31.5 C
Tirana
E diel, 13 Korrik, 2025

Trafikanti i drogës me shefat e policisë pas vrasjes në Shkodër

Një punonjës i Policisë së Shkodrës bën të ditur se, pas vrasjes së shtetasit Angjelin Shkami mëngjesin e të dielës në makinë qëndron një trafikant droge i lidhur me shefat e policisë. Oficeri i policisë i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha ku shkruan se, në vendin e ngjarjes ishte Bardhok Plani, një person në kërkim i njohur për trafik droge dhe për lidhjet me Mark Frrokun. Ai shton se, Plani qëndronte në vendin e ngjarjes, duke folur në telefon i shqetësuar dhe duke komunikuar me shefat e policisë aty.
“Narkotrafikanti, famozi në kërkim Bardhok Plani, lidhje direkt e Noriegës, udhëheq Policinë e Shkodrës! Lexoni mesazhin e inspektorit dixhital”, shkruan Berisha.
“Mirmrama doktor, të uroj t’jesh mirë. Unë që po të shkruaj jam një punonjës policie të qytetit Shkodër. Dua të denoncoj një rast që ka ndodhur në qytetin e Shkodrës sot ku është vrarë një person në makinë. Me të shkuar në vendngjarje morëm çdo masë nga ana ligjore për shoqërimin e dëshmitarëve në vendngjarje deri këtu është krejt mirë. Por pas pak kohësh vumë re në vendngjarje ishte shtetasi Bardhk Plani një kontigjent policie i njohur në mbarë vendin për trafik lëndësh narkotike si lidhje e Mark Mark Frrokut, i cili ka qenë në automjet me atë kur i shpëtoi arrestimit dhe u lirua me urdhër direkt të Edi Ramës.
Megjithëse gjoja ishte në kërkim nga policia, sot ai po rrinte me telefon në dorë dhe shumë i shqetësuar, madje duke kërkuar informacion tek shefat e policisë, dhe duke bërë ekspertin në vendngjarje. Ne si punonjës policie nuk arrijmë me ba detyrën, pasi ky person asht lidhje e fortë e politikës, si dhe ka aktivitet kriminal në trafikun ndërkombëtar të drogës. Këtij shtetasi sot në vendngjarje ju bahet sehir nga shefat e policisë, duke mos mundur me marrë mundimin as për ta shoqëruar si dëshmitar në vendngjarje, ose person që tregon rrethanat e ngjarjes, pasi ashtë lidhje direkte ose indirekte me viktimën. Po t’i dërgoj dhe 2 foto që vërtetojnë se ky person kontigjent i krimit qëndronte në vendngjarje me punonjës policie”, shkruan oficeri i policisë.
Angjelin Shkambit u ekzekutua mëngjesin e së dielës pranë varrezave në Grudë të Shkodrës. Autori i dyshuar i vrasjes është Artan Koçeku, një i dënuar me burg për vjedhje, i cili ishte duke shlyer dënimin në Burgun e Fushë-Krujës. Por ndërsa kishte marrë leje nga institucioni i riedukimit, Koçeku ka marrë gjithë masat të kryejë një tjetër krim.
Ai ka ekzekutuar me dy plumba pistolete, njërin në kokë dhe tjetrin në trup Angjelin Shkambin, i cili u gjet i pajetë në automjetin e tij tip “Benz”, mëngjesin e së dielës. Edhe viktima, kishte qenë i dënuar më parë për trafikim dhe kultivim narkotikësh dhe kishte dalë nga burgu në prill të këtij viti. Policia ende nuk ka mundur të arrestojë autorin e ngjarjes.

Orest Sota kërkon lirimin nga qelia

Gjykata për Krimet e Rënda shtyn për në 21 dhjetor shqyrtimin e kërkesës së Orest Sotës për ndryshimin e masës së sigurisë së caktuar ndaj tij “arrest në burg” me një masë më të butë. Shkak i shtyrjes së seancës u bë mosprania në gjyq e avokatit Fatmir Braka. Në sallë ishte avokati Julian Mertiri, por Sota, përmes një deklarate të lëshuar nga burgu, kërkonte të përfaqësohej nga Braka.
Orest Sota u arrestua në fillim të muajit nëntor në Elbasan, pasi nuk iu përgjigj thirrjes së policisë për të ndaluar. Më pas policia konstatoi se ai nuk kishte leje drejtimi mjeti, ndërsa gjeti në makinën e tij 863 mijë euro dhe dy patenta lundrimi në emër të ish-ministrit Saimir Tahiri.

500 mijë euro trafik kanabisi dhe kokaine nga Shqipëria në Greqi

Policia greke ka njoftuar asgjësimin e një organizate kriminale që trafikonte sasi të konsiderueshme kanabisi dhe kokaine në zona të ndryshme të Greqisë. Shumica e 21 pjesëtarëve të organizatës janë greke, ndërsa dy prej tyre shqiptarë. Njëri nga shqiptarët sillet si kreu i organizatës dhe aktualisht ndodhet në burgjet greke. Sipas komunikatës së policisë, të paktën që nga maji i këtij viti, organizata trafikonte kanabis dhe kokainë në zona të ndryshme të Athinës Perëndimore, si dhe në ishujt Salamina, Korfuz dhe Karpathos.
Vlerësohet se gjatë këtyre muajve, organizata kishte trafikuar 63 kilogramë kanabis dhe 4 kilogramë kokainë. Policia thotë se fitimi i organizatës e kalon shifrën 500.000 euro. Gjatë kontrolleve të ushtruara në gjithsej 20 banesa, u gjetën dhe u sekuestruan ndër të tjera 15,3 kg kanabis; 38 gr kokainë; një shumë parash prej 7.500 eurosh; dy pistoleta dhe 220 fishekë të kalibrave të ndryshëm; 5 vula, tri prej të cilave u përkisnin shërbimeve publike; 65 telefona celularë; 18 automjete; 4 motoçikleta dhe 6 peshore precizioni. Policia po vazhdon hetimet për identifikimin dhe arrestimin edhe të pjesëtarëve të tjerë të organizatës kriminale.

Dëshmia: Policët më tërhoqën zvarrë e më lanë në mes të rrugës

Dhjetëra qytetarë u dhunuan barbarisht nga forcat e policisë ditën e djeshme pse po protestonin para Parlamentit. Mjaft protestues janë qëlluar me shkopinj gome dhe sende të forta nga forcat e policisë, duke mbetur të gjakosur. Në portale u publikua fotografia e një protestuesi të gjakosur nga dhuna policore. Qytetari i gjakosur kishte ardhur për të protestuar paqësisht para Parlamentit, por u qëllua barbarisht nga banditët me uniformë policie.
Dhunës policore nuk i kanë shpëtuar as gratë e vajzat. Dëshmitarët në protestë treguan se, një vajzë është goditur me shkop gome nga policia dhe ka humbur ndjenjat.
Një prej protestuesve të dhunuar nga policia gjatë protestës para Parlamentit ka rrëfyer momentet, kur ajo është goditur dhe marrë zvarrë nga forcat e policisë. E plagosura ka treguar se është tërhequr zvarrë nga policët dhe është lënë në mes të rrugës, pa iu dhënë ndihmë fare.
“Jam dhunuar padrejtësisht. Kam dalë për të protestuar për të drejtat e mia. Jam gjendur përballë policisë dhe e kam krahun e mpirë dhe të ënjtur. Unë jam e dhunuar pa asnjë shkak nga forcat e policisë. Më kanë shkelur me këmbë, mezi eci në këto momente. Jam dhunuar jashtë mase. Jam tërhequr zvarrë nga policët dhe më kanë lënë në rrugë të madhe pa më çuar në spital. Më lanë aty pa asnjë ndihmë. Unë nuk e mbaj mend momentin se kam qenë pa ndjenja. I falënderoj jashtë mase ata që m’u gjendjen afër. I bëj thirrje shtetit të verë para drejtësisë, policët që më dhunuan”, ka thënë qytetarja për “FaxNeës”.
Po ashtu, policia ushtroi dhunë edhe ndaj deputetes së LSI, Floida Kërpaçi. Ajo doli përpara mediave dhe deklaroi se është gjakosur pas një konfrontimi me policinë. Më herët, kamerat kishin filmuar një vajzë të shtrirë mes turmës, ndërsa dëgjoheshin thirrjet e saj për ndihmë. Deputetja ka pohuar se vajza është lënduar nga policia.

Pas dhunës policia arreston disa protestues

Sapo përfundoi protesta para Parlamentit, policia nis arrestimet. Bëhet e ditur se, policia arrestoi 5 persona mesditën e djeshme, por në mbrëmje janë shoqëruar edhe disa protestues të tjerë në Komisariatet e Policisë së Tiranës. Pasi përfundoi protesta, policia rrethoi me shirita të gjithë zonën para Parlamentit për të kërkuar objekte apo sende që mund të fajësojnë protestuesit e arrestuar.
Në vend të protestuesve aty ndodhen vetëm policë e ekspertë të kriminalistikës që rrethuan me shirita hapësirën para Parlamentit, duke e cilësuar kështu “vendngjarje”. Burimet bëjnë të ditur se do të ketë një hetim për këtë rast nga policia për të arrestuar edhe protestues të tjerë.
Po ashtu, policia arrestoi edhe dy aktivistë të LSI, pasi protestuan në Aeroportin e Rinasit gjatë kohës, kur Kryeministri nisej për në Bruksel. Policia ka penguar protestuesit dhe ka patur edhe një përplasje mes tyre. Aktualisht janë shoqëruar në polici, Dejana Kallogjeroviç dhe Ira Vejsiu, anëtare të LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Policia fotografon protestuesit para Kuvendit

Përgjatë gjithë kohës që u zhvillua protesta para Parlamentit, Policia ka fotografuar protestuesit. Një punonjës policie kishte hipur tek Xhamia e re që po ndërtohet poshtë Parlamentit dhe fotografon personat në protestë. Këto foto do të përdoren nga policia për të arrestuar qytetarët, që morën pjesë në protestë.
Krahas dhunës dhe terrorit policia po kërcënon qytetarët me arrestime që të mos dalin në protesta paqësore. Bëhet e ditur se, gjatë gjithë kohës në zonë ekspertët e FNSH-së kanë filmuar e fotografuar protestuesit.
Mijëra qytetarë u mblodhën dje para sallës së Parlamentit, duke kundërshtuar zgjedhjen e Kryeprokurores së Përkohshme vetëm me votat e mazhorancës. Ndërsa pritej të niste seanca plenare, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga opozita e bashkuar, e gjithë zona përballë Parlamentit u mbush me protestues.
Policia u përplas me protestuesit, duke ushtruar dhunë ndaj tyre. Megjithë dhunën dhe terrorin e ushtruar nga policia, protestuesit vijuan protestën deri në përfundim të saj.

R.POLISI

Kryeprokurorja e Ramës është kallëzuar për 3 vepra penale

Arta Marku që u zgjodh dje në krye të Prokurorisë së Përgjithshme me 69 vota të Partisë Socialiste rezulton e kallëzuar penalisht në korrik të vitit 2008. Lapsi.al publikoi dje dokumentin që e fakton këtë gjë. Prokurorja e Shkodrës akuzohet për tre vepra penale pas një inspektimi të bërë nga Ministria e Drejtësisë, e cila asokohe drejtohej nga Enkelejd Alibeaj. Në kohën që ka qenë prokurore në Shkodër, Arta Marku ka lënë padrejtësisht në burg për 2 muaj dhe 13 ditë shtetasin Arben Ndoja.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, ajo ka konsumuar këto vepra penale. ‘Heqje e padrejtë e lirisë’, ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Kryerja e veprimeve arbitrare ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve’.
Sipas Kodit Penal, për këto vepra dënimi është si më poshtë:
Dënim me gjobë deri në një vit burg për ‘Heqje të paligjshme të lirisë’.
Burgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqind mijë deri në një milion lekë për ‘Shpërdorim detyre’.
Gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet për “Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve”.
Arta Marku do të mbahet mend si kryeprokurorja e zgjedhur mes tymit dhe flakës në Kuvendin e Shqipërisë. Në seancën e sotme, deputetët e opozitës hodhën tymuese në sallë dhe sende të tjera kundër Kryeministrit. Opozita thotë se Rama kërkon të kapë sistemin e drejtësisë dhe të mbyllë dosjet e korrupsionit.
Ndërkohë pavarësisht këtyre akuzave, ndërkombëtarët janë reshtuar pro qeverisë. Pas zgjedhjes së Arta Markut në krye të organit të akuzës, ambasada e SHBA bëri një deklaratë ku dënoi aktet e dhunës, si dhe shfrytëzoi sërish rastin për të sulmuar Adriatik Llallën, të cilin e cilësoi si kryeprokurori që hezitoi të hetonte politikanët.
Arta Marku u përfol që prej momentit të parë që kandidoi si e zgjedhura e Ramës. Ajo është nxitur dhe mbështetur për kandidimin prej Ulsi Manjës, kreu i Komisionit të Ligjeve dhe zyrtarë të tjerë të mazhorancës. Në dokument faktohet kallëzimi penal i bërë ndaj Arta Markut gati 10 vjet më parë.

Në Vdekjen e Republikës së Tretë

Nga Carloalberto Rossi

Dita e 18 dhjetorit 2017 do të mund të kujtohet në librat e historisë shqiptare si dita në të cilën Edi Rama më në fund ja doli, deklaroi të vdekur Republikën e çalë kushtetuese të periudhës së tranzicionit post komunist dhe u shpall nga Parlamenti shef i padiskutueshëm i Shqipërisë.
Pas Principatës së paqendrueshme të Vidit, Republikës të paqendrueshme të Fan Nolit dhe Ahmet Zogut, mbretërisë kukull të të vetëshpallurit Mbreti Zog, mbretërisë së importuar të Vittorio Emanuelit III, Republikës autoktone Popullore Socialiste të Enver Hoxhës, mbaroi edhe republika kushtetuese dhe demokratike e Tranzicionit, e treta në rend pasues, e dyta për nga jetëgjatësia pas Republikës Popullore Socialiste, dhe një lloji i ri shteti dhe qeverie pritet të sundojë këtë vend të trishtë.
Titullin e saktë me të cilin i pakundërshtueshmi Edi Rama do të mbretërojë mbi fatet e vendit do ta thotë historia, por më i mundshmi është ai i “Sulltanit Estetik, Mbret i Palmave, Zoti i Gënjeshtrave, Zhgënjyes i Madh i Besimtarëve” ose dhe me atë më të thjeshtin “Zot i Vetvetes, Kalifi i Surrelit, Papa i Ballkanit, Patriarku i Madh i Ilirisë”.
Mënyra me të cilën do të mbretërojë mbi vendin do të jetë e qartë që sot, instalacione në vend të infrastrukturës, propagandë në vend të vendeve të punës, dekrete në vend të ligjeve, platforma informatike në vend të ministrive, lolo në vend të këshilltarëve, ekspozita me piktura në vend të diplomacisë, koncerte në vend të Kuvendit, drogë në vend të bukës.
Garda e tij do të jenë valkiriet e gatshme për sakrificë, si ato të Gadafit, por nuk do të ketë ushtri dhe as polici, sepse për herë të parë në botë, mbretëria e tij nuk do të ketë qytetarë dhe as subjektë të nënshtruara, kështu që nuk nevojitet polici për të ruajtur rendin. Të gjitha gratë e vendit do të kenë titullin e ministrit, ndërsa burrat do të jenë të gjithë në emigracion, ose nëpër kafe.
Vendin e tyre do ta zënë një turli artistësh të dështuar, ish-kryeministrash luftarakë dhe ndonjë miliarder i nxehur.
Diçka e ngjashme ka ndodhur më 1 shtator 1928 me vetëshpalljen Mbret të Ahmet Zogut, deri në atë moment President i Republikës. Edhe atëherë historia përfundoi me xhuxha dhe balerina, oborrtarë dhe financime të huaja të pakthyera kurrë, palaço oborri dhe demagogji të ulët, për të kulmuar me ndërhyrjen e italinëve në 7 prill 1939 (në të vërtetë një operacion i madh për të rimarrë kreditë ndërkombëtare), me Zogun në arrati me atë që mbetej në shtëpi, dhe Mujo Ulqinaku si i marrë që gjuante kundër të ardhmes së vetme të mundshme.
Por atëherë gati e gjithë Evropa marshonte nën komandën e diktatorëve përkatës, dhe një malësor i vetëshpallur mbret nuk turpëronte më askënd, përkundrazi Italisë fashiste i shkonte për shtat, të blije vetëm një kushtonte më pak se t’i bindje të gjithë. Dhe i erdhi për mbarë të investonte një det me para (në vetëm katër vjet investoi sa prodhimi i Shqipërisë i dhjetë viteve të sotme) dhe vuri rregull dhe ligje për përfitimet e veta perandorake.
Shumë fjalë, Luftë Greqisë, Shqipëria e Madhe, Mbrojtës i Kristianizmit, më pas përfunduam të gjithë si mos më keq; shqiptarëve iu ra për pjesë komunizmi dhe miti i Mujo Ulqinakut, italianëve, si gjithmonë më me fat, u ra për pjesë Demokracia-Kristiane dhe miti amerikan.
Ndërsa sot Italia nuk ka më asnjë qindarkë, dhe të paktën nuk ka më as ëndrra perandorake, dhe ashtu e dobët siç është zgjedh të flejë e mërzitur dhe të korruptohet brenda shtëpisë së saj.
Duhet që dikush ta lajmërojë Sulltanin: pa Fashizmin në Itali, nuk mundet t’ja dalë dot.

Taulanti kërkon votat e munguara!

Enver Bytyçi

Taulant Balla është kapur me presh në duar. Ish-kryeministri Berisha publikoi fotografinë se si kreu i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, po shtyp butonin e një deputeti të munguar demokrat për të votuar prokuroren e përkohshme të Shqipërisë.
Kjo është kapje në krim, është kapje në flagrancë. Të votosh për llogari të dikujt tjetër është e dënueshme jo vetëm nga pikëpamja morale e politike, por edhe nga pikëpamja ligjore. Meqenëse Taulant Balla moralin dhe politikën i ka si bakllavë në tepsinë e Edi Ramës, do të duhej që prokurorja e zgjedhur të zbatonte një standard: Të jepte dorëheqjen! Nuk është në nderin e një të zgjedhuri të qëndrojë në detyrë, kur me figurë e me zë mbështetësi i tij/saj është kapur në falsifikim. Një prokurore e zgjedhur kësisoj, nëse do të kishte sadopak integritet dhe dinjitet, nuk do të rrinte asnjë minutë në detyrën e zgjedhur, pas një votimi antikushtetues dhe pas një besimi në tym e flakë! Natyrisht nuk është faji i saj pse një manipulator, edhe pse kryetar i grupit parlamentar të mazhoramcës, vjedh hapur votën e një kolegu të tij! Por ajo do të jetë në faj e bashkëpunëtore e Taulant Ballës, nëse pranon një detyrë me vota të falsifikuara!
Pastaj prokurori i zëvendësuar do të duhej të rikthehej në detyrë dhe të hapte menjëherë çështjen penale në ngarkim të Taulant Ballës. Sipas ligjit, ai duhet dënuar për falsifikim të votës, për imponim të vullnetit të tij në mënyrë klandestine për një deputet tjetër të opozitës, për mashtrim në votim, për shtrembërim të vullnetit të përfaqësuesve të sovranit popull.
Nëse nuk ndodhin këto, ky akt i turpshëm moral e politik, por edhe në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, duhet të trajtohet nga opozita si përpjekje e mazhorancës socialiste për të restauruar diktaturën në Shqipëri. Restauratorët e diktaturës në kupolën e Rilindjes, edhe pse të demaskuar në sytë e opinionit publik, nuk po ndalen në veprimtarinë e tyre për rrënimin e sistemit demokratik në Shqipëri. Në këto kushte, opozita ka një arsye më shumë jo vetëm të kërkojë ndjekjen penale të Taulant Ballës, por edhe të luftojë me të gjitha format për rivendosjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në Shqipëri, sipas modelit demokratik të shtetit të së drejtës. E drejta dhe manipulimi nuk shkojnë bashkë. Liria dhe grabitja e saj janë dy të kundërta që e përjashtojnë njëra-tjetrën. Taulant Balla grabiti lirinë e kolegut të tij deputet. Kush beson se ai nuk grabit edhe më tej lirinë e shqiptarëve?!

Akti i vjedhjes së kartave elektronike vepër penale

Akti i vjedhjes së kartave elektronike nga ana e Taulant Ballës përbën edhe një vepër penale. Deputetët e Partisë Demokratike denoncuan procesverbalin e votimit në Kuvend për Kryeprokuroren, ku vërtetohet falsifikimi dhe manipulimi i votës së deputetëve. Sipas procesverbalit, në votim kanë marrë pjesë me votë pro disa deputetë të opozitës, ç’ka vërteton vjedhjen e votës në Kuvend. Deputeti Genc Pollo e vlerësoi këtë votim të paligjshëm si dhe publikoi edhe foton ku karta e tij e votimit merrej nga kreu i socialistëve në Kuvend, Taulant Balla. “Këta falsifikojnë edhe emrin e tyre!!! Jo më votën time!!! Votimi i PPP i paligjshëm e i pavlefshëm!!!”, tha Pollo. Deputetja Jorida Tabaku tha se, ky votim është një puç kushtetues dhe për më tej i pavlefshëm. “Sot akti i zgjedhjes së PPP (Prokurorit të Përkohshëm të Përgjithshëm) përveçse një puç kushtetues ishte dhe një proces i falsifikuar. Të paktën në dy raste deputetët e Partisë Socialiste kanë marrë kartat dhe kanë votuar, duke e zhytur akoma dhe më shumë në paligjshmëri dhe antikushtetuetshmëri këtë proces. Ky proces nisi dhe bitisi si i pavlefshëm!”, tha Tabaku. Deputeti Ervin Salianji tha se do të ketë ndjekje penale për vjedhjen e votës së deputetëve në Kuvend. Sipas tij, kjo vjedhje ka delegjitimuar Kuvendin. “Ndjekje penale për vjedhjen dhe tjetërsimin e votës së deputetëve! Deputetë të mazhorancës vjedhin votën në sallën e Parlamentit; në prani të kamerave, të fotografëve dhe të çdo shqiptari që ndiqte këtë seancë. Mendoni çfarë kanë bërë me votën e qytetarëve. Mendoni çfarë kanë bërë dhe bëjnë me tenderat dhe aferat korruptive që janë në dokumenta që nuk i sheh dot publiku”, tha Salianji. “De-legjitimimi i Parlamentit të Shqipërisë u vulos edhe me këtë akt mbyllës të pa ndodhur kurrë më parë. Jo vetëm politika po mbarë opinioni publik, Shoqëria Civile dhe çdo zë i rëndësishëm duhet t’i japë vëmendjen e duhur këtij akti që shemb plotësisht shtetin së drejtës”, tha më tej ai. Për deputetin Tritan Shehu, votimi është nul dhe antikushtetues. Sipas tij, provat janë të pakundërshtueshme për tjetërsimin e votës së deputetëve në Kuvend. “Ajo që ka ndodhur sot në sallën e Kuvendit me kartat e deputetëve, e konfirmuar edhe në listën e votuesve për prokurorin, e nulifikon me prova të pa kundërshtueshme atë proces votimi. Ky proces, që filloi si antikushtetues u “asgjësua” qartësisht edhe teknikisht nga një manipulim banal. Nuk thonë kot, kush do t’i bëjë varrin tjetrit bie vetë brenda!”, tha Shehu. Edhe deputeti demokrat Luçiano Boçi në një reagim të tij shprehet: “Ky ishte votimi i grushtit kushtetues që kaloi në gijotinë demokracinë shqiptare.
Mazhoranca e gjitha “në këmbë” për të shkelur me këmbë Kushtetutën. Gramozi: “Për çështjen e Ramës e të kanabisit të jemi gati!: Deputetët: “Gjithmonë gati””.

Rama: Rëndësi ka që Kryeprokurori i ri u votua

Kryeministri Edi Rama doli përpara mediave, pasi vendosi me votat e mazhorancës, Prokuroren e Përgjithshme, znj Arta Marku. Mes kaosit, në tabelën elektronike u shfaqën 69 vota pro, 2 kundër dhe 2 abstenim. Po kështu mungoi Saimir Tahiri. Zoti Rama u pyet për këtë tkurrje të votave gjatë konferencës me gazetarët. I pyetur nga gazetarja: A i dini tradhtarët? Kishin 5 vota më pak sot në Parlament? Rama nuk u mundua shumë për përgjigjen, ndërsa tha se rëndësi ka që kryeprokurori i ri i përgjithshëm u emërua. Ç’a të them?! Sot e rëndësishme është që u votua edhe pse mes shisheve, këpucëve, trupave që fluturuan për të penguar votimin. Sot, Shqipëria ka Prokuroren e Përgjithshme me mandat të përkohshëm.

Nishani: Qeveria e futi vendin në një spirale të rrezikshme

Ish-Presidenti Bujar Nishani ka reaguar pas zgjedhjes së kryeprokurores së re me votat e 69 parlamentarëve. ‘Sot në mënyrën më të papërgjegjëshme qeveria e futi vendin në një spirale kaotike shumë të rrezikshme. Kushtetuta u gris, Parlamenti humbi legjitimitetin ligjor, politik dhe moral!’, shkruan ish-Presidenti Bujar Nishani në faqen e tij në Facebook. Edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, insiston në faktin se, Rama është krye i pandehuri po mbrohet përkohësisht, po mbrohet me paligjshmërinë. “Asnjë surprizë, apo jo?! Krye i pandehuri në detyrën e Kryeministrit ka nevojë për dhunë! Diktati është mbrojtja e vetme ku ai gjen strehë! Por përkohësisht! Besoj u pa qartë se sa i ligjshëm e kushtetues është Parlamenti!!! Insistoj: opozita nuk ka më asnjë punë në atë Parlament!”, shprehet Manjani.