17.5 C
Tirana
E shtunë, 12 Korrik, 2025

Taksat rekord që do paguani në Tiranë

Bashkia e Tiranës ka hartuar projektbuxhetin për kryeqytetin për vitin e ardhshëm, i cili do të diskutohet në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 21 dhjetor.
Në total, Bashkia planifikon që të ardhurat nga taksat e tarifat të arrijnë në 13 miliardë lekë, apo rreth 96 milionë euro, me një rritje prej 9.4% me bazë vjetore.
Duke përfshirë dhe transfertat e pakushtëzuara nga buxheti qendror dhe fondet e mbartura, buxheti i Tiranës në total parashikohet të arrijë në një nivel rekord prej 16.3 miliardë lekë (120 milionë euro), me një rritje prej gati 11% me bazë vjetore.

Rekord nga taksa e ndërtimeve

Peshën kryesore në të ardhurat e veta të Bashkisë Tiranë në 2018-ën parashikohet ta ketë taksa e ndikimit në infrastrukturë, nga e cila pritet të mblidhen 3.2 miliardë lekë (24 milionë euro), me rritje prej 18.5% me bazë vjetore. Taksa që bizneset paguajnë kur marrin leje ndërtimi, e cila prej vitit të kaluar u rrit në 8% të vlerës së shitjes, pritet të sjellë 25% të të ardhurave të veta të Bashkisë. 2018-ta është viti kur pritet të kulmojnë ndërtimet në kryeqytet, ndërsa në 2019 dhe 2020 pritet që të ardhurat nga infrastruktura të ulen përkatësisht në 2.7 dhe 2.5 miliardë lekë.

Dyfishohen e më pas katërfishohen taksat që familjarët do paguajnë për pronën

Zëri i dytë që sjell më shumë të ardhura është taksa mbi pasurinë e paluajtshme, të ardhurat nga e cila pritet të shënojnë një rritje të ndjeshme me 37%, për të arritur në 2.5 miliardë lekë. Familjet do të paguajnë 510 milionë lekë, dyfish në krahasim me një vit më parë, si rrjedhojë e rishikimit të formulës së taksës së pronës, mbi bazën e vlerës. “Me ndryshimet e fundit ligjore, të cilat marrin efekte nga data 1 prill e vitit 2018, taksa e ndërtesës do të marrë një tjetër vlerësim, duke u mbështetur tek vlera e banesave dhe % e caktuar për masën e taksës si për banesat dhe objektet e biznesit. Për këtë qëllim, në bashkëpunim me institucionet qendrore, por jo vetëm, ka filluar ngritja e bazës së të dhënave për krijimin e kadastrës fiskale si informacion vendimtar për përllogaritjen dhe mbledhjen e të ardhurave”, thuhet në relacionin e Bashkisë. Në 2019-ën, pagesa e familjarëve për taksën e pronës pritet të rritet edhe më tej, duke arritur në 850 milionë lekë (6.2 milionë euro), ose gati 4 herë më shumë se shuma që pritet të paguhet në vitin 2017.
Edhe bizneset do të paguajnë 2 miliardë lekë si taksa pronë, me një rritje prej 25% në krahasim me vitin e kaluar. Fatura do rëndohet sërish në 2019 dhe 2020, përkatësisht në 2.2 dhe 2.3 miliardë lekë.

Parkimi, 3.3 milionë euro

A e dini se për të parkuar në Tiranë qytetarët shpenzojnë rreth 3 milionë euro në vit. Sipas buxhetit të Bashkisë, shuma e pritshme për t’u arkëtuar në 2017-ën është gati 300 milionë lekë, që është më e lartë sesa ajo që do të paguajnë familjarët për pronën po përgjatë këtij viti. Parashikimi për vitin 2018 është që të ardhurat nga tarifa e parkimit të arrijnë në 450 milionë lekë (3.3 milionë euro). Në vitin 2015, të ardhurat nga parkimi ishin vetëm 71 milionë lekë. “Arkëtimi i tarifës së parkimit ka një rritje të dukshme, si rrjedhojë e riorganizimit të strukturave, mënyrës së arkëtimit dhe evidentimit në kohë të përdoruesve të parkimit në rrugët me pagesë, por dhe në sheshet e miratuara për parkim”, thuhet në relacionin e Bashkisë.

Taksa e arsimit

Nga taksa e përkohshme për infrastrukturën arsimore pritet të arkëtohen 892 milionë lekë, me një rritje të lehtë prej 1.2% me bazë vjetore. Gati 40% e kësaj shume do të paguhet nga familjarët dhe pjesa tjetër nga bizneset. Të ardhurat nga kjo taksë e përkohshme do të përdoren për projekrin e ri të ndërtimit të 19 shkollave të reja, thotë Bashkia në relacion.

Më pak nga tarifa për zënien e hapësirës

Të ardhurat nga tarifa për zënien e hapësirës pritet të vijnë në ulje, pas rritjes së ndjeshme që pësuan dy vitet e mëparshme. Ky zë pritet të jetë 490 milionë lekë, me një ulje prej gati 20%. Me rënie prej 10.5% janë dhe të ardhurat që pritet të mblidhen nga tarifa e pastrimit, që parashikohen në 2.1 miliardë lekë.

Si do shpenzohen paratë

Rritja e të ardhurave i mundëson Bashkisë që të shpenzojë më shumë për investime për kryeqytetin. Për vitin 2018 fondi total për shpenzime kapitale është 6.9 miliardë lekë ose 43% ndaj totalit të shpenzimeve, me një rritje prej 12% me bazë vjetore. Për vitet 2019 dhe 2020, buxheti i investimeve parashikohet në ulje, përkatësisht në 5.9 dhe 5.8 miliardë lekë.
Sipas relacionit të Bashkisë në vitin 2018 do të vazhdojë puna për ndërtimin e shkollave të reja dhe rehabilitimin e atyre ekzistuese, pyllin orbital, rrjetin minimal të biçikletave, rehabilitimin e lumit të Lanës, ndërhyrjet në infrastrukturën e qytetit dhe rehabilitimin e hapësirave publike, zgjerimin e bulevardit.
Lidhur me Bulevardin e ri, Bashkia thotë në relacion se momentalisht ka përfunduar ndërtimi i Parkimit Nëntokësor si dhe ndërtimi i segmentit të parë nga km 0+000 deri në km 0+400, të cilat janë duke u shfrytëzuar nga qytetarët e Tiranës. Ndërtimi i Parkimit Nëntokësor i ka shtuar qytetit të Tiranës rreth 305 vendparkime të reja, të cilat po menaxhohen nga Bashkia Tiranë. Gjithashtu është punuar në segmentin e dytë nga km 0+400 deri km 0+800 ku me përfundimin e shtresave asfaltike do të bëhet dhe hapja së shpejti e këtij segmenti për qytetarët e Tiranës. Po vazhdojnë punimet në segmentin e tretë nga km 0+800 deri në km 1+250 ku ka përfunduar rreth 80% e punimeve të ndërtimit. Projekti i “Ndërtimit të Bulevardit Verior të Tiranës” parashikohet të përfundojë brenda vitit 2018. Bashkia Tiranë, në bashkëpunim me Fondin e Abu Dhabit, ka rishikuar projektin e Bulevardit, duke prezantuar dhe projektin e ri për Parkun Qendror të Tiranës, i cili nuk ishte i parashikuar në projektin e vjetër.
Ndër të tjera, Plani i ri i Përgjithshëm Vendor i Tiranës parasheh një qytet me 5 qendra të reja urbane në Kombinat, Kinostudio, Laprakë, tek Bulevardi i Ri si dhe në Shkozë, thuhet në relacion.
Janë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme për të filluar punën në vitin 2018 për ndërtimin e dy terminaleve të rinj të transportit, Terminali Jug-Lindor i Tiranës, cili parashikohet të përballojë fluksin e autobusëve dhe furgonëve që hyjnë në Tiranë nga rr. e Elbasanit, përkatësisht autobusët që vijnë nga Korça, Pogradeci, Librazhdi, Përrenjasi dhe Elbasani si edhe autobusët që vijnë nga Maqedonia dhe Terminali tjetër, i cili parashikohet të përballojë fluksin e autobusëve dhe furgonëve që hyjnë në Tiranë nga qytetet jugore, veriore dhe veri-lindore.
Bashkia ka projekte edhe për rehabilitimin e Kopshtit Zoologjik, Piramidës, nxitjen e punësimit, fuqizimin e grave, ndihmës sociale, nxitjen e të rinjve drejt profesionit etj.
Një tjetër projekt është “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, me një fond prej 35 milionë lekësh, që parashikon pilotimin e ushqimit në shkolla të fillojë me shërbimin katering në 4 shkolla “Ardian Klosi” (ushqimi të financohet 100% nga Bashkia e Tiranës dhe të ofrohet shërbimi pas shkolle për të gjithë fëmijët); në shkollën e re 9-vjeçare “Betim Muça”, (ushqimi të merret me vete nga fëmijët dhe të ofrohet shërbimi pas shkolle për të gjithë fëmijët); Në shkollën 9-vjeçare “Hasan Tahsim” (ushqimi të financohet pjesërisht nga prindi në masën 50% dhe 50% nga Bashkia Tiranë si dhe të ofrohet shërbimi pas shkolle për të gjithë fëmijët); Në shkollën 9-vjeçare “Shkolla e Kuqe”, (ushqimi të financohet nga prindi në masën 100% si dhe të ofrohet shërbimi pas shkolle për të gjithë fëmijët). Gjatë zbatimit të këtij projekti pilot do të financohet nga Bashkia Tiranë ushqimi katering për të gjithë nxënësit që vijnë nga familje, të cilat përfitojnë ndihmë ekonomike në të 3 shkollat ku do të ofrohet ushimi me katering.

Peticioni, Kosova kërkon ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale

Në Kosovë veteranët e luftës së ish-UÇK-së, nisën nënshkrimin e një peticioni me anë të të cilit i kërkohet Kuvendit të Kosovës që ta ndryshojë Ligjin për Gjykatën Speciale për Krime Lufte në Kosovë. Sipas veteranëve, me ndryshimet e Ligjit, Gjykata Speciale duhet të merret edhe me krimet që serbët i kanë bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit dhe jo vetëm me të dyshuarit e etnisë shqiptare për “krime të pretenduara të UÇK-së”. Procedurat rreth funksionimit të Gjykatës Speciale tashmë kanë përfunduar dhe gjykata është e gatshme të nisë punën.
“Ne jo vetëm që u bëjmë thirrje deputetëve, thirrje që të kthehet në rishqyrtim dhe të mos i hapet kjo rrugë, por absolutisht ne jemi kundër një gjykate të tillë. Nuk ka diçka më degraduese dhe më fyese, jo vetëm për ata djem e vajza që me gjak, e luftën e tyre, na kanë sjellë deri këtu lirinë e kësaj pjese të atdheut, po mendoj se kjo është fyerja më e rëndë që i bëhet popullit shqiptar, jo vetëm në Kosovë, por popullit shqiptar në përgjithësi”, thota Xhavit Jashari, njëri nga udhëheqësit e veteranëve të UÇK-së.
Edhe nënkryetari i organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, thotë se “padrejtësia që i është bërë Kosovës duhet të korrigjohet”.
“Dëshira jonë është që Gjykata Speciale të mos kishte ndodhur fare, dhe punën e tyre ta kryejnë gjykatat e Kosovës, mirëpo pasi që ka ardhur puna deri këtu mendoj që Gjykata Speciale që tashmë është miratuar në Parlamentin e Kosovës nga legjislatura e kaluar është shkelje e të drejtave njerëzore. Kjo gjykatë i përngjan një gjykate të një kohe të fashizmit kur shpallej njëanshëm një popull fajtor”, thotë Nasim Haradinaj.
Shoqatat e veteranëve të dala nga lufta, janë të bindura se subjektet politike në Parlamentin e Kosovës do ta marrin parasysh kërkesën e tyre dhe do ta votojnë ndryshimin e këtij ligji. Peticionin duhet ta nënshkruajnë 10 mijë persona në mënyrë që Parlamenti i Kosovës të jetë i obliguar ta shqyrtojë kërkesën e peticionit.
Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Gjykata Speciale për krime lufte nuk do të shqyrtojë asnjë krim të kryer ndaj shqiptarëve dhe kjo sipas tij e bën atë një gjykatë etnike, ndaj ajo shihet me mosbesim nga shqiptarët. Presidenti thotë se “vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale erdhi më shumë si nevojë politike e aktorëve ndërkombëtarë, sesa për drejtësi të mirëfilltë.
“Kosova ka pranuar themelimin e Gjykatës Speciale në rrethana imponuese diplomatike ndërkombëtare, nga ana e partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës, me arsyetimin se duhet t’i kënaqin edhe aktorët e tjerë, në veçanti Rusinë dhe Beogradin, në mënyrë që kjo çështje të mos dërgohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, shprehet Presidenti Thaçi, duke theksuar se ai ka pranuar që ta udhëheqë këtë proces që ta ruaj partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
“Nga bashkësia ndërkombëtare na u premtua se do të mund të aplikonim për anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës, që do të ndodhte liberalizimi i vizave shpejt, që do të kemi mbështetje masive për anëtarësim në UNESCO, se do t’i themelojmë Forcat e Armatosura të Kosovës shpejt dhe se do të kemi njohje të reja. Kosova mbajti fjalën, themeloi gjykatën. Bashkësia ndërkombëtare, asnjë nga këto premtime nuk i realizoi. Përkundrazi, Kosovës iu vështirësua rrugëtimi euroatlantik”, pati thënë Presidenti Thaçi gjatë një prezantimi të një raporti për perceptimin publik rreth Gjykatës Speciale.
Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, Parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën Speciale, e cila ka selinë e saj në Hagë dhe ajo do të veprojë vetëm me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë. Tashmë çdo procedurë ligjore dhe administrative ka përfunduar dhe Gjykata Speciale ligjërisht është e gatshme të nisë punën. Nga hetimet e para të hetuesit të parë amerikan Clint Williamson, bëhej e ditur nga vet Williamson se “kjo gjykatë do të merret me të paktën 10 raste të dyshuara për krime lufte në Kosovë”.

200 milionë euro të bankave të bllokuara në gjykata

An employee of GSA Austria (Money Service Austria) holds wads of new 500 euro banknotes at the company's headquarters in Vienna July 22, 2013. The GSA delivers new and collects old currency for the Austrian National Bank. REUTERS/Leonhard Foeger (AUSTRIA - Tags: POLITICS BUSINESS TPX IMAGES OF THE DAY) - RTX11V1K

Mbi 200 milionë euro mjete të bankave komerciale janë bllokuar në lëndët gjyqësore, thonë udhëheqës të Shoqatës së Bankave të Kosovës. Kjo vlerë financiare llogaritet nga afër 10 mijë lëndë që ekzistojnë të pazgjidhura në këto gjykata.
Petrit Balija, udhëheqës i Shoqatës së Bankave të Kosovës ka thënë për Radion “Evropa e Lirë”, se vlera e mjeteve, të cilat nuk janë në qarkullim në tregun e Kosovës, ndikon edhe në zhvillimin e veprimtarive të bankave komerciale që veprojnë në Kosovë.
“Duke pasur parasysh nevojën më të madhe për kreditim dhe nevojën e madhe për zgjerim ekonomik të Kosovës, 200 milionë euro kanë një ndikim të madh në sektorin bankar. Kjo sigurisht e vështirëson edhe kreditimin, sepse edhe risku ngrihet në rastin kur gjyqësori nuk funksionon”.
Ekspertë për çështje ekonomike, ndërkaq thonë se, pikërisht sistemi i drejtësisë në Kosovë është shkaktari kryesor i frenimit të zhvillimit ekonomik, jo vetëm për funksionimin e bankave, por edhe për inkurajimin e investimeve të jashtme.
Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, thotë se nga mosfunksionimi në mënyrë efikase i gjykatave, vjen deri tek rritja e kredive të këqija, e që për pasojë kanë rritjen e kamatave për kredi.
“Kur të bëhet kalkulimi i normave të rrezikut të kredisë, rreziku numër një është funksionimi i dobët i sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe prandaj kemi kamatat, të cilat i kemi paguar dhe vazhdojmë t’i paguajmë, më të lartat në rajon”.
Ndryshe, grumbullimi i lëndëve të pazgjidhura, vazhdon të jetë problem, i cili sistemin e drejtësisë po e përcjell në vazhdimësi. Mbi 200 mijë lëndë të vjetra mbesin të pazgjidhura.
Pavarësisht këtyre, kreditë joperformuese në bankat komerciale janë në nivel të ulët, krahasuar me vendet e rajonit, ka thënë ditë më parë ushtruesi i detyrës së guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, duke shtuar se sektori financiar vazhdon të jetë stabil dhe fitimprurës.
“Kreditë joperformuese kanë vazhduar trendin rënës dhe sot norma e kredive joperformuese është në nivelin 3.6 për qind, që është një tregues i dukshëm më i mirë krahasuar me vendet e rajonit dhe më gjerë. Sektori financiar vazhdon të jetë mirë i kapitalizuar dhe me gjendje të mirë të likuiditetit”, ka thënë Mehmeti.
Ndryshe, vlera e kredive në dhjetë bankat komerciale që veprojnë në Kosovë, ka arritur në mbi 2 miliardë e 400 milionë euro, me normë mesatare të interesit prej 6.8 për qind.

Rusia thotë se informacioni i CIA-s ndihmoi për parandalimin e sulmeve terroriste

Kremlini tha se Agjencia Qendrore amerikane e Zbulimit, CIA u kishte dhënë autoriteteve ruse informacion që bëri të mundur parandalimin e një sërë sulmesh me bomba të Shtetit Islamik të planifikuara për në Shën Peterburg.
Kremlini tha se Presidenti rus, Vladimir Putin e telefonoi Presidentin Donald Trump për ta falenderuar për informacionin e CIA-s.
Rusia tha se informacioni ishte aq i rëndësishëm saqë shërbimi i sigurisë FSB, u vu në gjurmët e të dyshuarve që po planifikonin sulme vetëvrasëse me bomba të shtunën në Katedralen dyshekullore Kazan dhe objekte të tjera.
Moska tha se, Presidenti Putin i kërkoi udhëheqësit amerikan t’i shprehte mirënjohjen CIA-s dhe se, Rusia do të ndajë me Shtetet e Bashkuara informacionin që ka mësuar për sulme të mundshme terroriste në Shtetet e Bashkuara, ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën.
Telefonata e së dielës mes dy udhëheqësve ishte e dyta në katër ditë.

Hapet fushata presidenciale në Rusi

Dje ka filluar edhe zyrtarisht fushata presidenciale në Rusi.
Fushata ka nisur bazuar në një rezolutë zyrtare të Dhomës së Lartë të Parlamentit, e cila u bë e ditur gjatë javës së kaluar.
Kandidatët kanë kohë 20 ditë për të dërguar dokumentet e tyre të regjistrimit në Komisionin Qendror Zgjedhor.
Kandidatët e pavarur duhet të kenë të paktën 300,000 nënshkrime në mbështetje të tyre, ndërsa kandidatët që përfaqësojnë parti mirëpo nuk janë pjesë e Parlamentit duhet të dorëzojnë 100,000 nënshkrime.
Shefja e Komisionit për Zgjedhje, Ella Pamfilova ka thënë se të paktën 23 persona kanë shprehur vullentin e tyre për të kandiduar për president.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë më 6 dhjetor se ai do të kërkojë votën edhe për një mandat tjetër.
Më 14 dhjetor, ai u ka thënë gazetarëve se do të garojë si kandidat i pavarur dhe jo si kandidat i nominuar nga partia e kontrolluar nga Kremlini, Rusia e Bashkuar.
Kritikët e Kremlinit kanë thënë se, me qëllim është vendosur data 18 mars, që njëherësh shënon edhe ditën kur më 2014, Putin ka nënshkruar një traktat me anë të të cilit Moska pretendon se Krimea është pjesë e Rusisë.
Komisioni Zgjedhor ka thënë se lideri opozitar dhe aktivisti kundër korrupsionit, Aleksei Navalny, një kritik i ashpër i Putinit, nuk ka të drejtë kandidimi për shkak të një dënimi penal, për të cilin ai beson se ishte i motivuar politikisht.
Kandidatë të tjerë janë edhe lideri i Partisë Komuniste, Gennady Zyuganov, nacionalisti, Vladimir Zhirinovsky, liberali, Grigory Yavlinsky e shumë të tjerë.
Sipas parashikimeve pritet që Putin të fitojë edhe një tjetër mandat gjashtëvjeçar.

BE e përçarë për çështjen e refugjatëve

Hendeqet mes Lindjes dhe Perëndimit në Bashkimin Evropian janë thelluar. Në veçanti për shkak të migracionit dhe refugjatëve. Problemi kryesor është mungesa e solidaritetit, mendon Bernd Riegert.
Kuotat e detyrueshme për marrjen e një numri të azilkërkuesve, për të cilat ka pasur grindje në samitin e BE, janë harruar. Marrëveshja për kuota nga shtatori i vitit 2015, si një masë për shpërndarjen e ngarkesës me refugjatët, ka qenë e afatizuar për dy vite. Por koha ka kaluar dhe kuotat nuk janë respektuar. Ndërkohë që vazhdimi i këtij afati nuk është parashikuar. Gjykata Evropiane i ka hedhur poshtë ankesat e Hungarisë dhe Sllovakisë, kundër kuotave. Edhe ato kanë qenë të detyruara të marrin azilkërkues nga Greqia dhe Italia.
Kërkesa e vetme e Komisionit të BE tani është që disa mijëra refugjatë që janë identifikuar për shpërndarje, të shpërndahen. Fjala nuk është më për 120.000, por më së shumti për 9.000 persona. Por vendet e Vishegradit: Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe Çekia refuzojnë të pranojnë azilkërkues. Edhe Franca, Austria dhe Spanja si dhe disa vende të tjera kanë pranuar shumë më pak në dy vitet e kaluara, sesa ishte e parashikuar.

Kuotat kanë vdekur, rroftë solidariteti
Presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk ka plotësisht të drejtë kur thotë se sistemi nuk ka funksionuar dhe se vendet e BE janë të përçara. Këtë ka pranuar edhe i ngarkuari i BE për Migracionin, Dimitris Avramopoulos, në shtator të këtij viti. Shifrat dhe faktet flasin kundër kuotave. Pse Avramopoulos e sulmon Tuskun si “antievropian” mbetet sekrete.
Këtu bëhet fjalë për një grindje të hidhur mes qeverive populiste prej Varshavës e deri në Vjenë në njërën anë, si dhe qeverive të Gjermanisë, Italisë, Greqisë dhe Komisionit Evropian në anën tjetër. Këtu nuk bëhet fjalë për kuota, por për respektimin e parimeve. Sa solidaritet ka në mesin e vendeve të BE? Çfarë vlerash respektohen?
BE nuk mund të lejojë që vendet anëtare si Polonia, Hungaria dhe të tjerat të veprojnë më kështu. Por nga ana tjetër nuk lejohet as që ato të futen nën trysni tepër të madhe, sepse reagimi mund të jetë mbrojtja dhe kundërshtimi, nxitja e elementëve nacionaliste dhe pohimet se këto vende trajtohen si shtete të klasit të dytë në BE.
BE nuk mund të lejojë që vende anëtare, që bartin barrën më të madhe të azilkërkuesve, të mbeten të vetmuara. Greqia dhe Italia duhet të ndihmohen. Por kuotat e dhunshme duket se nuk janë metoda më e pranueshme. Në BE funksionon si duket vetëm “solidariteti i jashtëm”, pra mbrojtja e kufijve të jashtëm, pavarësisht se cilat janë pasojat për azilkërkuesit dhe migrantët nga Libia për shembull. Ndërsa njerëzit që mbërrijnë në Evropë duhet të shpërndahen në mënyrë solidare, gjë që nuk po funksionon. Këtu nuk po funksionon sistemi i vlerave.

Zgjidhja e fundit – paratë
Apelet morale kundër ksenofobisë së kryeministrit hungarez dhe miqve të tij në klubin e Vishegradit, nuk do të ndihmojnë. Por vendet anëtare që e financojnë BE-në duhet të kërkojnë solidaritet të brendshëm. Vendeve që pranojnë para, si Polonia, Hungaria, Çekia dhe Sllovakia, duhet t’u shkurtohen ndihmat, sepse këto para duhet t’u jepen Greqisë dhe Italisë, për të sistemuar refugjatët. Kancelarja Merkel ka kërcënuar me një mundësi të këtillë para një viti, por kjo nuk ka ndihmuar deri tani aspak.
Vitin e ardhshëm mund të zgjidhet problemi, sepse BE gjatë këtij viti do të fillojë negociatat për buxhetin e ri deri në vitin 2020. Ai që nuk i përmbush detyrimet, duhet ta vërejë këtë tek ndarja e parave. Ky nuk është ndonjë mjet elegant, por ndoshta i vetmi për të detyruar vendet jo solidare që t’i përmbushin obligimet. Përçarjet politike në BE me siguri që nuk do të zgjidhen në këtë mënyrë. BE gjendet para një sprove shumë të rëndë.

Ministri gjerman kërkon emërimin e një të ngarkuari të posaçëm të qeverisë

Kryesia e Këshillit Qendror të Hebrenjve dhe ministri i Brendshëm gjerman kërkojnë penalizim më të ashpër kundër antisemitizmit. Hebrenjtë në Gjermani nuk guxojnë të cenohen.
Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière pohon se, së shpejti do të duhej të kishte një të ngakuar federal për antisemitizmin. “Jo vetëm për shkak të incidenteve të fundit me djegien e flamurit izraelit, por duhet të kemi një të ngarkuar kundër antisemitizmit”, theksoi politikani i CDU për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”. Këtë ka sugjeruar ai edhe në konferencën e Komisionit të Ekspertëve të Ministrisë së Brendshme.
Ai tha se, ka vërejtur kohët e fundit rritjen e fenomenit të nxitjes së antisemitizmit dhe kjo e ka shqetësuar shumë. “Çdo lloj antisemitizmi apo vepre e motivuar antisemitiste, është e tepërt dhe paraqet një turp për vendin tonë”. Ministri tha se “është regjistruar edhe një shtim i barcoletave të papërshtatshme dhe sjelljeve diskriminuese kundër bashkëqytetarëve hebrenj”. Armiqësia kundër hebrenjve në Gjermani nuk guxon të ndodhë kurrë më, theksoi de Maizière.

De Maiziére: Veprim më i ashpër kundër demonstruesve antiizraelitë
Ministri i Brendshëm foli edhe për domosdoshmërinë e veprimit më të ashpër kundër atyre që organizojnë demonstrata antiizraelite: “Ne nuk mund të lejojmë demonstrata, ku digjen flamujtë e një shteti. Ky është një shkatërrim simbolik i të drejtës së një vendi për ekzistencë”. Këtu duhet të ndërhyjë policia, atje ku është e mundur.
Në shenjë protestash kundër vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump, për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, në protestat e mbajtura në Berlin, para ambasadës amerikane, janë djegur edhe flamuj të Izraelit. Edhe në lagjen e Berlinit, Nojkëln ka pasur djegie të flamurit izraelit.

Knobloch: Urrejtja ndaj izraelitëve vërehet edhe në rrugë
Emërimin e një të ngarkuari të qeverisë për antisemitizëm ka kërkuar edhe Charlotte Knobloch. Hebrenjtë duhet të ndjehen të sigurt në Gjermani, deklaroi kryetarja e shoqatës së hebrenjve në Mynih dhe Bavari për gazetën “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”. Në rrugët e Gjermanisë është vërejtuar një urrejtje e hapur ndaj hebrenjve, në veçanti nga të rinjtë arabë apo turq. “Këtu nuk kemi të bëjmë me Trumpin apo Jeruzalemin, por me një antisemitizëm të pastër, i cili nuk mund të justifikohet me asgjë. Një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë në Gjermani”, theksoi Knobloch, duke shtuar se të gjitha shoqatat dhe organizatat duhet të angazhohen kundër dukurive të këtilla në Gjermani.

Ukrainë: Policia përplaset me mbështetësit e Saakashvilit

Në Ukrainë, qindra protestues u përleshën sot me policinë, ndërsa përpiqeshin të futeshin me dhunë në qendrën e artit “October Palace” në Kiev pas një proteste kundër Presidentit Petro Poroshenko.
Turma që u shpërnda nga policia, e cila përdori gazin lotësjellës, është më e madhja deri tani që mbështet udhëheqësin opozitar Mikheil Saakashvili, i cili u lirua nga paraburgimi javën që shkoi, pasi ishte ndaluar dhe akuzuar se po përpiqej të organizonte një grusht shteti të sponsorizuar nga Rusia.
Nuk ka patur njoftime për dëmtime të rënda nga demonstrata, ndërsa situata u qetësua pas rënies së muzgut.
“Duhet të tregosh se je i guximshëm, por edhe shumë i qetë”, u tha protestuesve Saakashvili të dielën. “Do të qëndroj pranë jush deri në fund”.
Përleshja me policinë erdhi pas një demonstrimi më paqësor më herët gjatë ditës, ndërsa bëhej thirrje për dorëheqjen e presidentit.
Autoritetet ukrainase vendosën javën e shkuar të lirojnë Saakashvilin nga paraburgimi gjatë kohës që zhvillohen hetime lidhur me akuzat për nxitjen siç thuhet të një “grupi kriminal” të drejtuar nga ish-Presidenti Victor Yanukovych. Ish-Presidenti i Ukrainës u detyrua të lërë pushtetin në vitin 2014 dhe të largohet në Rusi. Ai akuzohet se fshihet pas protestave si pjesë e një komploti rus kundër Ukrainës.

Skandal, Taulant Balla falsifikon votën e Genc Pollos

Ka marrë përmasat e skandalit falsifikimi që Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS i ka bërë votës së deputetit Pollo. Në tabelën e rezultateve të votimit rezulton vota e Genc Pollos. Karta e votimit është vendosur nga Taulant Balla.

Kapet duke vjedh!

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla nuk ka vjedhur vetëm një kartë nga tavolinat e opozitës ndërkohë që deputetët e saj ishin grumbulluar pranë podiumit ku qëndron qeveria, por plot 8-të të tilla.
Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme mori 69 vota, por vetëm nga faktet e zbuluara deri më tani, atë e kanë votuar vetëm 61 deputetë të PS-së.
Pavarësisht nga kjo, akti i rëndë i deputetit Balla e bën procesin e votimit të Arta Markut në këtë pozicion të rëndësishëm, krejtësisht të pavlefshëm.
Kjo pasi kartat elektronike janë si kartat ‘ID’ dhe pas votimit rezulton emri i deputetëve të opozitës, të cilët në ato momente gjendeshin pranë foltores.
Njëkohësisht akti i vjedhjes së kartave elektronike nga ana e Taulant Ballës përbën, edhe një vepër penale.