30.5 C
Tirana
E hënë, 18 Gusht, 2025

Analiza e VOA: Si do të funksionojë Departamenti i ri i Efikasitetit të Qeverisë në SHBA?

Kur Presidenti i zgjedhur Donald Trump të marrë detyrën për herë të dytë në janar, dy prej mbështetësve më me peshë të tij do të kenë një portofol të ri, të krijuar për të ulur shpenzimet e qeverisë dhe për të përmirësuar efektivitetin e saj.

Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë, i cili pavarësisht nga emri i tij, ka të ngjarë të jetë një organizëm këshillues dhe jo një departament federal, do të drejtohet bashkarisht nga themeluesi i kompanive Tesla dhe SpaceX, Elon Musk, dhe ish-kandidati republikan për president, biznesmeni Vivek Ramaswamy.

Emri i nismës, të njohur me akronimin DOGE, duket të jetë produkt i sensit të humorit të zotit Musk, njeriut më i pasur në botë. Ai prej kohësh ka pasur interes për një kriptomonedhë të njohur si Dogecoin.

Dy bashkëkryetarët Musk dhe Ramaswamy kanë caktuar 4 korrikun 2026 – 250 vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara – si afatin për përfundimin e punës së tyre, e cila pritet të shtrihet në të gjitha aspektet e qeverisë federale, për të shkurtuar shpenzimet dhe eliminuar burokracinë.

Premtime të mëdha

Në deklaratën që njoftonte krijimin e nismës DOGE, zoti Trump shprehej se ajo “do t’i hapte rrugën administratës së tij për të eliminuar burokracinë qeveritare dhe rregulloret e tepërta, për të shkurtuar shpenzimet e panevojshme dhe për të ristrukturuar agjencitë federale”.

Zoti Musk ka spekuluar publikisht se ekziston mundësia të identifikohen rreth 2 trilionë dollarë buxhetin federal që mund të shkurtohen. Kjo do të përbënte gati një të tretën e 6.1 trilionë dollarëve që qeveria federale shpenzoi në vitin fiskal 2023 dhe nuk mund të realizohet pa reduktime drastike në shërbimet dhe programet qeveritare.

Nga buxheti federal për vitin fiskal 2023
Nga buxheti federal për vitin fiskal 2023

Zoti Ramaswamy ka lënë të kuptohet se janë pikërisht shkurtime të tilla ato që do të sugjerojnë ai dhe zoti Musk. Në një intervistë në Fox News të dielën, ai u pyet nëse ata synojnë të mbyllin departamente të tëra qeveritare. Ai u përgjigj:

“Ne parashikojmë reduktime masive. Parashikojmë që disa agjenci të mbyllen plotësisht. Presim reduktime masive mes punonjësve aty ky qeveria federale është e fryrë. Presim shkurtime masive mes kontraktorëve federalë dhe të tjerëve, të cilët po abuzojnë me fondet e qeverisë federale.”

“Unë mendoj se njerëzit do të befasohen nga shpejtësia me të cilën do të veprojmë për disa nga këto ndryshime.”

Precedenti i kohës së Presidentit Regan

Organizatat që mbështesin një mbikëqyrje më rigoroze të shpenzimeve federale treguan një optimizëm të matur lidhur me krijimin e departamentit të ri.

Tom Schatz, president i organizatës “Qytetarët Kundër Shpërdorimeve Qeveritare”, i tha Zërit të Amerikës se DOGE do të përbëjë herën e parë “që sektori privat bën një rishikim të rëndësishëm dhe gjithëpërfshirës të qeverisë federale” që kur Presidenti Ronald Regan krijoi Komisionin ‘Grace’, synimi i të cilit ishte të rekomandonte përmirësime në efikasitetin e qeverisë në vitin 1982. Se sa ndikim do të ketë DOGE, tha zoti Schatz, do të varet nga një numër faktorësh jashtë kontrollit të komisionit.

“Gjithçka do të varet nga ajo që do të bëjë Presidenti Trump me rekomandimet e tyre,” tha zoti Schatz. “Rekomandimet duhet të zbatohen, qoftë përmes urdhrave ekzekutivë, ose legjislacionit … dhe në shumë raste do t’i duhet Kongresi për të zbatuar rekomandimet.”

Vivek Ramaswamy dhe Elon Musk
Vivek Ramaswamy dhe Elon Musk

Në një deklaratë të lëshuar pasi zoti Trump njoftoi krijimin e nismës DOGE, Maya MacGuineas, presidente e Komisionit për një Buxhet Federal të Përgjegjshëm, vlerësoi idenë që qëndron pas saj, por paralajmëroi se do të duhet një bashkëpunim dypartiak, që të vihen në jetë ndryshime reale.

“Është e rëndësishme që procesi të jetë sa më dypartiak që të jetë e mundur, në mënyrë që të ndihmojë në realizimin dhe zbatimin e ideve,” tha zonja MacGuineas.

“Rekomandimet do të kenë nevojë për miratim nga Kongresi, çka e përforcon edhe më tej nevojën që kjo të jetë një përpjekje me mbështetje dypalëshe dhe për t’i lënë të gjitha opsionet të hapura në tryezë për të trajtuar çekuilibret fiskale”, u shpreh ajo.

Një buxhet masiv

Komisioni i mbikëqyrur nga zoti Musk dhe zoti Ramaswamy do të shqyrtojë një buxhet federal në të cilin shumica e shpenzimeve të qeverisë njihen si “të detyrueshme”. Shpenzimet e detyrueshme përfshijnë pagesat që qeveria është e detyruar t’i bëjë me ligj, dhe në vitin 2023 ato kapnin shifrën 3.8 trilionë dollarë nga buxheti total prej 6.1 trilionë dollarësh.

Sasia më e madhe, 1.3 trilionë dollarë, ishte ajo për Sigurimet Shoqërore, programi federal që siguron të ardhura për pensionistët, sipas Zyrës së Buxhetit të Kongresit.

Qeveria shpenzoi edhe 448 miliardë dollarë të tjerë për mbështetjen e grupeve të tjera, si të papunët dhe prindërit me të ardhura të ulëta.

Shpenzimet për programin e kujdesit shëndetësor për amerikanët e moshuar, i njohur si ‘Medicare’, kapnin shifrën e 839 miliardë dollarëve, ndërsa shpenzimet për programin që ofron kujdes shëndetësor për amerikanët me të ardhura të ulëta, i njohur si ‘Medicaid’, ishte 616 miliardë dollarë.

Kategoria tjetër e shpenzimeve përfshin buxhetin që Kongresi autorizon çdo vit. Në vitin 2023 ato kapnin shifrën prej 1.7 trilionë dollarësh. Këto shpenzime mbulojnë funksionimin e përditshëm të qeverisë federale. Gati gjysma e tyre – 805 miliardë dollarë për vitin 2023 – shkuan për buxhetin e mbrojtjes.

Nga shpenzimet buxhetore të vitit 2023
Nga shpenzimet buxhetore të vitit 2023

Pjesa e mbetur prej 917 miliardë dollarësh nga kjo kategori, financon departamentet kryesore qeveritare, Kongresin dhe Shtëpinë e Bardhë, si edhe funksionet e tjera të qeverisë.

Një kategori e fundit e shpenzimeve buxhetore, është ajo që paguan interesin e borxhit federal, që bie në një zonë grim, mes shpenzimeve që janë të detyruara për t’u paguar dhe buxhetit që miratohet përvit për departamentet federale.

Ndërsa qeveria teorikisht mund të zgjedhë të mose paguajë interesin e borxhit të saj, një vendim i tillë mund të ketë pasoja katastrofike për ekonominë e SHBA-së dhe atë globale. Pagesa e interesit për borxhin ishte 659 miliardë dollarë në vitin 2023.

Një strukturë e paqartë

Mbetet ende e paqartë se si do të strukturohet DOGE. Nëse ngrihet përmes një urdhri ekzekutiv, ky organizëm mund të duhet t’i nënshtrohet Ligjit për Komisionet Këshillimore Federale. Ai parashikon që të ndërmerren hapa të caktuar për të garantuar transparencë dhe ka rregulla për konfliktet e interesit. Kjo e fundit mund të jetë problematike për zotin Musk, kompanitë e ndryshme të të cilit kanë kontrata me vlerë miliarda dollarësh me qeverinë federale. Megjithatë, nëse DOGE ngrihet si një organizëm tërësisht privat, fjala e drejtuesve të të cilit thjesht ka peshë para presidentit, rregullat nuk do të vlenin për të.

 

“Mund të refuzoja të luaja në pjesën e dytë se rrezikoja karrierën”- Uzuni flet për debatin te penalltia: Normale, e fitova unë dhe jam sulmues

Myrto Uzuni ka shprehur keqardhjen që Shqipëria nuk ia doli të merrte pikë ndaj Ukrainës, teksa zbuloi se ka luajtur i dëmtuar në këtë sfidë.

“Normalisht ndjej keqardhje se e kemi nisur ndeshjen shumë keq. Sot ishte detyrim fitorja dhe normalisht jemi të gjithë të mërzitur për këtë humbje.

Debati te penalltia? Unë jam sulmues dhe gjithmonë dua të shënoj se edhe te Granada i gjuaj dhe shënoj të gjithë penalltitë. Në ato momente fitova penalltinë, jam sulmues dhe doja të zhbllokohesha. A e caktoi trajneri? Mendoj se po, nuk jam shumë i sigurt, nuk dua të gënjej.

Aktivizimi si vetëm? Për mua nuk ka problem se të gjithë e dinë që te Granada luaj si sulmues i dytë, në tre vitet e fundit i dini statistikat. Kur vij në kombëtare trajneri nuk më preferon në majë të sulmit. Mund ta bëj shumë mirë edhe atë. Të luaj për kombin nuk është se lodhem. Ju nuk e dini por dje kam qenë i dëmtuar, kam bërë rezonance e rrezikoja për një dëmtim. Ekipi I Granadës kërkoi të mos rrezikoja, unë mund të refuzoja e mos futesha kur isha 2-0 se rrezikoja karrierën. Por vendosa që të luaj që të tregoj që meritoj një vend për të luajtur”, tha Uzuni për “SuperSport”; pas ndeshjes.

Këto janë ushqimet që reduktojnë përthithjen e hekurit në trupin tonë

Ushqimi i duhur është jetik për ruajtjen e shëndetit dhe hekuri luan një rol të rëndësishëm në prodhimin e hemoglobinës dhe qarkullimin e mirë të oksigjenit në trup.

Megjithatë, ka disa ushqime dhe komponime që mund të zvogëlojnë thithjen e hekurit nga trupi juaj, duke e bërë më të vështirë arritjen e niveleve të rekomanduara. Të kuptuarit e ushqimeve që ndikojnë në përthithjen e hekurit mund t’ju ndihmojë të bëni zgjedhje më të informuara ushqimore dhe të siguroni që trupi juaj të marrë të gjitha lëndët ushqyese që i nevojiten pa pengesë.

Cilat ushqime mund të bllokojnë përthithjen e hekurit?

Ka disa faktorë që ndikojnë në aftësinë e trupit për të absorbuar hekurin nga ushqimi. Disa ushqime ose përbërës mund të veprojnë si pengesë, duke ulur efektivitetin e këtij procesi. Kjo mund të jetë veçanërisht e rëndësishme nëse po përpiqeni të rrisni nivelet e hekurit, qoftë për shkak të mungesës së hekurit ose për arsye të tjera shëndetësore.

Acidet bimore
Fitoacidet, që gjenden në ushqime të tilla si drithërat, bishtajoret, arrat dhe soja, mund të ndërhyjnë në përthithjen e hekurit. Për të reduktuar efektin e acideve bimore, mund t’i njomni bishtajore para se t’i hani ose t’i gatuani mirë. Gjithashtu, një mënyrë e mirë për të rritur përthithjen e hekurit është kombinimi i këtyre ushqimeve me burime të vitaminës C, si agrumet dhe specat.

Kalciumi
Edhe pse kalciumi është i rëndësishëm për shëndetin e kockave, ai mund të pengojë përthithjen e hekurit. Ushqimet e pasura me kalcium, të tilla si produktet e qumështit, tofu dhe brokoli, mund të ulin përthithjen e hekurit kur hahen me ushqime të pasura me hekur. Për të shmangur këtë ndërveprim, ju mund të konsumoni ushqime të pasura me kalcium në një kohë të ndryshme sesa kur hani ushqime me hekur.

Polifenolet
Polifenolet janë përbërës antioksidues që gjenden në ushqime të tilla si kafeja, çaji, kakaoja, frutat dhe perimet. Të dhënat e hulumtimit tregojnë se polifenolet mund të ndërhyjnë në përthithjen e hekurit, duke reduktuar aftësinë e trupit për të asimiluar hekurin nga ushqimi ose suplementet. Për të shmangur këtë, është mirë të lini të paktën 2 orë nga koha kur konsumoni kafe ose çaj deri në konsumimin e ushqimeve të pasura me hekur.

Acidi oksalik
Ushqimet që përmbajnë acid oksalik, të tilla si perimet me gjethe të errëta, bamjet dhe çaji, mund të ulin gjithashtu përthithjen e hekurit. Nëse dieta juaj shpesh përfshin ushqime të larta në acid oksalik, gatimi i tyre mund të ndihmojë në uljen e sasisë së këtij përbërësi dhe përmirësimin e përthithjes së hekurit.

Të verdhat e vezëve
E verdha e vezës përmban një proteinë, fosvitinë, e cila mund të bllokojë përthithjen e hekurit nga ushqimi. Nëse keni mungesë hekuri ose përpiqeni të rrisni marrjen e hekurit, mund të dëshironi të kufizoni konsumin e të verdhëve të vezëve ose të përqendroheni te të bardhat e vezëve, të cilat nuk përmbajnë fosvitinë.

Cilat ushqime përmirësojnë përthithjen e hekurit?

Për të rritur përthithjen e hekurit, është mirë të kombinohen ushqimet që përmbajnë hekur me ato që rrisin përthithjen e tij. Për shembull, vitamina C ndihmon në këtë proces, ndaj është mirë të shtoni në vaktet tuaja fruta dhe perime me përmbajtje të lartë të vitaminës C, si agrumet, specat dhe luleshtrydhet.

Kuptimi i ushqimeve që ndikojnë në përthithjen e hekurit dhe kombinimi i duhur i ushqimeve mund t’ju ndihmojë të siguroni nivelet e nevojshme të hekurit në trupin tuaj, pa e privuar veten nga lëndët ushqyese. Me pak vëmendje në zgjedhjen dhe kohën e vakteve tuaja, ju mund të përmirësoni përthithjen e hekurit dhe të përmirësoni shëndetin tuaj.

Fitim Zekthi-Flamur Nokës: Opozitë jo koherente, nuk keni linjë të qartë

Analisti Fitim Zekthi në emisionin “Open” në News24 tha se opozita nuk po gjen dot modusin e duhur për të mobilizuar qytetarët.

Zekthi tha se opozita synon rrëzimin e Qeverisë, por duhet të jetë koherente.

Në këtë kuadër, Zekthi tha se vjet opozita nuk ishte fare në Kuvend, ishte në revolucion, ndërsa sot thotë kemi vajtur për të bërë transparencë.

“Kemi një opozitë jo koherente, nuk ka një linjë të qartë, nuk ka mesazhe që kuptohen”, tha Zekthi.

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka tha se ne jemi në mosbindje civile, nuk kemi mesazhe duale, por çështja e buxhetit është themelore qoftë kur je në pushtet, qoftë kur je në opozitë.

“Rama e paraqiti si buxhetin e begatisë së shqiptarëve, ndërsa ne shkuam në Kuvend dhe i faktuam se ky është buxheti i enturazhit të Edi Ramës dhe mafies”, tha Noka.

Analisti Zekthi duke replikuar me deputetin demokrat tha se “në të gjithë Botën politikanët nuk kanë prevalencë ndaj gazetarëve, analistëve”.

Sipas Zekthit, politikanët rrinë me modesti përballë publikut. “Mos u sillni me gazetarët si Edi Rama, po e bën njëlloj”, tha Zekthi, ndërsa Noka më parë kërkoi nga analisti që të mos ndërhynte kur ai fliste, mos bënte komente, por thjesht të pyeste.

SHQIPËRI-UKRAINË/ Muçi i afrohet golit, por pjesa e parë mbyllet në disavantazh të dyfishtë

Shqipëria luan ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve, me skuadrën kuqezi që zbret në fushën e “Arenës Kombëtare” vetëm për fitore kundër Ukrainës.

Kombëtarja jonë kërkon tre pikët në mënyrë që të synojë vendin e parë në Grupin B1, duke shpresuar dhe te një barazim në takimin mes Republikës Çeke dhe Gjeorgjisë.

Sylvinho ka surprizuar me rreshtimin e hedhur në fushë, duke ulur në stol Nedim Bajramin, teksa në vendin e tij ka aktivizuar Ernest Muçin. Jasir Asani do e nisë këtë sfidë nga minuta e parë, duke lënë pas dëmtimin që mori me Çekinë, ndërsa Mirlind Daku do të zëvendësojë Indrit Tucin në krye të sulmit.

Drejtësia në këtë takim do të vendoset nga një grup arbitrash portugez, me João Pinheiro si kryesor,  Bruno Jesus dhe Luciano Maia në krahë, João Gonçalves si arbitër i katërt dhe Tiago Martins me André Narciso që do të asistojnë nga dhoma e VAR-it.

REZULTATI LIVE:

SHQIPËRI 0-2 UKRAINË

Zinchenko 5′, Yaremchuk 10′

KOMENTI LIVE:

45+2′ Mbyllet pjesa e parë!

45+1′ Muçi provon me një gjuajtje nga distanca, por topi shkon jashtë kuadratit.

45′ Akordohet 1 minutë shtesë.

40′ Zinchenko hedh një krosim në zonë dhe Mudryk godet me të majtën, p[or topi shkon mbi kuadrat.

29′ Asani hedh një krosim drejt zonës, me topin që shkon direkt në duart e Trubin.

26′ Sudakov provon me një gjuajtje nga distamca, por ndalet nga Strakosha.

25′ Laçi provon me një gjuajtje fluturimthi brenda zonës, por topi shkon në rrjetën e jashtme.

24′ Mudryk pengohet brenda zonës duke pretenduar për 11-metërsh, por gjyqtari vijon lojën.

10′ GOL UKRAINA 0-2/ Konoplia pason me kokë brenda zonëz dhe Yaremchuk po me kokë dërgon topin në rrjetë. (VIDEO)

5′ GOL UKRAINA 0-1/ Një top ngel në zonën tonë, me Zinchenkon që godet dhe e çon në rrjetë. (VIDEO)

1’ Starton sfida në “Arenën Kombëtare”!

FORMACIONET ZYRTARE:

SHQIPËRIA: Strakosha, Balliu, Ismajli, Ajeti, Mitaj, Ramadani, Asllani, Laçi, Asani, Muçi, Daku.

Trajner: Sylvinho

UKRAINA: Trubin, Konoplia, Zabarnyi, Matviyenko, Mykolenko, Kaliuzhnyi, Hutsuliak, Zinchenko, Sudakov, Mudryk, Yaremchuk.

Trajner: Serhiy Rebrov

Buxheti 2025 dhe bonusi për pensionistët, eksperti Selami Xhepa: Jo i mjaftueshëm, ja cila është e vetmja zgjidhje

Buxheti për vitin 2025 ka shkaktuar debat të fortë në Kuvendin e Shqipërisë, ku mazhoranca dhe opozita u përplasën duke ndarë mendime të ndryshme sa i përket shpërndarjes së parave për vitin e ardhshëm.

Rreth kësaj teme kaq të “nxehtë” në këtë fundvit, eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, njëkohësisht President i Universitetit Europian të Tiranës, në një lidhje me “Skype” në Vizion Plus, ka komentuar shpërndarjen e zërave të buxhetit.

Xhepa tha se është krejt normale që palët të jenë të ndara sa i përket buxhetit, duke shtuar se qeveria këtë vit është treguar mjaft konservatore pasi nuk ka përfshirë një paketë fiskale.

Sa i përket pjesës së rritjes së bonusit vjetor të premtuar nga kreu i qeverisë, Edi Rama gjatë seancës së sotme plenare, Xhepa deklaroi se është një praktikë që ndihmon fuqinë blerëse.

Pyetjes se cilat janë tiparet kryesore të këtij buxheti Xhepa iu përgjigj: – “Është normale që duke qenë një dokument politik, padiskutim që nuk ka patur kurrë dakordësi dhe konsesnsus. Është normale të kemi pikëpamje të kundërta. Sa i takon buxhetit të vitit 2025, vitit 2025 është vit elektoral, qeveria është treguar mjaft konservatore në kuptimin e mudndësisë për të rritur më shumë të ardhurat e buxhetit të shtetit, për herë të parë s’do kemi paketë fiskale, kemi rritje të investimeve publike, e cila tërësisht do të financohet përmes rritjes së defiçitit fiskal. Do të kemi një rritje të borxhit me 11 miliardë lekë, lekë që do të shkojnë për investime publike, duke bërë të kemi një total të investime me 6.2% të PBB. Sa i takon prioriteteve nuk ka risi të veçantë. Prioritetet kanë qenë të foksuruara te infrastruktura publike. Risi është inenvstimi në hekurudha dhe porte, ndërkohë që deri tani ka qenë investim i orientuar drejt invesitme rrugore, pasi deri tani ka qenë në segmente rrugore dhe aspekte të tjera. Sa i përket sektorit social mbetet njëlloj, pasi pollitika e re e pagave që ka filluar vitin e kaluar refkektohet e plotë në koston e vet në buxhetin 2025. Gjithë shtesa që shkon për arsim dhe shëndetësi i atribuohet politikës së re të rritjes së pagave.”

Publiku kur flitet për buxhetin mendon për pagat dhe pensionet. Këtë vit jemi dëshmitarë përballë një debati publik, flitet shumë për pensionet, qeveria dhe kryeministri sot shpallën dyfishimin dhe trefishimin e bonusit për pensionistët, i tha gazetari në studio, ndërsa rreth pyetjes direkte se si duhet kuptuar kjo rritje, a është një zgjidhje e mirëbazuar në financat e shtetit Selami Xhepa dha këtë përgjigje:

Sa i takon bonusit të fundvitit që është një praktikë që zhvillohet prej vitesh, është një mënyrë për të kompensuar fuqinë blerëse që ka goditur rëndë rritjen e çmimeve gjatë viteve të fundit. Janë instutmente të mbështetjes sociale jo permanente, ku qeveria synon të ruaj fuqinë blerëse të pensionit në mënyrë të vazhdueshme. Vetëm indeksimi që ndodh është shumë i vogël për të kompensuar rënien më të fortë të fuqisë blerëse për shkak të normave të inflacionit, për të kompensuar rënien më të fortë që ka ndodhur për shkak të inflacionit. Dyfishimi dhe trefishimi i bonusit lehtëson barrën e fuqisë blerësve por nuk mënjanon nevojën për reformën e pensioneve dhe për të kuptuar se si duhet të mbrojmë fuqinë vlerëse të kësaj shtrese në mënyrë permanente.  Duhet thënë që me fushatën elektorale dhe me zgjedhje nuk janë permanente janë had hoc. Qoftë kjo skemë apo rrtitja që premtoi kryeministri në pranverën e vitit të ardshmën nuk janë instrumente permanente.”

Ashtu si vjet investimet publike edhe këtë vit duket se janë fokusuar te infrastruktura rrugore. I pyetur mbi këtë orientim të qeverisë, eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, theksoi:

Ne gjatë gjithë 30 viteve të tranzicionit kemi bërë gjithë sakrificën tonë përmes taksave për të përmirësuar infrastrukturen përmes rrjetit rrugor, pa diskutim dhe shërbimet me ujë. Ky lloj fokusimi prej kohësh duhet të kishte ndryshuar peshoren e saj duke u fokusuar gjithashtu dhe te infrastruktura sociale sepse kemi një lloj diskordance. Po meodernizojmë infarstrukturën rrugore fizike, por nga ana tjetër shumë pak kemi interes dhe kemi investuar për të zhvilluar kapitalin njerëzor për shëndetësinë dhe arsimin” theksoi Selami Xhepa.

Spektakli i vdekjes në ekranet tona

Nga Bjorn Runa

Vdekja e një adoleshenti pranë shkollës ku studionte në Tiranë, megjithëse tronditëse, nuk është një ngjarje e veçuar. Ajo pasqyron problemet e një sistemi shoqëror dhe ekonomik që i jep përparësi fitimir, konkurrenca dhe agresivitetit. Një sistem ku jeta kthehet në një garë të pafund për të dalë në krye, për të mos u gllabëruar nga kaosi i dëshpërimit dhe mediokritetit ku jeton pjesa tjetër e shqoërisë. Spektakli mediatik që pasoi këtë tragjedi zbuloi jo vetëm kushtet që e shkaktojnë dhunën, por edhe trajtimin sipërfaqësor dhe të papërgjegjshëm nga mediat.

Të nxitur nga nevoja për të maksimizuar shikueshmërinë, thuajse çdo emision mbrëmjeje në çdo televizion, nxituan ta kthenin tragjedinë në komoditet. Në vend që të krijonin kushte për një bisedë më kuptimplotë në lidhje me rrënjët sociale dhe ekonomike të problemit, televizionet ia dolën sërish mbanë të shfaqnin prindër të përlotur dhe dëshmitarë të tronditur në një tjetër spektakël grotesk. Aq sa të dukej se personat që flisnin – disa prej të cilëve të afërm të adoleshentëve të përfshirë në ngjarje – ishin më të interesuar për vëmendje televizive se sa për fëmijët e tyre që kuronin plagët në spital.

Nuk u desh shumë që të nesërmen e ngjarjes, ushtria e moralizuesve të pushtonte rrjetet sociale dhe portalet e lajmeve me ankesat e përhershme për “shkatërrimin e familjeve,” apo “vlerat e humbura” (çfarëdo kuptimi kanë mendje për këtë të fundit). Individë që thellë-thellë ndihen mirë sa herë dëgjojnë lajme të tilla, pasi iu jep mundësinë të shpërfaqin superioritetin moral, pa u lodhur për të analizuar kushtet materiale që çojnë tek krizat shoqërore. Gërryerja e strukturave familjare të qëndrueshme nuk është thjesht çështje morale, por rrjedhojë e një sistemi që i lë prindërit të keqpaguar, të mbigarkuar me punë dhe me fare pak kohë të lirë për të rritur fëmijët dhe për të ndërtuar komunikimin e duhur me ta. Izolimi dhe vetmia e shkaktuar nga pasiguritë ekonomike dhe pabarazia, i bën të rinjtë sot më vulnerabël ndaj dhunës, qoftë si viktima por edhe si shkaktarë të saj.

Nga ana tjetër, fajësimi i vetë adoleshentëve apo mediave sociale, nuk merr parasysh strukturat e gjera që karakterizojnë jetët e tyre. Të rinjtë nuk shtyhen drejt dhunës nga ndonjë “shthurje” e brendshme e tyre, por për shkak të mungesës së mundësive, problemeve në edukim dhe mungesës së mbështetjes nga komuniteti, që i sheh ata si jo më shumë se punëtorë dhe konsumatorë të ardhshëm. Komodifikimi i jetës së të rinjve nga të njëjtat media që ankohen për sjelljen e tyre, vetëm sa i shtyn ata drejt një izolimi më të thellë.

Ndaj, kjo nuk është as krizë prindërimi e as krizë morale, por krizë kapitalizmi. Një shoqëri që i jep përparësi fitimit më shumë se sa mirëqenies njerëzore, është një shoqëri ku më të dobëtit vuajnë më tepër. Por, në vend që të diskutojnë problemet sistemike, televizionet tona zgjedhin sensacionalizmin, banalitetin dhe leksionet morale, të cilat s’bëjnë tjetër veçse eklipsojnë shkaqet e vërteta të këtyre tragjedive.

Nëse duam të parandalojmë ngjarje të tilla, duhet të refuzojmë narrativat sipërfaqësore që media na servir çdo mbrëmje. Vetëm duke analizuar strukturat që krijojnë kushtet për dhunë dhe duke promovuar solidaritetin, veprimin kolektiv dhe njerëzillëkun mbi fitimin e kapitalizmin, mund të ndalim përsëritjen e këtyre tragjedive.

 

Dritëhijet e koncesionarit kroat të Portit të Durrësit dhe lidhjet me Amerikën Latine

Nga Boldnews

Në Gusht të vitit 2024, kompania koncesionare që operonte në Kalatën Lindore të Portit të Durrësit për ngarkim-shkarkimin e kontenierëve, shiti aksionet e saj tek shoqëria kroate, “SCHAPHA D.OO”. Ky transaksion përbënte epilogun e një përplasjeje të nisur më herët mes qeverisë shqiptare dhe “EMS”, e cila kishte operuar për 10 vjet në Portin e Durrësit.

Qeveria e Edi Ramës vendosi që të japë territorin e Portin të Durrësit për ndërtimin e projektit “Durrës Yacht Marina”. Për “EMS”-në, ky projekt cënonte aktivitetin e saj tregtar e, për këtë arsye iu drejtuar Arbitrazhit Ndërkombëtar, ku kërkonte 40 milione euro dëmshpërblim.

Por, “EMS” u tërhoq nga Arbitrazhi, kur ia shiti aksionet e saj kroatëve të “SCAPHA”. Marrëveshja mes dy shoqërive duket se ka ngritur shqetësime në qarqe të ndryshme ndërkombëtare.

Mediumi gjerman “Capital Beat” ka ngritur disa pikëpyetje për këtë zhvillim, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me disa lidhje me Amerikën Latine të pronarit të ri fundor të kompanisë koncesionare, Filip Rogosić.

Më poshtë është teksti i plotë, i përkthyer nga “Boldnews.al”

Nga Christof Schmitz, Tirana*

Porti më i rëndësishëm i Shqipërisë, ai i Durrësit, është sërish në fokus dhe zhvillimet e fundit ngrenë pyetje që shkojnë shumë përtej kufijve të vendit. Edhe në politikën gjermane zhvillimi po shihet me shqetësim. Në fokus është: një ndryshim operatori, mosmarrëveshje ligjore dhe një skandal për eksportet e dyshimta. Ngjarjet ilustrojnë se sa urgjentisht Shqipëria ka nevojë për një strategji të qartë për të mbrojtur investitorët e huaj.

Pamje nga Terminali i Kontenierëve në Kalatën Lindore të Portit të Durrësit 

Një ndryshim i diskutueshëm i operatorit

Në vitin 2013, koncesioni për Kalatën Lindore të portit iu dha nga qeveria shqiptare, e drejtuar në atë kohë nga kryeministri Sali Berisha, kompanisë gjermane “EMS Shipping and Trading GmbH”, në një përpjekje për të rritur efikasitetin përmes menaxhimit (të veprimtarive portuale) me anë të sektorit privat. Por në vitin 2024, “EMS” u largua nga projekti dhe ia shiti koncesionin për 13 milionë euro kompanisë kroate SCAPHA D.O.O., e drejtuar nga Filip Rogosić.

Kontrata për shitje kuotash mes “EMS” dhe “SCAPHA” ((dokument i siguruar nga Boldnews.al në Qendrën Kombëtare të Biznesit) 

Ajo që supozohej të ishte një dorëzim i qetë, u shndërrua shpejt në një problem shumë të madh. Menjëherë pas ndryshimit të pronësisë, u publikuan raporte për eksportimin nga ky port drejt Azisë të lëndëve potencialisht të dëmshme. Qeveria shqiptare fajësoi EMS-në. Ndërsa, EMS-ja nga ana e saj, u mbrojt duke thënë se ata nuk ishin përgjegjës për miratimin e ngarkesave të tilla.

Çështjet gjyqësore dhe presionet ekonomike

Problemet rreth EMS nuk mbarojnë këtu. Që në vitin 2022, kompania i kishte rezistuar planeve të qeverisë shqiptare (të drejtuar nga Edi Rama, shën.red) për zhvendosjen e operacioneve portuale në Porto Romano dhe për t’i lënë vend një projekti luksoz, “Marina e Durrësit”.

Zv.kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, miratoi transferimin e kuotave të koncesionit nga “EMS” te “SCAPHA” (dokument i siguruar nga Boldnews.al në Qendrën Kombëtare të Biznesit) 

EMS paditi Shqipërinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit dhe kërkoi 40 milionë euro dëmshpërblim. Ky rast u zgjidh përfundimisht kur “EMS” ia shiti koncesionin kompanisë kroate “SCAPHA”. Pavarësisht marrëveshjes, mbeten sërish pikëpyetje thelbësore: Sa të sigurta janë investimet afatgjata në Shqipëri nëse planet e qeverisë ndryshojnë në mënyrë të paparashikueshme?

Angazhimi i Shqipërisë për transparencë

Situata në portin e Durrësit nxjerr në pah një dobësi kryesore: mungesën e transparencës dhe mbrojtjen e pamjaftueshme të investitorëve. EMS dhe SCAPHA D.O.O. janë shembuj të mbështetjes së Shqipërisë në kapitalin e huaj, por pasiguritë mund të pengojnë investitorët e tjerë potencialë.

Faksimile e shkrimit të “CapitalBeat” 

Pikëpyetje ka edhe për rrjetet ndërkombëtare të operatorëve të rinj. Filip Rogosić, (bosi i “SCHAPHA”, shën.red)  dhe lidhjet e tij me rrjetet tregtare ndërkombëtare në Evropë dhe Amerikën Latine ngrenë shqetësime për praktikat e biznesit dhe përgjegjësitë e aktorëve të ardhshëm.

Një çështje besueshmërie

Porti i Durrësit është një qendër ekonomike për Shqipërinë. Por për ta siguruar atë si një vend strategjik, vendi duhet të përcaktojë qartë rregullat e lojës për investitorët e huaj. Pa reforma dhe një angazhim për transparencë, Shqipëria rrezikon jo vetëm reputacionin e saj, por edhe të ardhmen e saj ekonomike.

Shitja tek “SCAPHA D.O.O.” mund të jetë një ndryshim i lojës – nëse mësohen leksionet e duhura. Porti përfaqëson lidhjen e Shqipërisë me botën. Tashmë i takon qeverisë ta mbrojë këtë lidhje.

*Titulli origjinal: “Një port në ndryshim: Pse Shqipëria duhet të mbrojë investitorët e huaj

Psiko-analiza e politikës. Nga ç’lloj politikani të ruhemi?!

Nga Neli Demi

Politika shpesh shihet si një qenie që funksionon me ligje të ndryshme nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Pritshmëritë këmbëngulin që politika dhe politikanët, të jenë realitete dhe individë të purifikuar.

Vlerësimi për politikën dhe individët e përfshirë në të, po ashtu këmbëngul të jetë ai i të “përdalës” së përherëshme.

Është pikërisht kjo dikotomi midis pritshmërisë dhe vlerësimit që e bën politikën të perceptohet si një qënie e ndryshme nga çfarë ne perceptojmë tek individët dhe grupimet të llojeve të ndryshme në të përditëshmen tonë.

Qoftë pritshmëritë puritaniste ashtu edhe vlerësimet si demoniake mbi politikën dhe politikanët, janë në një masë të caktuar, projektime dëshirash dhe zhgënjimesh personale e sociale të individëve apo shoqërisë votuese. Dhe si të gjitha projektimet mund të kenë një dozë subjektiviteti.

Në shoqëri me një demokraci të zhvilluar e me traditë të qëndrueshme të funksionimit demokratik të institucioneve të zgjedhura dhe ku mekanizmi i kontroll-balancimit funksionon realisht, distanca pritshmëri-vlerësim priret të jetë më e vogël sesa në vende të pamësuara me marrëdhënie demokratike, marrdhënie të cilat e kanë ( duhet ta kenë) fillimin e tyre që kur individi vjen në jetë dhe jo kur individi bëhet ligjërisht i aftë për të votuar. Ky “mësim” me demokracinë që “në djep” dhe eksperienca graduale me binomin pritshmëri-vlerësim, i bën individët dhe shoqërinë që të mund të përcaktojnë pritshmëri më realiste dhe rrjedhimisht vlerësime më afër pritshmërive.

Në vendet me të kaluar diktatoriale e me të tashme autoritariste, siç është edhe Shqipëria, ku proceset demokratizuese kryesisht janë bërë top-down ( nga lart-poshtë) dhe ku mungon pronësia e mjaftueshme e këtyre proceseve nga një masë kritike njerëzish, tendencat dominuese të përzgjedhjes së politikanëve udhëhiqen nga dinamikat e vjetra ndër-personale. Kjo me pak fjalë do të thotë që individët/ shoqëria kërkon siguri dhe sigurinë ia jep më “i forti”. Pavarësisht nëse ky i forti është abuzues apo jo. Dhe tek këta të fortë projektohet puritanizmi i shpjeguar më lart. Kjo lloj qasjeje rrit tejskajshmërisht mundësinë e zhgënjimit që bën të mundur në vetëvete domonizimin e politikës dhe të gjithë politikanëve.

Unë mendoj që në këtë moment në Shqipëri po hasim pikërisht këtë realitet demonizimi shoqëruar me mungesë shprese.

Për tu rikthyer tek “të fortët” nga të cilët duhet të ruhemi, do të doja të sillja një koncept që fatkeqsisht është i mjaft-gjendur në politikë: Triada e Errët.

Triada e Errët është një koncept psikologjik relativisht i ri (Paulhus & Williams, 2002) që përmbledh tre konstrukte keqdashëse dhe të ndërlidhura të personalitetit: narcizismi, psikopatia dhe Makiavelizmin.

Ndërkohë që të gjithë pjesët e Triadës së Errët bashkëndajnë karakteristika të dëmshme sociale si p.sh. pandjeshmëria, pabesia/mashtrimi dhe vetë-lartësimi, secila prej tyre ka trajtat e veta të veçanta (shih foton).

Përcaktimet moderne të narcizismit e përshkruajnë atë si një ndjesi të mirëqenë vetë-rëndësie. Karakterizohet nga një vetë-perceptim që nuk përputhet me realitetin p.sh. në formë të grandiozitetit dhe ndjenja superioriteti si dhe qasje armiqsore ndaj çdo stimuli që perceptohet i rrezikshëm për egon e tij/saj.

Psikopatia perceptohet si pjesa më malinje e triadës dhe karakterizohet nga impulsivitet, mungesë ndjeshmërie dhe keqardhjeje si dhe tendenca antisociale.

Makiavelizimi apo “qëllimi justifikon mjetin” nga ana tjetër karakterizohet nga manipulimi strategjik, mungesa e moralit konvencional dhe një këndvështrim cinik mbi botën (realitetin) dhe në mungesë të një përqafimi ideologjik të politikës (apolitik), ata shkojnë me këdo për të arritur synimin e tyre.

Politika është një terren shumë ftues dhe pjellor për njerëz me struktura të tilla të personalitetit për shkak të pushtetit që ofron dhe pushteti është “oksigjeni” i tyre. Ky fakt bën të mundur që njerëz të tillë, përpara se të përfshihen në politikë, bëjnë gjithçka për të marrë atibutet e “të fortit” duke u përfshirë në aktivitete të paligjshme, duke mashtruar, mbjellur frikë e pasiguri në komunitet e tyre dhe duke përdorur këtë frikë për të ofruar “siguri dhe mbrojtje” duke premtuar në mënyrë jo të qendrueshme një ditë një gjë e ditën tjetër të kundërtën e saj.

Prandaj është shumë e rëndësishme për çdo person që voton të mund të ulet e të mendojë përpara se të hedhë votën: Çfarë mendoj dhe çfarë ndjej unë për këtë njeri që kërkon votën time? Pse mendoj dhe ndjej këtë gjë? Çfarë di unë për të? Si është bërë “i fortë” ky person?

 

Policia e Kosovës konfiskon armatim në veri/ Dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen në Banjskë, ku mbeti i vrarë oficeri Afrim Bunjaku

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të martën ka kryer kontrolle në rrugën Kralj Petri në Zveçan, dhe aty ka gjetur sasi të konsiderueshme të armatimit.

 

Përmes një komunikate, Policia ka thënë se rasti ka të bëjë me një person me interes, që dyshohet se lidhet me rastin Banjska.

Në njoftimin e 19 nëntorit, Policia ka thënë se gjatë kontrollit ka gjetur kavanozë prej plastike të groposur në dhe, në të cilët ka pasur uniforma ushtarake, armë AK47, granata dore dhe fishekë, raporton Radio Evropa e Lirë.

Autoritetet e Kosovës kanë ngritur aktakuzë kundër më shumë se 40 personave për sulmin që është kryer në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit të kaluar nga një grup serb.

Si pasojë e sulmit është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

afrim bunjaku1

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ndaj të cilit është ngritur, po ashtu, aktakuzë.

Ai aktualisht besohet se është i lirë në Serbi.Autoritetet e Kosovës e fajësojnë shtetin e Serbisë për këtë sulm që e konsiderojnë terrorist, mirëpo Beogradi zyrtar mohon gjithçka.

Faktori ndërkombëtar i ka bërë thirrje disa herë Beogradit që t’i mbajë përgjegjës personat e përfshirë në sulmin në Banjskë.