Ish-mesfushori i Barcelonës, Rivaldo, beson se Lionel Messi është lojtari më i mirë në botë, por ka lavdëruar edhe yllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo, përpara përplasjes klasike të kësaj fundjave. Dy gjigantët e futbollit spanjoll do të përplasin brirët të shtunën pasdite në një tjetër kapitull të rivalitetit më të larmishëm sportiv në botë, me Barçën që kryeson renditjen e La Liga-s aktualisht. Klasikja do të shohë Messin dhe Ronaldon edhe njëherë përballë njëri-tjetrit. I pyetur për rivalitetin mes dy yjeve që luajnë në kampionatin spanjoll, Rivaldo, i cili fitoi dy tituj kampioni duke luajtur për Barçën, pranon se njëri është i prerë mbi tjetrin. “Unë do të doja të luaja me Messin, do të ishte e mrekullueshme. Ai është më i miri në botë, ajo që bën e dallon nga të tjerët, tha Rivaldo për “Betfair”. Ronaldo? Ai është lojtari më i rrezikshëm te Reali. Është e vështirë ta ndalosh atë, si Messin, sepse të dy shënojnë shumë gola dhe kurrë nuk e dini se çfarë do të jetë gjëja tjetër që do të shpikin për të shënuar”.
Rivaldo njeh suksesin e portugezit: “Nëse Ronaldo fitoi, e bëri këtë sepse e ka merituar. Në kohën time ka pasur më shumë lojtarë sesa sot, që sfidoheshin për të qenë më të mirët në botë. Më kujtohet Figo, Del Piero, ose Totti. Tani ti gjithnjë dëgjon për lojtarët e njëjtë. Jam shumë i sigurtë se ata që përmenda mund ta sfidonin Messin dhe Ronaldon, sepse futbolli ishte më i vështirë në kohën time. Unë nuk jam këtu për polemika, vetëm do të them se të dy janë lojtarë shumë të mirë, por në kohën time ju mund të gjenit më shumë lojtarë sesa sot, kur dëgjoni të flitet vetëm për Messin, Ronaldon dhe Neymarin”.
Rivaldo vlerëson Messin
Bankat shqiptare nuk kanë kapacitet për të dhënë kredi të mëdha
Familjet në Shqipëri nuk janë kredituar nga bankat as sa gjysma e rajonit, ndërkohë që ky tregues në vendet e rajonit dhe të tjera në tranzicion është 20-35% e PBB-së. Fondi Monetar Ndërkombëtar në një studim për “Thellësinë Financiare” në Shqipëri, referon se në vitin 2017 kredia ndaj individëve nuk është më shumë se 13 për qind e PBB-së. Fondi sqaron se, kreditimi i ulët për ekonomitë familjare të Shqipërisë reflektoi një model bankar të fokusuar në kreditë e mëdha të korporatave dhe nga ana tjetër çështjet e titujve të pronësisë mbi tokën penguan përdorimin e tyre si kolateral. Më tej, Fondi thekson se të ardhurat nga emigrantët qenë një burim i madh financimi për ndërtimin e banesave. Megjithatë së fundmi bankat kanë filluar të zgjerojnë kredinë e individëve për të diversifikuar portofolet e tyre. Nga ana tjetër, kreditimi i individëve është penguar edhe mungesa e fondeve afatgjata që disponojnë bankat. Meqenëse depozitat afatshkurtra janë burimi kryesor i financimit për bankat, mundësia për të dhëna kredi afatgjatë në monedhën vendase është e kufizuar. Bankat e huaja mund të përmirësojnë kreditimin e individëve nga fondet e bankave mëmë, por ato nuk janë, duke përdorur më këtë instrument për shkak të rreziqeve që vijnë nga kursi i këmbimit. Fondi sugjeron se, promovimi i financimit afatgjatë në monedhën vendase, duhet të zhvillohet nëpërmjet një reforme të gjerë institucionale. Nga ana tjetër, sistemi jobankar është relativisht i pazhvilluar dhe ofron hapësirë të kufizuar për financim afatgjatë. Kredia është e lidhur ngushtë me konsumin dhe ndikon në frenimin e investimeve. Vlerësimet e Fondit tregojnë se, nëse kredia bie me 1%, efekti i saj në rritjen ekonomike është (-0.2.%) Sipas analizës së FMN, niveli i ulët i kredisë në sektorin privat shpjegohet me të ardhurat të ulëta, informalitet të lartë dhe pengesa institucionale. Një pengesë e rëndësishme institucionale lidhet me zbatimin e kontratave dhe mbulimin e kolateralit. Gjithashtu, mungesa e vlerësimit të kredive në regjistrin e kredive dhe informacioni i ngushtë për huamarrësit kontribuojnë në depërtimin e dobët të kredisë. Shqipëria historikisht ka pasur një përhapje të ulët të shërbimeve bankare, edhe si rrjedhojë e trashëgimisë komuniste, por edhe tani gati tre dekada në ekonominë e tregut shqiptarët nuk kanë raport të mirë me shërbimet financiare, pasi vetëm 20 për qind e tyre kanë një llogari bankare në raport me vendet e tjera të rajonit 50 për qind e popullsisë mbi 15 vjeç e ka një llogari në bankë.
I dyfishohet rroga Gabriel Jesus
Gabriel Jesus ka rënë dakord për një kontratë të re te Manchester City, më pak se një vit nga momenti kur ai bëri debutimin e tij për klubin në fjalë. 20-vjeçari brazilian ka bërë një fillim kaq të mirë në karrierën e tij me “qytetarët”, sa Sergio Aguero, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të klubit anglez, nuk është më i sigurt për një vend titullari. Sulmuesi i kombëtares së Brazilit erdhi nga Palmeiras në verën e vitit 2016, por u bashkua me “Blues” në janar, pas kulmit të sezonit brazilian. Manchester City ka qenë i etur të lidhë yllin e vet me një marrëveshje të re përpara Kupës së Botës, që do të zhvillohet në Rusi verën e ardhshme. Specialistët mendojnë se, pas startit mbresëlënës të Jesusit në Angli, profili i tij do të rritet edhe më tej, pas turneut në Rusi.
Ai së shpejti do të fitojë rreth 150.000 paundë në javë, në një nivel bazë, çka është më shumë se dyfishi i paketës së tij aktuale të pagave. Kjo shifër do të kryesohet me një numër shpërblimesh, të lidhura me performancën, të tilla si lojëra minimale të luajtura në një sezon dhe trofetë e Manchester City. Kontrata e re pritet të zgjasë deri në vitin 2023. Braziliani ende duhet të tregojë për marrëveshjen e tij të re, por burime të larta të “qytetarëve” kanë deklaruar se të gjitha palët e kanë arritur një marrëveshje të plotë, duke përfshirë rinegocimin e të drejtave të imazhit të sulmuesit. Konfirmimi zyrtar pritet në Vitin e Ri.
Euro po bie me shpejtësi, arrin nivelin më të ulët që nga gushti
Monedha e përbashkët ka vijuar rënien në tregun vendas edhe gjatë ditës së sotme. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 133.13 lekë, duke arritur nivelin më të lartë që nga ditët e fundit të muajit gusht. Aktorët e tregut pohojnë se rënia lidhet me efekte sezonale, ashtu siç ndodh gjithmonë në fund të vitit. Ardhjet e emigrantëve rrisin ofertën për valutë në treg, duke bërë që euro të humbë pikë ndaj monedhës vendase. Një tjetër faktor, sipas ekspertëve lidhet me faktin që këtë vit, tregtarët i kanë bërë blerjet e fundvitit që në muajin nëntor, çka ka bërë që në dhjetor të mos ketë kërkesë të lartë për valutë. Afrimi i datës 20, si çdo muaj shoqërohet dhe me rritje të këmbimeve të valutës me lekë nga kompanitë e huaja që veprojnë në Shqipëri, ose nga ato vendase që i marrin të ardhurat në lekë, të cilat nxitojnë që të bëjnë pagesat e sigurimeve shoqërore. Tradicionalisht euro zhvlerësohet në tregun vendas deri në ditët e fundit të vitit, ndërsa janari shoqërohet me forcim të monedhës së përbashkët. Me rënie të fortë është shoqëruar edhe dollari, i cili ka zbritur në 112.47 lekë, duke reflektuar faktin që monedha vendase është e fortë. Për të gjithë ata që kanë vendosur të kalojnë festat e fundvitit jashtë, ky është një lajm i mirë, teksa me të njëjtën sasi lekësh do të marrin më shumë valutë, si euro ashtu dhe dollarë. Lajm i mirë është dhe për kredimarrësit që e kanë huanë në valutë, si në lekë ashtu dhe dollarë. Ndërsa i keq është lajmi për ata që paguhen në euro dhe do të duhet që t’i kthejnë eurot në lekë për të shpenzuar në tregun vendas. Në ekonomi, zhvlerësimi i euros ndikon negativisht eksportuesit, por në kahun tjetër i bën importet më të lira, duke ndikuar në uljen e çmimeve. Qeveria gjithashtu do të ketë kosto më të ulët në shërbimin e borxhit të jashtëm.
Tronditet Juventus
Mariano Dybala, vëllai dhe përfaqësuesi i Paulo, lojtarit yll të Juventusit, ka kontribuar me deklaratën e tij të fundit për të kaluar Dybala tek PSG. Sipas “Il Corriere della Sera”, Mariano Dybala udhëtoi kohët e fundit në Paris, ku do të takohej me udhëheqësit e PSG-së, të cilët po përgatiten për skenarin e largimit të Neymar drejt “Santiago Bernabeu” dhe pasjen gati të zëvendësuesit të tij. Dhe, sipas mediave të lartpërmendura, kur u kthye në Torino, Mariano i tha Paulo Dybala se, “Neymar do të shkojë te Real Madridi dhe ju do ta zëvendësoni atë te PSG-ja”. Juventusi, duke pasur njohuri për këto fjalë, është përpjekur të intensifikojë kontaktet me yllin e vet argjentinas për të nënshkruar një marrëveshje të re.
Paulo Dybala vijon t’i nisë takimet nga stoli, ndërsa duket qartë se është ende larg formës së mirë të fillim sezonit. Ylli argjentinas i Juventusit nuk preferohet më nga minuta e parë, nga trajneri Alegri dhe mediat italiane duket se e kanë një shpjegim edhe për këtë. Sipas tyre, që prej kohës që menaxher i Dybalës u bë i vëllai, Mariano, gjërat për yllin argjentinas kanë ndryshuar. Gjithçka lidhet me një udhëtim në Paris të Marianos, ku ka takuar drejtuesit e PSG-së dhe u ka ofruar shërbimet e të vëllait për verën e ardhshme, duke u dhënë garancinë se transferimi mund të kryhet pa komplikime.
Që nga ajo periudhë, stafi teknik i bardhezinjve pretendon se edhe mënyra e stërvitjes së Dybalës ka ndryshuar shumë, duke bërë që të humbë formën e mirë të fillimit, por edhe besimin e Alegrit.
Trajneri i Juventusit, Massimiliano Alegri, kërkoi nga Paulo Dybala që të ofrojë më shumë produkt, teksa sulmuesi përgatitet për të qenë titullar për herë të parë në tri ndeshjet e fundit. Dybala u ul në stol kundër Interit dhe Bolonjës, por do të kthehet në 11-she për ndeshjen e Kupës së Italisë me Genoa, të mërkurën. 24-vjeçari ka shënuar 12 herë në Serinë A, këtë sezon, tashmë një gol më shumë se sa ka arritur në “mandatin” e kaluar, megjithëse ka realizuar vetëm një herë në 10 paraqitjet e tij të fundit. Skuadrës bardhezi do t’i ribashkohen për këtë ndeshje edhe Giorgio Chiellini me Stephan Lichtsteiner, ndërsa Gianluigi Buffon, Mario Mandzukiç dhe Juan Cuadrado janë të mënjanuar.
“Dybala është një lojtar i aftë për 15 deri në 20 gola në kampionat. Kur të arrijë 20 gola, atëherë do të ketë bërë shumë, tha Alegri në konferencën e tij të parandeshjes. Dhe karakteristikat e tij shkojnë përtej kësaj. Ashtu si të tjerët, Paulo është një lojtar inteligjent, që e di se përpara kemi një lojë të rëndësishme për të dhe për Juventusin. Ne kemi pasur një sistem të ndryshëm të lojës në ndeshjet e fundit. Kur luan Paulo, ne duhet të shfrytëzojmë karakteristikat që ai ka”.
Alegri tha se do të duhet të vendosë nëse do të luajë Dybala si një qendër e vetme përpara, apo do ta ndajë atë rol me Gonzalo Higuain. Marko Pjaca është gjithashtu një opsion, sepse ka një rikthim të suksesshëm nga një dëmtim afatgjatë në gjunjë. Ai ishte në stol, në fitoren e fundjavës së kaluar ndaj Bolonjës.
Bankwatch: Hec-et mbi lumenj masakër në mjedisin shqiptar
Dy HEC-e të financuar nga Bankat Evropiane po shkaktojnë dëme të konsiderueshme në natyrë dhe në jetesën e banorëve – janë këto gjetjet e një studimi të ri të publikuar dje nga rrjeti CEE Bankwatch. Nga vizitat në terren në hidrocentralet e Rrapunit dhe Tërnovës, të zhvilluara në fillim të qershorit 2017 është konstatuar një mungesë pothuajse e plotë e zbatimit të monitorimit nga ana e autoriteteve shqiptare. Të dy këto projekte janë financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Në të dyja rastet dëmtimet në mjedis janë shoqëruar edhe nga pakësimi i ujit të përdorshëm për banorët e zonave ku këto HEC-e janë ndërtuar. Infrastruktura mbështetëse si rrugët e aksesit kanë shkaktuar një dëmtim të mëtejshëm të këtyre mjediseve natyrore. Veçanërisht HEC-et “Rrapuni 1 & 2”, në afërsi të qytetit të Librazhdit, nuk lëshojnë në shtratin e lumit sasinë e ujit që do të ishte e mjaftueshme për të mbështetur funksionet ekologjike të lumit si dhe funksionimin normal të mullirit tradicional që shërben për bluarjen e drithërave në fshatin Togëz. Ky fakt ndikon edhe në agravimin e një problemi tjetër të krijuar disa qindra metra më poshtë nga operimi i HEC-ve “Rrapuni 3 & 4” në pronësi të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, ku në fakt në shtratin e lumit nuk lihet të rrjedhë asnjë pikë ujë. “Rrapuni 1 & 2” ndodhet në Parkun Kombëtar Shebenik-Jabllanicë. E gjithë kjo zonë është nën një presion të jashtëzakonshëm nga ndërtimi i HEC-ve ku janë dhënë 45 konçesione për ndërtimin e HEC-ve brenda Parkut Kombëtar. Në të njëjtën kohë nga operimi i HEC-it të Tërnovës, mbi qytetin e Bulqizës, janë duke u shkatërruar ekosistemet natyrore që lidhen me Liqenin e Zi, në Majën e Gjatë, i shpallur si Monument Natyre. Ndërtimi i këtij HEC-i përveç të tjerash konsiston në ndërtimin e 23 km kanale devijimi dhe rreth 30 km rrugë aksesi. Projekti po shkakton një erozion masiv përgjatë linjës së tubacionit të devijimit që çon ujin nga Liqeni i Zi drejt turbinave. Nga ana tjetër gjatë vizitës që Bankwatch zhvilloi në qershor 2017, erozioni ka qenë i lartë edhe përgjatë kanaleve të devijimit që furnizojnë me ujë vetë Liqenin e Zi, duke transportuar së bashku me ujin edhe një sasi të konsiderueshme të sedimenteve drejt këtij liqeni. Olsi Nika nga EcoAlbania dhe njëkohësisht koordinatori për Shqipërinë i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” thotë se, “këto janë vetëm disa nga rastet që dëshmojnë mangësitë e agjencive ligjzbatuese në Shqipëri në fushën e ruajtjes së natyrës dhe monitorimit të kritereve të vendosura në lejet mjedisore për projektet e HEC-ve”. “Aplikimi i masave zbutëse nuk merret në konsideratë nga kompanitë, duke qenë se mungon presioni nga organet shtetërore. Për këtë arsye mënyra e operimit, duke dëmtuar mjedisin është shndërruar në një gjë normale sa i përket hidrocentraleve”, vazhdon më tej ai. BERZH-i i ka pranuar gjetjet e publikuara nga Bankwatch. Për këtë arsye, agjentët këshillues të Bankës kanë vizituar vetë këto HEC-e pothuajse një muaj më vonë, në korrik 2017 dhe përveç të tjerash arritën në përfundimin se HEC-i “Rrapuni 1 & 2” duhet të lëshojë në shtratin e lumit një sasi uji jo më pak se 300 l/s, ndërkohë që sa i përket HEC-it të Tërnovës, kompania duhet të ripyllëzojë dhe të rehabilitojë zonën e eroduar si edhe të ndërtojë struktura të posaçme kurthesh për sedimentet në mënyrë që të shmangë dëmtimin e mëtejshëm të Liqenit të Zi. Është ende e paqartë nëse këto angazhime do të përmbushen, pasi publikut i është mohuar aksesi në Planet e Veprimit të aprovuara nga kompanitë kliente të BERZH-it. “BERZH e ka ndërmarrë hapin e parë dhe ka pranuar problemet me investimet e saj. Tani ajo duhet të bëjë publike të gjitha planet e rehabilitimit dhe të përmbushë atë për të cilën është e angazhuar: zbatimin e masave për zbutjen e ndikimeve të dëmshme të hidrocentraleve të Rrapunit dhe Tërnovës”, thotë Igor Vejnoviç, oficer i politikave të hidroenergjisë pranë Bankwatch.
EcoAlbania / Bankwatch
Mourinho trondin Realin dhe Chelsin

Një lajm i bujshëm i merkatos vjen nga Anglia dhe lidhet me të ardhmen e Eden Hazard. Sipas “Sun”, në përfundim të sezonit aktual, futbollisti belg mund të largohet nga Chelsea për të veshur fanellën e Manchester United. 26-vjeçari mbetet një objektiv i rëndësishëm edhe për Realin e Madridit, por ditët e fundit ka dalë në skenë Mourinho, i gatshëm për të bërë një çmenduri për të. “Djajtë e Kuq” raportohet se janë të predispozuar të shpenzojnë 90 milionë stërlina (mbi 100 milionë euro) për futbollistin, për të bindur drejtuesit londinezë që ta lënë të lirë. Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen ngjarjet, pasi për një lojtar si Hazard klube të tjera të mëdha mund të shpenzojnë për më shumë se 100 milionë.
Trajneri i Manchester United beson se mund ta mundë Real Madridin dhe PSG-në në garën për të marrë shërbimet e lojtarit të shkëlqyer belg. Hazard, 26 vjeç, tashmë ka hedhur poshtë një marrëveshje të re prej 300.000 paundësh në javë, pasi po konsideron opsionet e tij.
Nënshkrimi prej 32 milionë paundësh nga Lille ishte pjesë e ekipit të Chelsea të Mourinhos, që fitoi titullin 2014-2015. Dhe,”Special One” është gati të sulmojë ish-klubin e tij të vjetër, për t’i marrë yllin belg. Manchester United e mban tashmë rekordin e transferimit të futbollit anglez, pas pagimit të 89 milionë paundëve për Paul Pogba, në verën e vitit 2016. “Djajtë e Kuq” shpenzuan 75 milionë paundë për sulmuesin Romelu Lukaku, verën e kaluar, një marrëveshje që mund të rritet në 90 milionë paundë.
Ekonomia e dobët dhe komisionet e larta, largojnë qytetarët nga bankat
16 banka tregtare ofrojnë shërbimet e tyre në Shqipëri. Sistemi bankar financon aktualisht rreth 80% të ekonomisë shqiptare, duke qenë edhe segmenti kryesor i tregut financiar vendas. Por pavarësisht numrit të lartë të bankave, një pjesë e të cilave mbajnë emra të njohur të bankingut botëror dhe numrit të shërbimeve që në vite është shtuar, depërtimi i tyre tek shqiptarët është relativisht i ulët.
Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se, vetëm 38% e popullsisë disponon llogari bankare nga 62% që është mesatarja europiane. Vetëm 35% e popullatës zotëron karta bankare, edhe pse prej 11 vitesh është tashmë në fuqi ligji që detyron të gjitha institucionet publike dhe private (bizneset) që pagat e punonjësve t’i kalojnë nëpërmjet sistemit bankar.
Ekspertët vlerësojnë se, ky nivel i ulët i përfshirjes financiare dhe përdorimit të ulët të shërbimeve bankare nga qytetarët është rrjedhojë e ndikimit të disa faktorëve, si ekzistenca relativisht e shkurtër e sistemit bankar në vendin tonë; mungesa e kulturës financiare tek qytetarët; niveli i lartë i informalitetit dhe gjendja e ekonomisë në tërësi, por edhe komisionet e larta që ofrohen nga bankat për shërbimet e tyre.
“Përfshirja financiare në Shqipëri është e ulët, pasi në fillim të viteve ‘90 bankingu u nis nga një nivel thuajse joekzistent, ku nuk ekzistonte parimi i bankingut tregtar, por përdorimi i bankës për kreditim apo depozitim. Maksimumi ekzistonte vetëm koncepti i Arkës së Kursimeve, që ishte thuajse asgjë përsa i përket trashëgimisë dhe eksperiencës praktike në përdorimin e shërbimeve bankare. Gjithashtu, niveli i kulturës dhe edukimit financiar në Shqipëri ka qenë dhe vijon të jetë ende në nivele të ulta dhe larg asaj europiane, e kjo kryesisht për shkak, jo vetëm të mungesës së një trashëgimie në këtë drejtim, por edhe të mungesës thelbësore dhe për një kohë të gjatë të pranisë së institucioneve bankare dhe atyre financiare në ekonomi dhe në jetën e përditshme”, argumenton për Citizens Channel Elvin Meka, ekspert për çështjet bankare.
Sipas tij, Shqipëria vetëm gjatë 20 viteve të fundit ka një krijim dhe zhvillim domethënës të bankave dhe produkteve e shërbimeve bankare, të krahasueshme me ato në Europë dhe rajon, ndërkohë që kjo gjykohet si një kohë mjaft e shkurtër për të kapur mesataren europiane për çështje të tilla.
“Shkalla e lartë e informalitetit vijon të përbëjë një nga faktorët kryesorë në shkallën e ulët të përfshirjes financiare, nisur dhe nga fakti që shumica e bizneseve dhe sipërmarrjes është si person fizik apo si të vetpunësuar dhe biznesi i vogël, i cili përgjithësisht ka qëndruar larg bankës dhe kanaleve zyrtare financiare. Me reduktimin e informalitetit në ekonomi do të rritet në mënyrë të pashmangshme edhe shkalla e përfshirjes financiare të publikut në Shqipëri”, vazhdon më tej Meka.
Ndërsa Selami Xhepa, ekspert i njohur për ekonominë dhe bankat, ndërsa thekson se lidhja e qytetarëve me bankat sjell shumë përfitime për ta, rendit arsyet e këtij raporti ende të dobët.
“Është fakt i njohur se, Shqipëria krahasuar me mesataren e vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, vazhdon të ketë një tregues të ulët të përfshirjes financiare, të matur me numrin e atyre që kanë llogari financiare, që përfitojnë kredi bankare apo shërbime të tjera financiare. Kjo mendoj se lidhet para së gjithash me gjendjen ekonomike të vendit. Një nivel i ulët zhvillimi ekonomik nënkupton një ekonomi natyrore për një pjesë të madhe të popullsisë, sidomos asaj rurale, ku roli i parasë në transaksione mbetet, jo gjerësisht i përhapur dhe nevoja për shërbime financiare është e ulët sa kohë që sistemi bankar nuk e konsideron me interes këtë sektor. Së dyti, nivelet e larta të komisioneve dhe tarifave për shërbime bankare, shpesh bën që qytetarët të mos preferojnë përdorimin e instrumenteve financiare (për shembull, kartave të kredisë), por të përdorimit të cash-it”, shprehet Xhepa për Citizens Channel.
Bankat mungojnë në fshat
Pavarësisht numrit të lartë të bankave tregtare në vendin tonë dhe degëve që ato kanë hapur, për vitin 2017 në 475 në të gjithë vendin, prania e sistemit bankar mungon në zonat rurale. Për ekspertët, kjo është një ndër arsyet pse shumë qytetarë nuk kanë akses në shërbimet bankare dhe rrjedhimisht, nuk i përdorin ato.
“Një tjetër aspekt i përfshirjes së ulët është mungesa e rrjetit bankar në zonat rurale të vendit, të cilat nuk kanë asnjë zyrë apo degë bankare. Këtu nuk duhet harruar fakti se, rreth 48% e popullatës jeton në fshat dhe kjo popullatë nuk ka asnjë akses në këto shërbime dhe produkte pranë rezidencës së tyre, duke ulur në mënyrë domethënëse mbulimin me shërbim dhe produkt bankar”, shprehet Elvin Meka, ekspert për sistemin bankar.
“Gjysma e popullsisë që jeton në fshat nuk ka akses ndaj shërbimeve bankare, pasi bankat nuk jane të vendosura në këto zona”, thotë edhe Selami Xhepa.
Por mosçelja e degëve bankare në zonat rurale nuk është edhe shumë për faj të bankave. Hapja dhe mbajtja në funksion e tyre dhe stafit që duhet të punojë në to ka kosto financiare të lartë, që nuk justifikohet nga niveli i ulët i popullsisë dhe rrjedhimisht, edhe transaksioneve në këto zona.
Masat që po marrin bankat
Konkurrenca në tregun bankar, me një numër të lartë bankash e ka bërë të domosdoshme marrjen e masave prej tyre për të qenë atraktive për qytetarët. Kjo duket në shtimin e shërbimeve, duke shfrytëzuar edhe teknologjinë, siç janë për shembull Raiffeisen ON, BKT Smart, SG Albania Online Banking, etj., shërbime që mundësojnë kontrollin e llogarisë bankare dhe transferimin e parave nëpërmjet telefonit.
“Bankat kanë marrë në mënyrë të vazhdueshme masa për të siguruar në një shkallë më të lartë përfshirje financiare të publikut, pasi kjo nënkuton më shumë klientelë për to dhe fitim më i lartë. Në kohët e sotme, mundësitë janë më të mëdha për të rritur këtë përfshirje, pasi teknologjia e mundëson një gjë të tillë, me një kosto më të ulët. Bankat kanë investuar dhe po investojë fuqishëm në teknologji për t’iu përgjigjur kërkesave gjithnjë e në rritje të publikut, por edhe për të mbajtur ritmin e zhvillimit të saj me atë çka ndodh sot në botë”, shpjegon Meka.
Eksperti Selami Xhepa rekomandon uljen e komisioneve bankare, si një ndër elementët për të afruar më shumë bankat me qytetarët. “Reduktimi i fortë i komisioneve për shërbimet financiare do të ishte një influencues i rëndësishëm. Një statistikë e botuar së fundmi, tregonte se komisionet për transfertat e emigrantëve ishin më të larta në Shqipëri (9.4%) krahasuar me rajonin (7.2%). Nga ana tjetër, aksesi në kredi është bërë edhe më i vështirë për mikrobizneset dhe bankat preferojnë më shumë të operojnë kryesisht me një rreth klientësh të mëdhenj, të cilët është më e kollajtë të ndiqen dhe kostot e shërbimeve mbahen nën kontroll. Një nismë mund të ishte për shembull, ofrimi falas dhe pa asnjë tarifë i një karte bankare debiti për të gjithë pensionistët, të cilët do të tërhiqnin pensionet nga bankat. Nisma që mori qeveria në vitin 2006, që detyroi të gjithë bizneset që pagat të paguheshin nëpëmjet llogarive bankare, për shembull, ndikoi në një rritje të fortë të treguesit të përfshirjes financiare. Edhe kjo nismë do të ndikonte në një rritje të menjëhershme të këtij treguesi”, shprehet Xhepa për Citizens Channel.
Lufta kundër ekonomisë informale, por edhe stabilizimi i tregjeve në Shqipërisë do të çojë herët apo vonë drejt përdorimit më të paktë të cash-it në ekonomi dhe zgjedhjes së kanaleve zyrtare si rrugë për kryerjen e transaksioneve. Një kontroll i parasë në qarkullim, që një ndër përfitimet e shumta do të ketë edhe afrimin më të madh të bankave me qytetarët.
HEC-et, banorët e Valbonës protestë në bulevard
Banorët e Valbonës në Tropojë kanë shpallur atë që ata e quajnë qëndresë 20 orëshe përballë Parlamentit të Shqipërisë, si shprehje të revoltës së tyre për atë që ata e quajnë masakër në luginën e Valbonës. Banorët thonë se, vendimi vjen pas dy vitesh protesta të vazhdueshme të qytetarëve dhe thirrjes së drejtuar autoriteteve shtetërore “për frenimin e funeralit të Valbonës”. Duke e konsideruar të turpshëm dhe arbitrar vendimin e Gjykatës Administrative, që vendosi sipas tyre për interesa të ngushta oligarkësh, banorët paralajmërojnë se nuk ka kthim mbrapa. “Qëndresa jonë vijon deri nesër në marshimin e madh që nis në orën 11:00 nga Parlamenti drejt Kryeministrisë. Ne nuk do e falim kurrë Valbonën. Protesta dhe revolta e shqiptarëve shumë shpejt do të zbresë në kantieret e dhunimit të pa shembullt të perlës së alpeve shqiptare. Me qindra do të jemi nesër në marshim, me qindra do të marshojmë së shpejti në Valbonë”, thuhet në njoftim. Kjo nuk është protesta e parë që zhvillohet nga banorët e Valbonës. Qindra qytetarë kanë protestuar paraditen e së dielës (17.12.2017) për ndalimin e ndërtimit të HEC-ve në Parkun Kombëtar të Valbonës. Nën moton #mosmaprekValbonën protestuesit mbajtën fjalime në Parkun Rinia në Tiranë, ku argumentuan se HEC-e të tilla do të shkatërrojnë përfundimisht një nga perlat e turizmit dhe natyrës në Shqipëri, siç është Parku Kombëtar i Valbonës. “Për ndërtimin e këtyre HEC-ve së pari, duhet të kishim pasur një konsultim me banorët dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Vendimi i ndikimit në mjedis është i pavlefshëm, sepse është dhënë në korrik 2013-të dhe pas dy vitesh nuk vlen më, pasi duhej të bëhej nga e para dhe me sa informacion kam unë nuk e kanë një gjë të tillë. Një vendim i qeverisë marrë kohët e fundit, parashikon se në zonat e mbrojtura nuk jepen më leje për ndërtimin e HEC-ve”, u shpreh në fjalën e tij pedagogu dhe aktivisti, Ervin Goci. Në Rezolutën e Parlamentit Evropian të vitit 2016-të deklarohej se duhej të rritej transparenca dhe konsultimet me publikun për të gjitha projektet e HEC-ve, të cilat ishin planifikuar për t’u ndërtuar.
Muller vlerëson Heynckes për bashkimin e Bayern

Ylli i Bayern Munich, Thomas Muller, ka përshëndetur Jupp Heynckes për sjelljen e gjigantit të Bundesligës në lartësinë e duhur, pas një fillimi të vështirë të sezonit. Trajneri veteran u rikthye për një eksperiencë të tretë në klubin bavarez, pasi Carlo Ançeloti u shkarkua në shtator. Largimi i Ançelotit ishte paraprirë nga raporte të gjera për “trazira” brenda bavarezëve. Muller pohon se pasuesi i italianit i ka sjellë lojtarët më pranë njëri-tjetrit. “Një tronditje shkoi nëpër ekipin tonë, që nuk e di nëse Jupp Heynckes e zhduku si me magji. Por, me ndryshimin e trajnerit, u rrit përgjegjësia te të gjithë lojtarët, tha për “Goal”.
Bëmë gabime individuale, ku edhe taktikat më të mira në botë nuk do të na kishin ndihmuar. Jupp Heynckes arriti, me përvojën dhe instinktet e tij, për të siguruar që ne të ishim gjithmonë të bashkuar. Fituam 1-0 tri herë radhazi, pa dominuar mbi kundërshtarët. Pra, ka hapësirë të qartë për t’u përmirësuar”. Ndoshta performancën më të mirë deri më tani, këtë sezon, Bayern Munich e pati në Ligën e Kampionëve, kur mundi PSG-në 3-1. Kjo fitore i ngriti lart shpirtrat bavarezë pas humbjes 3-0 në Paris.