.
Kryetari Basha theksoi se interesat e shqiptarëve dhe të Bashkimit Europian, shërbehen vetëm duke dënuar kthimin e Shqipërisë në një vend të drogës dhe krimit, duke mos toleruar lidhjet e qeveritarëve me drogën dhe krimin dhe duke kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të tyre.
Kryetari i Partisë Demokratike i shprehu ambasadorëve të vendeve anëtare qëndrimin e pandryshueshëm të Partisë Demokratike për të bërë të gjitha përpjekjet që vendi t’i rikthehet kushtetueshmërisë dhe politikanët e lidhur me krimin, nga Saimir Tahiri tek Vangjush Dako, të përfundojnë para drejtësisë. Asnjë kompromis dhe asnjë interes pragmatik politik nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim – u shpreh Basha.
Kryetari i opozitës i siguroi ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian se, në përputhje me vlerat më të larta demokratike, opozita dhe qytetarët shqiptarë do të qëndrojnë me të gjitha mjetet dhe format demokratike në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë dhe kundër kapjes së drejtësisë nga Edi Rama, klanet e drogës dhe grupet kriminale që bashkëqeverisin me të.

Situata politike më e rëndë që nga koha e diktaturës

Bujar NISHANI

Akti i fundit i dhunimit të Kushtetutës së Shqipërisë përbën aktin më të rëndë të dhunës shtetërore mbi sistemin shoqëror dhe zyrtarizimit të modelit se si forca pushtetmbajtëse shkatërroi Kodin dhe mekanizmin që garanton jetën e çdo individi si dhe dinjitetin e integritetin e një shteti.
Lehtësia me të cilēn u krye ky akt të lë pa fjalë në momentin e parë, por menjëherë më pas ta ndez koshiencën humane si një zjarr. Në çdo vend, demokratik qoftë, apo diktatorial, sistemi prodhon mekanizmin rregullues dhe garantues. Ky mekanizëm është Kushtetuta.
Natyrisht me një ndryshim thelbësor. Në diktaturë grupimi pushtetmbajtës rregullon proçedurën e dhunimit të shumicës dhe garanton fuqinë e pakicës.
Ne shqiptarët, e kemi jetuar, provuar dhe dëshmuar atë model.
Në demokraci, ky mekanizëm rregullon të drejtën dhe garanton lirinë e gjithësecilit nga dhuna e cilitdo.
Ne tashmë e provuam se si thyhet ky mekanizëm në demokraci, duke thyer në fakt këtë të fundit vetë.
Rastet e shkeljes së Kushtetutës, “literalisht”, janë të parashikuara në fakt që mund të ndodhin në proçesin ligjvënës apo dhe atë institucional. Po ashtu dhe garancitë korrektuese por dhe masat penalizuese.
Rasti i Prokurorit të Përgjithshëm nuk është thjesht “një shkelje e Kushtetutës”. Jo ! Brutalisht forca e pushtetit e grisi në mënyrë publike Kushtetutën e Shqipërisë !
Ajo u gris me vullnet të plotë politik, me dhunë, me qëllim dominimin e pushtetit të drejtësisë nga pushteti ekzekutiv.
Kjo është situata politike më e rëndë dhe më e trishtueshme që nga koha e diktaturës në Shqipëri.
Nuk e them këtë pse u zgjodh një Prokuror i Përgjithshëm. Absolutisht jo !
Por sepse u jetësua modeli ; që me forcën që të jep policia, paraja dhe prona publike, urdhëri mbi mekanizmat e forcës, mund të asgjesohet kodi i vetēm i garantimit të lirisë dhe të drejtës së cilitdo.
Akti i grisjes publike të Kushtetutës është një nga aktet më të rënda mbi Shtetin 105-së vjeçar Shqiptar.
Dikush mund të bëj hajgare me këtë akt.
Por, ka një POR të madhe pas.
Sepse pas kësaj e drejta dhe liria, që të dyja si dimensione, nuk kanë më asnjë garanci për askënd.
Nuk mbeti jurist në vend pa kërkuar të ndalej ky akt.
Në vitin 1990 shqiptarët u ngritën jo kundër dhunimit të kushtetutes, por ndaj një kushtetute që ishte dizenjuar për të dhunuar.
Tashmë shqiptarët duhet të mbrojnë një Kushtetutë që është dhunuar për faktin se ajo u dizenjua për ti mbrojtur ata.
Në këto dy raste, Kushtetutat janē të ndryshme por morali i të drejtës është i njëjtë.
Tani kërkohet me çdo kusht rivendosja e garancive të së drejtës dhe lirive.
Rivendosja e garancisë së Kushtetutës është disa dimensionalëshe.
Ligjore, politike dhe morale.
Por nuk ka alternativë tjetër, veçse të rivendoset. Kjo është detyrë e shumicës së shqiptarëve dhe përgjegjësi politike dhe institucionale e opozitës.
Kush mendon se mund të tremb me burg përpjekjen për rivendosjen e garancive kushtetuese veç bëhet qesharak. S’ka alternativë tjetër ! Nuk ka burg që e mbyll atë.

Paralajmërim zyrtar dhe i drejtpërdrejtë i SHBA për qeverinë Rama

Tirana zyrtare ka një paralajmërim të prerë dhe të drejpërdrejtë nga qeveria Trump për votën e sotme në OKB në lidhje me Jeruzalemin..

Vota shqiptare në OKB rreth propozimit të SHBA-së për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, do të ketë pasoja direkte në marrëdhëniet mes të dyja vendeve. Të paktën ky përfundim del nga një letër që ambasadorja e SHBA-së në këtë organizatë, Nikki Haley u ka dërguar delegacioneve të vendeve të ndryshme, përfshirë ato europiane, në të cilën diplomatja e shpreh qartë se çfarë do të thotë një “Jo” ndaj propozimit të Donald Trump.

“Do të raportoj te presidenti i SHBA-së emrat e të gjithë atyre që mbështesin një draft rezolutë që hedh poshtë lëvizjen e SHBA-së në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Presidenti Trump e ka marrë personalisht këtë çështje”, citon Respublika gazetën “The Guardian” e cila komenton letrën e ambasadores së SHBA-së.

“Ndërsa konsideroni votën tuaj, ju inkuarjoj që ta dini se presidenti dhe SHBA do të marrë këtë votë personalisht. Presidenti do ta vëzhgojë këtë votë më kujdes dhe më ka kërkuar që të raportoj për ata që votojnë kundër nesh”, vijon letra e Haley.

Një mesazh i qartë dhe i prerë, pa asnjë ekuivok dhe marzh manovre për çdo vend të cilit i kërkohet ta shikojë votën për Jeruzalemin nën metrin si politikë pro apo antiamerikane. Haley bën disa nënvizime që duket sikur shkojnë drejtpërdrejt për Shqipërinë.

Në OKB na është kërkuar përherë të bëjmë dhe japim më shumë. Kështu që kur ne marrim një vendim, me vullnetin e popullit amerikan, rreth faktit se ku do të caktojmë vendndodhjen e ambasadës sonë, ne nuk presim që ata që kemi ndihmuar të na dalin kundër. Të enjten do të ketë një votë që kritikon zgjedhjen tonë. SHBA do të mbajë shënim emrat, thekson Haley.

Sesioni i Jashtëzakonshëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së do të mbahet të enjten dhe aty do të shprehen me votë të 193 anëtarët e saj. Mes tyre edhe Shqipëria, e cila për çështjen e Jeruzalemit është shprehur qoftë përmes pjesëmarrjes në Samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ashtu edhe përmes një prononcimi të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, sipas të cilit pozicioni për Jeruzalemin nuk ndryshon.

 

Opozita po përjashtohet nga Parlamenti

Byroja e Kuvendit ka përjashtuar për 10 ditë 7 deputetë të opozitës. Vendimi është marrë vetëm me votat e mazhorancës, e cila bëri edhe kërkesën për përjashtimin e tyre. Ndërsa ka vendosur përjashtimin me 5 ditë të deputetit të PS-së Bujar Çela i cili goditi me grusht deputeten e LSI-së, Kejdi Mehmetaj.

Mbledhja nisi me debate, pasi opozita ka kërkuar prezencën e medias, por kjo kërkesë u hodh poshtë nga kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi. Monika Kryemadhi ka reaguar pas fjhalës së deputetit të PS, Hysenaj që këroi përjashtimin e deputetëve të opozitës. “Ju zoti Hysenaj nuk e keni kuptuar se çdo të thotë betim, por po jua lexoj edhe njëherë. Betohemi me nderin se do të kryej me ndërgjegje detyrën si deputete e këtij populli në Kuvend. Do të përfaqësoj denjësisht popullin, do ti bindem kushtetutës dhe ligjeve, do të mbroj lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Do të respektoj dhe do të mbroj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të punoj me të gjitha kushtet e mia për përparimin e Atdheut dhe mirëqenien e popullit tim. Përparimi i atdheut dhe mirëqenia e popullit time nuk është droga dhe krimi i organizuar. Kjo kërkesë lidhet me situatën e krijuar në seancën plenare të datës 18 dhjetor 2017, ku u votua Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku”, u shpreh Kryemadhi.

Pesë vendet në BE, pengesë për Kosovën

Bashkimi Evropian i ka ofruar Kosovës perspektiva evropiane, por kjo perspektivë mbetet deklarative përderisa nuk bëhet hapa konkret në lëvizjet praktike drejt proceseve integruese, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Labinot Greiçevci, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare tha për Radion Evropa e Lirë, se perspektiva evropiane e Kosovës dhe e Ballkanit Perëndimor është premtuar që nga viti 2003, kur është mbajtur Samiti i Selanikut, ndërmjet BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai thotë se në rastin e Kosovës, ‘perspektiva evropiane’ është retorikë e zbrazët nga ana e BE-së, sepse vet traktatet e BE-së nuk krijojnë hapësirë ligjore që Kosova të bëjë progres në anëtarësimin e saj në union, pa u njohur nga të gjitha shtetet anëtare.
Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, pesë prej tyre nuk e njohin Kosovën si shtet, ku bëjnë pjesë Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia. Me këtë veprim, besohet se atopo e pengojnë seriozisht rrugëtimin e Kosovës në proceset integruese.
“Nëse bëjmë një analizë të progresit të Kosovës nga viti 2003 deri më tani, në procesin e integrimit evropian e shohim sesa pak progres është arritur në këtë drejtim. Pra, pa pasur njohje nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së, Kosova nuk mund të lëvizë para në proceset e integrimit evropian”.
“Mund të simulojnë dhe të improvizojnë edhe BE-ja, edhe institucionet e Kosovës, se po bëhet progres në ketë drejtim – ashtu siç kanë bërë deri më tani, por lëvizje përmbajtjesore nuk do të ketë, e sidomos nëse këtë e krahasojmë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha Greiçevci.
Ai mendon se një marrëveshje eventuale finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fund të vitit 2018, apo në fillim të vitit 2019, do të mund të përshpejtonte integrimin e Serbisë në BE dhe hapjen e një kapitulli konkret për integrim të Kosovës në këtë union.
“Gjithmonë nëse kjo marrëveshje nënkupton njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe lehtësohet dhe garantohet nga BE-ja, SHBA-ja dhe akterë të tjerë relevant në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pra, kjo do të mundësonte integrim të shpejtë të Serbisë në BE dhe hapje, siç e thashë, të një kapitulli konkret për integrime evropiane për Kosovën”, shprehet Greiçevci. Sipas tij, integrimi i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në pako në BE, do të ishte zgjidhja më e drejtë dhe më strategjike për BE-në.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një takimi të zhvilluar me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini ka thënë se ‘rruga e integrimit të Kosovës në BE është e pakthyeshme dhe se Kosova meriton një trajtim të barabartë’.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës Ilir Deda, anëtar i Komisionit për Integrime Evropiane tha për Radion Evropa e Lirë, se perspektiva evropiane e Kosovës është e lidhur me përmirësimin e raporteve me shtetin e Serbisë dhe se rrugëtimi i Kosovës nuk është i njëjtë si i shteteve të rajonit.
Megjithatë, nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, sipas Dedës, paraqet vendosjen e marrëdhënies së parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së.
“BE-ja gjatë gjithë kohës e konfirmon perspektivën e Kosovës. Ajo çka do të thotë është se ne duhet që maksimum brenda 18 muajve ta nënshkruajmë marrëveshjen e obligueshme ligjore për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, për të hapur mundësinë që Kosova të anëtarësohej në Kombet e Bashkuar dhe të fitonte statusin e kandidatit për anëtarësim në të BE, si shtet i pavarur”, tha Deda.
Deputeti Deda, thotë se rrethanat në të cilat ndodhet Bashkimi Evropian duhet të shfrytëzohen nga Kosova, por njëkohësisht edhe të kryhen obligimet që ka vet shteti.
“Nëse marrim parasysh strategjinë e BE-së për zgjerim, e cila do të publikohet në vitin e ardhshëm, strategji kjo që në një mënyrë u dha një datë orientuese Malit të Zi dhe Serbisë për anëtarësim në vitin 2015, ndërsa për vendet e tjera nuk dihet ende se ka ndonjë premtim më konkret. Kështu që ne duhet t’i përmbyllim sa me shpejt çështjet që kanë mbetur të hapura, Demarkacionin në radhë të parë dhe duhet të kemi qasja pro-aktive në këtë dialogun me Serbinë, i cili nënkupton edhe konsensus politik në Kosovë”, tha Deda.
Kanë kaluar gati dhjetë vjet që nga shpallja e pavarësisë dhe Kosova ende po përpiqet të gjejë të ardhmen evropiane, thotë njohësit e integrimeve evropiane.
Njëherësh, Kosova mbetet vendi i vetëm pa liberalizimin e vizave, ndërkohë që nuk ka siguruar ende një afat të qartë kohorë në marrëdhëniet me BE-në, se kur mund të dalë nga ky izolim.

 

Reforma historike e Trump

Liz PEEK

Sulmet histerike të së majtës kundër republikanëve dhe logjit të taksave, që u miratua ditën e martë dhe pritej të fitonte mbështetjen e Senatit, tregon shumë për situtën në vend. Demokratët kanë gënjyer me dashje se reformat do të dëmtonin shtresën e mesme të amerikanëve, duke marrë edhe mbështetjen e “Uashington Post” dhe kanë sulmuar vazhdimisht republikanët individualë që kanë mbështetur ligjin.
“New York Times”, deklaroi në editorial se ekzistonte “cinizëm dhe dashkeqësi” në ligjin e republikanëve për taksat. Gazeta publikoi gjithashtu një tjetër speciale të tmerrshme nga reporteri Paul Krugman, i cili dyshon se republikanët janë duke mbështetir legjislacionin, sepse “është në avantazhin e tyre personal” dhe shkroi një artikull të gjatë se si ligji do të dëmtonte Shërbimin e Brendshëm të të Ardhurave. Sikur t’i interesonte njeriu.
Duhet theksuar se, Times është përpjekur me çdo mundësi të kritikojë ligjin, përfshirë edhe me artikullin e faqes së parë të jo shumë kohëve më parë ku fliste se si ligji “do të tejnxehte ekonominë”. Nëse Krugman ka të drejtë dhe plani i taksave nuk do të rrisë ekonominë, përse do të çonte atëherë në inflacion? Si funksionon kjo?
Duhet pranuar në fakt se, plani i taksave të republikanëve është mankthi më i madh i demokratëve. Pas një viti rezistencë kundër një presidenti të zgjedhur, duke penguar konfirmimet e kabinetit, duke i tërhequr zvarrë të emëruarit e Obamës, duke përhapur me dashje thashetheme të pavërteta rreth lidhjeve të Trumpit me Rusinë, duke sulmuar çdo iniciativë të mundshme të admiknistratës së re, duke kërcënuar me votë mosbesimi dhe duke penguar çdo hap të vetëm të Presidentit Trump, demokratët tashmë do të përballen me një kundërshtar të fuqizuar ndjeshëm.
Republikanët janë të fuqizuar me një rekord arritjesh, një vit përfitimesh të mëdha në tregun e aksioneve dhe me rigjenerimin e ekonomisë që mund të përshpejtohet në vitin 2018, tashmë me një shtysë të madhe nga ligji për taksat. Demokratët janë duke propaganduar tek gratë e periferisë dhe grupet e tjera për të rimarrë në dorë kontrollin vjeshtën e ardhshme. Si mund të ndodhë kjo, kur amerikanët po ndihen më optimistë nga sa kanë qenë gjatë dekatës së fundit? Kur Shtëpia e Bardhë dhe republikanët të krenohen me ligjin e tyre të taksave, do të krenohen edhe për prosperitetin e sjellë. Le të mos harojmë që ekonomia është e vetmja gjë që vlen.
Edhe pse gjatë vitit të fundit demokratët dhe elitat e kanë tallur Presidentin Trump për gabimet e tij, për ekzagjerimet dhe kanë nxjerrë vrerë, kur ka përmbushur premtimet elektorale, si tërheqja nga Marrëveshja e Klimës së Parisit.
Por kritika më domethënëse e demokratëve ishte që Presidenti Trump, një fillestar në politikë, nuk ishte i denjë për postin e tij. ata pretenduan se ekipi i tij pa eksperiencë nuk ishte i përshtatshëm për axhendën e tij dhe nuk ishin plotësisht të gabuar. Më tej demokratët thanë edhe se për shkak të sjelljes së Trumpit kur ishte kandidat, ai kishte armiqësuar edhe disa prej republikanëve që nuk do ta mbetesnin axhendën e tij në Kongres.
Për disa muaj, teksa Kongresi zgjodhi të sulmonte Obamacare të parin, dukej sikur këto kritika ishin të sakta. Ata përsëritën dështimin për të hedhur poshtë Obamacare dhe folëm për repubikanë, që i kishin kthyer kurrizin presidentit. Demokratët ndjenë erën e gjakut dhe thanë se kur republikanët ishin të përçarë për një çështje të tillë, atëherë nuk do të arrinin të bënin dot asgjë.
E kishin gabim. Rapublikanët e drejtuar nga mazhoranca e senatit e mbështetën fuqimisht reformën e taksave. Ndryshe nga përpjekja për Obamacare, kjo iniciativë përfshinte edhe Shtëpinë e Bardhë. Për shumë muaj është punuar agresivisht për ligjin që do t’i bëjë bizneset amerikane përsëri konkurruese në treg dhe do të ulë taksat e shumicës së amerikanëve. Këtë do të bëjë ligji. Për këtë, demokratët janë duke bërtitur.
Mediat liberale kanë arritur diçka mahnitëse: 47 për qind e amerikanëve nuk e pëlqejnë ligjin për taksat, sipas një sondazhi të drejtuar nga universiteti “Monmouth”. Megjithatë sipas Qendrës së Politikës së Taksave, mbi 80 për qind e individëve të vendit do të paguajnë më pak taksa dhe vetëm 5 për qind e tyre (kryesisht ata me të ardhura të larta shtetërore) do të vuajnë një rritje të taksave. Këtë ka arritur të bëjë fushata keqinformuese mediatike.
Por ja çfarë i shqetëson më shumë demokratët: ky sondazh tregon se mospëlqimi i publikut për ligjin vjen vetëm nga fakti se ata nuk besojnë se taksat e tyre do të ulen vërtetë. Çfarë do të ndodhë kur të shohin se politikanët si Chuck Schumer që e ka quajtur ligjin “një grusht në barkun e shtresës së mesme”, apo Nancy Pelosi që e ka quajtur “mashtrim” dhe “Armagedon”, janë duke i gënjyer popullit amerikan? Kur njerëzit të plotësojnë formularët e taksave të tyre vitin e ardhshëm dhe të shohin se taksat janë ulur vërtetë dhe se do të kenë disa para më shumë në xhep, a nuk do të gëzohen?

Ndëshkim amerikan për Kadirov të Çeçenisë

Departamenti i Thesarit amerikan e ka goditur me sanksione financiare liderin e Çeçenisë, Ramzan Kadyrov sipas Aktit Magnitsky. Ky akt është ligj amerikan, i cili dënon rusët që supozohet se janë të përfshirë në shkeljen e të drejtave të njeriut.
Emri i Kadyrovit është një nga emrat më të zëshëm të zyrtarëve rusë që shtohet në këtë listë.
Ky ligj është miratuar në vitin 2012.
Përveç liderit çeçen në këtë listë janë shtuar edhe katër persona të tjerë: Ayub Katayev, Yulia Mayorova, Andrei Pavlov, dhe Aleksei Sheshenya. Kadyrov dhe një person tjetër që duket po ashtu të jetë nga Çeçenia janë sanksionuar “për shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut të njohura ndërkombëtarisht”.
Departamenti i Thesarit ka thënë se një person dyshohet se është i përfshirë në abuzimin e një personi gej në Çeçeni më 2017.
Gazeta ruse, Novaya Gazeta me herët gjatë vitit ishte e para që kishte dokumentuar se në Çeçeni janë torturuar dhjetëra persona të komunitetit LGBT.
Kadyrov ashtu sikur Kremlini i kanë hedhur poshtë akuzat. Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar Aktin Magnitsky më 2012, për t’i ndëshkuar personat që janë të dyshuar për vdekjen e Sergei Magnitsky, prej nga e ka marrë emrin ligji.
Magnitsky ishte i punësuar nga financieri britaniko-amerikan, Ëilliam Broëder, kur është arrestuar dhe dënuar për mashtrim tatimor në vlerë të 230 milionë dollarëve. Ai ka vdekur derisa ishte ishte në burg më 2009, ndërsa familja e tij thotë se ai është torturuar.

Moska ndalon marshin e opozitës

Gjykata e qytetit të Moskës ka ndaluar mbajtjen e një marshi të planifikuar nga politikani opozitar, Ilya Yashin.Marshi ishte planifikuar të mbahej më 24 dhjetor në Moskë. Yashin e ka bërë të ditur këtë njoftim përmes një postimi në Facebook. Ai ka njoftuar një ditë më herët se do të nisë festivalin “Dita e Lirë e Zgjedhjeve” në Parkun Lermontov, duke shtuar se ligjvënësit nuk duhen të marrin aprovim paraprak nga autoritetet e qytetit për të zhvilluar një organizim.
Ai ka thënë se pavarësisht kësaj do të ankohet dhe përgatitjet për marsh do të vazhdojnë. Sipas Yashing, vendimi i gjykatës ka qenë i ndikuar nga autoritetet e Moskës. Mbështetësit e politikanit opozitar, Aleksei Navalny janë gjithashtu duke përgatitur marshe në 20 qytete ruse, duke përfshirë edhe Moskën më 24 dhjetor.
Navalny ka bërë fushatë nga viti i kaluar, mirëpo zyrtarët ligjorë kanë thënë se ai nuk mund të kandidojë për shkak të një dënimi penal, për të cilin ai beson se ishte i motivuar politikisht. Ky vendim i gjykatës vjen vetëm dy ditë pasi ka nisur edhe zyrtarisht fushata presidenciale në Rusi. Presidenti rus, Vladimir Putin ka njoftuar më 6 dhjetor për vendimin e tij se do të kandidojë edhe për një tjetër mandat. Kritikët qeveritarë kanë thënë se rezultatet e zgjedhjeve do të jenë të manipuluara nga autoritetet.

Kërcënime për sulme me bomba në Rusi

Në Rusi kanë filluar të paraqiten përsëri kërcënimet anonime për sulme me bomba.
Zyrtarët lokalë kanë thënë se mijëra persona janë evakuuar gjatë ditës së sotme nga ndërtesat administrative, shkollat, fakultet, qendrat tregtare, spitalet dhe hotelet në Moskë dhe shumë qytete tjera ruse.
Gjatë muajit shtator nga thirrje të tilla, të cilat më pas kanë rezultuar si mashtrim, janë evakuuar më shumë se 2,3 milionë persona në 190 qytete ruse.
Në asnjërin prej rasteve nuk janë zbulur bombat.
Drejtori i Shërbimit Federal për Siguri, Aleksandr Bortnikov, ka thënë më 5 tetor se katër qytetarë rusë janë identifikuar duke supozuar se ata kanë qenë personat që kanë nisur valën e thirrjeve anonime.
Bortnikov ka thënë po ashtu se katër të dyshuarit kanë jetuar jashtë Rusisë, mirëpo kanë bashkëpunëtorë në Rusi.
Më 12 dhjetor, zëvendës ministri i Brendshëm, Igor Zubov, ka thënë se shumica e thirrjeve kërcënuese vijnë nga Siria.
Ai ka përmendur edhe Turqinë, Ukrainën, Shtetet e Bashkuara, Kanadën, Kazakistanin dhe Uzbekistanin, si vendet prej nga kanë pranuar thirrje telefonike.
Zëdhënësi i presidentit rus, Vladimir Putin, Dmitry Peskov, i ka cilësuar thirrjet si “terrorizëm përmes telefonit”.

Pse Fondacioni Soros mbajti peng ngritjen e KLP-së?

Procesi i ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organit që po mban peng zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, dhe u përdor si artificë nga mazhoranca për të zgjedhur Arta Markun për ca kohë në krye të akuzës shqiptare, vazhdon të mbulohet me mister, dhe e gjitha kjo në orkestrimin e njeriut të Xhorxh Soros.
Andi Dobrusha, i cili është drejtuesi kryesor i Fondacionit për Shoqëri të Hapur (alias Fondacioni Soros), është njëkohësisht edhe kryetari Komisionit të Shoqërisë Civile, që duhet të përzgjedhë 3 kandidatura në Kuvendin e Shqipërisë, nga të cilët deputetët më pas do të përzgjedhin vetëm një prej tyre e që do të jetë më pas pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. 8 muaj më parë, Komisioni i Shoqërisë Civile, shpërndau një deklaratë në të cilën thuhej konkretisht: “Përsa i takon përzgjedhjes së anëtarit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga Shoqëria Civile, Komisioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile është gjendur në pamundësi reale për t’i përcjellë Kuvendit listën me së paku 3 kandidatë për anëtar të Shoqërisë Civile, të cilët përmbushin kriteret e caktuara ligjore”. Komisioni i drejtuar nga njeriu i Sorrosit, ankohej se nga muaji shkurt, kur Komisioni i Shoqërisë Civile u krijua e deri në muajin tetor, me propozim të këtij Komisioni nga Kuvendi i Shqipërisë janë hapur dhe njoftuar 5 thirrje publike për kandidatët që shprehin interesin për të qenë anëtarë të “KLP” si përfaqësues të Shoqërisë Civile.
“Bazuar në këto thirrje, 10 nga 11 kandidaturat e mbërritura janë skualifikuar për shkak se nuk përmbushin kriteret formale ligjore”, thuhej në deklaratën e Komisionit të Shoqërisë Civile. E para, mungesa e anëtarit të Shoqërisë Civile, ishte i vetmi problem që pengoi ngritjen e KLP-së, dhe si pasojë vendimin zinxhir të mazhorancës për të zgjedhur një Kryeprokuror të Përkohshëm (që nuk figuron askund në Kushtetutë). Dhe tashmë vetëm dy ditë pas zgjedhjes së Arta Markut në krye të akuzës shqiptare, Komisioni i Shoqërisë Civile i drejtuar nga njeriu i Sorosit, Andi Dobrusha i dërgon Kuvendit të Shqipërisë jo 3, por 4 kandidatë 1 më shumë sesa kërkohet sipas ligjit.
Pra atë punë që Komisioni i Shoqërisë Civile nuk e bëri dot për 10 muaj, pra identifikimin e 3 kandidaturave për ngritjen e KLP-së, e bëri për vetëm 8 ditë që nga njoftimi i fundit për pranimin e aplikimeve. E gjithë kjo skemë shton akoma më shumë hijet e dyshimit për atë që ndodhi të hënën në Kuvend, dhe që kulmoi me zgjedhjen e një prokuroreje me një eksperiencë modeste pune, në krye të organit më të lartë të akuzës shqiptare. Një tjetër fakt që e bën pis angazhimin e Komisionit të Shoqërisë Civile në propozimin e kandidaturave është edhe ai i numrit të kandidaturave të kërkuara.
Një ditë më parë, Komisioni i Shoqërisë Civile, ka depozituar me firmën e Andi Dobrushës 3 kandidatura nga Shoqëria Civile për KLP-në, Alfred Ballën, Andi Muratajn dhe Entela Hoxhën. Ndërkohë pas prezantimit të bërë para Avokatit të Popullit, të 3 kandidaturave në fjalë, gjatë komunikimit me mediat, Dobrusha foli edhe për një kandidaturë të 4-ët që është ajo e Mimoza Qinamit. Pyetja është, kush është Mimoza Qinami dhe pse Komisioni i Shoqërisë Civile, dërgon një tjetër kandidaturë në Kuvend që nuk rezulton në shkresën zyrtare të dërguar në datën 19.12.2017?