24.5 C
Tirana
E shtunë, 19 Korrik, 2025

Inter kërkon € 600 mijë në këmbim të Gabigol

Zbulohen detaje të tjera në lidhje me situatën e Gabigol, futbollistit për të cilin Inter është gjithmonë në kërkim të një sistemimi, duke nisur nga janari i ardhshëm, duke marrë shkas nga fakti që eksperienca e tij aktuale në huazim te Benfica është e destinuar të mbyllet në mënyrë të parakohshme, për shkak të rezultateve të dështuara. Sulmuesi brazilian u transferua në kampionatin portugez në formë huazimi për një sezon në merkaton e verës, por do të mbyllë në gjysmë aventurën zhgënjyese.
Gabigol është i kërkuar nga shumë klube në atdheun e tij, mes të cilave San Paolo dhe Flamengo, por në orët e fundit është mësuar një fakt i ri. Inter ka vendosur një kusht të qartë. Cilido që dëshiron të marrë në huazim futbollistin, do të duhet të paguajë shumën prej 600 mijë euro që korrespondon me detyrimin që duhet të likuidonte Benfica deri në fund të sezonit, qershor 2018, kur skadonte marrëveshja mes palëve.

Mesi kundër planit për Coutinhon

Ylli i Barcelonës, Lionel Mesi raportohet të jetë nevrikosur me planin më të fundit të klubit katalanas, që përfshin fantazistin e Liverpool, Philippe Coutinho. Barcelona vijon të ndjekë dhe të tentojë afrimin e Coutinhos, pavarësisht refuzimit konstant të Liverpool për të shitur brazilianin në merkaton e verës së kaluar. Trajneri i asaj kohe i porsaemëruar në krye të ekipit blaugrana, Ernesto Valverde ishte i vendosur të nënshkruante me 25-vjeçarin, të konsideruar si një zëvendësues të Neymar, që u largua në drejtim të PSG për shumën e £200 milionë.
Gjithsesi Liverpool refuzoi tre ofertat për Coutinhon, me vetë futbollistin të vendosur për t’u larguar nga “Anfield”. Tashmë raportohet se Barcelona ka shtyrë nënshkrimin e brazilianit për në verë, ndërkohë që konsideron futbollistin e Gremios, Arthur, si një alternativë të mundshme. Kështu, vendimi i klubit për të ngrirë çdo lëvizje në drejtim të Coutinhos, supozohet se ka hasur në irritimin e yllit të Barças, Mesi.
Sipas raportimeve të portalit spanjoll, “Don Balon”, 30-vjeçari argjentinas beson se klubi duhet të sigurojë me çdo kusht firmën e Coutinhos. Ndonëse Arthur ka shkëlqyer me Gremio, Mesi është i sigurtë se në “Camp Nou” është i domosdoshëm një emër më i madh dhe i mirë. Mendohet se ka qenë pikërisht ai që ka rekomanduar te Barcelona ndjekjen e Coutinhos që në merkaton e verës së fundit. Gjithsesi klubi katalanas e pati të pamundur të sigurojë blerjen e brazilianit.

Irlandë: Demokraci me short

Kur flet për demokracinë të shkon mendja tek votuesit, zgjedhjet dhe të zgjedhurit. Të zgjedhurit debatojnë dhe vendosin për ligjet, të cilave gjithkush duhet t’u përmbahet. Por rezultatet e kësaj procedure nuk janë gjithmonë të kënaqshme. Po a mund të ketë alternativa në një demokraci? Irlandezët mendojnë se po, dhe ata po revolucionarizojnë demokracinë.
Projektet e vështira legjislative në Irlandë ka disa vjet që nuk parapërgatiten nga politikanët profesionistë që janë në konkurrencë politike, por nga një grup qytetarësh. Anëtarët e kësaj asambleje të qytetarëve përcaktohen me short. I vetmi kusht është që në asamble duhet të jenë të përfaqësuara të gjitha grupimet shoqërore. Rezultatet janë të habitshme.
Finbarr O’Brien është postier, 62 vjeç. Politikanët ishin për të gjithë jetën “ata aty lart”. Deri sa një ditë atij i ra shorti të zgjidhej anëtar i asamblesë së qytetarëve. Finbarri ka qenë pjesëmarrës i asamblesë së parë në vitin 2014. “Unë nuk kisha asnjë ide për politikën. Dhe as pikën e interesit. Deri sa dikush më pyeti nëse desha të bëhesha anëtar i një asambleje qytetarësh”, tregon ai.

Diskutime me objektivitet
Asambleja e qytetarëve rregullon të ardhmen e Irlandës. Para tre vjetësh, Finbarri duhet të jepte votën në lidhje me lejimin e martesës së homoseksualëve në Irlandë. Kjo i solli në mend kujtime të pakëndshme. “Keni dëgjuar ju për priftërinj pedofilë? Mua të tillë më kanë shpërdoruar, kur isha fëmijë. Që prej asaj kohe mendoja se, homoseksuelët janë të gjithë njëlloj: brutalë. Pavarësisht nëse janë pedofilë, homoseksualë apo lesbike, të gjithë njësoj janë: Unë i urrej dhe i përbuz ata”.
Legalizimi i martesës së homoseksualëve konsiderohej si një gjë krejtësisht e pamundur për shkak të pushtetit të kishës dhe të konservatorizmit të shoqërisë irlandeze. Megjithatë, asambleja e qytetarëve e diskutoi me objektivitet para tre vjetësh këtë temë tabu. Dhe gjatë diskutimeve edhe Finbarr O’Brien ndërroi mendje. “Unë mësova se homoseksuelët janë njerëz normalë. Ata nuk i ngacmojnë fëmijët. Prandaj mora fjalën në asamble dhe thashë se do të votoja pro martesës së homoseksualëve”. Shumica e asamblesë votoi pro dhe vota e tyre pasoi nga një referendum. Dhe në fund, Irlanda katolike miratoi martesën e homoseksualëve.

Pjesëmarrje, e drejtë fjale dhe ndikim
Eksperimenti me demokracinë qytetare po zhvillohet që prej katër vjetësh. 99 anëtarët e kësaj asambleje janë qytetarë normalë: të rinj, të vjetër, akademikë apo punëtorë. Ata zgjidhen për një vit, rastësisht dhe përmes një shorti. Tani ata po diskutojnë për të ardhmen e pensioneve. Shqyrtojnë statistika, dëgjojnë ekspertë.
Punë e mundimshme dhe jo me dyer të mbyllura – po me diskutime që transmetohen live në internet.
“Kriza ekonomike e Irlandës qe e rëndë. Qytetarët ishin shumë të zemëruar dhe ua hidhnin fajin politikanëve. Prandaj lindi ideja që të provojmë një gjë të re: t’i përfshijmë qytetarët në debatet për të ardhmen e Irlandës”, thotë David Farrell, politolog pranë University College Dublin.
Anëtarët e asamblesë votojnë dhe i japin qeverisë rekomandime se si të veprojë. Politikanët nuk janë të detyruar që ta respektojnë votën e qytetarëve, por ajo është një sinjal i fortë. Por që të funksionojë një asamble e tillë, politikanët duhet të kenë guxim që një pjesë të pushtetit të tyre t’ua lënë në dorë qytetarëve, thotë Finbarri.

OKB: Asambleja e Përgjithshme e miratoi rezolutën për Krimenë

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka miratuar një rezolutë, me të cilën dënohet shkelja e të drejtave të njeriut në Krime.
Ky dokument, i inicuar nga Ukraina dhe më tepër se 30 vende të tjera, është mbështetur nga 70 shtete. Kundër votuan 26 vende, përfshirë Rusinë, Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Kinën, ndërsa afro 76 vende abstenuan nga votimi.
Me këtë rezolutë dënohet okupimi i Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë dhe shpallet mosnjohje e aneksimit.
Po ashtu, dënohen “abuzimet” dhe “diskriminimi” kundër tartarëve të Krimesë, dhe grupeve të tjera etnike në gadishullin e Krimesë.
Ky dokument është i dyti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Krimenë. I pari ishte miratuar në dhjetor të vitit 2016 dhe ishte mbështetur, po ashtu nga 70 vende.

SHBA: Treni i rrëzuar për shkak të shpejtësisë

Hetuesit federalë amerikanë njoftuan se, treni që u rrëzua në shtetin në veri-perëndim të Uashingtonit, në momentin e aksidentit po udhëtonte me 128 kilometra në orë, në një pjesë të shinave ku kufiri i lejuar i shpejtësisë është 48 kilometra në orë. Treni doli nga shinat në një kthesë në jug të Siatëllit dhe disa prej vagonëve të tij u rrëzuan në një autostradë me mjaft trafik. Si pasojë e aksidentit u vranë të paktën tre pasagjerë dhe mbi 100 të tjerë u plagosën.
Anëtarja e Bordit Kombëtar për Sigurisë e Transportit, Bella Dinh-Zarr u tha gazetarëve se, hetuesit po ekzaminojnë një nga regjistruesit e të dhënave të ngjarjes që u gjetën në një prej dy lokomotivave të trenit, i cili po kryente udhëtimin e tij të parë në një linjë të re.
Zonja Dinh-Zarr tha se, puna e ekipit po zhvillohet në vendin e rrëzimit të trenit dhe se hetuesit do të intervistojnë anëtarët e ekuipazhit të trenit për të përcaktuar se çfarë shkoi keq dhe pse.
“Pyetja që ngrihet është: pse treni po udhëtonte me 128 kilometra në orë, në një zonë ku shpejtësia duhet të ishte 48 km në orë? Është ende herët për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetje. Arritëm të sigurojmë të dhëna nga regjistruesi i të dhënave mbi ngjarjen që ndodhet në lokomotivën e pasme, ndërsa ishte më e vështirë qasja tek lokomotiva përpara. Pas kësaj do të japim më shumë informacion në lidhje me shpejtësinë e trenit, shpejtësinë e lejuar në binarë dhe arsyet e ngjarjes”, tha ajo.
Zakonisht ekipeve të Bordit Kombëtar për Sigurisë e Transportit u duhet nga 7 deri në 10 ditë kohë përpara se të lëshojnë një raport mbi gjetjet.
Sipas autoriteteve të policisë së Uashingtonit, pesë automjete si dhe dy kamionë u goditën nga vagonët e trenit, duke plagosur disa drejtues të tyre, por pa shkaktuar asnjë të vrarë.
Kompania Amtrak njoftoi se, në trenin Cascades 501 udhëtonin 80 pasagjerë dhe pesë anëtarë të ekuipazhit, si pjesë e një shërbimi të ri të zgjeruar mes Siatëllit të Uashingtonit dhe Portlandit të Oregonit.
Treni u rrëzua në gjysmën e rrugës mes Olimpias, kryeqyteti i shtetit Uashingtonit dhe qytetit të Leikudit.
Kryebashkiaku i Leikudit, Don Anderson i tha “Zërit të Amerikës” se, autoritetet e qytetit kanë qenë kundër linjës së re hekurudhore të kompanisë Amtrak, ku udhëtonin trena pasagjerësh me shpejtësi më të madhe në binarë më pak të përdorur. Sipas tij ky ishte një projekt i kushtueshëm që ofronte pak përfitime në transportin e pasagjerëve, ndërsa krijonte rrezik për këmbësorët dhe transportin rrugor për shkak të kryqëzimit të rrugëve me shinat e trenit.
Në maj të vitit 2015, një tjetër tren i kompanisë Amtrak doli nga shinat në Filadelfia, pasi hyri në kthesë me dyfishin shpejtësisë së lejuar.

Peskov tha se është diskutuar për Kosovën, por nuk ka dhënë detaje

Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, nuk ka dhënë detaje për bisedën e djeshme ndërmjet liderëve të Rusisë dhe Serbisë për situatën në Kosovë.
“Çështja e Kosovës me të vërtetë është diskutuar”, tha Peskov dhe ka shtuar se, “situata në Kosovë është shqyrtuar gjatë negociatave bilaterale ruso-serbe”.
Këto komente të sotme, zoti Peskov i ka bërë i pyetur nga gazetarët se si ka reaguar Rusia ndaj kërkesës së Serbisë për t’u bashkuar në negociatat Serbi–Kosovë, në rast se formati i bisedimeve zgjerohet me përfshirjen e Shteteve të Bashkuara, raporton Interfax nga Moska.
Por, Peskov nuk ka elaboruar më tepër.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq, janë takuar dje në Moskë. Pas takimit zoti Vuçiq tha se ka kërkuar që Rusia të jetë ndërmjetësuese, nëse formati i bisedimeve me Kosovën zgjerohet.

Avramopoulos: Vendet me liberalizim të vizave t’i shtojnë reformat

Bashkimi Evropan (BE) ka kërkuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe anëtarët e programit të Partneritetit Lindor, që kanë regjim të lëvizjes pa viza në vendet e BE-së, të bëjnë më tepër në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në një intervistë për Radion “Evropa e Lirë”, komisionari i BE-së për çështje të brendshme, Dimitris Avramopoulos, veçanërisht e ka theksuar Ukrainën dhe Moldavinë, si shtete që duhet t’i përshpejtonë reformat.
Këto komente u bënë derisa Komisioni Evropian e ka publikuar raportin lidhur me atë se si Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Gjeorgjia, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Serbia dhe Ukraina, po i implementojnë regjimet e lëvizjes pa viza në BE dhe reformat e sundimit të ligjit.
Ky është raporti i parë i këtillë, prej se në BE është miratuar mekanizmi i suspendimit të vizave.
Avramopoulos tha se, “asnjë suspendim i lëvizjes së lirë nuk do bëhet ose propozohet sot”, por ka shtuar se pritet që të gjitha vendet t’i “shtojnë përpjekjet për shqyrtimin e migrimit të parregullt dhe veçanërisht luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Ambasadori i OSBE: Ka qindra denoncime për blerjen e votave, asnjë hetim nuk është bërë

Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt u shpreh sot se korrupsioni është problem për investimet e huaja. Ai deklaroi se ndërkombëtarët krijojnë instrumente dhe se shqiptarët e kanë për detyrë t’i përdorin ato. Ambasadori i OSBE foli gjithashtu edhe për krimin në zgjedhje, blerjen dhe vjedhjen e votave. Sipas tij, ka qindra denoncime, por asnjë hetim nuk është bërë dhe askush nga përgjegjësit nuk ka marrë dënimin e merituar.

Borchardt tha se duhen trajnuar nëpunës kundër korrupsionit dhe se ata do të jenë të dobishëm vetëm nëse japin llogari para mbikëqyrësve. “Ne punojmë me ju për të përgatitur instrumentet, instrumente të cilët nuk mund t’i aplikojmë, t’i përdorim, pavarësisht se sa besim kemi te rezultatet. E keni ju për detyrë që t’i miratoni dhe t’i përdorni këto instrumente nëse doni të arrini ndryshime. Trajnimi i nëpunësve kundër korrupsionit do të jetë i dobishëm vetëm nëse ata janë përgjegjës dhe japin llogari para mbikëqyrësve të tyre.

Mesazhi im për të gjithë është të përdoren instrumentet e këtij projekti, për të sjellë ndryshim në drejtim të korrupsionit. Shqipëria ka marrë disa hapa të rëndësishëm para kundër korrupsionit, por duhet bërë edhe më tepër. Një tjetër problem që lidhet me zgjedhjet është lidhur me financat e partive politike, në mënyrë që të kenë një instrument auditimi të përgjegjshëm. Reforma në Drejtësi është tepër e rëndësishme, por jo gjithçka. Korrupsioni është kërcënim për qytetarët, Shqipëria duhet të bëjë më tepër”, tha ambasadori.