20.5 C
Tirana
E enjte, 17 Korrik, 2025

SHBA, veto rezolutës për Jeruzalemin në OKB

Shtetet e Bashkuara i vunë veton një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila hedh poshtë njohjen nga Presidenti i SHBA, Donald Trump, të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.
14 anëtarë të tjerë të Këshillit votuan për të mbështetur projektrezolutëne paraqitur nga Egjipti.
Teksti i rezolutës shpreh “keqardhje të thellë” për deklaratën e zotit Trump këtë muaj që njihte Jeruzalemin si kryeqytet dhe njoftonte fillimin e zhvendosjes së ambasadës amerikane nga Tel Avivi për në Jeruzalem.
Profesori i historisë së Kolegjit Randolph-Macon, Michael Fischbach, i tha “Zërit të Amerikës” se, vendimi i zotit Trump përmbyste politikën e mëparshme të SHBA që kishte vazhduar prej dekadash, si dhe “konsensusin global” kundër njohjes së Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit.
“Që nga viti ’67, Izraeli kontrollonte tërë qytetin, por në bashkësinë ndërkombëtare ekzistonte konsensusi që derisa konflikti arabo-izraelit të zgjidhej përfundimisht dhe paqësisht, asnjë vend nuk do ta paragjykonte rezultatin e asaj që do të ndodhte me Jeruzalemin, sepse vendimi origjinal i OKB-së ishte që kjo të mbahej si një zonë ndërkombëtare”, tha Fischbach.
Zoti Trump deklaroi më parë gjatë këtij muaji se, vendimi i tij ishte një “njohje e realitetit” se Jeruzalemi nuk është vetëm kryeqyteti historik i popullit hebre, por edhe kryeqyteti i Izraelit modern. Udhëheqësit izraelitë i mirëpritën veprimet e tij, duke përfshirë kryeministrin Benjamin Netanjahu, i cili tha se duke patur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, kjo shënonte “themelin e paqes”.
Palestinezët duan që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i një shteti të ardhshëm. Presidenti palestinez Mahmud Abbas tha javën e kaluar se pala e tij nuk do të pranojë më një rol të SHBA në procesin e paqes. Ai foli në një tubim të udhëheqësve arabë ku shumë të tjerë e dënuan vendimin e Trump si të paligjshëm.
Bashkimi Evropian përsëriti qëndrimin e tij se një zgjidhje realiste midis izraelitëve dhe palestinezëve është formula e dy shteteve, me Jerusalemin si kryeqytet të të dyjave.

Katër shtyllat e strategjisë së re të sigurisë të SHBA

Presidenti Donald Trump shpalli të hënën një strategji të re të sigurisë kombëtare, duke theksuar mesazhin e fushatës “Amerika e para” dhe duke fajësuar udhëheqësit para tij se nuk bënë sa duhet për t’u kujdesur për qytetarët e tyre.
“Udhëheqësit tanë u angazhuan në shtetndërtime jashtë vendit, por dështuan të ndërtojnë vendin tonë”, tha ai, duke përmendur ecurinë e fortë të ekonomisë dhe duke parashikuar një të ardhme edhe më të mirë ekonomike me zbatimin e politikave të tij.
Strategjia e re e sigurisë i shikon vendet e ndryshme në konkurrencë të vazhdueshme me njëri-tjetrin, nuk përfill paralajmërimet e ish-presidentit Obama mbi ndryshimet klimatike dhe thekson se Shtetet e Bashkuara do ta mbrojnë sovranitetin e tyre në mënyrë të njëanshme, edhe nëse kjo nënkupton rrezikimin e marrëveshjeve me vendet e tjera, marrëveshje që kanë dominuar politikën e jashtme amerikane që nga Lufta e Ftohtë.
Nëse zbatohet plotësisht, strategjia e presidentit Trump do të ndryshonte ndjeshëm marrëdhëniet ndërkombëtare të SHBA. Ajo përqendrohet në katër tema kryesore: mbrojtja e vendit, nxitja e begatisë amerikane, demonstrimi i paqes nëpërmjet forcës dhe avancimi i ndikimit amerikan në një botë gjithnjë e më konkurruese.
Sipas Doktrinës Trump, vendet e ndryshme janë në konkurrencë të vazhdueshme dhe SHBA duhet të luftojnë në të gjitha frontet për të mbrojtur sovranitetin e tyre si nga miqtë ashtu edhe nga armiqtë.
Megjithëse administrata përmend shpesh se, “Amerika e Para” nuk do të thotë “America e Vetme”, strategjia e re e sigurisë kombëtare e bën të qartë se Shtetet e Bashkuara do t’i dalin për zot vetes edhe nëse kjo do të nënkuptonte veprime të njëanshme apo ndarje nga të tjerët në çështje të tilla si tregtia, ndryshimet klimatike dhe emigracioni.
Dokumenti i mëparshëm i strategjisë, i përgatitur nga Presidenti Barak Obama në vitin 2015, e shpallte ndryshimin e klimës një “kërcënim urgjent dhe në rritje për sigurinë kombëtare”. Plani i zotit Trump nuk e përmban një deklaratë të tillë. Strategjia përcakton synimin për të qenë një shtet “dominues në pikëpamje të energjisë” dhe thotë se, Shtetet e Bashkuara “e pranojnë rëndësinë e kujdesit për mjedisin”.
Megjithë rrezikun e izolimit të mundshëm që paraqet strategjia e zotit Trump, bazat e saj nuk janë të panjohura. Strategjia thekson se, siguria ekonomike e SHBA është siguria kombëtare. Ajo thekson se SHBA janë të interesuara vetëm për ato marrëdhënie me vende të tjera, duke përfshirë aleancat si NATO-ja, që janë të drejta dhe reciproke.
Strategjia gjithashtu flet për kërcënimet e “regjimeve të papërgjegjshme”, si Koreja e Veriut. Aty thuhet se Kina dhe Rusia “sfidojnë fuqinë, ndikimin dhe interesat amerikane, duke u përpjekur të shkatërrojnë sigurinë dhe begatinë amerikane”.
Pavarësisht nga sfidat ndërkombëtare, dokumenti citon mundësi të reja për të çuar përpara interesat amerikane në Lindjen e Mesme. “Disa nga partnerët tanë po punojnë së bashku për të luftuar ideologjitë radikale dhe liderët më të rëndësishëm po bëjnë thirrje për një refuzim të ekstremizmit dhe dhunës islamike”, thuhet në dokument. “Inkurajimi i stabilitetit politik dhe prosperitetit të qëndrueshëm do të kontribuonte në luftimin e kushteve që ushqejnë lëvizjet përçarëse”, thuhet aty.
Dokumenti i strategjisë pohon se “për disa breza me radhë, konflikti midis Izraelit dhe palestinezëve është kuptuar si elementi kryesor që pengon paqen dhe begatinë në rajon. Sot, kërcënimet nga organizatat radikale xhihadiste terroriste dhe kërcënimi nga Irani po krijojnë mendimin se, Izraeli nuk është shkaku i problemeve të rajonit. Shtetet e ndryshme kanë gjetur gjithnjë e më shumë interesa të përbashkëta me Izraelin në përballjen me kërcënimet e përbashkëta”.
Dokumenti strategjik gjithashtu vë në dukje se, “aktorë si Rusia po përdorin mjete të tilla si informacioni në përpjekje për të minuar legjitimitetin e demokracive”.

BE: Katër vende mund të mos na pyesin më ne

Megjithëse betimi i qeverisë së re konservatore-populiste në Vjenë shkaktoi protesta në rrugë, austriakët nuk tronditen vërtet nga koalicioni midis partive ÖVP dhe FPÖ. Austriakët janë mësuar tashmë me nacionalistët e partisë FPÖ, e cila është e përfshirë në qeveritë rajonale, është e përfaqësuar në shumë parlamente dhe ka pasur dy herë edhe poste qeveritare në nivel federal. Në vitin 2000, FPÖ u bashkua me konservatorët e ÖVP-së. Në vitin 1980, ajo madje kishte bërë koalicion me socialdemokratët, por në atë kohë kjo parti kishte ende një profil nacional liberal. Kalimi në spektrin e djathtë deri në populizëm ndodhi në kohën kur kryetari i saj ishte Jörg Haider në vitet 1990.

Për të hyrë në koalicion me konservatorët, Sebastian Kurz ndoqi po ashtu një kurs të djathtë, duke vënë në qendër temën e emigracionit. Detyra e tij tani është ta mbajë të kufizuar partinë ekstremiste të djathtë dhe të presë marrëdhëniet me krerët më të ashpër nacionalistë të kësaj partie.

Në Austri do të ketë me siguri një ashpërsim të ligjit për azilin, emigrantët do të kufizohen dhe qëndrimi ndaj fesë islame dhe emigrantëve myslimanë do të bëhet më kritik. Ky është çmimi për koalicionin, të cilin Kurz-i është i gatshëm ta paguajë me qejf. Kur ishte ministër i Jashtëm i Austrisë, ai u kujdes për mbylljen e itinerarit të Ballkanit në vitin 2016. Dikur kancelarja Merkel qe kundër, por tani Gjermania dhe Austria janë të një mendjeje në lidhje me mbylljen e kufijve të BE-së dhe emigracionit.

Evropa e shqetësuar

Sa u përket emigrantëve, pra nuk pritet të ketë mosmarrëveshje mes BE-së dhe Austrisë. Por nga pikëpamja e shteteve të Evropës Perëndimore dhe selisë së BE-së, është alarmant fakti që Austria tani mund të bëhet aleate me katër vendet regresive të Vishegradit, Poloninë, Republikën Çeke, Sllovakinë dhe Hungarinë. Së bashku, ato mund të luajnë kartën nacionaliste dhe të mos pyesin për BE-në dhe Brukselin. Partive të koalicionit në Vienë nuk u interesojnë shumë reformat dhe thellimi i tyre si propozon Presidenti francez Macron dhe Komisioni i BE në lidhje me eurozonën. Ata janë për më pak Evropë.

Shqetësues është edhe fakti se Sebastian Kurzi, do të jetë edhe kancelar edhe ministër për Evropën dhe dëshiron t’i rregullojë vetë gjithçka që lidhet me BE-në. Austria ndoshta do të përpiqet për një balancim të raporteve me Rusinë. Në fund të fundit, FPÖ është e afërt me nacionalistët në Evropë që janë miqësorë ndaj Rusisë, veçanërisht Fronti Nacional Francez dhe AFD gjermane. Megjithatë, si ministër i Jashtëm, Kurzi është angazhuar gjithashtu për Ukrainën dhe sovranitetin e saj shtetëror. Nëse ai do ta bëjë këtë edhe si Kancelari Federal i Austrisë, do ta shohim.

Orientim nga e djathta në Evropë

Në pjesën tjetër të Evropës nuk pati ndonjë protestë kundër ardhjes së të djathtëve në qeveri në Austri, ndryshe nga viti 2000, kur krerët e qeverive socialdemokrate në BE dëshironin – por nuk arritën – të vendosnin sanksione ndaj Austrisë. Kjo lidhet kryesisht me faktin se sot në shumë vende të BE-së, është plotësisht normale që populistë të djathtë të qeverisin me shumicë absolute, si në Poloni ose Hungari, ose të jenë në qeveri, si në Greqi, Sllovaki, Çeki dhe Belgjikë, Bullgari apo Finlandë. Në shumë vende të tjera populistët e djathtë janë të përfaqësuar në Parlament. Në Mbretërinë e Bashkuar, ata filluan procesin e Brexitit. Në Francë ata garuan në balotazh për postin e presidentit. Edhe në Gjermani partia AfD hyri në Parlament.
Këto do të kenë ndikime ndaj politikës së BE-së në përgjithësi dhe sidomos në lidhje me shpërndarjen e refugjatëve dhe ligjin për azilin. Zëvendëskancelari i ri austriak, kryetari i FPÖ-së Strache nuk e fsheh qëndrimin e tij nacionalist, dhe mendon se Brexiti është një gjë e mirë. Sipas tij edhe shefi i Komisionit të BE-së, Juncker duhet të japë dorëheqjen. Sebastian Kurz ia arriti që ta bindë Strachen që të mos ketë një Austrexit. Si këmbim, Strache kërkoi që në lokalet austriake të lejohet sërish duhani. Pragmatizëm në kampin e djathtë.

Për të parën herë siguria ekonomike është siguri kombëtare për SHBA

Presidenti amerikan, Donald Trump, mbrëmë e ka paraqitur strategjinë e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, me të cilën merret linjë e fortë ndaj Kinës dhe Rusisë, por tha se Uashingtoni do të synojë “partneritet të madh” me dy këto fuqi “rivale”, derisa i mbron interesat kombëtare amerikane.
Në një fjalim me tematikë të gjërë në Uashington, pak kohë pasi Shtëpia e Bardhë e publikoi dokumentin e strategjisë, zoti Trump tha se, “realizmi” dhe “Amerika së Pari” do të jenë parime udhëzuese të sigurisë kombëtare, që ecin përpara dhe ashpër i ka kritikuar të arriturat e paraardhësve të tij, për një rreze të gjërë të çështjeve, përfshirë kundërterrorizmin, Iranin dhe Korenë Veriore.
Në këtë kuadër ai e ka përsëritur vlerësimin e tij të ashpër për marrëveshjen ndërmjet Iranit dhe fuqive kryesore botërore për kufizimin e ambicjeve atomike iraniane në këmbim për zbutje të sanksioneve dhe për pajtueshmërinë për klimën në Paris në vitin 2015, nga e cila administrata Trump ka shpallur se do të tërhiqet.
Presidenti Trump, gjatë fjalimit të tij, e ka lavdëruar koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i cili po lufton kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, në Irak dhe Siri dhe tha se Pakistani, duhet të jetë më i vendosur në betejën kundër ekstremizmit.
Në strategjinë e re kombëtare të Shteteve të Bashkuara tërhiqet vërejtja se Kina dhe Rusia paraqesin “sfidë”.
“Ne, po ashtu, ballafaqohemi me fuqitë rivale Rusia dhe Kina, të cilat synojnë ta sfidojnë ndikimin, vlerat dhe mirëqenien amerikane. Ne do të përpiqemi të ndërtojmë partneritet të madh me këto dhe vendet e tjera, por në mënyrën që gjithnjë i mbron interesat tona kombëtare”, tha Presidenti Donald Trump.
Më tutje ai e ka përmendur se është thirrë me telefon nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, për ta falënderuar “vendin tonë për inteligjencë që CIA jonë ishte në gjendje t’i furnizojë ata lidhur me një sulm madhor terrorist të planifikuar në Shën Petersburg, ku shumë njerëz, me gjasë mijëra, kanë mundur të vriten”.
Në pjesën e strategjisë për Rusinë dhe Kinën, theksohet, po ashtu se “ato janë të përkushtuara për t’i bërë ekonomitë më pak të lira dhe më pak korrekte, për t’i shtuar ushtritë e tyre dhe për ta kontrolluar informacionin dhe të dhënat për shtypje të shoqërisë së tyre dhe për zgjerim të ndikimit”.
Presidenti Trump tha se, dokumenti 68 faqësh për strategji “e pranon se, na pëlqeu neve ose jo, ne jemi të angazhuar në periudhën e re të garës”, duke shpjeguar se “garat e fuqishme ushtarake, ekonomike dhe politike, tani po bëhen në gjithë botën”.
Në këtë kuadër, Presidenti Trump, tha:
“Për të parën herë strategjia amerikane pranon se, siguria ekonomike është siguri kombëtare. Vitaliteti, rritja dhe prosperiteti ekonomik në shtëpi, është absolutisht e domosdoshme për fuqinë amerikane dhe ndikimin e jashtëm”, tha Donald Trump.
Kjo strategji u publikua në periudhën kur raportet e Shteteve të Bashkuara me Rusinë kanë arritur në nivelin më të ulët prej Luftës së Ftohtë, për shkak të mospajtimeve të mëdha, përfshirë agresionin e Rusisë në Ukrainë, rolin e saj në luftën në Siri dhe përzierjen e dyshuar të saj në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara në vitin 2016.
Agjencia zyrtare kineze e lajmeve, Xinhua, ka raportuar se duke e cilësuar Pekinin “si rival” ishte “fitore për pjesëtarët e linjës së fortë” brenda administratës Trump dhe “reflekton hezitimin e Uashingtonit për ta pranuar realitetin e rritjes së Kinës”.
Kjo agjenci, më tutje ka theksuar se raportet e Kinës me Shtetet e Bashkuara, ballafaqohen me “më tepër presion dhe sfida” si pasojë e strategjisë së re.

Përçarje serioze në BE për emigrantët

epaselect epa04954158 A father and son from Syria wait for a bus to take them and other migrants to a further accommodation, at the railway station in Schoenefeld, Germany, 28 September 2015. Earlier, a chartered train carrying around 450 refugees arrived from Salzburg in Austria. Europe is dealing with its greatest influx of migrants and asylum seekers since World War II as immigrants fleeing war and poverty in the Middle East, Afghanistan and Africa try to reach Germany and other Western European countries. EPA/PATRICK PLEUL

Kuotat e detyrueshme për marrjen e një numri të azilkërkuesve, për të cilat ka pasur grindje në Samitin e BE, janë harruar. Marrëveshja për kuota nga shtatori i vitit 2015, si një masë për shpërndarjen e ngarkesës me refugjatët, ka qenë e afatizuar për dy vite. Por koha ka kaluar dhe kuotat nuk janë respektuar. Ndërkohë që vazhdimi i këtij afati nuk është parashikuar. Gjykata Evropiane i ka hedhur poshtë ankesat e Hungarisë dhe Sllovakisë, kundër kuotave. Edhe ato kanë qenë të detyruara të marrin azilkërkues nga Greqia dhe Italia.
Kërkesa e vetme e Komisionit të BE tani është që disa mijëra refugjatë që janë identifikuar për shpërndarje, të shpërndahen. Fjala nuk është më për 120.000, por më së shumti për 9.000 persona. Por vendet e Vishegradit: Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe Çekia refuzojnë të pranojnë azilkërkues. Edhe Franca, Austria dhe Spanja, si dhe disa vende të tjera kanë pranuar shumë më pak në dy vitet e kaluara, sesa ishte e parashikuar.
Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk ka plotësisht të drejtë kur thotë se sistemi nuk ka funksionuar dhe se vendet e BE janë të përçara. Këtë ka pranuar edhe i ngarkuari i BE për Migracionin, Dimitris Avramopoulos, në shtator të këtij viti. Shifrat dhe faktet flasin kundër kuotave. Pse Avramopoulos e sulmon Tuskun si “antievropian” mbetet sekrete.
Këtu bëhet fjalë për një grindje të hidhur mes qeverive populiste prej Varshavës e deri në Vjenë në njërën anë, si dhe qeverive të Gjermanisë, Italisë, Greqisë dhe Komisionit Evropian në anën tjetër. Këtu nuk bëhet fjalë për kuota, por për respektimin e parimeve. Sa solidaritet ka në mesin e vendeve të BE? Çfarë vlerash respektohen?
BE nuk mund të lejojë që vendet anëtare si Polonia, Hungaria dhe të tjerat të veprojnë më kështu. Por nga ana tjetër nuk lejohet as që ato të futen nën trysni tepër të madhe, sepse reagimi mund të jetë mbrojtja dhe kundërshtimi, nxitja e elementëve nacionaliste dhe pohimet se këto vende trajtohen si shtete të klasit të dytë në BE.
BE nuk mund të lejojë që vende anëtare, që bartin barrën më të madhe të azilkërkuesve, të mbeten të vetmuara. Greqia dhe Italia duhet të ndihmohen. Por kuotat e dhunshme duket se nuk janë metoda më e pranueshme. Në BE funksionon si duket vetëm “solidariteti i jashtëm”, pra mbrojtja e kufijve të jashtëm, pavarësisht se cilat janë pasojat për azilkërkuesit dhe migrantët nga Libia për shembull. Ndërsa njerëzit që mbërrijnë në Evropë duhet të shpërndahen në mënyrë solidare, gjë që nuk po funksionon. Këtu nuk po funksionon sistemi i vlerave.

Barcelona përgatit planin “B” në merkato!

Pavarësisht se ka pasur një numër të jashtëzakonshëm thashethemesh që e shohin mesfushorin e Liverpool, Philippe Coutinho si pjesë e Barcelonës në sezonin e ardhshëm, klubi katalanas ka marrë masat nëse ky transferimin dështon. Coutinho ka shprehur dëshirën për të vazhduar karrierën në “Camp Nou”, por Liverpool nuk mund të rezistojë, i bazuar te kontrata me lojtarin. Duke marrë në konsideratë këtë mundësi, Barça po punon për planin “B”.
Sipas gazetës katalanase, “Sport”, Barcelona ka nisur të bisedojë me mesfushorin francez, Nabil Fekir. Fekir, që kërkohet edhe nga Arsenal e Liverpool në Premier League, do të preferonte të luante në krah të Lionel Messi. Do të jetë merkato e janarit, kur Barcelona do të përcaktojë përfundimisht nëse do të investojë për Coutinho të Liverpool apo do të marrë Fekir nga Lyon për një transferim që mund të kushtojë rreth 30% më pak.

Vetëm 24 vjeç, por ka 14 tituj me Realin

Francezi i Real Madridit, Varane, po rritet me një ritëm të shpejtë për moshën e tij. Botërori për Klubet ka qenë trofeu i tij i fundit që iu shtua “palmaresit” privat, në të cilin tashmë janë 14 tituj në moshën vetëm 24-vjeçare. Me ritmin që ka Real Madridi në sezonet e fundit, është e mundur që së shpejti të ketë më shumë tituj se vite. Qendërmbrojtësi francez arriti në “Shtëpinë e Bardhë” në moshën 18-vjeçare dhe ka jetuar nga një rol udhëheqës në të gjithë fazën e triumfit të Real Madridit, që ka mbyllur një vit historik 2017, me pesë trofe të fituar, më shumë se kurrë.
Këto arritje janë gati rekord për moshën e tij. Për krahasim, shoku i tij i grupit, partneri në qendër të mbrojtjes madrilene (Ramos), ka 18 tituj të bardhë, me 31 vite mbi supe. Vetëm katër trofe më pak. Është e qartë se ai ka fituar gjithçka në nivelin e klubit, kështu që llogaria e vetme e papaguar që ka është në nivelin e kombëtares. Një situatë e privilegjuar për të ëndërruar rekordin e Gento-s.

Blerje direkte me plot 22 milionë euro për inceneratorin e Elbasanit

Lealba PELINKU

Afera e ndërtimit të 3 fabrikave të djegies së plehrave në Elbasan, Fier dhe Tiranë me 178 milionë euro nuk është vetëm korrupsion në nivelet më të larta të qeverisë Rama, por edhe një dosje me shkelje të rënda penale.
Procedura për djegësin e Elbasanit është modeli i shkeljes flagrante të ligjit për konçesionet dhe një hetim i pavarur do të çonte pas hekurave të burgut cilindo ministër që ka firmosur për të, duke nisur me Arben Ahmetajn.
Për dhënien me konçesion të inceneratorit të Elbasanit, ligji parashikon 3 procedura, por ato u shkelën të treja! Më kryesorja ndër to ishte anashkalimi i tenderit ndërkombëtar. Në vend të garës së hapur qeveria bëri blerje direkte me plot 22 milionë euro.

Por jo vetëm kaq!

Kompania fituese nuk kishte asnjë përvojë të ngjashme!
Buxheti i saj ishte më pak se 1,000 USD!
Pyetjet që rëndojnë përgjegjësinë penale janë:
Pse nuk u publikua as njoftimi i garës?
Pse nuk u shpall fare procedura e ndjekur?
Pse nuk u shpall asnjë kriter ligjor dhe teknik për vlerësimin?
Përgjigja është një! Sepse pas kompanisë që mori 22 milionë euro nga paratë e shqiptarëve për inceneratorin e Elbasanit qëndron ministri i Financave Arben Ahmetaj, sigurisht me dijeninë e kryeministrit Edi Rama!
Shkelja e procedurave të konçesionit është vepër penale që dënohet me burg të gjatë për ministrat hajdutë!
Fabrika e djegies së plehrave në Elbasan është gjithashtu modeli i keqpërdorjes së qeverisë për interesat korruptivë të ministrave të Ramës.
Dokumentat tregojnë se, brenda 24 orëve janë kryer 9 procedura, nga shpallja fituese deri tek miratimi i kontratës nga qeveria!
1- Me 16 dhjetor 2014 kompania e Arben Ahmetajt u shpall fituese
2- Koha për ankimin u caktua brenda datës 16.
3- Koha për shqyrtim ankese u mbyll brenda datës 16.
4-Dërgimi i draftit për mendim në ministritë e tjera brenda datës 16.
5- Përgjigja me shkrim e komenteve nga ministritë e tjera erdhi brenda datës 16.
6- Hartimi i kontratës me 40 faqe brenda datës 16.
7- Negocim kontrate mes palëve brenda datës 16.
8- Firmosje kontrate mes Ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë së Arben Ahmetajt brenda datës 16.
9-Miratim kontrate në mbledhje qeverie me datën 17 dhjetor 2014!
Për çdo shqiptar është e kuptueshme se gjithçka ka qenë e paracaktuar, që Arben Ahmetaj me lejen e Edi Ramës, të marrë 22 milionë euro nga buxheti i shtetit për një fabrikë që do të helmojë ajrin në Elbasan.
Ndërtimi i tre inceneratorëve është një nga aferat më të rënda të qeverisë Rama, prandaj i bëjmë thirrje ish-ministrit Lefter Koka që të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë dhe të tregojë peshqit e mëdhenj që po vjedhin miliona euro, duke dëmtuar shëndetin e qytetarëve.
Mbulimi i aferës korruptive të tre djegësve të plehrave është një motiv më shumë pse Edi Rama kapi prokurorin e përgjithshëm.

Afron “El Clasico”!

Luka Modriç i ka dhënë një intervistë “Codere Apuestas”, në të cilën analizon “El Clásico” kundër Barcelonës dhe situatën e skuadrës së tij: “Duhet të luajmë si një ekip ndaj Barcelonës. Është e rëndësishme që të jemi së bashku dhe të mos i lënë shumë hapësira kundërshtarit. Në qoftë se ju largoheni prej tyre, Barcelona ka lojtarë, të cilët mund t’ju dënojnë. Si vjen Real Madridi në këtë supersfidë? Ne jemi në formë të mirë dhe të lumtur që e presim këtë ndeshje të madhe para Krishtlindjeve. Jemi të gatshëm dhe të vullnetshëm për të zhvilluar një lojë të madhe”.
“Shpresoj të fitojmë dhe të jemi më afër kreut të La Liga-s. Objektivat e sezonit? Ne jemi në La Liga dhe do të japim gjithçka në kampionat. Do të përpiqemi të rikthehemi në garë për titullin. Përveç kësaj, kemi edhe Champions-in e Kupën e Mbretit. Uria për të fituar? Kjo nuk është e vështirë për mua. Karakteri im është i tillë; gjithmonë dua më shumë. Edhe nëse jam i kënaqur me atë që kam bërë, gjithmonë dua më shumë”, u shpreh Modriç.
Këtë të shtunë nga ora 13:00 në “Santiago Bernabeu” do të takohen dy skuadrat më të mira në botë, Real Madrid dhe Barcelona. Madrilenët në këtë takim do të synojnë fitoren për të ngushtuar rezultatin ndaj katalanasve që udhëheqin me 11 pikë, por që Reali ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Në anën tjetër, Barcelona dëshiron të thellojë edhe më tepër epërsinë dhe të bëjë një hap të madh drejt titullit kampion. Por, para kësaj ndeshjeje të shohim se cila skuadër ka qenë më e suksesshme në 235 ndeshjet e kaluara.
Nëse shikojmë ndeshjet në La Liga, Reali dhe Barcelona në total janë takuar 174 herë, prej tyre 72 fitore i ka Reali, 69 Barcelona dhe 33 herë kanë barazuar. Në Copa del Rey janë takuar 33 herë, ku Reali ka 12 fitore, Barcelona 14 dhe 7 herë kanë barazuar. Në Ligën e Kampionëve madrilenët kanë fituar 3 herë për dallim nga Barcelona dy, ndërsa tre takime kanë përfunduar me rezultat të barabartë.
Në gara të tjera këto dy skuadra janë takuar 20 herë, ku sërish Reali është skuadër më e suksesshme me 8 fitore, kundrejt Barcelonës që ka 6 dhe 6 të tjera janë ndarë baraz.
Në total këto dy skuadra janë takuar plotë 235 herë, ku kampioni aktual i Spanjës, Evropës dhe botës ka 95 fitore, Barcelona ka 91, ndërsa 49 herë ndeshjet kanë përfunduar me rezultat të barabartë.

Terry zbulon 4 emrat që do të jenë e ardhmja e Chelsit

John Terry ka zgjedhur katër futbollistë që do të përfaqësojnë Chelsea në të ardhmen, duke futur në këtë listë Andreas Christensen, Willian, Pedro dhe Eden Hazard. Ish-kapiteni i “bluve” beson se skuadra e tij e vjetër po shkon në mënyrë të tillë që do t’i japë mundësinë këtyre katër futbollistëve të shkëlqejnë në sezonet e ardhshme. “Mendoj se Andreas Christensen, Eden Hazard, Willian dhe Pedro janë ende djem të rinj, por që do ta mbyllin si futbollistë shumë të rëndësishëm dhe flamuj të Chelsea në Premier League. Unë mendoj se ky kampionat po kalon në një nivel tjetër dhe ditë pas dite shpejtësia është vendimtare. Këta të katër janë ndër futbollistët më të shpejtë që kam parë, me apo pa topin në zotërim”.
Chelsea aktualisht është 14 pikë larg Manchester United kryesues, pasi e sheh veten në vendin e tretë të Premier League, megjithatë skuadra e drejtuar nga Antonio Conte ka lënë një përshtypje shumë të mirë te Terry. “Nëse e kthejmë kokën pas shohim se Chelsea nuk ka bërë shumë gabime në këtë sezon. Problemi është se Manchester City është ekipi më i mirë, ka një skuadër fantastike dhe ka vënë një standard shumë të lartë. Manchester City ka rritur nivelin në mënyrë të tillë sa askush nuk mund ta arrijë sivjet, por nuk mendoj se Chelsea po bën një kampionat të keq. Ndoshta sivjet nuk do të dalin kampion, por kjo nuk do të ishte tragjedi, sepse ekipi ka projekt dhe të ardhme”.