18.5 C
Tirana
E hënë, 14 Korrik, 2025

FMN dhe Banka Botërore kundër koncesioneve

Në fillim të muajit tetor, Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka tërhequr veshin qeverisë shqiptare sa i përket “zemërgjerësisë” së saj për të dhënë çdo shërbim me koncesion. Ekspertët e FMN-së i sugjeruan qeverisë shqiptare që të jetë më e kursyer në dhënien e koncesioneve dhe i kërkuan që të regjistrojë si borxh publik, dhe jo të fshehur, detyrimet që rrjedhin nga koncesionet sipas praktikave që ndiqen në vendet e Bashkimit Europian.
“Plani ambicioz i qeverisë për PPP-të ngre rreziqe substanciale. Në kundërshtim me praktikat aktuale, efektet e koncesioneve në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të pasqyrohen në mënyrë transparente dhe sipas praktikave ndërkombëtare”, vërente FMN. Sipas vlerësimeve të FMN-së, nëse do regjistroheshin tërësisht, kontratat aktuale të koncesionit do e rrisnin borxhin publik me 7 pikë përqindje nga niveli aktual.
Në të njëjtën linjë me FMN, janë edhe ekspertët e Bankës Botërore. Vetëm një javë më parë, gjatë prezantimit të raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, ekspertët u shprehën se PPP-të janë një instrument i rëndësishëm kudo në botë, por ata duhet të përdoren vetëm në projekte madhore, siç janë hekurudhat. “Ne rekomandojmë që këto kontrata të trajtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ministria e Financave duhet të forcojë kontrollin mbi PPP-të edhe për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga ligji organik i buxhetit”, u shprehën ekspertët e BB-së.

“Citizens channel”

Shpenzimet e luksit, Veliaj kurs trajnimi stafit për të folurën në publik

Me një superstaf prej 43 personash, të cilët kurojnë imazhin e Erion Veliajt, këtë makineri propagande në Bashkinë e Tiranës, do ta kish patur zili edhe Gëbelsi në kohën e Hitlerit. Miliona lekë shpenzohen nga Veliaj për krijimin e sukseseve imagjinare, nëpërmjet fotografive dhe videove me cilësi të lartë. Por nuk mbaron me kaq! Së fundmi, Tpz.al ka siguruar dokumente të një tenderi që ka bërë Bashkia e Tiranës për të perfeksionuar propagandën. Me një fond prej rreth 4.7 milionë lekë, Veliaj po përdor taksat e qytetarëve për të bërë një kurs trajnimi me temë ‘mjeshtëria e të folurit në publik’, nivel i avancuar. Në këtë kurs, nuk do të marrë pjesë Veliaj, pasi ai është mjeshër i madh i propogandës dhe fasadës, por do t’i shërbejë disa nëpunësve të nivelit të mesëm dhe drejtuesve të lartë. Ky trajnim për mënyrën e të folurit në publik, do të zgjasë vetëm 2 ditë, ndërsa numri maksimal i pjesëmarrësve do të jetë 15-16 zyrtarë të Bashkisë së Tiranës. Sipas pretendimeve të Veliaj, pas këtij trajnimi, zyrtarët e Bashkisë së Tiranës duhet të jenë të aftë që të hulumtojnë dhe kuptojnë më mirë audiencën e tyre, të organizojnë fjalime, të përdorin entuziazmin për të tërhequr dhe bërë për vete audiencën, të përdorin gjuhën e trupit për më shumë ndikim tek audienca, të flasin me besim tek vetja, të përdorin mjetet ndihmëse vizuale dhe të programojnë kohën e prezantimit si dhe të menaxhojnë situatat armiqësore ose jo bashkëpunuese, që mund të krijohen nga audienca. Pra, pas tenderit qesharak priten të dalin disa “Mini Veliaj”, të cilët do të nisin fushatën propagandistike, duke mbajtur fjalime me teknikat e mësuara. Aparati i marrëdhënive me publikun, mediat dhe PR në Bashkinë e Tiranës është shumë herë më i madh në personel, duke lënë pas edhe institucionet më të rëndësishme si Kryeministria, Presidenca etj. Ish-redaktorë, ish-gazetarë, regjizor, skenarist, kranist, dronist, ndriçues dhe montazhier krijojnë përditë kronika të gatshme për televizionet. Kamera të fundit dhe aparate profesionale përdoren për të krijuar një imazh tjetër nga realiteti. “Aktori” kryesor, Veliaj, shihet në shumë pozicione, me fëmijë në krahë, me qen, duke shërbyer, duke gatuar, me të moshuar, duke lëvizur divanin, me lopatë, kazëm, sëpatë, me mendje dhe pa mendje. Këto janë imazhet që përcjell në ekran çdo ditë, kryebashkiaku i Tiranës, madje edhe nëse nuk ndodhet fizikisht në Shqipëri. Kronikat e gatshme u shpërndahen TV apo portaleve që ka nën kontroll, ndërsa kryebashkiaku shfaqet, duke punuar 7 ditë të javës dhe 24 orë në ditë. Kontrolli i tij i frikshëm i mediave, tejkalon çdo perceptim…mjafton të shohësh edicionet informative, ku nuk sheh asnjë kritikë ndaj Veliajt. Akush nuk flet për kullat shumëkatëshe, askush nuk ankohet për rritjen e çmimit të ujit, transportit urban, taksave vendore, askush nuk flet për miliona euro koncesione që i jep klientëve të tij. Ky politikan “i paprekshëm”, i cili i ka mbyllur gojën edhe opozitës, është shembulli më i mirë për të kuptuar se: Veliaj është simboli i fasadës, por jo i punës. /TPZ.AL

Dy yjet e City, afër marrëveshjeve të reja

Ndërkombëtari i Belgjikës, De Bruyne 26 vjeç, nënshkroi një marrëveshje gjashtëvjeçare, kur iu bashkua Manchester City nga Wolfsburgu për një rekord të klubit anglez, 55 milionë paundë, në vitin 2015. Tashmë, drejtuesit e “qytetarëve” dëshirojnë të njohin performancat e shkëlqyera të De Bruyne në radhët e tyre, duke menduar zgjerimin e kontratës së tij. “Unë jam shumë i lumtur dhe nuk kam ndjenjë të shkoj askund tjetër”, tha De Bruyne. Ish-lojtari i Chelsea ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhënë tetë asiste në Premier League, këtë sezon. Ai tashmë është një konkurrent kryesor për lojtarin kryesor të vitit në Angli. Manchester City, gjithashtu, pret që të bjerë dakord për një kontratë të re me mesfushorin brazilian, Fernandinho, marrëveshja e të cilit përfundon në fund të sezonit.

City ka hyrë në garë për Griezman

Raportohet se Manchester City ka pasur një kontakt me sulmuesin e Atletico Madrid, Antoine Griezman, rreth një kalimi të mundshëm të francezit në “Etihad Stadium”, në fund të sezonit. Griezman ishte shumë pranë kalimit te Manchester United, gjatë verës së kaluar, por marrëveshja nuk u arrit sepse Atletico Madrid mori një “embargo” nga FIFA në merkato dhe u detyrua të mbante në skuadër francezin. Por në janar kjo “embargo” nuk do të jetë më dhe Atletico do të zyrtarizojë blerjen e Diego Costa, duke i hapur rrugën largimit të Griezman në qershor, ashtu si duket se kanë rënë dakord të dyja palët.
Shtypi francez shkroi në fillim të kësaj jave se Barcelona e kishte arritur marrëveshjen në parim me futbollistin dhe po bëhet gati të paguante 90 milionë euro te Atletico Madrid, por gazeta katalanase “Sport”, dje ka shkruar se Manchester City ka biseduar me futbollistin dhe ai do të ishte gati të vihej nën urdhrat e Pep Guardiola. Kësisoj, pas Manchester United dhe Barcelonës, duket se edhe City ka hyrë në garën për të marrë shërbimet e 26-vjeçarit. Griezman ka shënuar vetëm 3 gola në 13 ndeshje të luajtur me Atletico Madrid në këtë sezon dhe ka një vlerësim 80 milionë euro në “Transfermarkt”.

Lewandowski: S’mund të mendojmë për Krishtlindjet

Robert Lewandowski ka kërkuar që Bayern Munich të mos humbasë vëmendjen tani, teksa po përgatitet për dy ndeshjet e fundit, përpara pushimit dimëror. Skuadra e drejtuar nga Jupp Heynckes fitoi 1-0 të mërkurën, në sajë të golit të minutës së 60-të të Lewandowskit, për të shkuar nëntë pikë distancë në krye të Bundesligës. Loja e tyre e fundit e Bundesligës për 2017, të shtunën, i sheh bavarezët duke udhëtuar drejt Shtutgartit, para se Bayern Munich ta mbyllë vitin kundër Borussia Dortmund në “DFB-Pokal”, katër ditë më vonë.
“Ne nuk mund të mendojmë për Krishtlindjet, akoma”, citohet Lewandowski nga “Sport Bild”. “Duhet të jemi të kujdesshëm në ndeshjen finale të vitit kundër Dortmundit. Ne e dimë se kemi luajtur dhe kemi humbur dy herë këtu, në Mynih, në Kupën e Gjermanisë kundër Dortmundit, në vitet e fundit. Tashmë kemi kaluar me sukses Leipzig në kupë, por po vjen Dortmundi, kështu që duhet t’i bëjmë llogaritë me dy kundërshtarët më të mirë në Gjermani. Duhet të qëndrojmë të fokusuar dhe fizikisht të japim gjithçka që kemi”, u shpreh Lewandowski.

Luhet “Der Klassiker”

Shorti i Kupës së Gjermanisë ka qenë i pamëshirshëm, duke vënë përballë njëra-tjetrës Bayern Munich dhe Borussia Dortmund në 1/8-at e këtij kompeticioni. Megjithatë, bavarezët mund të jenë të kënaqur për faktin se do të kenë mundësinë të eliminojnë kërcënimin e tyre më të madh, edhe duke parë se verdhezinjtë nuk po kalojnë një moment shumë të mirë. Ky nuk ka qenë një sezon perfekt për Bayern, por ata kanë arritur të gjejnë formulën e fitoreve nën drejtimin e trajnerit Jupp Heynckes, i cili ka rritur nivelin e lojës së kampionëve në fuqi të Gjermanisë pasi mori vendin e Carlo Ancelotti-t. Bayern do të paraqitet në “Der Klassiker” pas pesë fitoreve radhazi të marra në të gjitha kompeticionet, duke përfshirë këtu edhe fitoren e bukur 3-1 të marrë në Champions League kundër Paris Saint-Germain.
Lojtarët e Heynckes i kanë fituar në ndeshjet e fundit edhe pa pasur nevojë të shënojnë shumë gola. Kjo ka ndodhur edhe falë një mbrojtjeje solide që nuk ka pësuar asnjë gol në tri ndeshjet e fundit të fituara me rezultatin 1-0 kundër Frankfurt, Koln dhe Stuttgart. Ndërkohë, Borussia Dortmund, kampionia në fuqi e Kupës së Gjermanisë, nuk po zhvillon një sezon shumë të mirë. Por, nën drejtimin e trajnerit të Peter Stoger, ata duket se janë kthyer në rrugën e duhur, siç tregojnë edhe dy fitoret e marra në dy ndeshjet e fundit të kampionatit. Pierre-Emerick Aubameyang dhe Christian Pulisic kanë realizuar dy golat që i kanë dhuruar verdhezinjve një fitore të rëndësishme 2-1 kundër Hoffenheim në javën e fundit të kampionatit.
Shifra dhe fakte
– Dortmund ka marrë një fitore befasuese 2-3 kur këto dy skuadra janë përballur në gjysmëfinalen e edicionit të kaluar të Kupës së Gjermanisë.
– Hakmarrja e bavarezëve erdhi në Superkupën e Gjermanisë, të fituar pas gjuajtjes së penalltive. Gjithashtu, Bayern mori një fitore bindëse 3-1 në ndeshjen e këtij kampionati të luajtur në “Signal Iduna Park”.
– Bayern ka dominuar përballjet me Dortmund, siç tregojnë 52 fitoret e marra në 110 ndeshje të luajtura kundër verdhezinjve, të cilët kanë fituar vetëm 29 takime.

 

Juve, Dybala rikthehet titullar kundër Genoas

Pas dy startimeve radhazi nga stoli, kundër Interit dhe Bolonjës, mund të “rigradohet” në formacion Paulo Dybala. Argjentinasi i Juventusit është në kërkim të shpengimit, pas “përjashtimeve” për zgjedhje teknike nga Allegri, i cili foli për qetësi dhe rifitim të xhevahirit të tij. Në ndeshjen e së mërkurës në mbrëmje, në stadiumin “Allianz”, mes Juventusit dhe Genoa, e vlefshme për raundin e radhës të Kupës së Italisë, Dybala do të luajë me siguri nga fillimi. Kjo favorizohet edhe nga fakti se Mandzukic dhe Cuadrado janë të lënduar. Kroati është kthyer nga një plagë (trembëdhjetë qepje), pas një përplasjeje në lojë me Mbaye dhe është gjithashtu në rrezik për Romën. Kolumbiani nuk është shëruar ende nga lëndimi në ijë, çka e detyron atë të humbasë garën kundër Verdit dhe shokëve të tij.
Kësisoj, Juventusi po shkon drejt një “tridenti” të përbërë nga Dybala dhe njërit mes Douglas Costa dhe Bernardeschi, duke pasur përpara në majë Higuain. Përveç një vendi si titullar, Dybala mund të ketë të gjetur qetësinë e jetës së tij private. Siç raportohet nga “Tuttosport”, e zakonshmja darkë e Krishtlindjeve, e organizuar nga Juventusi, e pa atë me të dashurën Antonella, me të cilën u kthye pas ndarjes së verës. Të dy u ulën në të njëjtën tavolinë, si presidenti Agnelli. Sigurisht, jo gjithçka ishte një rastësi. I vetmi shënim negativ përfaqësohet nga menaxhmenti i familjes së Dybala, i përfaqësuar nga vëllai i tij më i madh, Mariano, që nuk vlerësohet nga Juventusi. Sipas “Il Corriere della Sera”, pati edhe një takim mes Marianos dhe PSG-së, me gjigantët francezë që e shohin argjentinasin si zëvendësim për Neymarin, në rast të kalimit të brazilianit te Real Madrid. Një marrëdhënie midis palëve, që nuk është edhe aq idilike.

Julio Cezar, portieri që përgatit rikthimin!

Julio Cesar është gati të rikthehet në fushat e lojës. Pak javë pasi i dha lamtumirën futbollit, pasi e mbylli para kohe aventurën me Benfica-n, erdhën disa oferta të tjera në drejtim të numrit 1 nga Brazili, që mund ta shtyjnë të veshë sërish këpucët që vendosi t’i varë në gozhdë rreth një muaj më parë. Ish-portieri i Inter dhe kombëtares braziliane mund të rikthehet në atdhe me fanellën e Flamengo-s dhe gjithashtu i pëlqen disa skuadrave në Kinë. Gjithsesi, orët e fundit vjen edhe mundësia për ta mbyllur karrierën në Itali. Cesar ka ende shtëpi në Milano dhe nuk i dihet… në janar dikush mund të mendojë për të.

Inter, De Vrij, mund të vijë me parametra zero

Gara dhe rivaliteti mes Interit dhe Juventusit mund të jetë edhe jashtë fushës së blertë. Qëllimi i përbashkët i tyre është Stefan de Vrij, kontrata e të cilit me Lazion skadon më 30 qershor. Bardhezinjtë duket se kanë pajtim me ardhjen e tij të sigurtë, të planifikuar për sezonin e ardhshëm, por shpërthimi i Benatias, në “gdhendje” për një rol udhëheqës në mbrojtjen torineze, që ka pësuar zero gola në gjashtë sfidat e fundit, mund ta ndryshojë skenarin. Siç është raportuar nga “La Gazzetta dello Sport”, De Vrij nuk do të jetë i gatshëm për të pranuar propozimin e rinovimit me Lazio (2,5 milionë deri në vitin 2021). Interi do të ofrojë një kontratë 5-vjeçare për De Vrij, me 3.5 milionë, plus bonuset, në sezon. Për këto të fundit do të nevojitet dritë jeshile e Suning.
Megjithatë, në “Appiano Gentile” ekziston një optimizëm i vërtetë. Holandezi qendror nuk është objektivi i vetëm për merkaton e janarit: në fokus mbetet Ramires (por fiton 10 milionë euro në sezon), në pronësi të Jiangsu Suning. Braziliani do të kontrollohej në orët e fundit nga Bayern Munich, i cili hap skenare të paparashikueshme për Arturo Vidal. Kilenin, Inter ende e konsideron një mundësi më tepër se futuriste, edhe pse deri më tani nga Bavaria kanë ngritur një “mur 40 milionësh”, duke refuzuar Interin të propozojë huazim dyvjeçar, me detyrim të blerjes përfundimtare, që të mos bëjë më tepër barrë në buxhetin aktual.

David Luiz, dëshira e Wengerit

Mbrojtësi brazilian ka rënë në një situatë të disfavorshme në “Stamford Bridge”, pas një ftohjeje me trajnerin Antonio Conte, me marrëdhënien e tyre ende jo e shëruar plotësisht. Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, po kërkon përforcime në mbrojtjen e tij në merkaton e janarit dhe “Express Sport” kupton që David Luiz, 30 vjeç, është vënë në krye të listës së kandidatëve të ardhshëm. Luiz është, gjithashtu, një objektiv për trajnerin e Manchester United, Jose Mourinho, por një mori klubesh të tjera kanë qenë të lidhura me brazilianin ndërkombëtar, përfshirë Juventusin dhe Real Madridin. Ajo që apelon tek Wenger është se Luiz mund të luajë si një mesfushor apo mesfushor mbrojtës, ka përvojë të gjerë në Premier League dhe Champions, ndaj mund të integrohet shpejt dhe mirë në ekipin e tij.
Luiz ka pasur takime me Conten për të provuar dhe zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre, që kur u dërgua në tribunë pas humbjes së Ligës së Kampionëve 3-0 në Romë. Trajneri i Chelsea ka thënë se dëshiron që braziliani të kthehet në skuadrën e tij, por Luiz ka kërkuar aktivizim të rregullt në ekipin e parë. Megjithatë, vendi i Luizit te Chelsea tani duket se është marrë nga mbrojtësi i talentuar i ri danez, Andreas Christensen, të cilit drejtuesit e klubit po planifikojnë t’i dorëzojnë një kontratë të përmirësuar në vitin e ri. Kur u pyet për të ardhmen e Luiz në klub, Conte tha javën e kaluar: “Nuk e di. Andreas Christensen është e tashmja dhe e ardhmja për Chelsea”.