Nënkryetari i Kuvendit dhe i Partisë Demokratike, Edi Paloka iu përgjigj Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçit, sipas të cilit në Parlament nuk ka ndodhur ushtrim dhune ndaj deputetëve në këto 27 vjet. Përgjigja e plotë e zotit Paloka. “Në këto 27 vjet ka ndodhur që deputetë të opozitës janë vrarë dhe sulmuar fizikisht brenda Parlamentit. Por si asnjëherë në këto 27 vjet, kriminelët, vrasës, trafikantë droge dhe prostitutash, u ngritën në piedestal si anëtarë të Parlamentit. Si asnjëherë në këto 27 vjet, Garda e Republikës u përdor për të bllokuar foltoren e Parlamentit, duke i hequr dhunshëm opozitës të drejtën e fjalës. Të gjitha këto kanë dhe më shumë se kaq, kanë ndodhur sa herë vendi dhe Parlamenti është drejtuar nga partia e Gramoz Ruçit”.
Kryemadhi-Lu-së: Prokuroria, shtojcë e Kryeministrit
Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi në takimin me Ambasadorin e SHBA z.Donald Lu theksoi që në fillim se procesi i zgjedhjes se kryeprokurorit ishte antikushtetues.
“Ishte një proces i njëanshëm, i cili u krye nga Kryeministri me qëllim kapjen e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme për të mbuluar aferat e tij dhe të çështjeve shumë të rëndësishme në hetim si procesi ndaj ish-ministrit Tahiri po ashtu dhe dosjet e korrupsionit të ministrave të tjerë”, tha kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Duke vënë theksin te procesi i votimit për Prokurorin e Përgjithshëm, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se: Ky votim i njëanshëm i Kryeministrit dhe deputetëve të tij e bën të pabesueshëm institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm, lidhur me vullnetin e tij për t’u shkuar deri në fund hetimit të trafikut të drogës që po shkatërron vendin, e në mënyrë të veçantë rininë shqiptare si dhe për të luftuar korrupsionin që po mban peng Shqipërinë, fatin e shqiptarëve dhe integrimin europian”.
Kryetarja e LSI-së gjatë takimit me ambasadorin Lu u ndal dhe te zhvillimet në Parlament. Ajo tha se, “gjithçka u shkaktua për shkak të militarizimit të pashembullt që s’ka ndodhur kurrë më parë në historinë e Parlamentit pluralist shqiptar, duke nënvizuar futjen e dhunshme të Gardës së Republikës, duke dhunuar deputetët dhe shndërrimin e Parlamentit në institucion komunist në funksion të interesave vetëm të kryeministrit Rama dhe të mbështetur plotësisht nga kryetari i Parlamentit Ruçi, sipas një skenari të mirëmenduar për dhunimin e parlamentarizmit në Shqipëri e të fjalës së lirë në Parlament”, tha Kryemadhi.
“Parlamenti nuk është më një institucion demokratik, por thjesht dhe vetëm një shtojcë e shëmtuar e kryeministrit dhe rikthimi i tij në një institucion demokratik dhe normal është një sfidë, ku SHBA duhet ta thonë fjalën e tyre”, shtoi Kryetarja e LSI-së.
Kryetarja e LSI, znj. Kryemadhi evidentoi dhunën ndaj deputeteve të saj brenda dhe jashtë Parlamentit, Kejdi Mehmetaj the Floida Kërpaçi si dhe nënvizoi se gjakosja e deputeteve më të reja të Parlamentit është një provë e qartë publike e dhunës së pushtetit të kryeministrit dhe policisë së tija ndaj çdo reagimi qytetar dhe opozitar, dhunë e cila ishte mesazhi më negativ që mund t’i jepej rinisë shqiptare.
Hotel “Rogner” hap dyert për fëmijët me autizëm…
Ndryshe nga vitet e tjera ku festat e fundvitit i kanë bërë brenda dyerve të qëndrës ku edhe marrin terapi, këtë fundvit, fëmijët më çrregullim të spektrit autik festuan në ambjentet e një prej hoteleve më prestigjoze në Tiranë, Hotel “Rogner”. Të pranishëm në këtë festë ishin edhe fëmijët e stafit të qëndrës Rajonale të Autizmit në Farkë dhe asaj në Sauk.
Drejtuesit e këtij hoteli hapën dyert për familjet e këtyre fëmijëve, duke u ofruar atyre një atmosferë shumë mikëpritëse. Drejtuesja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, Dr.Liri Berisha, duke falenderuar drejtoreshën e Hotel “Rogner” znj. Dagmar Gietmann për këtë xhest shumë të dashur dhe miqësor, e vlerësoi këtë shërbim jo thjesht si një dhuratë për këta fëmijë, por si një mbështetje në shenjë solidariteti me kauzën e tyre. Ajo u shpreh se këta fëmijë kanë nevojë të mbështeten, të mosdiskriminohen dhe të pranohen ashtu siç janë për t’i ndihmuar të rriten dhe të integrohen.
Falë terapisë që këta fëmijë marrin në qendër, sot dhjetëra prej tyre frekentojnë shkollat. Disa prej tyre recituan vjershat e mësuara në shkollë. Në fund Dr.Lri Berisha dhe znj.Dagmar Gietmann u shpërndanë fëmijëve dhuratat e përgatitura nga Fondacioni Fëmijët Shqiptar.
Lirimi i Lul Berishës, dosja shkon në Gjykatën e Lartë
Gjykata e Lartë vendos të kalojë në shqyrtim rekursin e Prokurorisë kundër vendimit që liroi me kusht nga qelia ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Ai u lirua një vit më parë nga Apeli i Durrësit, kur i kishin mbetur më pak se 5 vite dënim për të kryer.
Në përfundim të fazës së studimit të dosjes në Dhomën e Këshillimit në Gjykatën e Lartë është dalë në përfundimin se çështja duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor. Kalimi i këtij filtri ka shmangur arkivimin e dosjes, siç do të ndodhte nëse Gjykata do të vendoste mospranim ankimi që në Dhomën e Këshillimit. Në ditët në vijim, Kolegji Penal pritet të caktojë një datë për shqyrtimin e ankimit të Prokurorisë mbi vendimin që liroi Berishën.
Vetëm pak ditë më parë treshja e gjykatësve, firmosi ta kalojë në seancë, me argumentin se ka shkaqe për t’iu nënshtruar shqyrtimit gjyqësor. Dhoma e Këshillimit, është filtri i parë që çdo çështje duhet të kalojë në Gjykatën Supreme. Në rastin e Lulzim Berishës është vendosur që dosja të kalojë për gjykim dhe jo të mbyllet me mospranim rekursi, çka do të ishte arkivim përfundimtar i çështjes.
Tashmë, Kolegji Penal me relator Artan Zenelin, duhet të caktojë datën për zhvillimin e procesit, në përfundim të të cilit do të vendosë nëse ishte apo jo i drejtë verdikti i Apelit të Durrësit për lirimin me kusht të të dënuarit për vrasje.
Pas dhjetë vitesh qëndrimi në qeli, Lulzim Berisha rifitoi lirinë me kusht në dhjetor të 2016. Për lirimin e ish-kreut të bandës së Durrësit, Apeli, mori në konsideratë garancinë për punësim të ofruar për të dënuarin nga kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.
Lirimi nga qelia i ish-kreut të bandës së Durrësit shkaktoi reagime të ashpra në opinionin publik. Nga ana tjetër, Prokuroria nisi hetim për dy nga zyrtarët e burgut ku ai vuante dënimin.
Vrasja e policit të RENEA-s, i penduari ndryshon dëshminë
Procesi gjyqësor ndaj 11 të akuzuarve për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, në qershor 2015 në Lazart, ka mbërritur në fazën e pyetjes së të pandehurve. Para Gjykatës së Krimeve të Rënda i penduari Elson Kazma ka mohuar dëshminë e dhënë gjatë hetimeve paraprake. Mbi dëshminë e tij, Prokuroria ngriti akuzat për 11 banorë të Lazaratit, që akuzohen për sulmin ndaj policisë në qershor të 2015, ku mbeti i vrarë oficeri i RENEA-s, Ibrahim Basha.
I riu ka sqaruar para togave të zeza se pas ngjarjes, ai është dhunuar në Policinë e Gjirokastrës, ku e detyrua të firmosë një deklaratë që ai nuk e ka dhënë asnjëherë. E gjithë kjo, sipas Elson Kazmës ka ndodhur në prani të ish-prokurorit të kësaj çështje Anton Martini, i cili u transferua në Shkodër disa javë më parë.
Pas këtij momenti, Prokuroria ka lexuar dëshminë që Kazma ka dhënë në hetimin paraprak. Sipas saj, organizator i sulmit ishte Arbjon Aliko, ndërsa armët i gjetën në shtëpitë e braktisura në fshat.
Më pas u organizuan duke qëlluar në drejtim të policisë, ku mbeti i vrarë 31-vjeçari Basha. Leximi i dëshmisë ka shërbyer si moment shkëmbimi batutash mes prokurorit dhe të pandehurve.
Elson Kazma u tha prokurorëve se janë regjisorë të mëdhenj. Ndërsa Arbjon Aliko u shpreh se e kanë bërë si aktori i njohur i filmave aksion Silvester Stalone. Gjykata do të vazhdojë dhe me marrjen në pyetje të të pandehurve të tjerë.
Basha-Lu-së: Vendi drejt një krize destabilizuese
Kryeprokurorja antikushtetuese, asnjë kompromis me dosjet e krimit, Tahiri e Dako para drejtësisë, shkelja e Kushtetutës po prodhon një krizë destabilizuese.
Kryetari i PD, Basha i deklaroi dje ambasadorit amerikan, Lu se vendi është përpara një puçi kushtetues të konsumuar nga mazhoranca me zgjedhjen e kryeprokurores së përkohshme në kundërshtim me Kushtetutën. Ai deklaroi se qytetarët do të qëndrojnë me të gjithë mjetet dhe format demokratike në mbrojtje të Kushtetutës.
Kryetari i PD deklaroi qëndrimin e prerë të demokratëve se nuk do të ketë asnjë kompromis me dosjet e krimit dhe daljen para drejtësisë të Tahirit dhe Dakos.
Kryetari i opozitës Lulzim Basha i përcolli ambasadorit amerikan Donald Lu kundërshtimin e prerë të Partisë Demokratike për zgjedhjen antikushtetuese të një Prokurori të Përgjithshëm të Përkohshëm.
Në një takim në selinë e Partisë Demokratike, zoti Basha bëri të qartë se mos krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, uzurpimi i kompetencave të KLP-së nga Parlamenti, zgjedhja e një prokurori të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë, zgjedhja e prokurores pa kaluar vetingun, janë puç antikushtetues, i cili ka futur në krizë sistemin e drejtësisë, ka shkatërruar procesin politik në vend dhe po prodhon një krizë destabilizuese për vendin.
Zoti Basha pohoi se të gjitha këto veprime kanë qenë të paramenduara dhe të planifikuara nga Edi Rama për të zgjedhur një kryeprokuror që kontrollohet plotësisht prej tij, me qëllim shkatërrimin e hetimeve për dosjet kriminale të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos dhe politikanëve të tjerë të lidhur direkt me vetë Ramën.
Kryetari Basha theksoi se interesat e shqiptarëve dhe të SHBA shërbehen vetëm duke dënuar kthimin e Shqipërisë në një vend të drogës dhe krimit, duke mos toleruar lidhjet e qeveritarëve me drogën dhe krimin dhe duke kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të tyre.
Kryetari i Partisë Demokratike i shprehu ambasadorit amerikan qëndrimin e pandryshueshëm të PD për të bërë të gjitha përpjekjet që vendi t’i rikthehet kushtetueshmërisë dhe politikanët e lidhur me krimin, nga Saimir Tahiri tek Vangjush Dako, të përfundojnë para drejtësisë. Asnjë kompromis dhe asnjë interes pragmatik politik nuk do ta ndryshojë këtë qëndrim, u shpreh Basha.
Kryetari i opozitës e siguroi ambasadorin Lu se, në përputhje me parimet më themelore të demokracisë amerikane, opozita dhe qytetarët shqiptarë do të qëndrojnë me të gjitha mjetet dhe format demokratike në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë dhe kundër kapjes së drejtësisë nga Edi Rama, klanet e drogës dhe grupet kriminale që bashkëqeverisin me të.
Banka e Lindës, lobim mafioz e aferë korruptive për NBG-në?
Shumë pikëpyetje ngrihen mbi përpjekjet e shtuara të Bankës ku bashkëshortja e Kryeministrit është anëtare e Bordit Drejtues të Abi Bank për blerjen e bankës tjetër NBG. Kush janë lobuesit e pushtetshëm dhe si është e mundur që një bankë e cila jep ofertë më të ulët të mund të blejë në tregun privat një tjetër bankë? Cilat janë interesat që po luhen dhe a është përfshirë edhe diplomacia në këtë aferë të bankës së vetme në vend e cila i ka ortakët të panjohur në parajsat fiskale.
Shitja e Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG) tek Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI Bank) do të finalizohet së shpejti. Burime të bankave thanë për “Monitor” se, marrëveshja pritet që të mbyllet brenda këtij viti.
Pas arritjes së marrëveshjes mes dy palëve, pritet që ajo të çohet për miratim tek Banka e Shqipërisë. Burime nga kjo e fundit thanë se, kërkesa nuk ka ardhur ende, por lanë të nënkuptohet se ata kanë në plan që ta miratojnë këtë transaksion, pasi ABI është një bankë me aktivitet të qëndrueshëm.
Në garë për të blerë NBG ishin edhe Banka e Parë e Investimeve (FiBank) dhe Eurosig. Që në fillim, ABI Bank mësohet se ishte e preferuar dhe lobimi ka qenë i madh për ta shpallur atë fituese, ndërsa Banka e Shqipërisë favorizonte Fibank, ndërsa Eurosig ishte jashtë loje, për shkak të mungesës së përvojës së sistemit bankar. Procesi zgjati disa muaj për shkak të çmimit të ulët të ofruar.
Fondi Monetar Ndërkombëtar në deklaratat e fundit ka bërë thirrje që të bëhet kujdes me transaksionet bankare. Fondi theksoi “nevojën për vigjilencë të vazhdueshme dhe përmirësim të mjeteve të përgatitjeve për të përballuar krizën, veçanërisht në dritën e rritjes së ndërlidhjes në këtë sektor. Për të zbutur rreziqet ndaj stabilitetit bankar, kandidatët për licenca të reja bankare duhet të kenë përvojë të përshtatshme bankare dhe të shmangin konfliktet e interesit”. Por, burime nga Banka e Shqipërisë pohuan se, paralajmërimet e FMN-së kishin të bënin më shumë për institucionet jo bankare që kërkojnë të hyjnë në këtë treg.
NBG e Greqisë, që pas krizës së borxheve greke nxori në shitje filialet e saj të rajonit, si pjesë e planit për t’u ristrukturuar në linjë me rekomandimet e Bankës Qendrore Europiane. Në shitje është edhe Tirana Bank, pjesë e grupit bankar të Pireut, por edhe banka të tjera, ndaj vitit 2018 pritet të jetë aktiv në proceset e shit-blerjeve. Për këtë arsye, drejtuesit e NBG nxituan që të mbyllnin marrëveshjen brenda këtij viti.
Asetet e NBG Albania, në fund të tremujorit të tretë të këtij viti, ishin 40 miliardë lekë, ose 2.8% e totalit të sistemit bankar. Banka kishte gati 4% të stokut të huave dhe 2.6% të depozitave, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Për 9-mujorin ajo kishte deklaruar një humbje prej rreth 133 milionë lekësh.
Ndërsa asetet e Bankës Amerikane të Investimeve (ish-Crédit Agricole që në 2015-n u ble nga NCH Capital) ishin 2.81 miliardë lekë, ose 2.85% e totalit. Në këtë mënyrë, pas blerjes ABI do të ketë 5.65% të totalit të aseteve të sistemit bankar, duke u ngjitur në bankën e gjashtë më të madhe në sistem, pas BKT (27.8%), Raiffeisen (17%), Credins (12.06%), Intesa (11%), Societe (5.8%).
Pas shitjes së NBG dhe përthithjes së Bankës Veneto nga Intesa San Paolo, sistemi bankar do të ketë 14 banka, nga 16 që ishin në fillim të këtij viti, teksa procesi i konsolidimit të sistemit pritet të vazhdojë me intensitet edhe vitin e ardhshëm.
Pikëpyetjet mbi bankën
Sistemi bankar në Shqipëri numëron 16 banka, por vetëm njëra prej tyre vjen nga kompani offshore. Ajo është Banka Amerikane e Investimeve, në bordin drejtues të së cilës pak muaj më parë u emërua bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama. Banka Amerikane e Investimeve përbën një risi të çuditshme në sistemin financiar shqiptar, e cila ka habitur jo pak ekspertët. Pronësia e saj është e pagjurmueshme, pasi kalon përmes parajsave fiskale. Të gjitha bankat e licencuara në Shqipëri zotërohen nga grupe të mirënjohura financiare kryesisht nga Europa Perëndimore. Pronësia e tyre është transparente dhe aksionerët që i zotërojnë janë të njohur publikisht. Por në rastin e ABI Bank, çuditërisht kjo traditë u thye, duke ngritur dyshime të forta edhe ligjore për licencimin e bankës në dhjetor të vitit 2015.
Pronësia e panjohur
Banka Amerikane e Investimeve zotërohet 100 për qind nga një fond financiar i quajtur Tranzit sh.p.k. Por ky i fundit, zotërohet nga 3 aksionerë, një shtetas shqiptar me emrin Andi Ballta dhe dy fonde të tjera, NCH Balkan Fund dhe New Century Holding. Të dy këto fonde, të cilat zotërojnë 70 për qind të Bankës Amerikane të Investimeve janë të regjistruar në parajsën fiskale të ishujve Cayman. NCH Balkan Fund, L.P është shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Ishujt Cayman me numër regjistri MC-15214. Në po të njëjtin vend, pra në ishujt Cayman është regjistruar edhe kompania tjetër që ka në bashkëpronësi Tranzit shpk, New Century Holdings XI, L.P e cila ka si numër regjistri CR-10711. Askush nuk e di se kush qëndron pas NCH Balkan Fund dhe New Century Holdings, për shkak të sekretit që ofrojnë parajsat fiskale. Ky fakt ngre dyshime të forta. Kush qëndron pas Abi Bank dhe pse BSH pranoi të licencojë një bankë nga parajsat fiskale?
Kush janë ortakët dhe pastrimi parave?
Është një histori që nis nga shumë larg dhe që është e vështirë të kuptohet se ku po shkon. Në vitin 2014, Credite Agricole, si pasojë e një situate të rrënuar financiare, shiti filialin e saj shqiptar, të cilin e kishte blerë disa vjet më parë nga Emporiki, një banke greke e kontrolluar prej saj. Banka u ble nga kompania Tranzit shpk, e regjistruar në Shqipëri në vitin 2009 dhe e autorizuar nga Banka e Shqipërisë për të ushtruar aktivitet financiar, leasing dhe faktoring, blerje kredish të këqia dhe veprime të tjera të ngjashme.
Tranzit shpk është në bashkëpronësi me nga 50 për qind të dy fondeve të investimit, NHC Balkan Fund L.P. dhe New Century Holdings XI L.P., të regjistruara në ishujt Cayman, çfarë e bën të pamundur njohjen e identitetit të pronarëve të fondeve.
Më 12 maj 2015, Tranzit firmosi marrëveshjen për blerjen e Credit Agricole. Në momentin e blerjes i gjithë kapitali i kompanisë ishte rreth 1.3 milionë euro, ndërsa ai i Credit Agricole gati 55 milionë euro. Nga bilancet e dorëzuara në QKR nga Tranzit ka deklaruar të ardhura rreth 300 mijë euro në vit. Menjëherë pas marrëveshjes, dy fondet në pronësi të Tranzit i shesin për një shumë prej 390 mijë euro 30 për qind të kuotave të tyre Andi Balltës, një shqiptar me pasaportë amerikane-administrator i Tranzit që nga themelimi.
Dy fondet aksionere të Tranzit janë të regjistruara në Gran Kaiman dhe administrohen të dyja nga NHC Capital Inc, një shoqëri amerikane administrimi kursimesh, në pronësi të dy kunetërve Moris Tabacinic dhe George Rohr. Të dy, hebrej amerikanë, morën pjesë në vitin 1991 në privatizimet e rëndësishme në Rusi dhe më pas ndërtuan një sistem fondesh të specializuara në Rusi dhe në vendet e Lindjes, të cilat administrohen direkt nga Moska. Sistemi deklaron se administron 25 fonde private me vlera të barabarta që veprojnë në gati të gjithë vendet e Lindjes, dhe që kontrollojnë të paktën dy banka në Ukrainë dhe Rumani, me një vlerë të përbashkët të aktiveve për të gjitha fondet e barabartë me 3,4 miliardë dollarë.
Edhe pse NHC Capital Inc është e regjistruar në entin rregullator financiar, SEC, si administrator i fondeve të investimit, por fondet dhe e gjithë struktura janë të regjistruara në Kaiman ose në ndonjë prej vendeve lindore, pra nuk i nënshtrohen kontrollit të autoriteteve amerikane.
Dega kryesore vepruese e NHC Capital Inc është në Moskë nën emrin NHC Capital Real Estate, që rezulton të jetë një lloj shoqërie e administrimit të kursimeve ruse, pra administron fonde investimesh dhe deklaron të paktën tre fonde të krijuara në fillim të viteve 2000 dhe tashmë të mbyllura, për një shumë të përgjithshme prej 1,8 miliardë dollarë. Shembujt e investimeve të realizuara nga fondet NHC, të paraqitura në faqen zyrtare, nuk duken të tilla që të justifikojnë vlerën lartë të deklaruar nga ato.
Korrupsioni, rrëzohet kërkesa për pezullimin e 3 gjyqtarëve
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për pezullimin nga detyra të tre gjyqtarëve të Apelit Durrës, të cilët po hetohen për “korrupsion”. Gjyqtarët për të cilët u kërkua pezullim janë Kliton Spahiu, Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Ata janë nën hetim nga Krimet e Rënda prej disa muajsh pwr korrupsion.
Hetimi ka nisur që në janar të 2017, pasi dyshohen se ata kanë përfituar një udhëtim për të parë ndeshjen Real Madrid – Barcelona nga një biznesmen, qw ishte nw gjykim. Nga hetimet e Prokurorisw ka rezultuar se, gjyqtarët janë sponsorizuar në dy udhëtime jashtë vendit nga një biznesmen durrsak, i cili ishte palë në një proces civil që po shqyrtohej prej tyre. Të dhënat e dosjes hetimore treguan se, tre gjyqtarët kishin ndërmarrë një udhëtim në Spanjë në tetor 2014, për të parë ndeshjen e futbollit Real Madrid – Barcelona.
Më herët, dyshohet se relatori i çështjes, Kliton Spahiu dhe gjyqtari Petraq Dhimitri kishin udhëtuar në shoqërinë e Sadikut edhe në Itali.
Konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Sadiku ishte paditur nga ish-ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina, prej shkurtit të vitit 2012.
Në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës çështja në fjalë është fituar nga paditësi Oliver Ushina. Ndërkohë, Gjykata e Apelit e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë, duke i dhënë të drejtë Sadikut.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, më 18 shkurt 2015, Ushina ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit, ku akuzonte treshen e gjyqtarëve se kishin marrë vendim në favor të Sadikut, pasi kishin përfituar prej tij dy udhëtime jashtë vendit.
Tre gjyqtarët kanë udhëtuar në drejtim të Spanjës nga Aeroporti “Nënë Tereza” më 24 tetor 2014, me linjën tranzit Alitalia dhe janë kthyer më 26 tetor 2014. Ndërsa biznesmeni Sadiku ka udhëtuar drejt Spanjës një ditë më parë, më 23 tetor 2014, dhe është kthyer me të njëjtin avion me gjyqtarët më 26 tetor. Sipas Prokurorisë, qëllimi i udhëtimit në Spanjë i të dyshuarve ishte ndjekja në stadium e ndeshjes së futbollit mes Real Madrid dhe Barcelonës. I ashtuquajturi derbi “El Classico” u mbajt në Madrid në 25 tetor 2014 dhe u fitua me rezultatin 3:1 nga skuadra pritëse e Realit të Madridit.
Më herët, më 2 tetor 2014, gjyqtarët Spahiu dhe Dhimitri kanë udhëtuar drejt Italisë në të njëjtën linjë dhe avion me Sadikun. Si gjyqtarët dhe biznesmeni janë kthyer nga Italia në të njëjtën ditë dhe orë.
Dyshimet për financimin e këtyre udhëtimeve janë në proces hetimi prej më shumë se një viti e gjysmë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Tre prokurorë janë ndërruar përgjatë kësaj kohe, pa arritur ende në një vendimmarrje.
Në kohën e udhëtimit drejt Madridit, Sadiku kishte të hapur një çështje gjyqësore në Gjykatën e Apelit Durrës, ku relator ishte gjyqtari Spahiu dhe anëtarë të trupit gjykues ishin Petrit Çeno dhe Petraq Dhimitri. Më herët, dyshohet se relatori i çështjes, Kliton Spahiu dhe gjyqtari Petraq Dhimitri kishin udhëtuar në shoqërinë e Sadikut edhe në Itali. Konflikti gjyqësor lidhet me ndërtimin e hotelit 10 katësh të Sadikut në plazhin e Durrësit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Sadiku ishte paditur nga ish-ortaku i tij në ndërtimin e kompleksit, Oliver Ushina, prej shkurtit të vitit 2012. Në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës, çështja në fjalë është fituar nga paditësi Oliver Ushina. Ndërkohë, Gjykata e Apelit e ka rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë, duke i dhënë të drejtë Sadikut.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, më 18 shkurt 2015, Ushina ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit, ku akuzonte treshen e gjyqtarëve se kishin marrë vendim në favor të Sadikut, pasi kishin përfituar prej tij dy udhëtime jashtë vendit.
Trafik kokaine nga Shqipëria, goditet një tjetër bandë në Itali
Një tjetër bandë shqiptare trafikante e drogave të rënda është shkatërruar gjatë ditës së djeshme nga Policia italiane. E drejtuar nga shqiptari 42-vjeçar K.A, kjo bandë kontrollonte trafikun e kokainës pothuajse në të gjithë qytetin e Parmës me një biznes të madh përfitimi. Gjatë operacionit, policia italiane ka mundur të arrestojë në flagrancë 4 anëtarët e kësaj bande. Ata janë shtetasit K.A., 42 vjeç, B.F., 21 vjeç; T.K 20 vjeç dhe S.M, 22 vjeç. Baza operative e tyre ishin tre apartamente të marra në qytetin e Parmës.
Kokaina vinte nga Shqipëria dhe trafikohej përmes korrierëve mjaft të rinj në moshë e të ardhur enkas nga Shqipëria si turistë. Kreu i kësaj bande i punësonte si korrierë droge përgjatë 3 muajve të qëndrimit të tyre në Itali e pas skadimit të afatit të qëndrimit i zëvendësonte me korrierë të rinj nga Shqipëria.
Një gram kokainë shitej me 80 euro e përgjatë 5 muajve hetim, nëntor 2016 -mars 2017 kanë vërtetuar rreth 2060 doza kokainë të shitura me një biznes fitimi prej 166 mijë euro.
Të ardhurat e përfituara nga shitja e kokainës dërgoheshin të gjitha në Shqipëri me anë të Money Trasfert e përdoreshin për ndërtimin e vilës së kreut të kësaj bande. Tre shtetas të tjerë shqiptarë janë denoncuar për riciklim parash.
Përgjimet telefonike të autoriteteve italiane kanë verifikuar se bosi i kësaj bande, shtetasi K.A administronte aktivitetin e bandës me rregulla të forta. Nëse një korrier kundërshtonte mbi çmimin e shitjes së kokainës në treg, rikthehej menjëherë në Shqipëri. “Do t’i kthej në Shqipëri të hanë plehra, pasi nuk kanë më besimin tim”, shprehet K.A, në një nga përgjimet telefonike.
Shqiptari kapet me 2 milionë euro drogë në Itali
Një shqiptar 32-vjeçar rezident prej vitesh në komunën La Spezia në Itali, është arrestuar me akuzën e trafikut të marijuanës. Në zotërim të tij, forcat italiane të rendit kanë sekuestruar 106 kg marijuanë me vlerë përfitimi në treg për 2 milionë euro. Shqiptari me inicialet R.B u ndalua nga Policia, në daljen jugore të autostradës së Modenas, ndërsa udhëtonte me një furgon tip “Fiat Ducati”.
Furgoni ishte i modifikuar enkas për fshehjen e drogës, e në pjesën e poshtme të rimorkios e komanduar me një levë elektronike janë gjetur disa thasë me marijuanë me një peshë prej 106 kg. Vlera e përfitimit e shitjes së saj në treg sipas policisë italiane përllogaritet të jetë rreth 2 milionë euro.
Ndaj shqiptarit R.B 32 vjeç është lëshuar urdhëri i arrestit me burg e aktualisht ndodhet në qendrën e vuajtjes së dënimit Sant’Anna të Modenas në pritje të procesit gjyqësor. Policia italiane ka nisur hetimet për të zbardhur prejardhjen e destinacionit final të kësaj sasie droge.
Greqia sekuestroi këtë vit 16 tonë drogë, shumica nga Shqipëria
Policia greke ka asgjësuar pjesë nga sasitë e drogës së konfiskuar gjatë këtij viti. Në një nga furrnaltat e zonës së Beotisë, u dogjën 25 kilogramë heroinë, 27 kg kokainë, 300 kilogramë kanabis dhe 1,200 fidanë kanabisi. Në këtë aksion ishte i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i policisë greke, gjeneral leitnant Konstandinos Tsuvalas, që e cilësoi 2017-ën si një vit mjaft të suksesshëm në luftimin e trafikut të drogës. Ai shtoi se 2018-ta do të shpallet si “viti kundër drogës”.
Gjatë 2017-ës u sekuestruan gjithsej 16 tonë kanabis, shumica e të cilave kishin hyrë nga Shqipëria, 302 kg heroinë, 220 kg kokainë dhe 50.000 pilula narkotike. Policia trajtoi 12.000 çështje që lidheshin me drogën. U proceduan 17.000 persona, nga të cilët 12.000 u arrestuan.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë greke tha se, gjatë vitit të ardhshëm, do të operohet në dy akse në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në sensibilizimin e shoqërisë, për të patur rezultate edhe më të mira në luftën kundër trafikut të drogës.
Rriten denoncimet për dhunë në familje
Afro 4000 raste të dhunës në familje janë denoncuar gjatë një viti në vendin tonë. E krahasuar me shumë vite më parë, shifrat janë dhjetëfishuar, por gjatë konferencës mbi barazinë gjinore, zëvendës/kryeministrja Senida Mesi, thotë se nuk ka ardhur në rritje fenomeni, por ndërgjegjësimi për të mos e konsideruar dhunën diçka private.
“Kjo do të thotë se qytetarët, përherë e më tepër, po u besojnë institucioneve, përherë e më tepër, ato janë në gjendje që këtë dhunë në familje dhe private ta deklarojnë dhe ta adresojnë dhe kjo kërkon njëfarë kurajo”.
8 gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre këtë vit dhe zëvendëskryeministrja nuk i kurseu lotët teksa kujtoi Fildes Hafizin. “Për më shumë më dhemb, kur një grua aq e fortë, pjesë e një sistemi gjyqësor të korruptuar, intelektuale, e zonja në punë, nënë e mrekullueshme e dy fëmijëve, e humbi luftën e saj”. Për ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, është koha për të shtrirë në të gjithë vendin qendrat e emergjencës për të pritur viktimat e dhunës.