29.5 C
Tirana
E mërkurë, 16 Korrik, 2025

PSG kërkon ta mbyllë vitin me fitore

Parisi, pas dy humbjeve të njëpasnjëshme të pësuara kundër Strasbourg dhe Bayern Munich, është kthyer të fitoret dhe do të zbresë në fushë mbrëmjen e së mërkurës me synimin për të çuar në 3 numrin e fitoreve të njëpasnjëshme në të gjitha kompeticionet. Skuadra e Emery do të presë në shtëpi Caen, në një takim të vlefshëm për javën e 19-të të kampionatit francez. Kjo do të jetë dhe ndeshja e fundit për PSG në vitin 2017. Në javën e fundit të Ligue 1, Parisi ka marrë një fitore bindëse 4-1 në fushën e Rennes. Neymar ka shënuar dy gola dhe ka dhënë dy asiste, ndërsa golat e tjerë janë shënuar nga Kylian Mbappe dhe Edinson Cavani.
Kështu, “Les Parisiennes” kanë shënuar 11 gola në tre fitoret e fundit dhe pritet që ta mbyllin vitin me një tjetër rezultat bindës kundër Caen. Gjithashtu, vendasit nuk do ta kenë të vështirë ta mbajnë rrjetën e portës së tyre të paprekur, duke parë se miqtë nuk e kanë pasur të lehtë të gjejnë rrugën e golit në ndeshjet e fundit. Në fakt, Caen ka shënuar vetëm një gol në pesë ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha kompeticionet. Ata nuk kanë arritur të shënojnë asnjë në katër takimet e fundit të luajtura në transfertë. Historia, siç pritej, është në favorin e PSG-së, por Caen ka marrë një barazim 1-1 befasues në vizitën e fundit të bërë në “Parc des Princes”. Në total, Parisi ka fituar 13 takime dhe ka humbur vetëm një nga 20 përballjet e zhvilluara kundër Caen.

Dortmund interesohet për rikthimin e Mkhitaryan

Borussia Dortmund është më e lehtë për t’i dhënë fund betejave të Henrikh Mkhitaryan në Manchester United, me gjermanët që shprehin interes për rikthimin e “playmakerit” në klubin e tij të vjetër. Armeni ka rënë në disfavor të Jose Mourinhos, duke u përpjekur të aplikojë lojën e tij nën qasjen e trajnerit portugez. Raportet e mosmarrëveshjes në mes të dyve kanë dalë më së fundi në dritë. Kuptohet që Manchester United tani do të jetë i gatshëm ta lërë armenin të largohet për marrëveshjen e duhur, teksa Borussia Dortmund deri më tani ka treguar interesin më të fortë.
Ky qëndrim do të jetë në përputhje me historinë e rekrutimit të klubit të Bundesligës, pasi ata kanë treguar rregullisht gatishmërinë për të rikthyer lojtarët e mëparshëm, që kanë luftuar gjetkë, si Mario Goetze, Nuri Sahin dhe Shinji Kagawa. Një marrëveshje e tillë mund të përshtatet edhe me planet e “Old Trafford” për lojtarët që pritet të vijnë, pasi Mourinho dëshiron një mesfushor mbrojtës dhe Julian Weigl i Dortmundit ka qenë prej kohësh në objektiv. Ndërsa çdo lloj shkëmbimi i drejtpërdrejtë nuk ka gjasa, një masë që mund t’i lehtësojë negociatat.

Cili është Interi i vërtetë?

Luciano Spalletti këmbëngul se Inter “i vërtetë” nuk është skuadra që u mposht 3-1 nga Udinese, por ajo që ka marrë 40 pikë në 17 ndeshje. Zikaltërit u mposhtën për herë të parë me Spallettin si trajner, teksa e panë veten në disavantazh 3-1 kundër “zebrave” në “San Siro”. Megjithatë, trajneri nuk është treguar shumë i ashpër me futbollistët dhe gjatë festës së Krishtlindjeve deklaroi: “Urojmë që këto festa të jenë pa telashe, me shumë lumturi, përqafime dhe kënaqësi. Personalisht zgjedh që këtë herë të jem në krah të futbollistëve. Unë e di skuadra e vërtetë nuk është ajo në humbjen ndaj Udinese, por që ka marrë 40 pikë në 17 ndeshje”.
“Zakonisht kur flas me skuadrën i them se tifozët janë një skuadër e dytë. Ata na kanë mbështetur në çdo ndeshje dhe kanë festuar me ne. Mendoj se pavarësisht nga humbja që kemi bërë i gjithë ambienti zikaltërt është shumë i kënaqur me ekipin që kemi ndërtuar sivjet. Këtë herë, pas humbjes me Udinese morëm edhe më shumë duartrokitje se në ndeshjet e tjera, kjo tregon ambientin e shkëlqyer që është krijuar në ekipin tonë”, përfundoi Spalletti.

Shqipëria pa ujë pas 23 vitesh

Sot Shqipëria po përballet me pasojat e përmbytjeve, por brenda pak dekadash situata mund të ndryshojë krejtësisht.
Sipas të dhënave të ofruara nga Instituti i Burimeve Botërore dhe OECD, në vitin 2040, Shqipëria do të jetë pjesë e shteteve të cilat do të vuajnë nga mungesa e ujit, ose siç thotë studimi “zona me stres për ujin”.
Sipas të dhënave të hartës, Shqipëria bën pjesë në shtetet me rrezik të lartë, ku raporti i mungesës në furnizim me ujë në 2040 pritet të jetë në nivelet 40-80%. Edhe pjesa tjetër e Ballkanit do të vuajë të njëjtin fat, Greqia parashikohet të jetë në vendet me “rrezik shumë të lartë”, sikurse edhe vendet në Emiratet e Bashkuara dhe Afrika e Veriut.
Uji mbulon dy të tretat e sipërfaqes së Tokës. Nuk mbaron kur konsumohet: thjesht vazhdon të qarkullojë. “Asgjë nuk është më e dobishme se uji”, ka thënë Adam Smith, i cili shtoi edhe se, “nuk mund të ketë asgjë që të ofrohet në këmbim të tij”.
Hulumtuesit parashikojnë se në mesin e shekullit, më shumë se gjysma e njerëzimit do të jetojë në zonat e theksuara pa ujë. Ndër arsyet, sipas artikullit, renditet rritja e popullsisë botërore dhe përdorimi i ujit më tepër nga to. Një tjetër arsye është ndryshimi klimatik, i cili përshpejton ciklet hidrologjike.
Instituti i Burimeve Botërore studion 167 vende dhe zbulon se 33 përballen me stres të jashtëzakonshëm të ujit deri më 2040. Problemi më i madh sipas studimit vjen nga keqmenaxhimi i ujit dhe kjo është diçka që kryesuesit e shteteve do të duhet të kenë në krye të axhendës së tyre të shqetësimeve.
Çelësi për menaxhimin e ujit më mirë është të çmojë atë siç duhet, duke u dhënë konsumatorëve një arsye për të mos e humbur atë dhe investitorëve një nxitje për të ndërtuar infrastrukturën për ta furnizuar atë.

Qeveria me “hapin e breshkës” në tregun rajonal

Teksa qeveria e Shqipërisë e ka firmosur në parim një marrëveshje për krijimin e zonës së lirë ekonomike në rajonin e Ballkanit, me rregulla njësoj si në BE që finalizohet tërësisht në vitin 2023, afate këto të konfirmuara edhe në Samitin e Triestes, mbetet pas vendeve të rajonit edhe në aspektin formal.
Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka emëruar ende koordinatorët për “tregun” dhe “investimet”, teksa vende të tjera, jo vetëm kanë plotësuar nga ana formale strukturat, por po ecin me ritme më të shpejta për të marrë pozita dominuese në këtë proces. Sipas Këshillit të Koordinimit Rajonal, 6 vendet e tjera të rajonit, përveç Shqipërisë, kanë plotësuar me koordinatore katër drejtimet kryesore të bashkëpunimit rajonal si tregtia, investimet, burimet njerëzore dhe integrimi dixhital.
Serbia dhe Maqedonia po përparojnë me shpejtësi, duke ndërmarrë reforma strukturore në drejtim të lehtësimit të kostove për biznesin për t’i bërë ato konkurruese në rajon, që “nesër” ku tregjet të njësohen të jenë superiorë në tregun e vogël të Rajonit.
Kryeministrat e Serbisë, Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Kosovës kanë firmosur një marrëveshje dhe tashmë një plan veprimi është në zbatim për krijimin e një zone tregtare pa dogana njësoj si në vendet e BE-së deri në vitin 2023.
Në disa aspekte, ky lehtësim që ka nisur me marrëveshjen e CEFTA redukton ndjeshëm barrierat dhe procedurat tregtare ndërmjet vendeve, por sakaq vë në vështirësi disa industri në vend që të bëhen jokonkurruese me hapjen e tregjeve për disa arsye. Qeveria e Shqipërisë, siç shihet nga të dhënat e RCC, ka mbetur pas, sepse ende nuk i ka përcaktuar koordinatorët e vetë që do të negociojnë pjesën e Shqipërisë, ndërsa bizneset prodhuese në vend ende nuk janë informuar as formalisht për efektet që do të ketë ky proces.
Serbia, Maqedonia dhe vende të tjera në rajon aplikojnë politika të subvencionit të prodhimit të grurit, ndërsa Shqipëria jo. Edhe pse fabrikat shqiptare të përpunimit të miellit kanë investuar në teknologji moderne, ato nuk kanë akses të njëjtë në lëndën e parë, si bizneset e tjera të përpunimit të miellit në Serbi dhe Maqedoni, teksa hapja e tregut me rajonin rrezikon një faliment të industrisë vendase.
Sipas marrëveshjes që është tashmë në zbatim, kontrollet e përbashkëta kufitare me një ndalesë duhet të nisin nga puna gjatë 2018-2019. Heqja e barrierave për tregtinë e shërbimeve dhe njohja elektronike e çertifikatave duhet të ndodhë deri në vitin 2023. Deri në vitin 2020 duhet të jetë zbatuar protokolli shtesë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të CEFTA dhe vendet duhen të kenë kryer gjithashtu investimet në infrastrukturën e brendshme për tregtinë pa tarifa. Deri në vitin 2020, gjithashtu duhet të funksionojë një Task Forcë që të ndalojë subvencionet e fshehta të shteteve të veçanta ndaj sektorëve të caktuar.

Euro në nivelin më të ulët që nga fundi i verës

epa03326108 Euro coins on a table in Cologne, Germany, 30 July 2012. Reports state that Euro Group President Jean-Claude Juncker announced that, 'nobody should be left with any doubt about the determination of the eurozone to protect its currency by using all means possible.' EPA/OLIVER BERG

Euro ka shënuar nivelin më të ulët të këmbimit që nga fillimi i shtatorit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha e përbashkët e nisi javën e zhvlerësuar përkundrejt lekut, duke u këmbyer me 133.27 lekë. Euro ka hyrë në trendin rënës.
Zhvlerësimi i euros në treg ishte i pritshëm për shkak të efekteve sezonale, të cilat sipas ekspertëve të këmbimit valutor këtë vit kanë filluar më herët. Monedha e përbashkët pritet të jetë e dobët deri për festa, ndërsa ekspertët thonë se mund të rimëkëmbë pozitat vetëm pas përfundimit të tyre.
Fundi i vitit njihet për zhvlerësimin e valutës. Në ndryshim nga vitet e tjera, aktivitetet kanë filluar që të organizohen më shpejt, kjo ka nxitur dhe fluksin e emigrantëve dhe të turistëve gjithashtu.
Nënçmimi i euros është stimuluar edhe prej turistëve, thonë ekspertët për “Monitor”, të cilët pohojnë se është rritur qarkullimi i parasë.
Qarkullimi i parasë është nxitur kryesisht prej uljeve që janë bërë në sektorin e tregtisë me pakicë, të cilët për të tërhequr blerësit kanë rritur ofertat përpara festave.
Një tjetër argument që japin ekspertët është edhe fakti se tani, tregtarët me pakicë, për t’i paraprirë kërkesave dhe fluksit të shtuar të punës gjatë festave, porositë i kryejnë përpara dhjetorit. Blerjet nga bizneset në fillim të dhjetorit ruanin balancën me rritjen e qarkullimit të parasë në vend dhe zhvlerësimi i monedhës së përbashkët nga efektet sezonale fillonin pak më vonë.
Prej fillimit të dhjetorit deri sot, euro është zhvlerësuar me 0.3 pikë përqindje. Në të njëjtën periudhë një vit më parë euro ishte në pikiatë, duke pësuar një zhvlerësim me 1 pikë përqindje (shiko grafikun krahasues me dy vitet). Luhatjet e euros në të njëjtën periudhë një vit më parë ishin më të mëdha, duke qenë se monedha e përbashkët e mbylli 2016-ën në nivelin e 135 lekëve dhe e çeli duke u këmbyer me 137 lekë në datën 4 janar. Gjatë vitit të shkuar, euro nisi të zhvlerësohej në tregun vendas me shpejtësi, gjë që u argumentua nga ekspertët me ofertën shumë të lartë të valutës në vend. Sipas tyre, përpos efekteve që jepnin investimet e huaja dhe turistët, ndikim në zhvlerësimin e valutës patën dhe aktivitetet e jashtëligjshme. Prej shtatorit të një vit deri në fund të vitit, euro ra më shumë se 3 lekë, por nivelin më të ulët e shënoi gjatë 2017-ës. Euro kapi nivelin më të ulët të nëntë viteve në 27 qershor të këtij viti (dy ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme), kur u këmbye me 131.9 lekë. Një ndër arsyet e këtij zhvlerësimi sipas ekspertëve të kursit ishin edhe shpenzimet e kryera gjatë fushatës zgjedhore, të cilat si në asnjë vit tjetër u kryen në valutë.
Edhe dollari amerikan vijon të mbetet i nënçmuar në vend në krahasim me çeljen e këtij viti, kur këmbehej me 129.75 lekë. Monedha e gjelbërt ka reflektuar në tregun vendas nënçmimin që ka pësuar në tregjet ndërkombëtare. Dje këmbehet sipas BSH me 113.07 lekë.

Çmenduria, monumentet e kulturës me koncesion

Pasuritë në fushën e trashëgimisë kulturore nuk do t’i shpëtojnë dot formulës “magjike” të partneriteteve publike private që po shtrihet në çdo sektor. Projektligji “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, që ka nisur përgatitjet nga viti 2014, por që vetëm tani ka mbërritur në Kuvend sanksionon mes të tjerash edhe mënyrën sesi do të aplikohen koncesionet në këtë fushë. Në fakt sipas cilësimeve të bëra në ligj projektet që do të pranohen kanë të bëjnë me rijetëzimin.
Pasuritë e paluajtshme kulturore në administrim të institucioneve qendrore ose vendore mund të jepen në përdorim, për qëllim rijetëzimi, për funksione administrative e social-kulturore, me kusht që projekti i rijetëzimit të mos dëmtojë vlerën e pasurisë kulturore.
Miratimi dhe zbatimi i projekteve të rijetëzimit të pasurive të paluajtshme kulturore duhet të respektojë regjimet për ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerës së pasurisë kulturore, termat dhe kushtet për kryerjen e konservimit të integruar. Pasuritë kulturore në pronësi private jepen në përdorim me qëllim rijetëzimi pas marrjes së miratimit paraprak nga ministri përgjegjës për trashëgiminë kulturore”, thuhet në nenin 182 të draftligjit që i takon seksionit dy ku përcaktohet partneriteti publik privat në fushën e trashëgimisë kulturore.
Por çfarë mund të jetë objekt rijetësimi që i kalohet privatit. Sipas ligjit objekt rijetëzimi mund të jetë një pasuri kulturore, një grup pasurish kulturore ose pjesë të veçanta të tyre që nuk përbëjnë, në tërësinë e tyre, një njësi territoriale të regjistruar si trashëgimi kulturore. Për pasuritë me rëndësi universale, sipas parashikimeve të këtij ligji, njësi territoriale e regjistruar si trashëgimi kulturore janë pasuritë sipas listës botërore të pasurive kulturore të UNESCO-s.
Koncesionet parashikohen që të kenë një afat 20-vjeçar dhe me të drejtë rinovimi të kontratës vetëm një herë, nëse subjekti ka qenë i rregullt në zbatimin e kontratës së parë.

Përjashtimet nga PPP

Sipas draft ligjit janë disa kategori që përjashtohen nga procesi i rijetëzimit që nënkupton partneritetet publike private të tilla mund të jenë tërësia e njësisë territoriale, e regjistruar si pasuri kulturore me rëndësi universale, sipas përcaktimit të saj në listën e pasurive botërore të UNESCO-s, tërësia e njësisë territoriale, e regjistruar si pasuri kulturore “me rëndësi kombëtare”, përveç atyre të përcaktuara me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, rezervat arkeologjike apo pjesët prej tyre, përveç atyre që përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, pasuritë kulturore me rëndësi fetare.

Ndërtime brenda zonave të dhëna me koncesion

Drafti i depozituar në Kuvend për trashëgiminë kulturore dhe muzetë përcakton edhe rastet kur lejohen ndërtime brenda zonave të dhëna tek privatët për rijetëzim.
“Në rast se subjekti kërkues do të ndërtojë infrastrukturën përkatëse, ndërtesa dhe instalime ndihmëse në zonat e lira të zbulimeve arkeologjike brenda zonës së mbështetur, kontrata duhet të përcaktojë kushtet teknike për ndërtimin e kësaj infrastrukture”, thuhet në projektligj.

Koncesioni Veliaj për shkolla kosto e rëndë në kurriz të taksapaguesve

Bashkia e Tiranës ka vendosur të aplikojë formulën e shumëdebatuar të partneritetit publik-privat, të koncesionit edhe për shkollat. Fondi i vënë në dispozicion është 1.9 miliardë lekë të reja pa TVSH, të cilat do të paguhen nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Arsimit dhe do të shkojnë për projektim, ndërtim, mobilim, mirëmbajte, mbikëqyrje dhe kolaudim. “Open Data” publikoi në fillim të muajit nëntor, tenderin e Bashkisë së Tiranës që njoftonte se kishte hapur garën për ndërtimin e 3 objekteve shkollore në Njësinë Administrative 11 dhe dy objekte arsimore në Njësinë Administrative Nr. 9.
Referuar të njëjtit njoftim të Bashkisë së Tiranës thuhet se, “Kompania Koncesionare që do të krijohet pas lidhjes së kontratës së Koncesionit do të likuidohet tërësisht për totalin e shumës së investuar (shpenzuar) në një periudhë kohore prej 7 vitesh nga data e dorëzimit të objekteve, duke i përllogaritur edhe një rimbursim për marzh fitimi në masën 6.28% në vit. Koncesionari do të përballojë me të ardhurat e veta të gjithë investimin për projektimin, ndërtimin, mobilimin, pajisjen me laboratorë, mirëmbajtjen, mbikëqyrjen dhe kolaudimin si dhe vënien në funksion të tyre. Pas ndërtimit dhe vënies në funksion të objekteve arsimore, koncesionari/PPP do të mirëmbajë objektet për një periudhë 7 (shtatë) vjeçare, ndërkohë që objektet shkollore duhet të përfundojnë brenda 18 muajve, duke filluar që nga momenti i nënshkrimit të kontratës koncensionare”. Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit që është njëkohësisht edhe data e zhvillimit të tenderit për dhënien me koncension të shkollave të Tiranës, është caktuar data 27 dhjetor, kur dihet se vëmendja e njerëzve është tek festat e fundivitit, duke i shtuar edhe më shumë hijet e dyshimit rreth mënyrës se si do të zhvillohet kjo procedurë.

Ekspertët kundër

Aplikimi i kësaj formule kundërshtohet nga ekspertët e ekonomisë dhe politikave fiskale. Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, e sheh këtë si një praktikë që ia delegon barrën e borxhit qeverisë pasardhëse.
“Çdo Parlament, si ai i Bashkisë pra Këshilli Bashkiak, qoftë ai i qeverisë, është zgjedhur për të qeverisur për një periudhë 4-vjeçare, kështu që edhe projektet e mëdha strategjike duhet të jenë brenda këtij mandati. Por ky është një koncesion që është parashikuar që të nisë, pasi të mbaojë mandati i kryetarit aktual të Bashkisë dhe kjo nuk është e drejtë. Ndaj unë e shoh këtë koncesion si një shtim artificial të borxhit publik, pavarësisht se nga ku do të dalin fondet nga qeveria apo nga Bashkia”, thotë për “Citizens Channel”, Preçi.
Sa i përket konkretisht këtij koncensioni, Preçi thotë se ai duhet parë me shumë kujdes. “Duhet parë transparenca e projektit, sa konkurues do të jetë ai që do të fitojë, çfarë kostosh do të ketë, sepse rrezikon të bjerë në një tender të zakonshëm dhe në këtë rast mundësia për korrupsion dhe paracaktimin e fituesit janë të mëdha, sqaron Preçi. Unë e shikoj këtë vetëm si rritje të panevojshme të borxhit, pasi periudhat e ndërtimit të shkollës dihen dhe nuk është nevoja që të lësh pasardhësve borxhe”, përfundon ai.
Selami Xhepa, ekspert i njohur i ekonomisë është shumë drastik sa i përket formulës së përzgjedhur, ashtu si edhe kostove që ajo do të ketë. “Kjo formulë shihet si shumë e dyshimtë për vende në tranzicion si ky i yni dhe rekomandohet apo aplikohet vetëm në ato vende ku nivelet e korrupsionit janë thuajse zero, ndaj për mua është një nisje e gabuar që në fillim. Për mua nuk duhej të ishte aplikuar fare kjo formulë, ka plot zgjidhje të tjera përpara se të arrish tek PPP-të. Së dyti, ky koncension nuk do të bëjë tjetër, vetëm se do t’i shtojë një tjetër barrë për t’u paguar taksapaguesve shqiptarë. Ndaj unë jam kundër një formule të tillë që do të rrisë edhe më, në mënyrë fiktive dhe të paargumentuar, borxhin e shqiptarëve, sepse në fund të ditës do të jenë taksapaguasit që do ta mbajnë mbi kurriz”, na thotë Selami Xhepa.
Suzana Guxholli, një ndër ekspertet më të afërta të ish-kryeministrit Berisha, nuk e sheh të keqen tek formula e përdorur, por tek transparenca dhe mënyra se si do të menaxhohet ky koncesion.
“Kjo është një formulë e njohur dhe rregullat dhe kriteret janë të përcaktuara dhe duhen, ndaj unë nuk e shoh me skepticizëm këtë formulë. Për mua ka dy pika kyçe: e para është transparenca, pra sa transparente do të jetë Bashkia kundrejt kësaj procedure dhe e dyta: ky koncesion do të jetë një tjetër barrë që i shtohet borxhit publik. Për mua Bashkia e Tiranës është treguar shumë e zgjuar që ka futur garant Ministrinë e Arsimit për t’i paguar këtë borxh, por në fund të ditës këto para nuk do t’i paguajnë vetëm qytetarët e Tiranës, por do t’i paguajnë të gjithë shqiptarët. Sepse logjika e koncesionit kjo është: që qeveria merr borxh për të likuiduar koncesionarin dhe përveç kostove i paguan atij edhe një interes, por kjo nuk bën gjë tjetër veçse rrit edhe më borxhin publik. Pikërisht kjo është “Thembra e Akilit” që e kanë kritikuar me forcë edhe ndërkombëtarët”, shpjegon Guxholli për “Citizens Channel”.

 

FMN dhe Banka Botërore kundër koncesioneve

Në fillim të muajit tetor, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka tërhequr veshin qeverisë shqiptare sa i përket “zemërgjerësisë” së saj për të dhënë çdo shërbim me koncesion. Ekspertët e FMN-së i sugjeruan qeverisë shqiptare që të jetë më e kursyer në dhënien e koncesioneve dhe i kërkuan që të regjistrojë si borxh publik, dhe jo të fshehur, detyrimet që rrjedhin nga koncesionet sipas praktikave që ndiqen në vendet e Bashkimit Europian.
“Plani ambicioz i qeverisë për PPP-të ngre rreziqe substanciale. Në kundërshtim me praktikat aktuale, efektet e koncesioneve në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të pasqyrohen në mënyrë transparente dhe sipas praktikave ndërkombëtare”, vërente FMN. Sipas vlerësimeve të FMN-së, nëse do regjistroheshin tërësisht, kontratat aktuale të koncesionit do e rrisnin borxhin publik me 7 pikë përqindje nga niveli aktual.
Në të njëjtën linjë me FMN, janë edhe ekspertët e Bankës Botërore. Vetëm një javë më parë, gjatë prezantimit të raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, ekspertët u shprehën se PPP-të janë një instrument i rëndësishëm kudo në botë, por ata duhet të përdoren vetëm në projekte madhore, siç janë hekurudhat. “Ne rekomandojmë që këto kontrata të trajtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ministria e Financave duhet të forcojë kontrollin mbi PPP-të edhe për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga ligji organik i buxhetit”, u shprehën ekspertët e BB-së.

“Citizens channel”

Shpenzimet e luksit, Veliaj kurs trajnimi stafit për të folurën në publik

Me një superstaf prej 43 personash, të cilët kurojnë imazhin e Erion Veliajt, këtë makineri propagande në Bashkinë e Tiranës, do ta kish patur zili edhe Gëbelsi në kohën e Hitlerit. Miliona lekë shpenzohen nga Veliaj për krijimin e sukseseve imagjinare, nëpërmjet fotografive dhe videove me cilësi të lartë. Por nuk mbaron me kaq! Së fundmi, Tpz.al ka siguruar dokumente të një tenderi që ka bërë Bashkia e Tiranës për të perfeksionuar propagandën. Me një fond prej rreth 4.7 milionë lekë, Veliaj po përdor taksat e qytetarëve për të bërë një kurs trajnimi me temë ‘mjeshtëria e të folurit në publik’, nivel i avancuar. Në këtë kurs, nuk do të marrë pjesë Veliaj, pasi ai është mjeshër i madh i propogandës dhe fasadës, por do t’i shërbejë disa nëpunësve të nivelit të mesëm dhe drejtuesve të lartë. Ky trajnim për mënyrën e të folurit në publik, do të zgjasë vetëm 2 ditë, ndërsa numri maksimal i pjesëmarrësve do të jetë 15-16 zyrtarë të Bashkisë së Tiranës. Sipas pretendimeve të Veliaj, pas këtij trajnimi, zyrtarët e Bashkisë së Tiranës duhet të jenë të aftë që të hulumtojnë dhe kuptojnë më mirë audiencën e tyre, të organizojnë fjalime, të përdorin entuziazmin për të tërhequr dhe bërë për vete audiencën, të përdorin gjuhën e trupit për më shumë ndikim tek audienca, të flasin me besim tek vetja, të përdorin mjetet ndihmëse vizuale dhe të programojnë kohën e prezantimit si dhe të menaxhojnë situatat armiqësore ose jo bashkëpunuese, që mund të krijohen nga audienca. Pra, pas tenderit qesharak priten të dalin disa “Mini Veliaj”, të cilët do të nisin fushatën propagandistike, duke mbajtur fjalime me teknikat e mësuara. Aparati i marrëdhënive me publikun, mediat dhe PR në Bashkinë e Tiranës është shumë herë më i madh në personel, duke lënë pas edhe institucionet më të rëndësishme si Kryeministria, Presidenca etj. Ish-redaktorë, ish-gazetarë, regjizor, skenarist, kranist, dronist, ndriçues dhe montazhier krijojnë përditë kronika të gatshme për televizionet. Kamera të fundit dhe aparate profesionale përdoren për të krijuar një imazh tjetër nga realiteti. “Aktori” kryesor, Veliaj, shihet në shumë pozicione, me fëmijë në krahë, me qen, duke shërbyer, duke gatuar, me të moshuar, duke lëvizur divanin, me lopatë, kazëm, sëpatë, me mendje dhe pa mendje. Këto janë imazhet që përcjell në ekran çdo ditë, kryebashkiaku i Tiranës, madje edhe nëse nuk ndodhet fizikisht në Shqipëri. Kronikat e gatshme u shpërndahen TV apo portaleve që ka nën kontroll, ndërsa kryebashkiaku shfaqet, duke punuar 7 ditë të javës dhe 24 orë në ditë. Kontrolli i tij i frikshëm i mediave, tejkalon çdo perceptim…mjafton të shohësh edicionet informative, ku nuk sheh asnjë kritikë ndaj Veliajt. Akush nuk flet për kullat shumëkatëshe, askush nuk ankohet për rritjen e çmimit të ujit, transportit urban, taksave vendore, askush nuk flet për miliona euro koncesione që i jep klientëve të tij. Ky politikan “i paprekshëm”, i cili i ka mbyllur gojën edhe opozitës, është shembulli më i mirë për të kuptuar se: Veliaj është simboli i fasadës, por jo i punës. /TPZ.AL